SHTETE QË PIKOJNË

Këto ditë, e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga zallahia rreth Wikileaks është të fshihesh, si Julian Assante.

Unë s’kam qenë kurrë entuziast i praktikave të tilla kinse në emër të së vërtetës, sepse mendoj që tejdukshmëria e plotë e institucioneve sot vetëm sa siguron rinovim të praktikave të fshehtësisë nesër.

Njëlloj mendoj edhe se sekreti është pjesë e pandashme e procesit politik dhe diplomatik; dhe se pa garantimin e sekretit nuk garantohet dot as tejdukshmëria.

Shumë nga sukseset diplomatike gjatë shekullit XX nuk do të mund të ndodhnin, nëse nuk do të garantohej sekreti, nga palët, gjatë përgatitjeve të ethshme.

Të trembur nga rreziku se përçapjet e tyre diplomatike mund të bëhen publike në çdo moment, shtetet dhe aktorët e tjerë të diplomacisë globale do të marrin tani masa për ta forcuar edhe më tej sekretin, duke i zhdukur gjurmët më mirë se dje; madje aq mirë, sa këto gjurmë të mos i gjejnë dot më as gjykatat nesër, nëse ndodh vërtet diçka më serioze sesa Berlusconi që përgojon Medvedev-in dhe vice versa.

Disa analistë madje shkojnë edhe më tej, duke vënë në diskutim jo vetëm të drejtën e institucioneve publike për sekret, por edhe nevojën e tyre për t’iu bindur ligjit në çdo rrethanë.

Lexoj këto ditë, në blogun e Piergiorgio Odifreddi-t, pranë gazetës La Repubblica, se palët që kanë protestuar ndaj pretendimit për tejdukshmëri të plotë në punën e institucioneve, në Itali dhe gjetiu, kanë thirrur në ndihmë dallimin që ekziston, sipas tyre, midis legalitetit dhe legjitimitetit.

Sipas Odifreddi-t, ish presidenti italian Francesco Cossiga, që ka qenë edhe ministër i Brendshëm, e ka shpjeguar këtë dallim kështu:

Legjitimiteti ka të bëjë me natyrën e interesave konstitutive të shtetit, ndërsa legaliteti ka të bëjë, para së gjithash, me metodat për të realizuar synimet e shtetit. Nuk ka shërbim sekret që të mos jetë ilegal, por ilegaliteti i shërbimit përligjet sa kohë që synimet e tij përkojnë me legjitimitetin.”

Kësisoj, institucionet ia lejojnë vetes të thonë në publik çfarë ua dikton ligji dhe etika, por të bëjnë në privat çfarë u këshillon praktika dhe interesat përkatëse, shpjegon Odifreddi, duke shtuar pastaj se vetëm qeveritë revolucionare mund t’ia lejojnë vetes që ta shpërfillin këtë farë dupliciteti.

Shto këtu edhe që shërbimet sekrete, për vetë natyrën e tyre, nuk mund të jenë të hapura ndaj publikut; sepse ashtu nuk do të ishin më sekrete, ose do të dështonin në misionin e tyre për të vepruar larg syrit publik.

Entuziazmi për Wikileaks mund të vijë, kështu, si pasojë jo aq e dëshirës për të mësuar të vërtetën – e cila nuk ekziston; por e dobësimit të legjitimitetit të institucioneve, në sytë e publikut.

Dua të them këtë: kur publiku ia njeh plotësisht legjitimitetin një institucioni (në kuptimin që ia jep Cossiga më lart), atëherë këtij nuk i bëhet shumë vonë për raportet e institucionit me ligjin (ose legalitetin e veprimtarisë institucionale). Përkundrazi, kur institucionit i zbehet ose i humbet krejt legjitimiteti, atëherë këtij nuk i mbetet veçse legaliteti, ku të mbështetet, për ta përligjur formalisht ekzistencën ose veprimtarinë e vet.

Mirëpo, gjithnjë sipas këtyre dinjitarëve të brendshëm të shtetit, legaliteti është e pamundur të ruhet e të respektohet sidomos në instanca të caktuara; që këtej edhe lehtësia me të cilën shkeljet e ligjit (ilegaliteti) mund të përdoren për shantazh, ose më keq akoma, për sulm të hapur, në rrethanat kur legjitimiteti është dobësuar ose mungon.

Më anë tjetër, është për t’u pritur që, në rrethana politike normale, palët të akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të legalitetit, siç ndodh rëndom në Perëndim; jo shkelje të legjitimitetit, siç ndodh, bie fjala në Shqipëri. Ndoshta kjo është edhe arsyeja kryesore që në Tiranë s’i bëhet kujt vonë për Wikileaks… sepse edhe këtë herë, duke qenë kaq prapa të tjerëve, ne rrezikojmë të gjendemi, papritur, në pararojë të historisë.

No Comments

  1. kur institucionit i zbehet ose i humbet krejt legjitimiteti, atëherë këtij nuk i mbetet veçse legaliteti, ku të mbështetet, për ta përligjur formalisht ekzistencën ose veprimtarinë e vet.

    Atehere cfare konkluzioni mund te nxjerrim per legjimitetin e insitutcioneve te ShBA-ve ne syte atyre qe jetojne jashte Ishullit te Madh (dmth ShBA)?

    Le te pranojme qe ideja imperative imperatioriale me te cilen marshonte ShBA eshte diskredituar komplet prej Aziatikeve. Dmth: ka mundesi te kesh kapitalizem pa qene nevoja te evolosh ne demokraci liberale.

    Assange, me sa po lexoj, po synon pikerisht te demaskoje kete ide themeltare qe i zhvat totalisht legjitimitetin ShBA-ve. They better find another idea or they are toast.

  2. “sepse mendoj që tejdukshmëria e plotë e institucioneve sot vetëm sa siguron rinovim të praktikave të fshehtësisë nesër.”

    ky eshte ‘defeatist’, dmth i mposhtur, si pozicion … aman mos e merzisni qeverine se na griu pastaj

    gjithsesi alternativa tjeter e cka sjellin keto publikime, eshte qe i ben qeverite te kuptojne se, kur bejne gjera te papranueshme (te papranueshme per nje mase te madhe, ose shumicen te themi) ne mos njeri tjetri moj Melken do ja qite ne pazar, se sado qe te rinovojne praktikat e fshehtesise, ato sekrete do te jene prap ne duart e njerzve. bile ne menyre te pashmnagshme ne duart e shume njerzve, edhe nese do jene me pak njerez sea tani qe kane akses ne to. dhe keshtu rreziku gjithmone qendron per rrjedhje, bile historia tregon qe sa me shume gjera te papranueshme ose skandaloze te beje nje qeveri/autoritet aq me shume rrezikon ti ‘rrjedhin gjerat’ nga njerzit brenda saj

    pra, ana tjeter e medaljes, dhe mendoj arsyeja kryesore qe shume media dhe njerez anembane botes e kane perkrahur qitjen e ketyre dokumentave, perfshi disa nga mediat me prestigjioze ne bote, eshte pikerisht ky mesim qe i duhet dhene qeverise/qeverive nepermjet ketij akti

    po fundja ato (mediat, por dhe assange vete) e qasin problemin dhe nga krahu tjeter, sic e kane thene ne editoriale; eshte detyra dhe pergjegjsia e qeverise/ve qe te rruajne sekretet e tyre, dhe jo e mediave apo civileve.

    me kete argument, duke u justifikuar, mendoj se synohet prap tek ajo me lart, qe ti si qeveri ose s’di ti rruash sekretet (meso nga pesimi) ose s’i rruan dot se ben gjera qe ne mos njeri nje tjeter do te ti rrjedhe, keshtu qe ndrysho praktikat, dhe/ose bej me shume transparence per gjerat qe s’jane vertet sekrete shteti/spiunazhi/diplomacie

    duke pasur parasysh keto, dhe faktin qe deri tani te pakten ato gjera qe kane dale jane redaktuar nga keto media kryesore dhe nuk kane paraqitur ndonje rrezik sigurie mesa thone mediat, veshtire te mos jesh nga krahu i rrjedhjeve dhe jo pro censurimit te tyre.

    te pakten per momentin duke analizuar keto gjera, se ngjarjet mund te behen zinxhir dhe cka pason mund te jete e paparashikueshme, per mire ose per keq. pra kemi te bejme padyshim me nje precedent, jo dhe aq per nga thellesia, por nga fakti qe rrjedhjet perfshijne shume aspekte dhe njerez te dipllomacise amerikane, dhe ne menyre indirekte mbase gjithe boten.

    _____

    “They better find another idea or they are toast.”

    historia e amerikes s’fillon e mbaron me neokonet dhe Bushin, as nuk eshte kjo ide ajo ndonje thelb i suksesit te kapitalizmit amerikan.

  3. Wikileaks, përveç asaj ç’ka nxjerrë dhe atyre që (nuk) do nxjerrë, më tepër se revolucionarizoi mënyrën se si do arkivohen tash e tutje materialet diplomatike, nxori në pah një aspekt tjetër: se sa të ndjeshëm janë shtet, sado të fuqishëm ekonomikisht e ushtarakisht, kur ju bëhet PRESION që mund t’ju nxirren të palarat në shesh.

    Një tjetër aspekt që del në pah nga kjo histori: Wikileaks mund të nxjerrë gjithçka rreth Afganistanit, Irakut dhe mardhënieve diplomatike dhe të mos”ofendojë” asnjë superfuqi, POR, kur thotë se do nxjerrë të dhëna edhe për BANKAT, atëhere vihen në lëvizje të gjitha mekanizmat për t’ia mbyllur gojën.
    P.s: E di që ndokush do fillojë të flasë për “teori komploti”, por, se pse kam bindjen që, edhe pse Hasani ka deklaruar se në Janar do nxjerrë dokumentet bankare… ato dokumente nuk do ta shikojnë kurrë dritën e diellit (ose do jenë pa pikë vlere).

  4. Thote xha xhai:..Ndoshta kjo është edhe arsyeja kryesore që në Tiranë s’i bëhet kujt vonë për Wikileaks…

    Ka mundesi qe kjo ndodhi per shkak te paraqitjes teper abuzive qe iu be zbulimeve te priteshme te Wikileaksit, ku u perdoren terma te tilla si: Wikileaks do te zbuloje prapaskenat e e Marreveshjes me Greqine per ujrat e Jonit etj…

    … Nje vend i shqyer e i keqperdoruar sa nga politika aq edhe nga shtypi, tha.

  5. Kjo puna e “rrjedhjeve” ngjan pak si me ato fotot eksluzive te tabloideve. Kujt i behet vone, ne fund te fundit, se cfare bejne aktoret/kengetaret ne jeten e tyre private? Kujt i duhet ai lloj informacioni? Cfare rendesie ka se cfare opinioni ka aksh diplomat per Berluskonin apo Sarkozyn? Kjo thjesht kenaq nevojen voyeuriste te turmave.

    Cfare kishte te “re” e te “pazbuluar” neper ato rrjedhje? Qe diplomatet/politikanet kane te tjera mendime privatisht nga ato qe flasin ne publik? Qe Amerika, si cdo shtet tjeter ne bote, survejon diplomatet e huaj ne territorin e vet? Qe shtete si Jemeni apo Shqiperia, nuk duan te dalin para publikut te tyre si iniciatore apo perkrahes te veprimeve te SHBA-se ne territorin e tyre?

    Qe ti quash keto gjera “zbulime” e “perpjekje transparence” domethene te kesh jetuar ne vakum, e te mos kesh haberin se c’behet rreth teje. Keto kane qene historikisht, jane e do vazhdojne te jene realitete te diplomacise e politikes kudo ne bote.

  6. Eshte e vertete qe rrjedhje te tilla masive sekretesh shkaktojne me shume deme. Kjo sepse nevoja per sekret dhe besim te ndersjellte te paleve gjate nje procesi te veshtire negociatash apo marreveshjesh eshte ne shume raste vendimtare per te arritur rezultate. Mungesa e sekretit dhe besimit e ben komunikimin shume me te veshtire. Meqe ra fjala dhe vete demokracite moderne bazohen mbi sekretin psh. sekreti i votes.

    Ajo qe mungon tek rrjedhjet e publikuara tek wikileaks eshte diferencimi. Wikileaks nuk i editon dhe nuk e mat efektin e rrjedhjeve qe publikon i nisur nga parimi qe e merr si te vertete universale se me shume transparence eshte gjithnje me mire dhe i ve ne veshtiresi regjimet autoritare (ketu ata fusin dhe Ameriken).

    Wikileaks eshte poashtu nje entitet jashte kontrollit publik dhe si i tille i papershtatshem per gjetjen e nje balance te shendoshe midis sekreteve shteterore dhe transparences. Mua me beri pershtypje psh shantazhi publik qe Julian Assange ju beri qeverive te ndryshme qe ne rast se arrestohej per akuzat qe i bejne mbi abuzimin seksual do te bente publike edhe kaq e aq dokumenta.

    Mbase nje zgjidhje e mire do te ishte institucionalizimi apo krijimi i nje “sherbimi transparence” me financim publik si antiteze dhe kunderpeshe ndaj sherbimeve sekrete shteterore. Fundja fundit wikileaks duhet pare dhe si pjese e procesit (akoma te parregulluar) drejt institucionalizimit te transparences si dicka po aq e nevojshme ne nje shoqeri informacioni sa dhe vete sekreti dhe privatesia.

  7. Mua e gjithe kjo historia e te pikuarit nuk me duket aq klishe, e ca me pak kitch tablosh.

    Diku vjen ere dhe eshte ere e ngordhur.

    Ne harkun e tre vjeteve te fundit, ngjarja kryesore qe kemi qene deshmitar eshte fiat meltdown. I gjithe sistemi i parase eshte tundur e po tundet nga rrenjet. Pasojat e kesaj tregojne se cdo aktivitet i nje shoqerie eshte vazhdim i ekonomise se saj me mjete te tjera, qofte ky mjet ideologji, kulture, shkence, ushtri e te tjera e te tjera.

    Mbas fiat meltdown veme re se shkrirja dhe pikimi eshte shtrire dhe po shtrihet ne cdo nivel:
    -Government meltdown: rasti i Islandes ishte i pari. Rradhen e purgatorit e kane zene edhe plot te tjere, qe nga fqinjet tane e deri tek ata qe jetojen ne perendim te Isle of Man. Kush te rroje, tha, qe te hyje brenda e te behet zoje.

    -Ideological meltdown: kjo eshte e shume faqeshme, dhe wikileak eshte e fundit e saj.
    Me c`kam lexuar, ne U. e Berkeley – Kaliforni, studentet kane leshuar salvon e pare te nje levizje nderkombetare kunder “neoclassical economics”, duke gozhduar ne deren e zyres se nje fitusi te cmimit Nobel mbi ekonomine (Daniel McFadden- s`kam ide se per cfare i eshte dhene) manifeston me titullin ” Kick it Over”.

    Teksit eshte sa me poshte( nota bene paragrafin e fundit):

    …”We, the undersigned, make this accusation: that you, the teachers of neoclassical economics and the students that you graduate, have perpetuated a gigantic fraud upon the world.
    You claim to work in a pure science of formula and law, but yours is a social science, with all the fragility and uncertainty that this entails. We accuse you of pretending to be what you are not.
    You hide in your offices, protected by your mathematical jargon, while in the real world, forests vanish, species perish and human lives are callously destroyed. We accuse you of gross negligence in the management of our planetary household.
    You have known since its inception that one of your measures of economic progress, the Gross Domestic Product, is fundamentally flawed and incomplete, and yet you have allowed it to become a global standard, reported day in, day out in every form of media. We accuse you of recklessly projecting an illusion of progress.
    You have done great harm, but your time is coming to a close. Your systems are crumbling, your flaws increasingly laid bare. An economic revolution has begun, as hopeful and determined as any in history. We will have our clash of economic paradigms, we will have our moment of truth, and out of each will come a new economics–open, holistic, human scale.
    On campus after campus, we will chase you old goats out of power. Then, in the months and years that follow, we will begin the work of reprogramming your doomsday machine…”

    E gjithe historia e Wikileaks, qe nga materialet qe ata po nxjerrin, te cilat deri ne nje fare mase jane ne nje shkalle me ate cka beri Lenini, mbas marrjes se pushtetit ne Rusi, e deri tek reagimi i koordinuar i qeverive te ndryshme te botes se pare , e ka nxjerre mretin lakuriq, pa as edhe nje gjethe fiku para apo mbrapa. Reagimi eshte nje menyre te vepruari qe duket sikur ka kercyer jashte drejt e nga faqet e Princit te Machiavelli-t

    Eshte shume interesant zhvillimi i kesaj teme nga ana e Xhaxhait duke u bazuar mbi vizionin politik dhe idelologjik te picconatorit Kossiga.
    Per mendimin tim cdo gje ka kohen e vet nen kete diell. Dhe mendoj se koha e Kossiges, asaj cfare ai perfaqson politikisht dhe ideologjikisht, ne mos ka perenduar, ajo po perendon. Kam frike se periudha e atij, madje edhe kjo e sotmja, eshte ajo e dinozaurve. Cfaredo goditi boten dhe beri te mundeshme zhdukjen e tyre, nje gje e ngjashme ka goditur boten para 3 vjetesh dhe ka krijuar kushtet per zhdukjen e botes se vjeter, ne te cilen perfshi edhe veten e kedo tjeter mbi te 40-tat.

    Teknologjia e ka pershpejtuar shume hapesiren e kohes qe nevojitet per te siguruar nje evolim benign te gjerave dhe njerezve.
    Nga sa mbaj mend Eni, ne nje nga trajtesat e tij/saj ne kete blog, eshte marre deri dikut me aspektet e efektit te teknologjise mbi shoqeri.
    Eshte nje teme qe sa ka filluar se trajtuari, dhe ngelet per tu shkruar.

    1. “”””Cfaredo goditi boten dhe beri te mundeshme zhdukjen e tyre, nje gje e ngjashme ka goditur boten para 3 vjetesh dhe ka krijuar kushtet per zhdukjen e botes se vjeter, ne te cilen perfshi edhe veten e kedo tjeter mbi te 40-tat. “””””

      Kisha dyshime shumë të forta që ishte çështje brezash.
      I kam akoma.

      Veç mos e bëj kaq tragjike. Mendo sa breza kanë kaluar mbi tokë, të krahasosh këtë me zhdukjen e dinosaurëve, ta quash egoiste është pak.

      1. J,ke një farë të drejte, por jo të gjithë over40vjeçarët e mendojnë ashtu.
        Unë nuk besoj se “bota e vjetër” tashmë po zhduket.
        Fakti që shtete të tërë hynë në borxh deri në fyt për të shpëtuar bankat/dinosaurët, tregoi se të vetmet gjëra që mund të zhduken, janë gomerët dhe lopët e shkreta dhe se të vetmit që do shpëtojnë, janë dinosaurët dhe (ndonjë cjap apo dhi që është mësuar në jetën e malit apo fshatit).
        Më pëlqen optimizmi yt, por s’do ishte keq që nganjëherë të shkoje në fshat dhe të mësoje të milje dhitë… s’i dihet… Filozofët grekë dhe mjelja e dhisë i kanë rezistuar të gjitha revolucioneve 😛

  8. Parashtroj se Wikileaks nuk me interesuar veçse terthorazi, ashtu sikunder çeshtja e dhunimeve ne burgjet e Irakut apo gjera te ngjashme.
    Lufta eshte lufte, nuk eshte shetitje filantropesh, sikunder shteti nuk mbahet vetem me lule, taksa e te drejtat e njeriut, po ka nevoje per nje Guantanamo ose me mire hapesira ku legaliteti ka vleren zero.
    Me nje fjale shteti perballe armiqve duhet te jete nje rryl kompresor/ngjeshes qe asfalton dhe te sillet si i tille, pasi keshtu i garanton popullsise qetesine dhe rendin kushtetues.
    Me ra rasti te shikoj ne youtobe E. Hoxhen qe u pergjigjej grekeve , citoj:

    – Por ne u themi fashistave greke, nuk e shikoni, iu prish gjiza R.P. te Shqiperise se ju dekllaroni se jeni ne gjendje lufte.(brohoritje) Por ne e kemi per detyre t’i paralajmerojme: uleni bishtin, se ne rast se do te hini ne aventura, do t’ju ndeshkojme rende.. ne qofte se ju do te godisni kufijte tona, ne do t’ju kthejme ne kërma…

    Pra shteti duhet te synoje te jete ne gjendje ti ktheje armiqte ne kërma.

    Qe Amerika eshte teper e forte ushtarakisht dhe mund t’ja lejoje vetes te merret me ‘elucubrazioni’ te natyres etiko-legale e deri edhe protesta luledashesish, kjo nuk do te thote se shteti amerikan s’ka nevoje per hapesirat e veta me legalitet zero.
    Sikunder Cossiga e ben shkelqyeshem dallimin, keto hapesira me legalitet zero jane legjitime.

    Legjitimitetin ketyre hapesirave ua dobeson pushteti mediatik, fuqia e skupit dhe mediat qe rrojne me skupe, marrin perhere favore ne kembim te mosperhapjes se informacioneve; ne thelb edhe ketu eshte çeshtje parash, qe mbulohet me tisin e grisur te etikes profesionale te gazetarit dhe te drejtes se publikut per te ditur ç’behet.

    Pushteti mediatik eshte nje nga faktoret kryesore te dobesimit te rolit te shtetit si rryl ngjeshes. Po shkohet drejt paqes ? Jo drejt mbushjes se xhepave te pushtetareve mediatike. Ka me shume siguri ? Jo ka me shume pasiguri.

    Efekti i pasigurise shkaktohet pikerisht sepse efekti i sigurise nuk sjell interes te madh prej publikut per lajme te caktuara, kurse efekti i pasigurise i ben njerezit te rrine me syte kater e veshet pipez. Kjo do te thote njerez te etur per informacion, qe do te thote mbushje e xhepave.

    Pushteti mediatik eshte bere problem serioz per legjitimitetin e institucioneve, sidomos per hapesirat me legalitet zero.