TESTOSTERONI SI ÇELËS

Si shumë të tjerë, kam njohur plot femra dyshuese, që i vështrojnë plot mosbesim lëvizjet e meshkujve. E kam konsideruar diçka normale. Nuk jam përpjekur kurrë t’i jap një shpjegim biologjik, duke u mjaftuar me faktin, logjikisht pasqyror, se ka shumë femra që kanë njohur meshkuj dyshues. Në kuadrin e shumëllojshmërisë vetë kureshtja shkon e humbet në mozaikun e karaktereve njerëzore.

Mirëpo, tani mësoj se fajin e mosbesimit tek femrat e paska testosteroni. Hormoni nën akuzë, deri dje i famshëm për ndikimin ndaj seksualitetit, kur qenka në doza të mëdha tek femrat e ulkan besimin tek të tjerët. Kështu thotë një studim shkencor i botuar në Afrikën e Jugut. Bëhet fjalë për një kërkim shkencor bazuar në reagimet e disa femrave, të cilave u janë bërë injeksione me testosteron. Rezulton nga të dhënat se hormoni mashkullor në trupin femëror e ul nivelin e besimit, duke ndryshuar edhe vetë gjykimin për persona të tjerë.

Mediat raportojnë se përfundimet e këtij kërkimi janë kundërshtuar nga studiuesit e Universiteti të Zyrihut në Zvicër, të cilët kanë arritur në rezultate të përkundërta në përpjekjet e tyre shkencore. Në njërin prej tyre, botuar në revistën “Nature”, mbështetet ideja se testosteroni shkakton mirësjellje, dashamirësi e zgjidhje gjeniale. Kjo ide përplaset me mendimin tradicional, që e ka parë gjithnjë testosteronin si motor të agresivitetit e të dhunës.

Personalisht nuk mund të gjykoj nga ana ngushtësisht profesionale studimet e mësipërme. Fakti është se tashmë lajmet për ndikimin e hormoneve, ose në përgjithësi të kimisë cerebrale, mbi sjelljen e njeriut po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë. Kjo varet kryesisht nga zhvillimi i hovshëm i kimisë moderne, i aparaturave dhe i neuroshkencave në përgjithësi. Sipas gjasës, tendenca e këtyre studimeve do të jenë gjithnjë në rritje vitet e ardhshme, ndërsa mediat do të na japin gjithnjë e më shumë lajme për aksh substancë që na kushtëzon në aksh mënyrë.

Studime të tilla janë të mirëpritura, çka nuk vlen për paragjykimet ndaj tyre. Ndikimi i kimisë tek njeriu nuk mund të mohohet, duke filluar nga vartësitë narkotike, ndaj duhet nxitur më tej studimi i tij. Mirëpo a mund të shpjegohet gjithshka me substancat kimike që qarkullojnë në tru? Them që jo. A mund të shpjegohet sjellja e njeriut, në grup ose jashtë tij, vetëm nga dozat e lëndëve kimike? Si ta shpjegojmë dashurinë, solidaritetin, altruizmin, sakrificën, etj.? Me gramët e testosteronit? Më duket tejet reduktive (madje fyese, edhe etikisht) për kompleksitetin e njeriut.

Frika ime është se në Shqipëri studime të tilla, dhënë shpeshherë keq nga mass mediat, do ta rrisin konfuzionin që ekziston sot në mendimin shoqëror. Deri dje, në vendin tonë, njeriu ishte produkt i shoqërisë dhe i luftës së klasave. Sot nuk është e qartë, sepse luhatet si nënprodukt serre në egoizëm kapitalist e retorikë kombëtariste, ndërkohë që materializmi po i kon mendjet që kur dalin nga materniteti. Nesër nuk i dihet, por ka mundësi (rrezik) që sjelljet e njeriut, përfshirë ndjenjat fisnike, të shpjegohen tërësisht me formulat e ngatërruara kimike, plot shifra e shkronja, përveçse me ato të llogarive në bankë. Si të thuash, pyetjes së përhershme shqiptare “Pse e bën ti këtë?”, do t’i gjendet përgjigjja në faqet e manualeve të kimisë, ose tek numri i kartave të kreditit.

Në Shqipëri studimet humanistike me metodologji kimiko-biologjike do të kenë plot ç’të studiojnë. Temat janë të panumërta, për të kaluarën e të tashmen. Si shpjegohet që kur vishje rrobat ushtarake, gjatë zborit për shembull, të vinte të shtriheshe kudo, nga livadhi në baltë? Si shpjegohet që minifundi në Shqipëri gjatë viteve nëntëdhjetë, kishte tek meshkujt, por edhe tek femrat, reagim të ndryshëm nga ai i viteve dymijë? Si shpjegohet ndryshimi rrënjësor gjatë tranzicionit që ka pësuar lidhja midis parasë e seksit në psikologjinë individuale? Si shpjegohet maçizmi në politikë?

Problemi është global, përtej nuancave komike lokale, dhe më duket më i mprehtë se përplasja tektonike midis evolucionizmit dhe kreacionizmit. Këtu sfida zhvillohet në një terren më të rrëshqitshëm, sepse kemi kulturoren kundër kimikes, socialen kundër biologjikes. A është gati kultura shqiptare për t’u përballur me këtë lloj përplasje epokale?

Nuk ka komente

  1. Përshëndetje e urime për artikullin
    Keni shumë të drejtë kur thoni se është “një problem global” ky lloj shpjegimi kimik i jetes. Tashmë kur bëhet fjalë për sjelljen, do të na duhet vetëm kimia, a thua se ambjenti, shoqëria, etj. në kohërat moderne nuk na paska më asnjë kuptim. Studimeve humanistike s’u paska mbetur gjë tjetër veçse të justifikojnë egzistencën e tyre (http://www.nytimes.com/2009/02/25/books/25human.html?_r=1&pagewanted=2)

    E njëjta gjë po ndodh edhe me të ushqyerit, në Shqipëri e këtej, përtej oqeanit. Tani flitet vetëm për kalori, sikur njeriu të ishte një makinë që ka nevojë për një sasi të caktuar benzine e kaq (po të ishte kështu, me tre feta buke me gjalp në ditë, njeriu i merr 2000 kaloritë e nevojshme ditore, po a jemi të shëndetshëm po të hamë vetëm gjalpë?). Ambjenti, mënyra e jetesës, metabolizmi, lloji i ushqimit, cilësia e ushqimit, mënyra e gatimit, etj., etj., harrohen fare.

    Më kot po përiqem të kuptoj këto probleme, në rrafsh global. Vijnë ngaqë tani kemi të bëjmë me specialistë/kimistë/kërkues/shkencëtarë që njohin vetëm fushën e tyre të veçantë e kanë një këndvështrim të ngushtë të botës në përgjithësi, apo kemi të bëjmë me një projekt më të gjerë, ku një këndvështrim humanist i jetës frikëson sepse cënon “interesa të patundshëm”? (Të flasësh seriozisht për të ushqyerit, për shembull, do të thotë të trajtosh problemet që lindin me bujqësinë e industrializuar, me ushqimet e përpuanuara, me cilësinë e papranueshme të ushqimeve në shitje, me ushqimet e shpejta, me praktikat e gabuara të të ushqyerit, me ndotjen e ambjentit, me varfërine, e kështu me rradhë).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin