Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

QIMET NË VEZË

Disa nga debatuesit për aspektet e ndryshme juridike të numërimit të votës dhe të kompetencave të organizmave të përfshira në këtë numërim janë edhe ekspertë të së drejtës.

Do të doja të dëgjoja mendimin e tyre në lidhje me një çështjet që më duket se nuk është prekur sa duhet në debatet tona dhe gjetiu: sa ka ndikuar dhe po ndikon dallimi midis common law dhe civil law në pozicionet e palëve ndaj rezultatit të zgjedhjeve lokale në Shqipëri?

Disa prej juristëve dhe komentatorëve i referohen rregullisht sistemit amerikan; ose citojnë opinione dhe gjykime të shprehura nga Countryman, ose ambasadori Arvizu, të cilët i përkasin një kulture juridike – mos më lini të gaboj – thellësisht të ndryshme nga ajo e Europës kontinentale, së cilës i referohet edhe legjislacioni i sotëm në Shqipëri.

Kam përshtypjen, por vetëm përshtypjen, se jemi duke u ngatërruar me këmbët tona, duke përdorur, në të gjitha instancat, argumente të cilat i përkasin kulturës së common law, për të arsyetuar rreth një praktike juridike si ajo e sotmja në Shqipëri, e cila nuk i përket common law.

Edhe pse e kam të qartë, në vija të trasha, dallimin mes këtyre sistemeve, nuk jam në gjendje, natyrisht, të orientohem në labirintin e argumenteve që i referohen njërit sistem ose tjetrit. Më është dukur sikur, veçanërisht në këtë blog, Politicus i është referuar rregullisht sistemit amerikan (common law), ndërsa Pifto, Ena dhe Actus e interpretojnë ligjin shqiptar brenda kornizës së civil law.

Më është dukur, gjithashtu, se të gjithë ata që përmendin precedentin (si është vepruar në të shkuarën), nuk e vrasin mendjen që t’i sqarojnë publikut vlerën e argumentit me precedent, brenda sistemit të civil law që kemi në Shqipëri. Ky argument ngre vërtet peshë në vendet anglo-saksone (ShBA, Britani e Madhe, etj.), por kjo në vetvete nuk përbën argument.

Ka njeri ngé ta sqarojë këtë çështje, me terma të kuptueshëm, për mua dhe lexues të tjerë të interesuar? Dhe më tej – a e kemi parasysh sa duhet se, të gjitha këto opinione dhe praktika amerikane të cilave u referohemi për çështjet e zgjedhjeve, e kanë krijuar ekspertizën e tyre brenda një sistemi juridik që është, në thelb, i papajtueshëm me çfarë kemi adoptuar në Shqipëri?

Pa Komente

  1. Aspekti primar i “precedentit” është që të funksionojë si burim i të drejtës. Kjo do të thotë, që në vendim i mëhershëm për të njëjtën gjë është i detyrueshëm për një vendimmarrës të mëvonshëm të të njëjtës instancë. Si koncept instituti i “ precedentit” ka ngjashmëri me atë që sistemin shqiptar të së drejtës quhet “praktika gjyqësore”, por me një dallim thelbësor:

    “Precedenti” është burim i së drejtës, ndërsa “praktika gjyqësore” ka karakter vetëm udhëzues. Kjo do të thotë që gjykata shqiptare në marrjen e vendimeve të saj bazohet vetëm në ligj dhe në ndërgjegjen juridike të gjyqtarit. Në praktikë gjykatat e ulëta të sistemin shqiptar e trajtojnë “praktikën juridike” të gjykatave më të larta si burim të së drejtës, por kjo është një zgjidhje e karakterit pragmatik, pasi në asnjë kohë ato nuk janë të detyruara të vendosin për një çështje në harmoni me vullnetin e një gjykate tjetër, por siç e thashë, vetëm në harmoni me ligjin. Indirekt kjo duket në faktin, që nëse “precedenti” për çështje të ngjashme zbatohet në mënyrë “analoge”, ndërkohë që nuk ka një automatizëm në veprimtarinë e gjykatave që edhe “praktika gjyqësore” të zbatohet në mënyrë analoge.

    Përveç “precedentit” apo “praktikës gjyqësore” ka edhe një mundësi tjetër referimi – po e quaj burim të “mendimit juridik” – që është “mendimi mbizotërues”. Qëllon që gjykata të barasvlershme kanë vendosur për çështje të ngjashme në mënyra të të ndryshme, dhe këto vendime kanë marrë formën e prerë. Kjo do të thotë që paralelisht ekzistojnë “praktika gjyqësore” të ndryshme, që konkurrojnë me njëra – tjetrën. Shumica e vendime të ngjashme përbëjnë “mendimin mbizotërues”.

    Një gjykatë shqiptare është e lirë të marrë një vendim në kundërshtim me praktikën gjyqësore, nëse kjo është bindja e saj, pa rrezikuar që me këtë veprim të ketë kryer një akt të kundërligjshëm. Në varësi të marrëdhënieve shoqërore në zhvillim mund të ndodhë që shmangia nga “praktika gjyqësore” të pranohet nga gjykatat më të larta si realiteti juridik korrekt.

    Rasti tipik është vrasja e katër demonstruesve më 2 prill 1991 përpara ndërtesës së Komitetit të Partisë së Rrethit në Shkodër gjatë një demonstrate të grupimeve të djathta dhe vrasja e po katër demonstruesve më 21 janar 2011 përpara ndërtesës së Kryeministrisë gjatë një demonstrate të grupimeve të majta. Parë me neutralitetin e nevojshëm, në të dyja rastet u vranë katër demonstrues, të cilët nuk ishin në kryerje e sipër të veprimeve të dhunshme kundër një objekti apo personi dhe po qëndronin në hapësirën publike, e cila nuk ishte nën ndonjë regjim të veçantë në kuptimin juridiko-administrativ të fjalës; pra ishin në shijim e sipër të së drejtës së tyre kushtetuese, për të qëndruar sipas dëshirës në territorin e Republikës së Shqipërisë. Pushtetarët lokalë të rrethit të Shkodrës u dënuan për veprën penale të “vrasjes me dashje” me dënime me heqje lirie nga 10 – 20 vjet, pavarësisht se nuk u vërtetua asnjëherë lidhja shkakësore midis veprime të tyre dhe vdekjes së viktimave. Gjykatat shqiptare të të gjitha instancave e lanë në fuqi të pandryshuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila e gjente përgjegjësinë e pushtetarëve lokalë në faktin, se ata nuk kishin marrë masat e nevojshme, që forcat e rendit në juridiksionin e tyre të mos vrisnin njerëz. Në fakt, nëse do të gjehej ndonjë përgjegjësi penale në këtë rrugë, mund të flitej vetëm për “qëndrim të pakujdesshëm në detyrë” me rrethana rënduese, ngaqë u vranë njerëz, por gjithsesi gjykata vendosi të marrë si të mirëqene faktin se ekzistonte “dashja direkte” e nevojshme për “vrasjen me dashje”.

    Kjo praktikë gjyqësore është e vetmja që mund të ketë vlerë udhëzuese për prokurorinë dhe më pas gjykatën që do të jenë aktive në këtë çështje, që do të thotë, që sipas kësaj praktike duhen marrë në përgjegjësi penale Kryeministri Sali Berisha (i zoti i shtëpisë prej nga ku u qëllua), Ministri i Punëve të Brendshme (efektivat e varura prej tij që qëlluan), Komandanti i Gardës e kështu me radhë. Këtu mund të shihet karakteri fakultativ i respektimit të “praktikës gjyqësore”, pasi prokuroria nuk e ka të përqendruar aspak vëmendjen për gjetjen e përgjegjësisë penale tek ky rreth personash.

    Megjithatë, mund të ndodhë, që pasi gjykatat shqiptare të kenë përjashtuar përgjegjësinë penale për ngjarjet e 21 Janarit e të gjithë të hetuarve të deritanishëm – dhe shkaqet për ta besuar këtë janë tepër nxitëse – të dënuarit me vendim të formës të prerë për vrasjet e 2 Prillit të kërkojnë, që në bazë të të njëjtit arsyetim, të rihapin atë çështje, për të nxjerrë pafajësinë e tyre, që përsëri do të thotë, që vrasjet e 2 prillit të mbeten pa autor dhe kështu të rehabilitohen dhe dëmshpërblehen pushtetarët lokalë të Shkodrës të dënuar për vrasje; dhe viktimave të 2 Prillit t’u hiqet statusi i dëshmorit, së bashku me ndërprerjen e pensioneve që u paguhen familjarëve të tyre.

    Përfytyrim i tmerrshëm, nëse në Shqipëri do të funksiononte shteti ligjor.

    Përsa i përket referimit në sistemin juridik amerikan për t’i dhënë kuptim zhvillimeve politiko-shtetërore shqiptare, këtë e bëjnë optimistë dashamirës naivë dhe në fakt nuk bie asgjë pozitive në diskutimin publik. Referimi në ligj që bëjmë ne nuk është një ritual i imponuar së fundmi, por pjesë e ndërgjegjes juridike kombëtare të shtrirë thellë në kohë. Gjithnjë ka pasur një ligj dhe i është referuar atij. Tendenca për të zbatuar një sistem anglosakson është një veprim snob, që tradhton një farë varfërie shpirtërore.

    Edhe diçka tjetër.

    Të djathtët, apo kryesisht këta, e kanë kritikuar Kodin Zgjedhor si të pamjaftueshëm për t’i dhënë zgjidhje problemit me votat e hedhura në kutitë e gabuara duke imponuar në publik bindjen, se ligji ka boshllëqe, të cilat duhen mbyllur nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor. Fatkeqësisht Kodi Zgjedhor po përgojohet nga profanë partiakë, që në mjegullën e krijuar të nxjerrin përfitimet e tyre. Në fakt ligji për zgjedhjet i rregullon shumë mirë problemet e ngritura artificialisht, kush di dhe do të të lexojë, e gjen përgjigjen e saktë në ligj, se cila është vlera e fletëve të votimit të hedhura gabimisht, apo se në cilat rastet aktet e KQZ kërkojnë shumicën e cilësuar.

    Shqipëria ka hyrë kështu në një fazë të re të shtetit ligjor, ku ligjit mund t’i tjetërsohet publikisht përmbajtja. A ndodh kjo ndoshta ngaqë “ligjërata juridike shqipe” – ashtu edhe si i gjithë realiteti ligjor shqiptar – është e tejngopur me rregullime ligjore të huaja e kështu të paperceptueshme për shqiptarin aktual, që pastaj t’i lejojnë pushtetmbajtësve, që sipas nevojës së tyre t’i ndryshojnë haptazi nocionin koncepteve? E kam fjalën, pas “shqipes totalitare” ndoshta po lind haptazi “shqipja absolutiste”?

  2. Shembullit te zgjedhjeve me rezultat shume te ngushte ne Amerike (Gore vs Bush) dhe ngjarjeve qe pasuan (vendimi i gjykates, reagimi i paleve etj) i referohet gjithe bota si shembull, si ilustrim. Nuk eshte e thene qe te kesh sistemin ligjor te Amerikes qe ai ilustrim te jete i vlefshem per vendin tend (tone), sidomos per vene ne demokraci-ndertim e siper.

    Arsyeja pse i referohen mbase varion nga rasti ne rast, nga vendi ne vend, disa per te thene qe zgjedhjet i vendosi gjykata, po shumica ma ha mendja per te treguar civilitetin e Gore dhe venien e vendit para egos personale, dhe faktin qe askush s’eshte e s’duhet te jete mbi ligjet, as kur vjen puna per shanse te rralla si shansi per te qene president i Amerikes.

    Duhet te besh shume akrobaci qe te nenvleresosh rendesine e ketij ilustrimi per vende si ne, sidomos per ne konkretisht, ku sic kemi thene, ne njohim vec fitore.

    Kjo persa i perket ketij rasti.

    Per te tjerat, nuk besoj se Amerika dhe Evropa nuk e dine ca sistemi ligjor kemi ne. 🙂

    1. Xhibi, injoranca është shumë më e përhapur se ç’kujtohet (thënie që e ka të vërtetën brenda).

  3. Eshte besoj une e qarte per te gjithe se “precedenti”, i cili eshte burim i se drejtes ne sistemin anglo-sakson, nuk konsiderohet i tille ne sistemin kontinental, ku edhe Shqiperia ben pjese.
    Per ta bere me te kuptueshem ndoshta per te gjithe, nje pershkrim i pergjithshem do te ishte i nevojshem. Grosso modo, jane burime te se drejtes te gjitha ato forma ne te cilen materializohen normat juridike. Keto norma duke qene te materializuara diku, prezumohet se njihen nga te gjithe; sherbejne si model sjelljeje dhe natyrisht bazuar ne to do te zgjidhet cdo konflikt qe shkon para gjykates. Cdo rend juridik, percakton vete se cilat jane ato burime qe i sherbejne per dhenien e drejtesise, madje percakton edhe hierarkine e tyre. (kushtetute; ligj organik; ligj i zakonshem; akt nenligjor, etj)
    Ne sistemin europian, “praktika gjyqesore” nuk eshte nje nga keto burime te se drejtes. Ndryshe nga sistemi anglo-sakson, ketu gjykata nuk shprehet me dispozita te pergjithshme mbi rastet qe zgjidh, pra nuk krijon rregulla, por vetem zbaton rregullat e parimet e parashikuara ne aktet normative. Sipas tradites se vendeve europiane, burimet e se drejtes krijohen vetem nga ligjvenesi, nderkohe qe ka nje ndarje te qarte ne kete pike ndermjet pushtetit legjislativ dhe atij gjyqesor. Sipas kesaj tradite, roli i gjykates eshte thjesht dhe vetem ai i zbatimit te dispozites, ashtu si ajo eshte hartuar.
    Koncepti europian klasik bazohet ne parimin se: tekstet ligjore parashikojne te gjitha rrethanat, te cilat vetem duhet te zbatohen ne menyre mekanike nga gjyqtari ne çdo rast konkret.
    Sot qe flasim, megjithase sistemi europian mbetet nga me konservatoret, duhet pranuar nje tendence zbehje e ketij parimi klasik. Kjo mund te konstatohet nga nje perjashtim i rendesishem qe i behet rregullit te pergjithshem, ex neni 141/2 i Kushtetutes, i cili i jep perparesi zbatimit unitar te ligjit per raste te njejta dhe qe ia njeh te drejten ta realizoje kete pikerisht Gjykates se Larte, nepermjet te ashtuquajturave “vendimeve unifikuese”, te cilat merren ne Kolegje te Bashkuara (gjithe trupa e Gj se Larte). Sipas kesaj dispozite te Kushtetutes, “per njesimin apo ndryshimin e praktikes gjyqesore, Gjykata e Larte ka te drejte te terheqe per shqyrtim ne kolegje te bashkuara ceshtje te caktuara gjyqesore”.
    Ka disa autore europiane qe edhe rastin e vleresimit te kushtetueshmerise se ligjit, qe kontrollohet dhe vleresohet nga Gjykata Kushtetuese, e konsiderojne perjashtim nga parimi tradicional i burimeve te se drejtes (ex neni 145/2 e Kushtetutes sone, kur gjyqtari cmon se ligjet vijne ne kundershtim me kushtetuten, nuk i zbaton ato. Ai ka te drejte te pezulloje gjykimin dhe t’ia dergojne ceshtjen Gjykates Kushtetuese. Vendimi i dhene ne kete rast nga Gjykata Kushtetuese, eshte i detyrueshem per te gjitha gjykatat e vendit”. )

    Per t’ju kthyer ceshtjes qe na nxiti te shtrojme kete debat, une konstatoj me shqetesim se ka nje tendence per ta shkelur kete tradite te burimeve te se drejtes dhe per te bere nje kombinim me sistemin anglo-sakson, duke i njohur gjykates (ne kete rast gjykates se posacme: kolegjit zgjedhor) nje rol qe asaj nuk ia njeh sistemi yne. Duke e konsideruar kodin zgjedhor si te pamjaftueshem per t’i dhene zgjidhje problemit me votat e hedhura ne kutite e gabuara, quasi gjykata (KQZ) dhe kolegji, nuk po bejne gje tjeter vecse po cenojne themelet e sistemit: po shnderrohen ne organe qe bejne ligj, edhe pse ne fakt vetem duhet ta zbatojne ate.

    Pertej dy rasteve qe u parashtruan me siper, te cilat parashikohen shprehimisht ne Kushtetute, nje rol krijues praktikes gjyqesore ne sistemin europian, mund t’i njihen ne raste teper te kufizuara. Keshtu per shembull, duke qene se norma juridike parashikon nje realitet abstrakt, te paracaktuar, i cili kur i zbatohet nje situate konkrete mund te konsiderohet i pamjaftueshm per t’i dhene zgjidhje konfliktit konkret, vertet mund te jete e nevojshme qe gjykata te perdore interpretimin e zgjeruar apo ate me analogji, ne menyre qe ta shnderroje ligjin ne nje burim elastik, per t’ia pershtatur rastit ne gjykim. (askush se mohon faktin se ligji, si cdo veper humane, mbetet i diskutueshem. Parimi i se drejtes romake mbetet aktual “nulla lex satis commoda omnibus”, pra asnje ligj nuk mund te konsiderohet i pershtatshem per te gjithe.)
    Mirepo nese ligji eshte i qarte, porse mund te konsiderohet se nuk ka zgjedhur nje sistem qe perputhet me ndergjegjen juridike kolektive, e vetmja rruge eshte shfuqizimi i kodit zgjedhor apo amendimi i tij, por ne asnje rast shtremberimi i qellimit te ligjvenesit nepermjet zbatimit ne praktike te ligjit.

    Dhe se fundi, dua te ndalem tek sistemi i perzgjedhur nga kodi yne zgjedhor. Ndoshta per nje pjese ketu eshte me prane logjikes se gjerave qe keto vota te konsiderohen te vlefshme. Por, edhe pa qene me formim jurist, ajo qe duhet kuptuar dhe pranuar eshte se kjo ceshtje i nenshtrohet sistemit qe ka zgjedhur nderkohe ligjvenesi. Shmangia nga ligji, edhe nese kjo perligjet nga nje zgjidhje me logjike dhe me e drejte, eshte e papranueshme ne nje shtet te se drejtes dhe i hap shteg abuzimeve.
    Pa dyshim qe cdo sistem ka avantazhet dhe disavantazhet e tija. Sipas mbeshtetesve te ketij sistemi rigorozisht formal, forma garanton integritetin e administrimit te procesit zgjedhor. Une kam dilemat e mia lidhur me kete sistem dhe nese do te kisha mundesi te zgjidhja, me siguri do te zgjidhja sistemin tjeter. Por pa dyshim nuk kam asnje dileme lidhur me zbatimin e ketij sistemi qe nderkohe ekziston. Per te sjelle nje shembull analog nga e drejta private, qe mund te jete me i thjeshte per t’u kuptuar prej gjithekujt, do permendja rastin e kontrates se shitjes se nje sendi te paluajtshem. Sipas kodit tone civil: “kontrata per tjetersimin e pasurise se paluajtshme behet me akt noterial dhe regjistrohet, perndryshe eshte e pavlefshme”. Ne praktike ndodhte shpesh qe palet pasi kishin bere kontraten para noterit, kishin permbushur edhe detyrimet (dorezuar sendin e palujtshem, apo cmimin sipas rastit), pas disa kohesh (shpesh vitesh) zgjoheshin me nje padi per konstatimin e pavlefshmerise apsolute te kontrates se shitjes dhe per pasoje, rikthimin e tyre ne gjendjen e meparshme. Motivi: mosrespektim i formalitetit te publikimit te kontrates ne Zyren e Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme. Dhe pa dyshim qe gjykata, konstatonte mungesen e formes se parashikuar ne ligj dhe konsideronte nul shitjen. Ne raste te tilla, ishte aq e dhimbshme dhe aq e pamundur, t’u shpjegoje paleve se perse ky veprim i kryer me vullnet te qarte te tyre, te shprehur para nje nepunesi publik, nuk kishte sjelle asnje pasoje, ndaj ata pas x vjetesh duhet te kthenin sendin e te mernin cfare, nje shume parash qe pas aq vitesh nuk vlente asgje. Mirepo ky ishte sistemi gjerman i efektit konstitutiv te regjistrimit, qe ka zgjedur kodi yne civil. Para dy vjetesh Gj e Larte e trajton kete ceshtje ne Kolegje te Bashkuara, me vendim unifikues dhe vendos teper ngushte (8 kundrejt 7), se regjistrimi ne ZRPP nuk eshte me kusht per vlefshmerine e kontrates se tjetersimit te S te palujtshme.
    Vetem keshtu funksionin: te ndryshohet nje sistem qe nuk konsiderohet i drejte. (per t’i shkuar deri ne fund shembullit qe mora, edhe pse personalisht e kam konsideruar historik vendimin e mesiperm te Gj se Larte, me duhet te pranoj se shume juriste mjaft te mire shqiptar, e kane konsideruar gafe te Gj se larte, pasi ka tejkaluar rolin e saj per t’i dhene nje interpretim te unifikuar ligjit, duke bere vete ligj).

  4. Ena dhe Pifto, falemnderit. Parashtrimet tuaja janë shumë të qarta dhe, të paktën për mua, instruktive.
    Në një koment të Alfred Lelës, në MAPO, lexova se Ministri i Britanisë së Madhe për Europën David Lindington është shprehur dje gjatë takimeve me eksponentë të politikës shqiptare se mbështet parimin “çdo votë duhet numëruar”.

    Më bëri përshtypje ky paragraf nga Lela:

    ky propozim bëhet i vlefshëm kur vjen nga përfaqësuesi i një vendi anglo-sakson siç është Britania e Madhe, sistemi i së cilës është pranuar botërisht si më i suksesshmi edhe duke u imituar në masë.

    Sepse edhe këtu vendet anglo-saksone duket sikur veçohen prej të tjerëve; edhe pse Shqipëria ka zgjedhur që legjislacionin e vet ta modelojë sipas këtyre të tjerëve, jo ShBA dhe Britanisë së madhe.

    1. Ky vazhdon të jetë problemi: që nëpërmjet overdozimit të opinionit publik, sidomos shqiptar, me deklarata (që për mirësjelle po etiketoj si) politike, merren për të mirëqena deklarata që nuk kanë asnjë vlerë juridike në të vërtetë, duke anashkaluar vetë gjyqësorin.

      Në fakt ministri, si eksponent politik, ashtu si shumë kolegë të tij eksponentë politikë (ose jo) ka bërë një deklaratë politike, që aspak nuk ka të bëjë me trajtimin juridik që çështja meriton (dhe që në fund të fundit do të ishte i vetmi që më në fund do të vendoste pikat mbi i).

      Këto lloj “shpjegimesh”, që lehtazi mund të degjenerojnë (dhe kanë degjeneruar) në “drejtësi mediatike”, nuk mund të mos çonin në një nënvlerësim të dukshëm të rolit të gjyqësorit. Dhe në një prishje të pashmangshme ekuilibrash, të ngadaltë por domethënës, në favor të politikës së impersonuar në ekzekutivin.

      Pastaj precedenti kalon për ligj, ligji për Maliq, e të tjera si këto.

  5. ””Ne sistemin europian, “praktika gjyqesore” nuk eshte nje nga keto burime te se drejtes. Ndryshe nga sistemi anglo-sakson, ketu gjykata nuk shprehet me dispozita te pergjithshme mbi rastet qe zgjidh, pra nuk krijon rregulla, por vetem zbaton rregullat e parimet e parashikuara ne aktet normative. ””

    Kjo eshte paksa e pergjithesuar dhe e ngurte.
    Formalisht dhe pergjithesisht eshte keshtu po gjykatesit europiane kane autonomi e ‘discrezionalita’.
    Nuk ka asnje legjislacion te persosur prandaj edhe kontinentalet me zemer te ngire pranuan kete parim.

    Ne Itali edhe vete profesoret universitare me ane te studimeve te tyre ndikojne indirekt. Natyrisht asnje ndikim nuk eshte formalizuar aq sa ti ngreje ne burime te se drejtes, por esencialisht veprojne si burime te se drejtes.

    Shqiperia vertet ka pranuar te drejten romako-gjermanike, por jo vetem paraqitjen e saj formale, por edhe perleshjet doktrinore shekullore, keshtu edhe parimin e autonomise dhe diskrecionalitetit te gjykatesit, nga ku edhe e ashtuquajtura ‘praktike gjyqesore’.

    Si vepron ne praktike ky parim dhe si mund te na ndihmoje per sqarimin e vleres se preçedentit?

    Gjykatesi A nuk arrin te kenaqet nga legjislacioni i cili duke qene i papersosur nuk arrin ti rroke dot te gjitha dritehijet e veprimtarise njerezore, keshtu zbaton parimin e autonomise dhe nxjerr nje vendim X.

    Gjykatesi B gjendet perballe nje dileme te ngjashme, zbaton edhe ai parimin e autonomise, por ndjek fije e per pe çka bere Gjykatesi A dhe nxjerr vendim te ngjashem me vendimin X (vendimi X1). Pra ai e shfrytezon parimin e autonomise per te ndjekur preçedentin.

    Gjykatesi C perballe nje dileme te ngjashme nuk ndjek preçedentet X dhe X1, por ne baze te parimit te diskrecionalitetit nxjerr vendimin Y.

    Mendimi mbizoterues i Piftos thote qe X+X1 = 2 vendime te cilat mbizoterojne mbi vendimin Y.

    Pra mendimi mbizoterues ne thelb eshte vlera e preçedentit.

    Ja ku kemi ne fakt qe edhe preçedenti ne menyre indirekte ka vlere.
    Nese edhe gjykatesi C do nxirrte nje vendim te ngjashem me X, pra nje X2 e me radhe do kishim Gjykatesi D vendimin X3…… gjykatesi N vendimin Xn, atehere sipas te gjitha gjasave do kishim nje ligj te mbeshtetur ne keto vendime.

    Pra autonomia+ preçedenti mundesojne ne teori (por edhe praktike) nxerrjen e nje ligji.

    Tani hidhemi ne rastin tone.

    Ceshtja ne parim tkurret ne ka apo s’ka zbrazeti ligjore, sikunder ne debatin e paradokoshem me Pifton. Nese ka, atehere ne baze te parimeve qe zbatohen per mbushjen e zbrazetive, fletet dalin te vlefshme dhe gjykatesit(po çdo interpretues) ne kete pike i kane duart te lidhura.

    Nese mendohet se nuk ka zbrazeti ligjore, atehere eshte autonomia dhe diskrecionaliteti i gjykatesit qe ne rastin tone do zbatohen, sepse mund te kete gjykates qe nuk kenaqet nga legjislacioni ne kete pike, pasi esencialisht fletet jane te vlefshme kurse formalisht jane te pavlefshme .

    Piftoja nxiton shume kur rreket ta nxjerre ligjin ne fjale si te kulluar ne kushtet kur mungon shprehimishtja.
    Maksimumi qe Piftoja mund te pretendoje nga Gjykatesi eshte qe ky te zbatoje parimin e autonomise dhe diskrecionalitetit, nuk mund ta vere dot me shpatulla pas muri se ligji flet qarte, pasi per mendimin tim gjykatesi mjaftohet duke thene se ne mungese te shprehimishtes asnje ligj nuk eshte i kulluar, sepse ligji eshte i kulluar kur merren parasysh te gjitha fatispeciet e mundshme, jo duke deduktuar nje fatispecie nga teksti.

    Ka qene nje rryme e fuqishme ne Europe, qe argumentonte se legjislacioni ne vetvete eshte i persosur dhe i vetemjaftueshem, pra se kur nje fatispecie nuk parashikohej atehere mjaft te behej ‘interpretimi i duhur’ dhe ajo deduktohej nga teksti, por me duket se kjo rryme ka humbur prestigjin.

    Si perfundim une do ripohoja serisht se kjo çeshtje sado publikisht e debatuar dhe e argumentuar, i takon gjykates ta zgjidhe dhe cilado zgjidhje qe do jepet eshte e pranueshme.

    p.s permendja e preçedentit nuk ka vetem vlere propagandistike, mendoj se shqiptaret jane ne dileme mes Europes dhe Amerikes dhe jo vetem per arsye pragmatike, por sepse si ne rastin tone, preçedenti soditet lehte ne traditen tone, prandaj terheq ‘instiktivisht’.
    Vete Kanuni(et) duke qene teper i gjere e specifik per te qene Kushtetute dhe teper i ngushte per te qene permbledhje e te gjithe legjislacionit, ka mundesuar vleren e preçedentit, mirepo duke qene ‘gjenetikisht i vetemjaftueshem’ dhe ne thelb nje kod i ngurte mundeson edhe rrymen kontinentale.
    Ne jemi ‘gjenetikisht’ mes kontinentaleve dhe anglosaksoneve, nga vjen edhe parehatia jone publike kur vjen puna per te zgjedhur romano-gjermaniken apo anglo-saksonen.
    Natyrisht shteti ka bere zgjedhjen e vet, por publiku nuk e ka bere ende zgjedhjen.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin