DY PAMJET E ALISË

nga Xhabyni

Debate të shumta pasuan vdekjen e sekretarit të fundit të Partisë së Punës, i cili ishte edhe presidenti i parë post-diktatorial. Debatet shtriheshin që nga përcaktimi i figurës së Ramiz Alisë dhe raportet e tij me diktatorin Hoxha e deri tek lejimi apo moslejimi i ceremonisë sipas protokollit për një figurë kaq shumë komplekse.

Nuk më shkon ndër mend që të shtjelloj në përpikmëri të plotë të gjitha të dhënat që ka një figurë kaq shumë e koklavitur (sikundër çdo figurë tjetër e regjimit diktatorial) por dëshiroj të shpreh qëndrimin tim se përse jam kundër “rishikimit” të historisë dhe të parit nga një kënd ndryshe i figurës së Alisë, e më pas të shtjelloj se përse do të isha kundër kryerjes së ceremonisë zyrtare të varrimit nga ana e protokollit të shtetit.

Pikë së pari më duhet t’i përgjigjem një reagimi që mund të lindi natyrshëm nga kushdo që do ta lexojë këtë shkrim. Dikush mund të shprehet se i vdekuri nuk fyhet dhe as nuk nëpërkëmbet sepse sipas traditës sonë për të vdekurin duhet të fliten vetëm fjalë të mira. Një reagimi të tillë do doja t’i përgjigjesha me një shprehje tjetër të dalë nga goja e popullit tonë: çfarë do të mbjellësh atë do të korrësh, me këtë dua të them që një personazh historik (e për më tepër publik dhe politikan) nuk mund të futet në vorbullën e thjeshtë të një proverbi apo një zakoni popullor, sepse pozicioni që ai ka pasur në shoqëri të detyron të gjykosh çdo lloj veprimi që ai ka kryer gjatë karrierës së tij apo edhe jetës së tij. E duke qenë se personi në fjalë ka ndikuar në një farë mase mbi gjendjen aktuale që po kalon shoqëria jonë e shoh si të pavend reagimin.

fjalimin e mbajtur nga historiani Xhufi, i ndjeri Alia paraqitet si një personazh heroik gati-gati si një shenjtor mistik i cili me shenjtërinë që e karakterizonte arriti ti falë Tiranës një “pranverë si ajo e Pragës” duke harruar se ishte pikërisht Alia ai person i cili firmosi dhe urdhëroi zhdukjen e religjionit (rast unik ky në botë) nën tagrin e anëtarit të Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985). Ishte pikërisht Alia që i linçoi klerikët duke i akuzuar si agjentë të fuqive të huaja, ishte sërishmi i njëjti person që damkosi në mendjen e shqiptarëve ideologjinë e partisë. Ishte përgjegjësi kryesor dhe kishte mbi shpatullat e tij një nga rolet më domethënëse të regjimeve totalitare atë të propagandës, pozicion që e pat mbajtur në fillimet e karrierës së tij edhe Stalini në BS. E jo vetëm kaq por hyjnizimi i kësaj figure vazhdon edhe më tej kur me kapërcime të fakteve edhe të dhënave historike (e çuditshme kjo për një historian) duke i atashuar Alisë rolin e bashkuesit të dy pjesëve të ndara të kombit (pra Kosovës dhe Shqipërisë) dhe duke harruar një fakt tejet të rëndësishëm se i Ramiz Alia ishte një nga të dyshuarit dhe të akuzuarit kryesorë për atë që njihet si masakra e Tivarit.

Po kështu shenjtërimi dhe mbrojtja e figurës së tij vazhdoi të trumbetohej edhe në median e shkruar por edhe në emisionet televizive të ditëve që pasuan. Shumë prej mbrojtësve të figurës së Ramiz Alisë pretendonin edhe në rastin më të mirë supozonin se ai kishte qenë një Hrushov për Shqipërinë. Kur i hedh një sy historisë dhe ngjasimeve mes këtyre dy figurave me shumë mundësi nuk do të arrish të gjesh asnjë fakt të përbashkët mes tyre (përjashto të jetuarit dhe të qenurit pranë dy kriminelëve në pushtet). Hrushovi dhe Alia nuk kanë asgjë të përbashkët, sepse Alia u përzgjodh nga vetë diktatori si pasuesi i tij (sipas dëshmisë së Fatos Lubonjës, ai ishte përzgjedhur që në vitet 60’) ndërkohë që Stalini nuk e la pasues të tijin Hrushovin. Ky nuk i kishte ndenjur dhe aq afër Stalinit aq sa ai ta mposhte me madhështinë e tij, por nga ana tjetër nuk i kish ndenjur dhe aq larg sa të humbiste çastet e fundit të jetës së tij. Ndërkohë që Ramiz Alia mund të themi se ka qenë hija e Enver Hoxhës, në çdo sektor ku Hoxha dhe Partia zbulonte agjentë ka qenë i emëruar Ramiz Alia, i cili çuditërisht ka shpëtuar i paprekur nga spastrimet paranoide të diktatorit. Pra të mendosh që Alia ka qenë një princ i kaltër, i cili po priste momentin për të shpëtuar princeshën e tij (Shqipërinë) nuk është i saktë.

U përsiat shpesh në media se Alia ishte i vetmi intelektual i byrosë politike të asaj periudhe. Së pari nuk e shoh fare të përshtatshëm temrin intelektual jo vetëm për Ramiz Alinë por për kohën e diktaturës në përgjithësi, duke qenë se intelektuali ka si shërbim parësor të tijin shoqërinë dhe shërbimin ndaj saj e duke qenë se shërbimi ndaj shoqërisë Shqiptare gjatë diktaturës ishte inekzistent për shkaqe që dihen atëherë mendoj se nuk ka pasur intelektual. Mund të them që Alia ka qenë një komunist i shkolluar, ndryshe nga kasta e pashkolluar që qeveriste Shqipërinë, e ky shkollim në vetvete duket se mbarte shpresa tek ata shqiptarë që vërenin me ankth kursin e ri që ai do ndiqte. Por të gjithë herët a vonë e kuptuan që Alia vetëm sa imitonte rolin e të zotit të tij, teksa ia zbatonte me përpikmëri çdo porosi (a thua se i zoti po e shihte për së gjalli). Moshapja e kufijve por edhe ndjekja e një politike akoma më shumë ortodokse ndaj ekonomisë, që kulmoi me refuzimin e ofertës së guvernatorit Shtraus, na tregojnë se jo vetëm Alia nuk ishte intelektual, por ishte më shumë i ideologjizuar se sa i shkolluar. Për më tepër që me ardhjen e tij në pushtet u përpoq më shumë të merrej me glorifikimin dhe hyjnizimin e diktatorit se sa me çështje jetike për vendin. Kështu që filluan të ndërtoheshin (ndërkohë që vendi nuk kishte se me çfarë të ushqehej) monumente ku evokohej pavdekshmëria e Enver Hoxhës dhe për të mishëruar këtë veprim Ramiz Alia pranë varrit të tij do të thoshte këto fjalë hyjnizuese “Enver Hoxha nuk ka ditë të vdekjes, por vetëm ditë të lindjes”.

Hyjnizimi i Ramiz Alisë vijon të kryhet edhe kur pohohet se ai nuk kishte urdhëruar një gjakderdhje, natyrisht nëse ai do të urdhëronte një manovër të tillë atëherë Shqipëria do ta pësonte keq. Gjendja ekonomike e shqiptarëve të atyre viteve ishte për të ardhur keq dhe ishte shumë e vështirë që të mobilizoje një grup (më shumë se sa një çetë) për të ushtruar presion ndaj atyre që donin diçka të ndryshme nga ajo që na kish lënë trashëgimi diktatori. Duke parë një situatë të tillë ku mbi 98 % e popullatës nuk arrinin dot të ushqeheshin me tollona ishte më se e kuptueshme që Alia nuk do të përdorte dhunën si paraardhësi i tij dikur me kryengritjen e Postribës. Kështu që edhe dëshira, nëse ka pasur një dëshirë të tillë të Alisë, për të shtypur me dhunë këtë lëvizje nuk mund të realizohej. Mirëpo askush nuk duhet të harrojë se ishte Alia ai i cili urdhëroi vrasjen e atyre që tentuan të kalojnë kufirin, askush nuk mund të harrojë se gjatë regjimit të tij u urdhëruan që të vriteshin studentët e Shkodrës. Ishin pjesë të qeverisë së tij që inskenuan dhe nxitën revolta në Shkollën e Bashkuar e në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë, si për të treguar që ne kemi bastionet tona komuniste.

Por ajo që vlen më shumë të përmendet është se ky person i cili nuk besonte tek pluripartitizmi, tek pluralizmi i mendimit, tek liria e ndërgjegjes dhe e veprimit befas në një ditë të bukur marsi u shndërrua në presidentit e parë pluralist në Shqipëri. Pikërisht ai i cili sipas një ish zyrtari të lartë të shtetit shqiptar “kishte njohuri të kufizuara mbi pluralizmin” por që sipas pamjeve të shumta që na vijnë nga arshivat kuptohet që është tërësisht e kundërta kthehet në presidentin e parë në një Shqipëri demokratike. Ndryshe nga “adashi” i tij në Rumani i cili u pushkatua përmes një gjygji popullor, Ramiz Alia u shndërrua në presidentin e parë të pluralizmit duke shënjuar në një farë mënyrë edhe një kuptimësi të asaj që ne po përjetojmë sot.

Por edhe pse një ish-president, apo më saktë presidenti i parë i demokracisë pluraliste, ai asnjëherë nuk shprehu pendesë mbi veprimet e tij në periudhën komuniste. Asnjëherë nuk shfaqi pendesë mbi burgimet e padrejta dhe vrasjet e padrejta të kryera në dëm të atyre që nuk mendonin si ai ndërkohë që brenda një ironie dhe cinizmi djallëzor evokon drejtësi ndaj gjykimit të keq që i bëhet komunizmit dhe qeverisjes së tij dhe Enver Hoxhës. Asnjëherë nuk u kërkoj falje atyre familjeve që i persekutoj regjimi që ai kishte propaganduar për thuajse 20 vjet ani pse ishte shndërruar nga një diktator në një president ai sërishmi nuk u pendua, komunizmi për të vdiq por ligësia e tij jo!

I nisur nga ky fakt i fundit, por pa harruar asnjë moment nga ato çka përmenda më sipër, shtrohet një pyetje: A i takon Ramiz Alisë të varroset sipas një protokolli shtetëror? Unë mendoj që jo. Nuk mendoj se i takon një individi kaq të paskrupullt, saqë shpesh duket se e ka marrë mandatin si president i parë i Shqipërisë pluraliste jo për të zbutur kalimin nga një rend në tjetrin, por për të ruajtur marrëdhëniet e tij me pushtetin, i cili edhe në ditët më të vona të tij sërishmi nuk diti t’u kërkojë falje atyre Shqiptarëve të cilët regjimi i ndërtuar dhe (për katër vjet) i udhëhequr prej tij i dënoi, i vrau dhe i persekutoi.

Shënim: Shkrimi botohet me fare pak redaktime (titulli është i PTF; titulli në origjinal ishte Post Mortum: “Shenjt” apo “Djall”?).

Nuk ka komente

    1. Fatma, i gjithë shkrimi është dialog midis cave që pretendojnë se kanë parë një lloj Ramizi, dhe cave si autori që kanë parë llojin tjetër. Ti ke një farë të drejte, them, kur gjen vetëm një pamje – atë të autorit – pasi tjetra është kryesisht mospamje, pandehmë, është e paparë ndër pamjet.

  1. “Alia u përzgjodh nga vetë diktatori si pasuesi i tij (sipas dëshmisë së Fatos Lubonjës, ai ishte përzgjedhur që në vitet 60’)”
    Tobestrakfurullah! Lubonja referencë historike?!
    Nuk e di se nga e ka përjetuar historinë Xhabyni, por me aq sa mund t’i kujtoj unë, në vitet 60′ kishte Mehmet Sheh e Hysni Kapo akoma…

    1. Pse jo, kur ka qene deshmimtar i kohes dhe akoma me shume ka qene i biri i nje nga nomeklaturisteve me pozite te regjimit?

    2. Lubonja ne nje emision te Blendi Fevziut deklaroj se kishte degjuar nga i ati i tij (Todi Lubonja) se si Enver Hoxha kishte levduar Ramiz Aline ne sy te Mehmetit duke thene “E u plakem neve o Mehmet ja te rinj si ky do ta trashegojne pushtetin tone”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin