Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Media / Politikë / Totalitarizëm

KOMANDANT, NA MORI MALLI (III)

Nëse në Lashtësi e në Mesjetë ndodhte që mbretërit të visheshin si lypsarë e varfanjakë, për të përjetuar drejtpërdrejt jetën poshtë dhe për të mësuar çfarë mendonte populli për ta, mass mediat dhe ikonizimi total i fytyrave të udhëheqësve politikë e kanë bërë tashmë të pamundur këtë lloj eksperience.

Madje, sa kohë që këto mass media i kanë ulur udhëheqësit politikë dhe në përgjithësi celebrities në tavolinat e neve të gjithëve, atëherë aventurat incognito të mbretërve dhe liderëve të djeshëm tani do të kthehen kokëposhtë, në kuptimin që procesit anonimizues (ndërrimi i rrobave, maskimi, fëlliqja) do t’ia zërë vendin personizimi (impersonation) rrezatues.

Te Wired lexoj për një dukuri të re në jetën publike në Kinë: personizuesit (impersonators) e Kryetarit Mao po bëhen gjithnjë e më popullorë, sidomos në provincë.

Fotografi Tommaso Bonaventura ka fiksuar një seri prej këtyre krijesave të hatashme, me një këmbë në anonimitet dhe tjetrën në mit: aktorë, por edhe njerëz çfarëdo, që i ngjajnë fizikisht ose përpiqen t’i ngjajnë fizikisht diktatorit të vdekur.

Personizuesit e Maos shëtisin nga një banket në tjetrin, nga një festë në tjetrën, nga një dasmë në tjetrën; gjysmë-perëndi pagane të kërkuara dhe gjithnjë të kremtuara nga populli. Prania e tyre në skenat publike të Kinës kapitaliste të shekullit XXI e bën edhe më të vështirë për t’u kuptuar trashëgiminë e komunizmit në Perandorinë e Mesit.

Ndërkohë, siç ka raportuar David Moser, një televizion kinez transmetoi një lojë ping-pongu midis sozive të Maos dhe të Çu En Lait; pas së cilës ata mbajtën fjalime të shkurtra frymëzuese dhe u intervistuan nga drejtuesi i emisionit, i cili ndër të tjera i falënderoi që kishin gjetur kohë të shkëputeshin nga detyrat e vështira dhe me përgjegjësi në krye të vendit, për të ardhur në programin e tij.

Moser vëren se personizuesit e Maos, në moshë të re dhe në moshë të shtyrë, civil dhe ushtarak, si rijosh revolucionar dhe si lider të komunizmit botëror, si udhëheqës të masave dhe strateg të pamposhtur, asnjëherë nuk e bëjnë këtë për të parodizuar ose përqeshur diktatorin.

Personizimi i Maos, në Kinë, është akt nderimi, ose homazhi për liderin absolut të dikurshëm. Personizuesit, sa herë që futen në rol, s’mund të shqiptojnë veç thënie të famshme të Maos, ose urtësi të një banaliteti të pashembullt, të tipit: “të gjithë reaksionarët janë tigra prej letre”, “guerrilasit duhet të lëvizin mes popullit si peshku në det”, “Komunizmi nuk është dashuri, por çekiç që ne e përdorim për të shkatërruar armikun.”

Duke i krahasuar personizuesit e Maos me personizuesit e Elvis-it në ShBA, Moser vëren edhe se çfarë mungon krejt, në kontekstin kinez, është koncepti i kitsch-it; prandaj edhe këto figura groteske, që popullojnë entuziazmin e provincës kineze, nuk bëjnë njeri për të qeshur, veç perëndimorëve, të cilët i lexojnë sipas një kodi tjetër.

M’u kujtua, me këtë rast, se diçka e ngjashme ka ndodhur në Shqipëri me aktorin Reshat Arbana, i cili pasi luajti rolin e Isa Buletinit në filmin Nëntori i dytë, u ftua dhe u prit me nderime të mëdha nga komunitetet kosovare në Zvicër dhe gjetiu në Europën Perëndimore; madje u përhap fjala, në Tiranë, se mikpritësit i drejtoheshin këtij me emrin Isë dhe i kërkonin të fliste fjalë patriotike.

Sa e vërtetë është kjo nuk e di; por ma merr mendja se edhe ndër ne ka munguar për një kohë të gjatë koncepti i kitsch-it në lidhje me figurat historike; dhe se kjo mungesë deri diku shpjegon groteskun e disa emisioneve humoristike sot në televizionin shqiptar, ku obsesioni me personizimin e figurave zyrtare e shndërron këtë farë truku në qëllim në vetvete.

Më anë tjetër, siç e dimë të gjithë, ish aktori Arnold Schwartzenegger u zgjodh guvernator i shtetit të rëndësishëm të Kalifornisë kryesisht për shkak të famës që kishte fituar me filmat e tij, veçanërisht Terminator 1 dhe 2. Shumë votues, në atë kohë, s’e patën për gjë ta shpallnin haptazi se e pëlqenin atë kandidat për shkak të roleve që kishte luajtur në filmat e vet të suksesshëm.

E gjithë kjo nuk është aq qesharake sa ç’mund të duket – sa kohë që politika, e ndërmjetësuar nga mediat, nuk dallohet më nga spektakli. Nëse politikani ia detyron suksesin e vet paraqitjes televizive, atëherë aftësitë e tij për aktrim marrin përparësi ndaj ideve që mund të ketë, sa kohë që këto ide mund t’ia japin edhe të tjerët, të gatshme.

Me fjalë të tjera, nëse politika e mass-mediatizuar priret pashmangshëm drejt produksionit skenik të përsosur, atëherë aktori i mirë është për t’u preferuar ndaj aktorit të keq. Çfarë ka rëndësi, është që njerëzit të mos lihen kurrë pa heroin e tyre të zemrës përbri.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin