Ushqimi tradicional i rri fast food-it sikurse informacioni i dikurshëm internetit të sotëm? Groshët me mish i qëndrojnë hamburgerit sikurse e përditshmja “Bashkimi” gazetës online? Kohët kanë ndryshuar, e dimë të gjithë. Deri dje gjyshet tona i zienin groshët me orë të tëra, i lanin çarçafët me hi oxhaku, kurse sot paninet e sufllaqet përgatiten për disa minuta, kurse rrobalarësja na i lan ndërresat sipas programit që i caktojmë. Pa folur për mjetet e transportit. Avionët i kanë shkurtuar largësitë, njëlloj siç kanë bërë autostradat. Distancat që deri dje kërkonin një ditë udhëtim, sot kërkojnë pak orë. Çdo gjë ecën më shpejt, përfshirë kohën. Po mendimi a ka pësuar ndonjë ndryshim? Me fjalë të tjera, mendimi i djeshëm, si proces, në krahasim me të sotmin është si tava me çerep krahasuar me furrën me mikrovalë?
Në epokën e internetit, facebook-it, sms-ve, iPhone-t, iPad-it, ku shpejtësia është elementi përbashkues, nuk kishte se si mos të krijoheshin dy ushtri kundërshtare: nga njëra anë akuzuesit, ata që ankohen se të rinjtë e sotëm e mbajnë shikimin e ulur, drejt celularëve modernë, duke ecur si zombie nëpër rrugë, ndërsa mbarështojnë avatarin e tyre virtual me lëvizje prestidigjatori në tastierë. Janë ata që shohin apokalipsin, po të parafrazonim Eco-n e hershëm, ngaqë njerëzit nuk ushqehen me informacion të strukturuar, por çukisin si harabelat nga një faqe interneti në tjetrën, nga një facebook në tjetrin, nga një lajm në tjetrin, kërcejnë nga një lidhje në tjetrën, nga një video në tjetrën, nga një imazh në tjetrin. Të kërrusur nga mbingarkesa informative, të hutuar nga multimediat psikedelike, të zhytur në videolojëra hipereale, të thithur në filmat 3D. Janë të rinjtë e sotëm, të llahtarshëm mbi tastierë e supersonikë me funksionin kopjo/ngjit, por krejt të paaftë, sipas akuzuesve, për të ndërtuar një mendim të strukturuar, për të përfunduar një arsyetim të plotë, për të shkruar në mënyrë të nyjëtuar.
Ushtria tjetër përbëhet nga të integruarit me sistemin, mbushur plot me entuziastë, që shohin tek zhvillimi i teknologjisë zhvillimin e njerëzimit. Por edhe realizimin e tyre. Është interneti ai që nxit shkëmbimin e informacionit, gjithnjë e më të shpejtë, si rrjedhim zhvillimin e njohjes, pra edhe të trurit. Interneti me veglat e tij hiperteknologjike po bëhet i pazëvendësueshëm, pjesë e jetës e njëkohësisht cilësues i saj. Informacion pa kufi, i pranishëm në çdo moment, i përdorueshëm sipas dëshirës. Parajsa e dijes. Nuk e mban mend kush e ka shkruar aksh simfoni? Kërkoje me google. Nuk e mban mend kur ka lindur Napoleon Bonaparti? Gjeje në Wiki. Të duhet një libër? Bleje në sekondë dhe lexoje në Kindle. Nuk e njeh rrugën për diku? Ke hartat virtuale, madje edhe luksin e street view, sepse mund të paraudhëtosh me miun, pa e lëvizur prapanicën nga karrigia.
Po mendimi, ose më mirë procesi i tij, a ka ndryshuar me zhvillimin e teknologjisë? Me siguri. Megjithatë, atje ku të parët do ta shikojnë si të cunguar, të fragmentuar, të përhumbur, për shkak të teknologjisë, të dytët do ta shikojnë si të zhvilluar, të përditësuar, të shpejtë, po për shkak të teknologjisë. Pyetja merr rëndësi të veçantë po të bëhet për realitetin shqiptar. Megjithatë lipset fillimisht një premisë historike. Shqiptarët përballuan gjatë viteve 1990-2000 dy hapje madhore ndaj botës. E para u jetësua me vendosjen e sistemit demokratik dhe me hapjen e vendit ndaj botës; e dyta me prurjet e teknologjisë së kumtimit masiv, nga saçet tek celularët, nga kompjuteri tek interneti. Dy hapje epokale, që pa dyshim kanë ndikuar në mendimin shqiptar. Duke filluar nga shpejtësia.
Jo vetëm gjatë totalitarizmit, por edhe në fillim të demokracisë, mendimi shqiptar krijohej e ushtrohej kryesisht mbi letër, në libra e organe të tjera. Kjo kërkonte blerje librash, vajtje në bibliotekë, lexim të disiplinuar. Pa folur për të shkruarit: si dorëshkrimi ashtu edhe makina e shkrimit kërkonin një farë kohe. Nga kopja e keqe tek kopja e mirë. Procesi ishte i ngadaltë. Po kështu krijimi i mendimit, reagimi, gjetja e informacionit, përpunimi, komunikimi. Nuk duhet harruar se kontrolli i regjimit, në ingranazhet e sistemit komunikativ, kishte efektin e kundërt të grasos: e pengonte atë, ia ngadalësonte lëvizjet, e frenonte. Praktikisht ngadalësia shumëfishohej artificialisht nga kontrolli politiko-social. Një artikull i thjeshtë gazete kalonte në disa sita, me vrima gjithnjë e më të vogla, para se ta shihte dritën e botimit.
Vështirë për t’u vërtetuar shkencërisht, por hipoteza për pasojat e hapjes, me pak guxim, qoftë për efekt provokues, edhe mund të shtrohet. Këtu nuk është çështja për vlerat e padiskutueshme që sollën si ardhja e demokracisë, ashtu edhe ajo e teknologjive të komunikimit masiv. Në vendet e tjera demokratike, proceset e mësipërme, nuk u mbivendosën. Shqiptarët, me shumë se të tjerët, kaluan nga një situatë pothuajse mesjetare, në një sistem demokratik. Për disa vjet u desh të përballonin jo lumenj por oqeanë informacionesh, në trajtë vërshimi e tsunami, me risi të papara ndonjëherë: ligje, forma qeverisëse, institucione, prona private, ekonomia e tregut, emigracioni, koncepte të reja, e kështu me radhë. Në pak vite kulturës shqiptare iu desh të kapërdinte, pa i metabolizuar, mënyra të reja jetese e mendimi. Transplantimi mekanik i tyre mund të shikohet edhe si rruga e detyruar për të përballuar shpejtësinë me të cilat rrodhën ngjarjet, edhe pse karakteri shabllon i tyre, së bashku me pasojat si kulti i kargove, nuk e ndihmuan aspak shoqërinë shqiptare. A duket e tepruar hipoteza se kjo situatë e përshpejtuar e hutoi kulturën dhe mendimin shqiptar?
Dallgët e sistemit të ri, ende pa u tërhequr nga brigjet e kulturës shqiptare, u ndoqën nga një tjetër tsunam. Zhvillimi i mediave të komunikimit masiv. Brenda njëzet vjetëve, shqiptarët nga një izolim relativ, por asfiksues, u gjetën në det të hapur, në mëshirë të agorafobisë, pa ndonjë busull të veçantë. Telefonata me jashtë, kanale televizive të pafundme, falë saçit në dhjetëra gjuhë, pararendën celularët e rinj dhe televizionet private shqiptare. Kalimi nga sistemi analogjik në sistemin numerik ndryshoi shumë gjëra. Bomba e internetit vetëm sa shtoi forcën deflagruese ndaj një kulture tashmë të tronditur nga forcat centrifuge dhe të hiperhutuar nga mbingarkesa e informacionit. Rrjetet sociale, celularët superinteligjentë, mediat ndëraktive, vetë jeta online, gjithnjë e projektuar në të tashmen, të gjitha kërkojnë shpejtësi mendimi e reagimi. Sms, Skype, Mms, Facebook, Whatsapp, Twitter, Gmail, Messenger… Më shumë se aplikativë janë përshpejtues të përgjigjes, pa llogaritur sharmin fatalisht tërheqës të hapësirës bosh të komentit. Mundësisht gjithshka në kohë reale. Edhe pse e sforcuar, mund të thuhet se shqiptarët kaluan nga diktatura e proletariatit tek diktatura e çastit. Ky trend, sipas gjasës, do të vijojë në këtë drejtim, meqë komunikimet priten të zhvillohen më shumë në Shqipëri. A mund të supozohet në këtë pikë se copëzimi, parcelizimi, fragmentizimi, i informacioneve, por edhe shpejtësia e komunikimit, e ka shpërqendruar vëmendjen e si rrjedhim procesin e mendimit në Shqipëri?
Hipoteza e mësipërme, nuk niset detyrimisht nga premisat e apokaliptëve, që i shohin mjetet e teknologjisë moderne të komunikimit me mosbesim e me sy të keq. Ka diçka objektive në situatën e krijuar nga teknologjia moderne. Shtëpitë e sotme kanë gjithnjë e më shumë telekomanda (tv, dvd, wi-fi, satelit, kondicioner, videolojëra). Dy duart tona nuk mjaftojnë më, pasi duhet të mbajnë celularin, të rrahin tastierën, të përkëdhelin tabletin, të fërkojnë iPod-in, e ndërkohë të bëjnë atë që zakonisht bëjnë… nga kuzhina në shtrat, nga zyra në makinë. Nga ana tjetër, bollëku informativ na heq urinë për informacion të cilësuar, ose më mirë për përpunim të mendimit. Na ngop pa ngrënë. Sa studentë bien në krahët e tundimit kopjo/ngjit-jes për të shkruar diçka, në vend që t’i argumentojnë idetë e tyre? Në të vërtetë nuk është dembelizmi ai që fiton, por paaftësia për të krijuar një mendim kritik e për ta shpjeguar atë qartë. Vetë struktura e mesazhit të imponuar nga Sms ose Twitter ndikon në mendim, sepse e koncentron atë, kur nuk e përndrydh keqas. Po të shtojmë imperativin e urgjencës që çdo mesazh online përmban në mënyrë implicite atëherë del qartë se platformat e komunikimit modern një farë ndikimi e kanë në krijimin dhe shprehjen e mendimit.
Filozofia e së tashmes, urgjenca e reagimit, shpejtësia e komunikimit, kanë hyrë tashmë edhe në politikë. Ka shumë raste që komunikatës për shtyp i përgjigjen me mesazhe ne facebook ose me cicërima disa shkronjëshe. Kurse heshtja disa orëshe mund të shndërrohet në lajm të njëmendtë. Përse nuk reagon? Përse nuk i përgjigjet deklaratës? Interpretimet shumohen me shpejtësinë e dritës në hapësirën virtuale.
Mendimi ka nevojë të piqet. Edhe argumentimi i tij ka nevojë për kohë e hapësirë. Në këtë pikë teknologjitë e reja të komunikimit përbëjnë aleatin më të mirë të mendimit, sepse i japin mundësinë të pasurohet, të përditësohet, të thellohet. Madje edhe të dialogojë, ngadalë e në kohë reale, sipas nevojës. Pra interneti e celularët modernë i ofrojnë mendimit habitatin më të mirë për t’u kultivuar. Përse atëherë shumë vetë sillen si pistoleros të mendimit, e shkelin këmbëzën para se të marrin shenjë, ose i fryjnë tytës para se të qëllojnë? Përse luajnë me tastierën e kompjuterit, duke shkruar xhevahire, pa futur më parë prizën në tru? Problemi qëndron kryesisht në iluzionin që të japin mjetet e reja teknologjike dhe në përdorimin e gabuar të tyre. Të kopjosh një fjali nga një shkrimtar i madh nuk të bën automatikisht të tillë. Të shkarkosh pamje rrëshqitëse me Power Point për filozofinë, nuk të bën automatikisht mendimtar. Bulimia informative nuk ta ushqen mendjen në mënyrë të shëndetshme. Po kështu, përgjigjja me cicërima ose mesazhe për miqtë në facebook nuk të bën mjeshtër të komunikimit.
Mjetet e mjediset e reja të komunikimit nuk duhen as himnizuar, as anatemuar. Porse potencialet e mëdha mund të kthehen në problem, në rast se përdoren gabim. Në qoftë se celulari smart, ose çfarëdo llogarie në internet, na jep alibinë e dijes, e rëndësisë, e qendrës së vëmendjes, në qoftë se qenia në linjë e në rrjet na i drogon shqisat, sepse na jep ndjesinë e dijes, atëherë kemi të bëjmë me përdorim të gabuar të mjeteve. Por nëse interneti na krijon kushte që ta rrisim mendimin, duke shkëmbyer ide e përsiatje, nëse pafundësia e informacionit na bën të ndjehemi gjithnjë e më shumë të përulur përballë dijes, nëse teknologjitë e komunikimit i shohim pikërisht si mjete e jo si objektiva, atëherë kemi të bëjmë me përdorim të duhur të mjeteve të komunikimit. Tek e fundit, nuk ka shumë rëndësi se si i përdorim mjetet tona, por përse i për çfarë i përdorim.
Perla të mendimit mund të jepen edhe me më pak se 140 shkronja. Mendime të shkëlqyera mund të vijnë me shpejtësinë e dritës, si vetëtima gjeniu, e mund të komunikohen po aq shpejt. Dy fjalë magjike si “Të dua” mund të na vijnë “pa u menduar”, nga thellësia e zemrës. Qoftë me sms. Një roman mund të shkruhet edhe për një javë. Ashtu siç mund të bëhen gjellë të jashtëzakonshme në pak kohë. Gjella me çerep do kohë të bëhet, po kështu mishi në hell. Por edhe hamburgeri nuk është i keq. Varet nga situata. Vera bëhet e mirë me kalimin e kohës, por ka verëra që pihen sapo bëhen. Varet se çfarë përgatitje, kulture, ose ndjenje, gjendet pas aforizmit, deklaratës së dashurisë, romanit, gjellës, verës… Mjetet moderne të komunikimit mund të përdoren për të dalë nga gjendja e hutimit, ashtu siç mund të përdoren për thellimin e tij. Rëndësi ka të mendohemi. Aq sa duhet.