Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Politikë / Sociologji

HISTORI E INSKENUAR

Thirrjet për rivështrim të historisë po i dëgjojmë prapë së fundi, së bashku me reagimet disiplinore ndaj tyre; por dukuria vetë nuk përfaqëson ndonjë risi në vazhdën e debateve kulturore mes shqiptarëve; meqë e ndesh që në fillimet e përpunimit të vetëdijes kombëtare gjatë Rilindjes.

Këtë herë zjarrin e indinjatës e rindezi një kërkesë e qeverisë turke për ndryshim të teksteve shkollore të historisë në Republikën e Kosovës; edhe pse kjo kërkesë u shërbeu, në fakt, vetëm si pretekst të njëjtave palë që i njohim tashmë, për t’i formuluar edhe një herë e me shkronja të mëdha pozicionet e tyre dhe krekosjet morale.

Që debate si këto shtjellohen kryesisht në kuadrin e një diskursi në thelb kombëtarist, ose larg tryezave akademike dhe pretendimeve për objektivitet, kjo nuk e ndihmon as publikun as të vërtetën.

Ka lëvizje politike dhe kulturore që kthejnë sytë nga e shkuara për të qëmtuar aty padrejtësi gjithfarësh të cilat mbeten ende për t’u larë ose shlyer; dhe pastaj pikërisht mbi shtysën morale dhe emocionale për t’i vënë në vend këto padrejtësi duan të themelojnë edhe misionin e tyre.

Ka edhe lëvizje politike dhe kulturore të tjera, të cilat gjejnë në të shkuarën modele ose ideale të një realiteti të dëlirë, të cilin kërkojnë ta restaurojnë në të tashmen me anë të purifikimit, por edhe duke ndrequr gabimet, padrejtësitë fyerjet, krimet ose nëpërkëmbjet që do të kenë ndodhur ndërkohë.

Në të dy herët, historia përfundon e instrumentalizuar për të ndihmuar veprimin politik në të sotmen, nëpërmjet një mekanizmi motivues që nuk është se ndryshon shumë nga ai universal i shpagimit ose  hakmarrjes, por që rregullisht na prezantohet si i themeluar mbi patriotizmin.

Këtë lloj ballafaqimi e ndesh edhe kur është fjala për historinë e afërt, si atë të regjimit totalitar në Shqipëri ose të qëndrimit për t’u mbajtur kundrejt lëvizjeve politike alternative ndaj Frontit Na-Çl gjatë Luftës II Botërore; edhe kur është fjala për të vlerësuar periudha më të largëta, si ajo e shekujve të sundimit osman, i cili sundim nga një palë shihet si flamë ose e keqe absolute për shqiptarizmën madje edhe të sotmen, ndërsa nga një palë tjetër si faktor i ruajtjes së kombit shqiptar në Ballkan dhe i ngjizjes së identitetit shqiptar pasmesjetar; e deri në periudha edhe më të hershme, si ajo e ndërmarrjes anti-osmane të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), në shekullin XV.

Debatet me temë historike kanë përfshirë të majtët dhe të djathtët, të rinjtë dhe të vjetrit, konservatorët dhe progresistët, kombëtaristët dhe multikulturalistët, nostalgjikët dhe të përndjekurit e kohës së komunizmit, laikët dhe fetarët, të krishterët dhe myslimanët; duke ndikuar jo vetëm në politikat arsimore dhe kulturore, ose në marrëdhëniet mes komuniteteve, por edhe sfera të tjera më të larguara, si politika e jashtme dhe marrëdhëniet me fqinjët.

Pluralizmi politik e sjell gjithnjë me vete rrezikun e përçarjes, sidomos në kontekste të pamësuara me të, si ky yni; por rreziku i përçarjes vjen dhe rritet në atë masë që dialektika politike artikulohet sipas çështjeve të së shkuarës, ose që s’mund të ndryshohen më. Sido që të jenë punët, e majta dhe e djathta nuk pritet të bien dakord për vlerësimin që i japin, bie fjala, Ballit Kombëtar; as do të bien dakord myslimanët dhe të krishterët, për natyrën dhe arsyet e përqafimit të Islamit nga një pjesë e madhe shqiptarësh në Ballkan. Nëse disa katolikë dhe filo-katolikë të frymëzuar duan ta ndriçojnë me çdo kusht rolin e Gjergj Kastriotit si mbrojtës të Krishterimit europian, kjo mund t’i bëjë të tjerët, ata që nuk e identifikojnë shqiptarinë e tyre me katolicizmin, të ndihen të jetërsuar.

Po sa janë gjasat që shqiptaria, qoftë edhe si ideologji kombëtare dhe përtej përdorimit instrumental që duan t’i bëjnë kombëtaristët, të themelohet mbi të shkuarën dhe interpretimin unitar të historisë? Kam frikë se këto gjasa mbeten të vogla dhe se, përkundrazi, vëmendja e tepruar ndaj historisë dhe shfrytëzimi i kësaj për të motivuar veprimin e sotëm politik veçse do t’i thellojnë të krisurat në ekuilibrat politikë, socialë dhe kulturorë ende aq të brishtë mes shqiptarëve, në Shqipëri dhe gjetiu.

Kjo do të thotë edhe që formulimi i politikave të sotme, brenda dhe jashtë vendit, në diplomaci dhe në kulturë, në administratë dhe në arsim si thjesht mënyra për të ndrequr padrejtësi të djeshme duhet shmangur me çdo kusht. Nëse Shqipëria e sotme është produkt i zgjedhjeve dhe i zhvillimeve politike të shkuara, kjo nuk do të thotë se e tashmja duhet të mbetet peng e dinamikave të së djeshmes. E djeshmja vërtet nuk duhet harruar kurrë, por as arsye pse të na shërbejë doemos si busull; për shembull, edhe vetë kombëtaristëve do t’u dëgjohej më mirë zëri po të argumentonin se shqiptarët meritojnë të jetojnë së bashku sepse janë një popull unik me kulturë dhe gjuhë unike, sesa po ta përligjnin kërkesën e tyre për bashkim kombëtar me argumentin e padrejtësisë historike që u është bërë shqiptarëve kur i ndanë në disa shtete.

Përkundrazi, ideologjia kombëtare do të përfitonte tej mase, sikur të themelohej mbi një program për të ardhmen, i cili duhet të jetë cilësisht i ndryshëm nga ai i Rilindësve një shekull e kusur më parë; sepse rrethanat historike kanë ndryshuar dhe nuk ka kuptim të përballen sfidat e aktualitetit me ndihmën e hartave luftarake të trashëguara.

Avantazhi i një programi të tillë, që vështron nga e ardhmja është se lejon të shpërfillen, qoftë edhe vetëm taktikisht, nëpërkëmbjet, dasitë dhe përçarjet brendashqiptare, që kanë origjinën te një histori që, për ta thënë butë, nuk është treguar ndonjëherë mirëdashëse dhe bujare me ne shqiptarët. Ky program mund të përfitonte edhe nga situata gjeopolitike që është krijuar pas 1990-ës në rajonin tonë: me dy shtete shqiptare në Ballkan, me Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe predisponimin pozitiv të fuqive të mëdha, duke filluar nga ShBA, ndaj faktorit shqiptar. Gabimi më i madh që mund të bëjmë, në këto rrethana, është që ta shfrytëzojmë këtë situatë të favorshme për të larë hesape dhe gjaqe të vjetra, të nxjerra nga sëndukët e historisë, që kundërmojnë naftalinë.

Edhe sikur të rishkruhen tekstet shkollore dhe veprat historiografike akademike sipas orekseve të kësaj apo asaj pale, apo në pajtim me këtë apo atë koniunkturë të favorshme, historinë nuk do ta ndryshojmë dot dhe disfatat e djeshme nuk do t’i shndërrojmë dot sot në fitore; madje as do të ndryshojmë dot faktin që shqiptarët sot nuk kanë ç’të përfitojnë shumë nga lavditë e dikurshme, reale dhe të imagjinuara. Duke i ringjallur debatet historike dhe inskenuar, këtë herë në formë diskursive, përleshjet dhe betejat e shekujve më parë, historinë nuk jemi duke e rishikuar, por duke e inskenuar sërish e sërish, a thua se nuk na mjafton çfarë kemi hequr deri më sot!

Ballafaqimet, karshillëqet dhe përgjakjet mes partizanëve dhe ballistëve, komunistëve dhe kolaboracionistëve, zogistëve dhe antizogistëve, haxhiqamilistëve dhe properëndimorëve, ortodoksëve dhe katolikëve, arbërve dhe osmanëve, “turqve” dhe “kaurëve” nuk është se do të mund të përfundojnë ndryshe, po të përsëriten në trajta polemikash në mediat. Rishikimi i historisë nëpërmjet rivënies në skenë të konflikteve të djeshme është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet çështjes shqiptare në koniunkturat politike dhe kulturore bashkëkohore.

Shënim: Ky shkrim është botuar në Shekulli, më datë 12 shtator 2011.

Pa Komente

  1. Ndokush beson se intoleranca është problemi…
    sipas meje, problemi është tolerimi… jemi shumë tolerantë dhe tolerojmë rreth gjithçkaje.
    Tolerojmë kë gabon dhe thotë gënjeshtra
    kë vjedh dhe mashtron
    kë flet pa ditur (bile edhe ata që flasin me bindjen se dinë)
    kë nuk dëgjon dhe nuk sforcohet që të kuptojë
    kë vret dhe ata që mbeten indiferentë ndaj vrasjeve
    kë mendon vetëm për vehten e tij (dhe që edhe krenohet me superficialitetin e tij).

    Ndoshta jemi tolerantë me të tjerët që… të mund të jemi edhe me vehten tonë…

    Ndoshta, një intolerancë e shëndetshme do ishte shumë më e nevojshme…

    1. Edrus:

      Ndoshta, një intolerancë e shëndetshme do ishte shumë më e nevojshme…

      A mund ta shtjellosh pak këtë nevojë për intolerancë në një shoqëri shumëfetare, si jona?

      1. Kush mashtro/vjedh/vret nuk ka pse të fshihet apo të mbrohet nën vellon e tolerancës fetare… në këtë rast, trupin ekzekutues ndaj një myslymani do e bëja me myslymanë, ndaj një ortodoksi me ortodoksë dhe ndaj një katoliku me katolikë… dhe besoj se do e ndjeja shpirtin të qetë me tolerancën fetare

  2. Përkundrazi, ideologjia kombëtare do të përfitonte tej mase, sikur të themelohej mbi një program për të ardhmen, i cili duhet të jetë cilësisht i ndryshëm nga ai i Rilindësve një shekull e kusur më parë; sepse rrethanat historike kanë ndryshuar

    Jo se nuk jam d’accord, por kur lexoj qe rrethanat historike kane ndryshuar dhe kujtoj neo-Osmanizmin e Davutolluse, ndryshimi per mua mbetet semantik. I vetmi ndryshim qe shoh eshte se, ndersa osmanet e vjeter shikonin drejt Evropes, veshtrimi i te rinjve eshte kthyer vendosmerisht drejt stepave ku jetojne popujt Turkomane, dhe drejt perftimit te nje lavdie te re qe ka mesuar prej pesimit te historise. Ku mbetet Shqiptari ne kete kontekst: ashtu si ka qene me pare ne kontekstin e vjeter. Nje tribal kokeshkrete per te cilin nuk ia vlen as ti ndertosh rruge (packa se Enka po na i nderton rruget keto dite)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin