Rreth një vit e gjysmë më parë, veprimtarë të Lëvizjes “Vetëvendosja” i hodhën bojë të kuqe në fytyrë rektorit të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Mujë Rugova, gjatë një ceremonie publike.
Atentati simbolik u përcoll mirë nga mediat; dhe nuk është qëllimi i këtij shkrimi të analizojë arsyet dhe pasojat e tij, as të marrë ndonjë qëndrim ndaj tij.
Ndërkohë sot, teksa lexoja për dorëheqjen nga lëvizja “Vetëvendosja” e njërit prej atentatorëve, Ron Gjinovcit, më tërhoqi vëmendjen një deklaratë e atëhershme, që risillte artikulli, prej rektorit Rugova, në reagim ndaj sulmit me bojë të kuqe dhe autorëve të tij.
Pat thënë rektori i Universitetit të Prishtinës në një intervistë dhënë Radio Dukagjinit:
Këto janë gjëra që i bën një pjesë e rinisë, e cila është gjak i fëlliqur, se me siguri dikush prej këtyre ose gjyshin a katragjyshin e ka me elemente sllave.
Nuk e kisha dëgjuar më parë këtë deklaratë, prandaj po e citoj këtu, disi i shokuar me etosin e saj.
Prof. Mujë Rugova me të drejtë e interpreton sulmin publik ndaj tij si sulm ndaj institucionit që kryeson; por pastaj shket në zhargon kombëtarist banal, kur i cilëson sulmuesit si “me gjak të fëlliqur” dhe pasardhës “elementesh sllave.”
Edhe pse i tronditur, ose ndoshta pikërisht pse i tronditur, ai i drejtohet për ndihmë një klisheje etnocentrike krejt të dalë boje, sipas së cilës e keqja publike vjen gjithnjë nga Tjetri – në rastin konkret, ai me gjak “tjetër.”
Është një arsyetim folklorik, i cili, kur ngrihet në nivel institucional, përfton fashizëm.
Serbia, si shtet dhe si ide kombëtariste, u ka sjellë të këqija dhe vuajtje të mëdha kosovarëve, çfarë shpjegon edhe pse serbi vijon të mbetet Armiku, me A të madhe, në imagjinatën kolektive të shqiptarëve të Kosovës.
Kjo nuk përligj asfare, megjithatë, që zhvillimet politike të brendshme dhe konfliktet sociale në Kosovë të shpjegohen menjëherë, madje në nivel të lartë, si të shtyra e të nxitura nga dora e këtij Armiku – real apo imagjinar qoftë.
Që politikanët në Kosovë rëndom i drejtohen njëri-tjetrit me akuzat infantile për agjentë të paguar të Serbisë, me këtë jemi mësuar tashmë.
Tek e fundit, e ka një logjikë supozimi se shteti serb mund të paguajë disa agjentë të vetët për të turbulluar ujërat në Kosovë.
Ndërkohë, akuza e rektorit Mujë Rugova kalon nga arsyeja në histeri raciale; meqë në botën e referuar prej saj aktorët motivohen prej “gjakut”; dhe kush ka gjak të fëlliqur ose “të prishtë”, do të kryejë vepra të fëlliqura.
Do të dëshironim që ky primitivizëm plakash të ishte dukuri e izoluar; mirëpo faktet flasin ndryshe: Serbia dhe serbët mbeten, sa i përket sferës publike dhe filozofisë politike të elitave, karburanti kryesor i konflikteve sociale në Kosovë.
Teknika fëminore e përjashtësimit të fajtorit, në emër të kompaktësimit të grupit ose edhe si shkurtore për mendje të pamësuara me arsyen, nuk përfaqëson ndonjë risi; e ndeshim madje edhe në Shqipëri, ku Serbia përmendet jo rrallë e njëlloj publikisht, si “fajtore” për ekzistencën jo vetëm të konfliktit, por edhe të vetë pluralizmit të mendimit.
(Deri edhe Peizazhe të Fjalës e akuzuan haptazi, tani vonë, si pa të keq, se paguhet prej serbit!)
Dhe më e rëndë akoma, është se zërat që i kundërvihen këtij folklori fashist gjejnë fare pak hapësirë në komunikimin publik.
E kisha degjuar kete deklarate te Muje Rugoves qe atehere. Dhe pata menduar ”sa poshte ke rene Muje Rugova”. Aq ishte i mllefosur sa nuk ishte i vetedijshem se ku e poziciononte kjo deklarate.
M. Rugova eshte kimist.Ne vitet e 80-ta kishte dhene lenden e kimise ne fakultetin e bujqesise.Pas demonstratave te 81-shit kur filloi nje fushate edhe kunder Shqiperise, ai u kishte thene studenteve ”pse frikoheni ta permendni Shqipnine? Po thuani Shqipnia! Shqipnia! S’kane çka ju bajne, veç munden me ju kafshu per bythe!”
Studenteve te bujqesise u kishte hypur ne qafe nje mesimdhenes tjeter, s’po me kujtohet emri i tij, qe ju thoshte studenteve ”keni lyp republike? Jo more, lypni kontinent!” Ky ishte me ”komitetin”. Ishte plagjiator, nga dy libra te huaja kishte bere nje te vetin. ”S’keni çka m’boni, une jom me komitetin.” u thoshte haptazi studenteve.
Keshtu, studentet e kane dashur profesor Mujen. Ndoshta ka menduar se studentet e konsiderojne si autoritet te paprekshem. Kur e bojatisen bash studentet, deshi t’ia plaste vajit, por nuk e lejonte ”burrnia”. Kishte nje stil te foluri te vjetruar, si te odave te burrave. ndoshta e kultivonte me vetedije, per t’u pershtatur me ”bujqit” te cileve iu jepte mesim.
Si te gjithe rektoret e tjere, para dhe pas tij, Muja ishte zgjedhur ne kete post nga politika.
Folklori dhe populizmi fashist po zë rrënjë me duket. Duket sikur nuk kemi mësuar asgjë nga gabimet e të tjerëve. Kam vënë re që shanset që bashkëbisedues të arsyeshëm të mbeten të këtillë edhe pasi vjen ne bisedë Serbia, serbët, fqinjët, sllavët, grekët, etj., janë shumë të pakta, pothuajse të pamundura.
Demonizimi i fqinjëvë duket në modë në Shqipëri. Në Kosovë — ku kam jetuar për shumë vjet — është fare jashtë standartit megjithëse shumëkush më ka pas thënë që kanë shkuar mirë me fqinjët serbë dhe të gjithë pa përjashtim kur i pyet të thonë që “shqiptarët nuk do kishin bërë kurrë të atilla të zeza!” C’të them. Ndonjëherë të duket sikur argumentin po e bën me individë që kanë jetuar në shekullin IX! Se agresiviteti qenka karakteristikë kombëtare. Që rektori i një universiteti shtetëror të ketë guxim dhe fytyrë të thotë c’u citua më sipër është shumë e rëndë. Mendoni sikur rektori i një universiteti fqinj të shajë keqbërësit se janë përzierë me shqiptarët. Do plasë sherri me fqinjët. Do dalin të gjithë kreshnikët do bëjë naming me flamurë e pankarta, do jemi krenarë atë ditë që jemi këta që jemi, përpos lëvizjes spontane të qyteteve të tëra në mitingje. Nuk tallem. Ca qytete në Shqipëri gjetën frymë qytetare të mjafteshme të protestonin me krenari homofobinë e tyre, ca përtej Shqipërisë u ngritën në këmbë të protestonin nderin e humbur të Kuranit dhe fesë Islame me flamurë arabë. Kur u vranë katër vetë në mes të ditës, në mes të Tiranës protestat dukeshin si të pleqëruara mirë, spontane jo e jo. E pra, nëse duhet të mësojmë një mësim nga gabimet e fqinjëve është që racizmi nuk ka brirë dhe rrëshqitja në fashizëm nacionalist nuk ndodh ndodh papritmas dhe vetëm të tjerëve. Askush nuk është imun ndaj urrejtjes.