REVANSHI I GJAKOLOGËVE

Një batutë politike, e kryeministrit Berisha, gjatë vizitës së tij në Turqi, për “gjakun shqiptar” të shumë qytetarëve të atij shteti u bë shkas për shpërthimin e një zemërate të paparë në mediat nga komentues, editorialistë, kolumnistë, historianë, opinionistë dhe të tjerë ekspertë gjithfarësh (vetëm hematologët mungonin), i denoncuan njëri pas tjetrit, por në unison, këto lidhje gjaku që kishte përsiatur lideri shqiptar.

Natyrisht, batuta e kryeministrit mund të kritikohet madje duhet të kritikohet, por orvatjet për ta nxjerrë atë nga konteksti thjesht politik-diplomatik tingëllojnë në thelb histerike; aq më tepër në gojën e të gjithë atyre të cilët premisën e Berishës për “gjakun shqiptar” në Turqi e kthyen kokëposhtë, dhe filluan të shkumëzojnë kundër “gjakut turk” ndër shqiptarët, thuase këto farë përzierjesh gjaku janë të këmbyeshme.

Të tërheq vëmendjen, mes kësaj kakofoni, rikthimi te “gjaku”, si element bazë i identifikimit kombëtar, së paku nga të gjithë ata që ia mbajtën për gafë të madhe kryeministrit deklaratën në Turqi; pa çka se gjaku në këtë mes funksionon si kryemetaforë për çështjet madhore të kombëtarizmit shqip: autoktoninë, zhvendosjet, Lindjen, Perëndimin, Krishterimin, Islamin.

Megjithatë, qoftë edhe vetëm si metaforë, “gjaku” nuk është kurrë i pafajshëm; shqetësimi për “gjakun turk” në shqiptarët dhe neveria – sërish në kufi të histerisë – ndaj përzierjes së gjakut me Azinë, ose me “hunët”, i referohen një lloj diskursi racist, i cili në mediat shqiptare ende nyjëtohet në forma primitive, ndonjëherë qesharake, por që mbetet megjithatë racist.

Gjaku, si dëshmi sa biologjike, aq edhe shpirtërore, e vijueshmërisë së familjes, fisit dhe kombit, risjell në tryezat e debateve kryetemën e pastërtisë, e cila e sheh çdo ndikim të huaj si ndotje (polucion) dhe e kërkon shpëtimin te pastrimi (purifikimi), ose restaurimi i autentikes, përkundrejt shtrembërimeve, tradhtive dhe subversioneve të tjera.

I kemi ndeshur këto shqetësime në fushat e leksikut, të qëndrimit ndaj fjalëve të huaja e të toponimeve; por mishërimi i tanishëm në lëmin e racës, ose të identitetit biologjik të shqiptarit, përfaqëson një hap prapa, deri edhe brenda vetë folklorit kombëtarist që kultivojnë me kaq zell mediat.

Përqafimi i doktrinës kombëtariste, në formulime nga më primitivet, do të përfaqësonte pikërisht atë ritual purifikimi, i cili do të rindërtonte thelbin e shqiptarisë nëpërmjet mbarështimit.

Aq më groteske vjen e bëhet e gjithë kjo komedi, sa kohë që Mein Kampf i Hitlerit, deri dy-tre javë më parë, ishte libri më i shitur në libraritë edhe të Tiranës edhe të Prishtinës; çka don të thotë, ndër të tjera, se lexuesit pas gjase të shumtë të atij libri, të ekspozuar tashmë ndaj një vizioni sociologjik të obsesionuar ndaj gjakut, gjakut të pastër, përzierjes së gjakut, arianëve dhe joarianëve, Europës dhe Azisë, pastrimit të gjakut dhe pastrimit të racës, janë tanimë gati të dëgjojnë dhe të kuptojnë “mirë” komentatorët në media, të cilët janë vënë të shkulin leshrat, përballë mundësisë ngjethëse që turqit a osmanët të kenë përzier shtrat e gjak me shqiptarët.

I marrë në vetvete, argumenti i gjakut është i padenjë për të zënë kryetitujt e mediave të një shteti modern pluralist dhe demokratik. Në një editorial te ResPublica, M. Nano me të drejtë vërente se këto janë po ato media dhe po ata komentatorë e opinionistë që pothuajse nuk i kushtuan vëmendje një deklarate tjetër të Berishës, i cili pak ditë më parë i kërcënoi socialistët në Parlament se “do t’jua bëj prapë si në 21 janar”, të zënë siç ishin me çështje të gjenetikës, të lisit të gjakut e të lisit të tamlit.

Fillesa biologjike, madje hematologjike, në debatet e tanishme nuk mund dhe nuk duhet të shihet vetëm si dëshmi e mjerimit të diskursit publik; as si konfirmim i frikës se tanimë kombëtarizmi është e vetmja ideologji që ka mbijetuar me forcë të mjaftueshme, për të ushqyer lëvizjet politike. Duke gjykuar nga argumentet e sjella në shtyp, nuk mund të mos të krijosh së paku dyshimin se kemi të bëjmë, sërish, me një simptomë akute të krizës identitare të shqiptarit të sotëm, të shkaktuar jo nga Turqia e neo-otomanët, as nga trifetarizmi, por thjesht nga dështimi i shtetit.

Vetëm rrethanat e rrezikut real, ose të perceptuar, se indi social dhe politik i republikës po shpërbëhet përfundimisht dhe rregulli e ligji po shtyhen mënjanë e po dëbohen nga skena prej arbitraritetit, forcës dhe gënjeshtrës, mund të shpjegojnë suksesin e ripërtërirë të mitologjisë së gjakut e të pastërtisë racore, e cila frymëzon një shtysë përndryshe të papërcaktuar mirë për “pastrim”, e cila sipas rastit, drejtohet ndaj armikut të momentit.

Të rrethuar nga e keqja e të pafuqishëm për ta luftuar, e ndiejmë tundimin të fortë për ta gjetur burimin e kësaj së keqeje te Tjetri.

Po të heqim mënjanë disa të marrë, të cilët vërtet besojnë se është fjala vërtet për kodin gjenetik të shqiptarit, gjaku po funksionon, në rrethanat e tanishme, si fjalëkyç për të shënjuar gjithçka të ruajtur nga lashtësia, falë virtyteve të brendshme të qëndresës dhe mbijetesës, dhe përkundrejt orvatjeve, të jashtme, për asimilim, përfshirje, konvertim dhe përzierje; çka lidhet jo vetëm me klishenë e pandryshkshme të së vjetrës së kulluar, por edhe me tmerrin sa provincial, aq edhe ekzistencial, nga korruptimi që duket sikur shoqëron hapjen ndaj botës dhe lëkundjen e sigurive të dikurshme.

Çdo diskurs i themeluar mbi gjakun synon t’i zëvendësojë marrëdhëniet sociale me marrëdhënie biologjike; ose –  për ta orientuar debatin sipas një kundërvënieje së cilës i jemi referuar shpesh në debatet tona –  ta zëvendësojë qytetin me fshatin. Kjo aspak nuk do të thotë se protagonistët e debateve të origjinës sot kanë mbetur fshatarë të trashë; por vetëm e vetëm se këta protagonistë kërkojnë, nëpërmjet imponimit të një këndvështrimi përndryshe të diskredituar, t’i rehabilitojnë gjakun dhe racën si vlera të agora-s politike, me shpresën e fshehtë – do të shtoja – se nesër do të jenë pikërisht ata që do t’i gjykojnë dhe klasifikojnë shqiptarët e tyre, sipas kritereve që i kanë formuluar vetë. Prapa pornografisë hematologjike nxjerr kokën, siç mund të pritej, ëndrra për supremaci.

Nuk ka komente

  1. Te pakten u sqarua se “populli vella” sherbehet ne opinionin shqiptar edhe ne kontekstin e vellait te vertet, Abel – Kain, perpos qasjeve te ndryshme si ato qe rendom bashkesite fetare ia mveshin si perkufizim besimtareve te pafajshem.

  2. “Çdo diskurs i themeluar mbi gjakun synon t’i zëvendësojë marrëdhëniet sociale me marrëdhënie biologjike; ose – për ta orientuar debatin sipas një kundërvënieje së cilës i jemi referuar shpesh në debatet tona – ta zëvendësojë qytetin me fshatin. Kjo aspak nuk do të thotë se protagonistët e debateve të origjinës sot kanë mbetur fshatarë të trashë; por vetëm e vetëm se këta protagonistë kërkojnë, nëpërmjet imponimit të një këndvështrimi përndryshe të diskredituar, t’i rehabilitojnë gjakun dhe racën si vlera të agora-s politike, me shpresën e fshehtë – do të shtoja – se nesër do të jenë pikërisht ata që do t’i gjykojnë dhe klasifikojnë shqiptarët e tyre, sipas kritereve që i kanë formuluar vetë. Prapa pornografisë hematologjike nxjerr kokën, siç mund të pritej, ëndrra për supremaci”.

    Respekt!

  3. Me sa di une, arbereshet e quajne veten ‘gjaku i shprishur’. Mos duhet t’u biem edhe atyre ne kete rast per perdorim gjuhe jo politikisht korrekte. Perndryshe d’accord

    Fillesa biologjike, madje hematologjike, në debatet e tanishme nuk mund dhe nuk duhet të shihet vetëm si dëshmi e mjerimit të diskursit publik…[por] si një simptomë akute të krizës identitare të shqiptarit të sotëm, të shkaktuar jo nga Turqia e neo-otomanët, as nga trifetarizmi, por thjesht nga dështimi i shtetit.

  4. Mua kjo puna e fshatit dhe qytetit s’ma mbush mendjen, persa kohe qe gjithe qytetet e vjetra shqiptare ndahen ne fise, po njesoj si ne fshat, biles sa me i madh e i pasur eshte fisi, aq me lart gjendet pinjolli i fisit ne administraten e qytetit (pa harruar votat e fisit ne te pergjithshmen).

    Sa per gjakun e turkun, ajo ishte nje manover berishiane per t’i bere presion Europes dhe si shkembim mori nje ftese ne Perendim, pas shume vitesh qe e kerkonte dhe s’ia bente kush.

    Berisha beri dumbabistin, Europa s’me do, une shkoj tek Orbani e pastaj tek Baba Sulltani (beka edhe rime).

    Nje nga kriteret per te qene fuqi rajonale (regional power) eshte modeli ideologjik qe imponon apo imitohet ne rajon.

    Turqia e ka nisur rrugen per te qene fuqi rajonale dhe si model ideologjik ka vendosur neo-osmanizmin, i cili shoqerohet edhe me nje sistem te brendshem relativisht autoritar.
    Rusia e quan te vetin euroaziatizem, me te cilin do rindertoje Perandorise Ruse, po me reference Bashkimin Sovjetik ( sa mire jetonim ne BS), perseri me sistem te brendshem relaivisht autoritar.

    Paniku, perveç punes se gjakut, qe eshte skandaloze, meqe ne Azerbaixhan, po vete Berisha, foli per Albanine e Kaukazit, per te gjetur afersi absurde, vjen nga fakti se kemi te bejme me dumbabizem dhe kthim ne autoritarizem lindor.

    Sa per gjakun ne vetvete, fakti qe s’eshte permendur shpesh ne 20 vjet, do te thote qe ‘shpeton’ nga katastrofa, prandaj eshte i riciklueshem e i forte. Gjithçka qe u kritikua ne keto 20 vjet, dalengadale do rikthehet, sepse dynjaja po e kupton dalendale qe ajo ishte kritike e kote qe nuk çoi asgjekund.

    20 vjet jane mjaftueshem per kritike historike, ne fakt ne ndergjegjen e popullit po behet kritika historike e ketij 20 vjeçari dhe po del si periudhe vertet e erret, me 1/3 emigrante, jashte BE-se, autoritarizem berishian ne rritje, ekonomia me e dobet dhe keqstrukturuar e Europes, korrupsioni po ndryshk gjithçka dhe me Berishen qe fton Turkun ne 100 vjetorin e Pavaresise prej Turkut, me pak fjale s’ke ç’ti lakmosh fare pikes ku kemi mberritur.

    Gjaku eshte i forte, sepse Shqiperine si shtet e mban vetem etniciteti i saj, vetedija e nje gjaku te perbashket, dmth kaq keq po vene punet ne Shqiperi, saqe shqiptaret po shkojne tek emeruesi me i vogel i perbashket, per te mbajtur gjalle shtetin, ose me sakte besimin qe mban gjalle unitetin e shtetit. Si puna e familjes, qe kur gjerat marrin te tatepjeten, ngelet si mjet i fundit, qe jemi nje gjak, bejme edhe nje sforco te fundit ta mbajme gjalle.
    Vetem se tek shteti, nuk mbijetojne individe pas shperberjes se tij, po plas kaosi, ne kohe te tjera do te ishte ishte ftese per pushtim te huaj.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: