Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Media / Totalitarizëm

BIRRË PËR PASOLININ

Shekulli kish botuar sot, nuk di mirë për ç’arsye, një shkrim të Pier Paolo Pasolini-t, me titull Barbaria që vjen.

Shkrimi i ilustron mirë disa nga shqetësimet e njohura të Pasolini-t, si artist dhe intelektual publik: efektin rrafshues dhe homogjenizues të centralizimit kapitalist, i cili arrihet kryesisht nëpërmjet infrastrukturave të transportit nga njëra anë, dhe mediave e veçanërisht televizionit nga ana tjetër.

Një intelektual i majtë, si Pasolini, vajton për shkatërrimin e kulturave periferike, në Italinë e tij, të cilën shekulli XX e hodhi nga prapambetja fshatare dhe provinciale, në ballë të zhvillimit teknologjik dhe kulturor global.

Artikulli tingëllon pertinent edhe për Shqipërinë e sotme, e cila njëlloj po i vuan pasojat e centralizimit, dhe për të njëjtat arsye: infrastruktura agresive e transportit dhe mass mediat, po aq agresive. Siç e vëren Pasolini për Italinë, edhe në Shqipëri sot përgjegjësia e televizionit në këtë proces rrafshues është e pamasë, ngaqë “televizioni nuk është thjesht një vend apo kanal për qarkullimin e mesazheve, por është para së gjithash qendër e përpunimit të mesazheve.“

Gjithsesi, Pasolini i shkruan këto për televizionin italian të fillimit të viteve 1970 (artikulli është i dhjetorit të vitit 1973).

Dhe në fillim të viteve 1970, televizioni italian ishte një nga të vetmet dritare që i kishin mbetur qytetarit shqiptar, sidomos në Tiranë, për t’i ajrosur hapësirat e veta të mendimit.

Po ai televizion, të cilin Pasolini e akuzon si “instrument autoritar dhe represiv”, po funksiononte për shqiptarët si një vegël e lirisë.

Pikërisht në 1973, kur botohej ky artikull, u mblodh në Tiranë famëkeqi Plenum IV, për të shpallur, në shkallë kombëtare luftën kundër “shfaqjeve të huaja”, të cilat kishin depërtuar në vend, para së gjithash, nëpërmjet televizionit italian.

Ai RAI që e llahtaris Pasolini-n, ishte shndërruar në një katalizator të një pranvere të vogël liberale në Tiranë; dhe sidomos në mjediset e kulturës dhe të artit. Festivali i 11-të, që e revoltoi aq shumë Enver Hoxhën, ishte modeluar sipas Festivalit të Sanremo-s, deri në detajet më të imta, si xhaketat fpsforeshente të orkestrantëve.

Në Itali vërtet po rrëgjoheshin e po zhdukeshin kulturat periferike dhe orale, që s’i bënin dot ballë buldozerit centralizues të Romës; por në Shqipëri mass mediat italiane patën një efekt anësor të papritur: ato vërtet mund ta kenë shfarosur diversitetin në Itali, por publikun e tyre, aksidental, të përtej detit, e ndihmuan që atë diversitet ta ruajë.

Një shqiptar si unë, që i ka jetuar ato vite të çuditshme, nuk e shmang dot efektin komik të artikujve si ky i Pasolini-t; jo ngaqë artikulli dhe autori vetë nuk kanë të drejtë, por ngaqë ai rrafshim dhe homogjenizim, që denoncon intelektuali italian, ndoshta ishin çmimi që paguante Italia, dhe në përgjithësi Perëndimi, për ta ruajtur dhe mbajtur gjallë njeriun në Lindje; dhe veçanërisht në Shqipëri.

Jerome K. Jerome tregon një anekdotë, për një turist anglez në Gjermani, që teksa i ngjitej një mali në Alpet e Bavarisë, e kishte marrë etja keq dhe i thoshte mikut të vet se ishte gati të paguante nuk di ç’shumë përrallore për një gotë birrë të ftohtë akull; por kur mbërriti në majë të malit dhe u fut në restorantin e privatit atje, u skandalizua pa masë me çmimin, pak të kripur, të birrës së ftohtë akull.

Nuk di pse m’u kujtua kjo histori, tani kur e lexova denoncimin e rreptë të Pasolini-t italian; dhe m’u kujtua ekrani me miza i televizorit në shtëpinë time, atë ditë dimri të vitit 1974, kur regjimi i Hoxhës vendosi ta fikë përfundimisht repetitorin e sinjalit të RAI-t në Dajt (thoshim: jo, jo, do të ketë qenë ndonjë rrufe), teksa Sanremo-t shqiptare ia linin vendin hit parade-it të çiftelive dhe të isove labërishte.

Ndoshta ngaqë Pasolini po më dëgjohet sot si ai turisti anglez, por pasi kish hyrë në restorantin alpin; ndërsa veten time, në atë kohë plenumesh, e shoh më shumë si në kacavarje e sipër, duke ëndërruar për shëlbimin prej birrës.

Pa Komente

  1. Edhe unë përkas brezit të humbur (apo të fituar?) sepse nëpërmjet RAI-t (Rai1 e Rai2) arriva të njoh e rinjoh vepra të letërsisë e muzikès klasike, madje edhe të asaj ruse, ku mund të përmënd fiktion : “Lufta dhe Paqja” italo-rus me regjizor S. Bondarçuk; “Dhe yjet rrijnë e vështrojnë” ,” Devid Cooperfield” kompozitor Rizz Ortolani; “Dueli”; “Netët e bardha” . Ndërkohë që RAI1 të hënave projektonte filmin e javës, Rai2 trasmetonte koncerte sinfonike me kalibra të tillë si Karajan, Mehta, Pollini, Bendetti Michelangeli, KONKURSET E ZERAVE ROSINIANE, VERDIANE, PUçINIANE ,
    …. sipas meje kohë të lavdishme, për ndëmarrjen e RAI-t që sot po kalon një krizë të paparë në historinë e saj dhe… mbyllja e repetitorit në Dajti, nëse nuk është legjendë metropolitane,…. u nzi menjëherë, kur gjatë një vizitë të papës në Pulia, jerarku katolik kujtoi praninë e një populli të vuajtur në brigjet përballë …
    ..

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin