Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

DREJT EUROPËS, ME YRYSH

Gjatë një vizite në Shkodër, ku përuroi një Qendër të Informimit të Bashkimit Europian, kryeministri Berisha deklaroi publikisht:

Ne jemi kombi i vetëm, i cili mbështet mbi 95 përqind integrimin europian. 3-4 përqind janë ata flakëvënësit që nuk kanë të ardhme në Shqipëri. Një komb i vogël si i yni nuk mund të ketë parajsë tokësore më të bukur e më të mirë se Bashkimi Europian, për të ndërtuar të ardhmen e tij.

Edhe pse i tërë fjalimi i kryeministrit kullon retorikë boshe, ky pasazh tërheq veçanërisht vëmendjen edhe në lidhje me çfarë thuhet pikërisht.

Sondazhet hykan pra në punë

Para së gjithash, lexoj aty shifra, të cilat nuk mund të vijnë veçse nga sondazhe! Si mbështetës i përdorimit masiv të sondazheve, nuk mund të mos entuziazmohem edhe unë me këta këmbalecë numerikë të fjalimit të Berishës, ku Shkodra lëvdohet si qyteti që “ka ruajtur e mbrujtur me sakrificat më të mëdha vlerat më të arrira të qytetërimit perëndimor”; vetëm se ndryshe nga kryeministri shqiptar, unë nuk shoh ndonjë arsye për t’u gëzuar kaq shumë.

Përqindje koreano-veriore si qëmoti

Shifra prej 95% tingëllon pak si totalitare; unë nuk e besoj, edhe pse kjo s’ka pikë rëndësie – përveçse po të mos e besoni edhe ju që lexoni. Gjithsesi, kur një komunitet është kaq masivisht në favor të një politike, atëherë kjo nuk është më politikë, por retorikë. Sa përqind do t’i përgjigjeshin po, bie fjala, një pyetjeje të tipit: “Do të ishit dakord që flamuri shqiptar të grisej dhe të përdorej si leckë për të fshirë xhamat?” Natyrisht, këtu është vetë pyetja që nuk ka kuptim.

Ku fshihen këto pakica subversive?

Ka edhe një pakicë, prej 3-4 përqind, që qenkan kundër integrimit europian. Cilët të jenë këta? Flakëvënës, i quan totalitari ynë, të cilit, si të ishte fëmijë, i bëhet zemra mal me shifrat e plota, si të votimeve në kohën e Enverit, kur ishim rregullisht “grusht bashkuar”. Vëreni alergjinë e këtij njeriu nga disidenca, madje edhe kur kjo shprehet në shifra e përqindje simbolike, të cilat më shumë ka gjasë të jenë artifakte të metodës së vlerësimit, sesa qytetarë shqiptarë që vërtet guxojnë të mos duan të integrohen në Europë. Duke i quajtur flakëvënës, duket sikur, idealisht, kryeministri kërkon t’i njëjtësojë këta me protestuesit e 21 janarit, të cilëve ashtu mund t’u vihet edhe një etiketë tjetër përvëluese, si anti-europianë.

Si mund të jesh kundër Europës?

Ndoshta për këtë duhen pyetur britanikët, ose të tjerë qytetarë, anembanë Europës, të cilët janë shprehur me përqindje të mëdha, dhe jo me sondazhe por me votë të lirë, kundër integrimit të vendeve të tyre në Europë, në vetvete, ose së paku në disa aspekte dhe modalitete. Këta natyrisht nuk janë flakëvënës, por kanë arsyet e tyre krejt normale. Futja në Europë vjen me detyrime të mëdha, nuk është si ftesë për dasmë – megjithëse edhe në dasmë duhet çuar peshqeshi e duhet shkuar me rroba të reja. Gjithsesi, ka ende njerëz, lart e poshtë kontinentit, që shqetësohen për ekonomitë kombëtare, për vendet e punës në një treg të europianizuar, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe pasojat përkatëse, për monedhën e njësuar… dhe për shumë efekte të tjera të integrimit. Do të thonë: të gjitha këto arsye nuk vlejnë për shqiptarët, meqë Shqipëria është vend i varfër dhe nga integrimi në Europë vetëm do të përfitojë – edhe kjo arsye bindëse. Megjithatë, gjithnjë në mënyrë spekulative, mund të përfytyroj shqiptarë që t’u ketë ardhur në majë të hundës nga manovrat eurokratike dhe politikat e institucioneve kontinentale; ose që mendojnë se, për momentin, Shqipëria ka nevojë ta forcojë sovranitetin, jo t’ia dorëzojë atë Brukselit. Këto arsye qëndrojnë dhe ata që u besojnë nuk meritojnë të quhen flakëvënës. Përkundrazi, unanimiteti kutërbon.

Pse kaq jemi të integrueshëm vallë?

Ja një pyetje që nuk është e lehtë t’i përgjigjesh. Le ta zëmë, për një çast, që rezultatet e sondazhit të cilit i referohet kryeministri shqiptar i përgjigjen realitetit, në kuptimin që shqiptarët vërtet janë masivisht në favor të integrimit europian. Si shpjegohet kjo? Çfarë dinë shqiptarët e sotëm për Europën dhe institucionet e Europës së Bashkuar? Këtu e tridhjetë vjet më parë, ndoshta kishte një elitë qytetare heterogjene, të vjetër dhe të re, një përzierje sado taktike të të deklasuarve dhe të liberalëve të regjimit komunist, të cilët e shihnin Europën, veçanërisht Italinë dhe Francën, si një El Dorado intelektuale dhe të ideve. Po a ekziston sot në Shqipëri ndonjë shtresë e ngjashme, që ta admirojë Europën për çka ajo përfaqëson në histori? Natyrisht që ekziston, vetëm se kam frikë se ajo shtresë është tkurrur disi, në krahasim me atëherë, krahas edhe me ripërmasimin e figurës së intelektualit në elitat. Shto këtu edhe injorancën që sa vjen e përhapet, analfabetizmin, vrazhdësinë e homo albanicus të krijuar këto njëzet vjetët e fundit, grykësinë e tij për pará, makutërinë, tharjen shpirtërore; shto këtu edhe traumën e emigracionit, ose të një katastrofe që ia hoqi Shqipërisë një llokmë të madhe të popullsisë. Kur flet për emigracionin, nuk mund të mos mendosh edhe se shumë prej atyre që e adhuronin Europën në vitet 1980 e gjetën një mënyrë për të shkuar dhe për t’u vendosur atje, sapo u hapën portat e shkarkimit demografik të emergjencës.

Atëherë kush e dëshiron kaq marrëzisht Europën?

Për mendimin tim, pakkush. Masa e qytetarëve ka ide kaq të përcipta për shoqërinë perëndimore, institucionet, shoqërinë civile, të drejtat e njeriut, kulturën europiane dhe të tjera vlera që qëndrojnë në themel të Europës së Bashkuar, sa këto nuk mjaftojnë për atë përgjigje plebishitare që citon kryeministri Berisha. Njerëzit duan të integrohen në Europë, sepse e kanë kuptuar se vetëm ashtu Shqipërisë do t’i jepet një mundësi për të dalë nga varfëria, nga prapambetja, nga bataku; meqë virtualisht, përfshirja e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të ishte e barasvlershme, për nga efektet pozitive, me emigrimin e individit në Perëndim. Sado paradoksale të duket në vështrim të parë, patriotët më të sinqertë sot janë ata që duan t’i shohin shqiptarët të qeverisen prej të huajve.

Pse entuziazmohet Berisha?

Kjo mbetet gjithashtu enigmë për mua, sa kohë që vullneti qytetar për t’u futur në Europë, në rastin tonë, është para së gjithash efekt anësor i veljes, madje i neveritjes së qytetarëve me qeverisjen formalisht sovrane të vendit, gjatë këtyre njëzet vjetëve. Ai sondazh që citoi kryeministri, në të vërtetë, nuk mund veçse të interpretohet si refuzim që ia bëjnë qytetarët shtetit të tyre, institucioneve të tyre, madje vetë nocionit të sovranitetit, duke thënë: ne duam të na qeverisë Europa (lexo: “dum Babën”). Ai sondazh është, në fakt, një akt akuze, plebishitar, ndaj klasës politike shqiptare, të cilën në thelb nuk e do askush, sidomos si klasë që ka në dorë fatet e vendit dhe ndikon në jetët e përditshme të qytetarëve.

Hapa të para, por jo premtuese

Ndërkohë integrimi politik dhe institucional ka filluar, madje edhe për qytetarët e thjeshtë të republikës, edhe pse jo ashtu siç pritej. Në pararojë të afrimit me Europën janë vënë të gjithë ata shtetas shqiptarë, të cilët, njëlloj si lakuriqët e natës, deri dje e kujtonin veten zogj, por tani zbuluan se paskan pasur cica (për të shmangur ndonjë keqkuptim, këtu i referohem fabulës së njohur të Ezopit). Sikur këtij tregu t’i qaseshin edhe fuqi të tjera të mëdha, si Amerika ose Gjermania, madje edhe Turqia, vështirë se Berishës do t’i mbetej ndonjë qytetar në këmbë, për t’i votuar në maj e për t’iu përgjigjur sondazheve pompoze për Integrimin. Në fakt, koncepti i patriotizmit në epokën e sotme nuk mund të analizohet me instrumente të kohës së Rilindjes; siç e kuptoj unë, të jesh shqiptar sot do të thotë të marrësh pjesë, me aq sa mundesh, në Shqipërinë si projekt, ose si perspektivë për të nesërmen e fëmijëve të tu; klasa politike së cilës i përket Berisha e ka rrënuar këtë projekt, e ka shkelur me këmbë, madje ka urinuar mbi të krejt birrën e rrëkëllyer gjatë festave të ndarjes së plaçkës; përgjegjësia kryesore për dezertimin etnik, ndër komunitetet me identitete të rrëshqitshme, i bie elitës politike në Tiranë, e cila ia doli që, për një kohë rekord, ta shndërrojë Shqipërinë paskomuniste nga shpresë në truall.

Pa Komente

  1. Ketu ke te dhena nga Gallup Ballkan Monitor per Shqiperinedhe vendet e tjera te Ballkanit: http://www.balkan-monitor.eu/files/BalkanMonitor-2010_Summary_of_Findings.pdf
    faqja 21 e pdf ka grafikun per kendveshtrimet ndaj Evropes

    Shqiperia dhe Kosova jane me lart se vendet e tjera te ballkanit per kete ceshtje ne grafik.

    Pyetja e sondazhit ishte:

    Generally speaking, do you think that Albania’s membership of the European Union would be a good thing, a bad thing, or neither good or bad?

    Mendoni se antaresimi i Shqiperise ne BE do ishte nje gje e mire, e keqe, apo neutrale (as e mire as e keqe)?

    2010
    E mire: 81% E keqe: 5% Neutrale: 11%

    2009
    E mire: 88% E keqe: 3% Neutrale: 5%

    2008
    E mire: 83% E keqe: 1% Neutrale: 8%

    2006
    E mire: 84% E keqe: 1% Neutrale: 6%

    *Perqindjet s’dalin 100 po ti mbledhesh te gjitha; ato qe ngelen jane “nuk e di”, gabime mbase, etj.

    Pak a shume konstante, po per sa ka ndryshim, ndryshimi me i madh vjen ne vitin 2009 per sa i perket kendveshtrimeve pozitive, dhe 2010 per sa u perket atyre neutrale, por dhe negative. Cilat te kene qene arsyet qe i bene nje pjese njerzish te ndryshojme mendje?

    Mund te klikosh tek “Survey Data” per te krijuar grafike online sipas kritereve qe cakton vete, dhe gjithashtu tek “Reports” per te dhena te tjera.

  2. Po nga Balkan Monitor:

    “As in 2009, the current survey showed that
    in all Balkan countries, except Croatia, majorities
    of respondents would vote in favour
    of their country joining the EU; proportions
    ranged from 63% in Serbia to 93% in Albania.
    In Croatia, those who would vote against their
    country’s accession outnumbered those who
    would vote ‘Yes’ (43% and 38%, respectively).”

    Kjo eshte shifra te ciles i referohet (per te disaten here) ma i pari i ministrave. Gati gati e paraqet si sukses qeveritar.

    Te tjera mrekulli shqiptare rezultojnë nga Survey:

    “The current wave of the Balkan Monitor shows
    that citizens in the Balkan states, except in
    Serbia, now feel more represented by politicians
    or a political party than they did previously.
    Albanian respondents were the most likely to
    feel represented politically (60%), followed by
    Kosovars (54%) and Montenegrins (46%). In
    the remaining countries, however, about twothirds
    of survey participants still did not feel sufficiently
    represented by their politicians.”

    Dhe menjehere pasi kane dhene kete pergjigje, shiko c’thone shqipet:
    “More than 4 in 10 (42%) Albanian respondents
    would like to move to another country, followed
    by roughly a third of Macedonians and
    Kosovars (31%-34%).”

    Dreq, dicka nuk shkon ketu…!

  3. Besoj se me togfjalshin “futje ne Evrope”, eshte futur edhe nje keqkuptim, sepse nuk behet dallimi mes futjes ne strukturat evropiane dhe futjes ne Evrope si koncept naiv qe vjen nga e shkuara, sepse veshtire qe shumica e te anketuarve, nese fjala eshte per njerez te zakonshem, te dine diçka per procedurat teknike te futjes ne Evrope dhe per pasojat e futjes aty. Eshte ky kuptimi i dyte qe shfrytezohet nga Berisha dhe nuk besoj se e ka gabim qe e shfrytezon, ai politikan eshte dhe jo baba i kombit, sepse duket qarte se megjithese jane shume pak, por jane te interesuar te fuqishem ata qe desherojne qe Shqiperia te mos behet asnjehere nje vend normal evropian dhe te jesh shqiptar sot, ashtu si gjithmone, mbetet nje pune e veshtire dhe ne pergjithesi pa bereqet. Keshtu qe ashtu siç dyshohet ne kete shkrim, eshte e parendesishme futja e Shqiperise ne strukturat evropiane, kjo himnizohet padrejtesisht, e rendesishme dhe qe duhet hyjnizuar eshte realizimi i nje Shqiperie normale evropiane brenda apo jashte Evropes, por kete sot per sot nuk mund ta realizoje dot as politka shqiptare dhe as politikanet tashme te matufjepsur shqiptare.

  4. Lexim teper i njeanshem i sondazhit.

    __________

    Nuk eshte aspak per t’u habitur me shifren 96%, madje normalisht, ne logjiken e gjerave, duhet te ishte 100%. Ku bazohet kjo logjike ? Ne shume gjera :

    – e para, HISTORIKISHT, ngjarjet shqiptare kane qene pjese e nje teresie me te gjere qe quhet Europe. Ne nuk kemi prodhuar histori aziatike, afrikane apo amerikane. Pushtuesit tane kane qene europiane (te mos ngaterrohet ketu kuptimi politik i kesaj fjale, duhet marre thjesht ne nivel gjeografik dhe racor), ose kur kemi qene te pushtuar nga nje fuqi jashte-europiane (Turqia), ajo ka qene pushtuese e njekohshme dhe e mjaft vendeve te tjera, çka kjo ka bere qe historia shqiptare te shkrihet ne ate ballkanike dhe me gjere europiane.

    – e dyta, afersia flagrante me nje perandori si Roma e lashte, si dhe ngjashmeria fizike mes Shqiptareve dhe europianeve te tjere.

    – e treta, shpresa se edhe Shqiptaret do te kapin trenin e atyre njerezve qe i kane zhdukur disa dukuri tejet negative qe na mundojne ende sot : demokraci e brishte, korrupsion, çmim i ulet i jetes, etj.

    – dhe e katerta, qe çuditerisht permendet vetem ne ato raste kur duam te bejme nje loje tjeter (psh, jo- shqiptare), eshte interesi ekonomik : habitem qe diku tjeter justifikohen 300 eurot greke te “homogjenit” skandaloz, dhe pastaj thartohen “turinjte” qe Shqiptaret vrapojne pas nje te ardhme ekonomike me te mire nen Brukselin. Perse “deux poids, dex mesures” ? (njeri i nenes, tjetri i njerkes ?)
    ______________

    4%, ne hamendjen time, jane : nje pakice e paperfillshme e minoritetit grek qe mund te thuhet se me te vertete, kjo pakice ia ka shitur shpirtin “djallit”, dmth po vepron saktesisht si banoret serbe te Sarajeves qe deri dje hanin bashke me nje mysliman, dhe te nesermen ka dale te gjuaje me snajper ne fqinjin e vet. (Kujto ketu deshmine e nje serbi qe justifikohej keshtu : fqinji im mysliman ishte me i pasur, kishte ca karrema te mire, e mua me pelqen shume peshkimi, prandaj doja t’ia merrja.). Jo se kjo pakice ka kaluar deri ne kete pike, per fat te mire Shqiptaret kane ditur ta ruajne njefare kohezioni, porse kjo pakice e stervogel punon vertet per gjithçka, vetem per te miren e Shqiperise, jo.
    Pjesa tjeter e ketij 4% mund te vije nga nje pakice perseri e paperfillshme Shqiptaresh ekstremiste (nacionaliste) te cilet shprehen kunder per shkak te frikes nga perzierja racore, nga vershimi i popullsive afrikane apo tjeter. Ne fakt, kjo frike zbulohet si e pajustifikuar sepse serish, nese do te kete te huaj qe vendosen ne Shqiperi, ata do te jene serish te nenshtruar ndaj disa rregullave te demokracise dhe sigurise se brendshme te shtetit shqiptar. Do te ishte paaftesia e shoqerise shqiptare apo e shtetit shqiptar per t’i drejtuar problemet ajo qe do te çalonte, dhe jo prania mbi token shqiptare te disa individeve me ngjyre tjeter.

    Nese Shqiperia s’perserit gabimet qe kane bere Anglia apo Franca apo Gjermania ne lidhje me te huajt, gjerat nuk do te jene aq dramatike. Sidoqofte, ne s’mund te krahasohemi me keto vende sepse France-Arabe, Angli-Pakistan apo Gjermani-Turqi, jane lidhje me te nderlikuara nga ç’do te mund te kishim ne me keto popullsi ta huaja “problematike”. Ne s’kemi trasheguar nje histori koloniale, nuk kemi armiqesira te vjetra me asnje prej ketyre grupeve shoqerore, dhe pra marredheniet tona me ta jane pa kurrfare kompleksi. Gje kjo qe i mungon Frances apo Anglise (kolonialiste) apo Gjermanise (thithje ne mase te madhe punetoresh Turq ne vitet e bumit ekonomik).

    Te tjeret, 96% jane thjesht njerez qe duan nje te ardhme me te mire. Nuk ka asgje prej diktature mendimi apo ngjashmerie me shifrat e Enver Hoxhes. Eshte thjesht natyrale. Nese pyeten shqiptaret se a eshte dielli me i madh se toka apo anasjelltas, ne s’duhet te habitemi qe shifra e sondazhit te dale 99,99% me ca firo te vogla “te fandaksurish”.

    Shkurt, eshte mire te mos i bihet ne qafe Shqiptarit per disa llogari afatgjata qe ai ka bere, dhe ne kete kontekst, eshte per t’u pershendetur qe ky eshte nder te vetmit piketakime ku puqen Shqiptaret e çdo ngjyre politike. Tjeter gje pastaj eshte qe te diskutosh me modalitetet, e rendesishme eshte se synimi eshte i njejte per te gjithe : nje jete me e mire ne nje grup natyral.

  5. Me kot lodheni me sondazhe dhe vezhgime te opinionit primitiv shqiptar. Te gjitha ato qe thuhen dhe shkruhen, jane te pasakta nese do konsideronim qe jane kryer ndonjehere dhe genjeshtra te sajuara e manipuluara nese ato jane ndjekur ne ndonje rast.

    Enderra e vetme e shqiptarit eshte qe te futet ne Europe sa me shpejt, te mos punoje, te meret me politike te madhe aq sa ti tregoje Europes vete se cfare duhet te beje per te bere punen e saj me efektive.

    Kur ti permend flakevenesit subversive, nuk mund te ve bast se ne cfare perqindje ekszistojne, por ndryshe nga ty dhe kryeministri une do thoja se edhe ata sipas menyres se tyre, jane per intergimin europian.

  6. Ka shume gjera qe nuk shkojne, por jemi detyru me i çu me zor nga halli…

  7. Duke rrezikuar te kthehem ne gjuajtes sondazhesh, ai me i miri qe kam pare te behet ne Ballkan eshte botuar nga gjetjet e Komisionit Nderkombetar per Ballkanin (revividus prej atyre qe hetuan shkaqet e lufterave Ballkanike para 100 vjetesh).

    http://www.cls-sofia.org/uploads/files/Projects%20files/International%20Commission%20on%20the%20Balkans.pdf

    Nderkohe mua me duket (fig.6, fq. 43) qe te gjitha politikat shqiptare (ne Shqiperi dhe Kosove) bejne te kunderten e zgjidhjeve te sugjeruara nga sondazhet serioze.

    “Integrimi Europian” eshte vetem nje shtype qe vulos gojen e Shqiptareve dhe asgje me teper.

  8. Nuk mund te siguroj kend per shifrat e sondazhit ne fjale, por di fort mire se kur behen sondazhe behen krejt ne rregull. Kam ndihmuar ne nje prej tyre per te gjetur e terhequr dhe mendimin e shqiptarit me te fundit. Te anketuarit ne sondazhet ne Shqiperi paguhen disa here me shume se gjetiu, sa rroga e nje apo dy diteve.
    Tani, 90% e lart merreni edhe keshtu,
    – se sa thelle (deep) ka hyre propaganda, apo sa ne varesi te elites eshte popullsia
    por edhe keshtu,
    -se shqiptari i zakonshem nuk eshte 100% politik e cdo veprim i tij mund dhe duhet te futet vetem ne ate lloj klasifikimi. Shqiptari ka qellime politike, ekonomike, kulturore, etj. Mjafton qe ti permbushet nje qellim cfaredo (shitja e midhjeve, finalja e champions) qe ai te jete pro integrimit, pa e konsideruar kete as si strategji politike a as kundervenie politikes se kohes.
    Shifren me te sakte se sa shqiptare nuk perkrahin politiken e vendit e jep perqindja e mospjesemarrjes ne zgjedhjet e pergjithshme. Kete korrektojeni si te doni.

    Shifrat nuk mjafton ti shqiptosh, ato duhet ti lexosh, pa harruar se ato shkruhen edhe prej analfabetesh.

    Sondazhi qe sjell Safir Arnauti me siper, i ka vene te anketuarit ne rolin e profetit. Psh, Safir, gjej me mend nje dyqan ku s’ke shkelur kurre me pare, e une do te pyes: Do te kete me ulje cmimesh aty? Ajo qe ndodh, Safir eshte qe mbasi ble ne x dyqan te te kerkojne tu pergjigjesh pyetjeve.
    Keto lloj sondazhesh ne deshirore, jane si shkop qe e mban per te larguar bishen. Ja c’kuptoj me kete:
    a-do donit nje rritje page kete vit….po…jo…
    b-a ju del muaji me pagen qe merrni …. po…jo…

    1. Per ceshtjen ne fjale, fig.16 dhe fig. 17 flasin me mire se propaganda qe leshon Berisha dhe frymezoi kete blog dje (plot 22% e te anketuarve shqiptare dolen kunder ‘integrimit europian’).

      Sa per ceshtjen e ‘profetesise’, sigurisht qe per jeten e vet njeriu eshte profet. Po te shqyrtosh kete sondazh rezultati perkon me realitetin. Probabiliteti me i larte ju dha ndarjes te Malit te Zi dhe Serbise (gje qe ndodhi). Probabiliteti i bashkimit te Shqiperise me Kosoven eshte 50:50 gje qe ne vetvete mund te te idhnoje ty, por mjafton nje ‘black swan event’..

    2. P.S. Edhe dicka tjeter, mos kujto se ky ishte sondazh chapachulash. U konceptua qe te informonte politiken e Brukselit per Ballkanin nen udheheqjen e shume lumniareve europiane.

  9. Safir Arnaut, statistika, europe, ne kete blog jane permendur e perdorur qe te pakten ne mars te vitit te shkuar. Ndryshe nga ti qe vjen i ngarkuar e shkarkohesh mbi te paren rrufepritese, une shikoj vazhdimesine e sa eshte shkruar e, verejtjet e mia perfshi dhe sondazhin e sjelle prej teje, jane ‘proceduriale’.
    Kur vendosim te flasim e shkruajme, askush nuk na pengon qe te zgjedhim si formen “te gjithe shqiptaret jane pro integrimit” ashtu edhe ate qe “88% e shqiptareve jane pro integrimit” – pa harruar te shtojme sipas anketimit te x shqiptareve nga y sondues. Por kur vendosim te flasim me 88%, ne njefare mase i kemi hequr vetes te drejten per te folur mandej me pergjithesime apo me kapercime qe ne gjuhen e zakonshme do te ishin normale. Shih c’konfuzion do te dilte, e ke te besonim, sikur te merrnim te mireqene Xha Xhain se kjo vota per integrimin eshte vote kundra qeverisjes se keqe; Berishen (qe une s’di pse ma ke sjelle ne koment) nuk e duan 88% e njerezve por e votojne 50% e tyre.
    Pasi nuk jemi marre dot vesh me fjale kemi bere marrveshje, qe te sjellim numrat ne ndihme. Psh. Ne eshte K. Ronaldo apo Mesi futbollisti me i mire mund te diskutohet pafundesisht. Cmimin e golashenuesit me te mire do ta marre njeri nga ata apo ndonje tjeter, e kjo s’ka c’ti diskutosh- ai njeri ka numrin me te madh te golave, qofte nga penalltia, qofte te diskutuar. Nje numur eshte nje numur, ka nje vlere e duhet marre si i tille.
    Keshtu, sondazhi duhet te jete i sakte, e jo i mire. Rezultatit, po te pelqeu thuaji i mire. Ne sondazhin qe solle, nuk te atakova rezultatet por saktesine. Nuk eshte aspak e krahasueshme, nuk jane ne te njejtin plan, nuk kane emerues te perbashket, nuk i bien te njejtes melodie banoret e ish-Jugosllavise me shqiptaret e Shqiperise. As nga pervoja e as nga pasoja.
    Me duket sonadazh i pasakte, me dyshimet se eshte sitsur i tille per te manipuluar, per te shkelur ne zona te ndaluara drejt te cilave rruget e komunikimit jane te mbyllura. Po ta konsideroja si te sakte (sondazhin jo perfundimet), do me duhej te mendoja dhe per dashakeqesi ndaj shqiptareve.
    Tregohem i rezervuar, per sa me siper, por jo per te refuzuar, ti pergjigjem pyetjes tende ne P.S. Keshtu, del qe 50% e shqiptareve te pyetur mendojne se sondazhi i permendur nuk ishte sondazh chapachulash.

    1. Me duket sonadazh i pasakte, me dyshimet se eshte sitsur i tille per te manipuluar, per te shkelur ne zona te ndaluara

      Mir, si t’thush ti

  10. Bëj habi me shmangien (tërë finesë) që i bëjnë të djathtët e blogut, thelbit të artikullit, apo disa argumente shumë interesante, si ky këtu:

    “Në fakt, koncepti i patriotizmit në epokën e sotme nuk mund të analizohet me instrumente të kohës së Rilindjes; siç e kuptoj unë, të jesh shqiptar sot do të thotë të marrësh pjesë, me aq sa mundesh, në Shqipërinë si projekt, ose si perspektivë për të nesërmen e fëmijëve të tu;

    klasa politike së cilës i përket Berisha e ka rrënuar këtë projekt, e ka shkelur me këmbë, madje ka urinuar mbi të krejt birrën e rrëkëllyer gjatë festave të ndarjes së plaçkës; përgjegjësia kryesore për dezertimin etnik, ndër komunitetet me identitete të rrëshqitshme, i bie elitës politike në Tiranë, e cila ia doli që, për një kohë rekord, ta shndërrojë Shqipërinë paskomuniste nga shpresë në truall.”

    Tentativë shumë e mirë kjo më lart, për të ripërkufizuar patriotizmin dhe për të cilësuar këndvështrimin e secilit. Ku e vë gjithkush syrin, kur shikon me tejqyrë* Shqipërinë?

    Kam patur në mendje të shkruaj diçka mbi këto dilema të reja dhe reale patriotike. Mbase e bëj ditët në vijim.

    Thelbi qëndron këtu: Kësaj krijese brenda së cilës jemi mbrujtur të gjithë dhe e quajmë Shqipëri, ja kemi siguruar qënësinë, ekzistencën. Lufta e rradhës, është për mirë-qënie. Të kufizohet patriotizmi me valvitje flamujsh, përsëritje përbetimesh dhe evokime të të parëve me sa herë të jepet mundësia, do të thotë ta mbash stekën shumë ulët, në kufijtë e mbijetesës. Sfida reale patriotike e rradhës, është ajo për jetën e përmbushur dhe të plotë në atdhe.

    Kush cënon mirë-qënien e shqiptarëve, cënon patriotizmin.

    Tradhëtarë duhen shpallur hajdutëria, prepotenca, arroganca, nepotizmi, vrasësit etj.

    *them tejqyrë, sepse shumica që marrin pjesë në këtë blog, ndodhen jashtë Shqipërisë, kam përshtypjen.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin