GAFA JEMI, NJERËZ BËJMË

Shtypi i ditës të ngatërron ndonjëherë keq.

Kështu, sipas këtij lajmi të Shekullit, sulmin e avionëve të NATO-s kundër Tripolit e paska konfirmuar televizioni shtetëror libanez.

Libanez? Po pse vallë, nuk u gjet ndonjë burim pak më i afërt me Libinë dhe Tripolin, për ta konfirmuar lajmin? Apo mos e ka zhvendosur gjë shtabin NATO-ja në Liban?

*  *  *

Ja edhe një lajm rozë, nga faqet e gazetës MAPO: filozofi Artan Fuga paska lëshuar mjekër. Era l’ora, do të thoshte italiani – dhe me të drejtë. Mjekra i shkon filozofit njëlloj si tirqt dhe qeleshja Ded Gjo Lulit…

Kështu Artan Fuga vjen dhe i ngjan pak edhe Artur Zhejit, që filozof nuk është, por të paktën mjekrën e ka.

*  *  *

Përsëri Shekulli – lexoj kalimthi një dossier për ngjarjet e vitit 1997, ku thuhet, ndër të tjera, se anarkinë e atyre muajve e paskan shuar “shumëkombëshet”. Shumëkombëshet? Po a nuk janë këto kompani ose korporata që operojnë njëkohësisht në disa vende?

Më thonë: është fjala për forcat ushtarake shumëkombëshe, mos i turbullo ujërat. Vërtet, por me këtë kuptim fjala përdoret vetëm si mbiemër. Përndryshe, milicitë private të Chiquita-s dhe të Adidas-it janë më se të mirëpritura, në vendin tonë të mrekullueshëm, tha.  ku do t’ua krijojmë të gjitha kushtet, me bujarinë tipike shqiptare; por edhe me shpresë se ndoshta do të gënjehen dhe do të blejnë ndonjë gjë të hajrit, që t’u zërë vend, p.sh. malin e Munellës.

*  *  *

Pa u larguar nga Shekulli, një artikull i djeshëm për një libër të George Steiner që është përkthyer në shqip, shoqërohej me një foto të aktores Milla Jovoviç (Milla Jovovich, modele, aktore, muzikante, fotografuar nga Damiani).

Ç’lidhje të ketë kjo foto me librin erudit të Steiner-it? Ndoshta një lidhje e tillë ekziston, por nuk e kam kuptuar unë. Po Damiani, kush është? Shoferi italian i George Steiner-it? Apo kuzhinieri – çfarë do të përligjte dhe tryezën e pasur ku është ulur Milla?

Përndryshe, lexuesi naiv, i gënjyer edhe nga teksti shoqërues “Steiner dyshon…”, do të kujtonte se fotoja paraqet autorin George Steiner, në drag, ose duke u përpjekur të duket si David Bowie.

Nuk ka komente

  1. Kot per kuriozitet, ky Damiani mos eshte regjizori italian Damiano Damiani? Shqiptaret e njohin kryesisht per serialin televiziv La Piovra.

    Me gafat ne gazeta mund te botosh libra. Jo vetem ne Shqiperi po kudo. Sigurisht Shqiperia ofron shembuj fantastike. Mbase ketu mund ta bejme nje thread per te postuar gafa kur i zbulojme. Mund te kthehet ne nje loje/gare mjaft zbavitese.
    Gafa e dites apo e javes. Mund te kete cmime per Gafen e Muajit ose te Vitit.

  2. Xhaxha! Vendosmeria e mediave per te ngaterruar Libine me Libanin ( e perditshme), me kujton diçka nga ” Ditari i nje te çmenduri” i Dostojevskit, qe vjen pak a shume keshtu:
    32 nentor, ora shtetembedhjete. Sot zbulova qe Kina dhe Spanja jane i njejti vend. Eshte e cuditshme qe askush nuk e kishte vene re nje gje kaq te thjeshte.
    Ne fakt fokusimi i mediave tek skizofrenia e perditshmerishe, ben qe infot qe jane jashte kesaj shenjestre, te behen me material mbushes te pregatitur nga medites te keqpaguar. Per momentin, deri sa te marre naftaret Basha, te filloje revolucionin Rama dhe te vrase veten Griselda, nuk i plas njeriu per faktin qe Libia dhe Libani s’jane i njejti vend.
    Lere pastaj kronike kulturore ( x kengetare le burrin per nje grua) e me the te thashe

  3. Kam punuar dhe une per pak kohe ne nje gazete, keshtu qe me ndjeni per gafen time
    Ditari eshte novele e Gogolit dhe jo e Dostojevskit.

  4. Kurse mua me beri pershtypje sot Panorama qe ne fund te permbledhjes qe i bente nje artikulli te Der Spiegel kishte vene lidhjen (link) te artikullit origjinal: http://www.panorama.com.al/lajmi-i-fundit/%E2%80%9Cder-spiegel%E2%80%9D-tensioni-politik-pengese-per-integrimin

    Shpesh kemi diskutuar se si mediat tona shpesh as nuk i permendin burimet nga i marrin (perkthejne) artikujt, dhe qe asnjehere nuk vene lidhje ku ti referohen burimit/artikullit origjinal.

    Shpresoj qe Panorama ta beje gjithmone kete, po dhe mediat e tjera, gje e cila eshte ne fakt elementare dhe e domosdoshme per nje media, po dhe per nje blog (si p.sh. 2xha qe gjithmone ve lidhjen e burimeve qe i referohet).

  5. Sapo më lajmëruan se, në edicionin e shtypur, fotografia e Milla Jovovich-it ka dalë me një diciturë, e cila e lidh atë imazh me artikullin dhe librin e Steiner-it.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin