NERON, ÇOHU!

Për ngjarjen po flitet prej rreth një jave, por asnjëherë ajo nuk ishte ngritur deri në faqen e parë të gazetave. Për pasojë, meqenëse jemi të gjithë në mëshirën e vlerave që përcakton tregu i informacionit (është e pamundur të jemi vetë të pranishëm kudo) të paktën personalisht nuk i dhashë karar të vrisja mendjen të mësoja më shumë për të sikur dje në darkë, duke u kthyer nga puna, të mos kisha ndeshur në një tubim prej disa qindra vetësh, para të cilëve ishin rreshtuar forca të mëdha policie.

E gjithë kjo zhvillohej para hyrjes së një Teatri kombëtar, që gjendet vetëm pak dhjetëra metra larg shtëpisë sime (dhe që në kohë pa krizë e kam si shtëpi të dytë).

Mbi kryet e turmës lexohej një pankartë e madhe ku qe shkruar « Republika është laike, Franca është katolike » dhe manifestuesit nuk ishin tjetër veçse një grup besimtarësh të krishterë të cilësuar nga shtypi si ultra katolikë. Arsyeja e zemërimit të tyre ishte një pjesë e argjentinasit Rodrigo Garcia e titulluar « Mbi konceptin e fytyrës së birit të Zotit », e cila është vënë në skenë nga R. Kasteluçi. Ndryshe shfaqja njihet edhe me titullin : Golgota piknik.

Protestat kishin filluar para rreth një jave në Tuluzë (Teatri i Garonës) dhe gjetiu, por shfaqjet nuk ishin ndërprerë për asnjë çast. Në rastin më të keq, spektatorët kishin dëgjuar zërat e protestuesve, që mbaheshin në distancë nga policia.

Sipas gjasave dhe përshkrimeve që po bëheshin , brenda në skenë Krishti endej i veshur me pelena fëmijësh dhe shkelte më këmbë mbi skenën e mbushur me hamburger (si shprehje ironie e mrrekullisë që ai bëri për të ushqyer turmën në Galile) ndërkohë që plaga e hapur e trupit të tij ishte e mbushur me kartëmonedha bankare. Dikush i thotë që të ngrihet e të punojë për të nxjerrë bukën e jo të bëjë magjira të tilla. Më tutje disa fëmijë e gjuajnë me gurë, dhe një pianist i zhveshur lakuriq, interpreton Mesinë e Hajdnit. Tonet kristianofobike janë të hapura.

Artistët siç duket duan të tregojnë se edhe vetë ikonografia e krishterë është simbol i terrorit dhe barbarisë.

Ndërkohë, pak më tutje një grup tjetër po formohej për t’iu kundërvënë ultrakatolikëve . Mbaheshin si shoqatë « antifashiste ». Pikërisht nga ai krah dëgjova një zë të fortë që thirri : Neron, çohu, ka ende katolikë !

Gjendja u tensionua dhe një skuadër policësh të armatosur rëndë u futën midis dy grupeve, për të shmangur ndonjë përleshje.

Grupi tjetër ruajti dinjitetin dhe nuk iu përgjigj provokimit. Për një çast ndjeva një dëshirë të beftë të rreshtohem në anën e fshistëve.Pjesa më e madhe e tyre ishin të rinj universitarë. Në një çast të gjithë ranë në gjunjë. Vetëm një vajzë me kryq në dorë qendroi në këmbë.

Nuk e besoja se po të kishin trajtuar në një mënyrë të tille pasues të besimeve të tjera, gjithçka do të kishte kaluar në heshtje, në faqet e shtypit, siç ndodhi sot.

Kisha lexuar se besimtarët katolikë grupoheshin para teatrove përt të bërë lutje që kishin për qëllim të pastronin fytyrën e Shpëtimtarit nga ndotjet që i bënin, por mbrëmë vërejta se prifti që fliste aty para meje kishte një diskurs krejt tjetër. Ai përmendi e mori në analizë një sërë shembujsh të koriofejve të teatrit botëror krijimtaria e të cilëve ishte bërë pjesë e pasurisë shpirtërore të njerëzimit (përmendi aktin e sakrificës së Antigonës së Sofokliut, foli për Molierin e Shekspirin), pa qenë nevoja që në veprën e tyre të fyenin a poshtronin ndjenjat e besimtarëve, të cilës do fe qofshin.

Një arsyetim tek i cili nuk shihja ndonjë arsye të dukshme për ta qortuar. Vërtet Shekspiri ka një çikë problem me Shylock-un te Tregtari I Venedikut, por ama Shylock-u nuk është Davidi, tha!

Ndërkohë të gjithë po bëhemi dëshmitarë se cilësia e fjalëve që përhapen rrotull një vepre artistike, zërat, zhurma, thashethemet, e gjithë kjo pra, ka ndryshuar së tepërmi. Rrallë flitet për vlera artistike, për personazhe, problematikë të panjohur etj.. Gjithçka është zëvendësuar me zhurmën që bëjnë efektet goditëse, shokuese, turbulluese. Me sa duket Golgota picnic është në këtë linjë.

Nuk është se nuk i pëlqej e përkrah gjetjet e reja regjisoriale, vënien në dyshim edhe të vlerave që shiheshin si të padiskutueshme, por duhet thënë se Romeo Kasteluçi ka një jetë të tërë që bën teatër, por emri tij nisi të bëhej i njohur vetëm tani që veshi Krishtin me pelena dhe vuri kartëmonedha në plagët e hapura. Por megjithatë, nuk e di nëse personazhi në fjalë është turbulluar nga një trajtim i tillë. Ekzistenca e tij dhe e pasuesve të tij, me sa kam dëgjuar është poshtruar dhe ka parë ditë mjaft më të zeza. E gjitha kjo më kujtoi një shprehje mesjetare që thote: Un chien regarde bien un evêque*.

Për ata që thonë se shfaqja ka synim të ngrihet kundër ndjenjës së fajësisë që injekton kisha dhe doktrina e krishterë do të thoja se autorët janë kujtuar pak si me vonesë.

Ky episod është konsumuar nga mendjet e shquara të Rilindjes, që iu kundërvunë Kishës atëherë kur ajo ishte një shtet brenda shtetit. Eshtë me të vërtetë vonë dhe duket si trimëri pas lufte të shfytyrosh imazhin e Krishtit e të provokosh ata që besojnë në të tani që numri i atyre që vizitojë një herë në javë famullinë e lagjes, luhatet aty te 3% i popullsisë! Aq më teper në Francë, ku prej më shumë se njëqind vjetësh kisha nuk është as pronare e objekteve të kultit ku strehohet!

………………….

*. Në Mesjetë kur peshkopi dhe shpura e tij dilnin në qytet, njerëzit e thjeshtë ishin të porositur të mos ngrinin sytë e ta shihnin. Natyrisht ata  i përmbaheshin porosisë, por kush u mbushte mendjen  qenve të rrugës të bënin të njëjtên gjë…

No Comments

  1. Eshte fakt i mire ilustrues. Po qe se do ti’i kishte ndodhur nje personaliteti, pa dyshim qe ngjarja do te dilte ne faqen e pare dhe ai miku mund ta rrezikonte mandatin e e dyte te Obames po qe se do ti shkonte ne mendjen te behej president.
    E gjithe ngjarja shpjegohet me profesionin e tij. Eshte privilegj i punonjesve sociale, qe atje ku te tjeret shohin nje kriminel te rrezikshem ato zbulojne gjithnje nje fatkeq, fati i te cilit eshte vulosur nga ngjarje te caktuara te feminise, dike qe jeta e ka vene me shkelma perpara…