SHAPI DHE SHEQERI

A ka një diskurs dominant sot në ligjërimin publik shqip?

Kjo pyetje m’u kthye në mendje kur po shkruaja në lidhje me përplasjen e fundit “ndër-akademike” nëmos titanike, dhe letrën e 37-ëve që synonte ta disiplinonte këtë përplasje.

Sikurse më ish kthyer edhe pak ditë më parë, kur komentoja rreth linçimit mediatik të F. Lubonjës, pas ndërhyrjes së këtij në vazhdën eulogjike dhe nekrologjike, që shoqëroi ndarjen nga jeta të këngëtares Vaçe Zela.

Edhe pse debatet janë pikërisht forma në të cilën mishërohet ligjërimi publik, këto nuk kanë gjë nevojë për një diskurs dominant, që të nisin dhe të shtjellohen normalisht.

Megjithatë, një diskurs i tillë haptazi ekziston në hapësirën shqipe – dhe ky është diskursi kombëtarist, me nota të forta konservatore.

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit ky lloj diskursi ka fituar terren edhe në kurriz të diskursit integrist ose europeist, i cili kish shumë më tepër gjallëri, gjatë viteve 1990.

Arsyet për këtë shift nuk mund t’i cek këtu; por do të mjaftohem të përmend imponimin e temës së Kosovës dhe të bashkimit kombëtar, si temë imperative, gjatë këtyre 10 vjetëve të fundit.

Diskursi kombëtarist sot themelon pozicionin default në debatet, ose burimin paternalist të autoritetit; pak mungon, fare pak, që ky diskurs të vijë dhe të përcaktohet si kriter i së vërtetës, ose identifikues pedagogjik i palës mësues dhe palës nxënës (i pabindur) në konfliktet e ideve.

letrën e tyre të hapur, 37 intelektualët dhe akademikët shqiptarë haptazi iu referuan prof. Qoses si figurë të shquar, të nderuar nga “gjithë shqiptarët,” dhe misionar të çështjes kombëtare; duke vërejtur pastaj që debate si ai që pat nisur 55-shi prof. Islami “nuk u shërbejnë proceseve të integrimeve kombëtare” dhe “nuk i përgjigjen kërkesës urdhëruese të kohës për bashkimin e gjithë institucioneve dhe forcave të gjalla të kombit”, teksa “Momenti historik që po kalojmë na shtyn t’i bëjmë thirrje ndërgjegjes intelektuale të kombit, për të reflektuar për përgjegjësitë e saj para popullit tonë dhe përpara historisë.”

Alfred Lela, te MAPO sot, kish vënë re tone të shqipes totalitare (ose “stilema socrealiste,” siç i quan ai) në zhargonin e drunjtë të letrës së 37-ëve.

Duke u distancuar nga fletë-rrufeja e prof. Islamit, intelektualët e letrës i referohen – vetvetiu dhe inercialisht – pozicionit kombëtarist dhe misionit “integrues” të intelektualëve dhe të akademikëve; çka mund të qëndrojë për shumë prej firmëtarëve të letrës dhe mund të përbëjë mision fisnik në vetvete.

Tërheq vëmendjen kështu jo etosi kombëtarist i letrës, i cili pritet, por sjellja e këtij etosi si premisë, ose si parakusht default dhe i vetvetishëm, në debatet publike; madje i tillë që të vendosë hierarki vertikale, raporte autoritare dhe kritere për të dalluar të bardhën nga e zeza dhe të mirën nga e keqja.

Në një letër sërish të hapur, drejtuar gazetës Dita sot, shoqata kulturore-atdhetare “Labëria” e konsolidonte më tej këtë pozicionim, duke e quajtur prof. Qosen “nderi i Labërisë dhe i gjithë Shqipërisë.”

Çuditërisht, edhe fletë-rrufeja e prof. Islamit mbështetej në masë të madhe në të njëjtin pozicion default, sa kohë që në një numër të madh të pyetjeve të letrës vihej në dyshim zotimi kombëtarist i prof. Qoses, duke përmendur lidhjet e këtij me Beogradin, serbët, serbofilët dhe agjentët serbë mes shqiptarëve.

Kështu, prof. Qosja qortohej, në akt-akuzën e kryetarit të ASHAK-ut, mes të tjerash edhe se kish fituar çmimin 7 korriku të Serbisë, kish vajtuar Josip Broz Titon, kish takuar disa herë kryetarin e Jugosllavisë së Zhablakut dhe babain e kombit serb Dobrica Qosiqin, në manastirin Prohor Pçinjski, kish takuar shokun Vidoje Zharkoviq në Beograd, kish kultivuar raporte të ngushta me Dushko Ristiqin dhe Mihaillo Zvicerin, i kish deklaruar një gazete sarajevase se ishte qytetar luajal i Jugosllavisë, kish qëndruar i fshehur në Maqedoni, u kish garantuar serbëve të Kosovës të drejtën e vetëvendosjes me Graçanicën shtet të tyre, etj.

Ky lloj diskursi, ku Serbia dhe serbët përdoren si argument bërthamor për ta hedhur kundërshtarin knock-out, dhe ku Tjetri rëndom cilësohet si “tradhtar”, “spiun” (“shpijon”) dhe “i shitur”, i sundon debatet dhe disputet politike dhe ideologjike në logun politik të Prishtinës dhe në mediat kosovare, madje vitet e fundit është shtrirë edhe në ligjërimin publik të Tiranës – ku gjithashtu nuk mungon obsesioni për të identifikuar dhe demaskuar “tradhtarët” dhe të gjithë ata që paguhen, sipas rastit, prej serbëve ose edhe grekëve.

Orientimi i debateve drejt identifikimit të tradhtarit vjen si efekt anësor i pashmangshëm i diskursit kombëtarist si diskurs dominant, në politikë dhe në mediat.

Përndryshe, diskursi kombëtarist, si diskurs dominant vjen i nyjëtuar në dy nivele: në një nivel më “elitist”, ku flitet për figura kombëtare, si Skënderbeu, Nënë Tereza dhe tani edhe Rexhep Qosja ose Ismail Kadareja, të cilët duhen mbrojtur nga detraktorët për hir të kombit, bashkimit kombëtar, momentit historik që po kalojmë, etj.; dhe një nivel tjetër, më “populist”, ku flitet për popullin, si një entitet me natyrë krejt mitologjike, i cili nuk preket nga ideologjitë dhe nga historia, por qëndron gjithnjë në anën e së mirës.

Këtë nivel të dytë e pamë të manifestohej në letrën e këngëtares A. Gaçe ndaj Lubonjës; ku epërsia morale me burim nga kombëtarizmi dhe identifikimi me “tabanin” ia bënë autores të pranueshme thirrjen që ia drejtoi kundërshtarit, për “të varur veten në litar.” Vaçe Zela, në këtë kontekst, u përdor si figurë emblematike dhe ikonë e fesë kombëtariste, në kuptimin që dashuria e sinqertë dhe e paangazhuar e publikut për zërin dhe figurën e saj mjaftonin për ta nxjerrë artin e Vaçes nga konteksti ideologjik totalitar, ku ishte kultivuar, dhe që kish përmendur F. Lubonja.

Për mua, mënyra si po e sundon ligjërimin politik shqip diskursi kombëtarist është shenjë e degradimit të debatit, ose e nevojës për ta zëvendësuar parimin pluralist me parimin e autoritetit; meqë është simptomë karakteristike e shoqërive jodemokratike, që ta shohin pluralizmin si të keqe për t’u shmangur dhe ta luftojnë nëpërmjet instituimit të diskurseve dominante, kur nuk mund ta luftojnë dot – për arsye koniunkturale – me mjete policore dhe censurim. Në fakt, ky inflacion i kombëtarizmit në debatet nuk vjen gjë si rezultat i përpunimit, qoftë edhe vetëm në mediat, i ndonjë doktrine kombëtariste solide ose i ndonjë programi politik, të themi, për mëkëmbjen kombëtare; por vjen kryesisht si pasojë e mjerimit, dëshpërimit dhe e lodhjes intelektuale të palëve në këto debate; çka edhe ia lë rrugën të hapur populizmit, qualunquism-it dhe sëmundjeve të tjera para-fashiste të ligjërimit publik.

Nuk ka komente

  1. para fashiste thua xhaxha??????
    Ketu duhet vetem nje shkak, psh nje pershkallezim negativ i ngjarjeve ne Ukraine, qe te na lane pak pas dore tutoret nderkombetare, dhe shaqet papritur fyhreri.
    Shih vetem dy ngjashmeri me Gjermanine e viteve 20.
    1- fajtoret historike
    2-referenca tek lavdia e se shkuares

  2. Po perfitoj nga rasti qe te veteintervistohem perseri, ne perpjekjen per te deshmuar se pse ‘sheqeri’ ne kete rast qendron nga ana e Qoses dhe akademikeve shqiptare:

    Me sa duket ‘Alfred Lela, te MAPO sot, kish vënë re tone të shqipes totalitare (ose “stilema socrealiste,” siç i quan ai) në zhargonin e drunjtë të letrës së 37-ëve’.

    Mah, mua per shembull pyetjet e Islamit me kujtuan plenumet e dikurshme, nga toni, nga toni prej gjysmeanalfabeti i akuzuesit, dhe kryesisht nga referimet e shumta ndaj jetes private te viktimes. Nuk shkruajta ndonje gje sepse me fare pak kerkim ne rrjet sheh se Qosja i ishte pergjigjur kohe me pare, ne fakt, nje pjese te madhe te ketij pyetesori te cuditshem, te pakten pyetjeve mbi Titon & Co.

    Thone 37-tet, qe rastesisht ishin 37, po qe mund te kishin qene edhe me pak ose me shume, p.sh. 36 ose 40, une do t’i quaja 337-tet, meqe ra fjala:

    ‘Si pjesë e komunitetit shkencor dhe kulturor shqiptar, nuk mund të mos shprehim keqardhjen tonë për degradimin e lirisë së shprehjes në një agresion të hapur verbal, me insinuata dhe akuza personale, që dalin nga korniza e një debati normal shkencor, me një gjuhë dhe fjalor të papajtueshëm me normat e etikës profesionale dhe të moralit akademik.’

    Paragraf lapidar, teper korrekt, Hivziu dhe Qosja jane sigurisht edhe qytetare por jane mbi te gjitha akademike, dijetare, keshtu qe nuk mund te mos u kujtohet secilit dhe te dyve bashkerisht ‘etika profesionale’, pak me i diskutueshem referimi ndaj te vagulltit ‘moral akademik’.

    Shkepus perseri: ‘…diskursi kombëtarist, si diskurs dominant vjen i nyjëtuar në dy nivele: në një nivel më “elitist”, ku flitet për figura kombëtare, si Skënderbeu, Nënë Tereza dhe tani edhe Rexhep Qosja ose Ismail Kadareja, të cilët duhen mbrojtur nga detraktorët për hir të kombit.’

    Jo besa, une jam nga ata qe mendojne se i vetmi kombetarizem i shendoshe eshte ai qe artikulohet ne dedikimin gjenuin ndaj se mires se perbashket dhe komunitetit, dhe Qoses sinqerisht i vleresoj veprat qe i kam lexuar, dhe te marra se bashku veprat e Qoses jane nje monument i gjalle perkushtimi ndaj letersise dhe gjuhes shqipe. Eshte i pazevendesueshem ne lemin e kritikes, studimit dhe historise se letersise, po ashtu sa c’eshte Kadareja ne lemin e letersise. Nene Tereza dhe Skenderbeu jane edhe ata pika referimi per shume shqiptare, pavaresisht se une per vete e kam shume te veshtire te dalloj ndonje kontribut direkt te ketyre ne te miren e shqiptareve si komunitet. Qosja ne menyre te vecante ka kontribuar ne formesimin e nje brezi te ndergjegjshem per problemin e bashkimit kombetar, me pranine e tij nder vite, por sidomos ne ato vite te veshtira te regjimit.

    ‘Këtë nivel të dytë e pamë të manifestohej në letrën e këngëtares A. Gaçe ndaj Lubonjës; ku epërsia morale me burim nga kombëtarizmi dhe identifikimi me “tabanin” ia bënë autores të pranueshme thirrjen që ia drejtoi kundërshtarit, për “të varur veten në litar.’

    Aurela ne fakt veteidentifikohej me krenari kryesisht si ‘fshatare’, ndaj ta faktorizosh me pahir e ta besh ‘nacionaliste’ me duket pak e tepert, gjithsesi ne kundershtim me sa thote se eshte dhe si prezantohet. Tani, fakti qe del ne Eurovizion me nje shqiponje te cuditshme mbi trup nuk eshte se e kthen gje ne nacionaliste, mbetet kengetare dhe une do te respektoja ne maksimum veteperkufizimin e Aureles, ne kete rast.

    Diskurs kombetarist? Rreziku kombetarist per Shqiperine? Inekzistent, abi, sinqerisht, edhe duke marre persiper rrezikun per te kaluar nga ana e shapit ketu, por une do t’i ftoja akademiket shqiptare qe te shkruajne letra te hapura sa me shpesh, sigurisht duhet te kishin shkruar edhe me pare. Fakti qe u bene me ne fund te gjalle dhe qe zgjodhen ta bejne kete per Qosen, vec per mire tregon. Dhe qe duhen pershendetur me te madhe, d.m.th. me zallamahi te madhe dhe shprehje solidariteti popullor, dhe jo vetem nga Laberia.

    1. Më duket e shëmtuar të kërkosh shenjtorë jashtë fesë: herët a vonë, të dalin përpara idhujt.

    2. Figurat e kombit thua ti? Jane ata qe kane dhene jeten per kombin, jane shume pak, aty vertet fillon dhe rrallohet panteoni. Jane ata te vetmit tek te cilet te shkon mendja kur degjon himnin. Jane ata qe ai komb i madh dhe i lavdishem nuk i pagoi kurre dhe megjithate punuan me perkushtim te papare, duke zevendesuar te vetem nje mije akademite qe shqiptaret nuk i paten kurre. Ata qe perkthyen dhe ndenjen ne hije, ata qe nuk pretenduan kurre asnje lloj mirenjohje nga brezat, disa prej te cileve ti edhe i ke mbrojtur shpesh ketu, dhe te shtrengoj doren per kete.

      Qosja eshte personalitet i madh i kultures shqiptare, i pazevendesueshem, por personalisht nuk do te deshiroja ta shihja te mbyllur ne muze qe tani qe eshte per fat ende mes nesh.

  3. Po marr shkas nga vete titulli te ndaj pak shapin, sheqerin, dhe llokumet:

    Nentor 2012- dr. Oliver Jens Schmitt kandidohet anetar i jashtem i ASHAK

    Dhjetor 2012- Jusuf Buxhovi proteston me leter te hapur drejtuar Jakup Krasniqit, Kryetarit te Kuvendit te Kosoves, ku e quan Schmitt “sllavist” (!) per nga “qëndrimi i tij fyes ndaj Skënderbeut”. Ka pertuar se kollaj mund ta kishte paraqitur ne formatin “55 pyetjet e kombetaristit”*

    Dhjetor 2012- Hivzi Islami dhe Pajazit Nushi, ne emer te ASHAK reagojne duke dhene arsyet e kandidatures te Schmitt-it.

    Fast forward: Nuk jam ne dijeni te asnje reagimi alla 37-ce te kandidatures se Schmitt, apo reagim kolektiv ndaj vrerit te pergjithshem drejtuar personit dhe vepres te tij. Asnje fjale per “degradimin e lirisë së shprehjes në një agresion të hapur verbal, me insinuata dhe akuza personale, që dalin nga korniza e një debati normal shkencor”. Argetohem pa mase me faktin qe i vetmi shembull per t’u permendur eshte ai i Hivzi Islamit, por dyshoj qe eshte detyruar ta beje nga pozita e jo nga deshira.

    Qe akademiket u “zgjuan” pikerisht per Qosjen eshte per t’u mirepritur e habitur njekohesisht. Ka kaq shume pritshmeri per reagime qe i dalin ne mbrojte nderit te kombit e vlerave sa tani shume natyrisht nje krah “sulmon” nga pozicioni kombetarist dhe krahu tjeter “mbron” me po te njejten gjuhe. Thjesht nderrohen rolet dhe shfaqja vazhdon.

    *Ne mos qofte u sajofte

  4. Duhet rekuperuar energjia me te cilen Cabej jepte direktiva ne c’drejtime duhej punuar, duhet rekuperuar koha e humbur. Sa shume kohe kishte kaluar qe kur shqipet nuk nenshkruanin nje leter te hajrit. Nuk mbahej mend hera e fundit….

    Qosja – fillimi yne i mbare, Qosja – qendresa ndaj pushtetit te korruptuar.

  5. Ja dhe Muci i zgjuar tek Dita sot:

    http://gazetadita.al/shenim-midis-qosje-manise-e-qosje-fobise/

    Sidomos ky shkrim, abi, duhet te ta mbushe mendjen perfundimisht mbi sa edhe te kam shkruar me lart:

    Thote Nano: Duhet thënë se Qosja i fryrë, edhe i vetëfryrë, deri në trajtën e një miti është shndërruar në një nga gjërat më bezdisëse këtyre anëve.

    Atehere, qe Lela dhe Nano te imitojne pak stilin dietrologjist te Bruno Vespes, kjo nuk perben ndonje risi. Kur e ben edhe ti, abi, tingellon fare i stisur, nuk je ti, d.m.th.

    Qosja e ka akuzuar hapur Hivziun meqe ky i fundit e ka kthyer Akademine ne parcelen partiake te LDK-se, qe ketu dhe vreri i Hivzi moralistit.

    Derdellitje fshatareske, nga te gjitha anet. Qosja peshtyhet nje dite po dhe nje dite jo nga pushtetet, ky flet per fryrje. A thua se eshte faji i Qoses qe mbetet nje burre tejet karizmatik! Tani, hajde e shpjegoju Zadrimes dhe Skraparit se kjo fjale nuk eshte turpe, nuk ka te beje me fryrje, ka te beje me nje veti te lindur te personit ne fjale. Dhe jo vetem te tij.

    1. Shkruan:

      A thua se eshte faji i Qoses qe mbetet nje burre tejet karizmatik!

      Në fakt, Qosja nuk është fare karizmatik në Kosovë. Vallë ngaqë nemo propheta in patria, apo ngaqë nuk e kuptojnë atje? Apo ngaqë është karizmatik në Shqipëri? Pyetje që do të meritonin përgjigje, edhe pse jo këtu.

      Përtej këtij detaji minor, kjo temë, të cilën e kam hapur dhe po e moderoj unë, nuk i kushtohet as karizmës së Qoses, as kritikave që i janë bërë këtij profesori – por statusit të diskursit kombëtarist në ligjërimin publik shqip. Më vjen keq që po devijohet kështu.

      1. Ja ta sjellim ne hulli temen. Nese Hivziu nuk eshte nje rastesi, gjendja e Kosoves eshte dramatike, dhe nuk me habit fakti qe per disa Qosja mund te mos jete enciklopedia levizese qe ne fakt eshte.

        Interpretimi qe i ben Nano shkrimeve te cilave u referohet ne fakt tradheton arsyet e te gjitha kritikave fare te paprincipta qe i bejne Qoses.

        Statusi i diskursit kombetarist ne ligjerimin publik shqiptar, thekson ti. Nuk eshte ky rasti, nuk eshte rasti i letres se akademikeve, them une. Ca se nja tre profesore e jo profesore qe e kane nenshkruar i njoh edhe personalisht, dhe nuk jane ne menyre absolute ‘kombetariste’ te cartur.

        C’kombetarizem nje here? Po shiko rreshtimi ne llogore kunder Qoses sa i lehte qe eshte, ne te djathte e ne te majte (pseudo, kjo e fundit), ti thua ‘diskurs kombetarist’. D.m.th. dikush te merr erzin publikisht, me nje shqipe te cale per me shume, dhe kur dikush me ne fund ngre zerin, diskursi i ketii na qenka ‘nacionalist’. Po pse jo ‘mbrojtje e kolegut’, p.sh., pse jo ‘mbrojtje parimore e dinjitetit njerezor dhe atij akademik’? Se i referohet vellimit te veprave te Qoses dhe momentit delikat kombetar?

        Jane te lumtur o Xha Xha, qe me ne fund mund te shprehen lire per Qosen, ate te cilin deri dje as nuk e therrisnin dot ne Tirane per nje Konference, nga frika e Saliut dhe klanit te Kolecit & Co. Ky eshte momenti delikat kombetar.

        Keshtu qe, ti me moderofsh gjithmone, tha, po mua sinqerisht ajo leter me pelqeu shume. Nuk do komentoj per nja dy jave tani, nga halli se e kalova limitin, por ato gjera qe duhet te thosha, une do i thosha perseri.

        1. Çfarë dua të theksoj unë këtu, nuk është as pse sulmohet, as pse duhet të sulmohet, as pse nuk duhet të preket prof. Qosja – tek e fundit, një njeri si ai, që nuk është tërhequr ndonjëherë prej polemikave madje të ashpra me këdo dhe për gjithçka, nuk mund të trajtohet sikur të jetë statujë prej sheqeri e nënë Terezës; por fakti që, edhe kur sulmohet Qosja, sikurse e bën në mënyrë groteske Islami, argumentet përsëri janë të natyrës kombëtariste. Me fjalë të tjera, një person që për disa, si p.sh. për shoqatën Labëria, është shumë afër lumnimit si shenjtor kombëtar, sulmohet nga kolegu dhe kundërshtari i vet jo për teprime kombëtariste etj., por pikërisht sepse nuk ka qenë aq kombëtarist sa duhet, meqë u ka bërë lëshime titistëve, jugosllavistëve etj., mes të tjerash. Këtu ka diçka anormale, që nuk mjaftohet vetëm me dhunën verbale të 55-këmbëshit të prof. Islamit, por edhe me faktin që një përplasje ad hominem mes profesorësh dhe ithtarësh përkatës shndërrohet në një garë se kush është më kombëtarist se tjetri, ose në një formë moderne të disputeve të dikurshme brenda kishës katolike, të dominuara nga kërkimi për herezinë dhe heretikët. Kështu rrëshqasim nga debati se “kush ka të drejtë” te debati tjetër se “kush është më atdhetar (kombëtarist)”, duke ia lënë derën hapur identifikimit të çështjes së parë me të dytën; çka do të thotë edhe se patriotizmi (kombëtarizmi) vjen dhe na imponohet si kriter i së vërtetës, së paku në konfliktet dhe përplasjet intelektuale.

          1. Ka nje lloj rreziku, dhe eshte e vertete sa thua qe Qosja vete u futet polemikave me koke dhe I ndjek, sic dhe e ndjekin nder vite. Cfare doja te theksoja une ishte qe edhe une vete nese do me kishin thirrur te qetesoja gjakrat, do u beja thirrje ketyre te dyve pikerisht se jane ata qe jane dhe nuk jane dy birbante rrugesh qe t’i versulen njeri-tjetrit ne kete fare feje.

            Kam pershtypjen qe me shume se ne kombetarizmin e presupozuar te Qoses, keta e kane vene theksin ne prodhimtarine e larte ne lem te letersise e kritikes letrare. Mesazhi, nese une do te isha Qosja, do ishte ky: ‘Dakort, nuk rri rehat e futesh ne nje mije polemika koti, por dreqi e mori, ke shkruar me shume se e gjithe Akademia bashke, qetesohu, sepse nuk jane polemikat ato qe do te ngelen nga ti.’

            ‘Poliedrik’ mund te interpretohet edhe si ‘njeri I veshtire’, ta kam fjalen, dhe Qosja nuk eshte sigurisht njeri i lehte, asesi.

        2. Shpresoj qe qellimi i letres ka qene ti dilet ne mbrojtje kultures se dijes, lirise se fjales, qytetarise, shkences duke mbrojtur nje nga figurat me te spikatura te saj. Atehere si ta shpjegojme pabarazine qe kam ilustruar me poshte?

          Kombetare- 4 ………Shkencor – 4
          Kombit – 2 ………Akademik – 2
          Shqiptar – 2 ………Qytetar – 2
          Shqiptare -2 ………Intelektuale – 3
          Shqiptaret – 1 ………Publiku – 1
          Patriotik – 1 ………Dijes- 1
          Shqipetareve – 1 ………Mendimit- 1
          Atdhetari – 1 ………Lirine- 1
          Historik – 1 ………Verteten – 1

          Dhe po tregohesh shume tinezare me deklaraten se “nuk jane ne menyre absolute ‘kombetariste’ te cartur” duke lene te kuptohet se qenkan akuzuar si te tille ne shkrim. Aty flitet vetem per nje diskurs kombetarist per te cilin nuk kam asnje dyshim pas analizes te me siperme.

          Ka shume gjasa qe shume prej personave qe hodhen firmen, dhe ato qe hartuan letren, nuk kane prirje “kombetariste” te thelluara e as kane patur qellim qe te flasin ne kete menyre e ndoshta nuk jane as te vetedishem per te. Ajo qe vlen te vihet ne dukje eshte qe pikerisht dominimi i ketij diskursi po flet nepermjet tyre. Kjo eshte nje prove e ketij diskursi i cili vetvetiu ka fituar perparesi dhe te flet ty!

          1. Parrulla, sinqerisht, per sa mundohem ta kuptoj shqetesimin tend, nuk arrij, po sinqerisht nuk arrij te te kuptoj cfare do te thuash. C’jane ato 1,2,3 3,4, qe ke renditur, e dashur? Mos po don ta lexosh letren me keywords? Nuk eshte ky rasti, besome, po e redukton shkrimin per te cilin po diskutoja ne nje pacavure, perndryshe.

            Tani, une tinzllekun do ta shihja te perpjekja jote e perseritur per te me thene gjera te cuditshme, te pakuptueshme, nder te cilin ma ke rezervuar mua. Nuk ka problem, kur te ta kuptoj fillin e mendimit do te te pergjigjem. Tani, sinqerisht, nese keto qe ke renditur jane ato qe druaj, komunikimi eshte pothuajse I pamundur, pavaresisht vullnetit tim per ti mbrojtur deri ne fund profesoret e mi te nderuar dhe miqte e mi.

            Vetem dicka: kete tonin prej anetareje te terbuar te Byrose Politike ma kurse, qeshja qe kur isha e vogel me Lenka Cukon, Fiqrete Shehun, Themie Thomain, dhe Vito Kapon, mund ta imagjinosh fare lehte efektin e tanishem.

            Ne fund te fundit, ne fund fund fare, nuk je e detyruar ta lexosh komentin tim, jo me nga momenti qe moderimi eshte pezulluar per ca kohe. Bej sikur nuk me lexon, ose mos me lexo fundja, se nuk ia vlen te nxehesh kaq shume per nje koment timin. Sinqerisht fare kjo, besome.

            1. Sinqerisht, e kisha shume te veshtire te kuptoj nderhyrjet e tua por tani e kam fare qe qarte se c’te ka motivuar. Lum miqte per ty.

              Me vjen keq qe me kete nderhyrje jashte teme nuk mund te te ofroj ndonje qartesim per analizen e tekstit, pasi ai koment nuk te drejtohej vetem ty. Don’t flatter yourself!

  6. Nuk i kam qejf keto lloj insinuatash, Parrulla, sinqerisht. Tinzare i the gje publikut te gjere te blogut apo mua personalisht? Mua personalisht, keshtu qe cfare flet tani, jo po i drejtohesha publikut, jo po mos te te rritet mendja? Fol qarte, perndryshe boza, nje boze e ftohte, mund te jete zgjidhja optimale, per ty dhe per mua.

    Perndryshe, Kapedani me nje sere shkrimesh na ka shpjeguar parcelizimin partiak ekstrem te botes akademike dhe isntitucioneve te arsimit te larte shqiptar. M’u kujtua kjo gje, m’u kujtua qe ishte Qosja ai qe ca kohe me pare e kishte akuzuar Hivziun per kthim te Akademise ne parcele politike te LDK-se, dhe pashe ketu nje emerues te perbashket, ndoshta inati i Hivziut e kishte shkakun te keto akuza.

    Une po mundohesha gjithsesi te hidhja poshte nje pjese te tekstit, perndryshe mbetem teper kureshtare per ndonje analize tjeter te tekstit, analize tenden alternative, me keywords, pse jo? Makar ne ndonje teme tjeter ne te ardhmen?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin