Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KRITERI I MOSHËS

Arsyet, akuzat, kundërakuzat, ankimet dhe psherëtimat nuk do të mungojnë, për dështimin e radhës spektakular të administratës Berisha: lënien e Shqipërisë edhe një herë jashtë Bashkimit Europian; megjithatë, çfarë lexova të ketë thënë kryetari i AKZ-së Kreshnik Spahiu do të mbetet më befasuesja.

“Europa la kombin më të vjetër të kontinentit jashtë dyerve të BE-së,” u ankua ai, sipas gazetës Shqip.

Kaq i gabuar është ky pohim, sa nuk di nga ta zësh.

Para së gjithash, pranimi në BE, madje as me statusin e vendit kandidat, nuk bëhet me kritere moshe; sepse BE-ja nuk është klub i veteranëve indo-europianë.

Në përgjithësi, vjetërsia nuk garanton asnjë lloj privilegji, në sofrën e popujve; kështu, ka aq prova sa të pohohet se baskët janë populli më i vjetër në Europë, meqë supozohet se janë mbijetojë një popullsie para-indoeuropiane; por çfarë të mire u ka sjellë vallë kjo baskëve, përveçse u ka kruar bishtin e krenarisë kombëtare?

Po ashtu, finlandezët kanë ardhur në Europë nga Azia qendrore, mjaft kohë pas fiseve indo-europiane, por kjo s’e ka penguar gjë kombin finlandez që sot të radhitet ndër më të zhvilluarit e Europës (dhe të botës mbarë), në çdo pikëpamje: të drejtat e njeriut, ekonomi, kulturë, arsim, shëndet, mjekësi, shërbime…

Nga ana tjetër, e për t’u kthyer te argumenti i rrejshëm ad antiquitatem i Spahiut, shqiptarët nuk janë kombi më i vjetër i kontinentit, dhe kjo gjithnjë duhet theksuar. Dëshmia e parë e shqipes me shkrim i përket shekullit XV; vetë shqiptarët përmenden si popull dikur në shekullin XI; ndërsa për më herët, na duhet të bëjmë vetëm hipoteza.

Edhe pse nuk ka dyshim që shqiptarët, dhe më herët të parët e tyre, kanë jetuar diku në Ballkan që në lashtësinë pararomake, nuk ka asnjë bazë që të flasim për “komb” gjatë asaj periudhe – sa kohë që këtyre të parëve tanë u mungonte edhe vetëdija kombëtare, edhe shkrimi, edhe rudimentet e një shteti ose organizimi politik çfarëdo.

Çfarë dimë, përkundrazi, që shqiptarët kanë qenë gjithnjë të vonuar në historinë e Ballkanit dhe të Europës – në përmendjen e tyre në histori, në shkrimin e gjuhës së tyre, në shkëputjen nga zgjedha e të tjerëve, në zgjimin kombëtar dhe në mëvetësimin si komb, në krijimin e shtetit të tyre modern dhe të pavarur.

Këtu s’ka asgjë për t’u krenuar, sikurse s’ka asgjë për t’u turpëruar.

Që kreu i një lëvizjeje politike që po gjen përkrahje të gjerë dhe që ka gjasa të jetë pjesë e koalicionit qeverisës vitin e ardhshëm del në publik me argumente të tilla, kjo mjafton – edhe e vetme – për të provuar se klasa politike në Shqipëri ende nuk i plotëson standardet europiane.

Argumenti i vjetërsisë është aq i cekët, aq sa edhe vetë Spahiu e kundërpërdor, kur i sulmon PS-në dhe PD-në, brenda të njëjtit tekst, si “parti të vjetra.”

Të ngrihemi e të themi vallë tani, sipas kësaj logjike, se Europa nuk e deshi Shqipërinë as këtë herë, meqë qenkemi kombi “më i vjetër” në kontinent?

E vërteta është se Shqipëria është një shtet i ri në Europë, me një të kaluar të rënduar nga 50 vjet totalitarizëm dhe një ekonomi dhe infrastrukturë të pazhvilluar; pa tradita demokratike dhe të shoqërisë civile; dhe me një sistem të sotëm të sunduar nga paligjshmëria. Të gjitha këto nuk kanë lidhje fare me rrënjët parahistorike të albanëve dhe të shqipes vetë.

Europa mund edhe t’ia kish dhënë Shqipërisë statusin, pavarësisht nga të gjitha këto; por me sa duket, për shumë eurokratë tashmë të lodhur dhe të zhgënjyer nga kriza, fytyra që i tregon Shqipëria Europës, ose elita e saj politike, është tepër e papërtypshme, për t’u marrë në konsideratë si partner, në momentin e tanishëm.

Pa Komente

  1. Shprehja kombi me i vjeter, bazohet tek shqipja ku komb = etni, popull, prandaj s’ka ndonje skandal mes shqiptaresh. Nje i huaj le te mesoje kuptimin e fjales ne shqip, para se te replikoje.

    Persa i perket ‘vjetersise’ si argument, ne fakt ai s’ngre ndonje peshe ne formimin e zhvillimin e BE-se dhe si ne rastin e baskeve as te jep te drejten te kesh shtetin tend.

    Por si ne rastin e pare, ne mendesine shqiptare, ashtu si ne mendesine e te vjeterve, kjo vjetersi perben nje le te themi ‘merite’. Nderkaq popujt e rinj, meqe terheqin edhe ata nga vetja, vjetersia nuk perben merite.

    Popujt me moshe mesatare, terheqin edhe ata nga vetja e tyre, ndaj me te rinjve u nxjerrin para vjetersine, ndaj me te vjeterve thone se s’ngre peshe.

    Ta zeme anglezet ua nxjerrin para vjetersine amerikaneve, por e injorojne ta zeme para persianeve.

    Pra shprehja e Spahiut, qe eshte shprehje thuajse popullore duhet lexuar si nje perpjekje e shqiptarit per te imponuar kendveshtrimin e tij per rendin e gjerave.

    Kjo nuk eshte as e gabuar, as e sakte, çdo popull ka kendveshtrimin e tij qe ia imponon ne instance te fundit perfitimi.

  2. Mosha e kombit, vjetersia e tij, nqs perben nje argument, ne kete rast kthehet kunder vete elites politike dhe qevereisese vecanerisht qe nuk ka ditur te kapitalizoje vjetersine ne pjekuri, pervoje dhe pergjegjshmeri per te ndertuar shtet me standarte ku standarti i pare eshte sundimi i ligjit.

    1. Jo vetem kaq, po pa i hyre fare historise komparative me popujt e tjere te Ballkanit, une do te thoja qe thenia e ketij K.S-se se AKZ-se tregon edhe njehere mentalitetin patriarkal te politikes e politikaneve tane qe kerkojne vend dhe respekt ne tavoline thjesht si “pater familias” e jo si anetare te nje bordi ku secili ka detyrat e detyrimet e veta.

  3. “Populli më i vjetër” do gjuhën më të vjetër të mundshme për të. Është artikulim politik thellësisht paganist ky. Pra mund të flasim për komb të paktën mbi 2000 vjeçar. Paganët e atëhershëm, u bënin kurban zotave (Evropës) së sotme, që të frynte erë e mirë, të kishin të korra të mbara etj. Kështu ia delegonin vullnetin e tyre qenieve mitike. Populli më i vjetër dhe as topi nuk e luan. Shumë i vjetër. Më i vjetri në të gjithë Evropën.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin