Shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit, si të gjithë emigrantët, kanë problemin e mallit për njerëzit e vendin. Kur kthehen në vend, në mënyrë pothuajse të pavetëdijshme, mendja e tyre rrëmon në memorie në kërkim të kujtimeve të së kaluarës, si për të gjetur një rend apo ekuilibër brenda vetes, ose thjesht për t’i rijetuar. Edhe detaji ose objekti më i vogël mund të shkaktojë shpërthime kujtimesh të bukura ose të trishtuara.
E pra, nuk ka agjent më të fuqishëm për t’i evokuar kujtimet se sa shija dhe aroma. Mjafton një kafshatë e vogël, një shije e largët, ose thjesht një erë e mirë, për t’u kthyer në pak çaste në fëmijërinë e lumtur e të shkujdesur.
Ndërsa shijet e aromat kuzhinës mund të gjenden pothuajse gjithnjë, në drekën e nënës apo të kushërinjve, ato të frutave ose perimeve shfaqen detyrimisht në stinët përkatëse. A mund të gjesh domatet zemërkau po të shkosh në Shqipëri në janar? Nuk ke shanse. Po bamje në pranverë? Sigurisht jo të njoma. Mirëpo, udhëtimet e punës nuk mund t’i programosh sipas produkteve të stinës, kurse ato familjare rrezikojnë të jenë gjithnjë të të njëjtës periudhë.
Kësaj vjeshte në Shqipëri, më qëlloi të kaloj disa ditë nëpër atdhe. Në disa restorante që frekuentova, nga veriu në qendër, së bashku me sallatën, ose në pjata të tjera, më sollën hide, xinxife siç i thonë në jug, ose kimça në veri. Të huajt që shoqërova nuk e kuptonin babëzinë time të papritur, aq më shumë ndaj një fryti pak a shumë enigmatik, gjithsesi jo të përhapur në vendin e tyre.
Kur i hëngra, patën efektin e aparatit tek filmi “Total Recall”. Vërshuan në trurin tim me qindra kujtime të vegjëlisë, që flinin në heshtje, shpeshherë pa asnjë lidhje mes tyre: shtëpia e vjetër, lagja e dikurshme, shkolla tetëvjeçare, fshatari me gomar, kaushi i hideve, shoqja e bankës, mësuesja e fillores, aventurat në Erzen, rrugët pa makina, zysha e fizkulturës, filmi “Fan Fan Tulipan”, kanoçja me karbit, muri i fushës së futbollit, bunkeri i madh… Kërkova sërish hide të tjera.
Praktikisht, të njëjtin efekt më patën bërë caracat kohë më parë: të vogla, të zeza, engledisëse, e njëkohësisht bombë shpërthyese e kujtimeve të dikurshme. Zinxhir reaksionesh nga një kokërr e vogël, por me shije të paharrueshme, ku bërthama nuk luan rol të dorës së dytë. Madje edhe stadi i pjekurisë e ka ndikimin e vet, sepse ka shije të veçantë. Përsëri imazhe nga e kaluara: kaushët me letra çfarëdo, aventurat nga rezervuari, fshatarët me kosha prej thupre, dërrasa e zezë, fëmijët me topa të konsumuar, rrugët me biçikleta, bukë me sheqer e vaj, shëtitjet nga liqeni, prapë mësuesja e fizkulturës…
Mjafton një shkëndijë prej shije e arome për të ndezur kujtime dhe emocione të vjetra. Shtrati i psikanalizës ose i hipnozës lëkundet e dorëzohet përballë forcës së shijes. Një hide, dy caraca dhe dhjetëra emocione marrin jetë papritur, materializohen nga e kaluara e mjegullt, vërshojnë me ngjyra e tinguj, sikur të kishin ndodhur dje.
Ku e gjen vallë këtë fuqi hidja e vogël e kuqërremtë, ose caraci i zi si zar kushinete? Tërë ky pushtet magjik i koncentruar në dy kokrra pa peshë? Nuk duhet të habitemi aspak. Tek e fundit edhe Marcel Proust-it ëmbëlsira madaleine i sillte ndër mend fëmijërinë e lumtur. Shijet dhe aromat na nxjerrin nga thellësitë e kujtesës ndjesi të këndshme. Midis ushqimit e kujtesës lidhja është tejet e fortë e nuk na lipsen studimet neurobiologjike për konfirmim.
Që fuqia mnemonike e shijes dhe aromës ka diçka sipërore ma vërteton edhe fakti se ndërsa hidet më evokojnë episode të tëra të fëmijërisë dhe ndjenja të shumta, këto të fundit, kur i kam sjellë ndër mend vetë, nuk më kanë kujtuar frutat e çuditshme të fëmijërisë sime.
Grykësinë time për hidet mund ta akuzoj për problemet që më krijoi më pas: natën pa gjumë, kërkimi i ethshëm i banjave të aeroportit, djersët e ftohta, sikleti i përgjithshëm në avion… Megjithatë, duhet të ketë një lidhje sado të largët të “bulimisë” sime me pozitën e emigrantit, përderisa ky ka nevojë t’i evokojë kujtimet për ta shuar zjarrminë e nostalgjisë, ose thjesht për të kujtuar kohët e këndshme, për të gjetur fillin e narrativës personale…; por njëkohësisht i mungon koha për t’u ushqyer gradualisht me to dhe për t’i metabolizuar emocionet e dala në sipërfaqe. Edhe kujtimet kanë ndoshta nevojë për dietë dhe moderim.
Kur gjatë kontrollit në Rinas polici më pyeti “Çfarë ke këtu?” duke treguar qesen plot me hide në çantën time që kish marrë për familjen, nuk pata alternativë tjetër veçse t’i tregoja të vërtetën: “Kujtime nga fëmijëria”. Buzëqeshi me mirëkuptim, bëri një lëvizje me dorë e më la të largohem.
Bum kujtimesh shkaktoi ky shkrim – ti thua hide, unë kam neps për kumbulla Shëngjini, nga ato të gjelbërat, bërthamëvockëla, gjithë lëng, të forta që kërcasin ndër dhëmbë – ti sheh kaush hidesh, unë kaushat e farave të pjekura që shiste arixhiu (politically uncorrect) tek porta e shkollës – pas zyshës tënde, del imja e elektros, astronomisë dhe vizatimit teknik (tani shpërthim djersësh, përveç kujtimesh)…
Vështrim interesant psikologjie ky pasazh. Sidoqoftë, pyes veten mbi vërtetësinë e pohimit mbi aftësitë sipërore të fuqisë mnemonike të shijes dhe aromave. Dyshoj se është e kundërta. Kujtimi i tyre, sipas meje, shërben veç për të nxjerrë në sipërfaqe kujtimet e tjera të kënaqësive të fëminisë përmes bashkëshoqërimit të shënuar në kohën e përjetimit dhe të regjistrimit mnemonik. Ndaj dhe kujtimet e fëminisë më vete nuk i evokojnë dot frutat në fjalë, sepse kujtimi i këtyre të fundit, në këtë optikë, është në vetvete i pavlerë pa këtë bashkëshoqërim.