Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Jurisprudencë / Politikë

SI LËVIZ PRESIDENTI

Të enjten që shkoi, Panorama botoi një analizë të Denar Bibës (“Kujt i duhet presidenti”) për çështjen e Presidentit të Republikës – si çështje politike, por edhe si çështje kushtetuese.

Meqë momenti kur do të zgjidhet Presidenti i ri po afrohet, palët debatuese duken të përqendruara kryesisht në procedurën e zgjedhjes në Parlament, në raport edhe me çfarë u përcaktua nga ndryshimet kushtetuese të paradokohshme, të cilat praktikisht ia dhuruan pushtetin – të tre pushtetet – ekzekutivit.

Shkruan Biba:

Ndër intelektualët dhe profesionistët e së drejtës është e vendosur bindja se edhe ndryshimet kushtetuese ndihmuan në përkeqësimin e strukturës politike e kushtetuese. Duke i dhënë në letër mundësinë potenciale maxhorancës qeverisëse (të cilësdo ngjyre) të zgjedhë Presidentin e Republikës vetëm me votat e saj (gjysma plus një e deputetëve të Kuvendit), amendamentet kushtetuese të prillit 2008 ishin një shkelm demokratik në të ndenjurat njomëzake të Republikës së shqiptarëve. Në fakt, ndryshimi shkon në favor të demokracisë klasike, asaj ku shumica vendos në emër të të gjithëve, duke mos marrë absolutisht në konsideratë vullnetin e minorancave apo të individëve të paangazhuar. Pak kohë më parë, kësaj forme të qeverisjes i thërrisnim “diktatura e proletariatit”. Në teorinë perëndimore e gjejmë në togfjalëshin “diktatura e shumicës” ose “bandokracia”. Siç shkruante Medison-i që në 1789-n: “Tirania e legjislatorëve është aktualisht ankthi më i frikshëm dhe do të jetë i tillë për shumë vite. Ajo e Ekzekutivit do të vijë në vijim, në një kohë të mëvonshme”. Pikërisht për arsye të tilla të larta, me largpamësi, themeluesit e rendit të ri botëror (pjesë e të cilit po rropatemi të bëhemi) zgjodhën Republikën kundrejt Demokracisë, duke e kufizuar vullnetin shtypës të shumicave periodike përmes një kontrate madhore e vështirë të ndryshueshme (që e quajtën Kushtetutë), ku u sanksionuan të drejtat dhe detyrimet e pushteteve, ndarja e balancimi i tyre dhe, mbi të gjitha, një “shportë” (pa fund) lirish e të drejtash të padhunueshme, që njerëzit i gëzojnë thjesht e vetëm se lindin të tillë.

Meritë e veçantë e shkrimit është se ndryshimin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit e fut në kontekstin më të gjerë, të rolit që i është caktuar të luajë Presidentit, nga Kushtetuta, brenda Republikës; duke përmendur, mes të tjerash, edhe për dy tirani që mund të lëshojë nga zinxhiri kulti i demokracisë aritmetike ose të shmicës: tirania e legjislatorëve dhe tirania e ekzekutivit. Janë tema të cilave, herë pas here, u jemi kthyer edhe këtu në PTF.

Çfarë na duhet Presidenti? – pyet Biba; dhe jep këtë përgjigje:

Presidenti duhet, ai i duhet popullit dhe i duhet i tillë që, bashkë me Gjykatën Kushtetuese, të garantojnë e mbrojnë të drejtat e çdo shqiptari, vlerat demokratike dhe kushtetuese kur këto kërcënohen nga ligje të Parlamentit, akte të Ekzekutivit dhe manovra politike të paprincipta.

Presidenti që, potencialisht në letër, mund të zgjidhet vetëm me votat e maxhorancës qeverisëse në Kuvend nuk është Presidenti që do të mund të kryejë misionin e paraparë për të nga Kushtetuta kur e ka konsideruar “Kryetar të shtetit dhe përfaqësues të unitetit të popullit”(neni 86, pika 1). Formula aktuale e zgjedhjes së Presidentit, e prezantuar me amendamentet kushtetuese të prillit 2008, është në kundërshtim me parimet kryesore kushtetuese, që janë edhe kolonat mbajtëse të Republikës.

Kjo do të thotë edhe se Presidenti i zgjedhur sipas procedurës ekzistuese in extremis nuk mund të jetë përfaqësues i unitetit të popullit; me fjalë të tjera, procedura e tanishme e shkel Kushtetutën, së paku në frymë, duke lejuar që:

i njëjti grupim a koalicion politik që ka maxhorancën në organin legjislativ (Kuvend), [të ketë] edhe Ekzekutivin dhe [të ushtrojë], pa asnjë dyshim, një ndikim të jashtëzakonshëm dhe ekstrakushtetues mbi Gjyqësorin.

Autori shpreson që opozita ta bëjë të vetin, herët a vonë, detyrimin moral dhe ligjor për rikthimin e integralitetit kushtetues dhe vlerave të cenuara republikane; meqë cenimi i këtij integraliteti e dëmton funksionimin e Kushtetutës në tërësinë e vet.

Nga ana tjetër, shpjegon Biba, kuadri i tanishëm procedural është i tillë, që e lejon opozitën t’ia heqë kushtetueshmërinë, nëpërmjet bojkotimit të seancës, çdo orvatjeje për ta zgjedhur Presidentin me shumicë aritmetike në Parlament; duke iu referuar, për këtë arsyetim, precedentit të (mos)zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës:

Ndër dy argumentet e rreshtuara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës që, me vendimin e saj (Nr. KO 29/11) e konsideroi procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës si antikushtetuese, i dyti kishte të bënte pikërisht me mungesën e shumicës së cilësuar nga Kushtetuta për nisjen e kësaj procedure. Neni 69, paragrafi 3 i Kushtetutës së RK parashikon se: “Kuvendi i Kosovës ka kuorum kur më shumë se gjysma (1/2) e deputetëve të Kuvendit janë të pranishëm”. Megjithatë, në lidhje me procedurën speciale të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Gjykata, në vendimin e sipërcituar u fokusua te neni 86 i Kushtetutës që parashikon se në dy raundet e para kandidati fitues është ai që arrin “një shumicë prej 2/3” dhe u shpreh se: “… pjesëmarrja e më pak deputetëve nga numri i kërkuar nga neni 86 i Kushtetutës, e bëri procedurën e votimit gjithashtu të pavlefshme”.

Nëse do të veprohej kështu edhe në Shqipëri, gjithnjë sipas autorit,

Opozita në Parlamentin shqiptar mund të pamundësojë  zgjedhjen e Presidentit të ri (apo rizgjedhjen e Presidentit aktual) deri në një afat të papërcaktuar! […]

Gjatë kësaj periudhe, në respekt të frymës së Kushtetutës, zoti Topi do të vijojë të jetë President i Republikës. Me shumë gjasë, mund të kemi një déjà vu të “dramës” kosovare edhe nga kjo anë e kufirit, me zgjedhjen (fakt i kryer) të një Presidenti vetëm me votat e maxhorancës edhe nëse opozita bojkoton dhe, me një vendim vijues të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, që do ta shpallte procedurën antikushtetuese.

Dhe kjo, doemos, duhet shmangur. Palët politike dhe në shoqërinë civile janë në thelb të detyruara të kuptojnë se jetojnë në një republikë demokratike, jo në një demokraci aritmetike; dhe se jo gjithnjë vullneti i shumicës ka përparësi ndaj shqetësimeve të tjera, duke përfshirë edhe ato të pakicës. Nga pikëpamja e një logjike demokratike foshnjore, Presidenti i Republikës, siç përcaktohet nga Kushtetuta shqiptare, është figurë e pakuptueshme, që nuk dihet si lëviz në fushë; por nga pikëpamja e logjikës republikane, ose e së njëjtës logjikë që është mishëruar në vetë dokumentin e Kushtetutës, Presidenti është figurë themelore, e cila bashkërendon pushtetet dhe i aftëson (habiliton) në raport me njëri-tjetrin.

Gjithsesi artikulli kërkon debat, mundësisht edhe në hapësirat e këtushme. Jam i sigurt se ka lexues në blog të cilët janë në gjendje ta disektojnë mendimin e autorit dhe ta interpretojnë çështjen e Presidentit ashtu siç shtrohet kjo para klasës politike shqiptare dhe vetë publikut sot. Ndonjë lajthitje në komentet e mia më lart nuk duhet të zhvendosë vëmendjen nga thelbi argumentativ i artikullit.

Pa Komente

  1. Nuk di sa e pakëshillueshme do të ishte për opozitën që të mos paraqitej në seancën e zgjedhjes së Presidentit, parë aktorët politikë që do të mundësojnë zgjedhjen e gurit të fundit të shahut me rëndësi jetike kushtetuese, dhe për rrjedhojë një-ngjyrosjen e shtetit dhe pushteteve në mënyrë të pashmangshme.

    Gjithsesi, çështja nëse opozita mund të bllokojë procedurën nëpërmjet bojkotit mbetet për t’u interpretuar, dhe interpretimi, nëse gjerat do të marrin këtë udhë, do të jepet nga Gjykata Kushtetuese shqiptare e cila do të përcaktojë përfundimisht kushtetueshmërinë e bojkotit të opozitës, por mbi të gjitha kuptimin e nenit 78, paragrafi 1 kusht., i cili citon: “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”.

    Dy janë konceptet kyçe, dhe saktësisht:
    1. “Kuvendi vendos me shumicën e votave” pra vendimmarja apo momenti i votimit; si dhe
    2. “në prani të më shumë se …” ose momenti i kuorumit.

    Kuorumi është institut mëse i rëndësishëm në çështjet kushtetuese që shpesh kushtetutat e parashikojnë në mënyrë të shprehur, duke i dhënë statusin e “ kushtit të domosdoshëm”, pa të cilin procedura nuk mund të zhvillohet. Në disa raste, edhe kur kuorumi nuk parashikohet në mënyrë të shprehur, ai mund të deduktohet nëpërmjet interpretimit.

    Në rastin e formulës tonë, kleçka qëndron pikërisht në pjesën e dytë të fjalisë, kur thuhet “përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”.

    Problemi është se Kushtetuta, literalisht, ka folur vetëm një herë për kuorum, në formulimin “prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve …”, ku referimi i shprehur ndaj “pranisë”, nënkupton kuorumin e domosdoshëm për vlefshmërinë e procedurës (së vendimmarrjes në Kuvend, në rastin në fjalë).

    Në pjesën e dytë të fjalisë, kuorumi, në kuptimin e mësipërm, nuk figuron, por qartësisht Kushtetuta flet për “shumicë të cilësuar” dhe jo për “prani të cilësuar”, apo “kuorum të cilësuar”. “Shumica e cilësuar” në këtë rast, do t’i referohej momentit të votimit dhe jo momentit të pranisë në sallë të deputetëve. Pra përjashtimi që Kushtetuta bën për rastet e shumicës së cilësuar, nuk është kaq e qartë nëse i referohet vetëm votimit (me shumicë të thjeshtë votash ose të cilësuar, sipas rastit), apo EDHE kuorumit.

    Rasti i precedentit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mund të ndihmojë në këtë kuptim, megjithatë, mbetet për t’u lexuar ajo çka eventualisht do të shpallë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.

    Në frymën e Kushtetutës sonë, dhe parë domosdoshmërinë e daljes nga ngërçi i mundshëm që realiteti politiko-institucional shqiptar dhe aktorët e tij mund të prodhojnë, Gjykata Kushtetuese, eventualisht mund të arrijë të intepretojë edhe këtë nen, ashtu si shumë nene të tjera, të cilat sipas një strategjie perëndimore të draftimit të kushtetutave, janë shkruar në një gjuhe të “lirshme”, që t’i lejojnë politikës lirinë e duhur të veprimit, dhe jo ta shtrëngojnë në “këpucë të hekurta”. Por ndoshta edhe këtë herë, si shumë herë të tjera, do të jetë nevoja për “këpucë të hekurta” apo interpretim saktësues të Gjykatës Kushtetuese për nenin në fjalë.

    Kjo nga pikëpamja teknike e mundësisë së shfrytëzimit të bojkotit si moment ngërçi për të mundësuar negociatën, kontratën, marrëveshjen me diapazon sa më të gjerë mes dy partive më të mëdha (dhe jo vetëm), për një proces që siç është shpjeguar shumë mirë në artikull, është kyç për mirëfunksionimin e të gjitha insitucioneve, që varen në mënyrë jetike nga Presidenti.

    Se si do të zgjidhet ky ngërç, dhe se sa mund t’i faturohet kjo bashkëpunimit të opozitës me pozitën, unë ende nuk e kam të qartë, pasi bashkëpunimi në kushtet e dispozitave të sotme kushtetuese, dhe më keq akoma, të praktikës së ndjekur deri më sot nga aktorët tanë politikë, është në dorën e Maliqit.

    Të shohim.

  2. Presidenti i nenshtrohet zgjedhjes ne menyre demokratike, pra me shumice perkundrejt nje pakice, cilado qofte kjo shumice, 3/5 e parlamentit apo nje me shume se gjysma, gjithmone nje pakice do te jete e pakenaqur por i bindet vulllnetit te shumices.

    Te drejtat dhe lirite e patjetersueshme te personit nuk i mbron presidenti, por kushtetuta dhe gjykatat. Republikanizmi amerikan potencon qe lirite dhe te drejtat jane te patjetersueshme dhe asnje vullnet, shije apo opinion shumice nuk mund t’i heqe dot. Sigurisht qe presidenti, ashtu si edhe institucionet e tjera shteterore duhet te mbrojne kushtetuten dhe lirite e te drejtat e individeve, por keto te fundit nuk jane ne humorin a shijet e presidentit por te drejta dhe liri qe garantohen me kushtetute.

    Presidenti edhe sikur te jete burri me i mire ne bote e te jete zgjedhur me 3/5 ose edhe direkt nga populli, nuk ndalon dot asnje ligj te shumices se parlamentit (mund te ktheje ligje qe shumica i miraton perseri dhe presidenti nuk i kthen dot me shume se njehere, te mos i firmose ne shenje mospajtimi por qe gjithsesi hyjne ne fuqi vete), prandaj ne na duhet kushtetuta dhe gjykatat qe ndalojne cdo shkelje e abuzim te legjislativit dhe ekzekutivit.

    Ndryshimi i neneve te Kushtetutes se Shqiperise per zgjedhjen e presidentit eshte bere per te mos futur vendin ne krize duke shkaktuar nje spirale zgjedhjesh njera pas tjetres nese opozita kerkon zgjedhje te parakohshme dhe nuk jep konsensusin per presidentin.

    Zgjedhja e presidentit me 3/5 nuk e ben ate me te pavaruar apo me te forte ne mbrojtje te ligjit e kushtetutes. Ashtu si zgjedhja vetem me nje me shume se gjysmen nuk e ben nje president te njeanshem dhe jo vigjilent e te forte ne mbrojtje te ligjit dhe institucioneve. Kemi precedentet e kaluar: Mosiu ju perkul Nanos, ndersa nenkryetari i PD, doli kundershtari me i madh i partise se tij.

    Rasti i Kosoves nuk ka te beje fare me Kushtetuten dhe zgjedhjen e presidentit ne Shqiperi, per shkak se Kushtetuta jone e ka te qarte ne nenin 78 sesi VENDOS Kuvendi dhe ne nenin 87 ku sqarohet menyra e zgjedhjes se presidentit ku nuk flitet per prani por per zgjedhje te atij kandidati qe merr 3/5 ne 3 votimet e para ose shumice te thjeshte ne dy votimet e tjera. Nje raund votimi euzaurohet edhe kur nuk ka nje kandidat per president, keshtu qe deputetet mund te votojne kunder, te bojkotojne, te mos marrin pjese ne votim etj. po kjo s’ka lidhje me raundet qe zhvillohen kur fillon procedura per zgjedhjen e presidentit.

    1. Metal boy,

      “shumica” është fjala kyçe e këtij diskutimi, kështu që nuk mund të likujdohet me një “cilado qoftë kjo shumicë”. Nuk bëhet fjalë për shumicë të çfarëdoshme por të tillë që të garantojë një President mbi palët. Një shumicë e gjerë, me konsensus thotë Kushtetuta, sa më gjithëpërfshirëse, larg të qenit e improvizuar aritmetikisht, duke zbrazur thelbin apo parimin e Presdientit në një Republikë parlamentare.

      Një herë shprehesh se të drejtat nuk i mbron Presideti, pastaj në xhiron e një fjalie ndërron ide, dhe thua që duhet t’i mbrojë. Atëherë bjer në paqe e kupto, që Presidenti është hallkë garancie po aq sa Gjykata Kushtetuese dhe gjyqësori, në fusha të përcaktuara shumë mirë. Ai emëron gjyqtarët e “lartë” apo Prokurorin e Përgjithshëm, që në raste si jo i largëti i Gërdecit, apo i ministrave të të njëjtit kabinet të përzier kolektivisht nëpër lloj lloj aferash apo krimesh, natyrisht që luajnë një rol të jashtëzakonshëm në përndjekjen e krimit, në të mirën publike, në reintegrimin e realiteti shoqëror në përputhje me atë ligjor. Prej nga dhe rëndësia e pavarësisë së këtyre institucioneve, garancia e të cilës pavarësi, buron edhe nga institucioni përzgjedhës.

      Presidenti mund të ankimojë pakufijshmërisht në Gjykatën Kushtetuese akte normative që gjithashtu mund të cenojnë dhe kanë cenuar të drejtat dhe liritë.

      Ai përbën një filtër garancie në shkarkimin e mundshëm politik të figurave të rëndësishme kushtetuese (edhe një herë për Prokurorin e përgjithshëm – tha), edhe më parë se vetë Gjykata Kushtetuese. Etj. si këto, për të dhënë idenë se si i del për zot Presidenti të drejtave dhe lirive.

      Burrë i mirë apo i keq, hallkat e filtrimit të këtij burri, për atë rol, fillojnë me procesin e përzgjedhjes dhe të garantimit të pavarësisë së tij, dhe nëse këto janë të vesuara në thelb, unë nuk kam aq kurajo civile e doza optimizmi, sa të besoj se do të përshëndoshen përgjatë mandatit.

      Gjithsesi.

  3. Citoj nga shkrimi :
    “Sa për opozitën, uroj që, shqetësimi i saj për ndryshimin e ndryshimeve kushtetuese që ajo vetë “gatoi” këtu e 3 vjet më parë, të mos jetë thjesht e vetëm shantazhimi me zgjedhet e parakohshme që parashikon neni 87, pika 5 e Kushtetutës në rastin kur “edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar”, por detyrimi moral dhe ligjor për rikthimin e integralitetit kushtetues dhe të vlerave të cenuara republikane. Sjell në vëmendje se, integraliteti përbën një nga dy tiparet specifike (tjetri është forca juridike e jashtëzakonshme) që lejojnë kuptimin e një Kushtetute si dokument ligjor e filozofik. I parë më vete, integraliteti konsiderohet nga doktrina si elementi unik që përcakton natyrën hermeneutike të një Kushtetute. Duke qenë “pemë e gjallë”, prerja e një dege, e jo më e një rrënje, ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e saj.”

    Ndryshimet kushtetuese te 2008 kane ndikuar pikerisht ne integralitetin e ligjit themelor te Republikes sone (kushtetuese). Kod i nje natyre speciale, kushtetuta eshte nje dokument qe lexohet dhe interpretohet (hermeneutika ligjore) si nje i tere. Prej ketej, cdo ndryshim/shfuqizim i nje rregullimi, a priori shkakton “thyerje” te institucionet e tjera me te cilat ai eshte i lidhur.

    Zjedhja e nje presidenti me 3/5 apo 50%+1 te deputeteve eshte konvencion dhe objekt i oportunitetit politik te kushtetutberesve ne momentin e hartimit te saj. Cilado te jete zgjedhja, ajo eshte demokratike. Njehere e mire e tille, mbetet vecse te pershtatesh zbulimet e bera nga te tjere popuj, me relievin tend social-ekonomik-kulturor, por edhe historik e gjeografik.

    Nga ana tjeter, nese vendos per nje variant (ne rastin tone ai me 3/5) dhe ne respekt te tij i jep kompetenca te caktuara presidentit (p.sh. drejtimi i KLD dhe percaktimi i axhendes se saj; dekretimi i gjyqtareve pas propozimit te KLD – ka precedente te mosdekretimit kur presidenti ka dale vote ne pakice; dekretimi i anetareve te GJK e GJL;etj) dhe me pas ndryshon menyren e zgjedhjes, gjykoj se me patjeter duhen ripare dhe kompetencat e tij.
    Dhe le te vijoje me pas te zgjidhet me 50%+1, plotesisht e ndershme.
    Me formulat mund te luhet, me parimet jo!

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading