NA NDAU VOTA

Votimi familjar është dukuri e dëmshme, sepse e minon nga brenda procesin zgjedhor duke ia kushtëzuar zgjedhjen qytetarëve. Nga ana tjetër, përballë kutisë së votimit, riprodhohen forma negative të trysnisë sociale, duke e mohuar lirinë individuale, si p.sh. patriarkalizmi. Demokracia, pra, e ka domosdoshmëri luftën ndaj votimit familjar, i cili e deformon vullnetin e zgjedhësve.

Mirëpo cilat janë mënyrat më të mira për ta eliminuar këtë dukuri në shoqërinë shqiptare? Mësuam nga shtypi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi projektvendimin për “Fushatën e edukimit të zgjedhësve në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2011”. Gjithnjë sipas shtypit, KQZ ka vendosur t’i shpallë luftë të hapur votimit familjar, duke i detyruar burrat e gratë të rrinë veçmas në qendrën e votimit. Nga lajmet e djeshme në televizion dhe nga ato të sotmet në shtyp nuk kuptohet mirë nëse ndarja do të jetë në radhë (burrat veç e gratë veç), apo vetëm në çastin kur personi futet në kabinë elektorale.

Për ndarjen e radhës sipas gjinive kemi folur prej kohësh në këtë blog. Madje kemi kujtuar edhe radhët e dikurshme gjatë regjimit totalitar: nga dyqani i bulmetit deri tek zyra e pensionit. Nuk mund të mohohet se rikthimi i radhës në Shqipërinë pa viza së paku krijon habi. Ende nuk dihet me saktësi nëse KQZ-ja e ka formalizuar me shkrim këtë propozim. Hollësi nenesh nuk njoh, por logjika më thotë se mjaftojnë rregullat e sotme për ta luftuar dukurinë e votimit familjar. Rregullat e votimit nuk lejojnë që në kabinë të futen disa vetë njëherësh, përveç rasteve të pranuara nga ligji. Në qoftë se është kështu, atëherë ç’nevojë ka që ndarja e burrit me gruan të bëhet që tek dera? Apo do të bëhet që tek porta kryesore? Nuk është e qartë. Në këtë pikë gazetarët duhet të na shpjegonin më tepër, meqë faqja e internetit të KQZ-së, nuk na thotë asgjë të re, të paktën deri në këto çaste që po shkruajmë.

Ka diçka mekanike në këtë vendim, që është më lehtë ta perceptosh se sa ta shpjegosh, e gatuar ndoshta në zyrat e hirta të aparatçikëve të organizmave ndërkombëtare, qendrave studimore, ose OJQ-ve me projekte parashumë. Ndoshta po i bie kot në qafë, por e kam zor ta besoj se shqiptarët e KQZ-së nuk e dikan se ndarja gjinore në dy radhë nuk e shmang dukurinë e votimit familjar. Përkundrazi, e rikrijon ndarjen gjinore edhe nga pikëpamja figurative, deri atje ku nuk është e nevojshme, për ta rikonfirmuar e rijetësuar publikisht. Nga ana tjetër, ndikimi i burrit ndaj gruas mund të ushtrohet edhe pa praninë fizike; sepse “dhuna” psikike dhe “imponimi i votës” i ka rrënjët thellë e nuk shkulet vetëm në çastet para kutisë së votimit, apo përballë komisionit mbrojtës zgjedhor. Autoriteti patriarkal, në shumicën e rasteve, është i përbrendësuar nga gratë e të tjerët, si rrjedhim vepron edhe pas perdes së kabinës.

Kush e njeh sadopak Shqipërinë e di fare mirë se votimi familjar nuk është i shpërndarë njëtrajtshëm në të gjithë territorin e vendit. Projektvendimi i KQZ-së, për të cilin shpresoj të ketë debate të gjera, duket se kërkon një recetë të gjithanshme, duke harruar se në disa zona votimi familjar nuk ekziston fare, ose ekziston në masë të vogël. Duhet pranuar, gjithashtu, se përballë problemeve që ka sot jeta demokratike në vend, çështja e votimit familjar merr përparësi vetëm përballë ndonjë OJF-je suedeze, që skandalizohet edhe për më pak. Nuk them se nuk duhet luftuar, por zgjidhja automatike, formula e vlefshme për të gjithë territorin, shkon e merr trajta groteske. Përfytyroni për një çast se ç’kuptim do të kishte për një çift modern tiranas (të kurorëzuar, bashkëjetues, të fejuar) t’i ndaje përballë qendrës së votimit. A nuk do të mjaftonte që të futeshin veçmas në kabinën e votimit? Njëri pas tjetrit? Në distancë sigurie?

Karakteri hidraulik i këtij mekanizmi zgjedhor shkon e piqet me shijen anadollake të ndarjes gjinore. Ndërsa e para rreket të zbatojë shabllon udhëzime me standard perëndimor, e dyta sikur e talebanizon panoramën sociale të Shqipërisë. Radhët sipas gjinive mbijetojnë ende në përditshmërinë shqiptare, por janë rralluar disi vitet e fundit. Nuk është natyrisht e keqja më e madhe, por që të propozohen si terapi për një proces zgjedhor të drejtë duket ca si tepër. Importimi akritik dhe artificial i  praktikave sociale nga jashtë, ia jep vërtet luksin pamor simotrave shqiptareve, që ndoshta përfundojnë edhe në raporte lavdëruese ndërkombëtare, por në thelb nuk e zgjidhin problemin e votimit familjar.

Tek e fundit, tha dikush, unë do të votoj gjithnjë atë që më sugjeron gruaja. Çka tregon se votimi familjar ka aspekte të papritura, që duhen analizuar me themel; e që gjithsesi nuk mund të zgjidhen me një të prerë gjinore, sidomos në këto kohë moderne që po jetojmë, plot kundërshti e dritëhije.

Nuk ka komente

  1. Pishak, nuk dua te te zhvleresoj argumentin, po pare ne te teren (e problemeve me zgjedhjet) nuk e shikoj si shume te rendesishme kete, nese do ndahen apo jo burri me gruan, dhe si.

    Plus qe s’duhet harruar qe familjaret votojne pergjithesisht njesoj kudo, jo dhe aq per arsye presioni sesa qe ndajne te njejtat pikpamje.

    Artikulli qe citon ti p.sh. permend qe keta do edukojne nxenesit e gjimnazit per votimet, nderkohe qe pervec faktit qe shumica e gjimnazisteve nuk votojne, pjesa e popullates qe ka me shume nevoje per tu edukuar jane te moshuarit, dhe ndersa s’mund ti grumbullojne te moshuarit ne shkolla per ti edukuar, te pakten mund te bejne dicka jo vetem nepermjet reklamave televizive, por dhe me broshura ilustruese ne qendrat e votimit, etj.

    Dhe nese abuzohet me shume, mendoj (thjesht hamendje) kjo ndodh kur djali/dhendri/nusja/bija voton per plakun apo plaken qe s’mundet ta beje votimin vete, sesa ceshtje burre-grua.

    Por kryesorja mendoj per votimet e ardhshme mbetet se si do garantohet (ose cfare do behet ne kete drejtim) qe rezultati te mos kontestohet pafundesisht nga humbesi, si tani per zgjedhjet e kaluara. Pra duhet te arrihet patjeter nje marreveshje nga te dy palet per te rene dakort ne ca kritere per kete, ne menyre qe te mos kemi dhe nje krize tjeter dyvjecare politike, dhe qe me ne fund ne kete vend te diskutohet dhe per ndonje gje tjeter pervec zgjedhjeve te kaluara, si fjala vjen nje mije e nje probleme qe kane te bejne me njerzit dhe jo me karrigen e pushtetit te Berishes apo Rames, te cilat probleme jane eklipsuar krejtesisht nga gerr-veret e tyre.

    E them kete se kjo gje, marrja per dy vjet me zgjedhjet e kaluara dhe pothuajse me asgje tejter, tashme eshte bere pothuajse status quo, nuk i ben me kujt pershtypje, as opinionisteve fjala vjen, qe dhe ata pergjithesisht ka dy vjet qe merren ekskluzivisht me “e lagu s’e lagu” dhe nuk bezdisen ta cojne ujin e debatit gjetke.

    1. Xhibi:

      nuk dua te te zhvleresoj argumentin, po pare ne te teren (e problemeve me zgjedhjet) nuk e shikoj si shume te rendesishme kete, nese do ndahen apo jo burri me gruan, dhe si

      Pikërisht këtë thosha edhe unë. Shkrimi që citoja nga mediat e shkruara nuk ishte aq i qartë sa lajmi që ndoqa në televizion (Alsat). Ky i fundit fliste qartë për ndarjen në radhë të grave e burrave në qendrën e votimit. Pavarësisht nga kjo, thelbi qëndron tek importimi mekanik i rregullave…

  2. edhe une mendoj se votimi individual ne dhomezen e mbyllur e shmang cdo presion apo ndikim te paperbrendesuar. Besoj se njohja e vleres dhe peshes se votes nga personi qe voton eshte hallka kryesore ne problemet me votuesit ne pergjithesi. Po t’i njihet vlera votes qe jep, shanset per ta peshuar idene e per te mos u influencuar bien natyrshem, ashtu sic rritet edhe prirja per te germuar e ditur me shume per ate per te cilen/cilin voton dhe per planet e tyre ne lidhje me veten.

    “Radhët sipas gjinive mbijetojnë ende në përditshmërinë shqiptare, por janë rralluar disi vitet e fundit.”- kjo me beri pershtypje. Mendoja se nuk ekzistonte me; mendoja se u zhduk nga rikthimi i nje bolleku relativ ne treg qe ben radhen nje dukuri sh me te kufizuar; ndoshta edhe nga fikja e pasivizimi i ngadalshem i brezit qe mbante radhat dikur. S’e kam pare ne Tr. kur vij.

  3. Artikulli/studimi me poshte eshte pak i gjate, statistikat nuk jane te perditesuara, por edhe ndonje kataklizem nuk ka ndodhur qe te kene ndryshuar. Ia vlen te lexohet.

    “Gratë në zonat rurale: Qytetarët e padukshëm në politikë”

    Sonila Danaj

    http://saktivista.com/2009/05/grate-ne-zonat-rurale-qytetaret-e-padukshem-ne-politike/

    Po shkepus dy paragrafe ne lidhje me ceshtjet qe shtron Pizhaku :

    […] Pra, mospjesëmarrja e grave në politikë ndodh për shkak të mungesës së traditës në zonat rurale, ku gruaja të mund të shprehë një mendim individual, ku politika nuk është punë për gra, dhe këtu do të shtonim edhe frikën e shprehjes së një mendimi ndryshe për shkak të dëshirës për të ruajtur marrëdhëniet ndërpersonale të paprekura. Për rrjedhojë, homogjeniteti i mendimit politik brenda familjes, si edhe shpesh në nivel klani apo fisi, kanë çuar në një tjetër fenomen negativ të shoqërisë shqiptare si votimi si familje. Në studimin e përmendur më lart 22.6 për qind e grave u përgjigjën se ndikoheshin nga burrat e tyre në lidhje me votimin, përkundrejt 6.9 për qind të meshkujve (Ekonomi et. al. 2006: 98-9). Votimi familjar është një situatë në të cilën gratë nuk kanë asnjë zë dhe nuk mund të votojnë veçmas familjes së tyre, madje në shumë raste as edhe fizikisht nuk lejohen ta hedhin vetë votën e tyre, si një mënyrë për të vërtetuar nga ana e kryetarit mashkull të familjes se kush komandon, për t’u siguruar se nuk ka lajthitje në sjelljen e anëtarëve të familjes, por edhe si një shenjë besimi nga ana e këtyre të fundit për kryetarin, i cili “e di se ç’është më e mira për familjen e tij”.

    Përforcimi i roleve gjinore në këtë rast nuk ndodh vetëm prej meshkujve patriarkalë të fshatit, por në raste të tilla janë vetë gratë që i ruajnë traditat sipas të cilave gruaja nuk mund të vendosë vetë. Një shembull ilustrues, është rasti i grave të Rrajcës, afër Përrenjasit, të cilat gjatë intervistimit për një studim mbi sjelljen e votuesit të organizuar nga Altin Iliriani pas zgjedhjeve të korrikut 2005 kërkuan lejen e burrave që nuk ishin të pranishëm për shkak të punësimit të tyre sezonal jashtë fshatit (kryesisht në Maqedoni), nëpërmjet telefonit celular, në mënyrë që t’i përgjigjeshin pyetjeve në lidhje me politikën. Ajo që të shqetëson në këtë shembull është fakti se fshati ishte i banuar vetëm nga gratë dhe fëmijët, pasi të gjithë burrat ishin emigrantë sezonalë. Nevoja e tyre e brendshme për të marrë leje, edhe në situatën kur ata ishin fizikisht të pafuqishëm për t’i penguar, tregon për masën e përbrendësimit të këtij modeli sjelljeje ndër këto gra fshatare. […]

  4. Pishak, kam frikë se këtu ka një keqkuptim… bile, më shumë se një.
    Fenomenin që në Itali e njohim si voto di scambio*, që Organizmat Ndërkombëtare (besoj) kanë kërkuar të përballohet seriozisht nga Qeveria Shqiptare, ndoshta (supozoj unë) nga paaftësia e përkthyesit të diplomuar tek “plepat”, është përkthyer si votim familiar… dhe Qeveria, me entuziazmin e saj për të kënaqur ndërkombëtarët, deklaron se do të vendosë rradhat në mënyrë që “t’mos ju lejohet familiarëve të votojnë së bashku”.

    * votimi i dikujt, i një familje, klani apo fshati të tërë për një kandidat të caktuar për të patur përfitime dikushi, familja, klani apo fshati.
    Në Itali është e ndaluar të hyhet në dhomën e votimit me aparat fotografik apo me celularë… në mënyrë që votuesi të mos mund të dokumentojë dhe t’i çojë provën për votën e dhënë kandidatit që ja ka premtuar

    1. Edrus, e vërtetë, ka hapësirë për keqkuptime. Dukuritë e cituara prej teje mund të puqen diku, ndaj ka nevojë për sqarim.
      Dukuria e shkëmbimit të votës (it. voto di scambio) ka të bëjë me klientelizmin politik, pra kur ndikimi ushtrohet nga ana e politikanit, i cili premton realizimin e kërkesës së votuesit. Ky i fundit e jep (shkëmben) votën vetëm për arritjen e qëllimit të vet konkret.
      Votimi familjar ka të bëjë me ushtrimin e autoritetit familjar, kryesisht mashkullor (burri, babai, etj.), në qendrën e votimit. Me fjalë të thjeshta, vendos baba për të gjithë, sipas midesë së tij politike. Gruaja, ose cilado femër brenda fisit, por edhe të tjerë, detyrohen të votojnë sipas dëshirës së kryefamiljarit.
      Këto dy dukuri negative mund të pikëtakohen në qoftë se kryefamiljari i shkëmben votat e familjes së tij me kërkesat që i ka bërë politikanit të radhës.

      1. Më duket e pabesueshme që gratë (që mund t’i punojnë 101burrave), të jenë kaq besnike (nëse kanë bindje të ndryshme) në dhomën e votimit.
        Jo gratë, por edhe unë po të isha atje, në mungesë të njohjes së kandidatëve apo programevetë partive (ops!!!), në rradhë të parë do të merrja mendimin e atij që besoj se di më shumë… dhe baba i di të gjitha.

        Nëse marrja e mendimit për të votuar dikë (që merret dhe pranohet me symbyllur nga burri i shtëpisë) qënkërka e dënueshme, atëhere po aq e dënueshme do ishte edhe nëse unë, për të zgjedhur kandidatin për të cilin do të votoj, të merrja në telefon Xhibin apo MetalBoy-n dhe të votoja për kandidatin që ata do të më këshillonin.
        Siç thashë më sipër, në mungesë aktiviteti bindës nga partitë, gjithsekush që e koncepton si detyrë votimin, do të merrte këshilla nga të tjerët… ose do shtinte tek-a-çift përpara skedës.

        Aaa, nëse burri i shtëpisë paraqitej përpara kutisë së votimit me të gjitha skedat e familiarëve të votuara prej tij, atëhere këtu hyn në punë komisioni i votimit që duhet ta konsiderojë këtë procedurë si të jashtligjëshme dhe ato vota të konsiderohen si të pavlefshme.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: