Qarkulluan këto ditë plot lajme dhe komente në mediat, për një vilë qeveritare në Vlorë, për të cilën qenka shpenzuar tej mase dhe që, me luksin e vet, dëshmon për babëzinë ose papërgjegjshmërinë e klasës në pushtet dhe të kryeministrit Berisha vetë.
Dje kish dalë edhe një veteran i PS-së, Sabit Brokaj, për t’i deklaruar Shqiptares se shpenzimet marramendëse të qeveritarëve të sotëm as mund të krahasohen me ato të sistemit të kaluar dhe se “Vila e Enverit ishte modeste.”
Kjo deklaratë nuk di pse më kujtoi një karakterizim që ia pat bërë shtëpisë së Enver Hoxhës P.J. O’Rourke, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1997 (Eat the Rich, Atlantic Monthly Press, July 1999, p. 54). Kur flet për atmosferën në “bllok”, O’Rourke shkruan se
ideja e tyre [e rrethit të Hoxhës] për luksin ishte gjysmë-suburbane, e po atij lloji lagjeje gjysmë suburbane ku ti po përpiqesh të bindësh prindët e tu për të gjetur shtëpi, para se t’ua vjedhin makinat. Mirëpo rezidenca e Hoxhës duket si shtëpia e një dentisti shumë të suksesshëm, në Chicago. Ka diçka nga stili preri i Chicagos në dritaret e saj të gjëra, por të keqpërpjesëtuara; në çatinë e ngathët, me strehë të thella; dhe në terracimin prej gurësh të gjerë, të palatuar – le ta quajmë Frank Lloyd majtiste.
Dhe, natyrisht, ideja dhe shijet e borgjezisë post-totalitare, në Shqipërinë e sotme, e kanë lënë mbrapa me kohë estetikën prej dentisti të suksesshëm të Chicago-s.
Megjithatë, ka një gabim të madh në këto krahasime; gabim jo në kuptimin që çdo krahasim çalon, por në rrezikun e homologimit të dy sistemeve krejt të ndryshme mes tyre; dhe të dy llojeve të ndryshme me të cilat autokratët – Hoxha atëherë, Berisha sot – hynin në marrëdhënie me pushtetin.
Si kreu i një regjimi totalitar të kulluar, Hoxha e mishëronte “pasurimin” e vet, ose suksesin e vet individual nëpërmjet akumulimit të pushtetit; përndryshe, ai mund të rrinte edhe me tuta nga mëngjesi në darkë, dhe askush nuk do të pipëtinte.
Në një nga librat e tij me kujtime, Hoxha shkruan se i kish kërkuar dikur Nexhmijes ose motrës së vet që t’ia arnonin një ombrellë të vjetër të grisur – dhe unë e kam besuar këtë; sepse ajo ka qenë kultura e Hoxhës: e një mikroborgjezi provincial, dorështrënguar dhe të respektueshëm ndaj sendit dhe shpërdorimit.
Në kujtimet e Hoxhës (ose në kujtimet e Kadaresë për Hoxhën, tani s’mbaj mend) kam lexuar për Stalinin, që hante për darkë një tas me supë ose mashurka. Natyrisht, ndryshe nga ç’kish parë yni, Stalini mirënjihej, aso kohe, për gostitë gargantuane që shtronte çdo natë në Kremlin (Hrushovi u ka kushtuar atyre gostive kapitëse shumë faqe të zvargura, në kujtimet e veta); por shefi i totalitarizmit sovjetik nuk kish ndonjë pasion për luksin – mjaft t’i kujtosh setrën ushtarake dhe çizmet, që nuk i hiqte kurrë nga trupi.
Asketike, të thjeshta dhe minimal i kishin uniformat e huqet edhe krerët e totalitarizmit kinez.
A mund t’i krahasosh tani ato gjimnastjorka prej kërpi e shajaku, apo dokun proletar ngjyrë battleship grey të kinezëve të Maos, lëkurën e thiut të çizmeve të Stalinit dhe fanellat prej leshi deleje natural të Enverit, me kravatat farfuritëse, kaleidoskopike të pushtetarëve të sotëm spitullaqë, berlinat e tyre të shtrenjta, stilin e jetesës prej gangsterësh (po të Chicago-s, në vitet 1930), ishujt me emra të pashqiptueshëm ku i kalojnë pushimet dhe të tjera bëma që edhe vetë Shqiptarja s’lodhet së rrëfyeri në faqet e veta rozë?
Jo, nuk mund dhe nuk duhet t’i krahasosh.
Pushteti i sotëm është banal në thelb; të cilin thelb e materializon, ndër të tjera, edhe në konsumin e spikatur ose për dukje (conspicuous consumption) të protagonistëve të vet – të cilët janë të detyruar të duken, përndryshe e humbasin garën sakaq me rivalët, mbeten prapa, ekspozohen ndaj harresës, tatëpjetës, rrokullimës dhe disfatës.
Nën totalitarizëm, përkundrazi, konsumi i spikatur ekonomik mbahej për krim, politik dhe etik përkundrejt një kulti pothuajse kristian të varfërisë dhe përkorës; njëlloj si guru-të e sekteve vetë-privuese, udhëheqësit e atëhershëm konsumonin jo të mira materiale, por pushtetin ndaj Tjetrit. Ti mund të veshësh kostum stofi të shtrenjtë polak, të thoshte Enver Hoxha, por unë t’i heq edhe brekët po të dua.
Do të më objektohet se edhe konsumi i spikatur ose për dukje është një lloj dhune, sado e tërthortë, së paku ndaj ziliqarëve; dhe se milionat që mund të shpenzojë e të shpërdorojë Berisha & Co. me gjithfarë veturash, pishinash dhe qilimash përkthejnë vuajtjen e atyre të tjerëve, të cilëve u janë marrë këto miliona.
Nuk dua ta kundërshtoj këtë; por njëlloj edhe nuk mund t’i akuzoj kështu haptazi dhe thjesht, pushtetarët e sotëm, për rendjen e detyruar pas luksit, si të ishte kjo ndonjë pllangë e pafalshme amoraliteti në pëlhurën përndryshe të bardhë borë të virtytit të tyre human.
Sistemi që po sendërtohet e riprodhohet në Shqipëri, me pjesëmarrjen e hareshme të gjithë qytetarëve, e lyp këtë pisllëk vetvetiu. Nuk mund të presësh nga Berisha që të sillet si presidenti uruguajan Mujica, brenda një regjimi si ky i tanishmi në Tiranë, ku konsumi i spikatur funksionon si katalizator për dinamikat e pushtetit.
Enver Hoxha që ia lejonte vetes të arnonte ombrellën, kishte pushtet absolut brenda një regjimi totalitar dhe e dinte këtë; sikur të fillojë edhe kryeministri i tanishëm shqiptar të arnojë ombrellat, të riparojë orën e dorës, të hajë supë nga tasi e të dalë rrugëve me kostum poliesteri bojëqiell, atëherë Shqipërinë vërtet e mori lumi.
Gabon, pra, kush e akuzon Berishën se po bën “jetë si sulltan”, me dëshirën për ta demaskuar si autokrat dhe gjakpirës; sepse shpenzimet e tepruara të kryeministrit shqiptar për vila, makina, pishina dhe qilima janë shenjë jo e pushtetit të tij të pafre, por e frikës së tij se mos pushteti i rrezikohet; Berisha që shpërdoron paranë e buxhetit për projekte vanitoze dhe buçet me gjithfarë mburrjesh nga podiumet është një autokrat i pasigurt, që e sheh veten të rrethuar nga rivalët, teksa përfshihet, volens nolens, në të njëjtën garë absurde ku janë futur tashmë, qorrazi, shumica e bashkatdhetarëve të vet.
Une jam bashkohes i femijeve te EH dhe nje gje eshte e vertete ,femijet e tij deri ne momentin kur hyri Liljana Hoxha ne ate shtepi ishin shembullore nga sjellja dhe nga veshja (sepse ne familje ose ne bllok ne nuk mund te hynim) por i shihnim sa here dilnin dhe shoqeroheshin me moshataret e tyre.Ishin me veshjen me modeste nga te gjithe femijet e bllokut.
Kur ra sistemi i EH per cfare nuk e akuzuan midis te tjerave se ka mare dhe fshehur pasuri jashte ect..Ne distance kohore pas gati 1/4 shekulli kjo nuk u vertetua sepse ndryshe femijet e tij dhe e shoqja do te jetonin sic duhet ose jashte ????
Keta udheheqsit qe kemi sot jane te pa pare ne grykesine e tyre per lek dhe shkelqim me nje popull te leckosur dhe analfabet dhe shume primitiv (jo per faj te tij) Une vetem nje gje them i vrafte Zoti per kete grykesi qe kane …..
Pershendetje Xha Xhai, me pelqeu shkrimi ne teresi, po ashtu edhe konkluzioni juaj. Kisha vetem disa pyetje qe me lindin prej ketij paragrafi:
“Nën totalitarizëm, përkundrazi, konsumi i spikatur ekonomik mbahej për krim, politik dhe etik përkundrejt një kulti pothuajse kristian të varfërisë dhe përkorës; njëlloj si guru-të e sekteve vetë-privuese, udhëheqësit e atëhershëm konsumonin jo të mira materiale, por pushtetin ndaj Tjetrit”.
Atehere, pra, lidhet me kete konsumin ekonomik apo shperdorimin (pa perfitim). A mendoni se procesi i bunkerizimit te vendit paraqet karakteristika te ngjashme me ato qe shkruani ne paragrafin e fundit te shkrimit? Si e shpjegoni ndertimin luksoz te piramides (nje artikull ne internet supozonte nje kosto ekuivalente me 4 milione Euro: http://www.vetemlajme.com/parlamenti-i-ri-fitues-projekti-vjenez–artikull-11014.p.w) ne nje periudhe aq te veshtire per ekonomine shqiptare, ndersa mund te ndertohej dicka e thjeshte (e perkore), bie fjala, si mauzoleu i Leninit ne Kremlin?
Besoj se ndërtimi i Muzeut Enver Hoxha (“Piramida”) i përket një periudhe dekadence të totalitarizmit, ose kur kish filluar tashmë konsumi i spikatur (për dukje); ishte koha kur klasa në pushtet, ose kuadrot e larta dhe të mesme të regjimit, filluan ta zhvillojnë shijen për luksin, si shenjë të suksesit, paralelisht me zbutjen e dhunës totalitare brenda vendit.
Nga ana tjetër, totalitarizmin gjithnjë e kanë vendosur në lidhje me vepra publike monumentale, shumë të kushtueshme, “katedrale në shkretëtirë.” Këto vepra, në Shqipëri dhe gjetiu, nuk duhen parë aq si shfaqje të konsumit të spikatur, sa si materializime të pushtetit politik. Një gjë është të ndërtosh një mauzole, një gjë tjetër të ndërtosh një pishinë në vilën tënde private. Konsumi i mauzoleut është politik, jo privat.
Faleminderit per pergjigjen! Me duket tejet interesant kendveshtrimi juaj. Personalisht kam qene i vogel ne ate periudhe.
Sidoqofte, kam pershtypjen se ky “borgjezim” i kuadrove ka qene i pranishem edhe me pare, por ka qene pre e kritikes dhe propagandes me te ashper. Me kujtohet, per ilustrim, filmi Gjurma (1970), i cili trajton pikerisht kete ceshtje. Pra, besoj se ka qene nje shqetesim i kahershem i autoriteteve.
Ne paragrafin e dyte, thoni se vepra si piramida duhen pare si materializime te pushtetit politik. Jam dakord me kete. Por perse pikerisht atehere kur ky pushtet e kishte zbutur dhunen totalitare? Per cfare sherbente ky “demonstrim luksoz i pushtetit” kur klasa politike ndoshta kish nisur te nuhaste fundin e diktatures se “proletariatit” (gjate ketyre viteve marredheniet me jashte u rriten, sidomos me vendet kapitaliste)?
Kuadrot e mesme dhe famëkeqët aparatçikë e kishin shumë frikë Enverin, por nuk e kishin frikë Ramiz Alinë. Ky i fundit nuk u dukej i rrezikshëm; aq më tepër që Ramizi vetë, nga natyra, kërkonte gjithnjë mbështetjen e atij grupi, kundër veteranëve të Partisë, që Ramizin nuk e donin dhe aq.
Sa për veprat e mëdha, këto nuk kishin munguar edhe më parë – por ishin të një natyre tjetër: hidrocentrale, hekurudha, tunele, kombinate, qoftë edhe bunkerët, që i përmend ti, dhe gjithsesi shpenzime të natyrës sa utilitare aq edhe simbolike.
Në vitet 1980, kur totalitarizmi i Hoxhës filloi të degradonte në kombëtarizëm dhe adhurim të ‘shqiptarisë’, nisi edhe ndërtimi i monumenteve të kota, duke shpërdoruar ato pak burime financiare që kishin mbetur; si një lloj potlatsch-i.
Në pamundësi për të ndërtuar diçka të dobishme, regjimi i provonte vetes, nëpërmjet shpërdorimit, se ishte në gjendje të përballonte sfida të këtilla. Ky ishte edhe versioni ramizist i shprehjes së njohur ‘asgjë s’do të kursejmë’, të cilën sot ia dëgjojmë edhe Sali Berishës.
Ne fakt, pikerisht nga kendveshtrimi i potlaçit po mundohesha ta shihja, prandaj nuk permenda ndertime si hidrocentrale, hekurudha, etj., duke i konsideruar si investime. Por me siguri qe kane patur edhe nje permase te vogel simbolike.
Sali Berishen e shoh si te perzgjedhurin e Ramiz Alise & Co, keshtu qe nuk me habit perdorimi i shprehjeve. Madje, strategjite dhe karrieren politike i ka mjaft te ngjashme me te Enverit, pavaresisht se te modernizuara nen shenjen e kapitalizmit. Komunist me te thekur, per te na shpene ne rrugen e re te ekonomise se tregut, nuk kishin ku gjenin.