Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Politikë

KRITIKË PETICIONEVE

Pas ngjarjeve të 21 Janarit, janë përhapur në mënyrë virale në internet disa peticione, prej nga njërin syresh, Fatos Lubonja, në shkrimin e tij Ku po shkojmë, ç’duhet të bëjmë, na këshillon ta firmosim. Thelbi i këtyre peticioneve është se kasta politike shqiptare është e tëra e korruptuar.

Kjo është një e vërtetë e rëndë, sistemike, e cila në fakt duhet pranuar. Shteti shqiptar është një shtet klientelist, dhe këtu përfshihet sa pushteti qendror, aq edhe ai vendori, dhe video Meta-Prifti, në fakt, nuk është gjë tjetër përveçse një provë aksidentale e këtij klientelizmi. Peticioni vazhdon të shprehë mllefin që ndjen cdo shqiptar, duke kërkuar largimin nga politika të cdo politikani të korruptuar, pra, si largimin e Berishës, dhe atë të Ramës. E duke qënë se protesta e të premtes që vjen do të keqpërdoret për qëllimet karrieriste, qofte të njërit, qoftë të tjetrit, peticioni përfundon me thirrjen se nuk duhet të dilet në protestë.

Ky peticion – dhe të tjerë të këtij lloji – të më falë Arbër Zaimi që po i vjedh një frazë të shprehur në konfidencë, “është si dëshira e numrit dy të Miss Universit që të ketë paqe në botë.” Po njëlloj, PF, një komentues tek PPU, kujtoi atë përrallën e vjetër ku gomari mbyll sytë e i lutet zotit të jetë ëndërr kur shikon luanin ta sulmojë për ta ngrënë. Është iluzioni i të bërit diçkaje; pozicioni idealist; utopik madje. Një idealizëm përrallor, ku dhuna nuk duhet kurrsesi të ekzistojë, ndërkohe që po te konsiderohet si mjet, si dhe e konsiderojnë këtë peticion hartuesit dhe mbështetësit e tij, ky mjet është çka njihet tashmë si “dhunë e kulluar.” Nuk dua të bëj teorira të stërmëdha këtu, thjesht të vë në dukje paradoksin, me shpresën se ndërgjegjësimi që mëton të arrihet me këtë peticion të mos shkoj dëm.

Walter Benjamin, kur i bënte kritikën dhunës së kulluar, sillte si shembull lutjen (peticionin) që i dërgoi Moisiu perëndisë, që atë grup, apo fraksion çifutësh që kishte dalë nga rruga e Zotit, ta përpinte dheu. Dhe në fakt, siç e tregon edhe Dhiata e Vjetër, ata i përpiu dheu, madje, shprehet Benjamin, pa u derdhur as edhe një pikë gjak. Kjo shfarrosje e së keqes, pa dhunë, pa u derdhur as edhe një pikë gjak, konsiderohet si dhunë e kulluar, e pastër, në kuptimin që edhe duart nuk bëhen pis. Kjo dhunë e kulluar është vetë drejtësia si mjet, dhe kjo duhet theksuar, thjesht dhe vetëm si mjet, efektet e të cilit mjet janë pozitive për sa i përket formimit moral të njeriut, i cili duhet të ketë në mendje gjithmonë drejtësinë. Por, dhe këtu është kyçi i argumentit, ky është mjet simbolik, e si i tillë ka vlera potenciale, por që realisht dhe aktualisht nuk ka asnjë lloj efekti.

Nëse duhet të ketë ndonjë ndërgjegjësim në një masë të pavarur apo asnjanëse partiakisht të popullsisë, çka dhe është qëllimi i këtij peticioni, ky nuk është fakti se Berishën e Ramën duhet t’i përpijë dheu. Për këtë jemi të ndërgjegjshëm të gjithë, e nuk ka nevojë të firmoset asnjë peticion. Nëse kërkohet ndonjë lloj ndërgjegjësimi, ky nuk është mbi faktin se drejtësia duhet të vihet në vend, pasi ajo duhet të vihet në vend dhe këtë e dimë të gjithë. Ndërgjegjësimi duhet të jetë mbi mjetet të cilat duhet të jenë efektive që kjo drejtësi të vihet në vend. Dhe këto mjete, është utopike që të jenë të kulluara e të mos bëhen pis.

Kështu që, po të numërohen mjetet, ato janë: funksionimi efikas i rendit kushtetues, ku përfshihen funksionet dhe kufinjtë e pushteteve, legjislativë, ekzekutivë, gjyqesorë, kushtetues. Në mungesë të këtij funksionimi efikas, çka dhe është gjendja aktuale, mund të ndërhyjnë ndërkombëtarët, por nëse as patericat e ndërkombëtarëve nuk janë efikase, atëherë duhet të konsiderohet seriozisht presioni popullor me anë të protestës dhe të revoltës si mjet legjitim që ka për qëllim pikërisht këtë funksionim efikas të rendit kushtetues. Të thuash se nuk mund të dalim në protestë, pasi kjo çon ujë në mulli të Ramës, është naive, pasi derikur të hedhë kandidaturën një intelektual i pastër, si Fatos Lubonja bie fjala, protesta gjithmonë do çojë ujë në mulli të dikujt që duart i ka të pista. Por le mos harrojmë qe përveçse utopike, kjo është mbi të gjitha fatale, pasi të thuash se nuk duhet dalë në protestë, pasi kjo sjell në pushtet dikë që në fakt duhet ta përpijë dheu, është një status quo me kosto shumë të lartë, mbi të cilën edhe kritikoi Walter Benjamin, e të cilën e vuajtën pasardhesit naivë të Moisiut deri në gjenocid.

Pasi ç’ndodhi me çifutët, apo me çdo popull që e lejon veten të bjerë pre e tiranisë. Ata i veshin tiranit të ligën absolute, e si qingjat e mirë të Nietzsche-s i japin zë moralit kundër predatorëve. Tirani kështu është vetë mishërimi i të keqes, për të cilin kemi dëgjuar fabula dhe sermone të pafund, nga i cili duhet të distancohemi me çdo kusht. Ndërkaq, aq i fuqishëm, sa nuk mund të bëhet asgjë kundër tij. Madje sa më shumë të luftohet, aq më i egër bëhet. E vetmja shpresë është të mos e provokojmë, pasi kjo e egërson, por të mblidhemi bashkë rreth ngrohtësisë të pafajshme të familjes dhe të lutemi që këtë tiran ta përpijë dheu. A nuk ishte pikërisht kjo ajo që bënë çifutët dhe evropianët naive para luftës së dytë botërore, e pikërisht kjo ajo që bënë shqiptarët gjatë regjimit të Hoxhës? Nuk guxuan të protestonin, pasi kjo është provokim, por në privatësinë e familjes, e mallkuan të mallkuarin e iu lutën Zotit të mohuar që të hapte dheun e t’i përpinte tiranët.

Nuk ka rëndësi këtu nëse bëhet fjalë për një tiran, apo për dy. Kjo nuk është vecse tirania e pluralizmit ku sfida është herkuliane. Por që gjithsesi ruan të njëjtën logjikë fataliste ku rrezikon të bjerë cdo popull që ka në krye një tiran, dy, apo tre. Pasi sa më shumë që gjërat të ndryshojnë, aq edhe mbeten të njëjta, apo jo? Sa do që të ikë Berisha, njësoj është, pasi do e zëvendësojë Rama, apo jo? Atëherë zgjidhja vjen nga lart, shfaqet si shkurrja në flake Moisiut, “ata të zhduken të gjithë, e unë nuk bëhem palë me asnjë ndyrësi.” Firmosim peticionin, dhe kështu jemi të pastër.

Por a jemi të pastër? Le të kthehemi me këmbë në tokë, nuk na bën keq. Ja e firmosëm edhe peticionin, tani cfarë? As kryeministrin, e as kryeopozitarin nuk ka për t’i përpirë dheu, jo në Strasburg, Bruksel a Washington të shkojë ky peticion, por deri tek autoriteti më i lartë i universit, tek Zoti në Sinai të shkojë e ata nuk zhduken. Madje kush e njeh sadopak psikologjinë e tiranit, e di se sa më shumë t’i lutesh, sa më shumë të bësh peticion e të arsyetosh nga mëshira, aq më shumë do e marrë sikur ia ke frikën, aq më shumë do mendojë se frika e çon njeriun në adhurim, e rrjedhimisht aq më shumë tirani do të abuzojë me ty.

Është momenti që e drejta dhe detyrimi qytetar të mos shprehet më me lutje e me peticione, por t’i jap fund moralit të mëshirës e keqardhjes mbi të cilën është ndërtuar shoqëria civile sorrosiane, pasi këto kanë mëse 20 vjet që nuk funksionojnë. Është koha të manifestohet me prezencë, me trup në rrugë, pasi është mbi trupin që është kryer e po kryhet padrejtesia, fal edhe tiranisë së mëshirës e lëmoshës të së ashtuquajturës Shoqëri Civile. Le të ndërgjegjësohemi për këtë, them unë, se për drejtesinë hyjnore jemi të ndërgjegjësuar të gjithë. Le të ndërgjegjësohemi mbi faktin se protesta nuk është as në funksion të Ramës, e as në funksion të kujtdo tirani, real apo i imagjinuar qoftë, por për gjithë ata shqiptarë që iu është plakur trupi para kohe nga apatia e fatalizmi, që nuk munden të cojnë prindin e vëllain në një spital sepse nuk kanë mundur të kursejnë për t’ia dalë korrupsionit. Vërtet thua, ka pak halle shqiptari për të cilat duhet të protestojë, sa të ngremë Ramën si justifikim e alibi për të mos protestuar? Në dashtë Rama t’i ngjitet kësaj proteste duke mos përsëritur gabimet e së premtes së kaluar e duke nisur rrugën drejt institucionalizimit të opozitës në parlament, mire, përndryshe, me Ramën, pa Ramën, protesta të vazhdojë.

Këtu del edhe detyra e vërtetë e shoqërisë civile. Dhe kjo nuk është peticioni, lutja apo lypja e pafuqishme si foshnjet në trotuaret e Edi Ramës – kush kërkon analiza le t’i hedhë një sy Benjamin, por  mjafton t’i hedhim një sy historisë tonë 20 vjecare për të kuptuar se 20 vjet peticione nuk kanë funksionuar, e nuk kanë për të funksionuar edhe sikur dy mijë vjet me Krishtin të bëjmë peticion duke kthyer faqen tjetër. Në mos, hidhini dhe një sy historive të kombeve të tjerë. Hidhini një sy tunizianëve që nuk u mjaftuan me përzënien e Ben Alit, por i vazhduan protestat deri sa përzunë edhe fraksionin reaksionar të qeverisë së tij, homolog i të cilit mund të konsiderohet Rama ynë. Shoqëria civile të artikulojë kushtet ku ndodhet shoqëria shqiptare, qytetari shqiptar, si dhe nevojën serioze për të protestuar kundër këtyre kushteve, pa të jetë për peticion, është kollaj, fikim televizorët, ulim grilat, i lutemi Zotit, e presim si çifuti i mirë që e liga të ikë vetë.

Shënim: Ky shkrim u konceptua gjatë diskutimeve për peticionin në Peshku pa ujë.

Pa Komente

  1. “në mos, hidhini dhe një sy historive të kombeve të tjerë. Hidhini një sy tunizianëve që nuk u mjaftuan me përzënien e Ben Alit, por i vazhduan protestat deri sa përzunë edhe fraksionin reaksionar të qeverisë së tij, homolog i të cilit mund të konsiderohet Rama ynë. Shoqëria civile të artikulojë kushtet ku ndodhet shoqëria shqiptare, qytetari shqiptar, si dhe nevojën serioze për të protestuar kundër këtyre kushteve, pa të jetë për peticion, është kollaj, fikim televizorët, ulim grilat, i lutemi Zotit, e presim si çifuti i mirë që e liga të ikë vetë.”

    Ok Lulian, e para jo gjithmone ndryshimet ngza poshte japin rezultatet e duhura shembulli grek i stimulimeve anarkiste besoj se duhet te permendet dhe si eksperience nga kombet e tjera. E dyta çfare te garanton se pershkallezimi Tunizian duke hequr dhe kryeministrin eshte per tu ndjekur, duke e ditur te pakten se ai premtoi zgjedhje te reja dhe se do te qendronte ne post deri sa ato te kryheshin, a nuk mendon se sado per tu share institucionet nese ato rrenohen ka nje pune shume me te dhimbshme per nje komb per ti rindertuar ato? Te pakten ne Shqiptaret duhet te marrim mesim nga Historia jone perpara se te shohim ekperiencat jashte kufijve tane, besoj ndaj te tjerash se kopjimet e shembujve te zhvillimit jashte kufijve kane qene shume here mos efikase pikerisht per mungese adaptuese. Gjithsesi ec mos kaloj ne teme tjeter .. i nderuar Lulian besoj sinqerisht si ty se peticionet nuk do kene impakte direkte as nuk do na shpetojne por te pakten ne rastin konkret bejne te mundur njelloj çertefikimi i te menduarit ndryshe, apo me sakte Un kam te drejte te besoj ndryshe! E shkruaj kete sidomos duke pare se si e marrin for ‘granted ‘ popullin si majtas e si djathtas dhe gati gati ne “ateistet” e politikes shqiptare quhemi si specie pa te drejte ekzistence per militantet e njeres ane apo tjetres! Te pakten keshtu mund te shpresojme se do krijohen rrethanat e lindjes se nje rryme te trete ne mos u krijofte ajo te pakten te ekzistojne rrethanat ne kete mjedis fatalistesh!

    1. besoj sinqerisht si ty se peticionet nuk do kene impakte direkte as nuk do na shpetojne por te pakten ne rastin konkret bejne te mundur njelloj çertefikimi i te menduarit ndryshe, apo me sakte Un kam te drejte te besoj ndryshe!

      ne “ateistet” e politikes shqiptare quhemi si specie pa te drejte ekzistence

      A ka mundesi te na sqaroni si mund te flisni per ‘ateizem’ ne paragrafin e dyte me lart, nderkohe qe flisni per te drejte besimi ne te parin? Thjesht per t’ju kuptuar po pyes.

      1. besoj se thojzat duhen kuptuar apo mund te kuptohen.. gjithsesi po ta sqaroj per momentin dmth nuk besojme tek alternativat politike qe na serviren

  2. Lulian, nuk po debatoj per kendveshtrimin tend, se ato i kemi bere telef dhe tek Peshku.

    Por, e keqinterpreton si permbajtjen dhe qellimin e peticionit, po ashtu ato qe ka thene Lubonja…ky eshte virusi i politikes (keqinterpretimi i argumentit qe kundershton, deri ne piken e pandershmerise intelektuale) dhe te paska zene dhe ty ne keto kohe gjaknxehtesish.

    Dhe, nuk e kuptoj faktin qe objektivi i ri i qitjes per juve po behet Lubonja, nderkombetaret dhe kushdo qe mendon ndryshe.

    Nuk dua te nenkuptoj qe kjo patjeter tregon shterpesi arsyesh per pozicionin tuaj (te daljes ne proteste keto dite), por nese me lejon te sugjeroj: do ishte me mire sikur te perqendroheshit tek arsyet se pse duhet dale tek protestat qe po therret rama ose berisha keto dite, dhe cfare pritet te ndodhe pas tyre, sesa tek kush nuk eshte dakort me mendimin tuaj. 🙂

    1. Xhib, nuk e di e ke vene re, por une nuk argumentoj kunder Lubonjes ne kete shkrim. Perkundrazi, me duket se jam i qarte ndaj faktit qe ajo qe po thote Lubonja per sa i perket kastes politike shqiptare, eshte nje e vertete e rende dhe e hidhur qe duhet pranuar. Mirepo, dhe kjo eshte argumenti im, tani cfare? Lubonja keshillon te firmosim peticionin, por ai peticion eshte apatik, eshte fatalist, duke filluar qe nga gjesti i firmosjes, deri tek permbajtja, ku cdo perpjekje eshte e predestinuar te deshtoje pasi ne mos Berisha e Rama, do jete dikush tjeter qe do na i keqperdori qellimet.

      It’s a fucked up world, now can we get over it?

      Tashti, edhe une ate qe po thua ti po them, madje gati fjale per fjale:

      “do ishte me mire sikur te perqendroheshit tek arsyet se pse duhet dale tek protestat qe po therret rama ose berisha keto dite, dhe cfare pritet te ndodhe pas tyre, sesa tek kush nuk eshte dakort me mendimin tuaj.”

      Thjesht sa po i shtoj kesaj edhe kete tjetren “sesa te mendojme se duke u distancuar nga gjithcka e piset, eshte ne fakt zgjidhje.”

      Eshte e vertete qe kjo nuk po ndodh, por le te kemi gjithashtu parasysh se nga duhet te vije artikulimi i ketyre arsyeve, pasi ne varesi te autorit te ketij artikulimi, dhe perceptimit qe kane masat ndaj ketij autori, edhe do percaktohet besueshmeria. Ne nje fare menyre, keto arsye dihen dhe jane artikuluar. Shiko psh, artikullin e Blendi Kajsiut, apo te tjera te tij, te Lubonjes, te Vehbiut, e me rradhe. Problemi per momentin, per mendimin tim, nuk eshte thjesht artikulimi i ketyre kushteve shoqerore, ekonomike, etj. Problemi eshte shnderrimi i tyre ne kauze, dhe kjo kerkon ate autoritetin, ate besueshmerine, dhe ate shtysen qe duhet te thote “ju ka ardhur ne maje te hundes nga keto kushte? Atehere eshte mire te revoltoheni.” Ne fjalet e Howard Beale “I am mad as hell, and I’m not gonna stand it anymore.” Eshte e qarte qe kjo nuk mund te vije nga Rama, pasi ky e ka humbur besueshmerine, megjithese nuk eshte ende vone. Une nuk ia kam lene mangut vetes ta bej, besoj, e as bie llafi Saktivista. Por problemi eshte se as une nuk e kam autoritetin, e as Saktivista nuk e zoteron autoritetin e duhur per ta bere masive kete kauze. Duhet te jete dikush me daemion >>> ne balle si Lubonja, apo i autoritetit te tij, qe te ngrihet e te thote “I am mad as hell, and I’m not gonna stand it anymore.” Por jo me peticione, e as me kurthe te tjera konsumeriste si keto.

      1. “Problemi eshte shnderrimi i tyre ne kauze”

        nuk behet stani me lepuj, dhe definitivisht nuk vihet as ujku e as dhelpra si kujdestar i stanit me lepuj

        missguided my friend, kshu me dukeni… ju hane duart (gishtat, ne rastin tone qe jemi larg shqiperise) per ndryshim dhe shkoni e bini pre e atyre qe jane fajtore per status quo-ne

        me vjen keq mik, po kauza e demokracise dhe luftes ndaj korrupsionit me Edi Ramen apo Sali Berishen ne krye te protestave eshte si kauza e feminizmit duke praktikuar prostitucionin.

        ketu qendron dhe keqinterpretimi yt per te cilin fola qe i ben Lubonjes apo peticionit, edhe ne komentin e mesiperm… Lubonja nuk tha se do vije zgjidhja po te mos bejme gje; keto jane straw man arguments (le ti leme se s’na cojne gjekundi)

        sic duket dhe nga titulli i artikullit te Lubonjes, ai adreson pyetjen se ca po ndodh dhe cfare duhet bere. ajo qe NUKduhet bere, sipas Lubonjes, eshte dalja ne protestat e Rames dhe Berishes. ajo qe duhet bere, flet per nje force tjeter politike qe duhet te ngjizet etj.

        po gjithsesi, keto probleme 20 vjecare nuk zgjidhen as me nje firme peticioni, as duke mos bere gje, dhe aq me pak duke dale ne demonstrata si dele mbas atyre qe jane mu fiks pergjegjesit e gjendjes.

        kur je ne nje grope–thone keta si shprehje, sic e di–gjeja e pare qe duhet te besh nese do te dalesh eshte qe te mos germosh me thelle.

        te mos besh asgje eshte te rish ne vend.

        te dalesh ne demonstratat e Rames dhe Berishes, eshte definitivisht per mendimin tim te germosh me thelle

        juve me duket po reagoni ne panik; ngaqe s’doni te rrini pa bere gje, rekomandoni qe te rrembejme kazmat e lopatat dhe te gerrmojme… kshu me duket

        1. Xhib, po me vjen ne maje te hundes ky argument. Rama mund te jete Musolini revolucionar me pontencialin per t’u shnderruar ne Duce. Eshte hajdut, kusar, etj, etj, e gjithe te keqiat. Mund te kete paguar njerez per proteste. Ka dashur te shkaktoje panik, te fitoje pike politike duke ditur dobesite e Berishes, e te gjitha maskaralleqet. Por e di cfare? Shefi i policise bashkiake ishte aty duke larguar protestuesit nga porta e kryeministrise, nderkohe qe sipas “rregullores se bulevardit” njerezit po vriteshin si qen, sepse ishin “kokpalare,” Berisha gati sa nuk shkaktoi grusht shteti, e sikur te vazhdoje edhe pak presioni, do e shkaktoje, duhet te jete ne hetim per perdorim te panevojshme force vdekjeprurese, keshtu qe enough, is enough. Nuk jane njesoj. Po qe se jemi ne grope duhet te dalim, e me mire te zhytemi me thelle duke u perpjekur per te dale, se sa te rrime aty gjithe kohen duke u justifikuar me budallalleqe te tilla si Rama eshte njesoj me Berishen. Nano eshte njesoj me Berishen, keshtu qe le te rrime ne grope, Meta eshte njesoj me Berishen, keshtu qe le te rrime ne grope, Rama eshte njesoj me Berishen, keshtu qe le te rrime ne grope. Asnje nuk eshte njesoj me Berishen, ndoshta vetem Enver Hoxha. Rama kapi momentin politik dhe e perdori. Ku eshte krimi ketu? Apo duhet ta dinte qe kishte perballe nje te cmendur qe nuk ndalon para asgjeje, as para vrasjes, e te mos bente asgje? Ky eshte muhabet pa bereqet, gjithsesi. Por boll, se as para ligjit jo e jo nuk eshte hajduti njesoj me vrasesin, por as para moralit. Berisha mund te kete, mund te mos kete gisht ne vrasje, fakti qe eshte ne krye te zinxhirit te komandes, e fakti qe nuk e ka pasur per gje te jape urdher te qellohet me pare, si c’mesyu kryeministrine ne 98-en me arme, nderkohe qe tjetri nuk ka asgje ne kurikulum pervecse protestes si spektakel, lajle luleve te imazhit e te tjera furca qe mund fshehin hajdutllekun e klientelizmin, nuk i ben njesoj. Ku dreqin bazoheni qe jane njesoj, se na cmendet? Ne mos nje arsye do gjeni gjithmone nje arsye tjeter te justifikoni pasivitetin. Ta haje dreqi nuk ka te beje me faktin qe nuk po behet asgje, ka te beje me faktin qe ka njezet vjet qe nuk eshte bere asgje. Dikur qaheshin njerezit se nuk kishte patate ne dyqan, tani qahen se nuk iua mban xhepi ta blejne. Por jo, hic mos protestoni, se Rama, Raaaaaaaaaamaaaaaaaaaaa, Raaaaaaaaaaamaaaaa, Gogoooooooooolii! Dicka DUHET PATJETER te ndryshoje. E nese nuk ka guxim te marre nje hap pozitiv shoqeria civile e intelektualet e pavarur, duke u angazhuar e duke i angazhuar qytetaret ne kerkimin me cdo kusht te te drejtave te tyre, nese keta jane dorezuar, atehere ne qafe e pacin popullin, sepse tek Rama do shkoje gjithsesi. Intelektuale pa pike nervi, a thua se jane figura gjeometrike e jo qytetare.

          1. Lulian, po perpiqem dhe nje here, edhe pse me duket e pashprese, por po perpiqem se s’kam dyshim ne synimet e tua te mira.

            E para, situata duhet pare ne teresi, dhe kjo duke pare jo vetem ca si dhe pse eshte keshtu, po dhe ca dhe si mund te jete neser ne varesi te cfare bejme dhe si e bejme. Dhe kur them ne teresi e kam fjalen qe argumenti s’ka si fillon me cka ndodhi ne 21 janar, se po vazhduam keshtu neser do argumentojme vetem mbi bazen e cka ndodhi ne 28 janar apo 4 shkurt.

            E dyta, une nuk jam per rrotacion qeverish me dhune dhe pik! Kjo krijon precedente per nja 20 vjet te tjera “demokraci” sic e kemi pasur, kur nje pale humbet zgjedhjet dhe tjetra si njeh, dhe pastaj kerkon ta rrezoje me dhune palen ne pushtet, per hir te [vere idealin ketu] duke perdorur kauza si [vere kauzen ketu…kutia, Meta…etj].

            Video e Metes nuk ishte lufte per korrupsion, ishte mjet per lufte pushtetesh, meqe s’kishin rene dakort ne pazar, dhe kjo video e bere ka nje vit mbahej aty si fisheku ne pushke, gati per tu zbrazur.

            Pavaresisht kesaj, dalja e saj ishte pozitive padyshim per ne si shoqeri, dhe mund te ishte shfrytezuar mllefi i popullit per ti bere gjerat brenda kuadrit ligjor, e nese pas te gjitha perpjekjeve ligjore Berisha do bente keto pelivanlleqet, qe me gjasa do i bente, atehere mbase kishte fytyre Rama, ky njeri qe po mban peng vendin ka dy vjet me protesta, t’i therriste njerzit ne proteste.

            21 janari ishte i kurdisur per te qene i pergjakshem, per te njejtat arsye (kapitalizimin e mllefit pas videos se Metes, dhe marrjen pra te pushtetit me dhune).

            Sot ti me thua ec te dalim ne proteste per hir te 21 janarit…nderkohe qe dje me thoje ec te dalim ne proteste per hir te videos se Metes.

            Po dje nuk kishim vrasje, keshtu qe ti kembengulje qe duhet te protestonim si shoqeri civile jo ne emer te politikes, dhe jo ate dite kur na therriste Rama, po nje dite tjeter.

            Sot qe pati vrasje, dhe qe gjakrat u nxehen (pas jo vetem cka beri Rama, po dhe atyre qe beri Berisha) ti me thua ec te dalim pas Rames se s’ka gje, se kshu [vere arsyen] etj.

            E kupton tani?

            Kjo s’ka llogjike, dhe nje femije 10 vjecar po tja shpjegosh pjeset e ekuacionit e kupton si funksionon kjo gje dhe e kupton qe 1 minus 1 s’ka si te beje as 100 as 10, po ben zero.

            E vetmja llogjike qe shoh une ketu tek juve eshte motivi “per inat te vjehrres” qe te thashe dhe andej, dhe, ndersa bie plotesisht dakort qe Berisha duhet te largohet njehere e mire jo vetem nga pushteti po dhe nga skena politike, nuk do bie kurre dakort me keto menyra, as sot qe eshte Berisha ne pushtet, as neser nese Berisha ne opozite ben te njejtat gjera qe ben Rama sot, e Rama ben te njejtat qe ben Berisha, se kjo pune na con tek ajo shprehja tjeter “te shkojme per qellime lesh-venie dhe te dalem te qethur, te rruar, dhe te wax-uar”.

            Keshtu mik.

          2. …”Intelektuale pa pike nervi”…

            Fuqia intelektuale eshte e madhe, por per beteja me natyre te tjera. Kjo si beteje fitohet thjeshte, me njerez te thjeshte. Me intelekt te pakomplikuar/implikuar.

            Distanca nga nervi ne nevrik po perdoret dhe po shfrytezohet.
            Nervi ben senc me nerv, dhe jo me nevrik. Ka nevrik ne perdorim te gjere pushteteria ne kete subjekt.

            Nervi te bej senc nuk duhet te luftoj me nevrikun, por me nervin e nevrikut, pasi beteja me nevriket ne fjale nevrikshe eshte e humbur.

  3. “Të thuash se nuk mund të dalim në protestë, pasi kjo çon ujë në mulli të …, është naive, pasi derikur të hedhë kandidaturën një intelektual i pastër, si Fatos Lubonja bie fjala,”…

    …Fatos Lubonja; fjale, fjala bie.

    E di si eshte puna, sikur te kish me pak mistrecllik Lubonje, dhe me pak djall-si Berishe, nuk do kish shanc per Rame jo te pelqyer.
    Ajo pjese qe s’pelqehet eshte ajo qe nuk mund te arrij vleren e arritur nga Lubonja dhe Berisha, dhe jo vetem ketyre, per mistrec-djall-si.

  4. Ne fakt ka nje alternative tjeter: Mosbindja qytetare. Protestat, demonstratat, revolucionet dhe apatia jane diskretituar si alternativa. Forca e ligjit ca me shume.

    Ne kete vend ka filluar te mbije cinizmi dhe mosbesimi ne njerezit e mosrespektimi i gjithckaje nga gjithkush (nxenesi ndaj mesuesit, studenti ndaj pedagogut, klienti ndaj tregtarit, qytetari ndaj nepunesit, populli ndaj qeverise e vice-versa). Mosbindja qytetare do t’i ndergjegjesonte njerezit per kete zhvillim dhe do te krijonte “zamken” identifikuese lidhese ne komunitet.

    Mosbindja qytetare edhe pse ekziston disi (mosrespektimi i ligjit kur na jepet mundesia), nese formalizohet si zgjedhje qytetare, mund te vije si nje zgjedhje e mesme: nder dhunen qe sjell dhune, nder zgjedhjet elektorale qe veç nderrojne surreter por jo karaktere.

    Cilat mund te jene mjetet? Refuzimi i instrumenteve politike te perfaqesimit politik dhe shperfillja e burokracise shteterore.

    Cilat mund te jene pasojat? Paralizimi i shtetit e ndoshta dhe anarshi.

  5. Midis Akropolit dhe Barbarëve
    Agron TUFA

    I kam zët grevat, demonstratat, manifestimet, mitingjet dhe çdo formë organizimi të turmave nën qiellin e hapur. I kam zët për vete, por nuk paragjykoj të tjerët të mblidhen si të duan, sa të duan e për çfarë të duan. Njeriu i përveçëm, njeriu privat, mendoj se është shumë më e dobishme t’u përgjigjet pikëpyetjeve të veta nëpërmjet shestimit më vete, krijimit apo dialogut me një të ngjashëm, të së njëjtës lartësie gjegjëse intelektuale, edhe nëse bashkëbiseduesi është kundërshtar i pikëpamjeve të tij. Aq më tepër kundërshtar, pasi kundërvënia e pozicioneve e pasuron dialogun, korrekton teprimet dhe na orienton më objektivisht në raportin tonë me të Vërtetën.

    Por e theksoj: më trishton përzierja e privatësisë në turmë, pasi në atë shumësi identitetesh anonime, të përgjithshme, lidhjet me të Vërtetën veçse drogohen, eksitohen, ekzagjerohen dhe kësodore mendimi, mendimi real, privat, pëson përçudnimin dhe karikaturën e vet më të shëmtuar. Sepse mendimi nuk bërtet, nuk ka nevojë të sokëllijë për të gjetur veshë, jehonë, për t’u mishëruar në realitet, për t’u demonstruar në zë dhe figurë. E gjitha kjo është e dhunshme dhe acaruese. Le të mendojnë çfarë të duan të tjerët. Unë mendoj se forma më poshtëruese e demonstrimit të ideve është t’i përbaltësh ato e t’i heqësh zvarrë nëpër rrugë.

    Prandaj nuk kisha pikë kurioziteti të bëja sehirtarin për demonstratën e 21 janarit, pavarësisht pompimit dhe fryrjes paraprake që ushtruan mediat, deklaratat politike dhe strategjitë komunikative, pavarësisht tejekzagjerimit okult që iu bë pritjes (bindjes se do të ndodhë diçka patjetër). Jo, këtë e bëmë vetë ne, duke i paraprirë atmosferës negative me lajmërimin për ndërprerjen e punës, shërbimeve, mësimit. Madje bestytnia (shybja) jonë zbriti e u shkarkua edhe në truallin tonë më të butë e më të virgjër: shpirtrat e fëmijëve. Që në mëngjes na lajmëruan kopshtet dhe çerdhet se në orën 12.00 duhet të merrnim fëmijët.

    Psikoza qe krijuar pa ndonjë urdhër, pa ndonjë arsye bindëse, të qartë, racionale dhe u prit, po ashtu, pa ndonjë habi. Çfarë agjentësh kanë ndikuar vallë në krijimin e kësaj psikoze? Sindroma e panikut i kishte përfshirë edhe fëmijët. Dikush nga vogëlushët i kishte thënë vajzës së madhe se “xhaxhi Edi Rama do ta mbysë atë xhaxhin e keq Sali Berisha dhe do të djegin shumë shtëpia”. “Po shtëpinë time?” – kishte pyetur Vesa. “Të parën do ta djegin”, i qenkësh përgjigjur vogëlushi kompetent.

    Me recetë në xhep, isha duke kërkuar një farmaci në Rrugën e Kavajës kur më mori vajza në telefon. Me një merakosje prej të rriture ajo donte të dinte, se pse “do të na e digjnin shtëpinë”. E qetësova dhe i thashë se do vij shpejt. Ndërkohë përshkova gjithë Rrugën e Kavajës dhe në të dy krahët e saj, ashtu sikurse dyqanet, edhe farmacitë qenë mbyllur me qepena. Kishin filluar krismat e para, të cilat vinin disi të sfumuara. Më tërhoqi vëmendjen kahu i lëvizjes: rruga ishte plot njerëz, por ndryshe nga ç’pritej, njerëzit në vend që të vinin nga “21 Dhjetori” në drejtim të sheshit, zbrisnin në grupe të heshtura poshtë. Doja të pyesja dikë, por nuk qe nevoja, sepse gjithçka m’u vetëshpjegua shumë shpejt. Kështu, i shtyrë nga një kuriozitet gjithnjë në zbehje, u ngjita drejt sheshit, ndërkohë që masa të dendura qytetarësh zbrisnin gjithë e më me nxitim sa nga Rruga e Kavajës, sa nga Rruga e Durrësit: ata, dukej ashiqare, po braktisnin tubimin. Kur mbërrita në Bulevard, përballë Piramidës dhe pashë atë skenë që tashmë gjithkush e ka parë, braktisja e demonstratës nuk përbënte më asnjë mister: qytetarët qenë distancuar nga amalgama agresive e turmës së egërsuar, përgjithësisht killera të lirë me pagesë. Vetë pamja e tyre ishte goditëse, shkurajuese: kontigjent i përhershëm nomad, që beh përjetësisht në dyert e qyteteve për të synuar dyert e Akropolit, me fytyra ku shpërfaqen instinktet e indisiplinuara, me vrullin për spektakël e berihajë dhe syrin bakërr e eshkë për laçkë e plaçkë.

    Pata ndjesinë e një deja vu-je, sikur të gjithë këta xhindë agresivë kishin kërcyer drejt e nga librat e kronikave historike për të rimbushur sheshin. Pamje e njëllojtë, si në portat e Romës, ashtu dhe të Konstandinopolit: turmat e përjetshme që duan shkatërrim, pështjellim, rrënim. Pak rëndësi ka nëse i quan gotë, hunë, hazarë, skithë apo peçenegë. Për ta aorta e historisë rrih veçse me një ankth në eksitim: muret dhe Akropoli të shemben! Mandej – kryqëtarët vërshojnë mbi Konstandinopojën që po digjet.

    Jam munduar ta korrigjoj më vonë këtë përjetim asociativ, duke parë përrenj të pistë ligjërimesh, kasnecë laraganë nëpër studio, korba të pikëlluar pas betejës, të cilët, të gjithë shprehnin pezmin për dështimin e asaj feste të përzishme që prisnin. Asnjë ligjërim demagogjik, i veshur me romantikë pseudohumane nuk ka mundur ta korrigjojë esencën e asaj tabloje që pashë.

    Një palë që mbronte muret e Akropolit dhe një palë tjetër që mësynte, qoftë dhe simbolikisht, qoftë dhe të paraprirë nga atmosfera e parapërgatitur okulte me bazë në përvojën tonë. Dhe më është përforcuar kjo bindje se asgjë të shëndetshme nuk ka në mbrojtjen e sheqerosur të viktimave! Kush është i sigurtë, kush e vë dorën në zjarr për pasojat e rënies së Akropolit?

    Sigurisht, Akropoli duhet mbrojtur në radhë të parë, pa u zënë besë në fjalë demagogëve që flasin gjithmonë “pas pilafit”. E nëse Akropoli do të binte, demagogët do të aktivizonin me siguri një logjikë tjetër, të cilën gjithkush mund ta mendojë më vete – një logjikë rrënqethëse! E meqë Akropoli u mbrojt, nuk ra, demagogët shkarkojnë mllefin, kujën, ankimin, fajësimin… për çka? Pse nuk u bë Waterloo? Por gjithkush e di se kush përfiton menjëherë në natën e sheshbetejës me kufoma: korbat dhe hajdutët e xhepave. Çdo analogji tjetër jashtë kësaj, thjesht ma shpif. Dhe për herë të parë më dhimbset apologjia retorike marksiste e revolucionare me të cilën merret në mbrojtje ajo turmë që më panë sytë. Më dhimbset, edhe pse nuk e honeps dot, sepse në hierarkinë e së keqes, ajo sidoqoftë, është më fisnike. Por ajme, realiteti në të cilin po e aplikojnë, është shumë herë më i padenjë e më vulgar.

    Për herë të parë kam ndjerë respekt, respekt të thellë për banorët socialistë të Tiranës. Përgjigja e tyre qe e mrekullueshme, lakonike e domethënëse: përbuzja dhe braktisja. Ata, banorë të Polisit, ditën të zgjedhin midis Akropolit dhe barbarëve.

    2011-01-27
    http://www.gazetastart.com/analist.php?kategoria=Analistet&analist=Agron_TUFA&nr=30145

    1. Shkrueka ki Tufa:

      ****Dikush nga vogëlushët i kishte thënë vajzës së madhe se “xhaxhi Edi Rama do ta mbysë atë xhaxhin e keq Sali Berisha dhe do të djegin shumë shtëpia”. “Po shtëpinë time?” – kishte pyetur Vesa. “Të parën do ta djegin”, i qenkësh përgjigjur vogëlushi kompetent.****

      Ore, gjynah mos paça, a s’ju duket edhe juve sikur ki Tufa i zbukuron pak këto historizat që sjell, për ta thënë me një eufemizëm? Apo që po rren ditën për diell, për ta thënë pa eufemizëm?

      Kur kam ardhur në Amerikë, më ka ndihmuar një familje nga Mali i Zi, për të gjetur shtëpi, në fillim jetonim gati bashkë me ta. E zonja e shtëpisë, grua e moshuar, e admironte njërin prej të bijve dhe thoshte për të: “rren bukur!”

  6. Lulian revoltimin tend e kuptoj. Megjithate pa pare permbajtjen e peticioneve, thjesht fakti qe nje pjese e shqiptareve duan te protestojne me peticione dhe jo me dhune ne rruge, me duket nje hap perpara. Qeveria Berisha, shprehu per te kushedi se te saten here paaftesine e saj per te mbrojtur jeten e shqiptareve. Nga njera ane ia keputi plumbin kokes demonstruesve, por te mos harrojme se nga ana tjeter, vuri ne rrezik koken e dhjetra policeve aspak te stervitur e pregatitur per te perballuar dhunen e rruges. Ti ndoshta ke degjuar se policia eshte e pergatitur per te tilla situata, por une po te them me aq sa pashe se forcat e rendit te 21 janarit ne Tirane, me menyren si leviznin, si ishin veshur, si ishin strukturuar ne hapesire, manifestuan dhimbshem se qeveria disponon nje sasi te caktuar mishi per top qe nuk i dhimbet gjekundi dhe kaq. Thuhet qe mbrojtesit e Kryeministrise nuk kane kontakte me jashte qe nga dita e dhunes. Kjo eshte per mua nje katastrofe me vete. Askush s’eshte i paprekshem psikologjikisht nga dhuna, verbale ose fizike. Edhe forca shume me te sprovuara e te stervitura, pas konfrontimit me dhunen trajtohen me shume kujdes nga specialistet per te evituar shokun pastraumatik. Me c’kam lexuar statistikave guxoj te mendoj se vetem 30% e tyre mund te ndjehen te destabilizuar psikologjikisht per momentin . Asnjeri s’mund ta dije se si do reagojne njerez te tille neser. Te derdhet gjak neser eshte nje rezik real. Tunizia per mua s’eshte shembull i mire, por duhet te ndergjegjesoje njerezit se revolta e rruges eshte masa e fundit me pasoja te renda per nje popull.
    Mua si qytetare e thjeshte me revolton fakti qe qeveria aktuale, nuk morri asnje mase per parandalimin e dhunes, perkundrazi e ushqeu me nje “langue de bois” te papare. U permend ne kete blog fakti qe policia amerikane do te kishte nderhyre ashper mbi turmen qe kalonte pragun e Shtepise se Bardhe. E drejte, por eshte masa e fundit. Nuk e keni vene re qe asnje turme s’ka hyre ne Shtepine e Bardhe dhe kjo fale zotesise se administrates amerikane per te mos i lene gjerat te qelben, per kete paguhen me takasat e vendit. Kryeministri yne me kukllat e tij prej lecke eshte komplet i papergjegjshem e i paafte, nuk arrin te paguaje as rrogat e punonjesve te administratave shteterore te vendit, dhe ne nje situate krize trillon ne koke te tij nje histori puci. Nuk di si quhet nje film me di Caprion qe luan rolin e nje semuri mendor delirant qe per te mos pranuar realitetin e dhimbshem jetonte ne nje bote imagjinare komplet tjeter. Eshte shprese e humbur ta sjellesh Berishen ne vete me nje proteste ne rruge neser. Duhet menduar tjeter gje, ose pse jo te pranohet qe nje pjese e shoqerise shqiptare mendon tjeter gje.
    Per keto aresye qe permenda me lart, dhe per arsyen se une vete nuk dal neser ne rruge ne Tirane, mendoj qe protesta duhet mbajtur gjalle, te ushqehet sa me shume por jo domosdoshmerisht me mitingje,pse jo e ushqyer perkohesisht me peticione.

  7. Peticionit i jap 5 yje, po peticione te tilla ne Shqiperi nuk kane fuqi as te therin nje pule.
    Ta zeme 4 milione shqiptare bejne nje peticion qe fshatari Bamir Tanku te there pulen me virus, fshatari ne fjale, thote a çma keni ngene, me jepni ca kopje te ketij si i thone ‘pertincion’ se s’kam leke te blej as leter higjenike e as gazete, eshte bere keq per leke.

    Peticioni eshte si puthja me korrespondence, si tha Fredi i xhaxhi Vanit, puthje me korrespondence te jap gjithe diten.
    Peticioni ka vlere si tip sondazhi, si eshte humori popullor, vetem se nuk ka pyetesor po nje ide per te mbeshtetur.

    Tjeter gje eshte kur peticioni nuk ka lidhje me ndjeshmerine civile, kur ka fuqi detyruese, po keto te ndjeshmerise civile jane pese me hiç.

    Ky peticion ka funksion propogandistik, si çdo shashke qe ben tym, hajde bejme ca tym e shtojme mjegullen, themi ca llogje mos kapim gafil ndonje te lekundur a naiv.

    Po mendoj per ndonje funksion tjeter por s’po e gjej dot.

    Ndersa Lubonja; çne rrenjet tek Klani nje qe del hapur kunder Sales ? Ne pamje te pare duket paradoksale, por ne fakt Berisha perfiton shume prej Lubonjes, sepse ky eshte nje i majte i deklaruar hapur, biles me pozicione radikale, keshtu qe kur flet kunder Sales, salistet thone hec mo se eshte i majte prandaj flet ashtu, ate pune ka, mirepo kur flet kunder Rames, nje i majte s’e likujdon dot me faktin qe eshte i djathte, se i djathte s’eshte, prandaj vihet ne medyshje, e se fundmi po fillojne ta likujdojne masivisht se ka inat personal me Ramen prandaj thote genjeshtra.

    Ndersa Lubonja mbeshtetjen deri me sot e ka gezuar majtas, prandaj ishte i dobishem per Berishen, tani po shohim se po gezon mbeshtetje djathtas, nuk e di sa i dobishem eshte tani per Berishen, me siguri bisha po i ben llogarite sa i leverdis Lubonja tek Klani.

    Njefaresoj Lubonja si vegel e (pa?)vetedijshme e Berishes ne luften e ketij te fundit kunder Rames, po fillon te behet i padobishem politikisht, sepse nese bojkotohet masivisht nga te majtet dhe mbeshtetet nga te djathtet, atehere humb premisa themeltare e dobishmerise se tij politike.

    Shoh kohe krize edhe per Lubonjen, se pas terheqjes se detyruar nga fronti anti-kombetarist, po rrezikon edhe terheqjen e detyruar nga Klani.
    Ky tip duhet te beje nje zgjedhje per ti shpetuar fatit te vet mediatik dhe renies se prestigjit, po eshte tip i shkathet di ku kerkoje e çte beje, pres te reja nga Lubonja.

    1. Hyllin, shiko te them dicka per Lubonjen, qe me ka pelqyer jashte mase. Tek ky shkrimi per te cilin behet fjale, Lubonja thote se protesta paqesore duhet te kete, madje duke ardhur e duke u intensifikuar nese eshte e nevojshme. Shpresoj, dhe besoj ta mbaje fjalen e te gjeje menyren t’i therrase njerezit ne proteste, e mos e lere me deri aty sa te detyrohet te bojkotoje protesten kur kete e therret Rama.

  8. @: mendoj qe protesta duhet mbajtur gjalle, te ushqehet sa me shume por jo domosdoshmerisht me mitingje,pse jo e ushqyer perkohesisht me peticione.

    Te ushqehet me peticione ? Kujt do ti drejtohen keto peticione? Presidentit, Parlamentit apo Kryeministrit? Te tre lasin per mbrojtjen e institucioneve dhe rendit kushtetues. Dhe te mos harrojme se loja me peticione (sikurse loja me mitingje dhe antimitingje) mund te instrumentalizohet dhe, Rezultati: ne tavolinen e kryeministrit nje Mont Blanc me peticione, letra te ardhur nga “populli” i solidarizuar me “mbrojtjen ekzemplare te institucioneve,me masat per shtypjen e pucit, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe legjitimitetit te pushtetit” Aq me teper qe ka dhe nje oferte nga qeveria per shperblimin e gjithkujt qe sjell ” fakte, prova dhe grup provash per denoncimin e organizatoreve te rebelimit pucist”

    Midis dy taborreve me miltante te thekur, qendron ajo masa gri e qytetarise , e neveritur nga klasa politike, e pa perfaqsuar dhe qe kerkon nje rruge te re , nje menyre te re te beri politike. Kush do ta perfaqsoje dhe kush do te artikuloje kerkesat-peticione te saj?
    Duken se paku utopiste kerkesat per levizje te tipit chartist apo gandist, sa kohe qe nuk ka nje rruge/pol te trete te strukturuar , i afte per te neutralizuar dy polet e ekstremizuara me retorike dhe metoda konfliktuale.

    Cfare po rezulton pas 21 janarit?Sic po duken bathet “arsyet ” per mbrojtjen e institucioneve po shumefishohen edhe me iso-polifonine e nderkombetareve, duke delegjitimuar cdo arsyeje te sovranit per te protestuar kunder keqeverisjes. Bilanci po konturohet sipas skenarit politik : disa gabime proceduriale, tejkalim kompetencash nga mbrojtesit e institucioneve” perballe “rebelimit antikushtetues dhe orvajtjes per grusht shteti te opozites”
    Nqs do te kete nje hetim dhe cuarje te ceshtjes ne gjykate, historia dihet si perfundon. Arsyet e shtetit dominojne mbi arsyet e sovranit. Nje levizje chartiste, pa nje proteste permanenete te popullit te drejtuar nga opozita , ne kete pike ku ka arritur situata, thjesht legjitimon status quo-ne.
    Ku ishim? Asgjekundi.

  9. Ka dy aspekte qe artikullshkruesit kunder peticionit i bashkojne:

    1. Peticioni eshte pasiv si forme proteste
    2. Peticioni favorizon status-quo-n ( pra Berishen)

    E si mund te jete pasiv nje peticion qe kerkon te rrezoje dy figurat kryesore ne vend? Si mund te favorizoje ai gjithashtu Berishen kur ai kerkon doreheqjen e tij?

    Une kam pershtypjen se peticionistet nuk jane fare njerez pasiv. Une besoj se nder ta ka njerez mjaft aktiv. Ata thjesht nuk deshirojne me te behen mish per top nga asnje pale. Ne mungese te alternativave qe nuk po duken dhe qe te tjeret nuk i lane te duken ata marrin nje qendrim qe do te sherbeje si start. Lulian ne menyre qe te kuptohen me mire peticionistet une po sjell nje pyetje ne forme analogjie:

    Si mund t’i kerkoje nje njeriu ne Luften e dyte Boterore te zgjidhte ose Hitlerin ose Stalinin? (them per nje njeri qe i njihte te dy mire)

  10. “Si mund t’i kerkoje nje njeriu ne Luften e dyte Boterore te zgjidhte ose Hitlerin ose Stalinin? (them per nje njeri qe i njihte te dy mire)
    Stalinin pa dyshim.Gjykimet behen brenda nje konteksti te caktuar. Jashte kontekstit te dogmes fetare, ideja e Zotit do te ishte nje cmenduri.

  11. ”’Lubonja thote se protesta paqesore duhet te kete, madje duke ardhur e duke u intensifikuar nese eshte e nevojshme.”’

    Por thote Rama jashte. Si mund te kete protesta pa Ramen, une kete nuk arrij ta konceptoj dot, eshte njesoj si te besh dasem pa mish.
    Po te kete ndonje force te trete, te paperlyer qe do udheheqe, atehere mund te bihet dakort, po keshtu te dalin spontanisht njerezia kunder sistemit PD-PS eshte jashte çdo realiteti.

    Ke 81% qe kane votuar PD+PS, sistemi eshte i forte, eshte i blinduar nga vota popullore, shume me i blinduar se kryeministria keto dite.
    Rama eshte padyshim pjese e sistemit, po njekohesisht eshte edhe i vetmi psikopat qe e ka pasur te veshtire te perfshihet ne marreveshjet politike te ketyre 20 vjeteve.
    Kjo veshtiresi e qarte e tij, o sjell ndonje tip tiranie te re o shkakton krisje te sistemit.
    Ne çdo rast, tirani apo goditje ndaj sistemit, ky sistem dobesohet.

    Pra ajo qe duhet te shpresojme nga keto trazira eshte dobesimi i sistemit dhe jo rrezimi i tij, pasi dobesimi eshte i mundshem, rrezimi eshte utopi, nuk rrezohet nje sistem i blinduar nga vota popullore.

    Duhet te dobesohen PD e PS qe sistemi te rrezohet, PS-ja e ka treguar veten, qe s’ka aftesi te shkeputet nga e kaluara komuniste, nuk mund te presim kurre qe e majta te nxjerre ndonje parti social-demokrate, keshtu qe e vetmja shprese ngelet shperberja e PD-se nga largimi i Sales, shperberje mese e mundshme po te shikohet sa parti ka pjelle PD-ja ne keto 20 vjet.

    Ne çastin qe e djathta nxjerr nje parti tjeter ose 2-3 parti mesatare, atehere PS-ja ngel si dinozaur, jashte evolucionit, rrjedhimisht do kete presione te medha fiziologjike qe mund te shkaktojne edhe shperberjen e saj.

    Po s’u shperbene PD e PS, nuk ka shanse qe ky sistem te rrezohet, prandaj çeshtja eshte si mund te shperbehen keto parti.
    Po iku Rama do dale nje tjeter, me i nenshtruar ndaj oligarkise socialiste, socialistet do i hidhen me vrap ne preher, si kane bere me udheheqesit e meparshem, Serveti, Tosi e Meta (ky ishte e ardhmja e padyshimte njehere e njekohe), pra eshte 5 me hiç ajo pune, nuk peson asgje PS-ja nga ikja e Rames, PS-ja e peson po te shperbehet PD-ja,e pare prej tyre si parti e Berishes, kriminelave, injoranteve, hajduteve etj, dmth nje katarsis i djathte ka me shume gjasa ta marre me vete edhe PS-ne, sesa nderrimi i udheheqjes, se çberi dreqi, çberi i biri, ne PS iken babai vjen djali, pastaj vjen nipi, pastaj e ka radhen sternipi, dmth s’ka vend per gjak te ri aty brenda.
    Prit kur te mbijne nipat e mbesat e Kiço Mustaqit, Pali Miskes dhe Lenka Cukos.
    Eshte fis i madh PS-ja, ka shume goje per te ushqyer dhe shume pinjolle qe presin radhen.

    Prandaj, sistemi rrezohet me nje katarsis nga ana e djathte dhe ikja e Sali Berishes mund ta shkaktoje kete katarsis, po s’e shkaktoi dot, do e vuajme sistemin minimumi deri ne 2050.

    Ikja e Berishes eshte sipas kendveshtrimit tim e vetmja levizje qe mund te krijoje peshtjellim ne sistem, vete ajo eshte goditje ndaj sistemit, prandaj nuk duhet pare ne fiton Rama apo Tom Doshi, duhet pare çi shkakton deme sistemit. Vete dhuna i shkakton deme sistemit, prandaj eshte legjitime, çdo gje qe i shkakton deme sistemit eshte legjitime.
    Ne keto çaste sistemi mund te goditet duke goditur Berishen, aty sot per sot eshte pika e dobet, pasi Berisha eshte dinozaur anti-demokratik, Berisha pengon nder te tjera edhe evoluimin e se djathtes, Berisha duhet rrezuar edhe nga te djathtet (po per hir te vertetes ka shume budallenj).

    Ky sistem u mbeshtet tek propaganda integruese, po tani qe u pa se NATO-ja dhe heqja e vizave, nuk ishte zgjidhja e shumepritur e halleve, vete sistemi ka humbur nje pjese te mire te besueshmerise, integrimi eshte fllucke sapuni, problemi eshte sistemi, duhet nisur nga koka, dmth nga Sali Berisha, rrezimi i tij eshte hapi i pare pragmatik kunder sistemit, prandaj ne keto çaste duhet te jemi pragmatike deri ne palce.

  12. Pak dite (dy mbase?) nga koha kur filloi te qarkulloje ky peticioni qytetar, Sorosi beri peticionin e tij, ne emer te nje kooperative anonime shoqatash qytetare.

    Dy dite pas peticionit te vet, nxorren kete artikullin qe flet per suksesisn e peticionit: http://soros.al/2010/article.php?id=257

    Ne fund te artikullit jepet nje lidhje per nje dokument pdf ne te cilin mund te lexohen emrat e atyre qe e kane firmosur.

    Gjeja e pare qe me erdhi ne mendje ishte, nese ishte peticion online, e nese jo si mund ti kishin mbledhur gjithe ato firma anembane botes.

    Gjeja e pare qe i hasi syri dikujt (qe me komunikoi privatisht), ishte emri 932 ne peticion: Enea Kaka Shurra.

    Tregues domethenes ky per gjendjen e shoqerive civile dhe forcen e peticoneve ne Shqiperi.

    P.S. Qe te kete kuptim ky koment nese Sorisi me pas e “purifikon” faqen e vet: http://img714.imageshack.us/img714/9770/sorospeticioni21janar20.jpg

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin