Me objektivin qendror për ta kuptuar dhe interpretuar, tekstit mund t’i qasesh me mënyra të ndryshme. Hyrja në skenë e kompjuterëve, të pajisur me programe të posaçme informatike, ka mundësuar analizën e tekstit, ose korpuseve të gjera tekstuale, sipas metodave statistikore. Vetë përhapja e tekstit në formate elektronike ka bërë që analizat statistikore të shumëfishohen, së bashku me instrumentet që e realizojnë atë. Në fakt, për t’i bërë një analizë të kompjuterizuar çfarëdo teksti, detyra e parë është digjitalizimi i tij. Por sot, përveç mediave të shkruara online, forumeve, blogjeve, rrjeteve sociale, etj., mund të gjenden fare lehtë fjalimet e politikanëve nëpër faqet institucionale ose personale, madje deri teksti i shkruar që i shoqëron reportazhet televizive.
Metoda statistikore e ka origjinën në analizën e tekstit të zhvilluar kryesisht në ShBA (Content Analysis), duke filluar nga Lufta e dytë Botërore e më pas, që synonte përdorimin e disa teknikave kërkimore për përshkrimin objektiv, sasior e sistematik të përmbajtjes së komunikimit. Aktualisht, falë zhvillimit të teknologjisë informatike, teknikat e analizës së tekstit janë rafinuar edhe më tej, madje në disa raste të thjeshta janë bërë edhe popullore.
Si në çdo fushë, ka studiues që e parapëlqejnë studimin statistikor të tekstit, duke e konsideruar të domosdoshëm sidomos për tekste të mëdha, megjithëse pikërisht për karakteristikat e tij, nuk mund të konsiderohet si pikëprerje midis metodave të ndryshme. Ndërkohë, është e qartë se studimet sasiore me ato cilësore takohen saktësisht tek teksti dhe interpretimi i tij, ngaqë paraqiten shpeshherë si plotësuese mes tyre, duke dhënë kontribut për njohjen më të thellë të tekstit.
Në këtë kuptim, pra si ndihmesë në interpretimin e tekstit, jo vetëm nga pikëpamja e objektivitetit numerik, nuk është e vështirë t’ia njohësh rolin studimeve sasiore, pavarësisht se këto nuk mund t’i zëvendësojnë gjithsesi metodologjitë e tjera hermeneutike. Siç është e vërtetë që ballafaqimet midis teksteve të gjata mund të bëhen falë mjeteve informatike, duke nxjerrë dendurinë, përsëritjen, përputhjen e fjalëve dhe shprehjeve, është njëlloj e vërtetë se analizat statistikore e injorojnë krejtësisht tensionin thelbësor që krijohet midis tekstit dhe lexuesit. Për shembull, semioza sipas perspektivës së gjuhëtarit Louis Hjelmslev, pra procesi bashkërendues midis shprehjes formale dhe shprehjes kuptimore, ose vetë interpretimi i tekstit nga ana e lexuesit, në vizionin e Umberto Eco-s, janë procese që injorohen nga metodat statistikore; këto të fundit nxjerrin vërtet fjalët e përsëritura, por përjashtojnë pashmangshmërisht rolin e kontekstit, ose të vetë lexuesit në dekodifikimin e mesazhit.
Megjithatë, metodat statistikore, jo vetëm ex post, mund të japin kontribut të vyeshëm në fushën e interpretimit të teksteve, edhe pse ky kontribut do të ishte krejt modest po të konsideroheshin të vetmjaftueshme. Pavarësisht se mund të akuzohen për teprime në automatizëm, ose për ngurtësi mekanike, ato u japin mundësinë studiuesve të tjerë t’u rikthehen teksteve për t’i analizuar sërish në dritën e rezultateve të reja, në mos për të konfirmuar interpretimet e mëparshme. Në disa raste, hartat konceptuale të tekstit mund të rindërtohen falë elementeve leksikore të nxjerra nga përpunimi kompjuterik.
Shkronja në qiell
Të gjithë përdoruesit e internetit janë mësuar tashmë me të ashtuquajturat “re fjalësh” (word cloud) që e përllogarisin dendurinë e fjalëve në tekste të caktuara dhe e japin nëpërmjet prezantimeve grafike, shpeshherë befasuese. Në bazë të reve të fjalëve, ekzistojnë formula statistikore që e numërojnë përdorimin e fjalëve të ndryshme, duke e paraqitur më të madhe fjalën më të përsëritur. Ka platforma të internetit që e japin falas shërbimin e reve të fjalëve (word cloud), si për shembull në rastin e blogut Peizazhe të Fjalës, ku serveri përllogarit kryesisht dendurinë e fjalëve kyçe dhe të etiketave (tag). Kjo e ndihmon lexuesin të krijojë një ide për temat e trajtuara nga blogu, madje të klikojë për eksplorimin e mëtejshëm të tyre, gjithnjë brenda këtij mjedisi tekstual.
Metoda e reve na është bërë familjare vitet e fundit, jo vetëm falë programeve që na ofrohen në linjë falas, por edhe sepse shumë media, edhe klasike, kanë filluar t’i botojnë “retë” grafike pasi kanë analizuar tekste kryesisht me natyrë politike. Në këtë mënyrë lexuesit i jepet një lloj glosari, që i afrohet hartës konceptuale, për ta orientuar në interpretimin e tij. Bëhet fjalë për një lloj ndihme, praktikisht një mjet më shumë në duart e lexuesit, se sa për çelësin e interpretimit të tekstit të analizuar. Në perëndim, është bërë tashmë praktikë që fjalimet ceremoniale politike, kryesisht ato programatike ose me rastin e kremtimeve, të analizohen nga mediat me anë të programeve informatike.
Pa shumë pretendime shkencore, u përpoqëm ta analizonim fjalimin e Presidentit shqiptar Bujar Nishani, me rastin e urimeve të Vitit të Ri. Përjashto lehtësinë e gjetjes së tekstit (fjalimin e morëm në faqen zyrtare të Presidentit), vështirësitë e tjera me karakter metodologjik nuk munguan. Së pari, përmasat e tekstit. Për analizat leksikometrike janë të parapëlqyeshme tekste të gjata, sepse japin rezultate solide, ndërsa fjalimi presidencial, me rreth 600 fjalë, nuk ishte i tillë; megjithatë kjo u kompensua nga rëndësia e fjalimit, sepse dihet tashmë që fjalimet e Presidentëve në mbarim të viteve, nuk janë thjesht formale, pra së bashku me urimet, u përcjellin qytetarëve edhe perspektivat politike të së ardhmes. Pikërisht, ky ishte edhe objektivi, për ta kuptuar më mirë mesazhin presidencial, si nga ana kuptimore ashtu edhe politike.
Para se ta kalonim fjalimin në skanerin statistikor, për të parë fjalët më të përdorura nga Presidenti Nishani, respektuam hapat kryesore që rekomandohen zakonisht nga metodologjia. Kështu, teksti para se të analizohet, ka nevojë për një trajtim paraprak. [I]
Së fundi, analiza statistikore përfundon me kontrollin që programi i posaçëm informatik i bën korpusit leksikor të përftuar. Pa hyrë në hollësi të tjera tekniko-formale, që i referohen edhe konfigurimit të programit me të cilin është realizuar, po japim më poshtë rezultatin grafik (reja e fjalëve) të mesazhit të Presidentit Nishani me rastin e Vitit të Ri.
Madhësia e fjalëve varet nga dendësia e tyre në tekst. Duke pasur parasysh këtë, del qartë se fjalët “të rinjtë”, “e ardhmja”, “urime”, “problemet”, “vendi”, etj. Janë përdorur me shumë se të tjerat. Kjo tregon se autori i tekstit ka dashur t’i nënvizojë më shumë konceptet që qëndrojnë pas tyre. Bie në sy fakti që fjala më e përdorur (me dendësi më të lartë në tekst) është “të rinjtë”. Me sa duket, Presidenti i Shqipërisë, ka dashur ta theksojë rolin e brezit të ri në ndërtimin e së ardhmes, ose të japë një kumt në këtë drejtim. Nëse duket krejt e natyrshme prania e shpeshtë e fjalës “urime”, sepse e lyp konteksti i mesazhit, nuk është detyrimisht e tillë prania e fjalës “probleme”; Presidenti nuk i ka mohuar problemet që po kalon sot Shqipëria, por beson se ato do të kapërcehen me ndihmën dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve.
Siç e thamë edhe më sipër, analiza statistikore e tekstit do të ishte e pavlerë sikur të mos vijohej me qasje të tjera ndaj tekstit. Kështu në kategorinë semantike të “problemeve” mund të futeshin fjalë si “sfida”, “vështirësi”, “prova”, etj.; sikurse në kategorinë e “ardhmja” mund të përfshihen “perspektivat” e ndonjë fjalë tjetër. Analiza e tekstit mund të vijojë edhe më tej, duke eksploruar lidhjet mes fjalëve dhe koncepteve që shprehen brenda mesazhit, duke kërkuar nëntekstin e tyre, duke interpretuar referimet intertekstuale, ose duke zbuluar lidhjet me kontekstin politik të përgjithshëm. Mirëpo, në këtë mënyrë dalim jashtë metodologjisë sasiore, sikundër largohemi krejtësisht në qoftë se përfytyrojmë fjalët e papërdorura. P.sh. nuk mund të mos dallohet mungesa e fjalëve: “krizë”, “parlament”, “institucione”, “Nato”, “politikë”, parti”, etj. Përveç kësaj pike, megjithëse kemi të bëjmë me mesazh urimi, drejtuar një populli të caktuar, mund ta ballafaqojmë me mesazhe të tjera presidenciale, ta zëmë ballkanike ose evropiane, me objektivin e analizës së ligjërimit politik dhe individuimin e përparësive politike për të ardhmen.
Pesha e fjalës
Analizat statistikore të tekstit, e në veçanti përdorimi i reve të fjalëve (word cloud), më shumë se vlerë shkencore, kanë vlera kulturore. Në analizën e mësipërme mund të gjenden pa diskutim gjithfarë të metash, si nga pikëpamja e metodës statistikore, ashtu edhe nga paraqitja grafike e kompjuterizuar (shënim). Mirëpo, analiza të tilla, pavarësisht se mund të akuzohen për sipërfaqshmëri, i mungojnë publikut shqiptar, i cili nuk është mësuar me studime të tilla, sidomos në lidhje me ligjëratën politike. Në qoftë se këto studime i mungojnë publikut, kjo nuk do të thotë automatikisht se mungojnë gjithashtu aftësitë për t’i bërë ato nga ana e operatorëve të mediave. Sidoqoftë, nuk e teprojmë po të themi se në Shqipëri mungon kultura e analizës së tekstit politik, çka nuk tregon paaftësinë metodologjike, ose mungesën e mjeteve, për të vijuar me studime të tilla.
Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, krahas krizës shumë planëshe është shfaqur edhe kriza e fjalës. Nuk do të befasoheshim sikur kriza ekonomike dhe morale, që po kalojnë sot shoqëritë moderne, përfshirë atë shqiptare, të shpjegoheshin një ditë me krizën e fjalës.
Shkrimtari i madh Italo Calvino, e kishte pikasur vite më parë. Ja çfarë thoshte në “Leksionet amerikane” (përkthimi është i yni):
“Ndonjëherë më duket se një epidemi murtaje e ka pllakosur njerëzimin në aftësinë që e karakterizon më shumë, domethënë përdorimin e fjalës, një murtajë e gjuhës që shfaqet me humbjen e forcës njohëse dhe të pandërmjetësisë, si automatizëm që anon ta nivelojë shprehjen tek formulat më të përgjithshme, anonime, abstrakte, t’i hollojë kuptimet, t’i limojë pikat ekspresive, ta fikë çdo shkëndijë që shpërthen nga përplasja e fjalëve me rrethanat e reja. Nuk më intereson të pyes veten nëse origjina e kësaj epidemie duhen kërkuar tek politika, ideologjia, uniformiteti burokratik, tek homogjeneizimi i masmediave, përhapja shkollore e kulturës mesatare”.
E në qoftë se Calvino i madh e shikonte shpëtimin nga kjo murtajë tek letërsia, nuk mund të mohohet se kriza e fjalës, nuk lidhet vetëm me përdorimin, por edhe me zbehjen dhe gërryerjen e kuptimit të tyre. Epoka e globalizimit, shoqëruar me përhapjen kapilare të mjeteve të komunikimit e të kumtimit masiv, si dhe të internetit e rrjeteve sociale, e ka bërë më të dukshme shoqërinë e lëngshme, sipas kuptimit që i jep asaj sociologu Zygmunt Bauman. Ky proces duket se është shoqëruar edhe me shkrirjen e fjalëve, në kuptimin që këto paraqiten sot më të lëngshme se dje, ja për relativizmin kuptimor, ja për abuzimin me to, ja për zhurmën në sfond, ja për anestetizimin e shqisave të publikut.
Për t’i shpjeguar transformimet e fjalës në epokën e sotme, gazetari e shkrimtari Eugenio Scalfari, me bindje të thella liberale e laike, shkon deri atje sa citon Ungjillin e Gjonit (Gjon 1:1-4), i cili hapet në mënyrë të paharrueshme: “Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë”. E pra Scalfari, si njohës i mirë i aktualitetit, pasi citon fjalët e Ungjillit, na kujton se në kohët e sotme fjalët po e humbasin kuptimin, sikurse njerëzit po humbasin sensin e masës, sensin e të drejtave dhe të detyrave. Zgjidhja që ofron gazetari italian? “Duhet të riedukohemi për t’i kuptuar fjalët”.
Kjo recetë e thjeshtë vlen edhe për Shqipërinë dhe shqipen, e cila lëngon prej kohësh nga simptoma të ndryshme gjuhësore, duke filluar nga drunjësia e trashëguar, ose patologjitë e sotme leksikore, por mbi të gjitha vuan nga mungesa e përkujdesjes dhe kurimit, që nuk mund të shpjegohet vetëm me mungesën e masave administrative, pa prekur përmasën afektive ndaj pasurisë më të madhe të kombit shqiptar; e ngaqë identiteti dhe kohezioni social, nga pikëpamja thjesht funksionale, varen gjithashtu nga gjuha.
Kushtrimit që lëshoi gjuhëtari me famë botërore, Tullio De Mauro, pak kohë më parë, për rrezikun e analfabetizmit, të gjysmëanalfabetizmit, të analfabetizmit të rikthyer dhe atij funksional në Itali, i duhet shtuar shënimi se problematikat u takojnë edhe Shqipërisë dhe shqiptarëve. E ndoshta më shumë neve, po të shihen disa veçori të zhvillimit social e demografik. Pas efektit të llojeve të ndryshme të analfabetizmave, ekziston rreziku i gomarokracisë, siç e ka përkufizuar në një shkrim të vetin politologu Giovanni Sartori. Në Shqipëri, ardhja e demokracisë e ka rritur detyrimisht mundësinë për qasje kritike, porse kjo vuan nga reduktimi i aftësisë kritike të qytetarëve, e cila kërkon instrumente kulturore për t’u realizuar. Së fundi, qasjes kritike nuk i mjafton vetëm hapësira e lirisë për t’u kultivuar edhe më tej, anipse conditio sine qua non, por kërkon edhe përmasën edukative e kulturore.
Nuk do të jenë disa re fjalësh që do ta shndërrojnë politikën dhe kulturën shqiptare. Aq më tepër që në shqip, si për ironi, një “re fjalësh” nënkupton synime të zeza, sipas Fjalorit (1984): “fjalë ose veprime, zakonisht të mbledhura për të errësuar a shtrembëruar diçka”. Por një President, Kryeministër, përfaqësues institucionesh, politikan apo person publik çfarëdo, do t’i maste një mijë herë fjalët sikur ta dinte që do të lexoheshin me “laps në dorë”, duke filluar nga mediat deri tek qytetari më i thjeshtë. Retë e fjalëve që do të lindnin për qëllime të mbrapshta, do të shndërroheshin si me magji në “re fjalësh” (word clouds) të reja, në kuptimin më të gjerë të analizës së fjalës, ku do të dilnin në pah të mirat dhe të këqijat e saj.
Tek e fundit, liria e fjalës nuk ka kuptim në qoftë se fjala e humbet peshën e vet. E fjalët e Konfucit: “Kur fjalët humbin kuptimin, njerëzit humbin lirinë”, tregojnë se liria dhe fjala janë faqe të së njëjtës medalje; ajo medalje pa të cilën njeriu nuk mund të quhet i tillë.
———————–
[1] Pasi përfunduam homogjeneizimin e tekstit në rrafshin formal (normalizimi i tekstit), kryem studimin e fjalëve, duke e pastruar nga të ashtuquajturat “fjalë të zbrazëta”, që nuk kanë rëndësi në studimin statistikor, gjithsesi jo në përputhje me objektivin tonë fillestar. Klasifikimin e fjalëve të plota nuk e përpiluam duke respektuar rreptësisht kriterin e trajtave përfaqësuese të fjalëve, siç bëhet me fjalësin gjatë botimit të fjalorit. E pamë të arsyeshme, edhe për t’iu mos larguar tipareve të fjalimit presidencial, përfshirë kuptimin e tyre, t’i ruajmë trajtat kryesore të fjalëve të plota, siç quhen në metodologjinë e studimit statistikor. Kështu, p.sh. e ruajtëm formën shumës “të rinjtë”, pa e reduktuar në trajtën përfaqësuese, por nga ana tjetër e normalizuam fjalën “Europë”, pavarësisht nga lakimet në tekst. Së fundi, krijuam disa fjalë kyçe që dilnin nga teksti i fjalimit, duke shmangur rrezikun e dykuptimësisë.
* * *
BIBLIOGRAFI MINIMALE
Bernard Berelson, Content Analysis in Communication Research, The Free Press, New York 1952.
Mesazh urimi i Presidentit Nishani me rastin e Vitit të Ri 2014, 31 dhjetor 2013.
Ricerca sociale. Tecniche speciali di rilevazione, trattamento e analisi (a cura di: Leonardo Cannavò, Luigi Frudà), Carocci, Roma 2007.
Umberto Eco, Lector in fabula, Bompiani, Milano 2001.
Italo Calvino, Lezioni Americane, Mondadori, Milano 2000.
Zygmunt Bauman, Liquid Modernity, Polity Press, Cambridge, 2000.
Giovanni Sartori, Homo videns e homo zappiens, Sconnessi e somari, Corriere della Sera, 22 mars 2010 (http://www.corriere.it/editoriali/10_marzo_22/giovanni_sartori_sconnessi_e_somari_1cbe80ba-3579-11df-bb49-00144f02aabe.shtml)
Eugenio Scalfari, Un paese che perde il senso delle parole, La Repubblica, 15 dhjetor 2013 (http://www.repubblica.it/politica/2013/12/15/news/un_paese_che_perde_il_senso_delle_parole-73622928/)
Intervista a Tullio De Mauro (nga Bruno Simil), Revista “il Mulino” n. 6/12, il Mulino, Bologna 2012. http://www.rivistailmulino.it/journal/articlefulltext/index/Article/Journal:RWARTICLE:38559
Ardian Vehbiu, Shqipja totalitare: tipare të ligjërimit publik në Shqipërinë e viteve 1945 – 1990, Çabej, Tiranë, 2007.
Pertej reve me fjale nuk e gjeta boshtin e shkrimit, qe pak a shume i bie se duhet te riedukohem per t’i kuptuar fjalet.
Pertej kesaj autokritike gjendet bindja ime se qenia njerezore eshte prapa teknikes, hecen shume me ngadale se kjo e fundit. Fjalet nevojiten per realen, sa me shume fjale njohim, ne teori, aq me mire e njohim realen, mirepo teknika qe nder te tjera ka sjelle globalizmin gjendet ne duart e nje njeriu me nevoja e interesa primare qe jane zgjeruar perpjestimisht shume me pak sesa teknika.
Po keshtu njeriu eshte si nga pikepamja fizike dhe e kuocientit te inteligjences njesoj si i epokes se gurit (ne gjithe matjet mongoli i kalit dhe harkut eshte me inteligjent se amerikani i apple-it dhe corvette-s), keshtu qe vetem sa thellon raportin e veshtire me tekniken.
Duhet t’i rikthejmë vëmendjen fjalëve. E dhashë edhe me një shembull të qartë. Nëse ne nuk u kushtojmë rëndësi, nuk kanë pse ta bëjnë ata që fjalë prodhojnë rregullisht, madje shpeshherë të mjegullta.
Fjala ka rëndësi jetike.
Pishak, shkrim vertet shume i mire.
Nuk e di pse kam pershtypjen se raporti i shqiptareve me fjalen eshte permiresuar ndjeshem keto vitet e fundit. Nese pershtypja ime eshte e vertete, mund te jete rezultat i atij “sine qua non” qe thua ti, pra lirise. Perndryshe mbetet thjesht nje pershtypje e imja, e gabuar.
Faleminderit Relapso.
Raporti i shqiptarëve me fjalën mund të jetë përmirësuar në përgjithësi, por duhet të merremi vesh se ç’kuptojmë me fjalën raport. Nga pikëpamja e lirisë nuk ka dyshim, siç thoje edhe ti.
Shqipja ka shprehjen “mati fjalët”. Kam përshtypjen se sot askush nuk i mat fjalët, sidomos në ligjërimin publik. Madje ai që i mat, nuk shikohet as me admirim, as me vëmendje.
Ka raste kur fjala e fundit thuhet në fillim (tjetër shprehje), ndërkohë që rregulli kërkon të kundërtën. Kjo tregon se pesha e fjalës ka rënë, përndryshe nuk kanë pse të ndërrojnë vend me njëra tjetrën.
Nuk po jap shembuj nga politika, se nuk di ç’të zgjedh.