MISH ME BOLLËK

Këto ditë, The Huffington Post ka publikuar një video të xhiruar fshehurazi në fermën blegtorale Conklin Dairy në Ohio, e cila rrëfen mizorinë e papërfytyrueshme të punonjësve të atjeshëm ndaj kafshëve për të cilat duhet të kujdesen.

Disa prej nesh e kanë pothuajse të pamundur ta çojnë videon deri në fund.

Megjithatë, kur bie mbrëmja, nuk e kemi për gjë të ulemi para copës së biftekut, pa e vrarë shumë mendjen si ka mbërritur deri në tryezë, me çfarë dhimbje dhe gjaku.

I admiroj vegjetarianët për etikën e tyre, edhe pse unë vetë ndonjëherë – por vetëm rrallë – i dorëzohem tundimit të mishit në pjatë. Tek e fundit, njeriu nuk është vegjetarian nga natyra dhe mishin e ka pjesë të natyrshme e dietës.

Aq më e vërtetë është kjo për bulmetin, peshkun, frutat e detit dhe produkte e nënprodukte të tjera, si vezët dhe xhelatina. Ka njerëz dhe kultura në këtë botë, si veganët, të cilët i qëndrojnë larg gjithçkaje shtazore; arsyet e tyre i kuptoj madje i admiroj, edhe pse instinkti më flet ndryshe.

Njëlloj nuk nguroj të shijoj kosin që blej në dyqan, së bashku me djathin dhe gjalpin, edhe pse prej kohësh kam marrë vesh për kushtet ku detyrohen të kalojnë lopët dhe delet jetën e tyre të mjerë në shërbim të zotave që i kanë sjellë brutalisht dhe arbitrarisht në këtë botë.

Nga ana tjetër, ekonomia e tregut dhe e konsumit të gjerë e ka distancuar njeriun mishngrënës kaq shumë nga gjallesa që ia “dhuron” trupin e vet për ta ngrënë, sa shumë fëmijë sot në Perëndimin urban as që e dinë se nga vjen mishi i hamburger-it, kosi me ngjyrat e ylberit, qumshti me kakao, djathi në pizza, toni në sandwich.

Sot copëra të vdekura të një qenieje deri dje po aq të gjallë, frymëmarrëse dhe aktive sa ne, i marrim nga raftet e supermarketit njëlloj si makaronat, uthullën, karamelet dhe fasulet.

Nuk mjafton mizoria e pashmangshme që kryejmë, që nga momenti kur vendosim të mos e refuzojmë mishin nga tryezat; por duhet edhe që ta përdhosim jetën e sakrifikuar më tej, duke e shpërfillur, duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke ia imponuar vetes vizionin e fetës së mishit si diçka prodhuar po aq mekanikisht sa edhe biskotat ose kastravecat turshi.

Siç thashë, nuk jam vegjetarian, madje edhe sonte po gatitem të ha një copë biftek të mbetur nga dreka. Tmerri i heshtur përballë bindjes se edhe ajo fetë muskuli, tashmë e zbrazur nga lëvizja e natyrshme, limfa dhe gjallëria, e cofur dhe e përzhitur me erëza dhe gjak të djegur, më sjell përpara një copë dhimbjeje, ankthi total dhe paralize, veçse më bën të ndihem hipokrit.

Ngaqë nuk besoj se do të arrij dot të heq dorë ndonjëherë krejt nga proteinat shtazore, i vetmi premtim që mund t’i bëj vetes (dhe viktimave të mia dhe mjedisit) është që ta ul konsumin e mishit deri në një nivel të pranueshëm… ndoshta një herë në javë?

Ma merr mendja se edhe të tjerë si unë, që i lexojnë këto rreshta përjetojnë të njëjtën dilemë morale.

Kam lexuar para shumë vitesh, në Harper’s, një fragment nga një ese e nuk di ç’antropologu, i cili vajtonte jo aq konsumin e mishit nga njeriu – i pashmangshëm – por fyerjen që ia bëjmë kafshës, kur nuk ia përfillim vdekjen, dhimbjen dhe gjakun.

Esenë nuk e kam në dorë që ta citoj saktë; por mbaj mend që autori përmendte atje ritualin e detyruar që, në shumë kultura, shoqëron vrasjen e kafshës që do të konsumohet në tryezë: të qingjit, të viçit dhe të pulës, të thiut dhe të patës.

Ideale do të ishte, me sa e mbaj mend unë tekstin, që konsumatorët e mishit të merrnin pjesë, solemnisht, në ceremoninë e vrasjes së kafshës – të therjes, mbytjes, ose ndonjë mënyre tjetër krijuese për marrjen e jetës.

Sa nga ne, mishngrënësit urbanë, jemi gati ta therim një viç me duart tona, që t’ia hamë biftekun?

Nga ana tjetër, pjesëmarrja në ritualin ose ceremoninë e therjes do t’i shërbente edhe kalimit të jetës nga viktima sakrifikale tek njeriu, si përfitues nga sakrifica; së paku nga pikëpamja e kulturave që e parashikonin këtë lloj përgatitjeje të mishit.

Tek e fundit, pothuajse të gjitha kulturat e shohin një lidhje midis therjes së kafshës, derdhjes së gjakut dhe magjisë ose lutjes; pa përmendur pastaj kanibalizmin simbolik të kungimit te të krishterët, ku besimtarët ritualisht (spiritualisht) ushqehen me mishin e Krishtit dhe ia pinë gjakun e shndërruar në verë nëpërmjet transsubstancimit.

Gjithsesi, nevoja për ta nderuar kafshën e vrarë për ushqim i kapërcen kufijtë e misticizmit, animizmit dhe lidhjeve okulte midis jetës dhe vdekjes, që ndërmjetësohen nëpërmjet mishngrënies.

Kur lexoja atë esenë në Harper’s, m’u kujtua menjëherë një skenë e njohur nga filmi I teti në bronx, kur një personazh – ndoshta Sali Protopapa i Piro Manit – e përqafon dhe e qan me lot dashin e vet përçor, para se ta therë për mysafirët që i kanë zënë derën.

Atëherë, kur kam qenë ende fëmijë, skena më dukej kurioze, ndoshta e tepruar; nuk e kisha parë ndonjëherë komshijen time, të specializuar në therje pulash, që t’i përqafonte këto para ekzekutimit; por më pas gjithnjë e më tepër e kam vlerësuar përqafimin. Njëfarësoj e kam lidhur, në mendje, edhe me disa vjersha të Dritero Agollit për lopën ose kaun, të cilat sot nuk më ngjallin më kurrfarë hilariteti, përkundrazi.

E konsideroj si një lloj përsosjeje morale, tek vetja, faktin që me kalimin e viteve kam ardhur duke i dashur kaq shumë kafshët; nëse do të bëhesha ndonjëherë besimtar, besoj se pikërisht aty do ta filloja.

Videoja nga Ohio nuk besoj se lë kënd indiferent, madje edhe kasapët vetë mes nesh. Tani që e mendoj, madje nuk më duket e pamundshme që normalisht kasapi t’i dojë kafshët që vret për t’i shitur për mish, sepse vetëm afeksioni në mos dashuria mund ta përligjin, deri diku, satërin në grykë të qingjit ose të viçit ose edhe të gjeldetit, që është budalla dhe vritet ndonjëherë kot së koti.

Nuk e teproj kur flas për dashuri të mishngrënësit për viktimën; kam parë një herë, në një film çfarëdo për jetën e luanëve në Afrikë, një luaneshë që pasi e kishte vrarë gazelën e hajthme, ia merrte kokën e larë në gjak midis putrave dhe ia lëpinte gjithë dashuri…

Po çfarë të bëjmë vallë, para së keqes njerëzore që na shpalos videoja? Sa superiorë moralisht mund të ndihemi ne, të apasionuarit pas biftekut, ndaj heroit të videos, që zbavitet duke i torturuar lopët, viçat dhe mëzatët në fermë?

The Huffington Post ka ndërmarrë një fushatë të shoqëruar me një peticion; ndoshta kjo fushatë do të ndihmojë për të sensibilizuar amerikanët e për t’i ndihmuar të shohin gjakun e kafshës së therur në pjatën e biftekut në restorant. Ndërkohë, të gjithë ne mund të ndihmojmë, së paku duke ulur konsumin e mishit.

Askush, ndoshta me përjashtim të kujt del nga ndonjë grevë urie, nuk ka nevojë të hajë përditë biftek të skarës, qofte truri dhe hamburgerë, salsiçe dhe suxhukë, kukurec dhe mortadelë, palcë kau, mëlçi dhe shpretka, paçe dhe proshutë, bërxolla derri dhe dashi, qingja dhe keca dhe gica, zhigla të dhjamit të patës dhe shishqebape, tasqebape dhe shkurta të pjekura; edhe pse shumëkujt mund t’i shkojë lëng nga goja, thjesht duke lexuar listën.

Ka edhe më: duke shtruar më pak mish në tryeza jo vetëm i ndihmojmë shëndetit, por edhe mund ta tkurrim seriozisht industrinë e mishit, që ka marrë tashmë përpjesëtime infernale; si dhe të ulim impaktin e rritjes së gjedhit në mjedis. Të gjithë dalim të fituar, teksa ato ferma e firma blegtorale që do t’i mbijetojnë krizës së uljes së konsumit, do të mësohen, me kohë, që t’i trajtojnë kafshët viktima në mënyrë më humane.

Alternativë ndaj kësaj do të ishte, mbase, të mësoheshim pak nga pak me mish njeriu.

Nuk ka komente

  1. E pash videon dhe ne mendjen time, thuajse njekohesisht, u formesuan dy mendime.
    I pari, qe eshte edhe me i ploti, mbeshtet me force gjithe ate fryme qe percon edhe shkrimi i xhaxhait, te cilen une me mire se aq nuk do ta shprehja dot.
    Por ka edhe nje mendim te dyte, nje dyshim qe me vjen prej karakterit tim acarueso-skeptik, ose prej faktit qe po jetoj ne nje kohe ku konspiracionet lulezojne : sa budalla duhet te jesh qe te filmosh dicka te tille, madje ne nje forme aq dokumentare, per me teper ne Amerike ??? Levizja per mbrojtjen e kafsheve, sikurse ajo per te drejtat e homoseksualeve, kane lobingje teper te forta dhe njekohesisht qarkullojne para te madhe. A mos valle, here pas here, ketyre levizjeve u duhen te tilla video per ta legjitimuar akoma edhe me teper kauzen e vete ?!! A mos valle keto video simulohen prej vete kauze-mbrojtesve ?
    Ja kete dyshim kam une, dhe per hir te se vertetes nuk ja jap dot pergjigjen, por kam bindjen ama qe kjo do te ishte akoma edhe me e tmerrshme.

    1. E mendova edhe unë mundësinë e inskenimit, por pastaj lexova që videoja inkriminonte edhe vetë pronarin e këtyre fermave.

        1. Nuk ka kuptim ta vazhdojmë këtë debat me citate.

          Një hetues nga Mercy for Animals u fut në punë në Conklin Diary dhe regjistroi video me kamera të fshehtë gjatë një operacioni që zgjati katër javë. Videoja tregon disa punonjës të fermës, duke përfshirë edhe pronarin Gary Conklin, që abuzojnë me lopët pa ndonjë arsye të dukshme.

          [An investigator with Mercy For Animals was hired by Conklin Dairy and recorded hidden camera video during a four-week undercover operation.The video shows several employees, including farm owner Gary Conklin, abusing cows for no apparent reason.]

          http://www.huffingtonpost.com/wayne-pacelle/disturbing-abuse-uncovere_b_592620.html

          Të lutem mos harxho kohën tënde dhe timen duke verifikuar gjëra anësore të shkrimit.

  2. Dikush (antropolog, nëse më kujtohet saktë, ishte) u shpreh në një emision që nuk është e vërtetë se njeriu, nga natyra, është mishngrënës. Argumenti ishte që majmunët, prej nga të cilët besohet se ne rrjedhim, nuk kanë qenë mishngrënës. Dhe shumica e tyre sot klasifikohen si bar-ngrënës.

  3. – Shaban, hajde preje qet pulë!
    – Qe ku e ki Naimin.
    – Jo se hin djali n’gjynah!
    – Djali yt po hika n’gjynah, e une medemek punemadhe!
    (Dialog i vërtet mes një plake dhe një burri, fqinjë të mi)

  4. Gjithsesi, nevoja për ta nderuar kafshën e vrarë për ushqim…

    Kohet e fundit channel PBS ka shfaqur disa here nje emision qe quhet Food, Inc, i cili duhet te ndergjegjesoje njeriun per cfare ai pertyp. Eshte interesant dhe i dhimbur ne te nejten kohe. Shikoje Xhaxha.
    Une mendoj qe gjithkush duhet te dije cfare ha dhe pse e ha. Hame vetem qe te ngopemi? Hame vetem qe te shijojme? Apo hame qe te mbijetojme? Keto tre pyetje kane prioritetin e vet ne secilin prej nesh. Ka njerez qe nuk mund te “giving up” mishin, gje qe eshte e kuptueshme, atehere te pakten mund te blejne nje mish te trajtuar me respekt. Nje ka’ i cili ka jetuar jeten e tij ne livadh, i cili ka pare driten e diellit dhe eshte trajtuar me respekt, eshte i destinuar padyshim te vdese per njeriun, por te pakten njeriu ia respektoi jeten disi—ne ndryshim rrenjesor me ate ka’ i cili rritet ne stalle duke u ushqyer me misra, pa hedhur nje hap, pa pare diell me sy duke jetuar vetem per tu ngrene dhe duke u vrare pa meshire. Kafshet duhen trajtuar me respekt pikerisht sepse nuk jetojme dot pa to.
    Personalisht ideja e mishit me lodh dhe duke zgjedhur suplementa te ndryshme me shijon me shume ushqimi, por kjo eshte vec nje zgjedhje personale.
    Ky shkrim eshte shume real pasi me jep te kuptoj qe njerzit po fillojne te zgjedhin cfare hane jo vetem qe te “ngopen” por edhe te respektojne ushqimin.
    Faleminderit per shkrimin xhaxha.

  5. ””’Dikush (antropolog, nëse më kujtohet saktë, ishte) u shpreh në një emision që nuk është e vërtetë se njeriu, nga natyra, është mishngrënës. Argumenti ishte që majmunët, prej nga të cilët besohet se ne rrjedhim, nuk kanë qenë mishngrënës. Dhe shumica e tyre sot klasifikohen si bar-ngrënës.””

    Ne fakt pa mish majmune do kishim ngelur.
    Njerezit (hominidet) e pare ishin ne thelb kafshe ‘spazzini’ (si miu), biles shume vone njohem gjahun e na u rrit dinjiteti si gjahtare. Ndjeshmeria ndaj gjakut/vrasjes ka qene perhere e pranishme, nje mbeturine e periudhes majmunore.

    Thuhet qe ngrenia e mishit rrit agresivitetin, ndoshta per kete arsye kalimi nga kalbesirengrenes ne gjahtare duhet pare si ne logjiken e gjerave.

    Une si mbrojtes i madh i bimeve, mendoj se eshte gjynah qe kafshet barngrenese, hane bimet te cilet na japin oksigjenin per te jetuar.

    Personi i videos ka me siguri ndonje derrase mangut edhe pse prisja te shihja gjak.

    Sikur te hane (sidomos amerikanet qe zene vendin e pare ne bote per konsum mishi/fryme) me pak mish njerezia, do hahej me shpesh mish ‘biologjik’, qe e ka cmimin 5fish.
    Edhe mishi shqiptar eshte prishur, pervec atij te qengjit.

    Kam frike per kafshet nga ndjeshmeria e vegjeterianeve e veganeve apo ndonje kategorie tjeter qe mund te kete dale. Pse?
    Sepse nese sdo hahej shume mish, do dilnin teorite e planifikimit familjar per kafshet, qe te mos shtohen shume se aq jane burimet e planetit ose shterpezimi qe eshte dukuri normale tek kafshet shtepiake si qeni apo macja.

    1. Hyllin:

      Une si mbrojtes i madh i bimeve, mendoj se eshte gjynah qe kafshet barngrenese, hane bimet te cilet na japin oksigjenin per te jetuar.

      Hyllin, e vetmja shpresë që kam, është që ta kesh kuptuar se po bën humor kapanoni.

      Pikësëpari, askujt nuk i bëhet vonë nëse ti je apo nuk je mbrojtës i madh i bimëve (ose edhe mbrojtës i vogël).

      Pikësëdyti, kafshët barngrënëse hanë bar sepse nuk mund të hanë gjë tjetër (p.sh. nuk mund të ushqehen me leopardë ose me ideologë), por nuk e rritin barin në ferma, as e bëjnë sallam, as i japin barit për të ngrënë bar, siç u japim ne pulave, në pulari, ushqim të prodhuar nga rafinimi i glasave (po vazhduam kështu, edhe ty dhe mua do të na japim të hamë, nesër, fecet tona të aromatizuara).

      Pikësëtreti, nëse nuk arrin ta kuptosh se vuajtja e kafshës që hamë nuk ndryshon shumë nga vuajtja e kafshëngrënësit, ndërsa bimës nuk ia dallojmë dot vuajtjen (nëse i ekziston) atëherë ke ngecur etikisht në nivelin e bimës ose të kërpudhës, dhe Zoti të bekoftë.

      Hyllin:

      Kam frike per kafshet nga ndjeshmeria e vegjeterianeve e veganeve apo ndonje kategorie tjeter qe mund te kete dale. Pse?
      Sepse nese sdo hahej shume mish, do dilnin teorite e planifikimit familjar per kafshet, qe te mos shtohen shume se aq jane burimet e planetit ose shterpezimi qe eshte dukuri normale tek kafshet shtepiake si qeni apo macja.

      Nuk të marr vesh se ç’thua (gjë që s’është ndonjë katastrofë në vetvete, por thjesht meqë ra fjala). Njeriu ka kohë që bën planifikim familjar të kafshëve shtëpiake, duke e përcaktuar me saktësi të madhe se kush duhet të shumohet dhe si. Konceptin e racës, tha Darvini, nuk ua solla unë por e gjeta mes jush.

  6. “O ba, ca ka lopa brenda ke barku, mish vici?”

    Keto fjale te nje goce shume te vogel, nese jane te bukura, jane vetem se ajo i ka thene me te vertete, gjate nje pikniku edukativ ne fshat. Ne nje faze tjeter ajo do te mund te zbuloje edhe menyrat e dhimbshme me te cilat mishi i vicit cmagazinohet prej lopes. Gati njelloj femijet kalojne gradualisht ne moshe adulte, prej dijenise se brenda barkut te fryre zakonisht ka bebe, deri ne dijenite per ate sesi hyjne apo dalin aty bebet.

    Mendoj se kultura dominuese sot, kujdeset t’i mbaje njerezit ne nje stad foshnjor, duke ua fshehur pertej amballazheve te ndryshme stilistikore, te vertetat bazike per origjinen e specieve, qofshin keto te mishit qe hame apo te mishit qe jemi. Retushimi apo fshehja pas fasades pavetore, industriale, te detajeve shpesh makabre te shfrytezimit te natyres se gjalle per konsum te perditshem, privon njerezine ne rradhe te pare nga informacioni jetik per veten, ose per vdekjen. Keto detaje syrgjynosen ne periferite me te largeta pertej megapolisit te konstruktuar mediatikisht, ku kane qasje vetem kuturises nga bota e vogel e specialisteve apo aktivisteve, te cilet mesa duket, jane adultet e vetem te ketij qyteterimi. Njelloj si kujdesi per ta ruajtur publikun feminor nga te vertetat e hidhura te vdekjes, plakjes, semundjes, duke e rrethuar me nje univers paralel feminor, pop e bojeroze, ndarja totale e punes ne shoqerite tejindustriale arrin te shkepuse sa me shume lidhje midis klasave, vendeve, zanateve, kuptimit te kohes, pervojave, gjallesave, duke prodhuar ne fund nje pluralitet skizoid realitetesh te izoluara. Privimi i kafsheve nga dinjiteti , sendezimi i tyre, jo vetem qe dehumanizon, se kafshet jane metafora per njeriun, por ne cdo rast privimi i njerezise nga deshmia per vdekjen e kafshes, sidomos ate sakrifikale, privon nga perkujtimi i domosdoshem, simbolik, terapeutik mbase, i fatit te perbashket te qenieve.

    Ne te njejten rubrike te tiranise se feminores ne shoqeri, te mungeses se deshires per te bere paqe me gjerat e jetes, kemi fatin e qenies qe duhet perzene nga vemendja neper azile leprozesh – nuk ka rendesi a pret vdekjen aty gjyshi apo nje gjeldeti – duhet balsamosur ne rini te perjetshme brenda ekraneve te karaokes orwelliane te kudogjendur, do trukuar me kirrurgji estetetike apo makijuar me kolorantet porno mbi ushqimin e kauterizuar pertej plastikes.

    Veganet, megjithe respektin qe meriton kauza e tyre, e shohin po ashtu si femijet restaurimin e dinjitetit te kafshes. Aksioni i tyre i ngjan atij te voglushit tek ai filmi shqiptar, kur ky i zgjidh kemben gjelit qe priste te therej ne nje WC dritarehapur (ky leshimi i peut gjelit, si te qe nje balone tauke (tavuk d.m.th. pule?) eshte nje nga te paktat deshmi te meshires ne kinemane socialiste shqiptare). Por kontradiktat klasore midis gjallesave, nuk do te zgjidhen dot kaq lehtesisht: Bota e Re nuk do te ndertohet dot ndonjehere, per faktin e thjeshte se bota perhere eshte me e vjeter se kurre. Mishin gjithsesi do te vazhdojme ta hame, si gjithe bota (!), duke i lene ne shenjterine e vet pse-te feminore, duke u perpjekur te udhehiqemi nga nje set me serioz pyetjesh me “si”. Per t’iu rikthyer, si nje parabole’ tashme, skenes me gjel nga filmi shqiptar i Besim Kurtit, dinjitetin kafshes mund te fillonim t’ia ngrinim, te pakten duke mos e mbytur me neper hale.

  7. ””Hyllin, e vetmja shpresë që kam, është që ta kesh kuptuar se po bën humor kapanoni. ””

    Eshte humor anglez ose kinez.

    ””Pikësëpari, askujt nuk i bëhet vonë nëse ti je apo nuk je mbrojtës i madh i bimëve (ose edhe mbrojtës i vogël). ””

    Ca kot ti, kjo pike e pare eshte shume banale e gjen kudo.

    ””’Pikësëdyti, kafshët barngrënëse hanë bar sepse nuk mund të hanë gjë tjetër ””’

    Une kujtoja se ashtu i beri natyra.

    ””’Pikësëtreti, nëse nuk arrin ta kuptosh se vuajtja e kafshës që hamë nuk ndryshon shumë nga vuajtja e kafshëngrënësit, ndërsa bimës nuk ia dallojmë dot vuajtjen (nëse i ekziston) atëherë ke ngecur etikisht në nivelin e bimës ose të kërpudhës, dhe Zoti të bekoftë.””’

    Me vjen keq, po s’kam ndonje detyrim etik ndaj qenieve qe smund te dine cfare eshte etika.

    Po si hengri njeriu do i haje luani, qeni, miu se ashtu eshte JETA.
    Nuk bej pazare etike me Jeten.

    A ke shkelur milingona me kembe apo vrare zogj me llastiqe kur ke qene femije ?
    S’ke pare valle kasapin tek therte vicin apo qengjin para se yt ate apo jot eme te blinte ndonje kile mish?

    Mos me thuaj qe edhe ti je rritur si perendimor….

    Dhuna e kote mbi kafshet eshte shenje c’ekuilibri psikik, por edhe vegjetarianet nuk duhet te jene mire.

    ””Nuk të marr vesh se ç’thua””

    Si e the edhe vete s’eshte ndonje katastrofe.

  8. ekonomia e tregut dhe e konsumit të gjerë e ka distancuar njeriun mishngrënës kaq shumë nga gjallesa që ia “dhuron” trupin e vet për ta ngrënë, sa shumë fëmijë sot në Perëndimin urban as që e dinë se nga vjen mishi i hamburger-it

    Eshte me keq se kaq. Ne ekonomi tregu lopa nuk eshte me lope po ‘njesi prodhuese’.

  9. Është me gjithë mend e tmerrshme çka duket aty në video. E tmerrshme në kufijtë e absurdes. Nuk po arrij dot të gjej shkak apo arsye se pse një qënie njerëzore mund të sillet kështu ndaj gjallesave të cilat në fund të fundit e ushqejnë.

    Pjesët e videos ku tregojnë kafshën e vendosur urtë midis duarve të xhelatit dhe ky pastaj e godet…. pa fjalë!!! Nuk po flas për ritualin e therrjes, po nuk po gjej dot arsye pse një mbarështues lopësh të sillet ashtu ndaj burimit të tij financiar. Mos ka ndonjë poltikë në USA ku duhen gjymtuar kafshët që më pas të therren? Nuk po më lë të qetë habia për ato veprimet që bëheshin aty. Sidomos kundërshtia e sjelljes midis njeriut që ka në dorë të bëjë gjithçka dhe kafshës së gjorë të pamundur për një kundëreagim të dhunshëm. Ato lopë dhe viça aty prisnin në një qetësi makabre procesin e dhunës ndaj tyre. Smundem dot ta besoj çka pashë… ata njerëz aty kanë me gjithë mend probleme psiqike.

    Për mua nuk është diçka e re procesi i flijimit të kafshës për t’i marrë produktet. Kam vizituar shumë herë zona rurale dhe kam parë me sytë e mi sesi ndodh. Po kjo as ka patur ndonjë lloj lidhje me torturën ndaj kafshëve. As mund ta konceptoja dot një sjellje të njerëzve ndaj kafshëve në këtë mënyrë.

    Kujtova, gjatë leximit të artikullit time gjyshe, që sa herë duhej therrur ndonjë dele apo qengj, e luste kasapin e rradhës të mos e bënte të vuante shumë. Edhe secili prej atyre djemve të rinj të fshatit që u vinte ndorësh për therrje, e qetësonin duke i thënë se e kanë “dorën të lehtë”. Apo një rast një herë, kur një qengj të vockël të imët e të parritur që i kishte vdekur e ëma, e rriti vetë në mes të dimrit duke e mbajtur në vatër dhe duke i dhënë qumësht me biberon.

    As ka pikë lidhje realiteti në të cilin jam gjendur unë, ku kishte therrje pulash, deshësh e qengjash, apo dhe kastrime kuajsh, me çka pashë në atë videon aty, të një vendi (presupozohet) më të civilizuar se ai yni.

    Therrja e kafshës është një ritual i domosdoshëm dhe jo vetëm sa për të ruajtur skrupujt, por edhe qenësinë tonë njerëzore, kafshës në ato momente i duhet ruajtur dinjiteti. Unë do e kisha të pamundur të jetoja pa produkte shtazore, të paktën nuk do mund të bëja dot çka bëj dhe dua të bëj tani. Kam mbajtur edhe kreshmë, ka pasur kohë që për arsye të ndryshme pothuajse nuk kam vënë gjë në gojë me ditë të tëra, por di të them ndryshimin që ndodh në trup ndërmjet këtyre gjendjeve. Njeriu për mendimin tim e ka të nevojshme të marrë proteina dhe yndyrna shtazore për të ruajtur kapacitetin trupor që ka. Por nëse duhet të zgjidhja, kurrsesi nuk do të merrja një produkt të tillë si ato kafshët që pashë në video. Të keqtrajtuara, të dhunuara në atë mënyrë. Jo vetëm për çështje skrupujsh, porse kam një ndjenjë që ajo kafshë e kthyer në mish, në atë mënyrë, nuk do të më bënte mirë.

    Është e vërtetë Xhaxha, që therrja, fsheh diçka mistike në të, dhe mendimi i parë instiktiv që më vjen në mendje, është t’i jap meritat fesë për mënyrën sesi i trajton gjallesat e tjera që na janë ofruar për konsum. Pikërisht i trajton si “dhurata”. Therrja e një qengji për Pashkë apo Bajram ka pikërisht këtë koncept. Flijimi bëhet për një arsye madhore (për hir të Perëndisë), dhe më pas besimtarët shijojnë frytet në formë falënderimi. Megjithëse kjo duhet të jetë “mbetje” e proceseve dhe ritualeve pagane që më pas i kanë bërë të vetat krishtërimi dhe islami. Po nuk mund të mos vihet re gjithsesi, që flijimi cilësohej si një veprim gati gati jo normal, që duhej sebebi (hyjnorja) për të ndërrmarrë këtë akt.

    Ai personazhi i filmit, duhet ta ketë pasur emrin Bamkë, Xhaxha. Bamkë Qirollari.

    Që në një moment Sali Protopapa i thotë: – Hë Bamkë, të vjen keq për dashin ë?

  10. konsumimi i mishit vetem nje here ne jave eshte i arritshem lehte. Bile aq i vogel eshte mundimi per tju mbajtur ketij zakoni sa pas fare pak kohe duhet te lodhesh per ta perceptuar “sakrificen” qe po ben. Per te mos folur pastaj per te mirat qe ka kjo diete me konsum te vogel mishi per shendetin dhe mjedisin. Ashtu si shume pjesetare te homo urbanus edhe une rralle here kam menduar se si perfundon mishi ne market apo dhe ne tavoline. Por kam jo pak vjet qe i permbahem kesaj diete ne menyre te ndergjegjshme (se ne menyre te pandergjegjshme i jemi mbajtur te gjithe ne kohen e tollonave) kryesisht per aresyen e ruajtjes se mjedisit.

  11. Videon ne fjale s’e kam pare, kam vizituar ne klase te katert thertoren e derrave ne Tirane. Klithma e derrit qe therej nuk me eshte hequr nga kujtesa, ashtu si s’me eshte hequr nga kujtesa shikimi i nje kunadheje te kapur ne cark e qe po e conin ta ekzekutonin. E kuptoj meshiren per qenien e gjalle, edhe per trendafilin, nuk di nderkohe te na kete ofruar natyra apo krijuesi nje tjeter zgjidhje jetese vec zinxhirit ekologjik (pervers ?) me viktima e grabitqare . Lopa, kau e tjera kafshe te zbutura nga njeriu s’do te kishin njohur fare driten e diellit pa seleksionimin e racave qe beri njeriu, ky mishngrenes i afirmuar tashme. Ja ta zeme se njeriu heq dore nga mishngrenia, atehere do kishim superpopullim nga lopet, ose do t’i shqyente ujku i cili s’merr anestezianter e bisturi te mprefur ne dore para se te marre dozen e duhur te proteines.
    Pa dashur te prek vejetaliane et vegjetariane, as ata qe preokupohen per jeten e kafshes ne sherbim te njeriut mishngrenes, une vete s’ndjej fajesi ne ngrenien e mishit. Po aq sa nuk ndjej pike meshire ne ngrenien e fikut, insektit, sallates, hithres apo lepjetes. Me eshte bere zemra mal qe kur mesova qe edhe Dali Lama, nuk u ndjekerka fajtor per ngrenie te mishit. Ky i fundit paskish filluar nje vegjetarianizem per aresye shendetesore dhe po per arsye shendetesore e ndaloi ; mungesa e mishit i varferoi organizmin. Proteina shtatzore eshte e pazevendesueshme per organizmin, po aq sa edhe hekuri sidomos per ata qe kane mangesira apo humbin gjak per aresye te ndryshme.
    Mungesa e respektit ndaj gjalleses eshte nje arsye tjeter qe hap shume dyer : respekt per mickonjen qe pickon, per hardhucken qe te hyn ne shtepi, per ligavecin qe te ha sallaten e sapo mbjelle, per larven qe gjen kur lan sallaten, per mykun qe ka mbire mbi kos e me duket se lista s’do te merrte ndonjehere fund.

  12. une vete s’ndjej fajesi ne ngrenien e mishit. Po aq sa nuk ndjej pike meshire ne ngrenien e fikut, insektit, sallate…

    Nuk eshte e domosdoshme te ndjehet ndonje “fajesi” ne ngrenien e mishit, sepse kjo eshte nje zgjedhje qe gjithkush ben ne dieten e tij, por qe te hash nje cope mish nga nje kafshe e masakruar mbase.., gjithsesi nese dikush eshte aq i ndergjegjshem saqe te ndjehet disi fajtor kur ha mish, midis dy te keqijave zgjedh ate me te miren, e cila ne kete rast eshte nje cope mish nga ajo kashe qe nuk eshte torturuar barbarisht gjate gjithe jetes dhe nuk eshte masakruar, e cila kushton pak me shtrenjte, per tu shtruar ne tavoline e pastaj per te perfunduar ne stomakun e nje te urituri. Megjithate me shume me pak shpenzim dhe me uri mishengrenesi shijohet edhe ai mish i cili gjate gjithe jetes eshte trajtuar barbarisht. Askush s’ka pse te ndjehet fajtor, eshte thjesht ceshtje zgjedhje dhe mundesie ekonomie; ne fund te fundit, megjithse une mendoj qe cilesia duhet ta mbysi sasine.

    “Mungesa e respektit ndaj gjalleses eshte nje arsye tjeter qe hap shume dyer : respekt per mickonjen qe pickon, per hardhucken qe te hyn ne shtepi..,”

    Kjo eshte shume e vertete, por njeriu nga keto insekte nuk ka absolutisht asnje te mire ashtu si edhe jeta e njeriut nuk varet prej tyre, ne kundershtim me kau’-n , lopen, delen, pulen, prej te cilave ushqehet dhe shumica e njerzimit mbijeton ne saje te tyre, pra te pakten te vetmet gje qe ka mundesi eshte ti trajtoje me respekt gjate jetes se tyre. Pse eshte kjo kaq e veshtire per tu kuptuar?
    Persa i perket insekteve, edhe ato nese ke mundesi mos te vriten mire do ishte, perndryshe ka dy menyra per t’ju larguar, qendroni larg ambientin te tyre ose perdorni medikamente te tilla qe i largojne ato. Por kjo eshte krejtesisht nje teme tjeter!

  13. Heqja dorë nga ngrënia e mishit është një hap relativisht i vështirë, që nuk mund të pritet me një lloj vetkuptueshmërie të merret praj çdokujt, mbase është edhe shkalla më e lartë e një lloj vetëflijimi për hir të një harmonie me bashkëgjallesat që ndajnë (për të zezën e tyre) planetin me ne. Kush ha mish nuk duhet parë aspak me dyshim si një bashkëqytetar josocial i pasqaruar e kështu me radhë. Por unë nuk i kuptoj dot njerëzit që lakmojnë prodhimet e cilësisë më të ulët vetëm për hir të një çmimi sado më të ulët? Shoh shpesh njerëz rreth meje, që janë gati t’i hedhin çfarëdolloj qelbësire barkut, mjafton, që ajo të mos ketë kushtuar më shumë se 99 cent.

    Nëse jeton në perëndim mund të ushqehesh pa ndonjë sforcim të jashtëzakonshëm financiar duke blerë prodhime jo vetëm biologjike (ekologjike apo organike siç mund të quhen diku tjetër), por duke shpenzuar edhe pak më shume mund të blesh të tilla, prodhuesve të të cilave ju është garantuar ruajtje e dinjitetit njerëzor në procesin e prodhimit falë kontratave të ndershme të punës të ndershme. E kam fjalën për prodhime të shëndetshme fair trade.

    Është gjë ndonjë “kijamet” i madh të paguash për kafenë dyfishin e çmimit duke ditur, se nuk është e spërkatur kimikisht dhe nuk është mbledhur nga fëmijë, që ne fakt duhet të shkojnë në shkollë, në vend që të punojnë 14 orë në ditë, 7 ditë ne javë nëpër plantacionet e pafund të kafesë të botës së tretë?

    Duhet patjetër që njeriu të ketë një raft me 20, 30, 40 T-shirt, prodhuar prej kushedi se çfarë grash mjerane ne Bangladesh për gjithë gjithë 1 cent për copë?

    Duhet patjetër të hash bukë të mbështjelle në qese plastike javë më herët, e cila falë një zinxhiri “E-sh” mund të presë në raftin e një supermarkati edhe javë të tëra për ty?

    Duhet patjetër të pish qelbësirën e fundit me gaz me shijen më ultimative që ka pjellë mendja e kushedi çfarë mjerani kimist në shërbim të një koncerni pijesh freskuese, kur e di të paktën prej 50 vjetësh, që gjithçka në atë pije të trash njësoj si trutë ashtu edhe trupin?

    Dhe që të kthehem tek videoja e cituar në artikull, duhet patjetër që ato krijesa të gjora të perëndisë apo të natyrës t’i trajtosh barbarisht, përpara se ti vrasësh edhe t’i hash?

    Natyrisht që jo. Në fund të fundit, ajo se çfarë i hedh njeriu barkut të vet tregon bashkë me respektin që ky ka për veten edhe nivelin sqarimit të tij qytetar dhe intelektual.

    Është njeriu fisnik në ndjenja dhe qelibar në shpirt kujdeset që të mos i bëjë dëm as vetes e as gjallesave të tjera. Se si bëhet kjo, e vendos secili vetë; pra nuk ka shabllon për këtë. Nëse ja vë këtë qëllim vetes, e gjen me siguri rrugën e duhur; ndonjëherë edhe vetëm duke i përzënë mizat apo duke i ndjekur hardhucat nga dhoma.

    Librin e tij “Straw Dogs: Thoughts on Humans and Other Animals” të John N. Gray autori fokusohet pikërisht në lajthitjen fatale të njeriut të arsyeshëm, i cili në historinë e tij e ka parë veten në qendër të gjithçkaje, duke i zhvendosur të drejtat e krijesave të tjera sipas shkallës së evolucionit gjithnjë e më poshtë e më larg nga vetja. Libri është interesant dhe do ta sugjeroja për ta lexuar

    Antropozentrizmi do të çojë herët a vonë në rrënimin e natyrës dhe bashkë me të të edhe të njeriut të organizuar brenda saj si krijesë sociale.

  14. Shpesh në perëndimin përtej alpeve hapet diskutimi, në kafshëve u duhen sanksionuar të drejtat e tyre me ligjin themelor të shtetit, pra kushtetutën. Në përgjithësi është fjala për kafshët vertebrore. Natyrisht që bëhet fjalë për një përfytyrim naiv, i cili qëndron ende në pelena. Megjithatë, po të shohësh se si ka evoluar etika për përdorimin e primatëve për eksperimente mjekësore, mund ta kuptosh se edhe sikur kjo të mbetet gjithnjë një iluzion, njerëzit mundohen që atë të keqe që u bëjnë kafshëve t’ua minimizojnë në maksimumin më të nevojshëm.

    Unë nuk do të kisha ndonjë problem të madh me ndalimin e të gjitha eksperimenteve mjekësore me kafshë, megjithëse që të jem i ndershëm duhet të them, se personalisht nuk jam i varur (akoma) nga rezultatet e tyre.

    Sikur njerëzit ta jetonin kohën e tyre më të mbushur nga ana spirituale, mbase mund të vdisnin më herët në harmoni me veten dhe të dashurit e tyre, duke lënë më pas paqe ndër të gjallët e jo një mal me plehra materiale, etike dhe ideologjike.

    Por njeriu modern është egoist dhe nuk di të vdesë me dinjitet.

    Për t’ju kthyer edhe një herë asaj videoje që u bë shkaku i këtij diskutimi, ndoshta mënyra se si ata njerëz i trajtojnë kafshët duhet parë në raport me dy fenomene të tjera.

    Dhuna e ushtruar ka një veti konstante që konsiston në karakterin hidraulik të saj. Dhuna tejçohet në të njëjtën masë siç përjetohet. Ajo dhunë që shuhet në atë video është dhuna publike mbi individin modern, është dhuna në vendin e punës që ushtrohet nga kushtet e pafavorshme të punës, është dhuna financiare e organeve fiskale, të cilat shtresat e ulëta ekonomike i perceptojnë si armiq të drejtpërdrejtë, që ju heqin kafshatën e fundit nga goja, është dhuna televizive e kudondodhur në mediet moderne, është dhuna familjare në kushtet e humbjes së kodeve etike në kushtet u urbanizimit të egër të popullsive dikur rurale.

    Fenomeni i dytë që unë mendoj se mund të vërehet është se ajo dhuna kundër atyre kafshëve është një dhunë e re, moderne, sistematike kundër të drejtave të sanksionuara të gjallesave, e cila mundësohet brenda mureve të një korporate. Ato kafshë nuk janë pa të drejta, por janë në një një hapësirë ku shkelja e tyre nuk është e tillë. Ajo lloj dhune ushtrohet sot pa problem nëpër burgjet jashtë juridiksioneve kushtetuese të vendeve demokratike, shpesh të krijuara edhe artificialisht, e kur të dyshuarit për terrorizëm mund të torturohen sipas dëshirës dhe fantazisë të bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete të vendeve demokratike.

    Ti vërtetë i ke vënë rregullat e sjelljes në vitrinën e shtetit, që burojnë nga akte normative shumë fisnike, por në fakt nuk të bëhet shumë vonë t’i shkelësh sapo të të duket, se ke një qëllim më të lartë për të arritur.

    Problemi këtu mbetet, që qëllimin e lartë vendos vetë dhe jo me një konsensus të hapur publik në harmoni me etikën e kohës.

  15. Thuhet se Niçe (Nietzsche) u çmend kur e pa një karrocier duke e keqtrajtuar kalin.
    Duket se ka një ligj të konsekuencës së sjelljes njerëzore:
    Si sillemi ndaj kafshëve, ashtu sillemi edhe ndaj njerëzve.

  16. Dua te nenvizoj ne hyrje se pergjigjja ime merr shkas nga problemet shprehur ne nje nivel shume te kenaqshem. Asgje personale, sepse s’kam asnje ide se sa perqind te egzistences se shkruesve perfaqesojne mendimet e shprehura ne ptf. Dhe per me teper s’jam as psikolog e te tjera psi-…
    Levizjet e gjelbera kane thithur nje aspekt stalinian qe e rezatojne lart e poshte pa pike pergjegjesie : politizimin e shkences. Per te qene me e qarte, ne vendet perendimore, komisionet e etikes qe shoqerojne veprime te ndryshme shkencore, i pershendes, kam shume respekt. Por sensibilizimet ekologjike nuk kane shume te verteta brenda. Etike? Pyes veten a ka etike ne politike?
    Shqetesimi qytetar (nuk e ngaterroj me shqetesimin ekologjik te fshatarit prodhues, banues, etj, shqetesim i drejte, llogjik ne shumicen e rasteve i cili vuan nga ekstravagancat qytetare) i gjelber mbetet per mendimin tim sot ne shumicen e rasteve piktoresk, romantik, dashamires, “peace & love”. Duhet megjithate, “il faut du tout pour faire le monde”. Per te ilustruar idene mbi shqetesimin ekologjik , kaleroj nepermjet nje frymezimi kalorsiak ne ndihme te insektit. Nje lloj trubadur insketi pa talent, asgje me shqetesuese se kaq, por e thashe me siper qe te gjitha duhen per te bere boten. Shpresoj te me degjoni dhe mua.
    Jo, jo dhe jo, insekti nuk ka aspak me pak vlere per jeten tone (e cila eshte pjese e nje ekuilibri te madh ekologjik) se sa lopa. Do te me pelqente qe dikush qe blen bio t’ia recitonte kete citat fshatarit qe kujdeset per fruta e perime bio.
    Ne keto vise te kemi nga nje bioprodhues te njohur te gjithe gati. Madje edhe burgu i krahines po prodhon ne mase te madhe bio e po konkuron fshataret tane te lire. Se per me teper burgu ka orare me te zgjatura se sa Rita qe i duhet t’i gatuaje dhe burrit e te pije nje krrikell birre me te darkave. Rita quhet biofshatarja qe njoh, ben edhe qumesht ne fermen e saj. Rrit dhe vica e lepuj, me shume dashuri. Rita lufton parazitet jo me kimikate por me lufte biologjike(jo 100% se apelacioni bio ka surpriza aspak te kendshme per konsumatoret por te kendshme per prodhuesit). Nuk eshte Rita indirekt pjese e historise viktime e grabitqar? Kafshet s’i therr vete, Rita, eshte bio, ua le portugezeve, bijve te shqipeve, etj, me bahce t’i akomodojne sipas deshires nje dite te ngrohte me diell kur BBQ mbushet me prush ne mengjes heret e gjemon Vacja ne manjetofon. Rita nuk do gjak ne fermen e saj, e merr mishin tek vllai kasap. Rita s’ka asnje garanci se konsumatori do ta trajtoje mirre lepurin perpara se ta therre, po c’te beje? T’ia shese vetem atij qe ka makineri per therrje te embel? Kontribuon Ritabio ne respektin e planetit me pak se qytetari qe s’ha mish, ne Toronto p.sh.?
    Ju keni shume te drejte te vazhdoni ne menyren tuaj te shikimit te lopes nga kamera e dikujt, une do t’iu sugjeroja te mos ndaleshit tek nje hallke e zinxhirit. Do te doja te kisha shume talente sidomos ate te paraqitjes se jetes se sakrifikuar te mickonjes shtatzene qe mundohet te mbushe barkun me gjak gjitari per te bere te mundurt daljen ne jete te mickonjezave bebe dhe qe papritur, shtazerisht, perfundon ne aparatin tretes me perqindje te larte acidi te lakuriqit te nates, zgjedhur nga njeriu i gjelber per te luftuar biologjikisht mickonjen bezdisese.
    Flitet per “keqtrajtimin”e kafsheve sot. Ne sa raste kemi te bejme me keqtrajtim vertet? Ve re qe shpesh c’eshte natyrore perceptohet si e mire, edhe ngordhja nga shkaktare natyrore. Ku nderrhyn industrializimi, mekanizimi, dora, mendja njerezore, si e keqe. Nuk mendoj se miu qe ngordh pasi macoku i cau karotidet ka nje fund me te mire se me tabletat e sotme anti-mi.
    Denesa e Nietzsches per kalin e rrahur shenon fundin e jetes se tij me aresye. Pastaj kendoi opera tre dite rrjesht deri sa i erdhi ne ndihme doktori. Sic lexohet me vone, motra e tij fshehu aresyen e vertete te marrezise se Nietzsches qe ishte sifilisi dhe me sa di askush s’ka avancuar si shkak shtazerine e karrocierit. Une nuk e kuptoj si ndjeshmeri te nje njeriu te madh, ishte nje veprim ianadekuat, i disproporcionuar, i nje njeriu te semure. Ne ate kohe kur levizja e transporti i njeriut modest (njeriu bio me gjuhen aktuale) ne mase te madhe sigurohej nga kali, ju garantoj se eshte me mire te kaloje si marrezi.
    Kenaqesia e biftekut qe shkrin ne goje eshte natyrore po aq sa deshira per te bere dashuri. Thoshte gje Frojdi per shtypjen e deshires per te ngrene melci pate apo pires? Le te mos iu leme rast politikaneve tane te kene pastaj impulse shtazerore se nuk hengren shtaze ne nje cast vendimtar per jeten e vendit. Kjo do te kene qene aresyeja evropiane e zgjedhjes se menyse tek Krokodili.

  17. ” Dhe per me teper s’jam as psikolog e te tjera psi-…”

    “Levizjet e gjelbera kane thithur nje aspekt stalinian qe e rezatojne lart e poshte ”

    “Jo, jo dhe jo, insekti nuk ka aspak me pak vlere per jeten tone”

    “Rita quhet biofshatarja qe njoh, ben edhe qumesht ne fermen e saj. Rrit dhe vica e lepuj, me shume dashuri. Rita lufton parazitet jo me kimikate por me lufte biologjike..”

    “Denesa e Nietzsches per kalin e rrahur shenon fundin e jetes se tij me aresye.”

    Ju falenderoj per informacionin.

  18. Para disa kohesh ne Bruksel erdhi sir Paul McCartney. Zerat qarkulluan qe ne mengjes se ai po shetiste neper rruge me nje Humer te madh 4×4 me xhama te zinj. Dyshimet u vertetuan ne lajmet e mbremjes. Ai kishte ardhur per te folur para Parlamentit Evropian, gje qe shpjegonte disi rruget e radhuara ne oren e lajmeve televizive.

    Aty u muar vesh se kishte ardhur te fliste para KE per pune mishi. Shkurt tha se duhej qe njerzit te mos hanin nje here ne jave mish. Ne te vertete ai nuk e kishet hallin te kafshet, por te nje problem tjeter, per te cilin flitet pak; per ate se bujqit dhe blektoret jane ndohtesit me te medhenj te planetit. Por as ai nuk e tha hapur kete gje./

    Sipas tij, duke mos ngrene nje here ne jave, ai shpresonte qe niveli i ndotjes te ulej ne nje mase te përfilleshme.
    Pastaj pame se si pas fjales se tij te shkurtes, shume fanse nxituan ti marrin autografe…

    Megjithate nderhyrja e tij mu duk shume e çuditeshme. Po behej shume vite qe nuk e kisha pare te shprehej per probleme sociale a politike. Ne fakt nuk ka nevoje. Ai i ka folur te gjithe njerzimit me nota magjike dhe me vargje sa te thjeshte e aq hyjnore, jo per çeshtje te caktuara, por per ta bere me te mire te gjithe njerzimin.

    Atehere pse nderhyri per pune mishi, pyesnim njeri tjetrin te nesermen.

    Po qe se pas problemeve dhe divorcit katastrofe qe pati, kishte vendosur te dilte ne publik per pune imazhi, atehere pse per nje problem anesor europian?

    Nese vertet e kishte kaq te nevojeshme, atehere pse nuk doli te thote me pare diçka per ato mijra e miliona femije qe lindin e vdesin pa mbushur kater vjeç nga kequshqimi dhe pa e provuar asnjhere shijen e nje supe me mish?

    Hey, Paul!

  19. Une besoj se ka nje lloj mizorie njerezore qe eshte e natyrshme. Theksi i rende tek arsyeja, racionaliteti, etj, na ben te habitemi deri ne revolte me kete lloj dhune “pa arsye” dhe “pa asnje qellim e kuptim.” Megjithate, pas nje veshtirosjeje fillestare, mua kjo video nuk me bezdis. Perkundrazi, gjej nje lloj paraleli mes kesaj sjelljeje dhe sjelljes se nje maceje kurioze qe loz dhunshem me miun, deri sa ta mbyse e ky i fundit mos “lozi” me. Plus qe me duket naive te mendohet se natyra mund te shfrytezohet pa qene te dhunshem ndaj saj. Lopet nuk na kane adoptuar me deshire ne gjirin e vete, si ulkonja baballaret e Romes. Mijera vjet bulmet lopet nuk na e kane dhuruar vete. Me praktika te tilla eshte fituar. Korrektesa politike dhe humanizmi e kane limitin tek qeniet humane, perndryshe ushqehen ose nga naiviteti ose nga hipokrizia. Sidoqofte, e gjej veten te pashqetesuar nga kjo dhune, pasi me duket e natyrshme. Ajo qe me shqeteson eshte dhuna qe nuk shihet, dhuna qe krejt hipokrizi quhet jo dhune, por modifikim, dhuna ne nivele te panatyrshme hormonale.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin