Që statistikat ia përcaktojnë thelbin politik, ekonomik dhe sociologjik bashkëkohësisë, kjo nuk ndahet dot nga vërshimi i masave shumëmilionëshe në paraskenë të botës moderne: konsumizmi, prodhimi masiv, ekonomia e tregut, financa spekulative për masat, mjekësia për masat, sistemet e asistencës sociale e kështu me radhë.
Një shembull elementar: një fabrikant i sotëm këpucësh, ka nevojë të dijë, me saktësi të mjaftueshme, shpërndarjen e numrave të këmbës në popullsinë e blerësve të vet potencialë – sepse ashtu do të orientohet të prodhojë më shumë këpucë burrash të numrit 42, sesa të numrit, bie fjala, 46; dhe këtë lloj informacioni ia siguron vetëm statistika, meqë nuk e mbledh dot vetë. Përkundrazi, një mjeshtër tradicional, që i bën këpucët me porosi, nuk ka nevojë për të dhëna të tilla të përgjithshme; atij i mjafton t’ia matë këmbën klientit që i shkon për t’i porositur këpucë për veten.
Në kushtet e prodhimit në seri dhe të tregut të masës ose shoqërisë së konsumit, malli me porosi (custom-made ose tailor-made) shndërrohet në luks të papërballueshëm për shumicën dhe, ipso facto, simbol statusi; prandaj statistika, e cila sjell me vete edhe nocionet e mesatareve të ndryshme, standardit dhe normës, është e vetmja që lejon ndërmjetësimin midis kërkesës dhe ofertës në shkallë të gjerë.
Kjo nuk vlen vetëm për ekonominë e tregut, por ka të bëjë me mënyrën si funksionon moderniteti. Politika bashkëkohore jo vetëm mbështetet në parimet demokratike dhe në procedurën në thelb aritmetike të votës, e cila garanton sundimin e shumicës numerike, por edhe sa vjen e orientohet ndaj anketave të opinionit publik, të cilat statistika jo vetëm i mundëson, por edhe përpiqet t’u japë kuptim e t’i peshojë duke i krahasuar mes tyre ose me modele gjithfarësh.
Po ashtu, mjekësia tradicionale ishte më tepër art, i mbështetur në dogma të përcjella brez pas brezi (similia similibus curantur) si dhe në përvojën e mjekut vetë, të interiorizuar dhe të manifestuar më pas si intuitë; ky i fundit nuk përdorte ndonjë statistikë, për të marrë vesh nëse një melhem i caktuar vepronte apo jo (p.sh. arseniku); por mbështetej në përvojën e vet vetjake dhe në atë të kolegëve, të cilën e kishte marrë në universitet, me rrugë autoritare (përfshi këtu edhe studimin e veprave madhore të fushës).
Statistikat sot përpiqen të kompensojnë, me mënyra pak a shumë objektive, për krizën e autoritetit që ka shkaktuar hyrja shungulluese e masave në modernitet, së bashku me parimin e rëndësishëm filozofik të barazisë.
Natyrisht, këtu duhen dalluar të dhënat statistikore, të cilat janë zakonisht numërime sipas kriteresh jomatematikore, nga vlerësimi i këtyre të dhënave me metoda matematikore shpesh jashtëzakonisht të stërholluara, të cilat i formulojnë, i testojnë dhe i zbatojnë ekspertët. Të thuash që në vitin 1966 dentistët shqiptarë shkulën 36,156 dhëmballë, ose 2,855 më shumë se në vitin 1960, ky është thjesht numërim; përkundrazi, statistika mund të ndihmojë për të kuptuar nëse kjo diferencë ka domethënie, apo i detyrohet shansit.
Sa për numërimin vetë, moderniteti jo vetëm e ka kurorëzuar si metodë heuristike sovrane, por edhe e ka veshur tashmë me atribute që dikur i jepeshin vetëm autoritetit – hyjnor dhe njerëzor. Ky afsh i papërmbajtshëm kuantifikimi, besoj unë, lidhet jo vetëm me shoqërinë e masave si koncept ombrellë (edhe këtu barazia e njësive numerike mes tyre, p.sh. e atyre 36,156 dhëmballëve të shkulura me njëra-tjetrën ose e pacientëve vetë mes tyre, është pothuajse aksiomatike, pikërisht ngaqë vendoset me marrëveshje), por edhe me ekonominë e tregut dhe veçanërisht shndërrimin e parasë në metaforë universale të vlerës në përgjithësi, materiale dhe shpirtërore.
Kuantifikimin nuk e ndan dot as nga përsosja e metodave dhe instrumenteve të matjes, të cilat i përkasin në vetvete teknologjisë; por në radhë të parë ai ka të bëjë gjithashtu me tkurrjen e autoritetit tradicional – në politikë, në shoqëri, në ekonomi dhe në kulturë. Tek e fundit, edhe vetë teknologjia kompjuterike (hardware dhe software), e cila e ka përkufizuar krejt modernitetin madje duke e rithemeluar si koncept, i ka rrënjët në makinën llogaritëse (e më tej, në numëratorin), si instrument i trajtimit të numrave.
Por kur flas për kuantifikimin si metodë vlerësuese universale, të mbështetur në statistikën, kam parasysh edhe pyetjen që më bëjnë të njohurit ndonjëherë, kur u them që kam botuar një libër: “sa faqe të ka dalë?”; ose krejt maninë, tashmë të përgjithësuar, për t’u informuar për botën nëpërmjet numrave dhe sasive (kjo ndërtesë ka kaq kate, kjo makinë bën kaq milje me 1 litër, ky film ka kushtuar kaq milionë për t’u prodhuar, kjo faqe Interneti ka kaq vizitorë në ditë, Greqisë i falëm kaq km katrorë det, kjo copë keku ka kaq kalori, baba e ka kolesterolin kaq ose aq, ky vend pune paguhet kaq euro). Si model për njohjen e botës, kuantifikimi i ka kapërcyer tashmë kufijtë e racionales, për t’u futur në çka mund të quhet edhe mistikë e numrit (ose kinezëri: kujt i kujtohen katër llafet për tetë pikat?).
Nëse paraja ka luajtur edhe këtu rolin përcaktues, kjo varet, tek e fundit, edhe nga raportet e ekonomisë së tregut me demokracinë si sistem politik optimal. Demokracia nuk ka nevojë domosdoshmërisht për mekanizmin e parasë që të funksionojë; edhe pse numri i votave të fituara e të fitueshme ose përqindja e konsensus-it për politikanin ka vlerë, para së gjithash, si “kapital politik.” Përkundrazi, ekonomia e tregut, e dominuar siç është sot nga spekulimi financiar, themelohet, të paktën pjesërisht, mbi statistikat, interpretimet dhe manipulimet e tyre për qëllim fitimi (mekanizmi i barazisë në shkëmbimet e afron, nga ana tjetër, me demokracinë; edhe pse barazuesi i madh, në ekonomi, mbetet vetë monedha). Aq e vërtetë është kjo, sa të dhënat numerike të matura nëpërmjet anketave sot u japin kontekstin e nevojshëm vlerësimeve statistikore në po atë masë sa vlerësimet statistikore u japin kontekstin e nevojshëm të dhënave numerike të matura nëpërmjet anketave nesër. Rregullimi, normalizimi dhe standardizimi numerik i demokracisë si metodë politike e fut vetë demokracinë në krizë, siç e kanë kuptuar ata që kanë vendosur të mos lejojnë njoftimin e rezultateve të exit polls para përfundimit të procesit votues. Kjo është si të thuash se ne jetojmë në një minierë qymyri tashmë dhe kanarinat sapo na ngordhën të gjithëve.
Edhe këtu, synimi objektiv i përpjekjeve mendore titanike që bëjnë elitat ekonomike, financiare, shkencore dhe politike të botës mbarë, është të parashikojnë të ardhmen; dhe ta parashikojnë në mënyrë “shkencore”, jo siç bënin dje astrologët, fallxhorët, ose plakat e filxhaneve. Kjo e afron dijen financiare, vetvetiu dhe në mënyrë të pashmangshme, me bixhozin si veprimtari që mbështetet në llogaritjen dhe vlerësimin e probabiliteteve, në funksion të vendim-marrjes.
Prandaj, nëse kuantifikimi dhe përsosja e metodave dhe instrumenteve matëse lejuan zëvendësimin e modelit të autoritetit me një model tjetër, më mirë të verifikueshëm dhe më të pavarur nga subjektiviteti i pushtetit, kjo çoi – dhe logjikisht nuk mund të ndodhte ndryshe – në përqafimin e bixhozit si model heuristik (ose udhëzues të vendim-marrjes) për të gjithë ata ekspertë të sotëm që merren me parashikimin e së ardhmes; sikurse çoi edhe në krizën e tanishme financiare, të shkaktuar nga institucione të themeluara mbi një model të tillë.
Ka një ironi, më duket mua, në faktin që kuantifikimi, si tipar dallues kryesor i mendësisë moderne me rrënjët në tregun dhe paranë si model shpjegues dhe metaforik, të pësonte dështimin e vet më spektakular pikërisht në lëmin e tregjeve financiare, ose atje ku metafora kthehet, si të thuash, në origjinën e vet primitive.
Më anë tjetër, metodat statistikore dhe probabiliste janë ulur sot këmbëkryq deri edhe në fusha të tilla eterike të shkencës, si mekanika dhe vetë fizika kuantike. Në përgjithësi, tani statistika duket sikur ndërmjetëson në konfliktin universal mes determinizmit nga njëra anë dhe rastësisë nga ana tjetër, që ka të bëjë edhe faktin se probabiliteti ka kuptim vetëm në raport me të ardhmen ose të panjohurën, ndërsa statistikat vetëm në raport me të shkuarën. Kështu matematika e aplikuar përbën pa dyshim një hap përpara në raport me astrologjinë ose kartomancinë, madje edhe për bixhosçinjtë profesionistë të Wall Street-it dhe të Las Vegas-it; por nuk jam i bindur nëse zëvendësimi i autoritetit tradicional me statistikën dhe kuantifikimet duhet përshëndetur gjithnjë si progres.
Shkurt, se eshte vone:
Fabrikanti i kepuceve, kerkesen e merrte vesh nder te tjera nga 1)shitesit, 2) vitet e shkuara (mesatarja shumevjecare – mbase do thuhej). Sot fabrikanti i kepuceve mund dhe e merr kerkesen direkt pa ndermjetesime; nepermjet blerjeve on-line, numri i konsumatoreve te tille sa me i madh qe behet aq e me afer objektivit- cdo kepuce te shitet. Bile duhet te jete e mundur qe sa pale ashtu e sa pale keshtu te llogaritet ne cast ne cdo cast, e shifrat te mos jene te njejtat.
Ka fabrikante qe kane inkorporuar dhe prodhimin me porosi, sot kushdo mund ta beje vete kepucen, nga sholli tek syprina.
Gabim te mendohet se kepucarit tradicional nuk i jane dashur te dhena mbi numrat e kembeve, e se ai nuk i ka kerkuar e gjetur ato. Atij mbase nuk i duhen per klientet qe i zene deren a faqen e internetit, por i duhen per te siguruar kallepet sipas numrave, pa te cilet ai s’ben dot lehte.
Ne e perdor shkrimin per gjetiu, sugjerimi im eshte ta heqesh shembullin a rishkruash.
Tema vec te tjerash me ka ngacmuar tek si e shohim boten pa statistika e si do ta shihnim me statistika. E fut kete ne veprim me shembuj e dalin gjera per tu cuditur.
CD, falemnderit për korrigjimin – nuk e kisha ditur këtë punën e kallëpeve të veçanta për çdo numër këpuce.
Gjithsesi, me arsye, ma merr mendja që këpucari i dikurshëm do t’i kishte blerë të gjitha kallëpet normale, nga më të voglat te më të mëdhatë; se ai nuk e dinte kush do t’i trokiste në derë.
Kjo pavarësisht nga sa herë do t’i duhej të përdorte çdo kallëp (tek e fundit, 30 vjet punë do t’i mjaftonin për të krijuar një ide intuitive për shpërndarjen e madhësisë së këmbës te klientët e vet).
Çfarë shkrove për kthimin te porositë personale në tregun e sotëm (mohimi i mohimit) më kujtoi që unë deri edhe laptopin që përdor e kam blerë “customized”, ose të personalizuar – duke ia graduar altoparlantët, për zë më të mirë.
Por në këtë rast liria ime konsiston në lirinë për të zgjedhur midis A dhe B; ose një një surrogato të lirisë së mirëfilltë. Kjo mundësi e të zgjedhurit midis një numri opsionesh të paracaktuara është një tjetër efekt anësor (negativ) i teknologjisë së sotme të komunikimit – që nga testet “multiple choice”, te programet automatike të shërbimit të klientëve në telefon (para español oprime el 2). Krijon një botë artificiale, të përmbyllur, të thjeshtuar, që shumëkush e ngatërron me realitetin (sikurse shumëkush ngatërron edhe zgjedhjen midis një numër opsionesh me lirinë mirëfilltë të zgjedhjes).
Në të njëjtën mënyrë, programi që përdor për të shkruar në kompjuter (MS Word) më ofron një shumëllojshmëri shkronjash (fonts) – me qindra, pjesën më të madhe të të cilave nuk do ta përdor ndonjëherë. Megjithatë, asnjë nga këto shkronja që do të zgjedh, në vetvete ose të kombinuara, nuk do ta ketë lirinë dhe individualitetin e shkrimit të dorës.
Sot ka shumë njerëz që i ndërtojnë kompjuterët vetë; për qejf, ose për të përmbushur disa kërkesa speciale që kanë. Megjithatë, edhe këta janë të detyruar që modulet t’i blejnë në treg – mikroprocesorin këtu, kujtesën atje, motherboard-in këtu, diskun e ngurtë atje e kështu me radhë; individualiteti qëndron vetëm te kombinimi unik, ose në një karakteristikë në thelb mekanike.
Këtë vit më ka ndodhur të ndjek nga afër shëndetin e një të afërmit tim, të sëmurë me kancer. E operuan në Turqi, pastaj ia dhanë atje edhe një cikël kemioterapie, para se të kthehej në NYC. Bisedova me mjekët në Stamboll, për t’i pyetur nëse e kishin specifikuar në kartelë mjekimin që duhej të vazhdonte kur të vinte këtu, barnat, dozat etj.
Më tha mjeku onkolog: si ne si “ata” (e kishte fjalën për amerikanët) ndjekim të njëjtat protokolle: të njëjtat doza, të njëjtin regjim. Me siguri, sikur të kisha pyetur në laborator për mënyrën e diagnostikimit (e cila përcaktoi, në fakt, edhe regjimin e trajtimit), do të më kishin dhënë të njëjtën përgjigje: protokolle, standarde, përqindje. E megjithatë, i sëmuri që po trajtohej kështu ishte unik, i papërsëritshëm, me një histori biologjike dhe njerëzore të vetën, e cila i shprehej jo vetëm në personalitet, por edhe në trup, sikurse i shprehej edhe në sëmundjen që e kishte kapur.
Kështu na ka reduktuar moderniteti. Mjeku onkolog, që mbikqyri me shumë kujdes trajtimin në Stamboll, të këtij rasti relativisht të rëndë, ndoshta nuk arriti as t’ia mësojë emrin të sëmurit; sepse nuk i duhej (mjaftonte një “how are you today my friend”). Gjithçka që lidhej me trajtimin ishte e organizuar në mënyrë mekanike dhe numerike – që nga kaloritë e dietës, te rruazat e gjakut dhe mililitrat e barit citostatik. Emri ishte një shenjë identifikuese në kartelë, ekuivalente me një numër, ose, më mirë akoma, me një bar code.
Përkundrazi, mjeku i djeshëm, ai i vjetri i familjes, do t’i ishte gjendur të sëmurit si vëlla; sepse edhe më parë se t’i shërbente si mjek do t’i kishte shërbyer si confidante, ose mik për kokë, ose partner në një lojë me letra. Ndoshta nuk do ta kuronte dot me kaq forcë, arrogancë, siguri dhe shkëlqim sa spitali i sotëm, por – gjithnjë ndoshta – për vdekjen do ta kishte përgatitur më mirë.
Nuk kam gjë kundër arsyetimit të bërë, përveç specifikës që e koklavit shembullin. Marr leje e vazhdoj.
Kallëpët, kanë qënë në gjithë kohërat të kushtueshëm, me zor të gjendshëm, që prishen shpejt, dhe më e keqja ata janë normalë pikërisht siç e keni shkruar vetë. Këpucarit i duhet ti mbushë me sholla anëve dhe në pjesën e kurrizit e ti hajë ato me thikë për ti sjellë në formën e çdo këmbe, punë kjo që kërkon kohë. Po ta zemë se ai bën 3 palë në ditë, dhe është usta, do ti duhen 3 palë kallëpë, e sikur të tre porositësit të kenë nr. 42, 3 palë kallëpë nr. 42. Ai nuk mund ti shërbejë një të katërti, një të pesti që i vjen për riparim, por do ti lërë porositë në raft për nesër pasnesër. E sado usta i mirë të jetë do mendohet mirë para se të mbajë kallëpë burrash për numra nën 36 e mbi 46; kjo vepron dhe për kallëpët e grave edhe të fëmijëve.
E shoh që s’jam aq i qartë, lë më bindës, ndaj po ndërroj usta, po marr një modern, një që shojet nuk i ka as prej sholle as prej gome poroze, por me lule si këpucët e ushtarit, ndryshe të derdhura. Stampat e derdhjes kërkojnë teknologji të lartë, janë shumë të shtrenjta e prodhuesi i shojeve që t’u nxjerrë paranë e paguar për to imponon shitje me shumicë. Këtij, ndryshe nga këpucarit të lagjes, as që i bie ndërmend për filanin me numur 47, por në do shoje 47 hidhu e bli 100 palë, se ai s’mund ta vërë makinerinë në punë as për 1 e as për 10 palë (kaq zakonisht dalin skarco).
Në ju kujtohet, dikur në shkollat e mesme bëheshin dhe matjet antropometrike. Rolin e mamasë e luante planifikimi socialist. E megjithë këtë, duhet të keni patur shokë me numur këmbe të madh që zborin e bënin me atlete.
Ajo që doja të thesha kur solla shembullin e blerjeve on-line, ishte “po na numërojnë”. Fjala vjen Dell-i e di dhe e ka gjetur vetë sa përdorues e duan laptopin e gatshëm e sa e ngrejnë sipas dëshirës. Nga 10 laptopat e gatshëm që ka në faqe, mjafton që njëri të mos klikohet X herë tek specifikimet e të dhënat e hollësishme, për ti bërë ndonjë lloj uljeje, ndërkohë që fabrikave përgjegjëse u jepet urdhëri “ndaloni prodhimin”; kur për më të klikuarin në specifikimet të jepet urdhëri “shtoni prodhimin”. Dua të them se kompanitë sot mund të operojnë pa ndihmën e kuki-ve të të tretëve që gëlojnë kompjuterave, bile dhe pa paguar firma të specializuara. Është si të thuash, statistikë në lëvizje.
Zakonisht të dhënat e statistikës, aty ku ka rrisk të lartë (prekin xhepin) kanë atë shënimin që ende nuk është ngritur në nivelin e “Kujdes!” por që thotë se rezultatet e të shkuarës nuk janë garanci për të njëjtat rezultate në të ardhmen. Tani, a duhet që për çdo ilaç që hidhet në treg të jepen krahas përbërësve etj edhe përqindja e suksesit në pacientët e testit?
Që metodat statistikore dhe të probabilitetit dalin edhe fyçka, kjo nuk i ul pikët as statistikës as probabilitetit, sepse edhe këto metoda numerizohen e për to veprohet sipas të njëjtit arsyetim. Ah, pse ndodhi aty ku na thahet xhepi e gryka, ky është gjykim emocional. Por s’do të kishte Tokë fare nëse po këto të mallkuarat nuk do ti tregonin botës se statistikisht kishte aq mbushje bërthamore sa mundësia e vazhdimësisë së jetës në tokë të ishte 0 në rast përdorimi.
Tradita është kundër statistikës, e para vepron si e jashtme ndërsa e dyta nga brendia, e para priret nga thjeshtësia e dyta nga kompleksiteti. Tradita i vë nxënësit “Në rresht për një!” sipas gjatësisë, statistika në do ti vërë në rresht do ti vërë sipas gjatësisë e moshës më të vogël, sipas rritjes përgjatë vitit shkollor…
Statistikë/probabiliteti dhe njeriu, individi duhet parë si ndeshje e këtij të fundit ndaj kompjuterit në shah. Ne duhet ta mundim sado që të tjerë e sofistikojnë. Dhe së fundi një shënim personal: Kur shkoj në kazino, kërkoj deri sa të gjej ruletat elktronike (jo gjithë kazinot kanë e ato që kanë kanë veçse 3 apo 4). Qëllimi im është ta testoj dhe mund makinën duke fituar, ti kthehem mbrapsh rastësisë së shfaqjes së numrave për të arritur tek “determinizmi” programimi i prodhuesit. Zakonisht ja dal.
modelet statistikore, pasi ka shume modele statistikore, jane modele matematike. Dhe si te tilla jane te sakta apo te mbyllura ne vetvete ne kuptimin qe pershkruajne relacionet mes elementeve te modelit ne menyre te sakte e te plote. Problemet fillojne kur keto modele perdoren per pershkrimin e realitetit. Me fare pak elemente mund te krijohen modele/bote te persosura matematike, te sakta e te mbyllura edhe pse ato mund te deshtojne krejtesisht ne pershkrimin e te gjithe apo dhe nje pjese te kufizuar te realitetit tone.
Por edhe vete autoriteti/institucionet jane sisteme kontrolli qe jane te ngritura poashtu mbi modele. Pra nuk shpetojne dot nga kurthi/bekimi i modeleve. Institucionet jane zhvilluar tashme ne sisteme me vete gati po aq komplekse sa sistemet qe duhet te kontrollojne. Modelet qe vete institucionet kane per veten jane poashtu te pasakta pasi gjerat jane gjithnje ndryshe nga cfare shkruhet ne leter.
Ajo cfare i ben modelet te mira apo te keqija eshte evoluimi i tyre ne saje te marrie-dhenieve me realitetin pavaresisht nese ato jane modele autoriteti/institucionesh apo modele statistikore. Vete modelet statistikore luajne nje rol te vecante per institucionet pasi ndryshimet ne institucione bazohen shpesh here ne leximet statistikore te realitetit. Relacioni midis institucioneve e modeleve statistikore duhet pare pra me teper si komplementar e jo si konkurrues.
Parimi i identitetit qe eshte edhe thelbi i logjikes formale, numerike e ‘ka shkruar fatin’ e njerezimit. Nuk mund te kete nje shkence ‘logjistike’ (jo ne kuptimin organizativ) pa logjiken e permbajtjes( logjiken hegeliane), vetem se te dyja bashke nuk mund te bashkejetojne dhe vete mendimi e ka te veshtire te dale nga permasat.
Hegelit i detyrojme ndajshtrimin e persosur te konceptit hapesire-kohe (qe i mvishet Ajnshtajnit), te formuluar ‘Hapesira eshte kohe’ qe ne logjiken formale eshte e pamendueshme, nderkaq dihet qe fizika e pergjithshme e trajton kohen si permase e katert e hapesires (prej nga hapesira>koha).
Ne kete pike si mund te parashikohet ‘shkencerisht’ e ardhmja (pertej rastesise), kur shkencerisht nenkupton logjiken e numrit, logjiken sasiore, zberthimin e realitetit nga numrat ?
””’synimi objektiv i përpjekjeve mendore titanike që bëjnë elitat ekonomike, financiare, shkencore dhe politike të botës mbarë, është të parashikojnë të ardhmen;””’
Ka nje problem kyc qe zakonisht s’merret para-sysh, e ardhmja nuk eshte fizike, sepse e ardhmja ‘nuk eshte’. Shkenca nuk duhet te merret me cfare ‘nuk eshte’, por me cfare eshte e megjithate merret edhe me cfare nuk eshte.
Debatet me te medha sot po vijne nga ‘parashikimet shkencore’, ndotja e ambjentit, ngritja e temperatures apo zhdukja e specieve.
Kemi arritur ne nje pike, ku gjithcka me njefare vlere eshte o shkencore o intelektuale, po vrapohet pas targave te autoritetit, formalizmi i numrit dhe teknikes eshte bere kaq esencial ne perditshmeri saqe parashikimi numerik eshte domosdoshmeri jetesore (nje nga parashikimet numerike me te perhapura sot, jane diplomat dhe masterat, psh me duhen kaq apo aq mastera per te punuar ne filan vend).
Parashikimi numerik qe tronditi boten ishte ai i huave per shtepi, kaq vjet nga kaq leke ne muaj dhe shtepia u be imja.
Statistika eshte pjese e ketij bumi shnderrues. Po te llogaritim sesa here ‘na statistikojne’, mund te themi se me shume se njerez, jemi njesi e domosdoshme statistikore.
Jemi banori i kaqmilionte, jemi teleshikuesi i kaqmilionte, votuesi i kaqmilionte, taksapaguesi i kaqmilionte, mishbleresi i kaqmilionte etj.
Identiteti yne gjendet nga permbledhja e ketyre faktoreve dhe vlera jone reale ne shoqeri varet nga keta faktore, aty dallohet i dobishmi nga i padobishmi, tek aftesia e te qenit njesi statistikore sa me e perdorur.
Me kujtohet nje tregim nga ‘Rrefim per dy mbreter’, ku dy vellezer do dilnin te shihnin boten, e u gjenden ne nje dyrrugezim, nje rruge ishte e shtruar dhe me peme frutore nga te dy anet, kurse tjetra e rrenuar, e shkretuar. Vellai pertac zgjodhi rrugen e shtruar e perfundoi tek vendi i endrrave te veta, ku rrinte shtrire gjithe diten, hante e pinte pa pasur nevoje as per perdorimin e duarve, sepse ushqimet e pijet i vinin vete ne goje, u trash me keq se obezet e Amerikes.
Te shpresojme te jete ky fati yne 😀
Hyllin : “Identiteti yne gjendet nga permbledhja e ketyre faktoreve dhe vlera jone reale ne shoqeri varet nga keta faktore, aty dallohet i dobishmi nga i padobishmi, tek aftesia e te qenit njesi statistikore sa me e perdorur. ”
E si e argumentoke ti kete ? Mua sma mbush mendjen hic. Perkundrazi, me pak guxim mund te thoja se sa me pak statistikor, aq me i dobishem mund te jesh. Kete e them duke pasur parasysh ate stereotipin e te “dobishmeve te medhenj” ; te terhequr prej shoqerise, pra prej aktiviteteve te rendomta shoqerore, pra me pak statistikor.
…”E si e argumentoke ti kete ?…”
Nese nuk keqkuptohem, do te thoja se Hyllin ka te drejte kur permend numerizimin e njerezve.
Per shembull mjafton te kujtosh disa:
-social insurance number
-numrin e llogarise ne banke dhe kartave bankare
-numrin e kartes se shendetit
-numrin e matrikules se studentit
-numerin ne dosjen tende ne vendin e punes
-scan codes ne te gjitha prodhimet qe jane ne treg.
Numerizimi eshte nje koeficient qe po merr gjithnje e me shume karakter social. Ndofta me teper se edhe paraja vete.
Ajo c’ka nuk me bind aty, eshte dobishmeria. Qe numerizimi “eshte nje koeficient qe po merr gjithnje e me shume karakter social”, as e ve ne dyshim. Por, qe numerizimi ( apo te qenurit statistikor sic shprehet Hyllin ) mund te barazohet me dobishmerine me tingellon nje gjykim paksa si shume i cbalancuar. Them keshtu, sepse ne boten reale numri shpreh cilesi ( karakteristik ), vlera e te cilit ( i vetem ) mund ta rrezoje pernjeheresh edhe nje seri te tere numerike. E shprehur pak ne menyre me banale ( sa per konkretizim ), nje cmim i vetem Oskar do i hidhte pertoke 12 cmime te fituara ne TIFF.
Kur Shen Agustini mberriti ne Milano, vuri re se kisha aty nuk agjeronte te shtunave , sic bente kisha e Romes. Ai pyeti per kete Shen Ambrosion, peshkopin e Milanos, i cili iu pergjigj se “ kur une jam ne Rome, agjeroj te shtunave. Kur jame ne Milano, nuk e bej. Ndiq zakenet e kishes se vendit ku je.”
Nese dobishmeria do merresh si kriter kualifikues, nuk mund ti shpetosh dot gjykimit se dobishmeria eshte plotesisht subjective ne perceptim. C`ka ngelet katerciperisht objective eshte fakti qe njeriu, si cdo kafshe, eshte optimal per nga vete natyra e tij. Me fjale te tjera, nese ne kerkim per te kaluar “lumin” qe e pengon per te arritur token e premtuar te optimumit te ekzistences se tij (plotesimit te te gjitha kushteve qe kultura e kohes i imponon njeriut,per ta ndjere veten “te lumtur”) varka/ trapi i vetem qe mund ta ndihmoje per tu hedhur nga njeri breg ne tjetrin eshte ai i statistikimit te jetes, apo jeteses se statistikuar, atehere ka pak dyshim qe shumica do pranojne te perdorin kete mjet transportues.
A eshte e drejte apo jo nje gje e tille apo gjendje e tille, kjo eshte thjesht nje konsiderim etik, i cili ka po aq peshe ne jeten tone sa c`kane opinionet tona ne nivelin e kriminalitetit ne shoqeri, ose ne rrjedhen e ndryshimit te stineve te vitit.
Ne praktike, une psh po lexoj gjithnje e me shume, se per shkak te krizes financiare ne shume universitete te anglo-sferes, ka nje sulm frontal nga administratat e tyre ndaj gjithe fakutleteve dhe fushave perkatese, te cilat nuk kane nje vlere te brendeshme monetaro/utilitariste. Cdo gje (fakultet) qe nuk ben para, eshte i shenuar me te kuqe si kandidad per tu eleminuar, qe nga katedrat e plota te klasicismit (Leeds U), duke kaluar neper humanities (UCLA) dhe shume dege qe mbarojne me –graphy, e duke perfunduar me gjuhet, qofshin ato te vjetrat apo modernet. Nga pervoja shoh se brezi i ri, me ose pa vullnet te tij, eshte mentalisht dhe praktikisht i kushtezuar ti nenshtrohet ne menyre te plote procesit te numerizimit/ statistikimit. Cka me shtyn te arrij ne perfundimin se procesi eshte i pa ndalueshem dhe i pakthyeshem.
Ne opinionin tim, te gjitha vlerat me te medha, krijuara nga nje prej qyteterimeve me te avancuara ne historine e njeriut, sic jane ato te qyteterimit greko-romak, te marra se bashku, kane nje vlere praktike me te vogel se sa, te themi, gjuha HTLM , C++, e te tjera si keto. Askush nuk eshte i gatshem te te jape as edhe nje kacidhe po dite te besh dallimin midis Corinthian, Ionic apo Doric order (arkitekture). Por shancet jane shume me te medha, nese di te ngresh nje web site.
Me fjale te tjere, asnje nuk e ka zerin me te fuqishem se sa prifterinjte e kishes se utilitarizmit, qe predikon pa nderprerje “the greatest good for the greatest number of people”. Prandaj une, kur jam ne Rome me duhet te bej ashtu sic bejne romanet.
E vetmja gje qe kam ne dore vete, eshte qe te hyj ne pakt me djallin. Nese femija im do nje komputer, nje IMac te themi (prifti e shet ate si indulgjence me efekte te medha benefike), cmimi do te ishte leximi i 100 librave.
Por problemi qe lind ketu, eshte se cilat libra duhen vene ne liste.
Ndota PTF, si “kishe klandestine” qe eshte, mund te ndihmoje me kete… 🙂
Në vijim të këtij diskutimi për numërzimin dhe statistikat:
– Kushdo që ka jetuar sado pak në SHBA, do të jetë ndeshur me teknologjinë – po e quaj kështu – të multiple choice, ose të zgjedhjes së shumëfishtë. Këtë e gjen në testet shkollore që nga fillorja deri në kurset post-universitare; sikurse e gjen në formularët e aplikimeve për shërbime nga më të ndryshmet (financiare, mjekësore, sigurime shoqërore), në formularët me të cilët qytetari komunikon me shtetin (regjistrimi i popullsisë, deklarimi i taksave, kërkesat për pasaportë, etj.), në anketat e opinionit publik, në mënyrat e komunikimit me sistemet e përgjigjeve automatike dhe AI-të etj. Në thelb multiple choice e redukton lirinë e mendimit dhe të kërkimit të së vërtetës në një numër opsionesh, duke e zëvendësuar kështu me zgjedhjen nga opsione të paracaktuara. Si teknologji, kjo mua më duket kërcënuese për intelektin e individit; sidomos sa kohë që nuk i kuptohen limitet; ose fakti që opsionet janë gjithnjë të paracaktuara nga dikush tjetër – ose padroni i lirisë sate. Edukatorët dhe pedagogët janë të vetëdijshëm për mangësitë e multiple choice në testet shkollore, por e dinë edhe se multiple choice është mënyra më ekonomike (cost efficient) për të testuar shpejt një numër të madh studentësh dhe sidomos për t’i kuantifikuar rezultatet në mënyrë “objektive”. Të tjerë kanë shkruar edhe për rreziqet intelektuale që u kanosen të gjithë atyre studentëve të cilët specializohen për të dalë mirë madje për të shkëlqyer në teste të tilla – çka nuk është njëlloj me përgatitjen në përgjithësi. Një efekt anësor do të ishte, për shembull, se akti i të menduarit konsiston gjithnjë në zgjedhjen midis alternativave, duke lënë mënjanë aspektin e mirëfilltë krijues – dhe këtu s’e kam fjalën për artin. Nga ana tjetër, në anketat e ndryshme, që nga formularët që plotëson te mjeku, deri te pyetjet që të bëjnë kur të kapin ndonjëherë të ngeshëm në telefon, nuk mund të mos vësh re se qëllimi i institucionit anketues është të gjejë sa merr pjesë ti në ato pak karakteristika të përbashkëta të popullatës (në kuptimin statistikor), të cilës deri edhe devijimet nga norma i janë standardizuar.
– Si shumë të tjerë, edhe unë e kam ndjekur me qejf serialin televiziv “Lost”: për shkak të lojës së mirë të aktorëve, intrigës, aventurës dhe sidomos eksperimenteve narrative të tilla që mund të kryhen vetëm në mjedis serial. Megjithatë, meqenëse i përkas një brezi që narrativën e lidh para së gjithash me letërsinë, edhe ngjarjet në këtë serial nuk mund t’i përfytyroj dot, veçse në trajtë lineare, ose të rrëfyera në një roman. Ndërkohë, askush nuk e mban të fshehtë se ecuria e ngjarjeve në vepra të tilla, shumë të kushtueshme por edhe shumë fitimprurëse për rrjetet e mëdha televizive amerikane, vendoset në tavolinë, pasi ka filluar seriali, duke marrë parasysh reagimet e publikut, ose të “demografive”, siç i quajnë. Kështu, gjatë sezonit të parë, “Lost” i prezantoi publikut 14 personazhe, të cilat ndërvepronin mes tyre në mënyra të ndryshme; por personazhet vetë ishin edhe në luftë për ekzistencë mes tyre, jo në planin narrativ, por në planin aktancial; sa kohë që personazhet të cilat nuk pëlqeheshin nga publiku do të eliminoheshin – për shembull duke mbetur të vrarë, ose duke u mënjanuar nga fokusi. Vini re që kjo nuk ka fare të bëjë me ekzigjencat narrative të veprës; skenaristët mund të kenë menduar linja jashtëzakonisht të forta për këtë apo atë personazh; por që nga momenti që publiku nuk e pëlqen atë (në bazë të sondazheve specifike dhe të stërholluara, me spektatorë të të gjitha grup moshave dhe kategorive “tipike”), atëherë personazhi do të eliminohet, së bashku me linjat përkatëse. Kështu, një nga arsyet që çifti korean (Sun & Jin) ka mbijetuar për gjashtë sezone, edhe pse nuk ka kontribuar shumë në linjën e përgjithshme të veprës, ka të bëjë me faktin që si çift miratohet me forcë të madhe nga një grup-moshë e caktuar – me sa mbaj mend nga ç’kam lexuar, të amerikanëve të martuar, të moshës 45-55 vjeç. Kjo është një mënyrë e re e të bërit art në televizion, nëpërmjet improvizimit, por edhe variacioneve në bazë të shijeve të publikut; duke e afruar krijimtarinë narrative me reality shows nga njëra anë dhe me open-ended video-games në anën tjetër, ku është lojëtari (ose publiku) që vendos se çfarë ecurie do të ketë loja. Natyrisht, dukuri të tilla me personazhet kanë ndodhur që në kohën e Dickens-it dhe të romaneve pamflete, ku personazhet më simpatike ndonjëherë ngjalleshin së vdekuri për shkak të presionit të madh që bënte publiku dashamirës; por tani mbijetesa e personazheve sipas simpatisë që ka për ta publiku është kthyer në motor shtytës për vetë narrativën. Vini re edhe ngjashmërinë që ka kjo me teknologjinë e multiple choice: publiku i anketuar (dhe publiku në përgjithësi) duhet të zgjedhë midis personazheve që i ofrohen në krye – ky më pëlqen, ky nuk më pëlqen, ky tjetri çka; është iluzioni i një ndërveprimi të hapur, që konsumohet i tëri në hapësirën e mbyllur të një bote artificiale.
””’Por, qe numerizimi ( apo te qenurit statistikor sic shprehet Hyllin ) mund te barazohet me dobishmerine me tingellon nje gjykim paksa si shume i cbalancuar. Them keshtu, sepse ne boten reale numri shpreh cilesi ( karakteristik ), vlera e te cilit ( i vetem ) mund ta rrezoje pernjeheresh edhe nje seri te tere numerike””
Perjashtime ka, patjeter do kete perjashtime, por sa me teper statistikor te jesh aq me i dobishem rezulton ne publik.
Perfytyro psh, sikur te gjithe individet te ishin si thote Ton Skendaj:
””’Kete e them duke pasur parasysh ate stereotipin e te “dobishmeve te medhenj” ; te terhequr prej shoqerise, pra prej aktiviteteve te rendomta shoqerore, pra me pak statistikor.””’
Keta duhet te jene vertete shume te pakte, ne menyre qe shoqeria si eshte ndertuar te funksionoje.
Masa e madhe, shumica derrmuese duhet te jete sa me statistikore, ashtu rezulton edhe e dobishme.
Kjo eshte fryma e modernizimit, qe me makinat ne seri te Ford-it. Punetori eshte i dobishem sepse nuk prodhon vete asgje, pra kur nuk mendon.
Numri nga ana tjeter arrin te kape edhe disa dukuri qe i quajme cilesore, si ngjyrat apo madhesine. Keto jane cilesore me zanafille sasiore, prandaj numri arrin ti kape,sepse numri kap cdo gje qe duket.
Edhe kur them identeti(dhe dobishmeria) tashme varet nga permbledhja statistikore, flas per identitetin qe duket ne publik, meqe ajo qe duket kapet nga numri.
Nderkaq pjesa identitare e mirefillte s’kapet nga numri, por sa me teknike te behen marredheniet, aq me pak rendesi ka pjesa e mirefillte, ajo qe na ben njerez, pasi marredheniet teknike zbulohen nga numri.
Vete per ne, ne marredheniet teknike (si kjo psh) ka rendesi si dukemi jo cfare jemi. Ate ‘luks’ e ka vetem xha xhai, kuptohet nese e koncepton si luks e jo si barre.
Por jo se jemi (apo vetem se jemi) anonime, por sepse vete marredhenia teknike eshte e tille. Megjithese ketu jemi ne nje mjedis ku numri dhe teknika ka me pak rendesi, pasi ashtu eshte fryma e blogut, por kjo e ben vete mjedisin me me pak persona.
Vendet me te frekuentuara ne internet jane pikerisht ato ku marredhenia teknike gjen vetveten, dmth aty ku nuk hyn te menduarit. Perplasja midis te menduarit dhe numrit/teknikes eshte e thelle.
I pari modern qe e kuptoi kete perplasje te thelle ishte pikerisht Ford-i me prodhimin ne seri.
Ne kete kendveshtrim besoj se eshte me e qarte pse vlera jone publike rritet ne perpjestim te drejte me aftesine tone e te qenit njesi statistikore.