Para se të jetë fundi i dialogut, sharja shënon përfundimin e argumentimeve. Në fakt, sharjet hyjnë në skenë pikërisht kur arsyeja del jashtë. Në politikë kjo është e verifikueshme lehtë, sepse sharjet fillojnë kur debati nuk ka rrugëdalje, ose armët e bindjes kanë mbaruar, në rast se kanë ekzistuar deri në atë moment.
Schopenhauer ka vënë re se sharja është një lloj dredhie e skajshme, që përdoret kur nuk mund t’i kundërpërgjigjemi bashkëbiseduesit. Sipas tij, arma e sharjeve vihet në përdorim kur dikush e kupton se kundërshtari është i epërm dhe meqë fitorja e tij duket e sigurt, atëherë kalohet nga objekti i debatit tek subjekti i tij, pra duke sulmuar në një farë mënyre personin.
Sharja është diçka tjetër nga fyerja, edhe pse mund të përkojnë me njëra tjetrën. Sikurse janë akte të tjera: qortimi, mallkimi, poshtërimi, blasfemia, hakërrimi, qorrollisja e sinonime të shumta që jepen zakonisht për fjalën sharje. Edhe fjalët e pista, me të cilat mund të shahet e të fyhet një person, jo gjithnjë kanë synimin e sharjeve. Këto, sipas studiuesve, duan t’ia reduktojnë vetëvlerësimin personit, ta ndajnë nga grupi e ta mallkojnë. Ka studiues që shohin tek sharjet edhe hijet e hershme të formulave magjike të popujve primitivë, ku nëpërmjet fjalëve, nëpërmjet forcës së tyre mallkuese, synohej të ndryshohej fati i armikut.
Siç e pamë, sharjes nuk i mungojnë sinonimet. Madje mund të gjenden edhe të tjera si për shembull: shpifje, tallje, përqeshje, ofendim, lëndim… Megjithatë, sharja dallohet prej tyre sepse synon në thelb asgjësimin e kundërshtarit, mohimin total të tij. Në këtë kuptim, sharjet mund të shihen si armët në çdo duel “all’ultimo sangue”, pavarësisht se beteja nuk përfundon me vdekjen fizike të palës tjetër. Të gjitha veprimet e tjera, si psh. tallja, parashikojnë mbijetesën e kundërshtarit, madje kanë nevojë për këtë premisë për t’u realizuar. Aspekti tjetër dallues është se sharjet nuk mund të ekzistojnë pa një dozë dhune verbale, që bën pjesë në natyrën e saj.
Terreni pjellor që kanë gjetur sharjet në politikën shqiptare duhet kërkuar edhe në humusin kulturor ku ato lulëzojnë. Nuk mund të mohohet se asgjësimi i kundërshtarit ka qenë objektivi kryesor i politikës së djeshme, që në totalitarizëm u kodifikua deri në legjislacion duke e konsideruar armik, por që mbijeton si mendësi edhe në ditët e sotme. Mjafton të shikojmë historinë e viteve të pluralizmit të ri shqiptar për të kuptuar se si palët kundërshtare në politikë janë frymëzuar shpeshherë nga urrejtja, madje kanë dashur asgjësimin e tjetrit, shkatërrimin total të kundërshtarit, duke e konsideruar si armik për jetë për ta luftuar “pa kompromis”, sa për të nxjerrë nga sëndukët e gjuhës totalitare një shprehje të vjetër.
Pak nga përvoja, e pak nga arsyeja, shumëkush prej nesh e pranon se sharjet janë më të dendura gjatë fushatave elektorale, meqë edhe “gjakrat” ndizen më shumë dhe ndonjë fjalë më tepër kalon pa kontrollin e zakonshëm. Në shamatën e përgjithshme, zhurma e sharjeve në fushatën zgjedhore duket sikur nuk e ka efektin e vet të zakonshëm, ngaqë konsiderohen si të thuash normale, edhe pse ato e rrisin temperaturën e përgjithshme, duke ulur njëkohësisht efektin e argumenteve. Ndikimi në elektorat është i fortë, sepse shtrëngon radhët e palëve duke shënuar me forcë kufirin ndarës, çka shkakton edhe polarizimin e qëndrimeve politike. Mirëpo, identiteti i përftuar nga përplasja e skajshme më shumë flet për kundërshtarin se sa për vete, ndërkohë që asgjë konstruktive nuk rezulton nga sharjet për sa kohë synojnë shkatërrimin e kundërshtarit.
Po në kohë normale, pas fushatës zgjedhore, përse sharjet vazhdojnë të përdoren në politikë? Këtu duhet nënvizuar një veçori shqiptare, ku partitë e ndjejnë veten në fazë të përhershme elektorale, gjë që dallohet edhe nga tonet e përplasjes në parlament e në media, a thua se zgjedhjet janë në prag të derës. Kjo vlen për të gjitha partitë politike. Në qoftë se viktima e parë është publiku, ose më mirë qytetaria, viktima e dytë është pa dyshim arsyeja dhe argumentimi. Në poteren e madhe që krijohet, mes sharjesh, fyerjesh e fjalëve të pista, vështirë t’i dëgjohet zëri argumentit, atij pa të cilin vetë politika nuk mund të ekzistojë. Në fakt, me sharjet hyjnë në lojë format argumentum ad personam, që do të thotë se vëmendja zhvendoset nga tema politike drejt personit.
Nuk mund të mos u japësh të drejtë atyre që shohin tek përdorimi i sharjeve mungesën e politikës dhe të ideve politike. Me fjalë të tjera, sharjet shërbejnë si gjethja e fikut për të mbuluar lakuriqësinë e politikës. Këtu kemi sërish efektin shashkë të sharjeve, por për ta devijuar vëmendjen nga hiçi, për ta mbushur me asgjë boshllëkun e politikës. Detyrimisht mendja të shkon tek politika shqiptare, që shpeshherë nuk ka ç’t’i japë publikut përveçse skena teatrale me sharje e ngritje zëri mes protagonistësh pa skenar (apo me skenar të shkruar bukur?).
Në një farë mënyre sharja është edhe vdekja e fjalës. Kjo në vend që të përdoret, abuzohet e keqpërdoret. Gjatë procesit të sharjes, fjala e humbet pjesën e saj racionale për të mbetur vetëm me atë instiktive dhe emotive, duke u kthyer në copëz primordiale të shprehjes. Në cilësinë e premisës ky proces është shkatërrues për dialogun e politikës.
Sharja i shkon përnjimend për shtat asaj kulture shqiptare që kërkon gjithnjë fitimtarë e humbës, porse në të vërtetë ajo përshenjon humbjen e qytetarisë, pra të të gjithëve, sepse në thelb lëndohet njeriu, pa të cilin asnjë politikë nuk ka kuptim.
Pishak, kur thua që sharja është “vdekja e fjalës”, besoj se ke parasysh pikërisht që ajo shënjon shpesh jo aq dëshirën për ta asgjësuar kundërshtarin, sa për të ndërprerë komunikimin me të – meqë komunikimi parakupton diçka të përbashkët edhe në planin njerëzor. Sharja vjen kështu si qark i shkurtër, ose si momenti kur funksioni ekspresiv e zëvendëson krejt funksionin komunikativ të gjuhës. Diçka si poezi e kthyer përmbys.
Ma thotë mendja se mënyra më e mirë dhe më e thjeshtë për ta hequr qafe kundërshtarin – simbolikisht – është nëpërmjet shantazhit. Përkundrazi, kush shan në publik, lë të kuptojë se komunikimi me tjetrin ka marrë fund, dhe se është zëvendësuar tashmë nga komunikimi me publikun. (“Unë s’flas me atë, unë dua që të dëgjoni ju.”) Dhe këtu nuk është se ka ndonjë distancë të madhe nga “I bëj thirrje zotit Filan Fisteku të heqë dorë nga …” dhe sharjes vetë.
Në atë kuptim e kisha, madje përfitoj nga rasti të sqaroj diçka. Mua më duket se fjala, gjatë metamorfozës së saj në sharje (le të mos harrojmë se në sharje mund të shndërrohen shumë fjalë normale) e humbet natyrën e saj të vërtetë komunikative, edhe pse jo formale, për t’u kthyer nëpërmjet involuimit drejt diçkaje paraverbale, primordiale, parahumane, kafshore, që ngjason me skërmitjen, britmën, hungërimën. Ajo vërtet komunikon diçka, por ama krejt elementare, diçka që i ngjason kanosjes; gjithsesi është shenjë e mungesës së dëshirës për komunikim. Për mua vdekja e fjalës ndodh kur fjala vjen e shndërrohet në gur për të vrarë kundërshtarin. Në këtë rast vdekja e fjalës shënjohet nga ndryshimi i natyrës së saj, që nuk mund ta ndash nga njeriu.