SI T’IA SHKREPËSH VETES

selfie-mania-10-keshillaShkrimet me këshillat se si duhen bërë selfie-t, që u botuan në shtypin shqiptar, i prisnin me padurim të gjithë. Një media e titullonte kështu:  “Selfie- Mania, 10 këshilla për foton perfekte”, tjetra me fjalë të ngjashme: “10 këshilla sesi të bësh “selfie-n” perfekte“.

Tani askush nuk ka alibi për selfie të shëmtuara, kurse ata që përsiatin për fenomenin global, le ta mësojnë se selfie është art i vërtetë, që duhet kultivuar më tej. Artikulli i parë jep dhjetë këshilla bazë të huazuara nga një fotograf italian, i cili tingëllon ca i çuditshëm në shqip, të paktën siç është servirur. I dyti nuk e përmend burimin e këshillave jetike.

Ja disa pasazhe të rëndësishme të shkrimit, me pak komente në kllapa

Askush nuk do të kishte dyshim! Risia më e suksesshme e 2014-tës është “Selfie”! Në të vërtetë, nëse doni të keni “selfie”-n më të bukur, disa sekrete ka.

[Dyshimi është se jo çdo risi është e suksesshme. E ky nuk është sekret, ngaqë sekretet i ka marrë me vete arti i selfie-t.]

Për të gjithë adhuruesit shqiptarë, ja cilat janë 10 këshillat kryesore për tu mbajtur mend:

[Në fakt, këshillat që jepen vlejnë vetëm për shqiptarët, të cilët janë adhurues por nuk dihet se të kujt].

1. Kujdesi mbi çka ju rrethon. Përzgjidhni kontekste sa më përfaqësuese e që tregojnë dicka të veçantë në lidhje me veten tuaj.

[Për shembull në banjë publike, duke treguar qartë shkrimet mbi mur].

2.  Shkrepja. Poziciononi smartphone-in pak më lart së vetja. Fytyra me drejtim lart, eviton hijet dhe lëkura duket më perfekte!

[Para se t’ia shkrepni vetes gjeni pozicionin e duhur. E çdo të thonë të tjerët kur të të shikojnë? Fytyra duhet të dalë e bukur dhe e çlodhur, në mënyrë që njerëzit të thonë: “Duket sikur fle”. Pastaj, dihet që lëkurën e keni perfekte, por ka edhe perfekte].

3.  Evitoni burimet e dritës, sidomos ato të llampave apo abazhurëve. Dritat e forta nxjerrin në pa difektet e fytyrës. Evitoni njëkohësisht edhe  errësirën e tepruar,  përndryshe askush nuk do t’ju dallonte.

[Kujdes nga drita e tepërt, se e kuptojnë që s’je njeri. Kujdes edhe nga errësira. Së pari, pak e dinë, por në errësirë fotografia nuk del; së dyti, e këtë e dinë të gjithë, në errësirë shkon për lesh dhe kthehesh i qethur. Në dhomën e errët çdo gjë bën vaki].

4. Mos mbani kurrë smartphone-in tuaj përballë vetes, në distancë të afërt. Efekti deformues është i paevitueshëm.

[Por nëse jeni të deformuar afrojeni smartphone-n pa problem, se mund t’ju rregollojë tiparet].

5. Mjaft më “selfie” përpara pasqyrës! Mungesë totale fantazie dhe tashmë rrjetet sociale janë tejngopur me imazhe të tilla.

[Pas grevës së përgjithshme të pasqyrave nuk lejohen më selfie. Pasqyrat e zhgënjyera pandehnin se aparatet ishin marrosur pas tyre. Mungesë fantazie!]

6. Meqë jemi në stinën e verës, evitoni fotot në plazh të kofshëve dhe gjunjëve tuaj. Zgjidhni më shumë detin dhe horizontin si sfond.

[Prapë deti, prapë horizonti?! A nuk u ngopëm me romantizëm kartolinash? Ne duam material, sipas midesë natyrisht].

7. Ok “selfie” në lëvizje, por kini kujdes ku vendosni këmbët, sidomos nëpër rrugë. Evitoni makinat, trenat, me pak fjalë mos i    shkaktoni dëme vetes, vetëm për t’iu dukur origjinal dikujt.

[Çdo zanat ka rreziqet e veta. P.sh. kur treni vetë, ose vetura, dëshiron të bëjnë selfie, mos i dilni para].

8. Nëse doni të realizoni një “selfie” me një personazh VIP, mos harroni edukatën dhe respektin. Nëse personi VIP ndodhet në një situatë private mos dhunoni privacy-n e tij. Ndërsa nëse ndodheni në një ambient publik, kërkoni gjithmonë lejen e tij.

[Por në rast se VIP-i jeni ju dhe doni të bëni një selfie me një VIP tjetër?]

9. Për të gjithë ata që kanë ambicie prej fotografi, mos harroni që selfie-t më të mira janë ato me fotokamerën normale, jo me ekranin pasqyrë të celularit, i cili ka cilësi më të ulët se e para. 10. Kini kujdes me atë se çfarë bëni, pas shkrepjes së “selfie”-t. Mos postoni foto delikate, sidomos kur ekziston rreziku i përdorimit të tyre nga persona që nuk ju kanë aspak përzemër.

[Ka edhe këshilla profesionale, që janë vetëm ëpr profesionistët. Të tjerët, amatorët, nuk i kuptojnë. Janë çështje shumë teknike].

10. Kini kujdes me atë se çfarë bëni, pas shkrepjes së “selfie”-t. Mos postoni foto delikate, sidomos kur ekziston rreziku i përdorimit të tyre nga persona që nuk ju kanë aspak përzemër.

[Pika e fundit është shkruar dy herë se ka rëndësi dyfish. Në rast se dërgoni një foto që ju tregon me libër në dorë, rrezikoni t’ju dalë nami i keq].

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin