Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

KËNGË E MBREHUR

Festivalin e 50-të Këngës në RTV nuk e ndoqa dot, por ndoqa, përkundrazi, reagimet e shumta të publikut, për këngën fituese, siç u shprehën poshtë e lart në Internet; të cilat reagime ishin të tilla që më ngacmuan e më bënë të shkoj pastaj ta dëgjoj edhe këngën vetë, e cila më pëlqeu.

Po më konfirmohet përshtypja se ka diçka të gabuar, të shtrembër, të pistë në mënyrën si po e përcjellim kulturën, qoftë edhe atë pop; ku mbresa e mirëfilltë është zëvendësuar nga dukja, paraqitja dhe rekrutimi i një vlere për fushata që me kulturën dhe artin nuk ka shumë të bëjë.

Një nga shqetësimet madhore të anonimëve të Internetit, për këngën “Suus”, të Florent Boshnjakut, kënduar nga Rona Nishliu, ishte se si do të na prezantojë ajo (vëreni shumësin na) në Festivalin Europian; të thuash se Festivali ynë nuk ishte veçse një bateri para-eliminatore e eventit tjetër.

Në fakt, kush e ka parë ndonjëherë Festivalin Europian duke pasur moshën mbi 12 vjeç, do ta ketë konstatuar vetë se çfarë karnevali është ai event, çfarë kermesse-i i cic-miceve mes të vegjëlve, i eurokitsch-it madje eurotrash-it më të dalë boje, diçka si një treg GABI për të ngeshmit e kontinentit plak.

Ka një takëm njerëzish, gjithnjë e në rritje, të cilët tërhiqen pas këtij cirku eurokomik pse u intereson jo muzika, por gara e votave (kushedi vënë edhe baste atje – gjëra edhe më të çuditshme kanë ndodhur).

Por Festivali i 50-të i Këngës në RTV është pakrahasimisht më i rëndësishëm, sesa pjesëmarrja e Shqipërisë në Eurosong; të paktën për publikun dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, me përjashtim ndoshta të këngëtares vetë, e cila në Festivalin tjetër ndoshta fiton një farë ekspozimi ndërkombëtar dhe shet ndonjë mp3 më tepër.

Më i rafinuar duket reagimi i një takëmi tjetër muzikëdashësish: këta përshëndetin fitoren e një këngëtareje nga Kosova – Rona Nishliu qenka që andej, fakt që nuk ka kurrfarë relevance për këngën vetë. U tha se juria “kishte bërë mirë” që ia kish dhënë vendin e parë kosovares, sepse ashtu i tregojmë Kosovës këtë dhe atë – diçka që ka lidhje me dashurinë, vëllazërinë, gjakun, flamurin kuqezi, AKZ-në, bashkimin kombëtar etj. Nishliu është këngëtare e kompletuar, profesioniste, që vjen në Tiranë të përfaqësojë para së gjithash veten dhe artin e saj; me të drejtë (besoj unë) fiton Festivalin; dhe tani i duhet të zbulojë se fitorja e saj paska qenë simbolike, se në të vërtetë vendi i parë i është dhënë Kosovës, kombit shqiptar që është një dhe i pandarë, e kështu me radhë.

Në të dy rastet, një vepër arti – një këngë – nuk gjykohet në vetvete, ose për vlerën e saj imanente, si vepër arti, por në funksion të diçkaje politike, kompetitive – por në kuptimin e keq të fjalës; meqë edhe pala që i del gjumi natën për Eurosongun, edhe pala tjetër e flamurit kuqezi dhe e kujdesit atnor (lexo: paternalist) për Kosovën dhe kosovarët, mendjen e kanë tjetërkund. Për këta arti në vetvete nuk ka ndonjë vlerë, përtej përdorimit abuziv që mund t’i bëhet në politikë, ose për të manipuluar masat syleshe.

Ky është, për mua, reagimi tipik, instrumental, i atij që muzikën nuk e kupton ose nuk e përfill; ngaqë nuk di, ngaqë nuk do, ngaqë muzika nuk i intereson, përveçse si kolonë zanore për gjithfarë aventurash politike dhe personale që kërkon të ndërmarrë, i vetëm dhe me shokë; kur nuk i shërben për të bërë gjimnastikë ose për të humbur në peshë ose për të vallëzuar me të dashurat ose për t’ia futur atij serbogrekut sa krahu ose për të dëfryer qenin ose për të ecur me hap ose për ndonjë përdorim tjetër që mund t’ia ketë gjetur sakaq. Është një reagim varfërues, që e gërryen kulturën nga brenda, për t’ia shndërruar produktet në zhguaj të zbrazët; një reagim që nuk i kultivon vlerat mirëfilli, por i mbreh në zgjedhë, për t’i përdorur në fushata dhe gjakime me natyrë politike shpesh fare banale.

Është edhe një reagim që e vret artin, duke e përdhosur.

Pa Komente

  1. Unë nuk arrij të kuptoj nëse kjo frymë alla AKZ është reale apo sa për të la gojën? S’më duket shumë patriotike mënyra se si sillemi ne me ‘vllaznit tanë’ nga kosova gjatë verës.

    1. Pse si pret te sillemi kur te vjen nje kamarier surrat-vrenjtur sikur t’ia keshe vrare nenen e te sherben gjithe nerva, pa fije edukate; si pret te sillemi me policet qe sillen me keq se paramilitaret serbe; si pret te sillemi me ngasesit e veturave qe rendin si pa koke; si pret te sillemi me shitesit qe i fryejne cmimet aty-per-aty, para fytyres, vetem pse kemi theksin ndryshe? (madje disa jane shume te perparuar sa te dallojne nje kuksian prej nje prizerenasi !).

      1. Gjithmone e kam fjalen per sjelljen e shqiptareve te Shqiperise ndaj atyre te Kosoves, Vertete jam vene ne hulumtim te gjej se ne c’pjese te historise ka filluar ky “mospelqimi” po e quaj ndaj shqiptareve te Kosoves. Arsyea e marr me mend 0. Ky permcmim dhe kjo urrejte ( e thash se vdiqa) s’ka kurrfare logjike. Besoj se ne Shqiperi duhet qe nxenesit te mesohen ne shkolla ta dua Shqiperine, sic na mesojne neve profesoret ta duam kombin ( ne vecanti ata te gjuhes shqipe dhe historise). Duhet mesuar gjithashtu se atdheu nuk eshte sa perimetri i prapanices tone por eshte shume me i gjere!

        1. Kosovar i dashur,

          Nuk kane urrejtje shqipatert per kosovaret. Ato qe thua jane te gjitha te verteta, por kane lidhje me provincializmin dhe prapambetjen e shqiptareve ne pergjithesi. Ne Shqiperi, per shembull, ka percaktime te tilla “gjirokastritet jane koprace” “shkodranet jane mendjelehte” “vlonjatet jane gjaknxehte” “korcaret jane megalomane” “matjanet jane te pabese” etj etj pa fund, per te gjitha rrethet ka nga nje nofke, nga nje tipar te keq qe ju mvishet te gjitheve pa dallim. (edhe Fan Noli thone se paska shkruar nje poezi per kete pune) Dhe pastaj reflektohen ne sjellje keto “opinione”.

          Me durim, avash avash, mbase do ftillohemi edhe ne (si tha ai, “mo u perzit parizian, se do ta bejme edhe Parisin si Kucin :))

  2. Me pelqeu rezultati, dhe Rona eshte shume e kompletuar ne cdo sens te profesionalizmit. Rona nuk eshte talent qe e gjen ne Shqiperi apo EV kollaj. Keshtu qe zotnijte qe e gjykojne te perpiqen t’ia vejne nje pike vetes me pare.

  3. Thua te kene qene Festivalet e Kenges gjithnje kaq banale sa jane sot? Nuk e di; por di se dikur kisha qejf t’i ndiqja; Besoj se kane qene gjithnje banale me fare pak kenge vertet te bukura.
    Por rendesi ka qe kishin vlere per shikuesit e degjuesit. Njerezit jetonin me to, sado propagandistike pacin qene kenget. Tani mendoj se kjo vlere perdorimi praktik e estetik ka rene shume. Politizimi i atehershem ne fakt ishte nje lloj pesimi subliminal, dhe njerezit kerkonin melodine, ritmin, poezine. Politizimi i sotem eshte provincial dhe i takon ideologjise dominante se ne te gjithe kontribuojme ne marshimin drejt Europes. Edhe me banal ky reagim!

    Ndoshta vertet festivali yne sot perben vetem nje shkalle ne shkallaren qe te con ne Fest. Europian. Dhe kjo e ben ngjarjen edhe me me pak vlere. Ndoshta politizimi duhet te arrije nje nivel maksimal para se te shfryhet dhe idete te clirohen e te marrin vendin e vet; njerezit te sillen normalisht pasketaj dhe jo si perfaqesues qesharake shteti edhe me qesharak.

    Kenga dhe kengetarja me dhane nje ndjesi krejt jomuzikore. Ndoshta superdramaticiteti mund t’i shkonte ndonje filmi epik me heronj legjendash, por jo nje festivali te muzikes se lehte. Dhe “te lehtet” nuk e kuptoj aspak leteralisht.

  4. perafrohen shume me njera tjetren, jo vetem nga melodia dhe harmonia, por edhe nga interpretimi (une pashe edhe videon ku Bjorg kendonte live ne skene), si dhe nga ndjesia qe te lene mbas degjimit. Plagjature e paster. Po mire nuk e ka dite ky kompozitor qe tashme bota eshte bere shume e vogel si me qene brenda ne shtepine tende?

  5. Rona asht tue u shnderrue ne dive te pop-muzikes, e pakundshoqe nder moteset e veta, por kanga nuk ngjan te jete e zhanrit qe pelqehet prej Eurosongut. Viteve te fundit kane qene kanget me ritme kercimtare ato qe kane rrembye nga ma se shumti ‘douze points’.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin