Rasti e deshi që, kur u njoftua këto ditë vdekja e Václav Havelit, këtij shtetari të madh të Europës post-komuniste, të isha duke lexuar një artikull të filozofit Slavoj Zhizhek, i cili polemizonte me qëndrimin e të ndjerit ndaj çështjes së ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, qëndrim që Haveli e kishte formuluar gjatë një fjalimi të mbajtur në Senatin dhe Dhomën e Deputetëve të Kanadasë më 29 prill të vitit 1999, ose gjashtë javë pas fillimit të bombardimeve.
Ndryshe nga shumë qytetarë çekë dhe gjetiu në Europën lindore, madje edhe kolegë të tijtë si kryeministri çek Milosh Zeman që e kish krahasuar konfliktin për Kosovën me një skenë ku “shpellarë gjuajnë me gurë”, Haveli po e shprehte haptazi mbështetjen e vet për NATO-n dhe thoshte se ndihej i ”turpëruar” nga kundërshtimi i kësaj ndërhyrjeje, prej bashkatdhetarëve të vet.
Me fjalën e tij në parlamentin kanadez ai i shpjegoi botës mbarë se pse ndërhyrja e Aleancës Atlantike në Jugosllavi përbënte një moment kyç në evolucionin e marrëdhënieve ndërkombëtare; dhe pse ai vetë, Haveli, e përkrahte atë ndërhyrje pa rezerva.
Lufta e NATO-s në Kosovë dhe bombardimi i Jugosllavisë, vërejti Presidenti i Çekisë, ishin ndoshta e para luftë që nuk u ndërmor në emër të “interesave” kombëtare, por në emër të parimeve dhe të vlerave – ishte pra luftë e nisur për arsye etike.
Kjo sepse, gjithnjë sipas Havelit, kishte ikur tashmë koha e lavdisë së shtetit-komb dhe të primatit të tij në marrëdhëniet ndërkombëtare – së bashku me privilegjin e këtij shteti për të vrarë ose për t’u kërkuar qytetarëve të vdesin në emër të tij.
Qeniet njerëzore ishin më të rëndësishme se shteti.
Madje edhe dashuria e verbër për atdheun, një dashuri që nuk njeh asgjë tjetër veç vetes dhe që refuzon gjithçka tjetër ngaqë është e ndryshme, ishte bërë tashmë “një anakronizëm i rrezikshëm, një burim konflikti dhe, në raste të skajshme, i vuajtjeve njerëzore të jashtëzakonshme.”
Haveli e shihte ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si preludin e një epoke të re, kur shtetet do të fillojnë të ndryshojnë, të ripërmasohen dhe të stabilizohen si njësi administrative racionale; me ç’rast edhe ideja e mosndërhyrjes duhej braktisur njëherë e përgjithmonë.
Edhe pse nuk kërkonte doemos shpërbërjen ose zhdukjen e shteteve-komb, Haveli theksoi se ka diçka që ka vlerë më të madhe se shteti – dhe kjo diçka është të qenët njeri, humaniteti. Çka do të thotë se “të drejtat e njeriut janë superiore ndaj të drejtave të shteteve; dhe liritë njerëzore përfaqësojnë një vlerë më të lartë se sovraniteti shtetëror.” Që këtej rridhte se “Ligji ndërkombëtar që mbron qenien njerëzore unike ka përparësi ndaj ligjit ndërkombëtar që mbron shtetin.”
[Fjala e Havelit, me titull “Kosovo and the End of the Nation-State” është botuar nga The New York Review of Books, 10 qershor 1999.]
Në fjalën e vet, Haveli bëri thirrje që vendet e veçanta të fillonin të braktisin kategorinë e “interesave kombëtarë” që deri më sot ka përcaktuar mendimin e tyre politik; meqë interesat kombëtarë ka më shumë të ngjarë të na ndajnë, si njerëz, sesa të na bashkojnë. Edhe pse ka interesa kombëtarë që janë të ligjshëm dhe duhen mbrojtur, tha presidenti çek, ne duhet të pranojmë se përtej këtyre interesave ekzistojnë parimet, dhe se janë parimet që përcaktojnë nëse interesat janë legjitime apo jo; dhe parimet nuk mund të identifikohen me interesat e këtij apo të atij shteti – por në vetvete.
Vëmendja e admirueshme e Havelit për të drejtat e njeriut ishte përgjigje adekuate ndaj argumenteve të sjella nga Milosheviçi dhe mbrojtësit e integritetit të Jugosllavisë, anembanë botës, kundër ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë. Megjithatë, nuk mund të mos shohësh ironinë e situatës së krijuar dhjetë vjet më pas, kur lufta e djeshme në Kosovë na ka lënë trashëgim, në Ballkan dhe më gjerë në botë, çështjen e njohjes së shtetit të Kosovës, si shtet i pavarur.
Dhe ironia ka të bëjë pikërisht me faktin që, në parashtresën e vet, Haveli e lidhi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë me nevojën për të hequr dorë nga primati i shtetit-komb, në emër të respektit absolut për të drejtat e njeriut.
Duke ndikuar që shteti i ri në Kosovë të përftohet si multietnik dhe multikulturor, tutorët dhe kumbarët ndërkombëtarë u munduan të mishërojnë, në themelet e tij, frymën humanitare të burrave të shtetit si Haveli, të cilët luftën e atëhershme e përkrahën dhe e përligjën me argumente filozofike dhe etike, jo thjesht historike dhe politike.
Ajo ishte një luftë kundër të drejtave të një shteti sovran, Serbisë së Milosheviçit, për të vepruar sipas interesave të vet, brenda territorit të vet; prandaj edhe argumenti i Havelit është se, “ndërsa shteti është një krijim i njeriut, qeniet njerëzore janë krijim i Zotit,” dhe se “shtetet ekzistojnë për t’u shërbyer njerëzve”, jo e kundërta. Ky argument është i vështirë për t’u kundërshtuar, madje edhe nga ateistët; pa çka se është përdorur, tani vonë, edhe për të përligjur ndërhyrje të tjera të Perëndimit, si kjo e fundit kundër Kadafit në Libi; por se shumë ujë ka rrjedhur në këto dhjetë vjet e kusur, që nga Lufta e Kosovës, dhe autoriteti i Perëndimit, i NATO-s dhe i ShBA në botë nuk është më ai i vitit 1999; dhe kjo rënie, madje rrëgjim i autoritetit Perëndimor, ka ndikuar edhe në mënyrë prapavajtëse, duke i bërë shumë njerëz të rivlerësojnë qëndrimin e tyre ndaj bombardimit të dikurshëm të Serbisë.
Filozofi Slavoj Zhizhek, në një artikull të botuar pas pak muajsh në London Review of Books (28 tetor 1999), e kritikoi qëndrimin e Havelit në favor edhe të ndërhyrjes së NATO-s, edhe të së drejtave të njeriut që aq shpesh nëpërkëmben prej shteteve-kombe në emër të nacionalizmit dhe të “popullit”. Argumentin e presidentit të Republikës Çeke se “qeniet njerëzore janë krijim i Zotit” Zhizheku e pa si shprehje të fundamentalizmit fetar dhe qëndrimin e Havelit, të nyjëtuar në fjalën e mësipërme, si manifestim të çka e kanë quajtur “humanizëm militarist”, ose edhe “pacifizëm militarist.”
Sipas Zhizhekut, paradoksi i bombardimit të NATO-s kundër Serbisë kishte lidhje me ideologjinë e viktimizimit: kur NATO-ja ndërhyri për të mbrojtur viktimat kosovare, ajo u sigurua, në të njëjtën kohë, që këto të mbeteshin viktima, ose banorë të një vendi të shkatërruar, me një popullatë pasive; që nuk u inkurajuan të bëheshin një forcë politike-ushtarake aktive, në gjendje për të mbrojtur veten.
Ky është paradoksi bazë i viktimizimit, shkroi Zhizheku:
Tjetri që duhet mbrojtur është i mirë sa kohë që mbetet viktimë (prandaj edhe na bombarduan me foto të nënave, fëmijëve dhe pleqve kosovarë të dëshpëruar, që tregonin histori prekëse për vuajtjet e tyre); momenti kur ky Tjetër nuk sillet më si viktimë, por dëshiron të reagojë vetë, ai kthehet krejt papritur në terrorist, fundamentalist, trafikues droge. Kjo ideologji e viktimizimit global, identifikimi i subjektit njerëzor si ‘diçka që mund të dhunohet’, i shkon për bukuri kapitalizmit të sotëm global, pa çka se mbetet e padukshme për syrin publik më të shumtën e kohës.
Natyrisht, Zhizheku nuk e formuloi qartë, në këtë kritikë ndaj Havelit, qëndrimin e vet ndaj bombardimeve dhe ndërhyrjes së armatosur të NATO-s; në një kohë që Haveli, teksa e shpjegoi haptazi idenë e vet për ripërmasimin e rolit ndërkombëtar të shtetit-komb, nuk tha asgjë për të ardhmen e kombeve vetë, në një botë futuristike të sunduar nga organizma mbikombëtarë si OKB-ja në nivelin global dhe institucionet e shoqërisë civile në nivelin lokal.
Fakti është që Kosova vërtet mund të jetë ideuar, si shtet multikultural, nga njerëz të ndriçuar, që u frymëzuan prej ideve të lavdërueshme të Havelit; por sa më shumë që kalon koha, aq më shumë po dalin në pah, në politikën e atjeshme, pikërisht ato “interesa kombëtarë” kundër të cilave ishte shprehur, fare haptazi, presidenti çek; dhe çështja e Kosovës sot në Ballkan nuk mund të ndahet nga çështja kombëtare shqiptare, e cila për shumë kombas shqiptarë është ende e pazgjidhur dhe nuk mund të zgjidhet veçse nëpërmjet bashkimit të trojeve të banuara nga shqiptarë në një shtet të vetëm.
Edhe një herë – ironia e historisë, në këtë rast, ka të bëjë me atë që lufta e NATO-s kundër Serbisë u themelua mbi një filozofi të së drejtave të njeriut, që e shpërfillte në thelb sovranitetin e shteteve-komb dhe primatin e shtetit ndaj qytetarëve të vet dhe individit njerëzor në përgjithësi; mirëpo rezultati i sotëm, i saj lufte, është gjallërimi në Ballkan i një konflikti dhe i një lëvizjeje politike, sado difuze dhe folklorike, që synon përftimin e një shteti-komb të përbashkët të shqiptarëve; lëvizje që nuk do të ishte bërë e mundshme, pa u shkëputur më parë Kosova prej sovranitetit serb.
Shënim: botuar fillimisht në Shekulli, me titullin Kosova e Havelit, pas 12 vjetesh.
Nese nje shtet shkel te drejtat e njeriut te nje grupi te caktuar ne menyre sistematike atehere ai shtet e humb te drejten per ti qeverisur ata pra humb dhe sovranitetin mbi ata njerez dhe territoret e tyre. Arsyetimi i Haveli-t ne baze te kesaj linje mendimi eshte universal dhe besoj kjo paradigme eshte nje shkalle me tej ne evolucionin e teorise politike ne krahasim me “shtetin komb” dhe sovranitetin e tij.
Kjo linje mendimi nuk eshte se eshte kontradiktore me ekzistencen e shteteve komb nese i kuptojme ato si entitete qe perligjen nga sigurimi i lirise dhe disa te drejtave baze per nje grup apo etni te caktuar, qe perndryshe mund te jete nen nje shtet tjeter me pak lire apo edhe te persekutuar.
Prandaj besoj se edhe shteti dhe politika kosovare duhet te perqendrohen me teper ne mbarevajtjen e ekonomise dhe ngritjen e institucioneve te shendosha per tju sherbyer me mire qytetareve te tyre sesa te mundohen te shtrijne sovranitetin ne veri. Cfare i ofron Kosova sot qytetareve te vet e lere me atyre te etnise serbe pervec se institucione shume problematike, qe lejojne venien si kryeminister te nje ish te akzuari ne Hage qe doli nga gjyqi vetem pas terheqjes se deshmitareve kryesore apo lenien ne detyre te kryeministrit aktual qe edhe per lidhje ne trafik organesh eshte akuzuar (sa kredibel eshte ky kryeminister ne takime jetike me homologe vendesh te rendesishme si Gjermania apo SHBA)?
Lexova sot rastesisht nje interviste te kryetarit te levizjes Vetvendosja, Albin Kurti. Megjithese eshte e vertete qe, sic thuhet dhe nga vetvendosja, eksperienca ka treguar qe Serbise sa me mire ti sillesh aq me e eger behet pasi ne pjese te rendesishme te shoqerise se saj shovinizmi e racizmi jane akoma gjalle dhe mire mendoj qe nje levizje si Vetvendosja eshte me e pershtatshme ne Shqiperi sesa ne Kosove. Rolin a djalit plangprishes kundrejt Serbise dhe integrimit te parakohshem te saj ne Europe mund ta marre fare mire Shqiperia qe nuk ka ate borxh historik per krijimin e saj ndaj fuqive te sotme qe ka Kosova. Kosova duhet te perqendrohet per te bere me shume per qytetaret e vet ne radhe te pare sesa te filloje te flase me te njejten gjuhe me te cilen flisnin Serbet para 12 vitesh, te ruajtjes se sovranitetit dhe integritetit territorial ne veri, sic bente dhe Kurti ne intervisten e tij aktuale.
Ne qarqet e Natos, pas mbarimit te operacioneve, analiza e bere doli me formulimin interesant qe lufta ishte “ilegale por legjitime”. Nuk duhet harruar qe lufta e Kosoves nuk qe vetem rast unik per sa I perkrt ripermasimit te shtet-kombit. Kjo ngjarje perftoi nje Rusi me muskuloze dhe ndihmoi ngritjen e profilit te nje fare Putin. Sic shihet nga reaksioni shteti-komb me interesa nuk eshte se ngordhi. Perkundrazi. Nderkohe Zizek rref me teper te imperiumet korporatiste ne interes te te cileve eshte viktimizimi I popullatave qe kontrollojne resurse per te cilat tregjet kane nevoje
Ne fakt, pikerisht nje Kosove e pavarur shkon kunder argumentit te Zhizhekut mbi viktimizmin e popujve. I jep viktimave nje instrument ne dore per te marre vete ne dore fatin e tyre, per te mos qene me viktima.
Nje artikull i Zizekut per Kosoven i shkruar ne mars-prill te vitit 1999 :
http://saktivista.com/2011/08/kunder-shantazhit-te-dyfishte-mbi-kosoven/