Fusha me tenda, ose siç e quajnë ndryshe tendopoli, në San Ferdinando të Kalabrisë, që vizitova në fund të janarit 2014, në fillim u krijua me siguri me idenë e një strukture të përkohshme, por që tashmë, me kalimin e viteve, është kthyer në qendër të vërtetë banimi, edhe pse në kushte negative të paimagjinueshme.
Për fat të keq, emergjenca ka ardhur duke u stabilizuar e duke u bërë kronike, deri në atë pikë saqë situata konsiderohet “normale”, edhe pse në kuadrin e një situate të jashtëzakonshme. Ndërkohë përkohshmëria, në mungesë të rrugëdaljeve konkrete, ka ardhur duke u shndërruar në stabilizim.
Kampi me imigrantë afrikanë gjendet i veçuar, jashtë qendrave tradicionale të banimit. Për shumë arsye, duke filluar nga prejardhja multietnike e multifetare e bujtësve, vështirë ta konsiderosh geto, edhe pse ka ndonjë ngjashmëri me geton klasike të hebrenjve të përshkruar nga studiuesit e shkollës së Chicago-s. Gjithsesi, është e qartë se tendopoli nuk ka të bëjë as me dukurinë e përqendrimit të imigrantëve, as me përzierjen rezidenciale, që vihen re zakonisht në qytetet perëndimore. Me fjalë të tjera, nuk mund ta krahasojmë as me banlieue-të franceze e as me zonat e apartheid-it e Afrikës së Jugut.
Sidoqoftë, kemi të bëjmë me një formë segregimi, në qoftë se me këtë fjalë nënkuptojmë përqendrimin e një ose shumë grupeve njerëzish në hapësira të veçuara nga zonat përreth. Segregimi hapësinor, ose territorial, siç quhet në studimet sociale, verifikohet kur në disa zona të veçanta kemi një numër më të madh të personave të një grupi të caktuar. Në rastin e tendopolit në San Ferdinando banorët janë afrikanë.
Nga ana tjetër, kampi i imigrantëve në San Ferdinando nuk mund të konsiderohet si bidonville, favelas, ose slum, sepse përmban pak kasolle, e nuk gjendet në periferi të qendrave të mëdha urbane. Nuk duhet harruar gjithashtu, se të gjitha zonat me barake janë të paligjshme, d.m.th. të paautorizuara, ndërkohë që çadrat e ngritura atje mbajnë stampën zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe problemet e kampit njihen nga të gjitha institucionet vendore e qendrore.
Po të dëgjosh dëshmitë dhe ankesat e imigrantëve në kamp, e kupton menjëherë se nuk ka asnjë auto-segregim, ose asnjë lloj segregimi vullnetar, siç ka ndodhur ndonjëherë në historinë njerëzore. Të gjithë emigrantët kërkojnë të largohen nga kampi në shtëpi të vërteta, mundësisht brenda qendrave të banuara. Pra nuk ka dëshirë për vetë izolim ndaj popullsisë vendase.
Megjithatë, segregimi territorial, edhe kur imponohet, krijon kushtet e një jete relativisht të mbyllur, çka e detyron bashkësinë të organizohet vetë, sidomos në kushtet e raporteve të reduktuara me popullsinë vendase. Vetëorganizimi është edhe mënyrë mbijetese, përderisa shumë shërbime nuk jepen nga jashtë kampit. Shenjat e këtij vetorganizimi i gjen kudo.
Mjeti kryesor i udhëtimit mbetet biçikleta. Imigrantët e përdorin për t’u zhvendosur e për të shkuar në punë, kryesisht në bujqësi, për mbledhjen e agrumeve, frutave të tjera dhe perimeve në fushë. Kjo ishte edhe arsyeja përse sindikata italiane, pasi pyeti dom Roberton, që e njeh situatën e kampit shumë mirë, vendos t’u dhurojë diçka konkrete e të dobishme: këmisha fosforeshente. Në këtë mënyrë, imigrantët me biçikletë mund të dallohen nëpër rrugë e mund t’i shmangin aksidentet, që për fat të keq nuk mungojnë, sidomos kur ngryset.
Mungesa e shërbimeve të riparimit dhe largësia nga qendrat e banimit i detyron imigrantët të merren vetë me rregullimin e biçikletave. Njëri nga të pranishmin na tregon se kur puna është larg, pra kur duhet të shkojnë në ndërmarrje bujqësore të largëta, biçikletat janë të papërdorshme. Në mungesë të shërbimit të transportit, të ofruar nga institucionet lokale, imigrantët më të moshuar luajnë rolin e transportuesve. Kundrejt një pagese të vogël, marrin makinat e tyre dhe i shoqërojnë të rinjtë deri në vendin e punës. Kjo e shpjegon pjesërisht edhe praninë e disa automjeteve në kamp. Do të mjaftonte vetëm ekzistenca e tyre për të kuptuar që nuk kemi të bëjmë me një imigracion të kohëve të fundit, por të shtresëzuar.
Që në kamp komuniteti ka filluar vetëorganizimin e jetës, e shikon fare qartë edhe nga disa shenja të tjera. Diku nga mesi i çadrave vëren një qoshk me artikuj ushqimorë: vaj, biskota, pije freskuese, miell, vezë, etj.. Pyes. Më thonë se është dyqani ku banorët e kampit mund të blejnë sende ushqimore. “Pronar” është njëri prej tyre.
Era e rëndë e plehrave që rrethon tendat dhe gjithë kampin, përziet herë pas here me erë mishi të pjekur. Nuk kuptohet nga vjen. Pak më tutje dallon dy vetë që sillen rrotull një skare të improvizuar e në kushte higjienike jo të mira. Po merren me pjekjen e mishit të pulës. Janë shumë copa për ta shpjeguar si konsum vetjak. Në fakt, na shpjegojnë me kënaqësi se mishin e pjekin për t’ua shitur banorëve të tjerë të kampit, që mund të vinë nga puna, ose që jetojnë në tendopoli.
Ajo që të bën përshtypje është se brenda çadrave hapësira është e pastër dhe e rregulluar me shije, pavarësisht se mjerimi dhe varfëria vihen re edhe aty. Megjithatë, brenda tendave sistemimi është dinjitoz, në kontrast të thellë me situatën jashtë e përreth kampit.
Jeta në çadra ka filluar të organizohet në mënyrë të qëndrueshme. Këtë e vërteton gjithashtu ekzistenca e kasolles me qese të shndërruar në kishë, ku të krishterët mund të vinë e të luten, ose të celebrojnë festat fetare. Nga ana tjetër e kampit, na tregojnë një tendë tjetër të ngjashme, por që është pajisur si xhami për besimtarët myslimanë. Jo më pak domethënëse në këtë drejtim është çadra (tenda) me qese që luan rolin e shkollës, ku shumë imigrantë afrikanë mësojnë gjuhën italiane.
Ngjashmëritë me kampet e dikurshme të imigrantëve shqiptarë, të atyre që erdhën me eksodet e para të viteve nëntëdhjetë, ekzistojnë pa dyshim. E jo vetëm për çadrat, shkollën, e detaje të tjera të jetës që janë shpjeguar mirë në shkrimin Fidanishtet e dhunës të Xha Xhait. Megjithatë, duhet pranuar se epoka ishte krejt tjetër, situata ekonomike gjithashtu, madje vetë karakteristikat e imigrantëve ndryshojnë. Sidoqoftë, në rast se koha në kampe do të ishte zgjatur më shumë, e nëse do të krijoheshin kushtet e mbylljes e të izolimit, edhe në kampet e shqiptarëve do të krijoheshin ierarkitë e para dhe jeta do të organizohej me strukturat e brendshme të bashkësisë.
Të gjitha shenjat e riorganizimit të jetës brenda tendopolit në Kalabri mund të konsiderohen si fakte pozitive, sepse e lehtësojnë qëndrimin e imigrantëve nëpër tenda, në kushtet e mungesës së shërbimeve të ndryshme që gëzon çdo qendër normale banimi. Por nga ana tjetër, janë pikërisht veprimet e riorganizimit për mbijetesë që e riprodhojnë jetën në kamp, duke ia shtuar jetën atij dhe duke e transformuar emergjencën në normalitet. Gjithsesi, këto aspekte tregojnë se politikat e integrimit në atë zonë dhe masat për përmirësimin e jetesës së personave që jetojnë atje kanë dështuar tërësisht. Sepse zgjidhja më e mirë për banorët e tendopolit do të ishte shkatërrimi i tij dhe shpërndarja e tyre në banesa të denja për njeriun.
[fotografitë janë të autorit]