SHQIPTARË DHE QYTETARË

Nuk jemi zaptues, por jemi shqipëtarë,” thuhej në një parullë që pashë sot në një fotografi të “Shekullit”, përbri një lajmi për protestën e një numri të madh qiramarrësish, që tani duket se janë të detyruar t’ua lëshojnë banesat e tyre pronarëve përkatës (i referohem fotos në gazetë, jo asaj në ueb).

Situata për këta njerëz është dramatike – gjykata u kërkon të largohen prej shtëpive ku kanë jetuar prej kohësh, por ndërkohë shumë prej tyre nuk i plotësojnë kushtet për të marrë kredi, në një kohë që bashkitë nuk janë në gjendje t’i sistemojnë në banesa sociale.

Nuk hyj dot në hollësitë e çështjes, të cilën nuk e njoh mirë; por veç dua të ndalem një çast tek teksti i parullës: “Nuk jemi zaptues, por jemi shqipëtarë” – i pikëlluar, madje deri pak arkaik, te forma drejtshkrimore e fjalës shqiptar, me ë-në e shtuar, si në toskërishten e qëmotit.

Këta njerëz i drejtohen opinionit publik e kushedi edhe shtetit që t’i ndihmojë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre; të cilat megjithatë i gëzojnë si qytetarë, edhe pse kanë vendosur t’i kërkojnë si “shqipëtarë.”

Nuk jemi zaptues, të thonë, kushedi edhe duke u kërkuar të distancohen nga akte të mirëfillta zaptimi dhe “xanieje” të pronës së tjetrit ose publike; të cilat në të vërtetë kanë ndodhur dhe shpesh janë lënë pa ndëshkuar.

Dhe, për ta theksuar këtë, zaptuesve u kundërvënë shqipëtarët, si titullarë të së drejtës qoftë edhe elementare për të mos u nxjerrë me përdhunë nga banesa, së drejtës për ta mbajtur një strehë mbi kohë; si shqipëtarë, pra, të cilëve të drejtat u përkasin në mënyrë të natyrshme; po aq të natyrshme sa edhe bimës trualli në të cilin ka hedhur rrënjë.

Çfarë mungon këtu, është koncepti i qytetarisë, ose vetëdija se të drejtat këta “shqipëtarë” i gëzojnë jo pse janë të tillë, por si qytetarë të një shteti që e quan veten demokratik; dhe në këtë rast përdorimi i fjalës “shqipëtar” e anashkalon krejt marrëdhënien e individit, qoftë edhe të familjes e të komunitetit, me shtetin i cili të drejtat qytetare duhej t’ia/t’ua garantonte; dhe protestuesit në këtë rast i drejtohen opinionit publik si “shqipëtari shqipëtarit”, ose si vëllai vëllait – duke iu apeluar jo ndonjë pakti social, as ndonjë rendi kushtetues të caktuar, por përbashkësisë së gjakut dhe të origjinës.

Natyrisht, parulla dëshmon edhe dështimin e shtetit, si shtet të së drejtës, dhe si republikë qytetarësh të lirë dhe si demokraci; meqë këta protestues shtetin e shohin si armikun e tyre, jo si garant të së drejtave të tyre; sepse shteti kërkon t’ua heqë çatinë; dhe prandaj fjala “shqipëtar” në parullë i referohet një entiteti mitik, ose përkatësisë në një vëllazëri, ku njeriu kujdeset për njeriun, dhe shqiptari për shqiptarin.

Sikurse dëshmon edhe dështimin e shoqërisë civile; ose të asaj bashkësie institucionesh që do të duhej të ndërhynin në këtë konflikt të qytetarit me ligjin, të ndërmjetësonin mes palëve duke ia zbutur impaktin një vendimi të gjykatës, i cili vjen e bëhet absurd, në rrethanat kur strukturat e tjera të shtetit ose edhe të shoqërisë civile, nuk janë në gjendje të luajnë rolin që pritej prej tyre.

Nëse shteti dhe shoqëria civile dështojnë, qytetari hedh një hap prapa, dhe shndërrohet në “shqipëtar”, duke u kapur pas një vetëdijeje etnike, e cila merr natyrë irracionale, sapo ia zë vendin vetëdijës qytetare; meqë, tek e fundit, edhe ligji vepron ndaj qytetarit, jo “shqipëtarit” si të tillë. Rreziku i këtij degradimi, sepse nuk e quaj dot ndryshe, është që ia përgatit truallin lëvizjeve kombëtariste populiste, të cilat u premtojnë me të madhe qytetarëve të nëpërkëmbur prej shtetit se do t’ua kthejnë të drejtat që u takojnë, por tashmë si “shqipëtarë”, jo si qytetarë.

Nuk ka komente

  1. “…madje deri pak arkaik, te forma drejtshkrimore e fjales shqiptar, me e-ne e shtuar , si ne toskerishten e qemotit”,
    kjo ka te beje me nje nder efektet e standardit: hiperkorrektesen, dukuri mjaft e perhapur tek popullsia ne veri.

    Ironia behet e qarte, pak me poshte, me fjalen : “xanun”, fjale mjaft e perhapur ne shtyp, ne fjalorin e perditshem ne pergjithesi, per te shenjuar te ardhurit nga veriu, te konsideruar si votues te se djathtes berishiste(gjithmone berishiste, se ky eshte nga veriu).

    Problemi nuk eshte tek te ardhurit, por tek shteti qe nuk e ka zgjidhur ceshtjen e prones . Nen trysnine e kompleksit te krijuar nga propaganda e PS se kohes, por edhe nen ndikimin e fuqishem te shtetit grek(kjo eshte shume interesante),ne fillim te viteve ’90, u miratua nje ligj qe i ka vene kazmen ceshtjes se prones.Tani t’i pine lengun!

    Te ardhurit e pas nentedhjetes – ndryshe nga ata te kohes se diktatures qe merrnin apartamentet nga shteti por edhe punen – gjithcka e kane bere vete, dhe shumica derrmuese jane njerez me shume halle qe shqepen ne pune dite e nate.

    Ketu nuk behet fjale as per degradim , as per levizje kombetariste populiste e as per asgje tjeter te ketij lloji , por behet fjale per nje ceshtje mbijetese te nje pjese te popullsise te pecmuar e te lene ne mjerim total ne kohen e diktatures.

    1. Oskeola, tema ime nuk ka lidhje me çfarë të mundon ty. Qiramarrësit që po nxirren prej shtëpive nuk janë të ardhur gjë nga Veriu, as pas viteve 1990.

  2. Shumë i mprehtë vëzhgimi, Xha Xha. Kam hasur të njëjtën gjë, kur dikush u ul afër meje në autobus prej Selanikut në Korçë, para disa vitesh dhe në momentin që i kërkova numrin e vendit në biletë, mu shfajësua duke thënë se … ishte shqiptar! Madje, “shqiptarë jemi të tërë”, tha. Më pas pasi i dhamë muhabet njeri tjetrit si… shqiptarë që ishim, mora vesh se dokumentat e veta i kishte bërë si vllah, domethënë homogjen grek, ndërsa të bijës i kishte gjetur një origjinë turke për ta dërguar në kolegj, në Turqi. True story! Mos qofsha shqiptar, tha.

    1. I çuditshëm fakti (por ndoshta jo dhe aq i çuditshëm) sesi, nëpërmjet njohjes reciproke të përkatësisë etnike, sanksionohet në mos e drejta morale, së paku një alibi ose përligjje e shkeljes së rregullave. Kështu, shqiptar përfundon të jetë dikush që nuk është i detyruar të zbatojë një rregull – e cila mund të jetë ligji, ose edhe thjesht një normë e mirësjelljes ose e etiketës.

      1. Për të dy rastet, si për këtë të shkrimit tuaj, edhe për shembullin që përmend më sipër, mund të aludonim që shqiptarllëku përdoret si apel për solidaritet me të ngjashmin. Justifikimi për qiramarrësit mund të jetë 100 vjetori si festë e afërt, ndërsa për atë tjetrin, një lloj kërkese për solidaritet mes shqiptarësh në “dhe të huaj”. Por problemi qëndron se e kam hasur këtë pseudoargument, apo shfajësim të shqiptarisë, për të justifikuar akte të vogla prepotence. Nuk mbaj rradhë – se jam shqiptar, kërkoj diçka më tepër – se jam shqiptar, etj. Këtu argumenti del komplet i zhveshur. Dhe vërtet, jo dhe aq i çuditshëm fakti.

  3. XhaXhai,
    ndoshta me keni keqkuptuar se mua nuk me mundon asgje, ne cfaredo kuptimi qe ta keni fjalen.

    Fjalen “xanun” nuk e perdorin te ardhurit nga rrethet e jugut, as vendalinjte nuk e perdorin.
    Fjalen “shqipetare” (si ne toskerishten e qemotit), nuk e perdorin vendalinjte as, meqe behet fjale per qemoti, te ardhurit nga jugu , por verioret.E perseris edhe njehere qe ka te beje me hiperkorrektesen e njohur tek popullsia ne veri e Kosove sidomos.Ja ku e kemi nje ‘efekt anesor’ te standardit, per te cilin nuk flitet, por perdoret me ironi kur jepet rasti, shkarazi dhe patekeq !

    Natyrisht qe ka shume e shume te ardhur nga rrethet e jugut, por kur flitet per “zaptues” qe kane “xanun” tokat dhe asete te tjera te shtetit dihet se per ke eshte fjala.

    Ju keni mendimin tuaj te nderuar ne lidhje me ato qe i quani levizje kombetariste populiste, qe une e respektoj. Por, ajo qe me intrigon eshte se kemi te bejme me dy ane te se njejtes medalje, qe i sherbejne si kunderpeshe njera-tjetres.

    Per te qene me i sakte vetem njera i sherben si kunderpeshe tjetres,dmth asaj fryme nacionaliste, kombetariste populiste, patriotike quajeni si te doni , per te cilen, kreu socialist – snobizmi i te cilit eshte i njohur dhe nuk le vend per akuza per nacionalizem – tha para pak ditesh se nuk i kalon aspak kufijte e nje sjellje normale dhe korrekte, si qytetare edhe politike.

    Ajo qe me shqeteson (jo mundon) ka te beje me faktin , qe pas retorikes kozmopolite,antinacionaliste jorralle fshihen gjykime e paragjykime krahinore, fetare etj , qe mund te vihen re me lehtesi edhe ketu ne blog (jo tek ju natyrisht) nga disa komentues apo autore te ftuar qe jepen me shume kenaqesi pas tyre .
    Dhe kur shkruajne keshtu , jam mese i bindur, qe mendojne se: XhaXhai eshte dakord me mendimin tone…

    1. Oskeola, shpresoj ta kuptosh që ke dalë nga tema. Nuk mund të hedhësh majdanoz në çdo gjellë që gatuan!

  4. Ne rregull, dakord.

    Eshte e vertete ajo qe thoni per majdanozin, por… ndryshon puna kur behet fjale per te njejten gjelle ( per humor e kam).

    P.S: fillimisht lexoj shkrimin, pastaj shikoj se c’kam une per te thene mbi ato qe jane shkruajtur.Edhe po s’pati shume per te thene, mundohem te gjej dicka sado ngacmuese nga shkrimi per ta komentuar, pavaresisht se kjo, mbase, nuk eshte fare e tille, por me duket vetem mua. Ja kjo eshte e gjitha.Sinqerisht.

  5. Ben vaki qe t’i referohen faktit qe per arixhinjte u ngrit edhe avukati popllit, o u gjente strehe o i mbante ne zyrat e shtetit, ndersa per ta as shteti e as avukati popllit nuk e ve ujet ne zjarr.

    Te presim çdo thote avukati popllit, kane te drejta keta njerez apo s’ka filluar ende Sorosi projektin per bienalin e shqiptareve.

    Ai eshte denoncim i kesaj qytetarie, qe i nxjerr per zhelesh jashte, sepse ligji eshte ligj dhe vendimi i gjykates eshte vendim gjykate.

    Ata ne fakt po i kundervihen shtetit, i cili nuk po i trajton si ‘shqipetare’, dmth ne baze te konceptit te solidaritetit kombetar, i cili eshte shume i dashur per te djathten sociale e njekohesisht edhe themeli praktik i shume ndryshimeve qe i jane mveshur te majtes.
    Koncept qe thirret edhe sa here duhen vene taksa te teperta kur shteti eshte ne krize.

    Ana tjeter e medaljes qe xha xhai s’ka dashur te kape eshte se sipas parrulles zaptuesi nuk eshte shqiptar, qe implikon edhe permasen e qytetarise, perveçse i jep nje tjeter vlere morale konceptit te shqiptarit.

    Ne kohe krizash te varferit kapen pas dy konceptimesh politike, atij te majte qe thote versuljunu te pasurve, ata jane shkaku i varferise tuaj, pra kapen pas identitetit ekonomik, ose atij te djathte qe thote, ka ardhur koha per solidaritet kombetar, te pasur e te varfer te behen bashke per te dale nga kriza, pra pas identitetit kombetar.

    Sigurisht qe si parulle kjo eshte e djathte, por respekti ne parim per ligjin vihet re qarte, sepse thone se s’jane zaptues, denoncohet vetem rasti ne fjale.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: