Le të kthehemi, mendërisht, në fund të viteve 1980, ose në prag të kolapsit të Europës Lindore dhe fitores, relativisht të pagjak, të modelit Perëndimor (kapitalizëm + treg i lirë + demokraci) të zhvillimit ndaj atij Socialist.
Elitat e të gjitha llojeve, në Shqipëri, ishin bindur tashmë se sistemi i deriatëhershëm kishte dështuar; dhe se e vetmja rrugëdalje ishte afrimi me Perëndimin. Nëse kishte vonesa dhe ngurrime, këto kishin më tepër të bënin me përgatitjet e një pjese të elitave për të shpëtuar kokën ose, më mirë akoma, për ta mbajtur pushtetin edhe gjatë tranzicionit.
Pak a shumë, të gjithë besonin se afrimi me Perëndimin do të realizohej pa shumë dhimbje, nëpërmjet hapjes së dyerve; ose instaurimit të tregut të lirë, në të cilin ne do të ofronim krahun e punës dhe pasuritë natyrore (ose asetet strategjike), ndërsa Perëndimi mallrat e konsumit dhe mënyrën Perëndimore të jetesës.
Që të kryhej kjo lloj reforme, duhej të ndryshonte edhe sistemi politik; dhe monizmi të zëvendësohej me pluralizëm, diktatura me demokraci dhe kështu me radhë. Teknologjitë i kishim gati, nuk na mbetej veçse t’i zbatonim.
Në atë kohë, modeli i Perëndimit për shqiptarët ishte Italia, për shkak të kontaktit të vijueshëm me emisionet radiotelevizive nga përtej Adriatikut. Trashëgimia e pushtimit italian dhe një farë orientimi historik ndaj kulturës italiane, i kombinuar me lehtësinë e të kuptuarit të gjuhës, ndikuan në adoptimin e njëzëshëm të këtij modeli.
Kur protestuesit e vjeshtës 1990 rrugëve të Tiranës brohorisnin “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, me Europë ata kishin parasysh pikërisht Italinë.
Për imagjinatën kolektive të shqiptarëve, së paku të atyre që jetonin në ultësirën perëndimore, Shqipëria e reformuar sipas modelit Perëndimor do të ishte një Shqipëri me shumë vetura, dyqane të pasura me mall, njerëz të veshur bukur, femra tërheqëse, katedrale, parfum, sheshe me pëllumba, filma të huaj në kinema dhe në televizion, cigare Marlboro dhe aeroporte të zhurmshme, me dyqane duty free.
Shpresa e heshtur e shumëve, ndër elitat dhe në popull, ishte se modeli Perëndimor i përgjigjej një rendi të natyrshëm të sendeve, një ekuilibri të vetvetishëm; ndërsa Socializmi, nga ana e vet, nuk kish qenë veçse një eksperiment i dështuar, për ta maskuar këtë natyrshmëri me utopi dhe artificialitet.
Me pak fjalë, hapja dhe afrimi i Shqipërisë me Perëndimin do të konsistonte në shndërrimin e Shqipërisë në Itali.
Njëzet e kusur vjet më pas, jemi në gjendje të konstatojmë se Shqipëria vërtet është shndërruar; edhe pse jo në Itali. Madje edhe vetë Italia është shndërruar, duke na paraqitur tani një pamje të ndryshme nga ajo e viteve 1980; dhe ky shndërrim i Italisë ka pasur disi lidhje me kolapsin e Lindjes dhe fundin e Luftës së Ftohtë; dhe, më në fund, vetë vëmendja dhe admirimi ynë ndaj fqinjit model dhe tutor nuk janë më siç ishin.
Çfarë ka ndodhur, pikërisht, ka lidhje me faktin se hapja ndaj Perëndimit dhe gatishmëria për të adoptuar modelet e andejshme nuk janë procese të thjeshta, as mekanike. Që Perëndimi është ai që është, me karakteristikat e mirënjohura, kjo varet para së gjithash nga ato procese historike, komplekse dhe shumëshekullore, të cilat kanë përftuar institucionet e sotme, aq të lakmuara; procese të cilat Shqipëria nuk i ka njohur.
Gabimi ynë, ndoshta i pashmangshëm, ishte se menduam që institucionet mund të importohen njëlloj si veturat, televizorët dhe këpucët; ose që i trajtuam këto institucione si teknologji.
Në të vërtetë, institucionet janë deri-diku teknologji; p.sh. Parlamenti pluralist funksionon në një mënyrë të caktuar, e cila mund të kopjohet nga një manual ose rregullore; ose zgjedhjet duhen organizuar në një mënyrë të caktuar. Në atë masë që janë teknologji, institucionet mund të importohen. Çfarë nuk importohet dot, është aspekti historik i institucionit, ose lidhjet e tij organike me realitetin ku vepron.
Gabimi nuk ishte vetëm yni, por edhe i Perëndimit. Europa e trajtoi ndërrimin e sistemit në Shqipëri si projekt teknologjik; dhe e administroi këtë ndërrim sistemi si të ishte fjala për ndërtimin e një impianti për pastrimin e ujërave të zeza, ose për tharjen e një kënete. Ekspertët, komitetet, të dërguarit, këshilltarët, konsulentët, teknokratët dhe burokratët që ndihmuan Shqipërinë të hapej dhe t’i afrohej Perëndimit ishin vërtet misionarë të zellshëm të tregut të lirë dhe të demokracisë; por ndryshe nga misionarët e dikurshëm të Krishterimit, këta erdhën të armatosur me bindjen e tyre ‘shkencore’ se historia tashmë kishte marrë fund, Perëndimi kishte fituar luftën e vet darviniane me Lindjen, dhe kishte fituar thjesht për shkak të epërsisë së vet teknologjike; prandaj kjo teknologji eprore ishte për t’u adoptuar sa më shpejt.
Vitet 1990, në Shqipëri, ishin edhe vite të komunikimit të gjithanshëm me Perëndimin: Europa dërgonte në Shqipëri ekspertët e vet të të gjitha niveleve, dhe këta ekspertë (të mirëpaguar) përgatitnin elitën vendëse, pak a shumë teknokratike, që do të udhëhiqte dhe do të zbatonte projektin teknologjik të shndërrimit të Shqipërisë në “Europë”.
Të mos harrojmë se ideja fillestare ishte që Shqipëria do të bëhej si gjithë Europa. Çfarë ndodhi, në të vërtetë, ishte që shoqëria shqiptare, e ndihmuar madje e nxitur nga tutorët prej Perëndimit, filloi të krijojë dhe të mirëmbajë institucione të cilat nuk ishin aq europiane në vetvete, sesa kishin për synim të lehtësonin dhe të përçonin komunikimin me Europën. Me kalimin e kohës, këto institucione filluan të funksionojnë si ndërfaqe (interface) midis shoqërisë shqiptare dhe Perëndimit dhe të pretendojnë supremacinë në politikën dhe në vetë shoqërinë shqiptare.
Çështja më duket me rëndësi, prandaj po e riformuloj. Shqiptarët dëshironin që të jetonin siç jetonin italianët, ose Perëndimorët në përgjithësi; por përpjekjet për ta realizuar këtë dëshirë kërkonin hapjen e vendit dhe ndërtimin, që nga themelet, të institucioneve të cilat do ta mundësonin afrimin dhe, herët a vonë, njësimin me Perëndimin; një turli e gjithfarshme grupesh, komisionesh, fondacionesh, komitetesh, grupesh pune, dërgatash dhe shoqatash, të cilat me kalimin e viteve u kristalizuan dhe u konsoliduan si institucionet e Shqipërisë post-totalitare, të cilave u mbetën në dorë fatet e vendit.
Projekti madhor për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa na ka dhënë sot një Shqipëri e cila nuk është aspak si gjithë Europa; por që është riformatuar krejt, për t’u organizuar, si shtet dhe si shoqëri, rreth projektit madhor të europianizimit.
Energjia dhe revolta e fillimit të viteve 1990 u materializuan, kështu, në një Shqipëri, në të cilën pushteti në të gjitha fushat ka mbetur në dorë të agjencive të “europianizimit”, ose të atyre faktorëve të cilët, në të vërtetë, duhej veç të siguronin tranzicionin nga një sistem në një sistem tjetër.
Për ta thënë me një metaforë të rastit: shqiptarëve iu desh të kalonin nga njëri breg i detit në tjetrin, dhe kalimin nuk mund ta realizonin veçse me anije; por pasi hipën në anije, harruan se për ku ishin nisur dhe ia njohën të drejtën për t’i qeverisur kapitenit të anijes.
Kjo do të shpjegonte, deri diku, edhe përshtypjen e shprehur nga shumë vëzhgues, se tranzicioni në Shqipëri është zgjatur tej çdo mase dhe përpjesëtimi; në fakt, tranzicioni nuk është zgjatur, por është kristalizuar, duke përftuar një shoqëri shqiptare e cila është identifikuar tashmë me tranzicionin dhe institucionet përkatëse; në mënyrë të tillë që këto institucione, në përpjekjet e tyre të natyrshme për të mbijetuar, nuk munden veçse të vazhdojnë ta përjetësojnë arsyen e ekzistencës së tyre – ose tranzicionin vetë.
Shënim: me këtë shkrim mbyllet edhe seria, së paku përkohësisht. Që nga ky moment komentet janë të hapura për të gjitha pjesët, ndërkohë që ka mundësi t’i kthehem temës gjatë javëve të ardhshme.
Problemi i problemeve eshte ky kristalizim i tranzicionit ose eshtersim ne forme sistemike.
Sistem tranzicioni eshte kunderthenie ne vetvete, meqe faza e kalimit mes 2 sistemeve mendohet te mos perfaqesoje nje sistem.
I vetmi shpjegim logjik qe do te zhdukte kunderthenien eshte se ata qe e kishin ne dore proçesin, dmth politikanet, nuk kane pasur asnjehere synim sistemin tjeter, por pikerisht kete gjendje te ndermjetme.
Diktatura e proletariatit eshte vete nje gjendje e ndermjetme dhe e perkohshme, megjithate regjimi komunist jetoi per 45 vjet ne ate gjendje dhe u ngrit ne sistem.
Regjimi zogist mund te karakterizohet po ashtu si faze tranzicioni nga çifligari tek borgjezi/kapitalisti, nga shqiptari osmanlli tek shqiptari modern,
Ne kendveshtrimin historik, tranzicioni ne Shqiperi drejt nje sistemi kapitalist e demokratik, ka filluar zyrtarisht me zgjedhjet e para pluraliste te 1921.
Faza e pare me karakteristika revolucionare perfundoi me deshtimin e revolucionit demokratiko-borgjez te Qershorit 1924.
Shqiperia ishte i vetmi vend pluralist ne Ballkan gjate atyre 3 vjeteve,natyrisht me probleme te renda sikunder brenda nje faze revolucionare.
Prej 1925 deri me sot, kemi kalvarin e gjate te tranzicionit te paperfunduar.
Pikesynimi i nje shteti demokratiko-borgjez u shpreh edhe ne Mukje.
Hera e trete, por jo e treta e verteta, ndodhi ne 1990-1992.
Para 22 vjetesh, kur u shpluhuros modeli demokratiko-borgjez i shtet-kombit, konjukturat nderkombetare ishin super te favorshme, ne ndryshim nga 1921-24 apo 1942-44, megjithate tranzicioni ngeci ne vend dhe u eshtersua ne sistem.
Kthimi ne sistem, jo vetem qe eshte historikisht i lexueshem, por edhe i parashikueshem qe me 1992, sidomos me 1997, kur u nderrua Sala, por nuk u nderrua as modeli dhe as vullneti per ndryshim.
Me 2005- 2008, besoj se sistemi u eshtersua plotesisht, shenja perfundimtare, ndryshimet kushtetuese Rama – Berisha, qe ishin/jane/perfaqesojne nje regres ne periudhen para-kushtetutese 1998.
Ne ndryshim nga 2 perpjekjet e para, revolucioni studentor, gjeti mbeshtetje graduale tek shumica e popullsise.
C’e ben te pamundur kete kalim te trete, ishte/eshte mosekzistenca e nje parie te afte, te pergatitur jashte e qe e kishte perjetuar lirisht rendin demokratiko-borgjez, kryesisht ne rini, kur edhe formohen ne vija te trasha bindjet (pavaresisht luhatjeve, moderimeve apo radikalizimeve te mevonshme), si dhe 2 kushte te domosdoshme, mungesa e parase dhe e idealit.
Parite qe metonin rendin demokratiko-borgjez gjate fazave 1921-24 e 1942-44, perbeheshin o nga njerez te pasur, bejlere te reformuar o nga mikroborgjeze idealiste.
Paria qe erdhi me 1992, nuk kishte as njerez te pasur dhe as mikroborgjeze idealiste. Keta te dytet teorikisht ekzistonin, po historia thote qe me shume kishin ideal lekun, mireqenien e rehatine, sepse ne fakt ideali i tyre nuk ishte mirefilli politik, por thelbesisht ekonomik.
E duam demokracine se ka para, mireqenie e liri, kur atyre individualisht iu garantua paraja, mireqenia e liria nepermjet pushtetit, atehere e braktisen idealin per pushtetin. Numri i ketyre eshte mjaft i madh.
Ideali i ketyre ishte i rreme, sa edhe i popullit, ose me mire keta dhe gjeresisht populli iu falen nje idhulli te rreme, atij te demokracise borgjeze si agjent historik shperndares i parave e te mirave materiale. Popullit i falet, se aq di dhe ate retorike deshiron, t’i thuash sa mire do jetosh, por nuk i falet parise se pergjegjshme apo kujtdo qe synon te hyje tek paria.
Berisha sikunder e vuri re Zaloshnja para ca kohesh, filloi retoriken e mireqenies per te legjitimuar pozicionet autokratike qe synon per te ardhmen. Kjo eshte verejtur tek Putini, mireqenia ne kembim te demokracise, dhe ka rezultuar e suksesshme ,sepse Rusia nen Putinin ka bere hapa gjigande ne ekonomi.
Keshtu vemi tek thelbi, qe me shume sesa populli, i cili rregullisht leshon liri e sovranitet per hir te mireqenies ( BE-ja hecen deri diku e bazuar tek ky pragmatizem, kur burokracine e saj, e zgjedhin te fortet e Europes dhe jo populli), rendi demokratiko-borgjez mund te jetesohet vetem nga pari e pergjegjeshme dhe me nje doze te bollshme idealizmi, se pa kete te shkretin, qenia njerezore eshte me egoiste e pragmatiste se kafshet, e nuk ndryshohet asgje thelbesore.
Ne keto vite, kur sistemi i tranzicionit eshte eshtersuar 2008-2012, kemi edhe kulmin e tij. Pas gjasave, ky do evitoje nje 1997 te re, siç e evitoi, por eshte thelbesisht i ndertuar per te manipuluar votat ne nje menyre a tjetren.
Ky sistem do te filloje marre fund , kur te behen zgjedhjet e para te pakontestueshme, te cilat do i hapin rrugen ndryshimeve thelbesore per te cilat ka nevoje vendi.
Reforma rrenjesore, sot do te thote, ti shkermoqesh eshtrat ketij sistemi, qe nga manipulimi i zgjedhjeve, tek korrupsioni per nje vend pune, i gjykatave, i mjekeve, zgjidhja e çeshtjes se pronave e me radhe.
Koha ikën dhe atë që dikur e shihnim si një ëndërr të largët, pa guxuar të mendojmë se mund edhe ta jetonim, e pra, ajo kohë (fizike) tashmë është pjesë e së kaluarës sonë. Për më tepër, me këtë shkrim shihet se disa prej nesh janë distancuar mjaftushmërish për të dhënë gjykime mbi cilësinë e saj. Si i tillë, ky shkrim mund të jetë nga përpjekjet e para, larg pasioneve politike, larg natyrës subjektiviste të publicistike për një inventar paraprak para hyrjes në Parajsë.
Gjithçka shihet si një realitet historik, si një kohë ndaj të cilës nuk funksionin arsyetimi se po qe se del të jetë e mirë është vepra jonë, në të kundërt, është pasojë e klasës politike. Në të vërtetë kjo e fundit gjykohet si pjesë e vullnetit tonë, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, si rezultat i mundësive kombëtare, duam apo nuk duam.
Askush nuk mund të lajë duar e të thotë se unë do ta bëja ndryshe. Tamam kjo që duket dobësia e shkrimit në të vërtetë është vlera e tij më e madhe.
Duke e analizuar gjithçka në rrafshin e mendësive ekzistuese në një prerje të caktuar kohore, veprimi i klasës politike shihet si projektim i vullnetit tonë të përbashkët. Diferenca midis asaj nga u nisëm dhe asaj që gjykonim a ëndërronim të mbërrinim, është realiteti i ditëve tona. I mirë a i keq qoftë.
Kërkohet edhe një sakrifica e fundit. Guximi për të pranuar se pa një analizë të sa kaluarës as që mund të mendohet se do të hedhim lumin ndonjëherë. Pa kuptuar mirë se nga erdhëm (jo thjesht në planin politik), me çfarë mendësie startuam, kurrë nuk do të dimë çfarë të kërkojmë në të ardhmen, edhe pse paradoksalisht vetja na duket mjaft e qartë në këtë pikë. Një ideal i turbullt perëndimor nuk mjafton. Ishte shumë joshëse ajo ideja e rilindësve për të bërë Shqipërinë si Zvicra, por u deshën të kalojnë njëqind jo për ta bërë Zvicër, por për ta kuptuar se sa e marrë ishte si ide.
Nuk mjaftonka vetëm ndryshimi i sistemit ekonomik, kjo duhet fiksuar mirë! Duhen kuptuar edhe faktorët e tjerë që bëjnë që aq e aq vende që nuk e kanë njohur kurrë diktaturën e kuqe, të mos jen në gjendje të ngrihen mbi mizerablitetin e frikshëm ku jetojnë. Mundet që një nga alternativat e të ardhmes sonë të jenë edhe vende të tilla.
Pa asnjë ndjenjë racizmi vërej se mjaft vende afrikane kur i krahasojnë me Shqipërinë, fyhen e nervozohen.
Po qe se i biem shkurt dhe mendojmë se duhet të arrijmë atë që kanë mbërritur të tjerët, kjo siç kuptohet këtu, është mënyra më e dyshimtë për ta realizuar një gjë të tillë.
Keqardhje qe kjo analizë e rrallë kaloi pa u vene re.
Urime autorit .
”’Në të vërtetë kjo e fundit gjykohet si pjesë e vullnetit tonë, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, si rezultat i mundësive kombëtare, duam apo nuk duam.”’
Kjo eshte absolutisht e gabuar. Vetem ne nje sistem te vertete demokratik, ku popullit nuk i vidhet vota, mund te flitet per vullnet popullor e rrjedhimisht t’i jepen meritat dhe fajet.
Ne sisteme autokratike, i vetmi vullnet domethenes eshte ai i autokratit, fajet e meritat i takojne atij dhe rrethit te tij te ngushte.
Nje popull i bindur ne sovranitetin e tij, eshte i lire te mos beje shume kompromise, kur i hiqet sovraniteti atehere kompromisi me ‘te keqen’ eshte ne rend te dites.
Diktatura komuniste eshte shprehje e qarte e kesaj dukurie, ku kompromisi me te keqen ishte ‘modus vivendi’.
Por edhe keto 22 vjet, jane te ketille, kompromisi me te keqen, behet qysh gjimnaz, duke paguar kurse qe kane thuajse perhere vetem funksionin e notes.
Kjo sepse mesuesi ka bere kompromisin me te keqen, i detyruar nga fakti qe kudo i duhet te paguaje shuma te medha, sepse kudo eshte bere kompromisi me te keqen.
Populli nuk eshte i lire te kerkoje rrugen e drejte, perndryshe ata ne emigracion e gezojne kete liri dhe e ndjekin rrugen e drejte.
Demokracia ka vetine qe e ben njeriun te ndjeke rrugen e drejte, po aq sa autokracite kane vetine qe ta bejne njeriun te ndjeke kompromisin me te keqen.
Me voten e lire, fillon rigjenerimi, gjithçka do te ndjeke fillin shkak-pasoje, hajdutin s’do e ndjekin se s’do kene gje te sigurte, do zhduket apatia e atyre qe s’votojne se s’besojne tek vota e keta do votojne forca te reja, pasiguria e pushtetit prej parise do perkthehet ne shpartallim te piramides se vjedhjes, e nga lart-poshte do te krijohet nje amulli totale ku s’do njohe qeni te zone.
Ne kete pike e vetmja zgjidhje do te jete Ligji, e keshtu me radhe, deri tek profesori qe i ve 9 nxenesit te kursit te vet, se s’ka mesuar per 10 e prindi qe nuk inatoset aspak per kete me mesuesin po me femijen e vet.
Ne ka nje karakteristike vertet shqiptare ajo eshte qe secili ndjek koken e vet e s’behen dot dy bashke.
Kjo eshte garancia me e mire e demokracise, kur secili voton me koken e vet, pa qene i detyruar te beje kompromisin me te keqen, se do buke femija.
Kjo karakteristike kaq shqiptare e kaq garante per demokracine, eshte nje pasuri kombetare, te cilen ne e kemi kthyer ne varferi kombetare, per shkak te kompromisit te detyruar me te keqen.
I gjithe ky cikel shlrimesh flet me shume per raportin tone me tjetrin se sa per raportin e tone me nje kulture superiore.
Raporti apo mardhenia me tjetrin, ne nje “laborator” duhet te jete ne ekuiliber, dhe me nje reciprocitet midis te barabartesh. Ky raport duhet te jete uniform dhe i depersonalizuar. Njesoj si ne rastin e te kundertave apo “padrejtesive” te natures: dite/nate; ngrohte/ftohte; lart/poshte etj.
Kur marrim e japim me njeri-tjetrin, ajo cfare ndodh eshte nje shkembim, pavaresisht nga natyra e tij apo kushtet qe e iniciojne ate. Te themi nje dhenie dhuratash, ose lidhje kontraktuale.
E para eshte e nje natyre personale. Si ai qe jep dhurate, po ashtu edhe ai qe e merr, shprehin nje lloj mardhenie/ raporti personal me njeri-tjetrin.
Kur shkembejme/japim dhurate, rushfet, miqesi, shkuesi e plot te tjera si keto nga regjistri social i yni, transaksioni ne kete rast eshte dhe shpreh nje lidhje personale.
Me hir ose me pahir, ky eshte nje lloj pranimi se subjekti (njeriu/kultura/ entiteti/ shteti) te cilit i drejtohet/ofrohet/ falet/ dhurohet/ shitet/ blihet lidhja jone personale, eshte ne gjendje te beje dicka, te ofroje dicka te cilen ne s`e kemi por qe e duam. Dhe ai qe i ka ne dore keto, per shqiptare ka qene perjetesisht i personalizuar, me forme thuajse antropomorfe: burri, i forti, familja, familja, shteti, kapedani, mbreti, padishahu, gjenerali, ambasadori, kryetari, shefi etj etj. Ne syte tone vlera e ketyre figurave eshte universale. Ka funksionuar ne cdo kohe. Pushteti i tyre per te na dhene ate qe s’e kemi, e qe ne fund te fundit nuk eshte gje tjeter vecse shperndarje e te mirave materiale dhe sherbimeve, ka qene dhe mbetet gjithnje me natyre personale, e atribueshme.
Ne rastin e dyte , ate te nje kontrate ,te themi tregtare, transaksioni, shkembimi ka thjesht nje natyre komerciale. Palet dorezojne te drejtat e tyre. Pa pasion dhe te shkeputur nga personi i tyre. Ai qe ka per te shitur dorezon mallin. Ai qe ka per te blere ,leshon parane.
Ne rastin e pare mbreti (burri, i forti, familja, familja, shteti, kapedani, mbreti, padishahu, gjenerali, ambasadori, kryetari, shefi etj etj) i plotefuqishem per te shperndare hiret/ te mirat materiale/ sherbimet ashtu sic e sheh ai per mbare ( dhe kjo mund te jete e cdo lloj natyre e interesi). Pushteti i tij eshte personal
Ne rastin e dyte, keter rol te te plotefuqishem te mbretit e ze paraja. Si nje mjete mates universal i vleres, ai e ushtron pushtetin e tij benevolent duke perfshire gjithshka, e duke mos shkaterruar asgje, pushtet ky qe pranohet ne menyre te pakontestueshme nga te gjithe. Por e vecanta ketu eshte se ky pushtet nuk eshte personal. Ai eshte impersonal. Nuk kerkon garanci apo bindje e nuk eshte e veshur me petkat e heroit apo te fortit. Paraja ketu ka nje vule “mbreterore” te cilen si bleresi ashtu edhe shitesi i pranojne pushtetin dhe i binden vullnetit te tij.
Duke qene se mardheniet midis njerezve percaktojne edhe mardheniet midis gjerave, nuk eshte per tu cuditur se shqiptaret ne cdo moment e ne cdo situate jane ne kerkim te te fortit, te bamiresit, te autoritetit, te mbretit, qe do tu jape dicka, fale dicka, shperbleje dicka, ndihmoje me dicka, lehtesoje me dicka, mundesish kjo ne nje mase me te madhe se sa perpjekja, mundimi, impenjimi apo lodhja e tyre.
Greket e lashte, mbas kapercimit te periudhes mbreterore, e ne kerkimi te nje autoriteti te gjithperfshireshem dhe fuqiplot, i cili ushtron komande si nje mbret por nuk shkaterron me pushtetin e tij, arriten ne perfundimin se ajo qe i ve kufirin te gjitha gjerave eshte Masa (metron). Soloni ne ligjet e tij do te dekretonte se demtimet si personale ashtu edhe ne natyre ishin te kompensueshme me para. Dhe kjo konfirmoi supremacine e impersonalitetit te monedhes mbi ate te pushtetit personal te mbretit.
Qe atehere nuk ngeli njeri pa e mesuar dhe vene ne perdorim nje parim te tille, qe nga Rini e deri ne Britannia.
Kurse ne, qe s`ishim vecse dy hapa larg mesuesve te medhenj, nuk e morem mundimin tua hedhim syte as edhe njehere te vetme.
Por vazhdojme te ngelemi ne kerkim te mbretit tone. S`ka rendesi se sa kembe , duar, sy, e veshe ka. Mjafton te jete mbret… tha.