TË GJITHË E DIMË

Ka shprehje të cilat kujtojmë të bindur se po i përdorim me vend, por që në fakt na kanë dallë nga kontrolli, për t’u shndërruar në bimë parazitare të kopshteve tona diskursive.

Mes tyre, tërheq vëmendjen siç e dinë të gjithë (dhe variantet e ngjashme dihet se, dihet mirë se, dihet botërisht se, siç e dimë të gjithë, të gjithë e dimë se, etj.), e cila pëdoret si operator logjik në mbështetje ose përforcim të premisës së arsyetimit.

Për shembull, në vend që të themi se Gana është vend afrikan, mund të precizojmë se Gana, siç e dimë të gjithë, është vend afrikan; jo vetëm duke e shpërndarë tek të tjerët përgjegjësinë e pohimit, por edhe duke u përligjur ose u shfajësuar, para tjetrit, pse kemi pohuar një fakt të mirënjohur.

Natyrisht, mekanizmi nuk është dhe aq i pafajshëm; nëse unë them se Eichhornia crassipes është, siç e dimë të gjithë, e vështirë për t’u kontrolluar me herbicide, në fakt jam duke e reduktuar publikun tim në ata njerëz që, vërtet, e dinë se çfarë është eichhornia crassipes; pra, duke e përdorur shprehjen siç e dimë të gjithë, si operator për të krijuar, konsoliduar ose riprodhuar një grup (pikërisht grupin e atyre që e dinë se çfarë është kjo bimë).

Kështu, siç e dimë të gjithë mund të kryejë, në thënie, funksione nga më të larmishmet: të krijojë grupe dhe t’i përforcojë ato; të specifikojë se nga vjen dhe ku mbështetet folësi; të kërkojë simpati ose bashkëfajësi ose solidaritet në emër të folësit; të përjashtojë “ata që nuk dinë” nga grupi, duke i bërë të ndihen të përjashtuar; të shpërndajë përgjegjësinë për thënie me vërtetësi të diskutueshme (“siç e dimë të gjithë, Nostradamus-i i ka parashikuar të gjitha ngjarjet historike të rëndësishme”) ose gënjeshtra: “siç e dinë të gjithë, Sali Berisha nuk di të notojë”; të shfajësojë folësin për banalitetet që është duke shqiptuar (“siç e dimë të gjithë, Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë”); të paralajmërojë për bullshit-in që do të pasojë: (“siç e dimë të gjithë, Tirana është nga qytetet më të bukura të Ballkanit”); të padronizojë dëgjuesin, duke i ngjallur një ndjenjë inferioriteti të lidhur me padijen (“siç e dimë të gjithë, Slavoj Zhizhek-i është martuar tre herë”); e kështu me radhë.

Këto funksione veprojnë më mirë në kontekste specifike; përndryshe efekti i tyre vjen e shndërrohet në qesharak, siç duket në shembujt vijues, të vetëm njërit prej varianteve, të nxjerra nga ueb-i[1]:

Havani, siç e dinë të gjithë ata që e përdorin, është një enë e thellë prej druri, prej guri a prej metali, në të cilin shtypen e përpunohen lëndë të ngurta
[Gjokë Dabaj, pashtriku.org]

[Edhe pse mund ta përdorësh havanin pa ia ditur “përkufizimin”; sikurse mund t’ia dish përkufizimin një vegle edhe pa e përdorur; krahaso: “Siç e dinë të gjithë ata që e përdorin, spori i antraksit është armë e shkatërrimit masiv.”]

Siç e dinë të gjithë, më 6 mars të atij viti, nga porti i Durrësit shkuan me anije, në qytetin Bari, qindra emigrantë shqiptarë.
[prof. Murat Gecaj, në Shqiptari i Italisë]

[Këtë jo vetëm e dimë, por edhe e kemi shënuar me të kuqe në kalendar.]

Dhe siç e dinë të gjithë se, respekti, dashuria dhe vlerësimin e madh që e kemi ndaj Shtetit Islamik të Irakut dhe Shejh Ebu Bekër el-Bagdadit do të vazhdojë duke qenë e ndërlidhur, e bazuar në dashuri, vëllazëri dhe bashkëpunim në devotshmëri dhe takvallëk, kështu që jemi në një anije dhe do të vazhdojmë së bashku të luftojmë kundër armiqve të Allahut
[Ebu Muhammed el-Xheulani, Bota islame]

[Këtë me siguri e dinë vetëm ata që ndjekin Ebu Muhammed el-Xheulanin me takvallëk.]

Jemi pro-amerikanë, siç e dinë të gjithë.
[Një ekonomiste në Prishtinë, Gazeta Jeta]

[Përfshi këtu edhe amerikanët vetë, të cilët përndryshe nuk dinë pothuajse asgjë, madje as edhe që nuk dinë.]

Unë do të shfrytëzoja rastin që siç e dinë të gjithë, profesioni i regjisorit është i tillë që puna e tij është e lidhur me shumë komponentë të tjerë, shumë të rëndësishëm, pa prezencën dhe pa kontributin e tyre nuk do të kishte asnjë vlerë.
[Vladimir Prifti, në Koha.net]

[Edhe ata që e dinin këtë, tani u ngatërruan.]

Siç e dinë të gjithë njerëzit, Afrika është vendi i problemeve, urisë dhe epidemive.
[prof. Xhasim el-Mutava, ardhmëria.online]

[E dinë jo vetëm njerëzit, por edhe disa prej kafshëve, të cilat prandaj edhe emigrojnë drejt zoo-ve të Europës.]

Siç e dinë të gjithë, në Shtërpcë ka edhe terr politik.
[Avni Limani, telegrafi.com]

[Deri në Shtërpcë dhe kthehu!]

Siç e dinë të gjithë, unë në Kosovë nuk kam ardhur për të krijuar ekzistencën time nga politika, por kam ardhur nga një sukses me renome botërore, të arritur me punë mbi 40 vjeçare.
[Behgjet Pacolli, albanur.eu]

[Disa, veç, i ngatërron ajo renome-ja, ngaqë nuk e njohin rusishten.]

Siç e dinë të gjithë, procesi i “Iluminizmit” doli nga duart, deri një shekull më vonë, ku Friedrich Nietzsche – duke folur për Marksin, Engelsin, Darvinin dhe Frojdin gjithashtu, shpalli “vdekjen e Zotit”
[Dr. Murad W. Hoffman, Zëri Islam]

[Në fakt, dhe siç vetëm shumë pak e dinë, Nietzsche-n e shkretë nuk e la varrëmihësi të fliste për Freud-in.]

Gjakovarët siç e dinë të gjithë mund të rrinë pa bukë, por jo pa ushqimin e shpirtit – muzikën, kaq shumë e duan dhe e çmojnë muzikën dhe artin gjakovarët.
[Shkëlzen Doli, Lajme.org]

[Pleqtë e Krujës këtë nuk e dinin; madje as Pleqtë e Korçës.]

Janë, në të, të tetë vitet që kam kaluar në akademinë e Tiranës. Pastaj siç e dinë të gjithë vjen ajo etapë e jetës sime ku gjithçka ndryshoi.
[Kledi Kadiu, Shoqëria jonë]

[Ka shqiptar që të mos ia dijë këtij biografinë? Ka italian?]

Që nga 2 nëntori 2012, ashtu siç e dinë të gjithë, Lionel Messi është bërë baba i një djali që quhet Thiago.
[lajme.shqip]

[Turp për ata që s’e kanë uruar akoma!]

Garderoba e Ramës siç e dinë të gjithë është plot ngjyra të ndezur ylberiste që sinjalizojnë një kohë kur ekstravaganca e shijeve e ndihmonte të ishte i ndryshëm, kontrovers, në gjithë atë myk gustosh që e rrethonte.
[proletari.com]

[Rama e përdori pastaj garderobën e vet “ylberiste” për të mbuluar dhe “veshur” pallatet e Tiranës: Dammi i colori, bre!]

Ankesat më të mëdha të pushuesve janë për zhurmat që siç e dinë të gjithë vinë nga lokalet e natës.
[albania.de]

[Të gjithë e dinë se nga vijnë zhurmat, askush nuk e di se ku ikin.]

[1] Komentet e mia duan marrë si humor vetëm, jo kritikë e materialeve të cituara, të cilat madje as i kam lexuar deri në fund.

4 Komente

  1. Kjo shprehje paraqitet si pleonazëm. Është e tepërt, parazitare, nuk duhet të qëndrojë aty ku futet. Natyrisht kjo e prish hijeshinë e fjalisë, ndonjëherë edhe nga ana logjike. Por nga të gjitha variantet që jepen më sipër nuk e di pse ajo që më irriton më tepër është e mëposhtmja: dihet botërisht se… Alergjinë që kam nga kjo shprehje ndoshta duhet ta gjej tek inflacioni që ka pësuar gjatë viteve të totalitarizmit, ku pothuajse çdo gjë “dihej botërisht”, si p.sh. që Shqipëria ishte fanar ndriçues.

    Tani, desha të theksoj se në disa kontekste të caktuara shprehja “siç dimë të gjithë” edhe mund të përdoret saktësisht. Sa për të vijuar me shembullin e mësipërm, pohimi se Eichhornia crassipes është, siç e dimë të gjithë, e vështirë për t’u kontrolluar me herbicide mund t’i shkojë për shtat konferencës së përvitshme të botanistëve, por natyrisht jo konteksteve më të gjera. Unë për shembull nuk e dija që Eichhornia crassipes qenka një nga bimët aliene më invazive të botës. E kisha parë vetëm nga ana romantike…

    Së fundi, kam përshtypjen se në disa raste shprehjet e llojit “siç dihet” pluskojnë në gjuhë pa ndonjë objektiv të caktuar. Janë kërpudha gjuhësore, ndoshta mbijetojnë për inerci të ligjërimit, duke e rënduar ridondancën në gjuhë. Dua të them se ndonjëherë futen në mënyrë të pavetëdijshme në gjuhën e shkruar e të folur.

    1. Kjo shprehje perligjet vetem ne ato raste kur autorit i duhet te perdore si premise te nje arsyetimi nje fakt aq te njohur sa pa kete shprehje “justifikuese” do te tingellonte si banalitet.

      P.sh. sikur te thuash: “Formula kimike e ujit eshte H2O” nuk i ke dhene ndonje informacion te ri e te panjohur lexuesit. Kur ky pohim te duhet si premise e asaj qe do te thuash me poshte atehere justifikohesh duke shtuar “sikurse dihet nga te gjithe”.

      1. Po sa vetë e dinë vërtet që formula kimike e ujit është H2O? Dhe nga ata që “e dinë”, sa janë vërtet që ia dinë kuptimin formulës? Relapso, më duket se e nënvlerëson fuqinë e pakufishme të padijes 🙂

        Unë – që nuk është se s’e kam përdorur shprehjen në fjalë – do të thoja: Meqë formula kimike e ujit është H2O; ose Duke pasur parasysh/po të kemi parasysh që formula kimike e ujit është H2O

        Se përndryshe, “të gjithë e dinë” tingëllon sikur “unë mbaj mend ta kem dëgjuar këtë, por s’e kam idenë se nga dhe si.” Shprehje pafuqie, më shumë se modestie; madje edhe atëherë kur merr përsipër të përcjellë arrogancë, ose padurim të folësit.

        1. edhe une them qe pranohet te perdoret, por ne nje kumtese apo fjalim ose biseda, por jo ne shkrim.. jane fjale qe i japin kohe degjuesit te rremoje ne kujtese per faktin qe permendet, bejne lidhjen ndermjet te njohures me te panjohuren qe vijon apo vendosin ndalesa te rrjedhshme ne kumtese (sic e permendem me pare, sikur mund ta dini apo degjuar, do te thoja etj.), ndoshta ajo “te gjithe” eshte ca e tepert, se perfshin edhe njerezit jashte salles … por shqipja shquhet per fjale te tilla parazitare dhe stilin tjerres qe e bejne mendimin dhe tekstin terkuze.., sikur historite qe rrefejne pijanecet ..

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: