Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Politikë / Sociologji

PASQYRA KIRGIZE

Ndodhën trazirat në Kirgizstan – ose grushti i shtetit që rrëzoi presidentin Baikyev – dhe mediat e majta shqiptare nuk e humbën rastin për të hequr vija paralele me situatën e sotme në Shqipëri.

Shkruante Arben Rrozhani sot në “Shekulli”:

Ajo çka e bën shqiptare revoltën e tre ditëve të fundit në Kirkizstan është tipologjia e njëjtë e regjimeve që u ngritën në këto vende: Si Bakijev, si Berisha premtuan mirëqenie dhe prosperitet, luftë ndaj korrupsionit, shtet të së drejtës dhe konsolidim të vlerave të demokracisë.

Po a kanë ndonjë vlerë krahasime të tilla, në rrethanat kur Kirgizstani është një vend i Azisë qendrore, në kufi me Kinën; po aq larg Shqipërisë sa edhe Afganistani?

Natyrisht, një kategori komentatorësh të majtë në Shqipëri do të gjejnë diçka kundër Berishës edhe në incidentin e djeshëm, kur presidenti polak Lech Kacynski humbi jetën në një katastrofë ajrore. Prandaj këtu nuk dua të diskutoj komentatorët (që atë punë kanë), por paralelizmin.

Reagimi im i parë, përballë fjalëve të Rrozhanit, ishte se mes Shqipërisë dhe Kirgizstanit nuk ka asgjë të përbashkët, veç përkatësisë në Eurazi.

Në fakt, shumë probleme kirgize nuk mund të kuptohen jashtë marrëdhënieve të atij vendi me Rusinë sot dhe me Bashkimin Sovjetik dje; madje më herët akoma, me Rusinë cariste.

Megjithatë, ngjarjet që ndodhën tani vonë, në krahasim me revolucionin e tulipanëve dje, ose edhe me revolucionet e tjera: portokalli dhe të trëndafilta, që kanë ndodhur në ish-republikat sovjetike(Ukrainë, Gjeorgji), të bëjnë të mendosh se demokracia, dhe në përgjithësi format institucionale të Perëndimit nuk mund të eksportohen, pa i futur në krizë shoqëritë pritëse.

Kirgizstani, një vend ku popullsia është e ndarë sipas strukturash tribale dhe që nuk ka pasur pothuajse kurrë kontakte të qenësishme me Perëndimin është shembull i gjallë se një cipë e hollë dhe delikate elitash pro-perëndimore nuk mjafton për të modernizuar një shoqëri që nuk është gati për të mirëpritur modelet perëndimore.

Nëse ka diçka që e bashkon Kirgizstanin me Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Shqipërinë, është pikërisht iluzioni se modernizimi i strukturave sociale dhe politike mund të bëhet duke kopjuar mekanikisht ligje, institucione dhe praktika administrative super të avancuara, nga vende të cilave u janë dashur shekuj për t’i përftuar.

Sot për sot Shqipëria, me gjithë kushtetutën që ka dhe ligjet që i miraton me shumicë, nuk i përket Perëndimit; vetëm i është afruar. Pushteti i Berishës mbetet autokratik dhe oriental – në kuptimin e keq të termit; pluralizmi nuk ekziston veçse si segmentim dhe përçarje; parlamenti nuk funksionon; palët politike nuk komunikojnë dot mes tyre; mosmarrëveshjet politike dhe institucionale u lihen për zgjidhje ndërkombëtarëve dhe ambasadorëve.

Disa analistë mund të nisen nga këto premisa, për ta renditur Shqipërinë në një kategori me Kirgizstanin dhe Gjeorgjinë. Në të vërtetë, kjo renditje do të përligjej vetëm në atë masë, që problemet e sotme strukturore të demokracisë shqiptare kanë të bëjnë me importimin mekanik të formave dhe të institucioneve nga Perëndimi.

Përndryshe, Shqipëria nuk mund të futet në një thes me republikat ish-sovjetike; pavarësisht nga ndonjë paralele historike që mund të hiqet – ose referimi ndaj Rusisë atje dhe Perandorisë Osmane këtu, si perandori zero ose burim të legjitimitetit dhe të drejtës për të sunduar me dhunë.

Sa kohë që ka ekzistuar, Shqipëria si shtet gjithnjë e ka pasur një elitë të orientuar natyrshëm nga Perëndimi; dhe këtu nuk e kam fjalën për elementët dhe eksponentët e stërvitur dhe të kultivuar prej fondacioneve dhe “fondacioneve” gjithfarësh dhe të financuar për t’u imponuar si elita nëpërmjet mediave.

Prandaj problemet shqiptare – të shumta dhe serioze – mund të zgjidhen vetëm jashtë këtyre vijave paralele dhe homologimeve, qoftë për mirë qoftë për keq, me realitete të tjera.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin