Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Kulturë

DREJT MBYLLJES

Katedra e Albanologjisë në Universitetin e Mynihut rrezikon t’i mbyllë dyert, për arsye pas gjase financimi dhe burokratike.

Këtë katedër, ku kanë dhënë mësim në të shkuarën Martin Camaj dhe Wilfried Fiedler, e drejton tani Bardhyl Demiraj, ndoshta albanologu shqiptar më i shquar i brezit të vet.

Në mediat po qarkullon një thirrje, e sinqertë, që autoritetet shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë të mos e lënë katedrën të mbyllet, duke ia siguruar të paktën mbështetjen financiare.

Se sa do të dëgjohet kjo thirrje, mbetet për t’u parë, sikurse mbetet për t’u parë se si do të funksionojë kjo katedër, po të financohet nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Bardhyl Demiraj ka bërë punë të mirë jo vetëm si studiues, por edhe si pedagog dhe organizues veprimtarish shkencore. Nëse katedra rrezikon të mbyllet, kjo nuk besoj se lidhet me ndonjë mangësi të tijën si drejtues.

Arsyeja kryesore, për këtë katastrofë të mundshme, është rënia e interesit për shqiptarët, kulturën shqiptare dhe albanologjinë në Perëndim dhe sidomos në Gjermani.

Interesi akademik europian për kultura minore, si e jona, kushtëzohet nga dy faktorë kryesorë: faktori gjeopolitik, siç mund të ishte Lufta e Ftohtë në vitet e Camajt; dhe faktori akademik i mirëfilltë – p.sh. orientimi ndaj studimeve indo-europiane ose balkanologjike si të tilla.

Të dy këta faktorë nuk ekzistojnë më. Kultura shqiptare jo vetëm mbetet minore në krahasim me kultura të tjera kombëtare europiane, por edhe nuk po jep ndonjë kontribut për të qenë, në kulturën europiane bashkëkohore.

Që këtej, s’ka asgjë për t’u habitur me studentët gjermanë, që nuk kanë interes për albanologjinë.

Kam punuar për disa vjet në Institutin Oriental të Napolit, në katedrën e Letërsisë Shqipe të drejtuar nga Italo Fortino; dhe e kam përjetuar drejtpërdrejt indiferencën e studentëve atje. Sikurse Demiraj tani në Mynih, edhe Fortino-ja është bërë copë për ta gjallëruar veprimtarinë albanologjike në Napoli, duke organizuar gjithfarë konferencash dhe botimesh – mjaft të kujtoj këtu se Atlasi Dialektologjik i Shqipes u botua pikërisht nën kujdesin e kësaj katedre. Megjithatë, kaq nuk mjafton. Nëse albanologjia mbetet ende gjallë në universitetet italiane, kjo vjen nga interesimi, jo gjithnjë mirëfilli akademik, i studentëve arbëreshë të atjeshëm, të cilëve u bashkohen, zakonisht thjesht për oportunizëm, shqiptarët nga Shqipëria; si dhe nga inercia vetëmbrojtëse e filologëve arbëreshë.

Gjermanisë i mungon faktori arbëresh, kaq i pranishëm në albanologjinë italiane. E vetmja mënyrë për ta kompensuar këtë mangësi, do të ishte aktivizimi akademik i qarqeve të interesuara për historinë e gjuhës shqipe në vetvete, si gjuhë indo-europiane ose si gjuhë ballkanike. Për fat të keq, sot kjo nuk po ndodh, edhe ngaqë shqipja nuk zë ndonjë vend qendror në indo-europianistikë dhe ata indo-europianistë që janë marrë me shqipen nuk kanë sjellë ndonjë kontribut të spikatur në nivel europian ose botëror.

Ironikisht, përveç Italisë, vendi tjetër europian ku studimeve albanologjike u mbetet një arsye e fortë për të vazhduar brenda hapësirës akademike është Greqia – sepse i ka universitetet të mira, sepse ka interes për studimet shqiptare, e kështu me radhë, pa harruar edhe praninë e një komuniteti të madh imigrantësh shqiptarë atje.

Po çfarë mund të bëhet tani për Mynihun? A është i përligjur alarmi për mbylljen e katedrës dhe fushata për ta shpëtuar këtë institucion, nëpërmjet fondeve publike nga Shqipëria dhe Kosova?

Alarmi është doemos i përligjur – katedra në Mynih ka krijuar tashmë traditën e vet dhe mbyllja do të linte një boshllëk të pafalshëm, aq më tepër duke pasur parasysh se në ç’gjendje ndodhet albanologjia sot në Tiranë dhe në Prishtinë. Sa për fondet, unë do të isha më i qetë sikur të siguroheshin me rrugë private, nëpërmjet ndonjë fondacioni ose dhurate; meqë kam frikë se ndërhyrja e qeverive në punët e katedrës do të shoqërohet menjëherë me presione në lëmin e politikave të kuadrit (si kudo gjetiu).

Një faktor i rëndësishëm që i mban gjallë institucione të këtilla është bashkëveprimi me katedrat dhe institucionet simotra në Shqipëri; mirëpo veprimtaria albanologjike sot në Shqipëri nuk është veçse një hije e asaj të dikurshmes.

Profesorë dhe doktorë sa të duash, tituj pa fund aq sa nuk i nxe faqja kur i rreshtojnë titullarët, por vepra të pakta dhe të dobëta, madje mediokre dhe dështake, me përjashtime që veç vërtetojnë prirjen e përgjithshme (ngaqë janë rezultat përpjekjesh sporadike, jo i punës së organizuar institucionale).

Çfarë të bëjë një Demiraj ose një Fortino ose një Altimari, kur të ftuarit në konferenca dhe simpoziume nga Tirana u mbajnë kumtesa sofomorike, të tipit “fjalët e reja që ka krijuar Ismail Kadareja”?

Nga Tirana (dhe ndoshta edhe nga Prishtina) nuk po vjen ndonjë prodhim dituror për të qenë, por vetëm rrahje gjoksi dhe ripërtypje arritjesh të djeshme. Kështu dëmtohet rëndë perspektiva e albanologjisë jo vetëm në trojet shqiptare në Ballkan, por edhe gjetiu në Europë.

Pa Komente

  1. E pse qenka alarm? Kur gjuhen e vet e braktisin folesit, nuk arrijne dot ta mbrojne studiuesit. Ja se fundmi u nenshkrua marreveshja per krijimin e shkollave dygjuheshe ne Shkoder, Korce dhe Tirane, maturantet e te cilave do te pajisen me diploma qe ua njeh edhe Kauri ne Rome. Ministri yne i Arsimit e justifikoi kete me faktin se “me shume se gjysma e te huajve qe studiojne ne Itali jane shqiptare”. Me kete rast ua bejme me te lehte italianeve punen, se kane frike mos u shtohen i Vu Kumprate nga Bregu Lindor. Po pse te qendroje katedra e Mynihut hapur? Me thua dot kujt i sherben, pervecse kujteses se dikujt qe ka kaluar aty, nostalgjikeve apo edhe historise se albanalogjise? Fundja edhe ne Parlamentin shqiptar te gjitha projektligjet qe miratohen nuk respektojne rregullat gjuhesore, te cilat i kane detyrim. Keshtu germat alt+137 dhe alt+135 nuk jane me gjekundi; nje leshim i vogel praktik ne funksion te pershpejtimit te reformave qe me se shumti jane perkthim ligjesh. Shpresen e mbaj te Aleanca kuq e zi, me te cilen ti tregohesh i dashur shume, teksa u kushton nje shkrim te posacem te titulluar: E kuqja dhe e zeza. Nuk jane romantike, as e duan vendin me aq dramacitet sa personazhet njeri-tjetrin ne romanin ne fjale; thjesht vijne verdalle si pordha neper breke se kane marre ca leke dhe kur ben zhurme ne televizor je tip trendy. Nuk kane cfare duhen katedra te tilla, kur vete ne e kemi kthyer gjuhen ne zhargon dytesor apo me keq; perjetim inferiotiteti ndaj te tjereve qe ngushellimin e gjen te krenaria boshe e te mesuarit gjuhe te huaj shume shpejt.
    “Mua ma ka lindur nje mendim”-flet sot femija 5 apo 6 vjec. Edukate qytetare, sjellje e mire dhe te lutem shume njerzillek ne kete vend te shkare. Pa kuptuar se po rreshqasim kush e di se ku dhe perse ne imitimin tone te modelit te djalit te parfumosur dhe te lepire qe as te qi e as te leshon. Mendoj se Shoku yne Tili ka cfare te thote me shume shqip sesa keto surrogato te shpifura te oksidentalizimit tone, i kuptuar si nderhyrje urgjente kozmetike pas pamjeve kolektive te ikjes se marsit ’91. Meqe jemi ketu, ne ato dite marsi, pamjet e te cilave jepen perhere ne Tv, se kush eshte dikush aty, qe naten duke u nisur anija per ne Itali, bertet: Mirupafshim Atdhe.

  2. Eshte per te ardhur keq qe edhe ato pak gjera qe kemi me njefare tradite prishen nga indiferenca. Ne Gjermani interesi per kulturen shqiptare ka kohe qe eshte praktikisht zero e kjo kur shqipetareve duhet ti interesoje shume qe atje te kete njefare interesi dhe shkembimi kulturor pertej si vendi me i rendesishem i Europes Perendimore.

    Gjermania si dhe vendet e tjera gjermanishtfolese kane gati 5 vjet qe po kalojne nje reforme te thelle universitare rezultat i te ciles eshte edhe konsolidimi i degeve sociale-kulturore dhe shkurtimi drastik i buxheteve per keto dege. Mbyllja pra nuk do te ishte aspak e habitshme dhe e papritur. Perkundrazi fakti qe ka mbetur pa u mbyllur deri tani eshte e habitshme. Nuk e di nese do te ndihmojne thirrjet ne minute te fundit per te ndryshuar dicka. Shpresoj se po. Por kjo situate duhet te ishte parashikuar me pare dhe duhej te kishte vite qe te pergatitej transformimi i struktures se financimit.

    Numri i emigranteve shqipfoles ne gjermani eshte i larte, aq i larte sa potenciali financues nga strukturat e tyre eshte jo per nje kateger por per disa katedra. Por edhe financimi nga ky burim duhej pergatitur me kohe dhe nuk mund te behet tak fak.

  3. Mekat, po kjo eshte koha, investohet ne teknologji.
    Nga ana tjeter , iliristika ka ngecur prej kohesh, keshtu qe moszgjidhja e çeshtjeve themelore demton vete albanologjine. Te merresh me albanologji do te thote te perballesh me nyje gordiane dhe kjo nuk ofron garanci shkencore, por hipoteze pas hipoteze.
    Por vete indoeuropianistika ka rene, ne kuptimin qe emrat e medhenj i ka lene prapa.
    Kam pershtypjen se keto studimet gjenetike e kane dobesuar shume idene e nje populli indoeuropian, per shkak te largesive gjenetike qe kane popujt indoeuropiane, nderkaq teoria e indoeuropianizimit nepermjet asimilimeve lidhet shume me indoeuropianistiken e ndaluar te zhvilluar nen nazizmin, qe pastaj do hapte telashe te tipit, cili popull i sotem eshte ai qe ka asimiluar kulturalisht gjithe te tjeret, ose me afer tij.

    Shkencat sociale kane hyre ne fazen e korrekteses politike, qe eshte ideologji me e rrezikshme se ideologjite e shek 20, pasi vepron ne nivel global e jo vetem ne shtetin/shtetet ku sundon ideologjia politike.

    Ta zeme une sado qe jam perpjekur, nuk kam arritur ta kuptoj sesi teoria afrikane e njeriut, arrin te shpjegoje diferencat e medha racore/fenotipike mes mongoloideve dhe kaukazoideve kur jane ne te njejten gjeresi gjeografike, me klime te perafert dhe gjithe keto diferenca vetem per 30 mije vjet ?

    Sot deri edhe ngritja e nje pyetjeje te tille, legjitime, eshte e ndaluar, nje shpjegim ad hoc, mbahet si i mjaftueshem dhe qe e mbyll debatin e jo me kerkimin ne nivel akademik.

    Nese mund te akuzohet nacionalizmi se ve disa limite, harrojme se nacionalizmi vepron vetem ne nivelin e nje shteti jo ne nivel global, prandaj kushdo mund ta kerkoje nje te vertete qe pengohet nga nacionalizmi, nderkaq korrektesa politike vepron ne nivel global dhe ia mbyll gojen gjithe kerkuesve ne planet.

    Atrofizimi i shkencave sociale vjen nga korrektesa politike, kjo pastaj perthyhet ne humbje interesi, meqe zonat e erreta kane gardh, vetvetiu vjen stanjacioni e pastaj dekadenca, meqe nje shkence e perfunduar, e sosur, epistemologjikisht quhet psedo-shkence.

  4. Gjithmone mund te perdoret nje fushate tager mbledhese per kete pune duke perdorur Paypal.

    Para se te jap para, do te doja te dija: pse ky interes gjermanik per albanologjine? Di qe gjermane qe prej kohes te Leibnitz kane shprehur interes per shqiptaret. Ka ndonje arsye per kete?

  5. Do te ishte vertet nje fatkeqesi po te mbyllej ajo kateder! Per fat te keq, shkencat sociale dhe gjuhesore, ne pergjithesi, po perjetojne nje periudhe te keqe ne te gjithe Europen. Le te qendrojme me shprese se ajo thirrje qe u eshte drejtuar institucioneve shqiptare per ta mbeshtetur financiarisht kete kateder te marre nje pergjigje pozitive. Pajtohem me ate qe thote Hyllin me siper “Shkencat sociale kane hyre ne fazen e korrekteses politike, qe eshte ideologji me e rrezikshme se ideologjite e shek 20, pasi vepron ne nivel global e jo vetem ne shtetin/shtetet ku sundon ideologjia politike.”. Vecse, korrektesa politike nuk eshte ideologji, por efekt i ideologjise. Nje rast tjeter i ketij efekti: “Çfarë të bëjë një Demiraj ose një Fortino ose një Altimari, kur të ftuarit në konferenca dhe simpoziume nga Tirana u mbajnë kumtesa sofomorike, të tipit “fjalët e reja që ka krijuar Ismail Kadareja”?”. Pershendetje.

  6. Para se te jap para, do te doja te dija: pse ky interes gjermanik per albanologjine?

    Vjetersia dhe iliristika.
    Iliret kane qene populli me i vjeter i grupit indoeuropian euro-qendror te cilit iu vertetuan gjurmet arkeologjike. Greket jane pa gjurme arkeologjike.
    Keltet jane ca me te vonet si grupim ne skenen europiane, per italiket ka pasur shume hipoteza, traket po ashtu, kurse Iliret permbushnin kriterin arkeologjik, te pakten per shkollen gjermane, pastaj shkollat e tjera u perpoqen ta relativizonin kriterin arkeologjik,

    Gjuhesisht iliret ishin te erret, dmth as qartesisht kentum as qartesisht satem, kjo gje nxiste debatet dhe kerkimet, po ashtu shkrimet mesape terhiqnin, derisa dorezuan te gjithe se nuk po i deshifronin dot.

    Pastaj per arsye ideologjike, meqe Europa nga per rreth nje shekull deri ne 1945, ka pase qene raciste dhe iliret mbaheshin si race ‘e paster’, por edhe raca dinarike mbahej si e dyta pas asaj nordike/ariane ( teoria qe dinaricizmi ka kapur nordiket ilire).

    Pas 1945, dashuria gjermane per iliristiken ( qe ishte e mpleksur edhe me racizmin) u zevendesua nga dashuria anglo-saksone per keltet, iu hoqen nje thes me gjera ilireve dhe iu mveshen arbitrarisht kelteve , si i thone ideologji per ideologji, kush fiton ben historine dhe ka nje thes me shkencetare rreth vetes.

    Per gjermanet ishim si nje lloj ‘kusheriri i larget’, plus qe supozohej se ruanim shume arkaizma keshtu qe mund te ndihmonim ne njohjen e se shkuares.

  7. Sot te Panorama-gazeta e Shqiperise jo ajo italiane- botohej fjala pershendetese e Arben Xhaferrit mbajtur me rastin e zhvillimit te forumit te iniciuar nga ish–presidenti i Kosovës Pacolli, “Hapësira e përbashkët ekonomike shqiptare”, promovuar më 9 maj në UET.

    Ja nje copez mendimi i zografisur me kete rast qe po shkepus:

    “…rrugëdalja nuk duhet t’i shkelë konventat ndërkombëtare, por të gjejë forma të tjera që kanë një precedencë të mbarë, si bie fjala projekti britanik i Commonwealthit (Mirëqenia e popujve), që ka 53 anëtarë dhe ai francez (Frankofonia), që ka numër identik të anëtarëve (53). Këtë rrugë kohët e fundit ka filluar ta ndjekë edhe Turqia me idenë e krijimit të një Commonwealthi osman. Ky projekt turk, që mëton rikthimin në Ballkan, filloi me vizitën e ministrit turk të Punëve të Jashtme, Davutogllu, në Sanxhak dhe vazhdoi me nënshkrimin e deklaratës së Stambollit ndërmjet Presidentit turk Gyl, atij serb Tadiç dhe atij boshnjak Sillajxhiç…Mirëqenia e përbashkët shqiptare është në funksion të korrigjimit të gabimeve që janë bërë deri më tani në konferenca të ndryshme dhe të krijojë kompatibilitet ekonomik, politik, kulturor ndërmjet dy shteteve shqiptare…Hapi i parë duhet të jetë miratimi i Deklaratës për themelimin e asociacionit për “Mirëqenie shqiptare”…”. Vijon me tej kjo ide e konfederimit ndershqiptar, fillimisht me krijimin e nje lloj presidence honorifike, por qe eshte hap i pare qenderzues, qofte edhe si testim, ku si seli sugjerohet Kosova. Me serioze kete ide e ben perpunimi dhe vetedija e Xhaferrit per sulmin e brendshem qe ajo mund te marre. Ne kete kontekst, politikani maqedonas shfaqet sa si ideolog aq edhe si strateg politik qe meton te nje paralele nacionaliste nga hinterlandi pas 100 vjetesh dominim nga Perendimi.
    “Themelimi i një institucioni të tillë ka dy dobësi. E para ka të bëjë me dyshimet, sidomos të atyre që frikësohen konsolidimit të kauzës kombëtare se kjo iniciative ka të bëjë me idenë e krijimit të Shqipërisë së Madhe. Për ta eliminuar këtë dyshim duhet në deklaratë të parashikohen garanci që eliminojnë të gjitha imputimet dashakeqe ose dashamirëse…Dobësia e dytë e kësaj ideje ka të bëjë me kritikën që e shtron dilemën se ky asociacion do të ndërhyjë në kompetencat e qeverive të dy shteteve. Krahas kësaj që në fillim do të bëhen vërejtje përbuzëse që këtë iniciativë e shohin si një ide folklorike dhe të kotë”, thote Xhaferri.

    Te vihet re tipizimi qe politikani maqedonas i ben projektit shqiptar si simetri e nismes turke per nje konfederim mbi baza historike te shtrirjes osmane. Ketu ekspansioni lindor i Davutogluse ndesh ne qendresn e shqiptareve qe edhe njehere dalin tanime si refuzues kategorike te orientalizmit edhe pse akuza dhe perkufizimi edhe ne raste dashamirese ka qene i tille. Ajo qe nuk behet e qarte eshte se cili eshte rreziku qe kercenon boten shqiptare ne Kosove dhe Maqedoni ne kushtet e tanishme? Aq me teper kur demografia ne teresi flet ne favor te shqiptareve qe kane deren e hapur per ne BE. Po keshtu Xhaferri qe eshte i njohur per kapacitetet perpunuese intelektuale, aftesine krahasuese dhe qerimin e mire te pengesave per parashikimin e perspektives rajonale, nuk sjell ne kete rast se cili eshte perfitimi i perbashket nga ky jugosllavizim (ne kete rast shqiptaret edhe njehere ndryshojne nga sllavet qe pranojne shtete te pastra etnike- ketu te kujtohet se AKZ eshte nje paradoks) ndershqiptar qe si pike fundore medoemos con ne rindertim te kufijve. Ne nje fare menyre kjo liri ne artikulim dhe ne veprim ndodh per here te pare nder shqiptare dhe me gjase ketu do lexuar se zgjidhja e ceshtjes shqiptare sipas optikes se tyre vete po quhet e pranuar edhe nga perendimi. Ndaj edhe interesi ndaj nje populli qe nuk ka cfare te ofroje per Evropen- tanime as konfliktin-con natyrshem ne reduktim te afilacionit kulturor, i cili ka te miren se detyron patriotet shqiptare te mos presin me habere nga bota, por te ulen vete dhe te shkarravisin per albanologji. Licensen nga te fortet e botes me sa duket e kane marre.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin