Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Teknologji

SHAHU I KODEVE

code-spaceMesazhi që më dërgoi kohë më parë një person i njohur më solli ndërmend vizitën e Kasparovit në Shqipëri dhe idenë që u hodh për të masivizuar lojën e shahut, nëpërmjet mësimit nëpër shkolla, temë kjo që u trajtua edhe këtu. Në të vërtetë mesazhi nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë problem. Nëpërmjet tij miku im kërkonte të dinte se cilat ishin mundësitë për një investim të rëndësishëm që ai ishte gati të bënte në Shqipëri për krijimin e disa aplikacioneve informatikë.

Nuk është se bëra ndonjë kërkim të thelluar por pasi u telefonova disa të njohurve që besoj se kanë informacion të mirë, kuptova se qe e vështirë të gjeje në Tiranë firma të besueshme në atë fushë.

Duket, për shkak të tregut të vogël, kapacitetet programuese nuk kanë marrë ndonjë përpjesëtim të ndjeshëm në Tiranë. Ana problematike e firmave të huaja që operojnë në fushat kryesore të ekonomisë është se ato sjellin programe të gatshme. Pra, mundet që ka munguar tregu dhe nxitja për krijimtari. Dhe siç mund të kuptohet, përgatitja e përshtatshme për të nxjerrë përfitimin e duhur nga proceset e mondializimit nuk ka qenë ndonjë shqetësim që e ka lënë pa gjumë klasën politike shqiptare. Eshtë kërkuar të shkojmë në Evropë, por rrallë është menduar se çfarë do të mbajmë në dorë kur të gjendemi te sallonet e saj. Si gjithnjë, ka të ngjarë që dora jonë të rrijë e nderuar përpara, por jo plotësisht, pak e mbledhur si kupë që mos bjerë asgjë në tokë, por aspak nervoze, në një pritje plot durim, pra. Një gjest të cilin tashmë e zotërojmë mirë.

Për të përfunduar me historinë e mesazhit të mësipërm, shtoj se personi në fjalë sapo më njoftoi (dhe këtu qe zanafilla e këtij shkrimi) se përfundoi këto ditë kontratën me disa informaticienë pakistanezë. Ishte mjaft i kënaqur nga modelet që i kishin dërguar ata.

Në këto kushte, ardhja e Kasparovit në Shqipëri dhe mundësia që qeveria shqiptare të fusë mësimin e shahut nëpër shkolla, kam përshtypje se është një çështje që ia vlen të ndalet, meqë diskutohet për një kohë të rëndësishme kombëtare, një kohë unike, kohën kur ke ende të drejtë e mund të vendosësh si shoqëri se çfarë përparësie do t’i japësh formimit të brezave.

Po sikur në vend të shahut në shkollat shqiptare të futet mësimi i kodeve të programimit, algoritmeve?

Eshtë një fushë e veprimtarisë dhe ekonomisë botërore që po nxjerr mbi ujë një numër të madh shtetesh të varfër, po integron ekonominë e tyre në rrjetin botëror.

Dihet se kur një taksapagues, f.v.j. amerikan, telefonon për të kërkuar ndonjë shpjegim për pagesën e tij, ai në 70% të rasteve ka shanse të konsultohet me një indian, që ndodhet bashkë me nja dyqind bashkëkombës të tjerë në një dhomë ku mungon ajri në periferi të Bombeit, por janë më të shumët ata që nuk e dinë edhe se numri më i madh i programeve dhe siteve Web që vizitojnë janë konceptuar dhe realizuar në vende të tilla si India, Pakistani, Indonezia etj.

Ideja e një shahu masiv në Shqipëri nuk është e keqe, por kam përshtypjen se ai i përgjigjet një dispozicioni social disi të tejkaluar. Uzurpon në mënyrë jo fort të përligjur një kohë që nuk vjen më. Do të mbetet gjithnjë një lojë e shkëlqyer, një lojë elitash gati, por jo më shumë se aq. Dihet se shahun e luante me pasion edhe Lenini, por kam përshtypjen se ai nuk e bëri Leninin më të mençur. Nuk e di nëse luante shah në çastin kur diktonte listat me emrat e shkencëtarëve, gjeneralëve dhe poetëve rusë që pushkatoheshin të nesërmen? Mund të thuhet, madje, se po qe se rusët në vend të shahut do të kishin masivizuar programimin informatik në shkolla, situata e tyre ekonomike do te qe ndryshe. Sot ata janë zotët e një vendi që nuk prodhon asgjë veç nacionalizmit dhe nga mjerimi i vërtetë i ka shpëtuar vetëm rezerva e gazit.

Edhe shqiptarët e vegjël kodet nuk do t’i bëjnë më të mençur, por ka mundësi t’i bëjnë më të pasur. Pranë shtëpisë sime kam godinat e një universiteti që vitet e fundit nuk resht së zgjeruari. Dikush më tha se janë ata që dikur fituan “tenderin” për skenat e famshme të realizuara në kompjuter të filmit “Titanik” të J. Cameronit. Dhe që atëherë marrin porosi nga e gjithë bota, me gjithë çmimet e kripura që kanë.

Më duhet të pohoj se personalisht nuk kam patur ndonjë lidhje të veçantë me shahun. Nisa të interesohem për të kur dekada më parë, te një enciklopedi e vogël Melzi (Il Novissimo Melzi ), e vitit 1904, mësova se shpikësi i shahut ishte… Pirro i Epirit (sic). Në fillim e besova, por vetëm më vonë nisa të kuptoj se ai mund të kishte shpikur gjithçka tjetër, por kurrë shahun. Çfarë mund të ketë lëvizje më të marrë se sa të armatosësh një turmë barinjsh, t’i zbarkosh në Itali dhe t’i nisësh drejt Romës? E kuptoj dhe do të merrja edhe vetë pjesë në luftën kundër Romës (po qe se nuk do te kisha emigruar atje se  pak të ngjarë ka që ai të ndiqte një politikë të brendëshme më të ndryshme), por çfarë i shkrepi në mëndje që e bëri të nisej drejt Romës? Ku do të dilte me atë lëvizje vetëvrasëse ?

Shkurt, dua të them, se edhe sikur të jemi vërtet ne vetë ata që e kemi shpikur, ajo lojë magjike do mbetet anësore, se nuk mund të zhvillohet e shkëputur nga një kontekst i caktuar social. Gjithnjë mjeshtrit do të jenë në anë tjetër të tavolinës. Një rrethanë qesharake, kur në Tiranë zhvillohet një ndeshje midis një kinezeje dhe një indianeje dhe elementi shqiptar nuk dihet ku është, besoj se flet vetë dhe nuk jep shumë kënaqësi po të pêrsëritet.

Megjithatë, mua ajo historia e Pirros edhe pse nuk e mësova të vërtetën, më vlejti. Iu futa mësimit të shahut me zell patriotik (veçse me ndihmën e një libri të përkthyer nga rusishtja), por nëse nuk merrja pjesë në gara të hapura, të paktën isha në gjendje të ndiqja rizhvillimin që u bënte në TV dikush me emrin Z. Ashta (më duket), lojërave të kampionateve botërore, që më tërhiqnin fort edhe pse nuk i kuptoja gjithnjë strategjitë e tyre. Kjo me kusht që z. Ashta të mos i ndodhte ndonjë incident magnetik në fushën e tij vërtikale e të thoshte: “Më falni se më ra kali”. Fatkeqësisht kjo ndodhte shpesh dhe më pas qe e vështirë ta ndiqje shpjegimin e tij.

E megjithatë, interesi i mësimit të kodimit informatik, sot nuk ka asgjë të përbashkët me motivet e kufizuara të mêsimit të shahut. Krijimi i aplikacioneve informatikë, sot mbetet problem edhe për shumë vende të mëdha evropiane. Kërkesat janë të mëdha, në tavolinë janë shuma kolosale, por konkurrenca nuk bën hatanë dhe çmimet mbeten gjithnjë të larta.

Vetëm kohët e fundit po vërej se të paktën në Francë ka filluar një lëvizje e gjerë për afrimin e kësaj fushe më një masë të madhe njerëzish. Po kërkohet në të gjitha nivelet politikë që mësimi i kodeve informatikë të mësohet gjerësisht që në shkollat fillore. Kërkohet që asnjë nxënës të mos mbetet pa mësuar të paktën krijimin dhe zhvillimin e ndonjë loje kompjuterike, sado të thjeshtë. Merren njohuri të mira në gjuhë të tilla si Web HTML dhe PHP, por grupe të veçanta ecin edhe në Python dhe Ruby.

Në këto kushte besoj, Shqipëria, me rrogat e saj ende modeste është në pozicion të favorshëm të ofrojë krahët e saj të punës, por problemi është se ajo nuk ka ekspertizën e lartë dhe masive.

Por era informatike vetëm sa ka filluar. Dhe ka të ngjarë që mënyra si mësojmë apo kalojmë kohën dhe formimi ynë “klasik” i takon së kaluarës. Sot përparësitë janë krejt të tjera. Do të qe me interes që një pjesë e atyre porosive që realizohen në Azi e gjetiu, të kthehen në Shqipëri. Eshtë fusha e veprimtarisë së njerëzve me vullnet e fantazi, por pa shumë mjete. Tamam, ky shans duhet kapur. Nuk do të jemi kurrë ne ata që do të shpikim një familje të re antibiotikësh, për shkak të investimeve kolosale që kërkohen, por një ordinator gjendet gjithkund. Se, fatmirësisht, pra, nuk kërkohet një bazë e kushtueshme materiale. Edhe i vetëm para ekranit, një njeri i pasionuar dhe me vullnet mund të krijojë mrekulli të vërteta. Më vjen këto çaste ndërmend rasti i atij djalit ukrainas, të cilit M. Zuckenberg-u i bleu për 19 miliardë dollarë një aplikacion për FB.

Atëherë a nuk është rasti të ketë një diskutim më të hapur, ku e ardhmja të projektohet mbi mundësitë dhe jo dëshirat, para se të vendoset që shahu të mësohet në shkollat shqiptare?

 

Pa Komente

  1. Ja edhe nje sugjerim qe perben prove ne favor te asaj qe thote Xha Xhai ne nje shkrim aty me pare. Pra sipas jush, zevendsim (ne kete rast i dickaje qe madje as nuk egziston ende) e jo shtim. Pra te mos futet shahu se i prish pune programimit, apo si? Une mendoj se te dyja jane te dobishme, sidomos nqs shahu lihet fakultativ, pra sipas deshires, kurse programimi futet si lende, pjese e kurrikules shkollore. Por per fat te keq, me duket se sic behen punet ne Shqiperi as njeri e as tjetri nuk kane per t’u SHTUAR, e as nuk kane per te ZEVENDESUAR ndonje lende tjeter….

    1. Idete e mira jane te tilla sepse ofrojne zgjidhje per probleme te caktuara, siç ishte rasti i shkrimit te fundit te 2xh per standardin dhe dialektet. Por po qe se dinamiken e saj ju nuk e shihni ne nje kontekst te caktuar, kam frike disa muaj me pare do te me thonit se lufta midis Berishes dhe Rames ne fushaten e zgjedhjeve eshte pa kuptm dhe e vjetruar sepse ka vend per te dy ne kryeministri. Ju me kete rast nuk i beni nder asaj ideje. Konflikti eshte ne rendin e gjerave. Dhe njerzit ftohen te japin zgjidhje. Ne temen konkrete eshte fjala per nje kohe unike dhe te rendesishme shkollore, e programuar dhe llogaritur ne çdo minute. Une dhashe nje ide, per te perfituar prej saj, asgje me shume. Nuk thashe te hiqet shahu, qe praktikisht nuk ben pjese ne programe. Nje ide tjeter mund te jete qe disa shkolla te aplikojne njerin program (shahun) dhe te tjerat kodet. Por ju kujtoj se sot nuk eshte as njeri e as tjetri.Dhe ketu eshte ndryshimi me “konfliktin” qe permendni ju ku eshte njeri dhe nuk eshte tjetri.

      1. E shof qe edhe kur eshte puna per nje diskutim, apo krahasim te thjeshte midis shahut dhe programimit, apo kodeve sic i thoni juve, nuk mund te rrime pa perzier Ramen dhe Berishen. Me fal, por c’dreqin hyn edhe njeri edhe tjetri ketu?!?

        Une e kisha theksuar edhe ne komentin e pare, qe edhe kur eshte puna per gjera qe nuk egzistojne trajtesa behet nen principin o njera, o tjetra, sic ju e keni trajtuar ne shkrimin tuaj, dhe asgje me shume.

        1. Me falni per nderhyrjen po kjo puna e shtimit ne dem te zevendesimit (qe nder te tjera ka sjelle nja 100 parti, ne vend te 7-8 qe dalin e teprojne), i ngjan asaj historise se atij gjygjtarit (gjyqtari popollor). I tregon paditesi hallin e ky i thote, ke te drejte, i tregon i padituri versionin e tij, i thote edhe ti ke drejte. Nderhyn gruaja e i thote, ore po s’mund te kene te drejte te dy, njeri ka te drejte e tjetri gabim. Ky ia kthen, ke te drejte edhe ti.
          Ceshtja eshte se vijne rrethanat qe duhet te zgjedhesh, sado qe mund te duket e veshtire.Ne ate çast fiton rregulli dhe progresi.
          Sado qe te shumteve u eshte dukur absurde, qendrat historike duke qene jashte kohe si strukture, nuk mund te mbahen te paprekura sepse qyteti modern mund te behet ne periferi (shtimi e jo zevendesimi. Zevendesimi sjell rregullin dhe progresin.

          Per temen ne fjale, shahu nuk ka gjasa te shtohet krahas informatikes, as te zevendesoje fiskulturen si lende sportive apo t’i marre ndonje ore. Muhabeti i shahut dhe Kasparovit ishte thjesht publicitet, s’mund te merret seriozisht nje llokme dokrre.

          Perndryshe, Lysi ka te drejte qe e kerkon nje gje te ketille, veçse duhet rregulluar me legjislacion si puna e oficereve te ushtrise dhe policise, qe duhet te besh 5 vjet pune qe te largohesh, perndryshe i bie qe Shqiperia te investoje dhe fitimet t’i kene te huajt meqe si 1+1=2 te gjithe do te largoheshin jashte shtetit per te punuar andej dhe Shqiperia s’do fitonte asgje. Ne rast te kundert une s’dua qe taksat te cilat i mbledh shteti nga taksimi i konsumit tim te shkojne si i thone per lesh.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin