Problemin e lojërave të fatit e pamë fillimisht nga pikëpamja politike, të nxitur nga veprimet e fundit qeveritare kundër qendrave të lojërave dhe basteve. Pastaj diskutimi vijoi natyrshëm drejt dëmeve që shkaktojnë lojërat e fatit, që shkojnë përtej mosrespektimit të kuadrit ligjor me karakter fiskal. Folëm pak edhe për dëmet në nivel personal që mund të shkaktojnë këto lloj lojërash. Së fundi, vumë re se shoqërisë shqiptare i mungon vizioni shumëplanësh i dukurisë, duke nënvizuar qëndrimin etik ndaj tyre.
Megjithatë, ende nuk e kemi theksuar sa duhet, se sa të dëmshme janë të ashtuquajturat lojëra të fatit, sidomos ato të llojit slot machine, por pa harruar natyrisht të tjerat. Së pari, kemi problemet që shkakton çdo vartësi për personin, familjet dhe shoqërinë e tyre. Shpeshherë lojtarët patologjikë kthehen në problem dramatik për të dashurit që i rrethojnë.
Këto probleme, ka raste që nuk ndalen me boshatisjen e llogarisë rrjedhëse personale. Ka shumë vetë që arrijnë të marrin hua me fajde vetëm e vetëm për të luajtur bixhoz. Më pas, në pamundësi për të paguar borxhin, personat dhe familjet përkatëse bien pre e fajdexhinjve, të cilët në një mënyrë ose tjetër kërkojnë paratë e “investuara”. Një situatë e tillë, potencialisht e rrit kriminalitetin, përderisa konflikti mund të lindë si midis fajdexhiut dhe viktimës, ashtu edhe midis viktimës dhe familjes së tij, që është praktikisht viktimë e dyfishtë. Mirëpo, viktimat e lojërave të fatit dhe basteve, kur gjenden ngushtë e pa të holla, detyrohen shpeshherë t’i gjejnë ato me rrugë të pandershme, duke kryer vepra penale që shkojnë nga vjedhja deri tek trafikimi.
Nuk duhet harruar se në botë, pas lojërave të fatit fshihet shpesh larja e parave të pista. Po të nisemi nga konstatimi se Shqipëria është ende ekonomi në zhvillim e sipër, me probleme kontrolli të territorit e me korrupsion të lartë, nuk mund të përjashtohet që ky fenomen të ekzistojë edhe në Shqipëri. Lojërat e fatit, në mungesë kontrollesh serioze, përbëjnë parajsë të vërtetë për ata që pastrojnë parà. Si të thuash, për këta persona janë vërtet lojëra fati, sepse pasurohen nëpërmjet tyre, por pa lozur përballë ekraneve me ngjyra.
Ka edhe një element tjetër që duhet të na shqetësojë. Në Itali, sipas një studimi statistikor, gjatë vitit 2013 kanë marrë pjesë në lojëra fati, basti, gërvisht e fito, lotari, etj. rreth 1.250.000 nxënës të shkollave të mesme. Por ajo çka habit më shumë është se sa më i lartë të jetë stadi i lojës patologjike, aq më i madh rezulton konsumi i drogave të ndryshme. Sipas të dhënave në përqindje, adoleshentët që luajnë rrallë e zhvillojnë lojëra sociale konsumojnë shumë më pak lëndë narkotike. Lidhja lineare midis lojës së bixhozit në përgjithësi dhe përdorimit të drogave ekziston si në moshë të re (15-19 vjeç), ashtu edhe në kategorinë më të rritur (15-64 vjeç). Sipas të dhënave, gjatë 2013-ës, 35,2% e nxënësve/studentëve që luajnë çdo ditë ose pothuajse çdo ditë, konsumojnë edhe lëndë narkotike.
Aspektet negative të abuzimit me lojërat e fatit nuk mbarojnë me kaq. Megjithatë, janë të mjaftueshme për të na treguar se kërkohet më tepër vëmendje nga ana e institucioneve shqiptare, veçanërisht në planin e parandalimit. Nuk do të ishte keq sikur të përdoreshin reklama edukuese kundër abuzimit me këto lojëra, por edhe programe informative për t’u zhvilluar nëpër shkolla, duke shpjeguar klasë më klasë dëmet e shumta që mund të shkaktojnë. Por nuk kemi dëgjuar ende për nisma të tilla.