ARIU NË SALLË

Cirku meriton respekt si formë e dëfrimit masiv, sidomos nga prindët që shpien atje fëmijët; por një kulturë që e gjen veten, madje realizohet, në marrëdhëniet e publikut me spektaklin në cirk nuk është për t’u mburrur.

Nga latinët kemi trashëguar, mes shumë urtësish të tjera, edhe shprehjen panem et circenses, “bukë dhe cirk”, e cila përshkruante një sistem të kontrollit të masave nëpërmjet ushqimit falas, banjave publike, shfaqjeve me gladiatorë dhe kafshë ekzotike, gara sportive dhe të tjera evente publike për turmat.

Në krahasim me atë epokë sa të lashtë, aq edhe të lavdishme, politikanët sot e kanë riformuluar strategjinë e mësipërme, duke i mënjanuar rrugët e tërthorta të spektaklit publik dhe duke u orvatur, me bashkëfajësinë e mediave, që ta ofrojnë vetë politikën si një lloj cirku non-stop për publikun e ngeshëm.

Që kjo spikat veçanërisht në Tiranë, në krahasim me ç’shohim gjetiu në botë, shkaku do kërkuar te numri i madh edhe i politikanëve, edhe i gazetarëve për banor, në shtetin 100-vjeçar të shqiptarëve.

Ndoshta për këtë arsye edhe, kur kryeministri Berisha propozon të sjellë në Shqipëri Shakirën ose Rihannën (ose edhe Whitney Houston-in, xhanëm; njëlloj siç do të ‘kthente’ ministri i tij i Kulturës eshtrat e Ismail Qemalit), koncerti do të merrte trajtat e një eventi politik të mirëfilltë, duke ia lënë aspektin circense vetë gjestit të ftesës.

Gjithsesi, politikanëve atje nuk ua mohon dot aftësinë për të tërhequr turma, madje edhe atëherë kur nuk duhet.

Para pak ditësh, Elsa Demo e “Shekullit” bisedonte me aktorin Arqile Lipe, mes të tjerash edhe për fatin e artit teatral në provincë.

Thotë ndër të tjera Lipe:

Ne kemi një publik shpirtërisht të bombarduar. Tani që kam ardhur në Fier vërej se kur një politikan hyn në teatër, salla mbushet plot, bëhet kremastar politik, thyhen karriget. Mua më bëhet qejfi, por, të mbushet salla dhe për mua që punova dy muaj për një rol.

Dukuria që politikanët i sjellin me vete turmat në teatër më tërhoqi vëmëndjen; meqë prisja të kundërtën: që politikanët t’ia vidhnin publikun spektaklit.

Mirëpo, me sa duket, në Shqipëri edhe kultura tashmë manifestohet si formë e veprimit politik.

M’u kujtua, në këtë kontekst, edhe një anekdotë që tregojnë për komediografin latin, Terencin, të cilin e mbajnë për të hollë e të rafinuar (“poeti më i shkëlqyer i Republikës”, e pat quajtur Ciceroni); e gjithsesi, pa atë lloj vulgariteti që do të kish tërhequr në shfaqjet e tij kallaballëkun në kërkim të panem et circenses.

E pra, rrëfejnë se kur ky po shfaqte komedinë e vet të dytë, Hecyra, publiku u ngrit dhe ia zbrazi teatrin, për të shkuar në Cirkun përbri, ku sapo kish nisur lufta e një gladiatori me një ari të stërvitur.

Krahasimi nuk qëndron. Sipas skenarit që përshkruan Arqile Lipja, publiku i teatrit në Fier nuk është se ia ka braktisur këtij shfaqjen, për të shkuar të shohë ariun; përkundrazi, salla e teatrit atje është mbushur, kur së bashku me publikun, ka ardhur të konsumojë kulturë edhe ariu.

Ironia e gjithë kësaj – nëse mund të flas për ironi – është se edhe Lipen publiku shqiptar e njeh, para së gjithash, si aktor të estradës.

Nuk ka komente

  1. Kam pershtypjen Xhaxha, ne mos qofsha i gabuar, se i keni keqkuptuar fjalet e Arqilese. Me teater Arqileja nenkupton vendin, teatrin Bylis ne Fier, dhe jo teatrin si eveniment. Ne Shqiperi, dhe aq me teper jashte Tirane, nuk eshte se ka shume salla mbledhjesh e konferencash e seminaresh, ndaj, teatri ( godina ) perdoret kesisoj edhe per te tilla aktivitete.
    Pra Arqileja, ve ne dukje as me shume e as me pak sesa nje fakt teper te rendomte qe nuk ka i vogel e i madh qe nuk e di sot, se teatrot mbushen plot kur ka politike dhe shume pak kur ka art. Duhet thene edhe qe arti sot eshte ne pergjithesi me probleme, nuk i permbush kerkesat e publikut, po kjo eshte histori me vete.
    Ne kete kontekst, edhe krahasimi me Terencin shkon qe c’ke me te.

    1. Ka mundësi të jetë edhe ashtu – dhe që unë ta kem lexuar tjetër për tjetër. Vetëm se, kur shkruaja dje, kisha parasysh edhe disa raste, në Tiranë, kur kam vënë re drejtpërdrejt se prania e një “ylli” të politikës në sallë jo vetëm siguron pjesëmarrje të plotë të publikut në ngjarjet artistike, por edhe garanton që këto ngjarje do të përcillen të nesërmen nga mediat. Politikani shërben, kështu, si katalizator i atij procesi që e shndërron kulturën nga dëshirë dhe eksperimentim në realitet për publikun.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin