Ja edhe një lajm tronditës: Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka dënuar ashpër provën bërthamore të kryer ditët e fundit nga ana e Qeverisë së Koresë së Veriut.
Njoftimi, i cili ka dalë edhe në faqen zyrtare të ministrisë, është rimarrë nga një numër gazetash dhe me siguri është transmetuar edhe në TV-in satelitar.
Ministria e Punëve të Jashtme, duke dënuar këtë akt, i bën thirrje Qeverisë koreano-veriore që të ndërpresë menjëherë këto veprime, të cilat janë provokime të rënda dhe që ndikojnë negativisht në mjedisin e sigurisë rajonale dhe më gjerë.
Jo po ta dinë!
Tani, kjo deklaratë e MPJ-së do të përbënte lajm sikur: (1) vetë Shqipëria sapo të kish kryer një provë bërthamore të vetën; ose (2) sikur Shqipëria të ish aleati i vetëm dhe natyral i Koresë së Veriut në Europë (në NATO); ose (3) sikur koreanoveriorët të ishin zotuar se do të vazhdonin me këto prova, sa kohë që Shqipëria nuk ishte prononcuar për to; ose (4) sikur pas kësaj deklarate, NATO-ja të vendoste se ishte mbushur kupa, dhe t’i shpallte luftë Koresë së Veriut.
Mirëpo asnjë nga këto supozime nuk qëndron – se ç’mendon Shqipëria për provat bërthamore në anën tjetër të botës nuk i duhet as i intereson kujt, duke filluar që me vetë qeverinë shqiptare.
As Shqipëria ka interesa në Korenë e Veriut, as Koreja e Veriut ka interesa në Shqipëri.
MPJ-ja shprehet sikur të përcillte vullnetin diplomatik të një superfuqie planetare, edhe pse të gjithë, përfshi këtu edhe bufin, e dinë se kjo bëhet thjesht për t’u konformuar me vijën politike amerikane.
Mua, që e lexova duke e shoqëruar në mendje me marshe luftarake të ekzekutuara me bandë frymore, kjo e tanishmja më kujtoi ca deklarata të njëhershme të MPJ koreanoveriore, për dhunimin e hapësirës ajrore të atij vendi nga avionët spiunë amerikanë, që i përcillte me zell të paparë “Zëri i Popullit” në faqen 4, madje edhe duke u bashkëlidhur një numër rendor: incidenti no. 2462, incidenti no. 2463, etj. Koreanët i numëronin, këta u shkonin pas avazit.
Nuk di se çfarë ka pikërisht Koreja e Veriut, që ta bëjë kaq irrelevante për punët shqiptare – ndoshta distanca, ndoshta fakti që si shtet na kujton diktaturën tonë totalitare. E megjithatë, nuk pres të bëjë njeri festë në Tiranë e gjetiu në Shqipëri, ditën kur të rrëzohet Kimi i tanishëm dhe të vendoset edhe atje “demokracia”, si në Shqipëri.
Apo të jetë vallë, kjo e tanishmja, kundërgoditja diplomatike jona, ngaqë Pfeniani ka refuzuar ta njohë Kosovën?
Do të më thonë: nëse plas ndonjë luftë atje, djemtë tanë të nënave do të shkojnë të kacafyten me armikun, të inkuadruar në trupat e NATO-s.
Tani, edhe pse Koreja e Veriut është pak si larg Oqeanit Atlantik (atij që ia jep A-në shkurtesës NATO), gjëra më të çuditshme kanë ndodhur; por me gjithë paparashikueshmërinë e politikës së jashtme të Berishës, unë nuk besoj se ky do të shkojë deri aty, sa t’i shpallë luftë një shteti në Lindjen e Largme, në emër të Aleancës Atlantike.
E megjithatë, njeriu ndonjëherë pret që në MPJ të kenë punë më të rëndësishme, me të cilat të merren, në vend që të zografisin deklarata qesharake, si kjo kundër Koresë së Veriut. Se po vazhduan kështu, një ditë do të dalin me nota proteste edhe kundër uraganeve që godasin me forcë shkatërruese brigjet lindore të ShBA-së… të cilat brigje, të paktën, i lag Oqeani Atlantik.
Kur lexon lajme të tilla në fillim të vjen për të qeshur. Po pas fjalimit të presidentit për Vitin e Ri çdo gjë është e mundur nga klasa politike atje. Më vjen të them mbase bëhen këto gjera vetëm për faktin për të pas informacion të vazhdueshëm për publikun, që media dhe publiku të mos merren me problemet reale të vendit. Në një farë mënyre për të mbushur kohën e lënë bosh nga telenovelat. E them këtë sepse vërtet nuk dua ta besoj se klasa politike atje është aq keq!
Jeni tejet polemizues dhe shumë qesharak me këtë ironizim që i bëni deklartës së MPJ së Shqipërisë mbi provat nukleare të Koresë së Veriut. Nuk e kuptoj ironin. Edhe shtetet e vogla si Shqipëria, Luksemburgu, Moldavia, FYROM, Sllovenia etj kanë të drejtë të kenë diplomacinë e tyre. Provat e Pjongiangut bine ndesh me rezoltat e Këshillit të Sigurimit dhe me dhjetra shtete, duke shtuar edhe Shqipërië, kanë bërë këto deklarata të ngjashme. Kjo jo vetëm se ne jemi anëtar në OKB dhe rezolutat që rrjedhin nga Këshilli i Sigurimit janë detyrim që ti mbrojn të 193 anëtarët e OKB-ës, por edhe se ne jemi anëtar të NATO-s. Koment i cekët nga ana juaj. MPJ bënë shumë mirë që mban qëndrim. Bota është globalizuar dhe kështu funksjonjn të gjithë. Me argumentin tuaj i bie të thuhet pse shtete si Hondurasi, Brunei apo Svazilandi.
PSH
MPJ e Rumanisë dhe Bullgariisë kanë mbajtur qëndrim si Shqipëria.
[http://mae.ro/node/17864] [http://www.mfa.bg/en/events/6/1/682/index.html]
Irvi, para dy muajsh u festua në Tiranë 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Besoj se e mban mend sa pak dinjitarë të huaj erdhën të festonin së bashku me ne – dhe unë këtë e konsideroj si fiasko diplomatike të klasit të parë. Meqë nuk pashë të jepte kush ndonjë dorëheqje, atëherë është dyfish qesharake që, teksa Shqipëria ka hyrë praktikisht në izolim diplomatik edhe pse lëvizjet e ambasadorëve në Tiranë ndiqen si të ishin të një loje shahu hyjnore, MPJ shqiptare gjen kohë dhe fuqi të merret me Korenë e Veriut.
Pas 29 nëntorit 2012, ose një feste të cilën e bojkotuan praktikisht të gjithë miqtë tanë të fuqishëm (duke filluar nga Gjermania dhe Austria), pozita ndërkombëtare e Shqipërisë veç është keqësuar, për shkak edhe të fishekzjarrëve kombëtaristë që djeg kryeministri Sali Berisha, çka do të thotë se politika e jashtme shqiptare sot është kapur peng e Kreshnik Spahiut, historianëve, tifozerisë së stadiumeve dhe halucinacioneve të diasporës, të cilët e pikturojnë veten të rrethuar me Agime të Arta.
Të kujtoj edhe që Shqipëria dështoi në përpjekjet e saj për t’iu asociuar Bashkimit Europian, dhe dështoi sa për shkak të politikës, aq edhe për shkak të diplomacisë së vet, ose të paaftësisë sonë për të negociuar aspiratat dhe vullnetin politik të qytetarit të Republikës së Shqipërisë, çka lidhet edhe me faktin, e vënë në dukje gjerësisht nga mediat, që ambasadat tona janë shndërruar në çerdhe të nepotizmit dhe të kultivimit të katundarisë në shkallë globale. Prandaj është qesharake deklarata e MPJ-së – në këtë kontekst dhe në këto rrethana, dhe në raport me këta njerëz që pretendojnë të drejtojnë dhe të frymëzojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e tjera.
Zotëri,
Ajo që thoni mund të jetë e vërtet, por nuk përbën argument për të ironizuar MPJ. Nëse doni ta gjykoni për diçka MPJ të Tiranës atëherë mund të gjykoni për nepotizmin në ambasada, por jo për qëndrime diplomatike. Se kush erdhi për 100-vjetorin e mëvetësisë së Shqipërisë është çështje tjetër, por unë nuk besoj që bën mirë ato që nuk erdhën. Megjithatë përfaqësues të shteteve mike si Zv. Kancelari austriak, Kryeministri i Hugarisë (trashëgimtarët e peradorisë shumëkombshe të Hasburgve), Kryeparlamentarët e Italisë, Maltës, Bosnjes dhe BE-së apo Presidentët e Kosovës dhe Malit të Zi, Kryeministrat e Kosovës, Kroacisë dhe Sllovenisë, delegacione qeveritare nga Katari , Por kjo nuk varej më shumë nga ne. Ka gabime, ka sa të duash, të cilat diplomacia jonë e vogël duhet ti zgjidhë sa më shpejtë.
Siç kam theksuar më sipër Republika e Shqipërisë është anëtare e OKB. Këshilli i Sigurimit ka miratura një rezolut të cilën duhet ta mbrojnë të 193 anëtarët e OKB-ës. TemA, Respublica, Ju dhe shumë media kritike ndaj qeverisë bëjnë shumë gabim duke anatemuar qëndrimet e MPJ-ës. Ato janë qëndrime kombëtare dhe jo partike. Sistemi ndërkombëtar kështu funksionon sot. Lipset që të mos bëhen më kësilloj ironie. Në qoftë se kundërshtoni vendimin e MPJ-ës dakord, pra që qeveria e Pjongiangut na paska të drejtë të pasuroj uranium apo të terrorizoj Koren e Jugut dhe Perandorinë japoneze me raketa, por jo ta ironizoni se nuk na paska të drejtë të mbaka qëndrim si aktor shtetëror i së drejtës ndërkombëtare.
Irvi, në përqasjen tënde po neglizhon mundësinë reale që ministria e jashtme të jetë e përbërë nga sharlatanë. Ka autoritete si Departamenti Amerikan i Shtetit që nuk e neglizhojnë si fakt, paraqesin madje dhe nota proteste.
Dhe kjo për një deklaratë që (disi ndryshe), është kritikuar dhe këtu në PTF.
juliusx, nuk gjykoj se si është e përbërë MPJ-ja jonë. Tema është komplet tjetër. Edhe unë si ju mendoj se MPJ ka shumë probleme. Problemi i memo-s është tjetër çështje. Probleme ka, por këto nuk të ndalojn të shprehësh qëndrimin si shtet sovran mbi çështje të ndryshme ndërkombëtare siç ajo pasurimit të uraniumit nga Korea e Veriut apo Irani, përkrahja për lëvizjet demokratike dhe shkelejt e të drejtave të njeriut në Burma (Mianmar), Jemen, Siri etj.
Pikerisht ketu eshte problemi me Shqiperi-taret. Kane abdikuar ne gjykim, dhe nuk ka faj Jozeficka kur piskat: ‘heshtni more’. Se helbete, ‘nuk gjykoj’.
“S’me takon”, ‘shteti eshte i atij qe e ka’ etj etj
Unë nuk besoj se interesat e politikës së jashtme të Shqipërisë shtrihen deri në Korenë e Veriut. Të bësh deklaratë proteste kundër një prove atomike të atij vendi të largët, është si të bësh deklaratë proteste kundër Perandorisë Osmane – njëri vend është larg në hapësirë, tjetri në kohë.
Dhe çfarë është më e rëndësishme, unë nuk besoj se deklarata e MPJ-së ka ndonjë shans çfarëdo të dëgjohet apo të lexohet nga njeri, dhe aq më pak të vlerësohet nga njeri; sepse askush nuk ka gjasë të impresionohet, nga gjesti shqiptar kundër provës atomike të Koresë së Veriut.
Me fjalë të tjera, është një gjest i kotë dhe i zbrazët, që nuk sjell asnjë pasojë dhe që nuk mund të sjellë asnjë pasojë. Në kontekstin e përgjithshëm të veprimtarisë diplomatike të qeverisë së Berishës, ky gjest është i tillë që të përfaqësojë simbolikisht efektet dhe vlerat e kësaj diplomacie.
Pak si pa lidhje Korea e Veriut me Perandorinë Otomane, nejse. MPJ atë punë ka, të marrë qëndrime. S’ka përse të ironizohet se bën punën e saj. Së dyti, edhe qëndrimet tona janë shumë të rëndësishme. Duhen shprehur patjetër. Kush e njeh diplomacinë e di dhënia e mbështetjes për një kauzë është shumë e rëndësishme. A është më mirë të flasësh kur ke zë, apo veç t’i mëshosh vendit? Ne jemi anëtarë nga më të vjetrit në OKB, kemi të drejtë të themi mendimin tonë dhe duhet ta themi. E pse qënka kjo për t’u tallur? Vetërespekti është gjë e madhe. Kush nuk e ka, të mos presë ta respektojnë të tjerët. Nuk është mirë që për çdo gjë të nxirret nga një bisht.
Shkruan:
Nuk jam i sigurt nëse është pikërisht kjo puna e MPJ-së – të marrë qëndrime.
Por edhe në qoftë kështu, pra nëse MPJ-ja atë punë ka, atëherë për ç’arsye një veprim rutinë i këtij institucioni e gjen rrugën në krye të faqes te një gazetë qëndrore në Tiranë?
Unë këtë nuk e shpjegoj dot, përveçse duke supozuar se ky lajm është vendosur aty qëllimisht.
Tani që u bë publik edhe dokumenti i DASH-it, që e solli Julius-i më lart, gjërat sikur po sqarohen: është fjala për një përpjekje tjetër të radhës, për të arnuar me pe të bardhë.
Dhe gjithsesi – unë e kuptoj se MPJ-në dhe vetë ministrin nuk i lë kryeministri të punojnë, sepse u del përpara duke improvizuar në çdo hap; prandaj atyre s’u mbetet veçse, siç thua ti, të mbajnë qëndrime për gjëra irrelevante.
Jam kurioz cili është qëndrimi i MPJ-së për çështjen e konsumit të mishit të kalit në disa vende të BE-së, ose për masat që ka marrë qeveria e Nepalit, për të parandaluar sëmundjen e shapit në bagëtitë e imëta të atij vendi mik.
Për ministrin e Jashtëm unë kam dëgjuar fjalë të mira; por ai duhej të ishte larguar menjëherë, me dorëheqje, pas fiaskos së festimeve të 100-vjetorit dhe deklaratave të S. Berishës për Prevezën, albanofobinë dhe thagma të tjera.
Kryeministri shqiptar u tregua aq kabá në eksternacionet e veta, sa të detyronte ministrin e Jashtëm grek të kthehej nga rruga, tek ish nisur mysafir në Tiranën festive; për çfarë lëshoi një deklaratë të fortë proteste edhe ministria e Jashtme e Koresë së Veriut!
Dhe nuk po flas fare për fiaskon e Preshevës. Ndoshta ajo thënia jote në krye duhet rishkruar kështu: MPJ atë punë ka, të kërcejë nga fiaskoja në fiasko, pa iu lagur kindat e xhybes.
Më vjen keq, por këtu nuk po diskutohet se si është MPJ, e korruptuar a jo. Flasim për gjestin diplomatik. Me mendmin tuaj siç kam shkruar më sipër i bie që shumica e vendeve të largta si Hondurasi, Brunei, Svazilandi, Shën Kitts dhe Nevis, Papua Guinea e Re etj. të kritikohen nga qytetarët e tyre pse njohin Kosovën. Çdo shtet ka të drejtë të bëjë diplomacinë e tij. Po flasim për marrëdhëne ndërkombëtare dhe të gjithë kanë të drejtë të japin mendimin e tyre.
Gjatë një vizite të ministri të atëhershëm në Japoni, ministri i Jashtëm japonez vlersoi shumë përkrahjen shqiptare.[http://www.mofa.go.jp/announce/announce/2011/11/1121_02.html] Paskemi edhe përfitime siç mund ta shihni. E nuk është pak një aleat si Japonia.
Xha Xhai të sugjeroj të lexosh diçka më shumë për diplomacinë, pasi Peradoria Osmane është tërsisht jashtë teme. Pikërisht një nga misionet e MPJ kudo në botë është lëshimi i deklaratave të tilla (statement), të cilat janë qëndrime publike të shteteve ndaj ngjarjeve të ndryshme. Nuk e kuptoj pse akoma këngulni për ti ulur peshën diplomacisë sonë dhe ndikimit të saj. Çështja është kështu. Nëse ShBA dhe Japonia kundërshtojn planet e Kores së Veriut atëherë nuk do të ketë aq ndikim sa kur këtë e thonë psh 80 anëtarë të OKB-ës. Mos harrojm se vota në Asamble është e barabartë për të gjithë. Vota jonë është sa ajo e Kanadasë apo Australisë.
Irvi, se për çfarë diskutohet këtu, atë e vendos unë, si administrator i faqes, autor i shkrimit dhe moderator i komenteve.
Unë e kuptoj që PO është jashtë teme, por është po aq jashtë teme sa edhe Koreja e Veriut. Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, është fjala për distancë të pakapërcyeshme.
Protesta e Shqipërisë ndaj Koresë së Veriut nuk përbën lajm, sepse është formale, protokollare, e parashikueshme deri në mërzi. Shqipëria thjesht iu bashkua një kori. Lajm do të përbënte e kundërta – sikur protestën ta kishte iniciuar Shqipëria, ose sikur, krejt papritur, Shqipëria t’i kish dalë në krah Koresë së Jugut.
Nuk e ha njeri këtë farë deklarate për veprimtari të MPJ-së dhe të diplomacisë shqiptare. Ajo është po aq veprimtari (dhe lajm për t’iu shpërndarë mediave), sa ç’mund të jetë edhe fakti që ministri ka dalë sot në punë me kravatë.
Nga ana tjetër, diplomacia jonë nuk ka as peshë, as ndikim në asgjë – dhe kjo pavarësisht nga çfarë shkruaj unë.
Shkruan:
E kam zakon t’i marr seriozisht këshillat, por gjithnjë pasi të verifikoj burimin.
Për fat të mirë, burimi këtë herë është publik, ose faqja e Irvi Hykës në Wikipedia:
http://sq.wikipedia.org/wiki/P%C3%ABrdoruesi:Irvi_Hyka
Aty mësova edhe se ti, zoti këshilltar badjava, qenke bërë anëtar i Bibliotekës së Durrësit, që në vitin 2006; cfarë shpjegon edhe këtë zell tëndin për t’u sugjeruar të tjerëve se ku të thellohen me leximet e tyre.
Nuk është burim publik se mjë autobiografi. Sot shtetve që dënuan aktin e Koresë së Veriut iu bashkua edhe Kosova dhe një deputet i PDK, Berat Buzhala, e ironizoj sikurse ju qëndrimin e MPJ-ës,
Mos të duket Z. Vehbiu Biblioteka e Durrësit si diçka e vogël. Fundja sot vetëm ato kemi dhe kjo jo për fajin tonë. Unë nuk studioj për marrëdhënie ndërkombëtare, po diçka dimë edhe ne.
PS.
Unë iu lexoj shpesh, por kësaj rralle nuk keni ‘qullosur’ gjë. 🙂
Irvi, po a nuk ishe ti që shkove e më dhe këshilla për të lexuar më shumë? Më impresionove, vajta të shoh se nga po më vinte ky iluminim. Pashë që më vinte nga një koleg, i cili anëtarësimin në bibliotekën e Durrësit e quante aq të rëndësishëm, sa ta lajmëronte publikisht në Wikipedia. Pashë edhe që ti i ke kaq modeste arritjet, sa nuk mund t’i japësh as edhe një analfabeti këshilla për të zgjeruar horizontin e leximeve.
E keni shkelur pak me etikën. Besoj se dikutimi bazohet në argumenta jo në çështje perosnale. Nuk keni pse merreni me mua se unë një student i thjeshtë i republkës jam, por merruni me argumentin që po përcjell. Gjithsesi faleminderi. Ju ftoj të jeni më të hapur herës tjetër për atë çfarë të tjerët thonë. E vërtetua juaj nuk është absolute pse e thoni ju, ajo bëhet e till nëse bazohet mbi argumente të qëndrueshme, të cilat unë fatkeqësisht nuk i vura re në artikull. Gjithë të mirat! Tung!
Nuk kam bërë asnjë shkelje etike. Ti ishe fryrë si tullumbace (ende nuk e kupton se e fyen tjetrin, kur i thua që të lexojë më shumë?), dhe unë përdora gjilpërën.
Dhe, të lutem mos më bëj asnjë lloj ftese dhe thirrjeje – nuk jam Koreja e Veriut, as je ti OKB-ja.
Thënia ime duhet të rishkruhet, ke të drejtë. Kur flasim për autoritete duhet të kemi kujdes e s’mund të flasim si përdita. Duhet thënë, për të qenë korrekt dhe në frymën e vetërespektit se MPJ ka funksion organik marrjen e qëndrimeve.
Do të kisha ndryshuar diçka tek ajo që thua e për ty “MPJ atë punë ka e të kërcejë nga fiasko në fiasko”. Kjo duhet të rishkruhet e të ndryshohet. I shkon kjo, se “ne këtë punë kemi e të shpartallojmë MPJ sa herë që merr ndonjë qëndrim, edhe kur ka të drejtë”.
Veç Koresë dalin dhe ca probleme të tjera. Me interes më duket dorëheqja e ministrit të jashtëm. A duhet të largohet ministri i jashtëm pas deklaratave të kryeministrit në festime e më vonë? Nuk e di e as më intereson se ç’bën ai, si anëtar kabineti. Por pyetja, për mua, duhet të ishte, a ka të drejtë kryeministri me ato që thotë? Për ty jo, për mua është në rregull me shumicën e atyre që ngre. Në thelb; jemi, për mua, ose ishim, për ty, të vlerësuar për rolin konstruktiv në rajon. Për mua, çmimi ishte shumë i lartë. Kryeministri më duket se pikërisht këtë po kërkon. Vendimet që po merren për të ardhmen e rajonit të mos merren pa shqiptarët. Edhe 100 vjet më parë, kur na ndanë, vendimet i morën “në të mirë të sigurisë”. Edhe tani në të mirë të sigurisë duhet të rrimë sus. A nuk të duket se si komb, përshi edhe ty, se mua mirë ma bëjnë :), na venë seriozisht në dyshim? A duhet ta pranojmë pafund këtë?
Të jesh kaba, pra pa finesë, e të ndërpresh një vizitë zyrtare, janë dy gjëra që ndryshojnë në thelb. Më kujton, nëse s’gabohem, kthimin e me fishkëllimë gomash të një presidenti grek nga vizita se diku në qoshe të rrugës çamët kërkonin me të drejtë pronat e tyre. Ministri grek nuk kishte asnjë arsye të anulonte vizitën. Kryeministri publikisht sqaroi çfarë kishte thënë. Kështu si thua ti kur i jep të drejtë grekut, ne duhet t’i kishim shpallur luftë Greqisë për shkak të flamurit kokëposhtë.
Të mos e thjeshtojmë llogjikën deri tek Nepali, që të humbim fillin e arsyes. Ndërsa për mishin e kalit, si qytetar do ta kisha mirëpritur çdo sqarim të MPJ për rrezikshmërinë në vende të ndryshme, kur ka.
Ministri i Jashtëm duhej ta kish dhënë dorëheqjen edhe pas skandalit të deklaratave të kryeministrit shqiptar në Konferencën e Mynihut.
Nuk besoj që, kur e ka pranuar atë post, ai të ketë qenë dakord me platformën e re nacionaliste të kryeministrit.
Veç kësaj, Shqipëria është kaq e dobët, ekonomikisht dhe ushtarakisht, sa nuk mund të bëjë kurrfarë diplomacie mbi baza nacionaliste.
Ja edhe një arsye e tretë pra, për dorëheqje.
Thua që MPJ veproi “drejt” me thirrjen që ia bëri Koresë së Veriut. Mua më duket, përkundrazi, se kjo thirrje as që mund të quhet veprim e qëndrim; është thjesht një formalitet, i cili vjen e bëhet qesharak në kontekstin e nulitetit diplomatik shqiptar të momentit.
Dua të them: nëse veprimtarinë diplomatike e merr në dorë kryeministri Berisha dhe nuk e lëshon më, atëherë MPJ-së nuk i mbeten veç këto çikërrima. Nesër do të dalë me një deklaratë kundër varfërisë, ose në mbrojtje të së drejtave të njeriut në Kaledoninë e Re, ose me një thirrje për të shpëtuar breshkën e Madagaskarit.
Sa për marrëdhëniet me fqinjët grekë, unë besoj se acarimi ka qenë tërësisht artificial dhe për qëllime elektorale. Ministri i Jashtëm grek doemos do të kthehej nga rruga, kur mikpritësi i tij, për arsye thjesht elektorale, i shtroi kufijtë e Shqipërisë deri në Prevezë.
Këtu nuk është thjesht çështja se Berisha e festoi pastaj 100-vjetorin e Pavarësisë me Rita Orën vetëm; por tek kostoja shumë e lartë që do të paguhet, madje që po paguhet, për t’i rinormalizuar marrëdhëniet me Greqinë pas atyre gafave.
Të ketë kjo lidhje, p.sh. me gërmimet që do të rifillojnë në Korçë e gjetiu, për varret e ushtarëve grekë?
Ja si e shoh unë këtë: pas çdo gafe e krize diplomatike të nivelit të lartë me Greqinë, është kjo e fundit që del diplomatikisht e fituar në afat të mesëm dhe të gjatë, sepse bën politikë më të zgjuar se ne, dhe sepse ne ia kemi nevojën shumë më tepër se ç’na e kanë ata.
Kushedi njëlloj ndodh edhe me Serbinë.
E zëmë se pranohet i gjithë konteksti: na vranë, na prenë e na ndanë. Ky, domethënë momenti kur i sulemi tortës, dhe e shkelim me këmbë, të duket momenti më i volitshëm për të “fituar” dinjitetin e humbur? Dhe sidomos prej kësaj administrate, po kësaj të njëjtës me dy mandate dhe shtatë vjet e gjysëm në qeveri që ka luajtur tjetër rol; me të tjera premisa i ka kërkuar votat, të tjera synime i ka vënë vetes nga këto që po shfaq tani. Në të njëjtin moment që mjetet reale me të cilat mund të kërkohej ky dinjitet po mungojnë: ushtria, gjendja ekonomike dhe ajo politike e stabilizuar etj.
Sigurisht, “në emër të kombit” mund të zgjedhësh të bëhesh edhe harbut, të legjitimosh edhe dhunën; por dikur do shpërndahet mjegulla e krijuar nga avujt e alkoolit “nacionalist”, dhe ky që sot është ministër i jashtëm, do marrë përgjegjësinë e vet për situatën e krijuar.
Lajmin unë e pashë te Panorama, sikurse e tregova edhe me lidhjen që shtova në shkrimin më sipër. Për t’u siguruar, e verifikova edhe me faqen e MPJ-së.
Ashtu ka dy gjëra që nuk shkojnë – është një deklaratë e kotë, e tipit “shënomëni edhe mua”, e një institucioni përndryshe të mefshtë si MPJ-ja; dhe një lajm i llojit “dog bites man”, që nuk duhej të kish dalë, sepse nuk informon për asgjë, përveçse që MPJ-ja ekziston.
Nuk besoj të ketë shqiptar mbi dhé, që të gënjehet dhe ta marrë këtë lajm si shenjë se qeveria shqiptare po bën politikë të madhe, duke ia mbledhur rrup-sup edhe një fuqie bërthamore si Koreja e Veriut.
Atëherë pse të qarkullojë ky farë lajmi i kotë?
Unë edhe mund ta kuptoj, dhe në fakt e kuptoj, se ka disa protokolle që duhen zbatuar dhe disa rregulla të tjera formale që duhen ndjekur, për shkak të detyrimeve ndërkombëtare që ka shteti shqiptar.
E megjithatë, njëlloj kuptoj edhe se politika e jashtme e një shteti të vogël dhe pa reputacion diplomatik, si Shqipëria, duhet të mbetet e kufizuar në nivelin rajonal – Europa e Bashkuar, si përparësi, dhe pastaj Ballkani nga njëra anë, Mesdheu nga ana tjetër.
Koreja e Veriut nuk futet gjëkundi në këtë hapësirë.
Jam i sigurt se Japonia, Koreja e Jugut, ShBA, Kina dhe Rusia janë në gjendje ta administrojnë krizën e atjeshme, pa pasur nevojë për deklaratat e MPJ-së sonë.
Më e keqja, në këtë mes, është edhe se vetë amerikanët na e kanë pirë lëngun dhe e kuptojnë se gjestet tona solidarizuese me çdo teshtimë dhe kollitje në D.C. janë kryesisht instrumentale, dhe kanë për synim t’i paraqesin gjestikulatorët si njerëz që gëzojnë besimin e Sulltanit.
“Atëherë pse të qarkullojë ky farë lajmi i kotë”
Per mendimin tim, pikerisht ketu qendron problemi, te shtypi qe merr e publikon “lajme” te tilla.
Faji i MPJ nuk qendron ne faktin se beri deklaraten, qe tek e fundit mbetet nje akt formal e protokollar, por ne ate qe e botoi ne faqen zyrtare sikur te ishte ngjarje e madhe.
Nuk besoj ta ketë marrë shtypi – ia kanë dërguar “ata”.
Do ta leshonim dhe ne fjalen me kete rast. Eshte si ajo situata kur te fortet rrahin nje cun dhe me i dobeti qe eshte tek grupi i te forteve ze e i bie me sa fuqi te kete si per te thene “Jam dhe une aq i forte sa ju”
Mua me shume me shqeteson fakti se a ka vajtur ajo thirrja: “i bejme thirrje”. Si eshte trasmetuar ajo thirrje? Ku ka vajtur? A ka gjetur adrese? Vesh?
A kemi ambasade te korese te veriut per t’i bere kete thirrje? A kemi ne marredhenie me kete shtet per t’i bere kete thirrje? Sa km. i eshte dashur te pershkoje ajo thirrje per te vajtur deri tek veshi (apo bytha) e Kimsumit?
Sesa per arsyetimin perse kjo thirrje, MPJ e percakton: prova perben rrezik per rajonin edhe me gjere (diku tek kjo futet edhe Shqiperi, tek e gjera). Beni vend! Po vine shqiptaret – thote MPJ- ne lojen me karrige te kombeve.
Me këtë rast, kushedi edhe i rehabilitojmë strehimet për popullatën në rast sulmi atomik. Të paktën agresioni iminent nga Koreja e Veriut nuk do të na gjejë të papërgatitur (sa për Perandorinë japoneze, ata i mbroftë Zoti).
Nje shkrim me te vertete argetues. Vite me pare Presidenti Gjerman Vaitzeker kritikonte Kancelarin Kohl per nje politike megalomane, jashte dimensioneve te Gjermanise.
Duket ne jemi te denuar nga zoti, te udhehiqemi vazhdimisht nga individe qe kane bindjen e patundur se aftesite e tyre jane per te drejtuar boten. Ndonse per tju afruar sa me shume te vertetes, Shqiperia kurre nuk ka nxjere nje udheheqes per tere territorin e saj.
Falemnderit! Për mua, gjeste të tilla janë shenja të një kombinimi të megalomanisë institucionale, me vetëdijen jo dhe aq të fshehtë, se në punë të politikës së jashtme së Shqipërisë, MPJ-ja ka hapset e kashtës, duke shërbyer, shumë-shumë, si zyrë kuadri për personelin nepotik të ambasadave.
Ekziston ne fakt teza e memorjes institucionale. Nje institucion eshte organizem i gjalle qe ka kujtese. Keshtu psh: Presidenti i ShBA-se mund te mos jape direktiva per nje dosje te puneve te jashtme, por vete Departamenti i Shtetit merr vendim ne baze te c’eshte bere me perpara. G.W. Bush ishte kunder ‘nation-building’ ne Kosove, nderkohe qe DASh ishte OK me pavarese.
Ne rasting e MPJ te Shqiperise ne kete rast: kane nje kujtese te cuditshme te trasheguar nga PPSh. PPSh-ja i pat derguar nje leter Partise Komuniste te Kines ku i kerkonte llogari ‘pse nuk u konsultove me ne kur ftove Henri Kissinger per vizite’.
Kjo deklarate e fundit ne lidhje me Korene e Veriut me duket se frymezohet nga e njejta kujtese.