Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Komunikim / Nostalgji / Sociologji / Totalitarizëm

ETËR DHE BIJA

Brenda epikës së totalitarizmit shqiptar, vitet 1960 mbahen mend si vite të “revolucionarizimit” të jetës së vendit – me çka kuptohej, ndër të tjera, kolektivizimi i bujqësisë, mbyllja e institucioneve fetare, likuidimi i pronës private, emancipimi i gruas, lufta kundër patriarkalizmit dhe konservatorizmit, rishikimi rrënjësor i programeve shkollore.

Të gjitha këto procese, ndonjëherë tepër traumatike, synonin edhe shkatërrimin e strukturave sociale tradicionale, të cilat regjimi i perceptonte si pengesa ndaj projektit për të krijuar “njeriun e ri”.

Pjesë e revolucionarizimit ishte edhe përfshirja në punë vullnetare e rinisë nga zona të largëta, malore të vendit, të cilat deri atëherë kishin mbetur disi mënjanë zhvillimeve sociale dhe ekonomike. Djem dhe vajza nga malësitë shkëputeshin e largoheshin, qoftë edhe përkohësisht, nga bota e tyre e mbyllur e katundit në mal, për t’u organizuar në brigada sulmuese, të cilat pastaj dërgoheshin të punonin, vullnetarisht, për ndërtimin e veprave të mëdha të pesëvjeçarëve: kryesisht hekurudhave.

Në vitin 1968, ose pikërisht në kulmin e përpjekjeve të regjimit për të emancipuar fshatin dhe periferitë, një aksident i hidhur ndodhi në kantierin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier: u shemb dheu në një skarpatë dhe zuri nën vete një vajzë të re nga Dukagjini, 15-vjeçaren Shkurte Pal Vata, e cila u lëndua rëndë dhe më pas vdiq në spital.

Oficinat e propagandës në Tiranë nuk mund të rrinin pa reaguar ndaj kësaj ngjarjeje me impakt të fortë emocional, të cilën menjëherë e shfrytëzuan për të amplifikuar vetë lëvizjen emancipuese të malësisë dhe nxitur vullnetarizmin anembanë vendit. Brenda pak ditësh, Shkurta u shndërrua në emrin më të lakuar në mass mediat totalitare, si dëshmore dhe heroinë e punës socialiste. Me vendim të posaçëm të Komitetit Qendror të PPSH, asaj iu dha tesera e anëtarësisë në Parti dhe u shpall si komunistja shqiptare më e re e të gjitha kohëve.

Fushata propagandistike e pashembullt solli në qendër të vëmendjes edhe familjarët e Shkurtes: të jatin Pal Vata dhe vëllanë e mitur Ndue, të cilët shprehën gatishmërinë për ta zëvendësuar në brigadën e aksionistëve; të jëmën Zoje dhe kushërirën Katrina, të cilat shërbyen për ta njerëzuar imazhin e heroinës. Imazhi emblemë i malësorit Pal Vata, me shall aksionisti në qafë, përshëndeste publikun nga çdo faqe e parë gazete e reviste, si dhe nga kuadrot e kinoditarëve.

Për Shkurten u thanë shumë gjëra aso kohe; u botuan artikuj e libra jetëshkrues, për të vegjël e për të rritur, të cilat kishin natyrë hagjiografike. Nuk është për t’u përjashtuar mundësia që regjimi ta ketë përdorur ngjarjen, duke përfshirë edhe flijimin e kësaj virgjëreshe në thelemet e një udhe të hekurt, në mënyrë të tillë që kjo të bashkëtingëllonte mirë me psikologjinë kolektive të një krahine tradicionalisht edhe pagane, edhe katolike.

Liane Lang - Monumental Misconceptions

Më anë tjetër, Shkurta, po t’i besojmë dëshmisë që ia bart vetë emri, kish ardhur në jetë fëmijë e padëshiruar, në një familje që priste t’i lindte djali. Kur  u mor vendimi, në kupolë, për t’ia pompuar imazhin në mediat, propagandistët e regjimit u zunë ngushtë edhe ngaqë nuk po ia gjenin dot një fotografi të përshtatshme: askush nuk qenkësh kujtuar t’ia nxirrte një të tillë për së gjalli. U tha, aso kohe, se ishte dërguar një piktor enkas në spital, që t’ia merrte portretin në shtratin e vdekjes si ua marrin kufomave maskën; po atë portret që pastaj do të përjetësohej, me shall aksionisti dhe kazmën në sup, në grafikat, pllakatet, pikturat, statujat e deri në ambalazhet e mallrave në treg.

Si edhe herë të tjera në histori, ikonografisë iu desh të improvizonte.

Vdekja e Shkurtes dhe lumturimi i saj i mëpasëm përkuan me një numër gjestesh politike dhe ekonomike në drejtim të Veriut – ndihma me bagëti nga kooperativat e Jugut, elektrifikimi i zonave të thella malore dhe nxitja për të dërguar gjithnjë e më shumë aksionistë dhe vullnetarë drejt Rozafave të ekonomisë totalitare. Me atë rast, u adoptua edhe parulla një bie mijëra ngrihen, si shprehje lakonike e metamorfozës së vdekjes në entuziazëm feste ndërtimtarësh.

I ati i Shkurtes, Pal Vata, u katapultua edhe ai, brenda natës, nga anonimiteti total në figurë ornamentale, ose simbol të marrëdhënieve të regjimit totalitar me malësinë. Për një kohë, Enver Hoxha dhe të tjerë krerë të kupolës komuniste e merrnin me vete në tribunat dhe e mbanin afër, duke menduar se ky afrim do të ndihmonte njëfarësoj për ta qetësuar popullsinë e zonave malore nga traumat e shfetarizimit dhe të luftës kundër patriarkalizmit (kjo e fundit manifestohej, bie fjala, në fushata për prishje të fejesave në djep).

Si reaksion ndaj pranisë absurde të një malësori shekullor si Pal Vata mes parisë totalitare (futuriste me përkufizim), erdhi e u përftua një seri barceletash, të cilat për një kohë patën përhapje po aq të madhe, sa edhe vetë hagjiografia zyrtare e Shkurtes, madje e kalëruan këtë të fundit.

Barceletat ngriheshin mbi kontrastin midis malësorit “malok”, të prapambetur e të pamësuar me teknologjinë e jetesës qytetare nga njëra anë dhe modernitetin nga ana tjetër; kontrast të cilin heroi i barcaletave nuk arrinte dot ta rrokte e ta sundonte. Kështu, në një prej historizave, Pal Vata i thotë shoferit ta lërë autobusin të ecë vetë dhe të kthehet për të bërë muhabet me të (si të ishte autobusi kafshë barre); në një tjetër, ai i thotë “i kujt je?” një specialisti kinez nga Shangai.

Në vështrim të parë, duket sikur rrëfenja të këtij lloji nuk janë veçse një version trivial i humorit të bazuar në stereotipin e vjetër të katundarit ose të malokut që zbret në qytet. Megjithatë, përhapja virale e barceletave përqeshëse ndaj një personazhi, sado grotesk, që Enver Hoxha vetë kishte zgjedhur ta mbante pas vetes në publik, nuk mund të mos sugjerojë një funksion subversiv të këtyre historive, në dukje të padëmshme, madje meskine.

Kështu, Pal Vata që u uron vullnetarëve të rinj “shkofshi e ardhshi si Shkurta” është edhe përqeshje me glorifikimin që po ia bënte propaganda totalitare vdekjes, madje pikërisht flijimit në kantier; sa kohë që një dëshmor i punës do të përdorej egërsisht si katalizator për të mobilizuar masat në ndërtimin e piramidave. Ashtu u veprua me Adem Rekën, ashtu do të veprohej më pas me Isuf Plloçin, Ismet Bruçajn dhe të tjerë martirë të kalendarit komunist: pas gatishmërisë së çdo vullnetari me shall aksionisti në qafë fshihej gjithnjë një dëshirë monastike vetëflijimi.

Njëlloj, barceleta me Palin që i flet portretit të Shkurtes në ambalazhin e një kutie shkrepësesh, të kujton edhe abuzimin, nga propaganda zyrtare, me imazhin e kësaj vajze të re malësore, të cilën me shkrepëset vërtet nuk e bashkonte asgjë, veç jetës së shkurtër.

Ndër konsumatorët e barceletave nuk mungonte kurrë një farë dhembshurie për Pal Vatën, madje edhe kur ky paraqitej si viktimë e iluzionit se, bashkë me Enverin dhe Mehmetin, drejtonte punët e mëdha të shtetit. Pal Vata mishëronte vërtet malokun e pagdhendur, qytetarisht analfabet, që nuk arrinte të orientohej në tribunat ku e kish ngjitur propaganda komuniste; por u shërbente njerëzve edhe për të shkarkuar frustrimet e përballjes së përditshme me kinezëritë e revolucionit.

Si figurë arketipale, unë do ta afroja disi me Don Kishotin; figurë të zbritur nga mesjeta fisnore, por edhe fisnike e malësisë, në modernitetin barbar të qytetarisë komuniste; edhe pse, brenda ikonografisë së krishterë, tragjikomizmi i tij sikur i referohet, herë-herë, Jozefit të Shën Mërisë, me të cilin besimtarëve u lejohet të zbaviten ndonjëherë.

Shënim: Disa dokumentarë të kinostudios Shqipëria e Re për Shkurte Pal Vatën dhe kontekstin social të vdekjes e më pas të shenjtërimit të saj mund t’i shijoni në këtë faqe të arkivit të Istituto Luce.

Pa Komente

  1. Se c’mungon ne kete artikull Xhaxha. Ndoshta nje fije – qofte edhe e vetme – eksplicite aktualiteti. Nuk jam duke gjykuar, me beso, thjesht nuk te kam vene re me pare reminishenca te tilla pa spunto: njesoj si te thosha, po Shkurte Pal Vata dhe i ati, cne qe t’u kujtua? Ne mos, me duket sikur do perplasesh kepucen tjeter, pasi se c’kam pershtypjen se familja e Pal Vates nuk mund te jete i referuari i vetem i ketij shkrimi, gje qe ma konfirmon edhe shumesi ne titull.

    1. Më tepër e kam menduar si pjesë të një serie që – po të ecë mirë – do ta rrethojë Shqipen Totalitare duke ia dhënë një kontekst jashtëgjuhësor. Si temë m’u kujtua kur po shkruaja një artikull për Res Publica, m’u duk me interes.

  2. Shkurta jetoi shkurt por Mire (as nuk kalkuloi, as nuk zoteroi). Ne te tjeret jetojme gjate por keq (kalkulojme dhe zoterojme). Ndaj dhe jemi te vdekshem (“zoterimi i jetes” si pulsion i vdekjes). Ndaj dhe ajo eshte e Pavdekshme, ose qe te jem i sakte (meqe perdorimi i termit “i pavdekshem” mund te sjelle keqkuptime), Shkurta eshte kthyer ne “Maître du temps” (zoterues i kohes). Vete fakti qe as barceletat meskine (siç thuhet tekstualisht ne shkrim) dhe as shfrytezimi i nje ngjarjeje te tille nga propaganda e kohes nuk ja bjerrin Pavdekesine (jo ne sensin ikonografik krishteror, por filozofik) si dhe vete fakti qe e permendim pas gati 50 vitesh nga vdekja e saj (dhe pas 20 vitesh nga renia e komunizmit) konfirmojne Pavdekesine e saj.

  3. Po cfare thua o Stalker aman? Cfare jetoi “mire” Shkurta? Ajo ishte nje cope femije, e mori Partia vullnetare, dhe e la te vdiste nen dheun qe e mbuloi, e pastaj e perdori per propagande. Roli i saj ne jeten e saj eshte i paperfillshem.

    Per cfare pavdeksie flet? Apo po tu permend emri je i pavdekshem, pavarsisht qysh e pse te permendet?

    Na late pa mend qe ne sabah.

    1. e mori partia vullnetare 🙁

      Te flasesh nga e ardhmja eshte shume perverse. Ne kohen e Shkurtes dhe te gjithe bashkemoshatareve te saj qe vinin nga hauret e lopeve, qe martoheshin qe ne djep, qe vdisnin rreth te 40-va e ku di une ca ta quaj ate lloj jete, te shkoje te ndertoje te ardhmen ishte revolucion me plot kuptimin e fjales.
      Tjeter gje si u manipulua me vone e gjitha kjo nga sistemi qe prape i perket te ardhmes se asja kohe.
      “cope femije qe u la te vdiste nen dhe” 🙁
      Stalkeri e ka thene shume bukur “Vete fakti qe as barceletat meskine (siç thuhet tekstualisht ne shkrim) dhe as shfrytezimi i nje ngjarjeje te tille nga propaganda e kohes nuk ja bjerrin Pavdekesine “

    2. @ LG :
      Ti me lexon keq, ndaj ngelesh pa mend qe ne sabah : Une nuk thash “Shkurta jetoi mire” (ka bo jete), por “Shkurta jetoi Mire”. Ose nese deshiron te ta them ndryshe : Shkurta jetoi shkurt por plot. Une e ti jetojme gjate, por kot.
      Shkurtes i rà nje Ngjarje ne jete, ashtu si nje i dashuruar bie ne dashuri. Ndaj dhe shkruaja qe ajo as kalkuloi, as zoteroi, ndaj dhe eshte e Pavdekshme. Biles ti e shkruan dhe vete : “roli i saj ne jeten e saj eshte i paperfillshem”

      Une do doja shume qe xhaxhai te merrej pikerisht me kete, me çmitizimin e Shqipes Totalitare (psh, ç’ideologjizimi i Pavdeksise). Ose, thene ndryshe, te çmitizojme shqipen ne ate menyre qe te mos detyrohemi te shkruajme nga halli siç shkruan hajdarmozi, “te shkoje te ndertoje te ardhmen ishte revolucion me plot kuptimin e fjales“, por thjesht : “te shkoje te ndertoje te ardhmen ishte revolucion”.

  4. Hajdarmoz, te jesh i sigurt qe i merrnin vullnetare, i merrte partia me zorr, duke ju bere soj soj presionesh familjeve qe ti lejonin femijet te shkonin vullnetare.

    A kishin deshire disa prej tyre, mbase edhe shumica, qe te dilnin nga jeta e fshatit, qofte edhe per te shkuar vullnetare e per te punuar pa shperblim? Me siguri po, se rinia ashtu eshte, idealiste, e etur per ndryshim, per pavarsi etj.

    Kjo nuk e ndryshon faktin qe puna vullnetare ne ate kohe s’kishte lidhje fare me vullnetarizmin ne kuptimin e vertete te fjales. Nuk te pyeste njeri “a do te shkosh ne pune vullnetare?” Thjesht njoftoheshe se ku duhej te paraqiteshe per pune.

    Stalker, nuk te kam keqkuptuar fare, te jesh i sigurt. Te vdesesh ne aksident ne moshe te re eshte tragjedi, eshte fatkeqesi. Shkurta nuk beri asnje zgjedhje ne jeten e saj. Nuk eshte se zgjodhi vete, me bindjen e saj, te sakrifikohej per hir te nje ideali a ku di une c’tjeter. Ne nje vdekje aksidentale s’ka asgje heroike, te pavdekshme, apo sic thua ti “te jetuar plot.”

    Keto “lartesimet” e asaj qe ndodhi jane propagande, e trashe fare madje. Neper vepra e punera vullnetare jane aksidentuar e kane vdekur, mbase, edhe te tjere. Shkurtes i ra “fati” te vdiste aksidentalisht dhe te zgjidhej si figure propagande. Ajo eshte viktime, per mua.

    1. Po sigurisht qe “i merrte partia me zorr vullnetare” (sic.), perderisa “rinia ashtu eshte, e etur per ndryshim” (sic.). Pikerisht, kete quajta Ngjarje ne mesazhin tim pararendes, Ngjarje ku ben pjese edhe shkuarja e saj ne hekurudhe, edhe vdekja e saj fizike. Pra Pavdeksia e saj nuk ka aq lidhje me vdekjen e saj biologjike (edhe pse, ajo ben pjese në te), por me mundesine qe ky proçes i dha Shkurtes per te arritur te preke te Verteten. Fakti qe Shkurta nuk ishte koshiente ne ate qe bente (kaperceu te pakten nje shekull, pa e ditur, pa kalkuluar) ishte kusht sine qua non per te shkuar drejt asaj te vertete. Van Gog beri art, pa e ditur kurre se kish bere art. Identikisht te njejten gje ka bere dhe Shkurta.

      Por ndofta dhe kete rradhe nuk ke per te me kuptuar, perderisa shkruan : “puna vullnetare ne ate kohe s’kishte lidhje fare me vullnetarizmin ne kuptimin e vertete te fjales“. C’quan me “vullnetarizem ne kuptimin e vertete te fjales” ?? Vullnetarizmin ne nje shoqerie te mbeshtetur ne demokraci parlamentare dhe treg te lire ? Ai eshte per ty vullnetarizmi i vertete ?? Une per shembull ate e quaj meshire. Biles precizisht, meshire kristiane (jam i sigurt per kete, sepse e bej vete nje here ne jave).
      Ndaj dhe shprehesha ne mesazhin pararendes qe, eshte non sens te shkruash “me plot kuptimin e fjales”, apo “ne kuptimin e vertete te fjales” : nese fjale si “revolucion” apo “vullnetarizem” duhen kuptuar vetem sipas diskursit aktual, i bie qe “shqipja anti-totalitare” (e sotmja) te jete po aq totalitare sa dhe “shqipja totalitare” (e djeshmja).

      1. Stalker jam dakort me ty edhe per “shqipen anti-totalitare” qe jemi te detyruar ta perdorim per te mos hapur debate te kota me nje kallep njerzish qe nqs merr nje shembull nga e kaluara 45 vjecare detyrimisht ky shembull duhet te jete negativ.
        Gjithmone perpiqem tu shmangem ketyre diskutimeve si nje personazh ne nje film qe thoshte se “im ate nuk bente kurre diskutime politike dhe fetare me njerzit se pale….”.
        sic e shikoj me te njejtin sy prej kinofili personazhin e Shkurtes.

  5. *****

    “Si reaksion ndaj pranisë absurde të një malësori shekullor si Pal Vata mes parisë totalitare (futuriste me përkufizim), erdhi e u përftua një seri barceletash, të cilat për një kohë patën përhapje po aq të madhe, sa edhe vetë hagjiografia zyrtare e Shkurtes, madje e kalëruan këtë të fundit.”

    Nje studiuese australiane ka nje punim te tere per te vertetuar se, pak a shume, ne Shqiperine socialiste nuk paska pasur barceleta e batuta anti-regjim, si gjetke ne Europen Lindore. Trishtim i madh.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin