SHTETËSI E ZBYTHUR

Siç mund të merrej me mend, ngjarja e hidhur e Himarës, ku është vrarë pas gjase brutalisht banori 35-vjeçar Aristidh Guma, është shndërruar sakaq, nga fakt i kronikës së zezë, në eshkë për të ndezur një zjarr tjetër në Ballkan.

Çfarë po anashkalohet, së paku në reagimet publike, është se atje një shtetas shqiptar ka vrarë, për arsye ende të panjohura, një shtetas tjetër shqiptar; dhe tani u mbetet organeve të rendit publik të hetojnë e të sqarojnë motivet e krimit dhe të ndalojnë të dyshuarit.

Pavarësisht nga motivet, vrasja është gjithnjë e rëndë; ndryshe nga shumë punë të tjera të mbrapshta, jeta e njeriut nuk kthehet më. Vështirë të gjesh fjalë ngushëllimi për familjen e Aristidhit, të dashurit e vet, miqtë dhe të afërmit. Zhurma me të cilën po e mbështjell politika aksidentin/krimin e bën situatën edhe më të rëndë, për të prekurit drejtpërdrejt dhe për të gjithë të tjerët, të cilët shqetësohen kur situata në qytetin jugor të përshkruhet si prag lufte civile.

Të gjithë, ndërkohë, përfshi këtu edhe qeverinë greke, po e marrin të mirëqenë skenarin se, çfarë ndodhi pikërisht atje, ishte që një shqiptar vrau një grek. Por vëreni se çfarë drame ndëretnike i shtohet kësaj skeme narrative papritur; vëreni edhe se, po të ishte kjo e vërtetë, dorën vrasësit do t’ia kishte komanduar jo vetja kriminale, por përkatësia në një ushtri etnike imagjinare, që lufton e përleshet për flamur.

Mendjet e ftohta do të thoshin: të lëmë organet e rendit të punojnë, para se të fillojmë gjyqet, të shkruajmë kryeartikujt dhe të ftojmë historianët në studiot televizive.

Që kjo nuk ka ndodhur, fajin e kanë, para së gjithash, të dy shtetet – yni dhe fqinji. Dhe meqë shtetit fqinjë nuk ka kuptim t’ia bëjmë gjyqin në këtë kuvend, le të ndalemi sado kalimthi te mëkatet e tonit.

Së pari, vetë nxitimi me të cilin u nxorën përfundimet dhe zelli me të cilin u komentuan, në të dy anët e kufirit, tregon se pakkush u beson forcave tona të rendit në Vlorë, aftësive të tyre profesionale dhe sidomos pavarësisë dhe objektivitetit të tyre. Besueshmëria e këtyre forcave dhe e rezultateve të tyre ka perënduar së bashku me atë të vetë shtetit; një pjesë e mirë e publikut nuk duket të besojë se institucionet publike i thonë të vërtetën.

Së dyti, shteti shqiptar – dhe këtu e kam fjalën jo vetëm për qeverinë e tanishme – ka lejuar në mënyrë flagrante që ndjenja ose vetëdija e shtetësisë të dobësohet anembanë vendit. Njerëzit i dëgjon të deklarohen gjithnjë e më pak “shtetas” shqiptarë, e gjithnjë e më tepër shqiptarë “etnikë”, ose, më keq akoma, të krishterë, myslimanë; ose edhe më tej, gegë dhe toskë, veriorë dhe jugorë, katolikë dhe ortodoksë. Askënd nuk dëgjon të këndojë: oh sa mirë me qenë shtetas shqiptar.

Moderniteti po zbythet para etnografisë.

Pavarësisht nga përkufizimi i tyre etnik dhe kulturor, që nuk bëhet as me dekret, as me kongrese akademike, himarjotët dhe grekofonët e tjerë të Bregut ende janë shtetas të Republikës Shqiptare, me të drejtat dhe detyrat që ua njeh kushtetuta jonë (jo ajo e Republikës Greke).

Këtë nuk po e kanë të qartë sa duhet as Tirana, as Athina; të cilave duket sikur po u intereson, të dyjave, trajtimi historik i problemit në terma etnike, që nga dialekti i greqishtes që flitet në Breg, deri te ilirët e pellazgët, kisha uniate, Gjonbaba e Gjonbiri e më tutje. T’u futesh këtyre argumenteve në këtë moment është fyerje për të vrarin dhe përçmuese për mbarë komunitetin e Bregut.

Në të vërtetë, shteti shqiptar nuk i ka përmbushur ndonjëherë detyrimet e veta ndaj shtetasve të rripit të Bregut; dhe nuk i ka përmbushur prej vitesh, madje dekadash.

Të nxitur edhe nga politikat meskine të fqinjit dhe histeria nacionaliste e qarqeve të djathta atje, himarjotët shtetas shqiptarë tani nuk duan t’ia dinë shumë për Tiranën, prej nga nuk u vijnë veçse kokëçarje; dhe aq më tepër kur fqinji u ka hapur një kanal komunikimi të privilegjuar.

Në këto rrethana, çfarë ndodh në zonën e Bregut është një krizë shtetësie, që vetvetiu degradon në krizë sovraniteti; deri aty sa të dëgjojmë të kërkohet, prej banorëve, që rendin ta ruajë policia greke.

Kjo është provë më tepër, për mua, që greqishtfolësit e Bregut tanimë janë çshtetëzuar; duke e nxjerrë veten me thonj e me dhëmbë nga kuadri kushtetues i republikës shqiptare (i cili, në të vërtetë, nuk u ofron gjë), me shpresë se ashtu mund t’i pranojë jetimorja e vendit fqinj.

Prandaj tani nuk ka arsye as urgjencë të debatohet nëse himarjotët janë apo jo grekë; as të interpretohet krimi si vrasje e grekut nga shqiptari. Ndoshta është vendi dhe momenti që autoritetet më të larta të Republikës t’ua bëjnë të qartë, të gjithëve, dhe sidomos Athinës zyrtare, se krimi ka ndodhur në një zonë ku Shqipëria ruan ende sovranitet të plotë; çka do të thotë edhe se mban përgjegjësi të plotë për jetën dhe paprekshmërinë e çdo qytetari të vet.

Shënim: ky shkrim është botuar në forumin e sotëm të Shekullit. Ju lutem komentuesve që, për hir të temës dhe të këndvështrimit, t’i shmangen diskutimit historik dhe gjuhësor të prejardhjes etnike të himariotëve.

Nuk ka komente

  1. “Në të vërtetë, shteti shqiptar nuk i ka përmbushur ndonjëherë detyrimet e veta ndaj shtetasve të rripit të Bregut; dhe nuk i ka përmbushur prej vitesh, madje dekadash.”

    ……………..

    Cfare konkretisht ka bere me pak shteti shqiptar per shtetasit minoritare (apo ‘te bregut’) ne krahasim me shtetasit e tjere shqiptare?

    S’e kam kundershtim kete, vertet desha te di dicka konkretisht.

    P.S. Paskam harruar si shkruhen tags per citatet.

    1. Kjo është histori e vjetër, Xhib, që i ka rrënjët në kohë të regjimit komunist.

      Gjeografikisht, zona e Bregut, me Himarën në qendër, është e kthyer me fytyrë nga Greqia (dhe me kurriz nga Shqipëria).

      Detyrë e Tiranës ishte që ta sfidonte këtë fatalitet të gjeografisë, duke ia ndërruar orientimin ekonomik, social dhe kulturor Bregut.

      Për shembull, duke ndërtuar një rrugë të mirë, të shpejtë dhe të sigurt, që ta lidhte me Vlorën dhe me ultësirën perëndimore.

      Ose duke ndërtuar aty hotele dhe infrastruktura të përshtatshme për pushuesit, që do të vinin me shumicë, sikurse shkojnë sot.

      Në vitet 1980, në Himarë nuk e shihnin dot TVSh-në – edhe pse do të mjaftonte një antenë e mirë në Llogara (besoj) për ta zgjidhur problemin.

      Nga pikëpamja kulturore, kjo ishte katastrofë – sepse dihet se çfarë ndikimi standardizues luan televizioni në shoqëritë moderne.

      Breza të tërë të Bregut u rritën me televizionin grek.

      Pas arratisjes së famshme diku në fund të viteve 1970 – në mos gabohem – Himarës ia hoqën edhe ca pak varka peshkimi që kishte. Erdhi puna që në restorant të fshatit peshku të vinte nga Vlora.

      Kjo zonë e mrekullueshme, me tradita të spikatura dhe njerëz të dalë nëpër botë, u katandis në një kamp të madh përqendrimi – me banorët të kapur peng midis malit të shkretë dhe kufirit të ruajtur nga flota ushtarake-detare.

      Si mund ta izolosh Bregun nga deti?

      Kujt i kujtohet Shpella e Piratëve, e Petro Markos, do ta mbajë mend edhe se ç’rol luante deti në ato zona, si hapësirë madje si skenë e të jetuarit.

      Vetëm një regjim i marrë, si ai i Enver Hoxhës, mund të guxonte t’ia hiqte detin Himarës dhe zonave përreth.

      Kjo është arsyeja themelore, për mendimin tim, që një pjesë e banorëve të asaj zone është deshtetëzuar tashmë dhe nuk ndien kurrfarë besnikërie qytetare ndaj Tiranës.

      Krime të atilla i kanë pasojat afatgjata dhe të hidhura, hapin plagë që duan shumë kohë të mbyllen.

      Natyrisht, të tilla trajtime shtazarake të popullsisë kanë ndodhur edhe gjetiu në Shqipëri. Tirana e asaj kohe, po të kish pasur mundësi, ca zona do t’i kishte fshirë edhe nga harta – se veç punë i prishnin.

      Por e veçanta e Himarës ka të bëjë me afërsinë e saj me Greqinë.

      Në kohë të komunizmit, njerëzit që iu vinte në majë të hundës ndonjëherë e merrnin në sy dhe arratiseshin. Në një kuptim, arratisja është edhe refuzim i shtetësisë: individi i thotë shtetit: të dh*fsha të drejtat që më ke dhënë. Nuk të njoh dhe nuk të dua më dhe nuk dua të ta shoh më bojën.

      Edhe ai himarioti që vinte kokën në rrezik, për të kapërcyer kufirin, nuk ikte ngaqë nuk i pëlqenin, bie fjala, piluriotët!

      E bëje dot me faj individin për këtë punë? Jo, nuk e bëje dot.

      Edhe një pjesë e Bregut, veçanërisht Himara, po të kishte mundësi, si krahinë, do të ishte arratisur; sepse shteti i Enverit ia kishte zënë frymën, duke ia hequr detin.

      I harrojmë pak si shpejt gjërat. Tani m’u kujtua, për shembull, që në plazh të Spilesë, të paktën deri nga viti 1986, ishte e ndaluar të përdorje kamardare në det, ose pajisje të ngjashme, si dysheqe plazhi… Ia behte ushtari ose polici dhe t’i sekuestronte në emër të popullit.

      Jo se është ndonjë kijamet të bësh plazh pa kamardare, por vetë ideja e ndërhyrjes së armatosur, nga shteti, në mes të ditës, për të të rrëmbyer një copë gomë me ngjyrë, nga frika se mund ta përdorje për t’ia mbathur drejt Korfuzit ishte fyese; sepse të tregonte se shteti nuk kish kurrfarë besimi tek ti; të mendonte si arratisës potencial, si thëngjill të mbuluar: në pritje për momentin e përshtatshëm (ngrirjen e detit, për shembull). Ky ishte shteti yt, me demek; në mos shteti i punëtorëve dhe i fshatarëve!

      Shteti i vetëm socialist në botë, që sillte birrë në Himarë një herë në vit vetëm me kamion, për festën e nuk di ç’batalioni ose brigade; aq sa edhe pak dhe shishet e birrës do të përfundonin të përdorura si monedhë, madje si valutë, në zonën dikur të pasur dhe krenare të Bregut…

      Ja edhe ironia më e madhe: himariotët kanë qenë historikisht atdhetarë, madje krenarë për shqiptarinë e tyre; edhe pse e kalonin jetën duke dhënë e duke marë me Korfuzin dhe duke bërë tregti me grekët.

      Kjo shqiptari e himariotëve, për mendimin tim, e mori rrokullimën pikërisht kur ia vuri Tirana totalitare Himarës çizmen në fyt, duke e ndarë nga bota përreth.

  2. ”’Akoma flitet ketu me gjuhen e mesjetes. Nese greket mund te shprehen keshtu, nuk mendoj se eshte mire te shprehemi ne te njejten menyre..”’

    Po pse o kapedan trimi ti vret veshet e verteta ? Nuk e kuptoj pse duhet ta zhdukim ndjeshmerine historike; ku tjeter perpos historise shfaqet esenca e nje kombi e si mund te kete komb pa ndjeshmerine historike ?

    Duhej arrestuar se tha nje te vertete; ku e ke kultivuar kete mendesi ?

  3. “Kjo është provë më tepër, për mua, që greqishtfolësit e Bregut tanimë janë çshtetëzuar; duke e nxjerrë veten me thonj e me dhëmbë nga kuadri kushtetues i republikës shqiptare (i cili, në të vërtetë, nuk u ofron gjë), me shpresë se ashtu mund t’i pranojë jetimorja e vendit fqinj”

    Ku e bazon ti kete qe thua, apo thjesht pershtypje?

      1. Nga media kuadrin kushtetues? Ate e gjen ngado online te publikuar ne faqet e te gjitha institucioneve. Edhe vete perfaqesuesit me radikale te minoritetit, kujdesen qe kerkesat te formulohen konform ketij kuadri kushtetues, te cilin nuk e konstetojne pse u siguron aq te drejta sa parashikohet nga konventat ku aderon Shqiperia.

        1. Të drejtat janë vetëm njëra anë e medaljes – duhen pasur parasysh edhe detyrat. Kushtetuta nuk është vetëm dokument të drejtash.

          1. Sagllam. Atehere mos duhet thene se jo kuadri kushtetues, por politika nuk u ofron gje. Po edhe ata vetes. Kush i ka penguar himarjotet qe te krijojne nje parti te tyren, sikurse beri minoriteti maqedonas para zgjedhjeve te 2009? Askush, thjesht si krenare dhe liridashes qe jane preferojne te drejtohen nga Vangjel Dule qe eshte nga Goranxia. Sistemi proporcional rajonal qe eshte ne fuqi e favorizon nje subjekt te tille, i cili do te ishte nje ombrelle me e ndershme e interesave te himarjoteve. Interesa te cilat mirekuptohen sidomos te ceshtja e pronesise qe do shpertheje mbaraz ndonje dite. Pse nuk e kane braktisur shtetesine shqiptare minoritaret greke qe jetojne ne Sarande dhe ne Gjirokaster? A nuk ishin ata qekurse doli ne drite shteti shqiptar te penguar ne kultivimin e identitetit te tyre? Me optiken e diktatures, a nuk do duhet te ishin edhe ata te privuar nga cdo e drejte legjitime apo privilegj qe ne fakt nuk u ka munguar dhe me te drejte? Dhe besoj se identiteti i nje individi apo komuniteti ndryshon natyrisht, por ai nuk mund te themelohet me nje akt politik, sikurse kerkojne te behet ne Himare, ku edhe fiset jane ndare me dysh nga kjo pune. Ajo cfare tregoi kjo ngjarje eshte parathenie e zgjedhjeve lokale ku mbijetesa e dy politikaneve rreket te njollose te gjithe krahinen. Dhe nje komunitet i mencur qe kerkon te mbroje identitetin, ate qe ndjen dhe mendon se i perket, punon dhe angazhohet me perfaqesuesit e vet qe ta ruaje dhe ta zhvilloje ate, e jo te hakerrehet ndaj armiqve imagjinare apo te bazohet ne strategji tensioni. Z. Janullatos humbi edhe taktin per cudi; kesaj radhe u prononcua personalisht duke kerkuar qe “ne kete situate kritike…te ruhet gjakftohtesia”. Respekte per Hiresine e tij se eshte vertet burre i zgjuar, por kesaj radhe humbi ne luften e nervave.

            1. Theollogos, nuk është rast i njëjtë Himara me popullsinë minoritare të Dropullit dhe fshatrave rreth Sarandës.

              Në Gjirokastër psh, minoritarët kanë gjetur hapësira të mjaftueshme për të formuar dhe kultivuar identitetin e tyre.

              Në universitet ka një katedër për gjuhën greke, madje vetë dekani i Unit. para disa kohësh, ishte vetë përfaqësues i minoritetit. Gjithashtu shumë biznese të minoritarëve janë zhvilluar ndërkohë me përfaqësues të tillë si Vangjel Tavo, Bezhani (Freshi) dhe pronari i Glinës, të cilit nuk më kujtohet emri. Këto biznese dhe sipërmarrje janë më përfaqësueset. Ka dhe shumë të tjera…

              Derviçani sot, ka formën e një qyteze të vogël përsa u përket elementëve të zhvillimit. Shkolla për minoritarët ka plot, madje dhe në nivel të shkollave të mesme, brenda në Gjirokastër.

              ***
              Problemi me Himarën qëndron që prej statusit. Aty vihet në pikëpyetje, mbase me të drejtë, statusi i tyre si minoritarë dhe hapja e shkollave në gjuhën greke. Mirëpo as elementet e tjerë të kulturë-formimit nuk janë të barabarta, as barazohen dot me ato të fshatrave rreth Gjirokastrës.

              Himara po duket se e përfytyron veten të jetë si ai fshati galatas me Asterix dhe Obelix kur ka rreth e rrotull “ushtarë romakë”.

  4. Dhe meqë shtetit fqinjë nuk ka kuptim t’ia bëjmë gjyqin në këtë kuvend

    Ndersa mua me duket komplet brenda mundesive t’i behet gjyqi nje anetari te BE-ut, qe nen cdo lloj administrate (liberale apo konservative) insiston te sillet si fuqi Ballkanike ne nje kohe kur eshte i deshtuar ekonomikisht, dhe se shpejti gjeopolitikisht.

    Gjithashtu, le ti bejme pak gjyqin Himarjoteve qe i kthejne ceshtjet teknike(ligji per pronat etj) ne ceshtje etnike. Oportunizmi i tille bizantin eshte kercenim per shtetin, dhe i duhet bere gjyqi ne kete kuvend gjithashtu.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: