Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Politikë / Sociologji

PSIKOZA E SHELBUESIT

Një tjetër çelës për të kuptuar enigmën e grekofilisë në Himarë ofrohet nga prirja e përgjithshme, ndër shqiptarë, për ta identifikuar një faktor të jashtëm çfarëdo si shpëtues (shelbues).

Paradoksalisht, ky çelës e afron Himarën me shqiptarinë, gjithë duke ia shpjeguar disi prirjen ose tërheqjen grekofilike.

Shpëtuesi, në këtë rast, është agjencia që do të na shpëtojë nga gjendja ku jemi katandisur; rigorozisht e jashtme, po të gjykojmë nga historia e Shqipërisë së paku pas pavarësisë.

Pa u futur në gjeopolitikë e pa diskutuar nëse shtetet e vogla dhe të varfra, si yni, mund të mbijetojnë vërtet pa orbituar rreth ndonjë shteti ose fuqie të madhe, dua vetëm të nënvizoj se kjo psikozë shpëtimi, sot për sot, po luan rol paralizues në jetën shqiptare.

Normalisht, një individ në vështirësi bën përpjekje për të dalë nga gjendja me forcat e veta, ose duke kërkuar ndihmën e të afërmve e të familjes; në rrethana të caktuara, po ky individ do të shpresojë te një fuqi e jashtme, p.sh. Zoti, shteti, komuniteti, kisha ose një fondacion privat bamirësie.

Karakteristikë jona, gjatë 100 vjetëve të fundit, ka qenë se gjithnjë e më tepër e kemi shpërfillur opsionin e parë, duke iu falur me bindje dhe vendosmëri të dytit – çka tregon, deri diku, se nuk kemi besim në vete, ose në aftësitë tona, si shoqëri shqiptare, për të realizuar hopin cilësor nga mjerimi drejt mbrothësisë, materiale dhe shpirtërore.

Sot Tirana zyrtare i ofron opinionit publik imazhe idhujsh të rremë, si NATO-ja, Europa, vizat, investimet e huaja, të cilat do ta “shpëtojnë” Shqipërinë; është një fushatë propagandistike e trishtuar, por edhe më i trishtuar është fakti që ajo mund të funksionojë ende.

Kjo mendësi kultivon edhe bindjen – të sforcuar në vetvete – që situata është e tillë që kërkon shpëtim, në formë të një ndërhyrjeje drastike dhe të ngutshme nga lart; bindje që, me sa mbaj mend unë, ka hedhur rrënjë në Shqipëri së paku që prej mezit të viteve 1970.

Në atë kohë Tirana e priste shpëtimin, turbullt, prej Perëndimit – idealisht, prej Italisë; por më pas edhe prej Gjermanisë. Gazetat sot e kësaj dite vazhdojnë të shkruajnë e të komentojnë rreth vizitave aq të përfolura të kancelarit bavarez Strauss, dikur në vitet 1980, si një mundësi shpëtimi fatalisht të humbur.

Më herët akoma, në fund të viteve 1940, pjesa e mbijetuar e elitave të përmbysura ende e priste shpëtimin nga një ndërhyrje e anglo-amerikanëve; në një kohë që Hoxha dhe të vetët, të ndier të rrezikuar prej jugosllavëve, e kërkonin shpëtimin nga sovjetikët.

Ndonjëherë më duket sikur mund të shkruhet një histori e Shqipërisë vetëm e vetëm rreth këtij koncepti strumbullar.

Për ta thënë me një proverb të rishkruar: më thuaj nga e pret shpëtimin, të të them se cili je.

Tirana e viteve 1970 që ngrinte peshë në jetën e vendit ishte një përzierje rusofilësh, italofilësh e frankofilësh me ndoshta tek-tuk ndonjë gjermanofil e ndonjë amerikanofil. Gjithsekush e përfytyronte shpëtimin në mënyrën e vet – të ndarë, na bashkonte kjo filozofi e të jetuarit prej qeni që ka humbur shtëpinë e që shpreson se dikush mund ta adoptojë papritur.

Natyrisht, për Greqinë nuk pyeste njeri asokohe – me përjashtim të pak zonave të Jugut, ku veç trojeve të minoritetit duhet llogaritur edhe Rripi i Bregut; ku tradita e grekofilisë plehërohej me televizionin grek dhe kultin solid të “Përtej detit”.

Totalitarizmi i katandis njerëzit në një gjendje të tillë nënshtrimi, sa kjo fe praktike e shpëtimtarit vjen e bëhet alternativë reale, ose një mënyrë për t’i ofruar sadopak rezistencë asgjësimit që kërcënohet nga qendra.

Përkundrazi, sot i njëjti kult është jo vetëm rudimentar, por edhe arkaizant, sepse po i kthen shqiptarët në statusin e një populli në thelb perandorak, ose të përfshirë në çka e kam quajtur, tjetërkund, Perandori Zero.

Kjo psikologji sot e kësaj dite vazhdon të paralizojë, duke nxitur besimin se gjithçka vendoset gjetiu dhe se e ardhmja veç mund të hidhet nga qielli me parashutë, si ndihmat e anglezëve gjatë Luftës.

(Puna e ndihmave të parashutuara të shpie vetvetiu te diskutimi i kultit të kargove, por ndoshta nuk është vendi ta thellojmë këtë aspekt këtu.)

Tirana nuk ka pse të habitet shumë, kur Himara bën, në thelb, të njëjtën gjë që Tirana po e bën prej kohësh: po ua dorëzon sovranitetin Shelbuesve të radhës: sot Europës, dje Amerikës, sot NATO-s, nesër prapë Europës.

Në të dy rastet, çfarë mungon është vullneti për t’u organizuar dhe për ta ndërtuar të ardhmen në mënyrë racionale, jo duke llogaritur ndërhyrjen mrekullimtare të faktorit të jashtëm.

Ata që i kthejnë sytë nga Greqia, në Himarë dhe gjetiu në Breg, e bëjnë sepse nuk dinë ose nuk duan ta kërkojnë shpëtimin me rrugë normale, ose me përpjekje të organizuara mirë. Për shkaqe të ndryshme, reale dhe imagjinare, këto komunitete mund ta shohin bashkëjetesën me shqiptarët përreth si faktor kërcënues.

Ka qarkulluar dikur një anekdotë, me dy lebër që kërkonin t’i shpallnin luftë Amerikës, në mënyrë që ta humbnin luftën dhe Amerika t’i mbante pastaj me bukë (nëse e mbaj mend mirë). Himara vërtet nuk ka ndërmend t’i shpallë luftë Greqisë, por ndoshta ka ndonjë të marrë, atje, që mendon se komuniteti grekofil mund të përfitojë, po t’ia ofrojë shovinizmit grek shërbimet e veta, si kryeurë e greqizimit në Shqipëri të Jugut (ose Vorio-Epir).

Në kontekste të tjera, kjo mendësi është diskutuar si një formë mercenarizmi.

Pa Komente

  1. xhaxhai:
    Ka qarkulluar dikur një anekdotë, me dy lebër që kërkonin t’i shpallnin luftë Amerikës, në mënyrë që ta humbnin luftën dhe Amerika t’i mbante pastaj me bukë (nëse e mbaj mend mirë).

    une di keshtu:

    Ishin nje lab e nje lale.Diskutonin si mund te vinte shpetimi sepse ishin ne krize buke.
    Lala sugjeron qe t’i shpallnin lufte Amerikes.Keta si fuqi e madhe do ta fitonin luften, do t’i pushtonin dhe ..do t’i mbanin me buke.
    Labi e kundershton : Mire e ke ti, por po sikur t’i mundim ne ata, qysh do t’i mbajme me buke gjithe ata amerikane..

    Nuk eshte vetem anekdote.

  2. Kur isha nga mesi i shkrimit duke lexuar, direkt kjo barcaletë mu kujtua madje në majë të gishtave e kisha për ta shkruar; për të buzëqeshur më pas kur e lexova në fund.

    Këtu më rezulton edhe një problem tjetër ama…

    Përveç formës së shpëtimit duke iu dorëzuar tjetrit, mendoj se në thelb, ka një shpëtim real, nëse do mund ta quaja kështu, në rast se bota jashtë merret si shembull.

    Tek tema më parë, kisha shkruar pak përciptas, sesi komuniteti i Himarës, duke qënë më i lidhur se krahinat e tjera me realitetin dhe kulturën greke, e kërkon këtë realitet si shembull të aplikuar në vendin e tyre.

    Që të jem më konkret… pas kërkesës së himarjotëve se “duam polici greke”, që skandalizoi çdo shqiptar, fshihet arsyeja pse e kërkojnë këtë gjë. Në thelb ata kërkojnë të trajtohen më mirë prej policisë të vendit të tyre. Ose të paktën, kërkojnë dikë të veshur me uniformën e shtetit që t’i bëjë të besojnë më shumë tek autoriteti që përfaqëson.

    Mirëpo nuk dinë ta artikulojnë mirë kërkesën. Do të ishte e barazvlefshme me kërkesën e një fëmije që kërkon lodër si shoku i vet, duke qarë.

    Kjo shëmbëlltyrë e jashtme e realitetit, bën që të krijohet presion në realitetin brenda dhe unë mendoj se është nxitje shumë e madhe që realiteti të ndryshojë.

    Kështu psh lexoj shumë argumente se “përse pikërisht Himariotët ishin më të ndjeshëm ndaj të këqijave të komunizmit”, apo “pse ankoheshin këta, kur të gjithë ishim njësoj”.
    Pas këtij argumenti fshihet një fjalë tjetër, e pathënë; kur themi “ishim të gjithë njësoj”, në fakt nënkuptojmë KEQ. Ishim të gjithë njësoj KEQ.

    Kur një vend nuk ndodhet në gjendjen optimale të vet, ka gjithnjë një pakicë, kryesisht prej zonave margjinale si puna e Himarës, që e ndjejnë më shumë peshën, për arsye të ndryshme. Një ndër arsyet psh do të ishte se këta janë pakicë (pa aluduar pakicë etnike, thjesht pakicë në mënyrën e të menduarit). Dhe kjo situatë, duhet të shërbejë si një sirenë alarmi sepse është pikërisht zgjim dhe kundërshtim ndaj realitetit të krijuar.

    Në se do të shërbente për diçka rasti i Himarës, do të ishte tamam efekti i një zbatice që nxjerr gjithë çka të palara nga deti.

  3. Thote Listi kapitulli 12 http://socserv2.socsci.mcmaster.ca/~econ/ugcm/3ll3/list/list2 :

    -The causes of wealth are something totally different from
    wealth itself………..
    The power of producing wealth is therefore infinitely more
    important than wealth itself; it insures not only the possession
    and the increase of what has been gained, but also the replacement
    of what has been lost.

    Ne Shqiperi vetem gjate komunizmit u synua fuqia prodhuese por historikisht qyteti shqiptar ka qene tregtar dhe fshati ka praktikuar ekonomi te mbyllur.

    Edhe pas 90, qyteti shqiptar iu kthye tregtise e konceptit te vleres dhe fshati teorise prodho ç’duhet per te ngrene gjate vitit.

    Keshtu nuk do thoja vetem se :

    -Karakteristikë jona, gjatë 100 vjetëve të fundit, ka qenë se gjithnjë e më tepër e kemi shpërfillur opsionin e parë, duke iu falur me bindje dhe vendosmëri të dytit.

    Por gjate gjithe historise shqiptaret i jane falur konceptit te vleres dhe endrrave me sy hapur, si do behem me leke.
    Mercenaria ishte variant i embel per nje popull qe se njeh fare konceptin e fuqise prodhuese dhe qe nuk i beson asnje grime Listit kur thote se :

    – Shkaqet e mireqenies jane diçka teresisht e ndryshme nga mireqenia vete.

    Arsimimi eshte nje nga faktoret e fuqise prodhuese, shqiptaret sot po e blejne arsimimin me leke pa u arsimuar.
    Por arsimimi eshte faktor i fuqise prodhuese kur te arsimuarit jane de facto te arsimuar e jo thjeshte de-jure.

    Morali, ligji e institucionet jane faktore te tjere te fuqise prodhuese, edhe per keto shqiptareve nuk u plas.
    Sakrifikoj sot per te pasur neser eshte nje tjeter faktor, po as kete nuk e njohim.

    Problemi paresor i perket barazimit historik te mireqenies me lekun, barazim qe nuk e solli liberizmi por e gjeti midis nesh.

    Ne kete pike ankthi i te pasurit vlere/leke ne xhep behet asfiksues per logjiken, pasi vlere ne qarkullim nuk ka , keshtu qe shpetimi vjen nga jashte, nga emigracioni apo nga parate e huaja, inshallah futemi ne Europe qe ajo te sjelle miliardat e te shpetojme njehere e mire.

    Koncepti i fuqise prodhuese per fat te keq u fut nga komunizmi e keshtu edhe u dogj.

    Eshte per tu habitur sesi mbijeton nje shtet si Shqiperia qe prodhon 12 mld dollare dhe konsumon 15 mld (3 mld eshte deficiti tregtar).
    Po te llogaritet edhe se ne keto 20 vjet fuqia prodhuese ka rene (rritja eshte merite e tericarit qe ne kohen e komunizmit ishte nenvleresuar krejt), une mendoj se psikozen e shelbuesit prinderit do ua kalojne femijeve dhe ata femijeve te tyre derisa te vije ndonje brez qe do zgjohet nga gjumi dhe do thote, boll vegjetova duke pare endrra me leke e mjaft me me mercenarine dhe emigrimin .

    Ne jemi popull qe fle me syhapur dhe parite e çdo rrafshi rregullisht na japin gjumendjelles.

  4. Shelbuesin e dashkan edhe në Përmet.
    Gazeta shqiptare njofton se plakat në fshatin Panarit gërmojnë me thonj varre pas gjase të ushtarëve grekë, nxjerrin që andej eshtra dhe i vendosin mbi flamurin bardheblu të fqinjit.
    Disa pamje të kësaj veprimtarie mund të shihen këtu.
    E gjithë kjo nën tingujt e një avazi me klarinetë të luajtur live nga Laver Bariu (po, po, ai Laver Bariu).
    Pamjet janë filmuar nga televizioni grek ET1.
    Në këtë farë anti-funerali ka qenë i pranishëm edhe ish-konsulli grek i Gjirokastrës, Kakusis.

  5. Ja edhe nje shkrim vigjelent nacional-islamik, kunder Himares Islamike te Jazexhiut.

    ————————————————

    REAGIM: Himara virtuale e Jazexhiut

    Ergys Mërtiri

    Në numrin e fundit, gazeta “Java” kishte një koment prej Olsi Jazexhiut në lidhje me incidentin e fundit të ndodhur në Himarë dhe reagimet ndaj kësaj ngjarjeje. Shkrimi i Jazexhiut, ishte një përpjekje për të ofruar një qasje krejt tjetër nga ajo që kanë ofruar përgjithësisht shumica e komentuesve në shtypin shqiptar, duke pretenduar një vizion më të hapur dhe më të emancipuar, larg atyre që autori i konsideron si reagime nacionaliste antigreke, te cilat sipas tij, dhunojnë të drejtat e tyre etnike. Autori shpalos një vizion të hapur ndaj diversitetit etnik dhe kulturor, duke ofruar hapësirë pa limit për minoritetet, të cilët sipas tij kanë të drejt të zhvillojnë kulturën, simpatitë apo edhe të idetë e tyre në lidhje me historinë dhe pretendimet etnike në vend. Shkrimi bazohej mbi kritikën ndaj katër artikujve nga shtypi shqiptar, të shkruara nga Pëllumb Xhufi, Agron Tufa, Ergys Mërtiri dhe Dritan Egro, artikuj të cilët autori i konsideron si shfrime histerike “nacional-komuniste” apo “nacional-shqiptariste” kundër qytetarëve të Himarës. Gjithashtu, autori i interpreton reagime të tilla si përpjekje për ti “shqiptarizuar me pahir” banorët e Himarës, gjë që, sipas tij, përbën anën tjetër të medaljes, të barabartë me histerinë nacionaliste greke, serbe e maqedonase kundër shqiptarëve. Autori i konsideron këto reagime, jo vetëm të padrejta, por edhe historikisht të gabuara, pasi sipas tij, grekofonia e Himarës është dicka e vulosur nga historia dhe realiteti aktual.
    Duke e lënë mënj’anë historinë, për të cilën është folur shumë në shtyp gjatë këtyre ditëve dhe janë ofruar dëshmi mjaft interesante, përfshirë ato të ardhura nga intelektualë me origjinë himariote, më duhet të ndalem tek premisat ideo-kulturore dhe politike mbi të cilat ngrihen pretendime të tilla. Në fakt, jam befasuar nga niveli i lartë i tolerancës dhe kozmopolitizmit të pretenduar nga autori, të cilin, nëpërmjet shtypit, por edhe nëpërmjet një sërë debatesh të zhvilluara personalisht me të në internet, e njoh si mbrojtës të pikëpamjeve krejt të kundërta, të cilat fare hapur promovojnë konfliktin ndërfetar në shoqërinë shqiptare. Megjithatë, megjithë kontrastin e thellë të shfaqur në një metamorfozë të tillë, mund të thuash se edhe në këtë shkrim, nuk mungonte koherenca e plotë me pikëpamjet e tij ekstremiste, të shfaqura në vijimsi. Thelbi dhe premisat prej buronin idetë e parashtruara, kishin mbetur të njëjta, duke vijuar të cojnë ujë me përpikmëri në botën konfliktuale të autorit.

    Po përpiqem ta qartësoj këtë, për hir të së vërtetës që fshihet nën lëkurën e këmbës së lyer me miell prej liberali kozmopolitist, me të cilin autori ka maskuar etnocentrizmin e vet ideologjik. Gjithashtu, duke qenë një prej katër autorëve të kritikuar me të padrejtë në shkrimin e tij, po përpiqem të qartësoj abuzivizmin me të cilin ai i përdor citimet, në funksion të besueshmërisë kallpe që kërkon ti japë kritikës së vet.

    Në pamje të duket sikur autori ka të drejtë. Cdo minoritet ka të drejtë të ruajë dhe shfaqë publikisht identitetin e vet etnik, kulturor dhe fetar, dhe nuk mund të cënosh një minoritet thjesht për shkak se flet gjuhën e vet. Por kjo është vetëm teorikisht. Ajo që ndodh praktikisht në Himarë, si dhe ajo cka është pretenduar nga disa prej autorëve që Jazexhiu perpiqet ti kritikojë, është dicka krejt tjetër.

    Së pari, duke u nisur thjesht nga ajo që kam trajtuar në shkrimin tim “Nga se kërcënohet në të vërtetë minoriteti grek”, botuar në gazetën Metropol në datë 17.08.2010, cdo kush mund të kuptojë lehtësisht se ajo për cka akuzon Olsi Jazexhiu është krejtësisht e pavëtetë. Në këtë shkrim, jo vetëm që nuk kam sulmuar në asnjë moment minoritetin grek (duke supozuar se ekziston një i tillë në Himarë), por përkundrazi, kam shprehur nevojën e garantimit të të drejtave të tyre. Reagimi im nuk ka të bëjë aspak me të drejtat e minoritarëve, qofshin këta të vërtetë apo të stisur, por me interpretimet e padrejta të kreut Kishës Ortodokse ndaj incidentit, të cilin krerët përfaqësues të këtij minoriteti u përpoqën ta instrumentalizojnë. Tekstualisht në këtë shkrim jam shprehur:
    “Natyrisht, ngjarja është krejtësisht e papranueshme dhe është normale që një akt i tillë të dënohet ashpërsisht nga opinioni publik. E drejta e gjithkujt për të folur në gjuhën e tij është legjitime. Por është pa kuptim t’i referohesh të drejtave të njeriut, kundrejt një sherri banal rrugësh, ndaj njerëzve pa kurrfarë statusi përfaqësues, qoftë edhe të nxitur prej ndjenjash nacionaliste.”

    Nga ana tjetër, shkrimi im ka pasur për qëllim të tregojë që problemet etnike në Himarë vijnë, jo se shteti shqiptar nuk zbaton të drejtat e minoriteteve (në fakt e kundërta është e vërtetë, shteti shqiptar ka gati 15 vjet që është nënshtruar krejtësisht ndaj politikës greke), por për shkak të përhapjes së pikëpamjeve esktremiste nacionaliste greke, prej drejtuesve lokalë si Bollano. Në lidhje me këtë jam shprehur:

    “Të evidentosh nevojën për zbatimin e të drejtave të njeriut, në momente të tilla gjaknxehtësie kolektive do të thotë t’i shërbesh acarimit të situatës nga të dyja palët, dhe kjo më së paku i shërben minoritetit grek në Himarë, të cilit më tepër sesa aventurat e politikave të mbrapshta ku është përfshirë shpesh, i intereson të zhvillojë turizmin dhe ekonominë e vet, të cilat nuk mund të bëhen pa ndërtuar më parë qetësinë dhe harmoninë me bashkështetasit e tjerë shqiptarë. Aq më pak mund të ketë dobi nga fabrikimi i heronjve të rinj, që derdhin gjakun për të vaditur kauza të tilla të mbrapshta, si ato që, mjerisht, gjejnë jo pak vend në fantazitë e qytetarëve të Himarës, të mikluara këto edhe prej pensioneve të majme që nuk pyesin as për krizat ekonomike.”
    Besoj se është e qartë që nuk kemi të bëjmë këtu me kurrfarë agresioni intelektual antigrek. Ajo që Jazexhiu e quan, sulm ndaj Bollanos, është një reagim i përgjegjshëm dhe realist, ndaj një përfaqësuesi të këtij minoritetit, i cili synon të minojë klimën e bashkëjetesës etnike në jug të vendit. Dhe këtë e bën për të zgjatur mbijetesën e vet në krye të pushtetit lokal. Duke zgjuar sensibilitetet në një klimë të polarizuar, Bollano krijon kushtet për ta bërë elektoratin e tij të shpërfillë korupsionin që ka përfshirë Bashkinë e Himarës, në zgjedhjet e rradhës vendore që pritet të mbahen së shpejti. Nga ana tjetër, kjo mbijetesë e Bollanos, garantohet edhe nga qarqe të caktuara të politikës ekstremiste greke, të cilat shpenzojnë para dhe investime për të konvertuar qytetarët e Himarës në panhelenistë. Dhe ky është një realitet që e ka të qartë cdokush në Shqipëri, përfshirë edhe vetë himariotët, pavarësisht se shumë prej tyre janë sot nën verbimin e propagandës, si dhe nën efektin joshës të ofertës financiare greke nëpërmjet pensioneve dhe emigracionit. Po mbi të gjitha, reagimi im është i zhveshur krejtësisht nga cdo lloj ngarkese ideologjike, qoftë kjo nacionaliste apo antiminoritare.

    Por, përse del në mbrojtje të Bollanos Olsi Jazexhiu?

    Duke qenë i mirënjohur me tezat e tij, mund të them me plot gojën se Jazexhiu është një Bollano në vetvete, një Bollano me petka pseudoislamiste. Kushdo që është njohur me ligjërimin që Jazexhiu ka prodhuar për dhjetë vjet me rradhë në hapësirat mediatike dixhitale apo edhe në shtyp, e ka të qartë që ai nuk është absolutisht i interesuar për diversitetin kulturor, apo për të drejtat e minoriteteve etnike, kulturore e sociale në këtë vend. Kushdo që i ka lexuar shkrimet e tij e di që, në mënyrë të hapur, ky njeri ka krijuar profilin e një polemisti konfliktual krejtësisht intolerant ndaj komuniteteve të tjera. Rrjedhimisht kjo tolerancë e paraqitur në këtë shkrim, është krejt e pazakontë për të, ndaj dhe mund të themi se ajo nuk është gjë tjetër vetëm se instrumuent në funksion legjitimimit të misionit te tij shumë të ngjashëm me atë të Bollanos.

    Por nuk është hera e parë që Olsi Jazexhiu bën kapërcime të tilla. Për të justifikuar ideologjinë e vet, ai ka përdorur herë pas here, ashtu si edhe në këtë shkrim, një profil më kozmopolit, i cili promovon një vizion historik refuzues ndaj miteve si dhe ndaj nacionalizmit, duke u rrekur të shfaqet si një mendimtar i lirë e i pakompromis, që nuk heziton ti thotë gjërat hapur. Në shkrimet e tij ai refuzon të pranojë ata që ai i quan “heronjtë kaurrë qi i janë imponuar shqiptarëve me dhunë nga ideologjia shqiptariste”, si Skënderbeu, Gjergj Fishta apo Nënë Tereza, duke mbështetur në një vizion cmitizues ndaj figurave historike.
    Në pamje të parë, një qasje e tillë do të ishte e respektueshme, nëse do të nisej thjesht nga pikëmajet psotmoderniste apo dekosntruktiviste, te cilat janë të mirënjohura dhe janë pjese normale e debateve të sotme mes studiuesish të historisë, filozofisë, kulturës etj. Por Jazexhiu nuk ofron cmitizimin e figurave të tilla për shkak se nuk beson në mite. Përkundrazi, ligjërimi i tij është fund e krye mitologjik dhe ideologjik. Ai i përpiqet ti rrëzojë këta mite për ti zëvendësuar me disa të tjerë, të tillë si Esat Pashë Toptani, Musa Qazimi apo Haxhi Qamili. Pra ai nuk është në luftë me mendimin totalitar në emër të nevojës për tu cliruar nga prangat e mendimit që presupozohet se ka sjellë ideologjia nacionaliste. Përkundrazi ai është në luftë me totalitarizmin ideologjik në fuqi, në emër të një tjetër totalitarizmi, edhe më të ngurtë dhe më të panatyrshëm për mjedisin ideo-kulturor shqiptar. Në shumë shkrime të tij, Jazexhiu kërkon prej muslimanëve shqiptarë të refuzojnë glorifikimin ndaj të gjitha figurave nacionaliste që kanë punuar për të ndërtuar kombin shqiptar, qofshin këta edhe muslimanë, madje edhe klerikë e dijetarë të mirënjohur të fesë Islame në Shqipëri sic janë Hafiz Ali Korca, Vehbi Dibra apo Ibrahim Dalliu. Për këtë madje ai nuk heziton të abuzojë edhe me vetë parimet fetare duke e shpallur fetarisht herezi dhe mohim të themeleve të fesë një nderimin e figurave që kanë punuar për të hedhur themelet e kombit. Sipas tij, heronjtë e vërtetë të muslimanëve duhet të jenë vetëm figura të tilla si Toptani, Qazimi e Qamili, të cilët në fakt njihen vetëm për pengesat që i kanë nxjerrë kombit. Kjo është edhe arsyeja që e bën Jazexhiun të gjejë aleancë me shovinistët grekë në Himarë. Të dyja palët i puq antishqiptarizmi.

    Kjo shprehet në njëfarë mënyre edhe në shkrimin e tij në gazetën “Java”: “Shqiptarët duhet të mësohen të jetë tolerantë, të pranojnë që muslimanët shqiptarë mund të kenë heronj të tyre sulltan Muratin e Mehmet Fatihun, Musa Qazimin, Haxhi Qamilin dhe Esat Pashë Toptanin, ndërsa himariotët Spiromilon, Marko Boçarin dhe Venizelosin, dhe të mos i sulmojnë komunitetet e tjera etnike dhe fetare që jetojnë në Shqipëri nga ethet e sëmura nacionaliste”. Sipas tij, Himariotet, madje edhe vetë sajti zyrtar i pushtetit vendor në Himarë, ka të drejtë të glorifikojë luftëtarët e vet antishqiptarë, ndërsa shqiptarët, megjithë veprimtarinë abuzive asimiluese që iu bëhet prej grekëve në vendin e tyre, nuk kanë të drejtë të shprehin mosaprovimin e tyre ndaj kësaj.
    Në fakt, veprimtaria e Jazexhiut nuk është thjesht një retorikë emocionale individuale. Në shumë shkrime të tij, ai pretendon të konstruktojë skeletin e asaj që ai e quan “Islami politik”, që përmbledh truallin ideor prej nga rrjedhin qëndrimet që ai kërkon t’ia imponojë bashkësisë muslimane në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Për këtë, atij i duhet të polarizojë klimën e marrëdhënieve të bashkësisë muslimane me grupet e tjera shoqërore, duke realizuar pozicionimin e tyre në zgrip të jetës sociale, prej nga mund të burojnë vetëm reagime konfliktuale.

    Në thelb ky projekt, nuk është gjë tjetë vetëm se përpjekje për të fabrikuar himarën muslimane në Tiranë, Shkup e Prishtinë, gjë që pritet të sjellë “bllokime rrugësh” në mbrojtje të kauzave të stisura dhe inekzistente. Në këtë mënyrë, Jazexhiu është sot në krah të Bollanos, për arsye se të dy kanë të njëjtin vizion. Bollano kërkon autonomi etnike për vorio epirin e vet imagjinar, ndërsa Jazexhiu kërkon autonomi fetare për sulltanatin e vet imagjinar. Vetëm për Shqipërinë si një entitet real dhe normal, ku grupet sociale bashkëjetojnë duke toleruar praninë e njëri-tjetrit, nuk ka vend.

    Ajo që mbetet pozitive, është fakti që ky vizion nuk ka mundur të gjejë terren brenda muslimanëve shqiptarë, të cilët, deri tani, kanë ditur të tregojnë kthjelltësinë e nevojshme për të mos iu atashuar aventuarave të tilla pa krye. Kjo ka bërë që vizioni i tij të mbetet gjithsesi margjinal brenda vetë komunitetit që ai kërkon të përfaqësojë, ndonëse në dukje ai pretendon të përfaqësojë zërin e protestës muslimane në realitetin politik shqiptar. Eshtë e rëndësishme që opinioni publik të arrijë të bëjë diferencën midis realitetit të vërtetë të Islamit në Shqipëri, me sharlatanizmin përfaqësues që prodhojnë grupe të ndryshme margjinale brenda tij. Shoqëria shqiptare ka nevojë të komunikojë me pjesët më të shëndosha të bashkësisë muslimane, si pjesë e rëndësishme dhe e paneglizhueshme në zhvillimin e shoqërisë, dhe njëkohësisht të refuzojë diskurse të tilla agresive periferike, që shfrytëzojnë vakumin e ligjërimit fetar në opinionin publik, për të imponuar utopitë e tyre aventureske.

  6. Olsi Jazexhi eshte i vetedeklaruar si nje shqiptar me origjine turke. Mjafton te lexosh disa artikuj ne faqen e tij te internetit qe mbajne firmen e vete. Metodologjia e Jazexhiut e analizimit te gjerave i ngjan fund e krye te njejtes menyre llogjikimi te turkut te viteve para pavaresise se Shqiperise. Nje gje me ben akoma pershtypje qe, edhe pse vitet kane kaluar dhe njerezit kane evoluar, prape turqit dhe greket i bashkojne te njejtat gjera ne raport me interesat e Shqiperise.

    1. Prejardhja e O.J. nuk ngre peshë. Nuk është e thënë të jesh me origjinë turke, që të mbrosh interesat e turkut ose të Turqisë. Po të zbatonim këtë arsyetim, nuk do mbetej kush me origjinë shqiptare në Shqipëri, me përjashtim të Nënë Terezës.

  7. ”’Olsi Jazexhi eshte i vetedeklaruar si nje shqiptar me origjine turke. ”’
    Kjo shpjegon shume gjera. Kane mbetur ne fakt mbeturina turke ne qytetet shqiptare. Duheshin fshire ahere kur ish koha qe u kembyen popullsite ne Ballkan, tani shiten si shqiptare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin