E majta italiane, një herë e një kohë, qe më e madhja dhe më mbresëlënësja ndër lëvizjet popullore europianoperëndimore për ndryshim shoqëror. Duke përfshirë dy parti masash, secila me historinë dhe kulturën e vet, dhe secila e përkushtuar jo për përmirësimin, por për tejkalimin e kapitalizmit, aleanca e pasluftës mes socialistëve dhe komunistëve, PSI-së dhe PKI-së, nuk i mbijetoi dot bumit të viteve ’50. Më 1963, Pietro Nenni i futi socialistët në qeveri për herë të parë, si partnerë të rinj të demokristianëve, në një udhë e cila në fund fare do të shpinte te Bettino Craxi, duke e lënë komunizmin italian në komandë të pasfiduar të opozitës karshi regjimit demokristian. Që prej fillimit, PKI-ja ka qenë më e fuqishmja nga të dyja, organizativisht dhe ideologjikisht, me një bazë masash më të gjerë – më shumë se dy milionë anëtarë në mesin e viteve ’50, që shtrihej nga fshatarët e Jugut te mjeshtrit e artizanatit dhe mësuesit në mesin e vendit, e më tej te punëtorët e industrisë në Veri. Kishte po ashtu një trashëgimi më të pasur intelektuale, me Ditaret e Burgut të Gramshit të sapobotuara, rëndësia e të cilëve u pranua menjëherë përtej partisë. Në kulmin e veprimtarisë së saj, PKI-ja mund të thithte energji shoqërore dhe morale të një shkalle të jashtëzakonshme, duke ndërthurur, më shumë se cilado forcë në vend, rrënjë më të thella popullore dhe ndikim më të gjerë intelektual.
E gozhduar nga Lufta e Ftohtë në 40 vjetë opozitë kombëtare, partia e barrikadoi veten në administratën vendore, dhe më vonë në atë rajonale, si dhe në komisionet parlamentare përmes të cilave duhet të kalojë legjislacioni italian, duke u ndërthurur me rendin në fuqi në mjaft shkallë të dyta. Por strategjia bazë mbeti pak a shumë e qëndrueshme gjatë kësaj periudhe. Pas 1948, preja e Çlirimit u nda. Pushteti i ra DK-së; kultura PKI-së. Demokracia Kristiane kontrollonte levat e shtetit, komunizmi tërhoqi talentet e shoqërisë civile. Aftësia e PKI-së për t’u shndërruar në pol të jetës intelektuale italiane, jo thjesht si një shpalosje të gjerë akademikësh, shkrimtarësh, mendimtarësh dhe artistësh, por si një klimë opinioni përparimtar, qe pa ndonjë paralele gjetkë në Europë. Falë pjesërisht edhe sociologjisë së udhëheqjes së saj, shumica e së cilës, ndryshe nga rastet e partive komuniste frënge, gjermane, britanike apo spanjolle, qe thellësisht e arsimuar, dhe pjesërisht një trajtimi deri diku tolerant dhe të lakueshëm të ‘ndeshjes së ideve’, zotërimi i kësaj sfere qe aseti i njëmendtë i dallueshëm i komunizmit italian. Por çmimi për këtë qe thikë me dy presa, ndaj së cilës partia qëndroi vazhdimisht me sy mbyllur.
Kjo ngaqë shtrirja e ndikimit të PKI-së në botën e artit dhe mendimit qe po ashtu në funksion të shkallës me të cilën ajo asimiloi dhe riprodhoi dellin mbizotërues të një kulture më të hershme italiane me reputacion të gjatë. Ky qe idealizmi, që pat gjetur shprehjen moderne, edhe pse në asnjë mënyrë të vetmen, me filozofinë e Benedetto Croce-s, një figurë që gjatë viteve kish fituar një pozicion të ngjashëm thuajse me të Gëtes në jetën intelektuale të vendit. Qe sistemi historicist i Croce-s, miratimi i prestigjit të tij përmes vëmendjes që i pat kushtuar Gramshi që nga burgu, qytetaria e të cilit u pranua si eter gjithëpërfshirës për një pjesë të madhe të kulturës italiane të pasluftës, të cilën PKI-ja, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, kryesoi. Por pas saj shtrihen tradita shumë më të vjetra që i jepnin rëndësi të epërme fushës së ideve, të konceptuara si vullnet ose si aftësi për të kuptuar, në politikë. Nga rënia e Perandorisë Romake deri në përfundimin e Risorgimento-s[1], Italia nuk njohu kurrë një shtet ose një aristokraci të të gjithë gadishullit, dhe pjesën dërrmuese të kohës qe subjekt i një vargu fuqish të huaja në luftë me njëra-tjetrën. Përfundimi, për shtrirje të gjata kohore, qe krijimi në elitat e arsimuara të saj i një ndjesie mbizotëruese të hendekut mes lavdisë së dikurshme dhe mjerimit aktual. Nga Dantja e tëhu, u zhvillua një traditë intelektualësh me një ndjenjë të fuqishme vokacioni për ringjallje dhe transmetim të kulturës së lartë të antikitetit klasik, dhe të mbrujtur me bindjen se vendi mund të vihej në udhë të mbarë vetëm nga frymëzimi me ide rigjallëruese, në të cilat vetëm ata ishin të zotë, mbi realitetin e rrënuar. Kultura nuk qe një sferë veçan nga pushteti: do të ishte letërnjoftimi për te ai.
Deri diku, komunizmi italian e trashëgoi këtë zakon mendor. Forma e re që ai ia dha një predispozite kombëtare qe marrë prej Gramshit, për të mos thënë që qe kopje besnike e tij. Nën këtë version, ‘hegjemonia’ qe një ngritje kulturore dhe morale që duhej fituar me miratim e nga brenda shoqërisë civile, si themeli i njëmendtë i ekzistencës shoqërore, çka në fund do të siguronte zotërimin paqësor të shtetit, një shprehje ca më e jashtme dhe sipërfaqësore e jetesës kolektive. Në këtë vështrim, pozicioni komandues që partia pat fituar në arenën intelektuale tregoi që qe në rrugën e fitores politike përfundimtare. Por kjo nuk ish ajo çka pat besuar Gramshi. Si një revolucionar i Internacionales së Tretë, ai nuk pat menduar kurrë se kapitali mund të thyhej pa forcën e krahëve, sado e rëndësishme të qe nevoja për të fituar përkrahje më të gjerë popullore rreth përmbysjes së rendit zotërues. Por kjo i shkonte për shtat jo pak nocionit idealist të kulturës. Brenda vetë sferës intelektuale, për më tepër, PKI-ja riprodhonte prirjen humaniste të elitave tradicionale, për të cilat filozofia, historia dhe literatura kishin qenë përherë fushat e zemrës. Në dosjen e partisë mungonin disiplinat më moderne të ekonomisë dhe sociologjisë, dhe metodat që ato ishin përpjekur të merrnin hua, për të mirë a për të keq, prej shkencave natyrore. Edhe pse pozicionet e saj në majat e një hierarkie kulturore të shenjtëruar dukeshin të admirueshme, ajo qe më e dobët në shtresat më poshtë, me pasoja serioze për rrugën në vazhdim.
Ngaqë kur dy ndryshimet e mëdha, të cilat do të mund të tjetërsonin ekologjinë e PKI-së në Italinë e pasluftës, goditën partinë, ajo qe mjaft e papërgatitur. E para qe mbërritja e një kulture masash krejtësisht e komercializuar, diçka ende e paimagjinueshme në botën e Togliatti-it, lere më në atë të Gramshit. Edhe në kulmin e vet, sigurisht që kish disa kufizime të kuptueshme të ndikimit të PKI-së, dhe më në përgjithësi të së majtës italiane, në skenën kulturore, për sa kohë që Kisha zinte një hapësirë të madhe në besimin dhe përfytyrimin popullor. Nën nivelin e universiteteve, botuesve, studiove ose gazetave, te të cilat mouvance-a[2] e partisë qe kaq e përhapur, dhe e dallueshme prej fortesave të establishment-it[3] borgjez liberal në shtyp, pat lulëzuar gjithmonë një nënshtresë revistash apo shfaqjesh konformiste, qepur për shijet mesatare ose të rëndomta të votuesve të DK-së. Nga pozicioni i vet i favorshëm në kulturën e elitës, PKI-ja mundej ta shihte këtë univers me një begenisje tolerante, si shprehje të traditës së një të kaluare klerikale, rëndësinë e së cilës Gramshi e pat theksuar prej kohësh. Nuk kërcënohej prej saj.
Vërshimi i një kulture masash krejtësisht shekullare, plotësisht e amerikanizuar, qe histori tjetër. Të zënë gafil, aparati i partisë dhe inteligjencia që qe formuar rreth tij u hapërdanë gjithandej. Edhe pse angazhimi kritik ndaj pulp-it[4] në Itali nuk mungonte – Umberto Eco qe një nga pionierët – PKI-ja e humbi trenin. Nuk materializoi dot ndonjë dialektikë krijuese, të aftë t’u rezistonte goditjeve nga e reja përmes shndërrimit të marrëdhënieve mes të lartës dhe të ultës. Rasti i kinemasë, ku Italia qe shquar mbi gjithë të tjerët pas lufte, mund të merret si domethënës. Nuk pati stafetë të brezit të regjisorëve të mëdhenj – Rossellini, Visconti, Antonioni – të cilët patën debutuar në vitet ’40 ose fillimet e ’50-s, dhe veprat e fundit të të cilëve grupohen në fillimet e ’60-s. Mungoi më pas ndonjë kryqëzim shpërthyes i avangardës me forma popullore, të rangut të Godard-it në Francë ose Fassbinder-it në Gjermani; më vonë, u pa vetëm kokteji i brishtë i Nanni Moretti-t. Përfundimi qe një hendek kaq i madh mes ndjeshmërive të arsimuara dhe atyre popullore, saqë vendi kish mbetur pak a shumë pa mbrojte kundër kundër-revolucionit kulturor të perandorisë televizive të Berlusconi-t, që e ngopi përfytyrimin popullor me një përmbytje idiotësish dhe fantazish nga më të trashat – schlock[5] kaq të ulët saqë vetë termi është shumë i përkorë për to. E pazonja ta përballonte ose t’i përgjigjej ndryshimit, PKI-ja për një dhjetëvjeçar u përpoq t’i bënte ballë. Udhëheqësi i fundit i njëmendtë i partisë, Enrico Berlinguer-i, personifikonte përçmimin e rreptë karshi vetëllastimit dhe infantilizmit të universit të ri të konsumit kulturor dhe material. Pasi ikjes së tij, rruga nga refuzimi i paepur te kapitullimi me vërtik qe e shkurtër – me Walter Veltroni-in që i ngjante një fotografie rrëzëlluese nga ato të albumeve të kalamajve të shkollës, me të cilat bëri emër duke i shpërndarë bashkë me kopjet e Unità-s[6], kur u bë kryeredaktor i gazetës.
Nëse idealizmi ia bëri të pamundur PKI-së të nuhaste shtysat materiale të tregut dhe medias, të cilat transformuan shpenzimin e kohës së lirë në Itali, e njëjta mungesë antenash ekonomike ose sociologjike e mbajti larg dallimit të ndryshimeve jo më pak vendimtare në fushën e punësimit. Tashmë që prej fundit të viteve ’60, ajo u pat kushtuar këtyre më pak vëmendje se sa lista e radikalëve të rinj që do të ecnin më tej, për të prodhuar dukurinë e veçantë italiane të operaismo-s[7], një nga aventurat më të çuditshme intelektuale të së majtës europiane të kohës.[*] Ndryshe nga PKI-ja, PSI-ja e pasluftës kish të paktën një figurë të rëndësishme, Rodolfo Morandi-n, marksizmi i të cilit qe i një kallëpi më pak idealist, i përqendruar në strukturat e industrisë Italiane, autor i një studimi të famshëm mbi të. Në brezin pasues, me Raniero Panzieri-n, ai gjeti një vazhdues të talentuar, një militant i PSI-së i cili, pasi u orientua drejt Torinos, filloi të hetojë kushtet e punës së punëtorëve të fabrikave në stabilimentet e Fiat-it, duke grumbulluar rreth nismës së tij një grup intelektualësh më të rinj, me mjaft prej tyre, por jo të gjithë, dikur anëtarë organizatash të të rinjve socialistë – Antonio Negrin mes tyre. Përgjatë dhjetëvjeçarit pasues, operaismo-ja u shndërrua në një forcë të larmishme, duke pjellë një varg gazetash seminale[8], edhe pse jetëshkurtra – Fletoret e kuqe, Klasa punëtore, Daci i egër, Kundërplani – që eksploronin shndërrimin e punës dhe kapitalit industrial në Italinë bashkëkohore. PKI-ja nuk kish asgjë të ngjashme si kundërpeshë, dhe i kushtoi vëmendje të papërfillshme këtij vlimi, edhe pse në këtë fazë teoricieni i ri më me ndikim qe një nga të rinjtë nga radhët e saj në Romë, Mario Tronti. Ky qe një mjedis kultura e të cilit, në thelb, ishte e huaj për partinë, shprehimisht armiqësore ndaj Gramshit, e akuzuar për spiritualizëm dhe populizëm.
Ndikimi i operaismo-s erdhi jo thjesht prej vëzhgimeve ose ideve të mendimtarëve të tij, por nga lidhja e tyre me gufimin papritmas të kontingjenteve të reja të klasës punëtore: imigrantë të rinj nga Jugu, të rebeluar kundër rrogave të ulëta dhe kushteve shtypëse në fabrikat e Veriut – pa folur për sindikatat e udhëhequra nga komunistët, të pështjelluara nga shpërthime spontane të militantizmit ose forma të papritura të ndeshjes. Fakti që e pat parashikuar këtë vorbull, qe për operaismo-n erë e mbarë dhe e fuqishme intelektuale. Por gjithashtu e fiksoi atë në çastin e ndriçimit fillestar, duke e shpënë në një romanticizim të revoltës proletare pak a shumë si një rrjedhje lave prej dyshemesë së fabrikës. Në mesin e viteve ’70, e ndërgjegjshme që industria italiane po ndryshonte prapë, dhe militantizmi në vendet e punës qe në rënie, Negri dhe të tjerë do t’i riktheheshin figurës së ‘punës shoqërore’ në përgjithësi – praktikisht cilido i punësuar, ose i papunë, kudo, nga kapitali – si bartës i revolucionit imanent. Abstraktimi i këtij nocioni qe shenjë e dëshpërimit, dhe politika apokaliptike që e shoqëroi e shpuri këtë krah të operaismo-s në një rrugë pa krye në fund të viteve ’70. Por PKI-ja, pasi humbi rastin me ndryshimet e viteve ’60, nuk nxori mësim prej kësaj dhe nuk ofroi gjë më të mirë përmes ndonjë sociologjie industriale. E kështu, kur ekonomia italiane kaloi ndryshime kritike të mëtejshme në vitet ’80, me shfaqjen e firmave të vogla të eksportit dhe ekonominë e zezë – ‘mrekullia e dytë Italiane’, siç i referoheshin me shpresë në atë kohë – partia qe sërish e papërgatitur, dhe këtë radhë goditja ndaj pozicionit të saj si përfaqësuesja politike e punëtorisë kolektive rezultoi fatale. Njëzet vjet më vonë, në atë masë që triumfi i Forza Italia-s do ta bënte dramatik dështimin e saj në reagimin në kohën e duhur për të ndërhyrë në masivizimin e kulturës popullore, po aq fitoret e Lidhje së Veriut do të nxirrnin në pah paaftësinë e saj për t’iu përgjigjur në kohë fragmentarizimit të punës post-moderne.
Këto qenë deficite të një mendësie me burim më të thellë se sa marksizmi i partisë, të një kuptimi klasik të vlerave intelektuale që, me gjithë kufizimet e tij, sipas mënyrës së vet, rrallë qe më pak se i nderuar, e shpesh i admiruar. Por pati një anë tjetër, dhe më dëmprurëse, për po këtë idealizëm, e cila qe specifike për komunizmin italian, dhe për të cilën mbajti përgjegjësi politike të ndërgjegjshme. Ky qe një refleks strategjik që kurrë nuk ndryshoi realisht nga Çlirimi e këtej, tiket e të cilit vazhdojnë edhe sot. Kur Togliatti u kthye nga Moska në Salerno në pranverë të 1944-s, ia bëri të qartë partisë së tij se, me t’u përzënë Wehrmacht-i – gjë e parashikueshme tashmë – nuk do të kish ndonjë përpjekje për të bërë një revolucion socialist në Itali. Rezistenca në Veri, në të cilën PKI-ja luante rol udhëheqës, mund të plotësonte, por jo të zëvendësonte, ushtritë anglo-amerikane në Jug si forca kryesore për përzënien e gjermanëve jashtë vendit dhe, pasi të rivendosej paqja, dollibashi do të qe Komanda e Lartë e Aleatëve. Pas njëzet vjetësh shtypjeje dhe mërgimi, detyra e PKI-së qe të ndërtohej një parti masash dhe të luante rol qendror në një asamble të zgjedhur, për ta vënë Italinë në themele të reja demokratike.
Ky qe një pasqyrim realist i baraspeshës së forcave në gadishull, dhe i vendosmërisë së Uashingtonit dhe Londrës për të mos lejuar asnjë sulm mbi kapitalin të nesërmen e disfatës së gjermanëve. Nuk qe në plan një kryengritje pas lufte. Togliatti, megjithatë, shkoi shumë më tej se kaq. Në Itali, monarkia që ndihmoi në instalimin, dhe mandej bashkëjetoi rehatisht me fashizmin, e pat përzënë Musolinin në verën e 1943-shit, nga frika se mos e merrte lumi bashkë me të, pasi Aleatët të zbarkonin në Sicili. Pas një intervali të shkurtër, mbreti u largua me Badoglio-n, mposhtësin e Etiopisë, drejt Jugut, ku Aleatët e vendosën në krye të një administrate rajonale të paprekur, ndërkohë që në Veri gjermanët Musolinin e vendosën në krye të një regjimi kukull në Salò. Kur luftës i erdhi fundi, Italia nuk trajtua pra si Gjermania, si një fuqi e mundur, por si një ‘bashkë-armik’ i purifikuar. Pasi trupat aleate u larguan, një qeverie koalicioni që përfshinte të majtët liberalë të Partisë së Veprimit, socialistët, komunistët dhe demokristianët, iu desh të merrej me trashëgiminë fashiste, dhe me monarkinë që pati bashkëpunuar me të. Demokristianët, të ndërgjegjshëm që votuesit e tyre potencialë kishin mbetur besnikë të monarkisë, dhe duke e ditur që përkrahësit e tyre natyralë në aparatin shtetëror kishin qenë instrumente rutinë të fashizmit, qenë të vendosur të pengonin çfarëdo gjëje të ngjashme me çnazifikimin e Gjermanisë. Por këta qenë pakicë në qeveri, te e cila e majta shekullare kish më tepër poste.
Në këtë pikë, PKI-ja, në vend ta kalonte DK-në në pozita mbrojtjeje duke ushtruar trysni për një pastrim të pakompromis të shtetit – duke e pastruar atë nga tërë zyrtarët bashkëpunëtorë të dikurshëm në burokraci, gjyqësor, ushtri dhe polici – e ftoi të udhëhiqte qeverinë, dhe thuajse nuk e luajti fare gishtin për të çmontuar sundimin e aparatit shtetëror tradicional të Musolinit. Krejt tjetër nga izolimi i Demokracisë Kristiane, Togliati ia doli të vendosë në krye të qeverisë drejtuesin e saj, De Gasperi-n, dhe mandej iu bashkua DK-së në qeveri – përkundër zemërimit të socialistëve – duke konfirmuar Paktet Lateraneze[9] që Musolini pat vulosur me Vatikanin. Prefektët, gjyqtarët dhe policët që i patën shërbyes Duçes u lanë në fakt të paprekur. Deri më 1960, 62 nga 64 prefektët ishin nga ata të përkëdhelurit e fashizmit, dhe po kështu edhe 135 shefat e policisë së vendit. Sa për gjykatësit dhe oficerët, gjyqësori i parindërtuar nxori të pafajshëm torturuesit e regjimit dhe dënoi partizanët që luftuan kundër tyre, duke i deklaruar në prapaveprim luftëtarët e Republikës Fashiste të Salò-së palë luftuese e ligjshme, dhe ata të Rezistencës të paligjshme – duke përligjur kështu ekzekutimet në masë nga radhët e kësaj të fundit pas 1943, pa sanksione penale për të parën pas 1945. Këto teprime të liga qenë pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të PKI-së. Kish qenë vetë Togliati që, në postin e ministrit të drejtësisë, shpalli në Qershor amnistinë që bëri të mundura krejt këto. Një vit më vonë, partia u shpërblye me një përjashtim pa ceremoni nga qeveria prej De Gasperi-it, i cili nuk kish më nevojë për të.
Kështu që historia e Italisë pas lufte do të ishte tërësisht e pangjashme me atë të Gjermanisë, ku nuk kish pasur rezistencë popullore. Nazizmi u shkatërrua nga disfata ushtarake e skajshme, dhe nga çrrënjosja e tij që pasoi pushtimet e njëpasnjëshme nga Aleatët. Në Republikën Federale, fashizmi nuk arriti dot ta ngrinte më kokën. Në të kundërt, në Itali, Rezistenca trashëgoi një ideologji anti-fashizmi patriotik, retorika zyrtare e kudondodhur e të cilit, dhe ku PKI-ja mori rol udhëheqës, pasqyroi vazhdimësitë reale të fashizmit, si në aparatin ligjor të trashëguar, ashtu edhe te zyrtarët, dhe si një kredo dhe lëvizje e shpallur haptazi. E rithemeluar si MSI, partia fashiste u gjet shpejt sërish me vende në parlament, dhe përfundimisht zuri vend edhe në establishment, nën udhëheqësin e saj, Giorgio Almirante. Duke i ngritur në qiell ligjet antisemite të Musolinit, kjo figurë u pat thënë bashkatdhetarëve të vet më 1938-n se ‘racizmi është riafirmimi më i gjerë dhe më kurajoz i vetvetes që ka ndërmarrë ndonjëherë Italia,’ dhe më 1944, pasi Musolini u tërhoq nga avioni gjerman drejt Veriut, që nëse nuk regjistroheshin si luftëtarë të Republikës së Salò-së, do të duhej të asgjësoheshin me plumb zverkut. Kur vdiq Almirante-ja në fund të viteve ’80, e veja e Togliati-t qe mes pjesëmarrësve në funeral. Sot Gianfranco Fini, i caktuar zëvendës i tij, është kryetar i Dhomës së Deputetëve, dhe pasues i mundshëm i Berluskonit si kryeministër.
Përtej kritikave të pritshme ndaj kësaj trajektoreje, ajo çka është është më acaruesja te pjesa e PKI-së në të është kotësia e saj vetëshkatërruese. Kur e pati shansin ta dobësonte Demokracinë Kristiane duke i ngulur në brinjë kamën e një antifashizmi intransigjent, për t’i prerë asaj rrënjët reaksionare që patën ushqyer regjimin e Musolinit, bëri pikërisht të kundërtën, duke e ndihmuar DK-në të afirmojë veten si forca mbizotëruese në vend, duke i shkuar bashkëpunimit me regjimin një leckë mëshironjëse përsipër. Duke bërë këtë, thjesht e konsolidoi bllokun konservativ nën komandën klerikale i cili do ta linte jashtë pushtetit deri ditën e saj të vdekjes. Për këtë disfatë, sjellja e partisë nuk ka pretekst ndërkombëtar. Mundet që mundësia e revolucionit u hodh tej në Italinë e pasluftës, por më 1946 Aleatët qenë larguar nga vendi, dhe nuk ishin në gjendje të ndalnin një lustracion të fashizmit. Naiviteti i Togliatti-t të nxjerrë plotësisht jashtë loje nga De Gasperi kish fare pak të bënte me ndikime të jashtme. Rrënjët i kish në një koncept strategjik që e kish përftuar prej Gramsci-t, interpretuar përmes kullesës së Croce-s dhe paraardhësve të tij. Objektivi i pushtetit politik, shkruante Gramsci, kërkonte dy lloj strategjish, termat e të cilave ai i huazoi nga teoria ushtarake, betejë pozicionesh dhe betejë manovrash: transhe ose rrethim, në të kundërt të sulmeve në lëvizje. Revolucioni Rus kish dhënë një shembull të të dytit; një revolucion në Perëndim do të kërkonte, për një periudhë të konsiderueshme, të parin, përpara se më në fund të kalohej te i dyti. Ashtu siç kishte holluar nocionin e Gramsci-t mbi hegjemoninë thjesht drejt momentit të vet konsensual, duke privilegjuar në thelb shoqërinë civile, po njësoj PKI-ja nën Togliatti-n e reduktoi konceptin e tij të strategjisë politike në një ndeshje vetëm pozicionesh, në përftimin e ngadaltë të ndikimit në shoqërinë civile, si të mos ishin më të nevojshme në Perëndim ndeshjet e manovrave – pritat, sulmet e befta, sulmet e shpejta të motorizuara, zënia në befasi e armiqve të klasës ose e shtetit. Më 1946-1947-n, De Gasperi dhe kolegët e tij nuk bënë të njëjtin gabim.
Aty nga 1948 vrulli popullor i Çlirimit qe shuar. Fillimi i Luftës së Ftohtë solli disfatën elektorale dhe rrodhën njëzet vjetë përpara se një tjetër valë revolte politike të ngrihej në Itali. Kur mbërriti, rebelimi breznor i fundit të viteve ’60, që përfshiu si studentët, ashtu edhe të rinjtë punëtorë, shkoi më thellë dhe zgjati më shumë se kudo tjetër në Europë. Nën atë që pasoi Togliatti-n, Luigi Longo-n, deri diku më tepër luftëtar se sa diplomat, PKI-ja nuk reagoi ndaj revoltës rinore aq negativisht sa PKF-ja në Francë. Por as u përgjigj në mënyrë krijuese, kur dështoi si në lidhjen me një kulturë të rrugës në të cilën e larta dhe ulëta – e kaluara e klasikëve të marksizmit dhe bolshevike, e tanishmja e grafitive me sprei – për një farë kohe ndërvepruan dinamikisht, ashtu edhe në rinovimin e stokut të vet gjithnjë e më shumë stacionar të koncepteve strategjike. Kur lindi brenda partisë kundërshtim kritik ndaj inercisë së saj, në formën e grupit të Manifesto-s – në pamje të jashtme më mirëfilltazi gramshian, dhe me shumë më tepër inteligjencë politike se sa operaistët jashtë tij – udhëheqja e PKI-së nuk humbi kohë për t’i përjashtuar.
Shkishërimi erdhi lidhur me pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë, të cilin Manifesto e dënoi pa rezerva. Këtu, bashkë me idealizmin e lindur të formimit të vet, qëndron edhe arsyeja e dytë e vazhdimit të paralizës së strategjive të Komunizmit Italian. Sado e lakueshme në anë të tjera, PKI-ja mbeti staliniste si në strukturat e veta të brendshme, ashtu edhe në lidhjet e jashtme me shtetin sovjetik. Të dëshpëruar nga sundimi i paluajtshëm njëpartiak i Demokracisë Kristiane, dashamirët liberalë të partisë – e të tillë përgjatë viteve do të kishte mjaft – do të shprehnin herë pas here admirim për moderacionin e arsyeshëm të PKI-së në planin e brendshëm, e më anë tjetër acarim se përse duhej kompromentuar ky aspekt i pacen me lidhjet e saj me BRSS-në dhe normat organizative që rrodhën prej kësaj. Në realitet, të dyja qenë strukturalisht të ndërlidhura. Nga Salernoja e tutje, moderacioni i partisë qe një kompensim për marrëdhëniet e saj me Moskën, jo kondërvënie ndaj saj. Thjesht ngaqë përherë mund të përgojohej për afri të dyshimtë me tokën e Revolucionit të Tetorit, i duhej të provonte e të stërprovonte pafajësinë e vet lidhur me çdo hamendje se mund të donte të përdorte të njëjtin model shumë të famshëm ndryshimesh. Pesha e fajit të atribuuar dhe përpjekja për respekt shfajësues shkonin dorë për dore. Djathtisti më me zë i partisë, i jashtëzakonshmi Giorgio Amendola, që i kërkoi asaj të bënte kujdes e të mos toleronte revoltën e studentëve, ndërkohë që i kalonte rregullisht pushimet familjare në Bullgari, mishëronte mekanizmat e këtij dualizmi.
E pazonja për të marrë drejtimin ose për t’i zhvilluar revoltat e fundit të viteve ’60 dhe fillimit të viteve ’70, në vend të kësaj PKI-ja u kthye edhe një herë nga Demokracia Kristiane, me shpresën e malluar se DK-ja do të kish ndërruar rrugë dhe tani do ishte e përgatitur të bashkëpunonin në qeverisjen e vendit – Katolicizmi dhe Komunizmi të bashkuar në një ‘kompromis historik’ për mbrojtjen e demokracisë Italiane kundër rrezikut të subversionit dhe joshjes nga konsumerizmi. Duke e propozuar këtë pakt më 1973-in, pak pasi u bë drejtuesi i ri i partisë, Berlingueri thirri në ndihmë shembullin e Kilit, ku Alende sapo ishte përmbysur, si një kambanë për luftë civile gati në plasje, po qe se e majta – komunistët dhe socialistët tok – do të provonte ndonjëherë të drejtonte vendin mbi bazën e shumicës së thjeshtë aritmetike të elektoratit. Pak argumente mund të kishin qenë më haptas para kallpe. Nuk kish as edhe më të voglën hije të ndonjë lufte civile perspektive në Itali, ku edhe shpërthime të tilla dhune siç kishin ndodhur – bomba e vënë nga terroristë të djathtë në Piazza Fontana në Milano më 1969-n qe rasti më hidhur – patën pak ndikim në jetën politike të vendit në tërësi. Por pasi PKI-ja zuri të përqafonte DK-në, grupet revolucionare në të majtë të saj, që kishin lindur nga rebelimet rinore, parapanë lindjen e një establishment-i parlamentar monolitik, qeveri pa opozitë, dhe ndërruan rrugë duke marrë atë të veprimeve të drejtpërdrejta kundër tij. Sulmet e para vdekjeprurëse të Brigadave të Kuqe filluan vitin tjetër.
Por sistemi politik nuk qe i rrezikuar. Zgjedhjet e 1976-s, në të cilat PKI-ja doli mirë, qenë përsosshmërisht të qeta. Të nesërmen e tyre, DK-ja e pranoi me mirësjellje mbështetjen e komunistëve për qeveritë e të ashtuquajturit ‘solidaritet kombëtar’ nën drejtimin e Giulio Andreotti-it, pa ndërruar politikat e saj dhe pa i dhënë PKI-së ndonjë ministri. Legjislacioni shtypës, që u binte pa shkak lirive civile, u forcua. Dy vjetë më vonë, Brigadat e Kuqe rrëmbyen në Romë udhëheqësin më me ndikim të DK-së, Aldo Moron, duke kërkuar si shkëmbim për lirimin e tij lëshimin e të burgosurve nga radhët e saj. Gjatë 55 ditëve të marrjes peng, me frikën se do të braktisej nga partia e vet, Moro shkroi për kolegët e vet letra gjithnjë e më të hidhura, duke shfaqur një rrezik të qartë kundër Andreotti-t sikur të kish qenë i lirë. Në këtë krizë, PKI-ja edhe një herë nuk tregoi as humanizëm, e as logjikë të ftohtë, duke denoncuar çfarëdo negociate që do të siguronte lëshimin e Moros më me forcë se sa vetë udhëheqja e DK-së, e cila kuptohet ish e ndarë më dysh.
Moro-ja u la, siç pritej, në dorë të fatit. Po të ish lejuar të rronte, rikthimi i tij sigurisht do të kish përçarë Demokracinë Kristiane dhe ndoshta do t’i kish dhënë fund karrierës së Andreotti-t. Çmimi i shpëtimit të tij edhe hahej. Brigadat e Kuqe, një grup i vogël në çfarëdo kuptimi objektiv, nuk kishin qenë kurrë kërcënim serioz për demokracinë italiane, zor se do të forcoheshin nga lirimi i disa pak anëtarëve të saj, të cilët do të ishin nën mbikëqyrje të vazhdueshme policore që nga çasti që do të dilnin nga dera e burgut. Nocioni se prestigji i shtetit nuk do t’i kish mbijetuar këtij dorëzimi, ose se mijëra terroristë të rinj do të shfaqeshin të nesërmen e tij, qe pak më shumë se histeri që i interesonte dikujt. Socialistët e kuptuan këtë, dhe ishin për negociata. Më shenjtorë se Papa, komunistët, nën ankthin e tyre për të provuar që qenë transheja më e patundur e shtetit, sakrifikuan një jetë dhe shpëtuan më kot armikun e tyre të përjetshëm. DK-ja nuk ia diti për faleminderit. Pasi i pat përdorur, Andreotti – mjeshtër edhe më i madh se vetë De Gasperi kur në lojë ishte koha – i rrudhi. Kur erdhën zgjedhjet e 1979-s, PKI-ja humbi një milion e gjysmë vota, dhe mbeti prapë jashtë. ‘Kompromisi historik’ nuk solli gjë tjetër veç zhgënjimit të votuesve të saj dhe dobësimin e bazës së vet. Kur vitin tjetër Berlingueri u bëri thirrje punëtorëve të Fiat-it, të kërcënuar me pushime në masë, që të pushtonin fabrikat e tyre, thirrja e tij ra në vesh të shurdhër. Aksioni i fundit i madh industrial, në të cilin u angazhua partia, u shtyp shpejt.
Pesë vjetë më parë, duke reflektuar hidhur mbi politikën e vendit të tij, Giovanni Sartori kish vënë re se Gramsci kish pasur të drejtë kur bënte dallimin mes një beteje pozicionesh dhe një beteje manovrash. Udhëheqës të mëdhenj – Churchill-i ose De Gaulle-i – e patën kuptuar nevojën për beteja manovrash. Në Itali, politikanët njihnin vetëm beteja pozicionesh. Ai vetë gjithmonë kish qenë i mendimit se titulli i librit të famshëm të Ortega y Gasset-it, España Invertebrada do të ishte më i përshtatshëm për Italinë, te e cila Kundër-Reforma[10] kish krijuar zakone konformizmi të rrënjosura thellë, dhe agresionet dhe pushtimet e huaja të vazhdueshme i kishin bërë italianët specialistë të mbijetesës me shpinëpërkulje. Duke mos pasur ndonjë elitë guximtare, kombi qe pa një rrashtë në trup të tij. Sartori nuk fliste kot. Gishti i tij tregonte për nga klasa politike që ai vetë kish përshkruar. Në këtë kohë, PKI-ja kish mbaruar, në fuqi qe Berlusconi dhe objektivat e tij qendrore qenë të qarta: të mbronte nga ligji veten dhe perandorinë e vet. Masat ad personam[11] për të siguruar këto, të kaluara në parlament, mbërritën në tryezën e presidentit. Presidenca nuk është thjesht një post puro honorifik. Quirinale[12]-ja jo vetëm që propozon kryeministrin, propozim i cili duhet ratifikuar nga parlamenti, por mundet gjithashtu të mbajë peng miratim ministrash, dhe të hedhë poshtë nënshkrime ligjesh. Më 2003 në atë post qe një ish-bankier i bankës qendrore, Carlo Azeglio Ciampi, një ornament i qendrës së majtë që kish drejtuar qeverinë e fundit të Republikës së Parë, pat shërbyer si ministër financash nën Prodin, dhe sot është senator i Partisë Demokratike.
I pashqetësuar, Ciampi nënshkroi ligje të papara deri atëherë, jo vetëm për të konsoliduar darët e Berlusconi-it mbi televizionin, por për t’i garantuar atij imunitet nga ndjekja penale – imunitet të cilin vetë Ciampi, si president, e gëzonte, teksa vinte nënshkrimin e tij në atë ligj. Jashtë Quirinale-s, protestues me qirinj të ndezur, iu lutën në ankth të mos e bënte. Por trashëgimtarët e komunizmit nuk shfaqën ndonjë objeksion. Në fakt, skica e parë e projektligjit për imunitetin pat ardhur nga radhët e vetë qendrës së majtë. Po të kish gurgule në shtyp rreth ligjit, presidenti – i taksur nga kushtetuta për të qenë super partes[13], dhe i trajtuar me gjithë nderimin e pritshëm prej kësaj – nuk mund të vihej në diskutim. Kundër Ciampi-t u dëgjua vetëm një zë kombëtar me peshë, jo i përvuajtur, po i hidhur e i sertë. E ky zë erdhi prej Sartori-t, një liberal konservator, i cili e sfidoi publikisht Ciampi-in duke pyetur se a ish gjallë, duke e quajtur me përbuzje lepur për burracakërinë e tij.
Sot, është një ish-komunist – Giorgio Napolitano, udhëheqës i fraksionit më të djathtë në PKI që nga vdekja e Amendola-s – ai që mban fronin e Quirinale-s. Në kohën kur u zgjodh, ligji i parë mbi imunitetin qe shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese. Por pasi iu vesh tjetër mbështjellëse – sipas modës së Lisbonës, mund të thosh dikush – dhe thelbi i të njëjtit ligj u votua sërish nga shumica berluskoniane në parlament, kreu i përfaqësisë postkomuniste në Senat, krejt ndryshe nga kundërshtimi i tij, dha shpjegime se Partia Demokratike në parim nuk kish objeksione, me përjashtim që ndoshta mund të hynte në fuqi legjislaturën tjetër. Napolitano nuk pati kohë për të tilla points d’honneur[14], duke nënshkruar kthimin e tij në ligj po atë ditë që i mbërriti në tryezë. Edhe një herë, të vetmit zëra që dënuan këtë turp qenë liberalë dhe apolitikë, Sartori dhe një grusht mendjesh të lira – të kundërshtuar jo vetëm në shtypin e Demokratëve, por edhe atë të Rifondazione-s, për mungesë respekti ndaj kreut të shtetit. Kjo është e majta pa shtyllë kurrizore e Italisë sot.
Forca të fuqishme historike – përjetimi i fundit të erës sovjetike; kontraktimi, ose shpërbërja, i klasës punëtore tradicionale; dobësimi i shtetit social; zgjerimi i videosferës; rrënimi i partive – u përballuan me zor nga e majta kudo në Europë, duke mos lënë asnjërën prej tyre në formë. Rënia e komunizmit italian, është në këtë prizëm pjesë e një historie më të gjerë, që shkon tej censurës. Megjithatë, asgjëkund tjetër nuk është shpërdoruar tërësisht një trashëgimi kaq imponuese. Partia së cilës ia punoi De Gasperi dhe Andreotti, që nuk arriti të qëronte fashizmin apo të përçante klerikalizmin, qe prapëseprapë një forcë në rritje, me një vitalitet të dallueshëm, pavarësisht pafajësisë së saj në strategji. Vazhdimtarët e saj u përlyen me Berlusconi-n, pa më të voglën hije të ndonjë shfajësimi, tërësisht të ndërgjegjshëm se cili ishte dhe se ç’po bënin. Sot ka një literaturë të bollshme që e nxjerr në dritë Berlusconi-n, si brenda, ashtu edhe jashtë Italisë, përfshi të paktën tre studime të klasit të parë në anglisht. Por të bën përshtypje se sa e squllët bëhet shumë prej kësaj kur merret me rolin e qendrës së majtë në ndihmën dhënë atij për pastrimin e të kaluarës dhe barrikadimin e pushtetit të vet. Bashkëfajësia e presidentëve të saj në përpjekje të njëpasnjëshme për ta vendosur atë – dhe veten e tyre – mbi ligjin nuk është anomali, por pjesë e një rregullsie konsistente që i shfaq trashëgimtarët e komunizmit italian tek i lejojnë atij të mbajë dhe të zgjerojë perandorinë e vet të medias, duke sfiduar atë që një herë e një kohë qe ligji; duke mos tundur as gishtin për t’u marrë me konfliktet e tij të interesit; duke nxjerrë nga burgu dorën e djathtë të tij, dhe jo pak milionerë të tjerë shkelës të ligjit; dhe duke u përpjekur vazhdimisht të arrijnë marrëveshje elektorale me të, në kurriz të çfarëdo parimi demokratik, vetëm për të përfituar për vete. Në fund të krejt kësaj, kanë dalë po aq duarbosh sa edhe paraardhësit e tyre, por përfundimisht më bosh në mendje dhe në ndërgjegje.
Po me katedralen madhështore të kulturës së majtë në Itali, nga ana tjetër, ç’ndodhi? Ajo pat filluar të shkërmoqej kohë më parë, me themelet e veta të tronditura nga vetë çitadela e dikurshme e vetë partisë së masave. Si edhe në Gjermani, kthimi djathtas së pari zuri fill në fushën e historisë, me një rivlerësim të regjimit diktatorial të vendit gjatë periudhës mes dy luftërave. Vëllimi i parë i biografisë së Musolinit nga Renzo De Felice, që mbulon vitet deri në fund të Luftës së Parë Botërore, u botua më 1965. Por duhej pritur vëllimi i katërt, që mbulonte periudhën nga Depresioni i Madh deri në pushtimin e Etiopisë, dalë më 1974 – i pasuar nga një intervistë e gjatë sa një libër me neokonservatorin amerikan Michael Ledeen, i përzierë më vonë në çështjen Iran-Contra – që kjo sipërmarrje kaq e madhe të kish ndikim të rëndësishëm në sferën publike, duke tërhequr mbi vete një zjarr të dendur kritikash nga e majta për rehabilitim të fashizmit. Në kohën kur doli vëllimi i pestë, në fillimet e viteve ’80, De Felice ish shndërruar në autoritet të pranuar, me dyert e medias të hapura – do të shfaqej gjithnjë e më shumë në televizion – dhe duke ndeshur gjithnjë e më pak sfidë nga brenda. Nuk vonoi dhe ai bëri thirrje për dhënien fund të antifashizmit si ideologji zyrtare në Itali. Në mesin e viteve ’90 ai shpjegonte se roli i Rezistencës në atë që qe në të vërtetë një luftë civile në Veri, gjatë së cilës besnikët e Republikës së Salò-së qenë nënvleftësuar, kish nevojë të çmitizohej. Vëllimi i tetë dhe i fundit, i pambaruar, për shkak të vdekjes së tij, mbërriti më 1997-n. Gjithsej, De Felice i kushtoi jetës së Musolinit 6500 faqe, mbi tre herë më tepër se sa madhësia e biografisë së Hitlerit nga Ian Kershaw, dhe përpjestueshmërisht më e gjatë madje edhe se jetëshkrimi i autorizuar i Churchill-it nga Martin Gilbert: monumenti më i madh për cilindo udhëheqës të shekullit të 20-të.
Cilësia e veprës, shkruar dobët dhe ndërtuar shpesh arbitrarisht, nuk u puq kurrë me shkallën dhe pretendimet e saj. Pika e fortë e saj qëndron në kërkimet arkivore të papërtuara të De Felice-s, dhe këmbënguljen e tij në pak të vërteta jo të jashtëzakonshme, kryesisht që militantët e fashizmit si lëvizje patën ardhur në radhë të parë nga shtresa e mesme e ulët, që fashizmi si sistem pati mbështetje nga afaristët, burokratët, dhe përgjithësisht nga klasat e larta shoqërore, dhe që në kulmin e vet regjimi gëzonte një konsensus të gjerë popullor. Këto zbulime, nga të cilat asnjë veçanërisht origjinal, qëndrojnë në shoqëri të sikletshme me pretendimet se fashizmi qe pjellë e Rilindjes, se ai nuk kish asgjë të përbashkët me nazizmin, se vithisja e tij shënoi vdekjen e kombit italian, dhe po aq, përmes një portreti të zmadhuar, dëshpërimisht tolerues, të vetë Musolinit si një shtetar i madh – edhe pse me të meta – dhe realist. Nga pikëpamja intelektuale, De Felice shfaq shumë pak aftësi konceptuale apo shtrirje interesi në krahasim me Ernst Nolte-n, libri i të cilit i pat paraprirë të vetit. Por ndikimi i tij qe shumë më i madh, jo vetëm për arsye të vetë peshës së doktrinës së tij, as edhe për faktin – i cili padyshim qe themelor – që në Gjermani fashizmi qe diskredituar shumë më tepër në mënyrë absolute se sa në Itali, por edhe sepse në fund të karrierës së tij, kulturës zyrtare të pasluftës i kish mbetur shumë pak nga ajo çka ndërmarrja e tij ish konceptuar të kundërshtonte. Është për t’u shënuar që dërrmën më të madhe ndërtesa e tij e pati nga Denis Mack Smith në Angli, në vend se nga ndonjë historian italian.
Por nëse në Itali nuk kish të ngjashëm të njëmendtë me Historikerstreit-in[15], çka do t’i jepte De Felice-s kënaqësinë e arritjes së shumicës së synimeve të veta, nga ana tjetër kish një kthesë më pak të dukshme se sa në Gjermani të energjive të lira intelektuale drejt së djathtës. Pasuesi kryesor i De Felice-s, Emilio Gentile, ia ka kushtuar veten amplifikimit të temës familjare se politikat e masave gjatë shekullit të 20-të qenë versione të shekullarizuara besimesh mbinatyrore, duke i ndarë ato në grupe malinje – komunizmi, nazizmi, nacionalizmi – duke përfshirë fe ‘politike’ fanatike, dhe forma më të pranueshme, veçanërisht patriotizmin amerikan, që përbën fe ‘civile’: totalitarizëm përballë demokracisë nën një vel të shenjtë. Kjo është një ngrehinë që ka pasur më shumë pasues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Britaninë e Madhe se sa në vetë Italinë. E njëjta gjë, në mënyrë paradoksale, mund të thuhet për frytet e fundit të operaismo-s tek e majta. Atje, fryma e kthjellët e enquête ouvrière-ës[16] pat vdekur tok me vdekjen e parakohshme të Panzieri-it në gjysmën e viteve ’60, dhe me daljen në skenë të Tronti-t dhe të kritikut të ri letrar – atëbotë po njësoj i flaktë – Alberto Asor Rosa, pamja e saj pësoi dy ndryshime drastike.
Prej Tronti-t na erdhi bindja se klasa punëtore, larg nga të qenët e detyruar të pësojë shndërrime të njëpasnjëshme ekonomike në duart e kapitalit, qe krijuesja e tyre, duke imponuar mbi punëdhënësit dhe shtetin ndryshime strukturore në çdo fazë të akumulimit të kapitalit. Sekreti i zhvillimit nuk fle te domosdoshmëria ekonomike pa zot për fitim, e imponuar nga lart, por tek trysnia udhëheqëse e betejave klasore nga poshtë. Prej Asor Rosa-s erdhi argumenti se ‘letërsia e përkushtuar’ qe një iluzion populist, ngaqë klasa punëtore nuk kish kurrë shpresë të përfitonte nga arti dhe letërsia e një bote moderne, në të cilën kultura, si e tillë, qe me përkufizim në mënyrë të pakthyeshme borgjeze. Nuk pasoi as filistinizëm shqeto, dhe as tolstojanizëm naiv. Në vend të tyre, nga ajo çka vlente si letërsi, patëm vetëm modernizëm të shkallës së lartë nga Mann-i ose Prusti, Kafka ose Svevo, dhe avangardën radikale, deri te, por jo më tej Brehtit – por vetëm në trajtën e kaq shumë dëshmive, shpikjeve formale të pakrahasueshme, të kontradiktave të brendshme për vetë ekzistencën borgjeze, jo si trashëgimi me ndonjë vlerë për botën e punës. Hendeku mes të dyjave nuk mund të ngushtohej as edhe prej qëllimeve më të mira revolucionare të njërit si Majakovski: qe konstitutiv.
Socializmi nuk është thelbësor për të bërë letërsi të mirë. As janë thelbësorë shkrimtarët për kryerjen e revolucionit. Lufta e klasave ecën në një shteg tjetër. Ka zëra të tjerë për të shprehur veten, për ta bërë veten të kuptueshme. Dhe poezia nuk mund të rrijë pas saj. Sa për poezinë, kur është e madhe, flet një gjuhë në të cilën gjërat – gjërat e rënda të ndeshjes dhe ekzistencës së përditshme – kanë marrë tashmë vlerën ekskluzive të një simboli, të një metafore gjigande të botës: dhe çmimi, shpesh tragjik, i madhështisë së saj është fakti që kumti i saj arratiset nga praktika, për të mos u kthyer më kurrë.
Kur u shkruajt kjo, synohej vija zyrtare e PKI-së, dhe pas saj Gramsci, që kish besuar se lëvizja komuniste qe trashëgimtarja e ligjshme e kulturës më të ndritur europiane, prej Rilindjes, Reformacionit dhe Përndritjes e këtej, dhe mes problemeve që i duhej të zgjidhte në Itali qe mungesa e një letërsie popullore kombëtare. Por ndërkohë që shpaloseshin trazirat në fund të viteve ’60, Tronti së pari e mandej Asor Rosa e ndanë mendjen që kish më tepër kuptim të punohej brenda PKI-së, atje ku gjendej tek e fundit klasë punëtore e organizuar, se sa jashtë saj. Duke ndërmarrë këtë hap, Tronti bëri një kalim të vizionit të tij mbi përparësinë e betejave në fabrikë mbi veprimtaritë e partisë në shoqëri, duke e radikalizuar drejt një teorie të autonomisë së politikës nga prodhimi. Më i ri se Asor Rosa apo Tronti, dhe më ambiciozi ndër të tre për nga ana intelektuale, Massimo Cacciari përmbushi mandej çfarë kishin nisur këta, jo thjesht duke ndarë kulturën dhe ekonominë nga politikat revolucionare, por duke propozuar një çpërshoqërim sistematik të krejt sferave të jetës moderne nga njëra-tjetra, të para nga njëra-tjetra si një grumbull përkatësish teknike, secila e papërkthyeshme për të tjerat. Të përbashkët kishin vetëm krizën, njësoj e dukshme gjatë fundit të shekullit në fizikë, në ekonomi neoklasike, në epistemologji kanonike, politikë liberale, pa folur për ndarjen e punës, veprimet e tregut dhe organizimin e shtetit. ‘Mendimi negativ’ më vete kish qenë i aftë të rrokte thellësinë e kësaj krize – Schopenhauer-i, Nietzsche-ja, Wittgenstein-i, Heidegger-i. Atë që Hegeli e kish përqafuar, këta i binin moh: sintezës dialektike të çfarëdo lloji.
Operaismo-ja kish qenë gjithmonë anti-historicist, qe edhe anti-humanist. Me Krizën e Cacciari-t(1976), ai tani gjeti frymëzim te një varg mendimtarësh nihilistë, prej të cilëve Nietzsche qe fillimisht më i rëndësishmi për shkak të trajtimit që i pat bërë vullnetit për pushtet, mishërimi bashkëkohor për të cilin mund të qe vetëm PKI-ja. Por nuk kish vend për iracionalizëm. Ajo për çka bënte thirrje ‘kultura e krizës’ qenë urdhra dhe forma të reja racionaliteti, specifik për çdo praktikë. Pra propozoheshin për këshilltarë në drejtimin e partisë drejt objektivave të saj Weber-i dhe Schmitt-i – jo Gramsci – që të dy specialistë të politikës parë si teknikë e ftohtë, e kthjellët. Nga pikëpamja intelektuale, do të ishte e zorshme të përfytyrohej një hedhje tej më e plotë e marksizmit që gjendej në altarin e PKI-së, dëng me sintezën në frymë hegeliane. Por politikisht, kthesa niçeane e operaismo-s doli se përputhej përsosmërisht me vijën zyrtare të partisë në fillimet e viteve ’70. Ç’duhej nënkuptuar me vullnetin për pushtet në Italinë e asaj kohe? Përgjigja, argumentonte Tronti, qe e qartë: vokacioni i PKI-së të sundonte vendin nga pozitat e arkitektit të një aleance mes punës së organizuar dhe kapitalit të madh që të modernizohej ekonomia dhe shoqëria, jo shumë ndryshe nga Pakti i Ri në Amerikë, të cilin ai përherë e kish admiruar – pakt për rrogat dhe fitimin, kundër parazitizmit të dhënies me qira.
PKI-ja, që kish qenë gjithmonë tolerante ndaj dallimeve teorike, për sa kohë që nuk ato nuk kërcënonin me shqetësime politike, i pranoi pa vështirësi në gjirin e saj mbrojtësit e mendimit negativ – ngaqë edhe nuk qe më e zonja në atë kohë t’i hynte kritikës së rrymave të tilla ekzotike. E ndjeshme rreth prestigjit që këto do të gëzonin, u siguroi atyre në kohën e duhur nderim nga sfera politike autonominë e të cilës ata e kishin mbështetur. Cacciari u bë deputet i PKI-së, para se të bënte karrierë si kryetar bashkie i Venecias, posti i tij i sotëm; Tronti dhe Asor Rosa u bënë më në fund senatorë. Në mënyrë të pashmangshme, çmimi i këtij integrimi në një parti e cila në mënyrë të spikatur dështoi në fushën e lojës për pushtet për të cilin e kishin caktuar, qe zbehja e operaismo-s si një paradigmë koherente. Njëzet vjetë më vonë, kur PKI-ja ishte vetëm një kujtim tashmë, Asor Rosa do të hartonte një bilanc melankolik të së majtës italiane, së cilës ai dhe Tronti i mbetën besnikë përmes stilit të tyre, ndërkohë që Cacciari sot është një ornament i së djathtës në Partinë Demokratike, te i cili ndërthuren – jo dhe aq papritmas për një admirues të Wittgenstein-it – misticizmi dhe teknicizmi në një politikë që më anë tjetër ngjan aq shumë me Punën e Re të laburistëve. Te ata që erdhën më pas, trashëgimia intelektuale e mendimit negativ qe diçka më shumë se sa një kult shterpë i specializimit, me depolitizimin për bashkudhëtar.
Në udhëkryqet e fundit të viteve ’60, Negri u hodh në drejtimin e kundërt, duke mbrojtur jo një pakt moderniteti mes kapitalit dhe punës së organizuar nën patronazhin e PKI-së, por përshkallëzimin e konfliktit mes punës së paorganizuar – ose edhe papunësisë – dhe shtetit, drejt përplasjes së armatosur dhe luftës civile. Pas shtypjes së Autonomisë[17], teoricien i së cilës kish qenë, dhe arrestimit të tij nga një gjykatës anëtar i partisë komuniste për akuza të sajuara lidhur me konceptimin dhe realizimin e vdekjes së Moro-s, ekzili në Francë prodhoi një përrua të qëndrueshëm botimesh, më të shquarit rreth Spinozës. Këtu u përgatit metamorfoza e punonjësit, jo atij të fabrikës, të Autonomisë Punëtore të fundit të shekullit të XX në figurën e ‘shumësisë’ së shekullit të XVII te Perandoria, shkruar me Michael Hardt-in, dhe që doli në Shtetet e Bashkuara shumë më para se të shihte dritën e botimit në Itali. Qëkur u bë i famshëm, ndikimi ndërkombëtar i Negri-t kanë qenë më i madh se sa ndikimi brenda Italisë, megjithëse ka pasues të rinj. I njëjti përfundim vlen edhe për Giorgio Agamben-in, yll më i vonshëm i yjësisë, që ka të përbashkëta me Cacciari-n shumë pika reference – Heidegger-in, Benjamin-in, Schmitt-in – por me orientim politik shumë larg tij.
Parë nën optikë krahasuese, ngjashmëritë e operaismo-s me brigjet e majtizmit që lulëzoi në Francë përgjatë dhjetëvjeçarit nga gjysma e viteve ’60 deri në gjysmën e viteve ’70 janë mbresëlënëse – dhe për më tepër në mungesë të ndonjë kontakti të drejtpërdrejtë mes tyre. Duket se ka pasur një konkordancë objektive e cila i shpuri mendimtarët rreth Socialisme ou barbarie[18] përgjatë të njëjtit monopat si ata rreth Contropiano-s, nga një punëtorizëm radikal në një subjektivizëm anti-themelizues – edhe pse në Negri-n apo Agamben-in e vonshëm, me ndikimet te secili të Deleuze-it apo Foucault-së, rrymat frënge dhe italiane kanë rrjedhur drejt e te njëra-tjetra. Frytet e ndryshme nga njëra-tjetra të dy përvojave mund të shpjegohen në shumicën e tyre me dallimet në gjendjen kombëtare. Në Francë, PKF-ja nuk ofronte joshje, dhe revolta e Maj-Qershorit 1968, sa qe spektakolare, aq qe edhe një flakë kashte. Në Itali, ku rebelimi popullor zgjati shumë më tepër, ku komunizmi qe më pak i mbyllur, dhe mendimtarët qenë në mënyrë domethënëse më të rinj, pas-jeta e operaismo-s mbetet më e madhe, edhe pse e degdisur në zgrip.
Rimarrja e fashizmit nga e djathta, eklipsimi i punëtorizmit nga e majta, i ka ripërmasuar hapësirën qendrës, tek e cila versionet klerikale dhe shekullare të juste milieu-së[19] kanë ekzistuar tradicionalisht tok. Aty, në mënyrë paradoksale, shpërbërja e Demokracisë Kristiane, çka i dha fund sundimit të një partie politike haptazi katolike, në vend që ta zvogëlonte rolin e fesë në jetën publike, e ka shtrirë më gjerë se kurrë nëpër spektrin politik. Ndaj votuesit e Demokracisë Kristiane, shpesh, jo thjesht janë ndarë mes qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë, por janë shfaqur si sektori i vetëm më i lëvizshëm i zgjedhësve, duke i bërë ata një swing factor[20] të vlerësuar edhe më fort nga blloqet në lojë. Për joshjen e tyre, udhëheqës të dikurshëm të PKI-së, pa folur për ish-radikalët, janë rrekur t’ia kalojnë njëri-tjetër për të shpallur ndjeshmërinë e tyre private fetare, vajtjen në meshë që në moshë të njomë, vokacione spirituale të fshehta, dhe të tjera domosdoshmëri për një politikë post-shekullore. Në fakt, atë çka Kisha e humbi nga largimi prej saj i një partie masash që i bindej pa gëk, pa mëk, e fitoi përmes shpërhapjes së një ndikimi më të kudogjendur, edhe pse më pak të ethshëm, mbi shoqërinë në përgjithësi. Kjo ka sjellë edhe një rënie në nivele të tilla supersticioni të papara prej shumë vitesh: fryt i qenies në fronin papal të Wojtyla-s, gjatë së cilës qenë propozuar (798) dhe shpallur (280) shenjtorë e shenjtore, më shumë se pesë shekujt e kaluar të marrë bashkë, numri i mrekullive i nevojshëm për shenjtërimin u përgjysmua, dhe kulti grotesk i Padre Pio-s[21] – një kapuçin, vizituar në mënyrë hyjnore nga stigmata-t më 1918, autor i çfarëdo numri arritjesh supernatyrale – zuri fill, për të ardhur në atë pikë sa shtypi kryesor të debatojë me seriozitet të plotë vërtetësinë e triumfeve të tij përmbi ligjet e rëndomta të shkencës.
Një kulturë shekullare, e aftë për t’i shkuar besimit pas avazit gjer në këtë shkallë, ka pak gjasa të jetë më luftarake karshi pushtetit. Nën Republikën e Dytë, opinioni i organeve qendrore të kulturës së shtypur italiane rrallë ka devijuar nga dhoksa[22] neoliberale e kohës. Shumë nga prodhimtaria e saj në këtë periudhë ka qenë e padallueshme nga ç’mund të gjendej nëpër gazeta tabloid të Spanjës, Francës, Gjermanisë, Anglisë e kudo gjetkë. Asnjë nga komentatorët me respekt për veten nuk mungoi të bëjë thirrje për reforma që do të kuronin sëmundjet e shoqërisë, terapia për të cilën kish qenë përherë nevoja për më tepër konkurrencë në shërbime dhe arsim, më tepër liri tregut në prodhim dhe konsum, dhe një shtet më i disiplinuar, më pak kaba e më tepër i efektshëm. Dallimet reduktoheshin vetëm te sherbetosja që u duhej ofruar atyre mbi të cilët do të binin masat e nevojshme. Konformizmi për krejt këtë ka qenë kaq gjithëpërfshirës sa që do të kish qenë e palogjikshme të pritej që gazetarët italianë të tregonin më tepër pavarësi mendimi. Qëndrimi i shtypit karshi ligjit është tjetër çështje pastaj. Si zemra e këtij kushtrimi kundër klasës politike të Republikës së Parë, – pasi gjykatësit nisën sulmin e tyre kundër korrupsionit të gjyqësorit – shtypi doli dukshëm i nënshtruar qëkur Berlusconi e bëri veten qendër të rendit të ri, duke e kufizuar veten për shumicën e kohës në kriticizëm pro forma[23], pa më të voglën ide për një betejë deri ku nuk mban më, e cila do të mund ta kish dëmtuar vërtet atë ose do ta kish nxjerrë jashtë loje.
Për këtë, zjarri i tyre do të duhej të ish drejtuar jo thjesht kundër Berlusconi-t vetë, por po ashtu edhe kundër gjykatësve që e nxirrnin rregullisht të pafajshëm, kundër statutit të kufizimeve që bënin të pavlefshme akuzat kundër tij, presidencave që i patën siguruar atij imunitet, dhe kundër partive të qendrës së majtë që i patën ndihur shndërrimit të tij në një interlokutor të pranueshëm, madje të vlerë. Asgjë nuk mund të qe larg nga rrjedha e përgjithshme e shtypit në këto vite, ku ankesat për keqfunksionim janë rregullisht të ngjyrosura nga frika dhe servilizmi. Ky bilanc i dobët ndriçohet tek-tuk nga përjashtime të rralla. Prej tyre, njëri shfaqet mbi gjithë të tjerët, reporteri Marco Travaglio, akuzat e paprera të të cilit jo vetëm ndaj veprimtarisë kriminale të Berlusconi-t apo të Previti-t, por ndaj krejt sistemit të bashkëpunimit që i ka mbrojtur ata, dhe po aq ndaj atyre të shtypit, kanë pak të ngjashëm në botën e gazetarisë së zbutur europiane këto vite. Jo më kot, Travaglio, librat e të cilit janë shitur me qindra mijëra, është figurë e së djathtës liberale, që e shpreh veten me një egërsi dhe liri toni të panjohur nga e majta.[†]
Në Europë – për Amerikën kjo nuk është e vërtetë, të paktën jo në të njëjtën mënyrë – bota e medias, si rregull, më shumë se sa e krijon, e pasqyron gjendjen e një kulture, cilësia e së cilës në fund të fundit varet shumë më tepër nga gjendja e universiteteve të saj. Në Itali, e cila është me nam për këtë, universitetet kanë mbetur arkaikë dhe me mungesë financimesh, me shumë departamente pellgje intrigash burokratike dhe patronazhi baronësh. Përfundimi ka qenë një humbje e vazhdueshme e mendjeve më të mira të vendit drejt postesh jashtë shtetit. Thuajse të gjitha disiplinat janë të prekura, siç duket edhe nga lista e studiuesve që kanë rrojtur apo punuar për një kohë të gjatë në Shtetet e Bashkuara: Luca Cavalli-Sforza në gjenetikë, Giovanni Sartori në shkencat politike, Franco Modigliani në ekonomi, Carlo Ginzburg në histori, Giovanni Arrighi në sociologji, Franco Moretti në literaturë, të cilëve mund t’u shtohen emra të rinj. Jo një diasporë në kuptimin e ngushtë të fjalës, pasi thuajse krejt këta i kanë ruajtur lidhjet me Italinë, shumica duke marrë prapë pjesë, në një mënyrë a një tjetër, në jetën e saj intelektuale, por megjithatë mungesa e tyre duket që e ka dobësuar kulturën që i polli.
Nëse rrethanat e viteve të fundit do të nxjerrin a jo në pah luftëtarë të tillë, mbetet për t’u parë. Me sa duket, shanset për këtë do të ishin të pakta. Por do të ishte gabim të nënvleftësohej pasuria e rezervave që vendi mund të shfrytëzonte. Një vështrim mbi Spanjën, modernizimi i së cilës shpesh dëftohet me gisht nga italianë autokritikë si model i asaj çfarë nuk kapën dot, ta shpie mendjen te kjo pasuri. Edhe pse rritja e saj ekonomike ka qenë më e lartë, sistemet e transportit më të shpejta, institucionet politike më funksionale, krimi i organizuar më pak i përhapur, dhe zhvillimi rajonal më i njëtrajtshëm – që të tëra pluse reale kundrejt Italisë – Spanja, krahasuar me të, mbetet një kulturë provinciale, me një jetë intelektuale shumë më të brishtë dhe më të huazuar, prapambetja relative e së cilës vihet në dukje nga modernitetet që e rrethojnë. Me gjithë dëmin që i është bërë vendit, kontributi italian në letrat bashkëkohore është i tjetër rendi. Asnjë vend në Europë, në fakt, nuk ka prodhuar kohët e fundit një monument studimor global të ngjashëm me pesë vëllimet e historisë ndërkombëtare dhe morfologjisë së romanit si ajo e redaktuar nga Moretti, dhe botuar nga Einaudi – një sipërmarrje e madhështisë karakteristike italiane, për shkallën e së cilës lexuesi anglofon mund të ketë vetëm një ide nga versioni i dobët, kurnac në simpati dhe në frymë, nxjerrë nga Princeton-i. Dhe as është e vështirë të gjenden shembuj të aftësisë së pandërprerë italiane për të tronditur paradigma të pranuara gjetiu. ‘Clues’ e Ginzburg-ut, pa folur për sprovën e tij për rikonstrukturimin e Dumézil-it, e paprovuar nga asnjë historian frëng, mund të ishte një shembull; libri i fundit i klasicistit të shquar Luciano Canfora mbi demokracinë, censuruar nga botuesi i tij i zemëruar gjerman, mund të qe një tjetër; dërrmimi që studiuesi i shkencave politike Danilo Zolo i bën ‘drejtësisë ndërkombëtare’ një i tretë. Tradita të tilla nuk vdesin kollaj.
Po kundërshtimi politik, tej establishment-it ekzistues ndërpartiak? Nga gjysma e viteve ’60 e tëhu, komunizmi italian ka pasur edhe një tjetër shtresë, e cila, as zyrtare e as operaiste, mbeti gramshiane në mënyrë më autentike se sa çfarëdo që mund të ofronte ose tek e fundit të toleronte udhëheqja. I përjashtuar më 1969, grupi Manifesto, me bosht Lucio Magri-n, Rossana Rossanda-n dhe Luciana Castellina-n ecën drejt krijimit të gazetës me të njëjtin emër që botohet edhe sot, e vetmja e përditshme radikale e kulluar sot në Europë. Përgjatë viteve, ka qenë kjo rryma që ka prodhuar, më shumë se cilado tjetër, analizën strategjike më koherente dhe më të mprehtë të problemeve me të cilat përballej e majta, dhe vendi në tërësi – si trashëgimtare e Hegelit, jo për t’u çuditur, duke furnizuar arsenal më të mirë për barrën mbi supe se sa mahnitja me Heidegger-in. Sot trashëgimia e tij është e rrezikuar, me tre figurat drejtuese sipër dorëshkrimit të kujtimeve rreth përvojës së tyre, secili prej tyre po aq domethënës sa tjetri. I pari që pa dritën e botimit, eleganti i pacen Ragazza del secolo scorso i Rossanda-s, qe një bestseller kombëtar. Por më 2005 revista e tyre u mbyll, ndërsa gazeta sot gjendet në rrezik të mbylljes, për shkakt të krizës së kreditit. MicroMega, e përdymuajshme me shumë faqe e redaktuar nga filozofi Paolo Flores d’Arcais, gjendet jashtë një rreziku të tillë, si pjesë e perandorisë së botimeve pas së përditshmes romane La repubblica dhe revistës së përjavshme të lajmeve L’espresso. Nën Republikën e Dytë, Flores e shndërroi botimin e vet në organizatorin e frontit të armiqësisë më të pakompromis dhe më të efektshëm në Itali, duke luajtur një rol politik unik në BE për një botim intelektual të këtij lloji. Një vit pas fitores së qendrës së djathtë më 2001, kjo ishte vatra prej nga nisi një valë mbresëlënëse protestash masive kundër Berlusconi-t, jashtë dhe kundër pasivitetit të qendrës së majtë.
Në krejt këtë luajtën një rol qendror dy figura të tjera. Njëri qe Nanni Moretti, aktori dhe regjisori më popullor i vendit, arti i të cilit pat ndjekur për më shumë se një dhjetëvjeçar shpërbërjen dhe shkërmoqjen e PKI-së, në mënyrë kritike dhe shpesh ndjellëse. Tjetri qe historiani Paul Ginsborg, autor i dy prej më autoritareve ndër historitë mbi Italinë e pasluftës, një anglez që jepte mësime në Firence, i dalluar jo vetëm si studiues, por edhe si qytetar i vendit që e birësoi. Në të dytën e historive të tij, e cila mbulon periudhën nga 1980 deri më 1996, botuar në anglisht nën titullin Italy and Its Discontents (dhe që në këtë version shkon deri më 2001), Ginsborg hedh për diskutim hipotezën sipas së cilës, veç egoizmit dhe makutërisë së shtresës yuppy – ceti rampanti[24] që lulëzuan nën Craxi-n – në klasën e mesme italiane, tok me të mësipërmen ka ekzistuar një sektor më i matur, profesionistësh dhe nëpunësish publikë me frymë civile (ceti medi riflessivi) që kanë qenë të aftë për veprime altruiste, dhe që formuan një burim potencial për ripërtëritjen e demokracisë italiane. Kur u formulua, ideja hasi në ca skepticizëm. Por doli e vërtetë më 2002-in. Sepse qe shtresa të cilën që ai pat identifikuar që furnizoi në thelb radhët për demonstratat kundër Berlusconi-t atë vit.
Aty, megjithatë, fshihet edhe kufizimi i tyre. Forma e caktuar që zgjodhën – demonstrues kapur dorë për dore rreth ndërtesash publike – iu vu shpejt nofka rrotullame nga shtypi, ose ‘roza-rozinaa’. E menduar si simbolikë e frymës paqësore, mbrojtëse e lëvizjes, përfundimi qe që mori shumë kollaj pamjen e një loje fëmijësh. Partitë e qendrës së majtë, jo vetëm për mospëlqim të kritikës mbi ata vetë, por nga frika e kompensimit politik, bën pak për ta fshehur armiqësinë e tyre. Rrotullamet nuk u përgjigjën me të njëjtën monedhë. Të vendosur për të shmangur çfarëdo veprimi të rrëmbyer si ata që hasi G7-a në Gjenovë, dhe duke shpresuar më kot për një aleancë me udhëheqësit e sindikatave nën leqet e qendrës së djathtë, lëvizja qëndroi larg çfarëdo sulmi më të ashpër kundër qeverisë, lere pastaj kundër bashkëpunëtorëve të saj nga radhët e opozitës, dhe përfundimisht u tret për shkak të imazhit të vet prej fëmije të mbarë, dhe nuk e mbajti dot veten më këmbë.
Verën tjetër, kur, përkundër zemërimit të Veltronit, MicroMega[25] me kurajë bëri thirrje për një tjetër demonstrim masiv në Piazza Navona kundër kthimit në pushtet të Berlusconi-it, kontradiktat e nëndheshme të rrotullameve dolën sheshit, me Moretti-n dhe gjysmën e platformës që u hoqën mënjanë nga folësit më radikalë, të cilët këtë radhë nuk kursyen as Napolitano-n, as PD-në apo Rithemelimin Komunist. Ashtu si tjerrjet e padepërtueshme të ditëve të mëvonshme të Republikës së Parë prodhuan si reagim kopaçet e llogaritura të Lidhjes së Veriut, po njësoj në këtë rast ngurtësia e mjaft prej retorikës së rrotullameve, më e prirë drejt lutjes se sa dëmtimit, i dha shkëndijë të kundërtës, figurave dhe idiomave vulgare përzhitëse – joshur praktikisht nga bëmat e Berlusconi-t në shtrat – nga humoristë të njohur për urrejtjen e tyre ndaj klasës politike, për turpin e më të përmbajturve në shesh, por me sa duket, duke gjykuar nga anketime e bëra, jo për shumicën e elektoratit të qendrës së majtë. Nga pikëpamja politike, episodi mund të lexohej edhe si një mikroversion i polarizimeve të viteve ’70, prova të ankthshme nga sipër për marrje me të mirë që sërish provokojnë shpërthime të zemëruara nga poshtë.
Në vjeshtë, tensione të tilla u tretën në vërshimin e protestave studentore kundër shkurtimeve në fondet për arsimin dhe tkurrjes së arsimimit, të votuara nga qendra e djathtë, dhe – ca më i kufizuar – në atë të mobilizimit sindikalist kundër përgjigjes ekonomike të qeverisë ndaj krizës globale. Koncesionet e fituara janë të një domethënie më të pakët se shkalla e vetë lëvizjeve. Por pamja e tërheqjeve taktike të Berlusconi-t dhe shpërthimeve të përkohshme të zemërimit popullor kundër tij nuk është e re. Se si mund të ndryshojë kjo, teksa kushtet ekonomike të përkeqësohen, mbetet për t’u parë. Duke hedhur pas kurrizit veglat e rrezikshme të marangozit dhe bujkut, e majta italiane ka adoptuar prej mbretërisë bimore simbol pas simboli, thënë ndryshe hiçmosgjë – trëndafilin, dushkun, ullirin, luleshqerrën, ylberin. Pa ca kërcëllimë metalurgjie, duket se ajo ka pak gjasa të bëjë përpara.
[*] Termi i italishtes nuk e ka nuancën anti-intelektuale të workerism-it të anglishtes, ose ouvriérisme-it të frëngjishtes.
[†] L’odore dei soldi, nga Marco Travaglio dhe Elio Veltri (Editori Riuniti, 2001); La scomparsa dei fatti (Il Saggiatore, 2006); Mani sporche, nga Marco Travaglio, Gianni Barbacetto dhe Peter Gomez (Chiarelettere, 914 faqe, €19.60, 2007, 978 88 6190 002 8); Il bavaglio, nga Marco Travaglio, Peter Gomez dhe Marco Lillo (Chiarelettere, 240 faqe., €12, 2008, 978 88 6190 062 2).
1. It. Lëvizja për bashkimin e Italisë nën një shtet të vetëm
2. Fr. Përkatësi, zonë influence, autoritet në një fushë
3. Angl. Klasa sunduese ose grupi që ka autoritetin në një shoqëri; veçanërisht, autoritet i betonuar që i përkushtohet ruajtjes së status quo-së
4. Angl. Revista, libra, etj., të shtypura me cilësi të ulët dhe që trajtojnë tema të seksit, drogës, dhunës, etj., në mënyrë shokuese, sensacionale
5. Gjerm. Filma apo komedi horror pa shije, të konceptuara për shokimin e shikuesve”]
6. Deri më 1991, e përditshmja zyrtare e Partisë Komuniste Italiane
7. It. Operaizmi ose e majta operaiste është një rrymë marksiste, antiautoritare, mendimi dhe kërkimesh, e zhvilluar në Itali në fillim të viteve gjashtëdhjetë
8. Angl.Me shumë ndikim, veçanërisht përmes ndonjë rruge origjinale, dhe që ofron një bazë për zhvillime apo kërkime të ardhshme
9. Emri me të cilin njihen marrëveshjet për njohjen reciproke mes Mbretërisë së Italisë dhe Selisë së Shenjtë, nënshkruar më 11 Shkurt 1929
10. Lëvizje brenda Kishës Katolike në gjysmën e dytë të shekullit XVI që synonte reformimin e vetes pas Reformës Protestante
11. Ligj apo akt normativ, i nxjerrë me qëllimin specifik të favorizimit (ose edhe shfavorizimit) të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të një subjekti ose një grupi të ngushtë subjektesh
12. Term i përdorur rëndom për të treguar Presidentin e Republikës Italiane
13. Lat. Mbi palët, i paanshëm
14. Fr. Çështje nderi, prestigji
15. Gjerm. Debati intelektual dhe politik i fundit të shekullit të XX në Gjermaninë Perëndimore lidhur me interpretimin historik të Holokaustit
16. Fr. Pyetësor i hartuar nga Marksi në 1980 për të mbledhur të dhëna mbi gjendjen e punëtorëve
17. Autonomia Operaia – lëvizje majtiste italiane, veçanërisht aktive nga 1976 deri më 1978
18. Socializëm apo barbari – organizatë revolucionare në Francë, me orientim marksist antistalinist, afër “komunizmit të këshillave”, themeluar më 1948 dhe aktive nga 1949 deri më 1967.”]
19. Fr. Mesi i artë. Term i përdorur gjithashtu për të përshkruar një filozofi pajtuese mes dy rrymave zotëruese në artin frëng të shekullit të XIX mes konservatorëve akademikë dhe të pavarurve të njohur si Impresionistët.
20. Angl. Faktor i jashtëm në një situatë, që kontribuon në marrjen e një vendimi mbi rrugën që do të marrë situata
21. Shën Piu i Pietrelçinës, prift katolik italian i Urdhrit të Kapuçinëve, adhuruar si shenjt nga Kisha Katolike dhe pasuesit e tij, kritikuar fort nga mjedise fetare dhe jofetare
22. Gr. Me prejardhje nga greqishtja e lashtë dhe rrënjë e fjalëve ortodoksia apo heterodoksia, që nënkupton besimin e përgjithshëm mbi diçka, ose opinionin popullor rreth saj
23. Lat. Për një sjellje jo nga nevoja apo bindja, por vetëm për të ruajtur formën, aparencën.
24. It. Shtresa shoqërore e profesionistëve dhe teknicienëve ambiciozë dhe të mirëpaguar
25. Revistë italianë mbi kulturën, politikën, shkencën dhe filozofinë
Shënim: Bujku e ka përkthyer këtë artikull nga origjinali: Perry Anderson, An Invertebrate Left, on Italy’s squandered heritage, botuar në London Review of Books, vol. 31, no. 5, 12 mars 2009, me lejen e autorit, të cilit i jemi mirënjohës.