Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë

KULTI DHE OKULTI

Para disa ditësh, persona të paidentifikuar lëshuan një statujë disa-tonëshe të Skënderbeut diku buzë rrugës që të çon nga Tirana në Rinas – një gjigant prej hekurbetoni, që e përçudnonte heroin kombëtar në trajta groteske.

Kjo që ndodhi, tepër intriguese në vetvete, u interpretua nga disa edhe si një përpjekje për të përdhosur vetë figurën e Skënderbeut – meqë ky ishte paraqitur atje me këmbë e thundra prej kali, bisht, sy të zgurdulluar si maskat e karnavaleve dhe organe gjenitale androgjine.

Ndërhyri menjëherë dhe me efikasitet policia, e cila në pamundësi të arrestonte ndonjë keqbërës, arrestoi statujën vetë, për ta izoluar në një mjedis larg publikut. Gjatë operacionit, statuja u dëmtua në qafë, madje gati sa nuk mbeti pa kokë.

Për misterin e këtij Skënderbeu të papritur foli tani edhe Marin Mema në Top Channel.

Ende nuk dihet se kush e ka punuar këtë statujë dhe për ç’qëllim; policia, edhe nëse ka mësuar gjë, nuk ka dhënë informacion. Supozimi se ky gjest thjesht synon të denigrojë një figurë kombëtare tingëllon naiv; më shumë duket sikur statuja është përgatitur për të shërbyer në ndonjë rit okult – që këtej edhe ngjashmëritë me paraqitjet tipike të Pan-it ose të Bafometit. Pa shpjegim mbetet edhe braktisja e kësaj vepre buzë një rruge me trafik të dendur, aq afër Tiranës.

Nga ekspertët e intervistuar në emision, prisja shumë më tepër prej eruditit Moikom Zeqo, njohës i shkëlqyer i simbologjisë dhe Robert Langdon i shqiptarisë – të paktën një përsiatje të shpenguar rreth stilemave të mishëruara në atë beton dhe kuptimit të tyre.

Mirëpo, edhe Zeqoja zgjodhi rrugën e lehtë të interpretimit të statujës si gjest armiqësor, “çmitizues”, prej “ekstremistësh” dhe me “prapavijë antikombëtare”, dhe e shpenzoi kohën që iu dha në ekran për të shpjeguar se pse Skënderbeu është figura më e rëndësishme që ka nxjerrë kombi shqiptar.

Të krijohet përshtypja se një emision i thjeshtë informativ, për një enigmë të mirëfilltë, përfundoi i përdorur për të ri-konfirmuar pozicione të mërzitshme në lidhje me statusin e Skënderbeut në vetëdijën kombëtare.

Tërheq vëmendjen edhe fakti që policia është duke e hetuar këtë ngjarje si vepër penale – edhe pse nuk kuptohet nëse vepër penale është gdhendja e statujës, ekspozimi i saj, apo braktisja e saj anës rrugës.

Në emisionin e Top Channel u sqarua se kjo vepër penale e supozuar lidhet drejtpërdrejt me nenin 268 të Kodit Penal, që ka të bëjë me poshtërimin e Republikës dhe të simboleve të saj (shihni minutën 7:36 në videoklip); i cili referohet si më poshtë:

Neni 268

Çka gjithashtu më duket e sforcuar, e shpërpjesëtuar me ndodhinë dhe ndoshta po aq groteske sa edhe vetë statuja e Skënderbeut dionisiak, të braktisur buzë rrugës.

Frymën e emisionit e gjen pastaj të përcillet, e ripërtypur, edhe te komentet e pamungueshme në YouTube, si ky i mëposhtmi:

koment YouTube

I cili, paradoksalisht, e vendos edhe statujën në një kontekst surreal ku Skënderbeu Bafomet mund ta vazhdojë luftën e vet epiko-magjike me “myslimanët” gdhendës, mu nën sytë e shqiptarëve post-modernë, që venë e vijnë nga Rinasi.

Pa Komente

  1. Në fakt, nëse kjo është një përpjekje e ashtuquajtur e ulët për të degjeneruar një mit shqiptar, që edhe unë e dyshoj shumë, do thoja shyqyr, më në fund po marrim edhe ne guximin të çmitizojmë.

  2. Kur e pashe si lajm, gjeja e pare qe me shkoi ne mendje, pavaresisht se me duket e pamundshme, ishte nacionalizimi i okultit.
    E c’na duhen idhujt pagane te Egjyptit dhe te Greqise…. Ne kemi tonin.

  3. “më shumë duket sikur statuja është përgatitur për të shërbyer në ndonjë rit okult – që këtej edhe ngjashmëritë me paraqitjet tipike të Pan-it ose të Bafometit”

    Duhet marre parasysh edhe hipoteza qe e ka bere ndonje artist me probleme mendore Seriozisht, ka plot vete ne qarkullim qe duhet te ndihmoeshin ne ndonje istitucion psikiatrik, dhe mes tyre mund te jene edhe artiste.
    Qiparis te çmitizosh do te thote te ndash te verteten historike nga miti, dhe jo te fyesh e te perdhosesh. Cdo koncepti le ti japim fjalen qe i takon

  4. Xhaxha,

    duket sikur vlerësimi i parë i bërë zyrtarisht, që është edhe i vetmi deri tani, në një varë mënyrë të ka tërhequr t’i bashkohesh dyshimit, se statuja është punuar apo ekspozuar me qëllime dashakeqëse ose në rastin më të mirë, që gjenden jashtë artit. Pa pasur asnjë informacion më tepër se shkrimi yt dhe videoja me kronikën përkatëse të Topchannel-it, unë nuk do të nxitohesha ta vlerësoja këtë ndodhi negativisht. E gjithë ngjarja me misterin e vet lë shumë mundësi që ta vlerësosh në vetvete si një vepër arti konceptualiste, e panjohur në këtë formë në Shqipëri, e cila e ka befasuar vëzhguesin, i cili i pasigurt strehohet në atë lloj arti dhe kritike arti që njeh, për ta gjetur gjithçka si një veprim medoemos jashtëartistik, në mos armiqësor.

    Po e filloj nga fundi. Fillimi i hetimeve në bazë të nenit neni 268 të kodit penal është i gabuar.
    Ja ç’thotë ligji:

    “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj
    Poshtërimi, botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së
    shkrimeve, i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i
    stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit ose heqja, dëmtimi,
    prishja, bërja e padallueshme apo e pa përdorshme e flamurit apo stemës së
    Republikës të Shqipërisë të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë
    kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.”

    Tani Skënderbeu nuk është dëshmor dhe në kështu që veprës penale të supozuar i mungon objekti.

    Pa dashur të thellohem në aspektet teorike të 4 elementëve të domosdoshëm të veprës penale që janë objekti, subjekti, ana objektive dhe ana subjektive, veprimit të kryer i mungon deri tani ana subjektive me një relevancë penale. Nuk e dimë nëse autori ka dashur të shprehë një mendim antishqiptar, i cili edhe sikur të jetë i tillë, nuk është akoma penalisht i dënueshëm, apo ka dashur të shprehë një mendim fetar, i cili në rastin konkret duhet parë mirë se mos mbulohet gjë nga e drejta themelore e ushtrimit të fesë, po të marrim parasysh se e drejta e ushtrimit të lirë të fesë e garantuar nga Kushtetuta mbulon të gjitha fetë, të cilat perceptohen si të tilla nga besimtari dhe jo nga shoqëria. Më e mundshme mua më duket që i gjithë aksioni në vetvete duhet parë deri sa nuk ka asnjë informacion tjetër, si një vepër arti komplekse, pra bërja e skulpturës, vendosja e saj në hapësirën publike, qëndrimi në anonimitet.

    Këtu mund të diskutohet pa fund se ç’është arti dhe të mos merremi dot vesh asnjëherë, por gjithsesi, nëse i largohemi atij përfytyrimit se karakteristika thelbësore e artit gjendet në aspektin dekorativ të tij dhe të besojmë se art është ai krijim i cili nxit impulse intelektuale, eksiton vetëm si pikënisje e një perceptimi të ndryshëm, të veçantë e të ri të realitetit, pra që arti është një shtysë për të menduar e gjykuar më shumë, me intensivisht, më thellësisht, procese që bashkërisht mundësojnë thellimin dhe zgjerimin e sqarimit apo ndriçimit të shpirtit, ka shumë mundësi që autori që ka gjykuar kështu, të ketë vepruar konform me rregullat e shoqërisë, e cila po me dispozita kushtetuese garanton lirinë e arti dhe të veprimtarisë krijuese si dhe ndalon censurën.

    Unë nuk dua të gjykoj as policinë shqiptare e as Ministrinë e Kulturës, por në një rast të tillë ndoshta do të ishte dashur vepruar ndryshe. Veprës që u gjet atje do të duhej t’i bëhej një ekspertizë nga kritikë të artit bashkëkohor, nëse dikush do të donte pa tjetër ta kategorizonte zyrtarisht diku. Në këtë rast di të duhej të dëgjoheshin për mendimin e tyre edhe artistë të artit bashkëkohor shqiptar, të cilët janë pak, por gjithsesi janë në Tiranë ca me pak e nëpër botë ca më shumë. Edi Hila ka nxjerrë studentë të mirë, të cilët kanë një botëkuptim tjetër për artin dhe që janë bajagi në nivelin e kohës. Topchannel-i ishte gjithashtu krejtësisht i papërgatitur për këtë gjë që ra nga qielli dhe nuk bëri dot më shumë se të vepronte me instinktin e atyre majmunëve të Stanley Kubrick-ut tek „Odisea 2001“. Marin Mema, që nuk e njoh e nuk dua t’i bie në qafë padrejtësisht, nuk ishte i aftë të perceptonte më shumë nga kjo ndodhi se një shtëpiake e zakonshme nga Rruga “Komuna e Parisit”, ndërsa do të kishte qenë në nderin e Moikom Zeqos të mos fliste se e ëma e Zeqos në majë të thanës po t’i kishte rënë për shkurt e të kishte heshtur, pasi sido që ta kthesh e ta rrotullosh këtë punë, pse në dreq u dashka marrë ekspertiza e një arkeologu për një vepër arti bashkëkohor.

    Më duket sikur u humb një shans për të diskutuar për diversitetin e gjëra, ndërkohë që vepra në fjalë, edhe se pse ndoshta pa dëshirën e autorit, mund të kishte shërbyer si platforme për këtë dhe e zgjidhëm si problem talebançe.

    Personalisht nga vepra më pëlqyen gjenitalet, si një metaforë e lindjes së shqiptarizmit nga figura e Skënderbeut; pra nga ky mit u pollëm ne shqiptarët e sotëm, natyrisht shpata disproporcionale me mitin e saj, si një apel për tu qetësuar në përgjithësi, si dhe këmbët-thundra të cilat mund të shihen një gjest ironik në lidhje me faktin që shqiptari i plotfuqishëm i gjithnjë-ndodhur mbi-kalë sintetizohet fizikisht me këtë krijesë, ironi që nuk duhet parë detyrimisht në lidhje të drejtpërdrejtë me Skënderbeun por me pushtetarin e sotëm.

    Që të mos fillojmë të shahemi gjë kot. Unë Skënderbeun e dua shumë.

      1. Parrullë,

        faleminderit për postimin e lidhjeve. Mendimi zyrtar, ku unë do të përfshija edhe atë të Akademisë së Arteve të shprehur nga personeli mësimdhënës, të trishton. Një refuzim i veprës i ardhur nga turma nuk përbën problem, një i tillë i ardhur nga institucionet kulturore tregon se ato vegjetojnë në një batak provincial e reaksionar. Për hatër të Zotit, mund të jenë të gjithë njerëz të mirë që shkojnë në rrugën e Perëndisë, por pa asnjë impuls të brendshëm për tu përballuar me sfidën konceptuale të një “diçkaje” ndryshe. Me një fjalë, njerëz të kulturës të kufizuar.

        Nga ana tjetër e kuptoj mirë qëndrimin e Ministrisë së ministres Kumbaro, e cila ma do mendja që personalisht është aq e hapur dhe e ndriçuar, sa të gjejë të natyrshëm diversitetin e gjërave, por e pamundur t’i përballet talebanizmit që mund të kish nxitur, sikur të kishte thënë, le ta lëmë ta gjykojë çdo gjë soditësi dhe le të kufizohemi vetëm në detyrën tonë, që ta mundësojmë këtë soditje.

        Postimi i Vincent van Gerven Oei ishte sigurisht ai që pritej nga dikush që sheh një vepër arti syhapur dhe pa komplekse. Mua më ndihmoi për të kuptuar edhe veten diçka më mirë.

        Ja kalofsh mirë.

    1. Pifto,

      pavaresisht nga te gjitha konsideratat kritike dhe interpretimet qe mund t’i behen atij objekti, duhet te kesh parasysh diçka:

      Vendimin per ekspozimin e veprave te artit, si shtatore, obeliske, basorelieve etj. ne vende publike duhet ta marrin autoritetet qe kane nen juridiksion ate territor, ne kete rast bashkia.
      Sikur vepra te ishte ekspozuar ne ndonje muze privat ne ambjente te mbylluara, atehere do te vinin ne veshtrim ato qe thua ti.
      Ne rastin tone jemi perpara nje objekti te ekspozuar abuzivisht ne nje hapesire publike. Kaq mjafton per te proceduar penalisht autoret eventuale.
      Besoj se e perfytyron se ç’do te behej sikur te gjithe artistet dhe skulptoret aspirante te fillonin e t’i mbushnin hapesirat publike me “veprat” e tyre pa ua kerkuar kush.

      1. Relapso e ke gabim.

        Së pari unë po flas për një vepër arti, e cila si e tillë ekziston për pakkënd e jo për gjithkënd por që meriton trajtimin e së tillës prej gjithkujt. Në fakt nuk ka vepra arti që t’i pëlqejnë gjithkujt dhe kjo në fjalë është një shembull më se evident i kësaj aksiome. Në lidhje me pozicionin tënd duhet mbajtur parasysh, që vepra e artit nuk e fiton vlerën e vet artistike në momentin kur autoritetet shtetërore e trajtojnë atë si të tillë, për në momentin kur ajo perceptohet si e tillë nga vëzhguesi, ose kur janë të gjitha gjasat që të perceptohet si e tillë nga një bashkësi vëzhguesish. Kjo është themelore në këtë aspekt dhe ky është rregulli në një shoqëri normale. Në rastin konkret vepra e artit është padiskueshmërisht një e tillë dhe si e tillë meriton edhe perceptimin, trajtimin dhe mbrojtjen përkatëse.

        Së dyti, vepra ishte vendosur në një ambient privat, pavarësisht se me apo pa leje të pronarit dhe siç po tregohet e gjithë makineria burokratike është vënë në lëvizje kryesisht, pra pa kërkesën e një pale të dëmtuar. Pre që në momentin e parë është presupozuar se me vendosjen e një vepre arti pa leje në një ambient privat është prekur një interes publik dhe kjo është diçka që mua nuk më pëlqen fare, ngaqë shteti po përzihet diçka si shumë për t’i kryer një vlerësim përmbajtësor negativ një vepre arti dhe për ta penguar atë të qëndrojë e soditshme për publikun. Po të ishte shteti aq i interesuar, që të fillonte kryesisht praktika për ruajtjen e pasurisë private, bukuri; por më fillo të lutem më të njëmilionten e këtij zelli me rregullim e territorit apo mbrojtjen e pyjeve, apo ruajtjen e bregdetit e me radhë, që më të mos zgjatem në gjëra që i dimë të gjithë. Thënë më shkurt, kjo është censurë, dhe edhe kjo është diçka, që në një shoqëri normale nuk duhet të ekzistojë.

        Së treti. Dyshimi yt, se po të fillonin të gjithë të bënin vepra arti dhe t’i vendosnin pa leje në hapësirën publike do të ndodhte diçka e padëshirueshme, më kthen pas në kohë vërtetë të shëmtuara, ku iniciativës për të menduar e vepruar në mënyrë individuale i vihej ky kufi. E ke parasysh vetë. Kur të thoshin: “hyr në rresht ose t’i shkurtuam këmbët (në mos “kokën”)”. Nuk ndodh asnjëherë që të gjithë njerëzit të kryejnë njëkohësisht të njëjtat veprime, me përjashtim të rasteve kur i detyron (diktaturë), ose kur ju ke shpëlarë trurin (përsëri diktaturë). Është në natyrën e njeriut (me shije) që nëpërmjet veprimeve publike të sillet ndryshe nga të tjerët, duke filluar që nga brekët që vesh e deri tek fakti nëse preferon që një statuje të Skënderbeut vendosur ilegalisht diku t’i veshë brekë apo jo. Kështu që kjo frikë është e pamotivuar.

        Së katërti, ajo që po bëhet më e dukshme prej ditësh është, që një pjesë e veprës penale është mënyra se si i është ekspozuar ajo publikut. Për mua kjo është diçka thelbësore. E përfytyrueshme është që autori të ketë parishikuar edhe dinamikën e paparashikueshme të veprës së artit pas vendosjes së saj në publik si pjesë të veprës. “Arrestimin e veprës”, siç vë re me shije të hollë ironie xhaxhai. Pra sfida e perceptimit të saj në publik duhet parë si pjesë e veprës së papërfunduar. Me një fjalë një vepër arti në progres në vijim të procesit të perceptimit publik. Një vepër arti, e cila funksionin si një shqelm bythëve për të lëvizur më tej, për t’u shtyrë më tutje me mendimin, shijen, reflekset perceptuese të së bukurës apo të shëmtuarës në hapësirën publike.

        Mrekulli! Ç’të presim me tej nga Arti?

    2. Mua me shqeteson me shume ideja e talljes me dike qe nuk jeton me. Nese dikush arrin te shpjegoje se nuk eshte tallje por nje statuje ndryshe qe shpreh ide artistike (qofte edhe te formes se karrikatures) te cilat nuk jane keqdashese por i referohen vertete personazhit siç ka qene apo siç eshte imagjinuar; atehere e terheq menjehere ate besimin e pare se kete statuje kaq idiote duhet ta kete bere vetem ndonje i semure mendor ose po shtoj ndonje tip nen efektin e substancave çudiberese.
      Ndjese per gjuhen aspak artistike, por ne anen tjeter edhe ky arsyetimi yt duket krejt pa lidhje, natyrisht jo aq sa vete statuja.

      “pra nga ky mit u pollëm ne shqiptarët e sotëm, natyrisht shpata disproporcionale me mitin e saj, si një apel për tu qetësuar në përgjithësi, si dhe këmbët-thundra të cilat mund të shihen një gjest ironik në lidhje me faktin që shqiptari i plotfuqishëm i gjithnjë-ndodhur mbi-kalë sintetizohet fizikisht me këtë krijesë, ironi që nuk duhet parë detyrimisht në lidhje të drejtpërdrejtë me Skënderbeun por me pushtetarin e sotëm”

      Ketu asgje nuk qendron; as pjellja metaforike nga Skenderbeu, as kembet e statujes nuk ishin kembe kali, as shqiptari nuk eshte konsideruar ndonjehere ne raport me kete kafshe, as shpata e gjate nuk mund te shihet si nje appel per tu qetesuar.
      Natyrisht mund te gjenden menyra te tjera qe do te arsyetojne, se nuk eshte thjesht poshterim i nje personazhi historik qe nuk mund te mbrohet me vete, apo thjesht i nje te vdekuri, por eshte shprehje artistike qe duhet respektuar, veçse deri atehere po vazhdoj ti qendroj idese se kete duhet ta kryer ndonje i çmendur.

    3. Pifto thote: “Personalisht nga vepra më pëlqyen gjenitalet, si një metaforë e lindjes së shqiptarizmit nga figura e Skënderbeut; pra nga ky mit u pollëm ne shqiptarët e sotëm, natyrisht shpata disproporcionale me mitin e saj, si një apel për tu qetësuar në përgjithësi, si dhe këmbët-thundra të cilat mund të shihen një gjest ironik në lidhje me faktin që shqiptari i plotfuqishëm i gjithnjë-ndodhur mbi-kalë sintetizohet fizikisht me këtë krijesë, ironi që nuk duhet parë detyrimisht në lidhje të drejtpërdrejtë me Skënderbeun por me pushtetarin e sotëm.

      Që të mos fillojmë të shahemi gjë kot. Unë Skënderbeun e dua shumë.”

      Pelqimi dhe mendimi juaj ben t’ju mendoj pushtetar.

  5. Folklori, Kombi, Simboli, etj…jan krijesa te menyrave te ndryshme, per te stabilizuar kufij ndryshimi mes njerzish. Gelltiten, keto, nga cdo individ, me mend, goj, vesh, sy, qe kur i vjen radha cdo individ nxierr ate qe gelltet ne njeren apo tjetren menyre, ne vendin dhe kohen qe i vjen, nxierrja. Ketu kemi nje rast nxierrje te gelltiturash. Arti, ndonjihere, funksionon si vet terapi per autorin. Kur funksionon mire per autorin, si rrjedhoj, funksionon mire per shoqerin, pasi autori ushqehet ne shoqeri, per pasoj eshte ushqim per shoqeri.

  6. E vetmja gjë me interes nga kjo englendisje publiçitare, për mua, është që, i papari që ka bërë statujën meriton galerinë e tij.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin