Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

VARGONJTË E SOVRANIT

Shumë prej nesh mendojnë, në mënyrë intuitive, se demokracia është sistem politik që u krijon mundësinë më të mirëve të qeverisin; ose, të paktën, atyre që konsiderohen si më të mirët, nga masa e zgjedhësve.

Natyrisht, këtu mbetet për t’u përcaktuar se ç’kuptohet me “të mirë”; meqë politika dhe morali nuk janë vetvetiu të bashkëmatshme. Megjithatë, përsëri po të ndiqet intuita, masa e zgjedhësve duhet të sjellë në pushtet ata individë që, më shumë e më mirë se të tjerët, janë në gjendje të mbrojnë interesat e një shumice zgjedhësish dhe të punojnë për mbrothësinë e përgjithshme të komunitetit.

Që këtej, me të drejtë mund të supozohet se këta individë të përzgjedhur do të jenë jo vetëm të përgatitur profesionalisht për të ushtruar pushtetin, por edhe të ndershëm dhe të përkushtuar, ose të gatshëm për t’u shërbyer të tjerëve (publikut).

Në praktikë, mjafton të ndjekim reagimet e opinionit publik në Shqipëri, drejtpërdrejt ose të ndërmjetësuara nga mediat, për të parë sa e gjallë mbetet shpresa që një ditë të vijnë në pushtet ata që e meritojnë, ose “të mirët”, për të zëvendësuar këta të sotmit, të korruptuarit, ose “të pamirët”; me ç’rast edhe politika i lan duart, duke u shndërruar pafajësisht në teatër etik (morality play).

Mirëpo ideja se demokracia lejon përzgjedhjen e më të mirëve mund të kritikohet nga shumë anë. Që dikush të zgjidhet, duhet të dëshirojë të zgjidhet, ose ta kërkojë karrierën politike; dhe individët që kërkojnë votën e zgjedhësve për të kënaqur ambiciet e tyre politike nuk janë medoemos edhe më të mirët, nga pikëpamja etike ose profesionale.

Nga ana tjetër, këta kandidatë për të dalë në krye të vendit, i janë nënshtruar përzgjedhjes paraprake brenda partive politike, e cila edhe ajo nuk ndjek zakonisht kritere rreptësisht etike; por u përshtatet rrethanave dhe nevojave të grupeve të interesave.

Nëse politikanët shquhen për diçka, kjo diçka nuk mund të jetë veçse aftësia për të bërë politikë – çka nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me profilin etik, gatishmërinë për sakrifica, transparencën dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj zgjedhësve.

Politikanit të sotëm i kërkohet të jetë i palodhur, këmbëngulës dhe i zoti për të komunikuar sidomos me mediat; sikurse i kërkohen aftësi të mëdha për rrjetëzim, ose për të krijuar sisteme lidhjesh të shumëfishta, zakonisht konvergjente; në një kohë që virtyte të tilla elementare si drejtësia, ndershmëria dhe shpirti i sakrificës nuk luajnë ndonjë rol vendimtar në realizimin e ambicieve politike.

Në rrethanat kur sistemi demokratik, në vetvete, nuk e zgjidh dot çështjen morale në politikë, pavarësisht nga tashmë e mirënjohura urtësi e turmave (wisdom of the crowd ose vetia e shumicës për të gjykuar më drejt e më saktë se individët), ku duhet kërkuar zgjidhja?

Ja çfarë sugjeron një peshë e rëndë – Karl Popper-i:

Unë jam i bindur se, kur e shprehu problemin e politikës në formën ‘Kush duhet të sundojë?’, ose ‘Vullneti i kujt duhet të jetë suprem?’, etj., Platoni krijoi një pështjellim jetëgjatë në filozofi. Ky pështjellim i ngjan, në fakt, një tjetri që ai krijoi në lëmin e filozofisë morale, kur identifikoi […] kolektivizmin me altruizmin. Nuk ka dyshim se, pasi të jetë bërë pyetja ‘Kush duhet të sundojë?’, është e vështirë të shmangësh përgjigje të tilla si ‘më të mirët’, ose ‘më të urtët’, ose ‘sundimtarët e lindur’, ose ‘ai që zotëron artin e të sunduarit’ (ose, ndoshta, ‘Vullneti i përgjithshëm’, ose ‘Raca sundimtare’, ose ‘Klasa punëtore’, ose ‘Populli’). Por një përgjigje e tillë, edhe pse mund të tingëllojë bindëse – meqë askush nuk do të ngrihej të propozonte se duhet të sundojnë ‘më të këqijtë’, ose ‘budallai më i madh’, ose ‘skllavi i lindur’ – është […] e padobishme.

Para së gjithash, një përgjigje e tillë ka të ngjarë të na bindë se një problem themelor i teorisë politike është zgjidhur tashmë. Por po t’ i afrohemi teorisë politike nga një këndvështrim tjetër, atëherë do të shohim se nuk kemi zgjidhur ndonjë problem themelor, por thjesht i kemi kaluar anash, duke supozuar se pyetja ‘Kush duhet të sundojë’ është e natyrës themelore. Meqë edhe ata që pajtohen në këtë pikë me Platonin, e pranojnë se sundimtarët politikë nuk janë gjithnjë ‘të mirë’ ose ‘të urtë’ aq sa duhet (nuk duhet të vrasim mendjen këtu për kuptimin preciz të këtyre termave), dhe se nuk është aspak e lehtë të sjellësh në jetë një qeveri, në mirësinë dhe urtësinë e së cilës mund të mbështetesh në mënyrë implicite. Nëse e pranojmë këtë, atëherë duhet të pyesim se mos duhet vallë që mendimi politik të marrë parasysh, që në krye, mundësinë e qeverisjes së keqe; ose mos duhet që të përgatitemi për udhëheqësit më të këqij, dhe të shpresojmë për më të mirët. Por kjo fton për një qasje të re ndaj problemit të politikës, sepse na detyron ta zëvendësojmë pyetjen Kush duhet të sundojë?me pyetjen tjetër: Si mund t’i organizojmë institucionet politike në mënyrë të tillë, që sundimtarët e këqij ose inkompetentë të mos lejohen të bëjnë shumë dëme?

Kush beson se pyetja e parë është themelore, supozojnë, në heshtje, se pushteti politik është, në thelb, i pakontrolluar (unchecked). Supozojnë se dikush e ka këtë pushtet – një individ ose një entitet kolektiv, i tillë si klasa. Supozojnë se kush e ka pushtetin mund të bëjë praktikisht çfarë dëshiron dhe sidomos se ai mund ta forcojë pushtetin e vet, duke e bërë edhe më të pakufizuar ose të pakontrolluar. Supozojnë se pushteti politik është, në thelb, sovran. Nëse e bëjmë një supozim të tillë, atëherë, vërtet, pyetja se ‘Kush do të jetë sovrani?’ është e vetmja pyetje e rëndësishme që mbetet për t’u bërë.

Këtë supozim unë do ta quaj teoria e sovranitetit (të pakontrolluar) […]

Unë prirem të besoj se sundimtarët rrallë herë kanë qenë mbi mesataren, edhe moralisht edhe intelektualisht; madje shpesh kanë qenë nën mesataren […] Sikurse gjithashtu besoj se është e arsyeshme të adoptosh, në politikë, parimin se duhet të përgatitesh për më të keqen sa më mirë që të mundesh, duke u përpjekur, në të njëjtën kohë, për të arritur më të mirën. Më duket çmenduri që t’i mbështetim përpjekjet tona politike në shpresën e zbehtë se do të kemi sukses në përzgjedhjen e sundimtarëve në mos të shkëlqyer, së paku kompetentë.”

[The Open Society and Its Enemies, Vol. 1, Princeton University Press, 1971, f. 121-123; përkthimi im, 2Xh].

Ky pasazh do të jetë i mirënjohur për të gjithë studentët dhe studiuesit e shkencave politike; por unë e solla këtu më tepër për të ilustruar bindjen time se një pjesë e mirë e problemeve të rënda politike që po ia marrin frymën shtetit dhe shoqërisë shqiptare ka të bëjë me kontradiktën flagrante midis sistemit demokratik të adoptuar me kushtetutë dhe që i përgjigjet, në thelb, filozofisë popperiane të shoqërisë së hapur (dhe veçanërisht sistemit të checks and balances që ia kufizon korrupsionin sundimtarit) nga njëra anë, dhe bindjes së rrënjosur thellë në publik se sovrani është i mirë dhe se ai nuk mund të qeverisë veçse në mënyrë totale (të pakontrolluar).

Me fjalë të tjera, kontradikta ka të bëjë me atë që një shoqërie që sovranitetin ende e mendon në mënyrë platonike i është imponuar, nga lart, një sistem politik dhe institucional në thelb popperian.

Ne ende kërkojmë, pa u lodhur kurrë, të gjejmë sundimtarin e përsosur, ose personin që do të na udhëheqë nga errësira në dritë; madje edhe vetë liderët politikë e besojnë këtë, në momente epifanike përballë turmave në mitingjet. Megalomanisë së liderëve i përgjigjet, si kundërpeshë, denigrimi që u bëhet po këtyre liderëve nga kundërshtarët dhe mediat përkatëse. Martesa e palumtur, brenda sistemit të adoptuar në Shqipëri, midis pushtetarëve që besojnë në sovranitetin e tyre të pakufizuar dhe pluralizmit të garantuar me kushtetutë dhe të imponuar nga lart, bën që politika të mbetet peng i përhershëm i çështjes morale. E kotë të shtoj që nga ky pështjellim mund të dalim vetëm duke forcuar institucionet; aq më tepër që askush nuk më duket ta ketë të qartë, duke përfshirë edhe popperianët më të flaktë në Tiranë, se çfarë institucionesh duhen forcuar pikërisht.

Pa Komente

  1. Mbeshtjetjen pa dorashka te instituioneve e kam shprehur tek sherri mes Uranit Berishe dhe Kronit Rama, ku doli se Kroni Rama kish harruar draperin.

    Megjithate nuk mberrij dot poperiance, sepse Poperi ka nje ide se prapthi, propozon qe alfabetin ta mesojme duke filluar nga germa Zh.

    Eshte ne natyren e cdo njohjeje, qe te fillohet me pyetjet madhore; kush?, kujt?, ke?, pse? etj.
    Pasi u gjendet pergjigja vijohet me pyetje praktike te tipit : si mund ?, sa mund ? etj.

    Nuk mund te jete ne thelbin e njohjes, mekanizmi, mjeti; ka nje nisje e ka nje sosje dhe te dyja duhet te ndodhen ne thelbin e njohjes. Mekanizmi eshte i varur nga nisja dhe sosja.

    Keshtu qe po nuk e nisem platoniance, nuk vemi asgjekundi.
    Sosja mund te jete ideale, biles duhet te jete ideale, por jo utopike, pra nisja duhet ti kete kembet ne toke.
    Keshtu qe nisja patjeter perfshin kete pjesen:
    ””’mos duhet vallë që mendimi politik të marrë parasysh, që në krye, mundësinë e qeverisjes së keqe; ””

    Nderkaq sosja duhet te jete ‘E mira’.

    Mekanizmi, pra si mund te mberrijme, te con tek domosdoshmeria e institucioneve, vetem se institucionet nuk jane ‘e mira’, sepse instucionet jane shprehje e hierarkise, jane shprehje e organizimit dhe kush thote organizim, shpreh ligji i hekurt i oligarkise, thote oligarki.

    Keshtu qe institucionet nuk mund te jene sosja ( qellimi) ne demokraci, por mjeti i domosdoshem (domosdoshmeri qe e ngrin gjykimin moral mbi natyren e tyre hierarkike ) per arritjen e se mires se perbashket.

    Nga ana tjeter kemi ngaterresen e sovranitetit te burimit te pushtetit me sovranitetin e ushtrimit te pushtetit.
    Qe Paria duhet te jete sovrane ne ushtrimin e pushtetit, kjo eshte e natyrshme ne demokracine perfaqesuese, nderkaq sovraniteti i burimit te ketij pushteti i takon popullit, formalisht po aq sa dje i takonte Zotit dhe cilesisht ka me shume sovranitet sesa Zoti dje, pasi nderhyn cdo 4-5 vjet.

    Poperi eshte Tyson ne epistemologji, po ne filozofine politike le shume per te deshiruar. Nuk eshte duke sulmuar kamikazce Platonin apo Hegelin qe arrin tek e verteta.
    Sistemi politik ne leter nuk eshte ne thelb poperian, eshte Poperi qe eshte vetquajtuar baba 60 vjet e kusur, duke sulmuar totalitarizmat dhe thurur nje teori qe nuk shkon pertej formales.
    Perkundrazi sistemi i sotem eshte vijim logjik i forcimit te institucioneve duke filluar qe nga Revolucioni Anglez e frondat francese dhe pasurimit si pasoje e zhvillimit teknologjik; ngelet ne thelb oligarkik e domosdoshmerisht demokraci perfaqesuese.

  2. ””’një pjesë e mirë e problemeve të rënda politike që po ia marrin frymën shtetit dhe shoqërisë shqiptare ka të bëjë me kontradiktën flagrante midis sistemit demokratik të adoptuar me kushtetutë …….. nga njëra anë, dhe bindjes së rrënjosur thellë në publik se sovrani është i mirë dhe se ai nuk mund të qeverisë veçse në mënyrë totale (të pakontrolluar).”””

    Do thoja se ne nuk kemi arritur ende sintezen midis ushtrimit te pushtetit, ne thelb oligarkik,elitist, dhe burimit te pushtetit, ne thelb demokratik.

    Kunderthenia midis burimit demokratik te pushtetit dhe ushtrimit oligarkik te tij, mund te arrihet te zgjidhet vetem me ane te sintezes hegeliane.
    Ne radhe te pare, ceshtja duhet shikuar ne rrafshin dinamik, duke hequr dore nga formalizmi dhe karakteri absolut i sovranitetit, qofte popullor e qofte elitist. Vete elita eshte pjese e bashkesise, pra gezon si pjese e bashkesise nje pjese te sovranitetit te burimit, nderkaq masat duke votuar i heqin Elites nje pjese te sovranitetit ne ushtrimin e pushtetit.
    Per shkak te dinamizmit elitat pesojne ndryshime qe varen edhe prej masave, keshtu qe u duhet te konsiderojne masat, nderkaq edhe masat pesojne ndryshime qe varen edhe prej elitave, prandaj masave u duhet te konsiderojne elitat.
    Pra kemi nje proces dinamik ndermjetesimi, ku rolin themelor ndermjetesues e luajne institucionet, te cilat ‘pajtojne’ masat me eliten. Respektimi i institucioneve prej elites, i kufizon asaj pretendimin e pushtetit te pakontrolluar, ndersa respektimi i institucioneve prej masave u kufizon masave pretendimin e sovranitetit te pakufizuar.

    Kjo sinteze prishet kur masat dalin (perdoren) kunder institucioneve ose kur elita nuk i sheh institucionet si ndermjetesuese por si mekanizma per mbajtjen e pushtetit.

    Ne Shqiperi institucionet nuk i sheh asnjeri si ndermjetesuese por vetem si mekanizem pushtetmbajtjeje; elita e cila vendos njerezit e besuar e populli i cili i anashkalon per te komunikuar drejtperdrejt me eliten.

    Keshtu, kunderthenia midis burimit popullor te pushtetit dhe ushtrimit elitist te tij, shfaqet qarte, por ajo qe shfaqet me qarte akoma eshte se dinamika e sotme mes elites dhe masave nuk premton aspak per nje sinteze, sepse elita e merr popullin per hundesh dhe e perdor pikerisht kunder ndermjetesuesit, institucioneve, Rama e te tijet me kutite e votimit dhe Berisha me sulmin ndaj gjykates kushtetuese.

  3. My four pennies of thought:

    1. Dallimi qe po behet me duket fiktiv. Popperi eshte platonik. Jo vetem qe sistemi platonik nuk eshte i pakontrolluar, por kushti themelor i ketij sistemi eshte institucioni i testeve, provimeve dhe kontrollimeve te perjetshme te individit ne funksion te hapesires publike, gjese publike, apo shoqerise se hapur.

    2. Dallimi qe po behet me duket fiktiv. Morali dhe politika jane nje. Problemi qe ngrihet, ku politika te mos jete peng e moralit, nuk me duket se qendron. Terry Eagleton, psh, veren se edhe Marksi ben te njejtin gabim. E megjithate, kembengul Eagleton, edhe pse Marksi nuk e dinte, per te politika dhe morali ishin nje. Gje qe nuk do te thote se politika dhe moralizmat jane po nje, dhe se faktikisht, politika nuk duhet te jete peng e moralizmave, perndryshe politika eshte moral dhe morali politike.

    3. Dallimi qe po behet me duket fiktiv. “Kush” dhe “cfare” jane e njejta pyetje. Njehsimin Aristotelian te politikes me moralin, Popper e shperben dhe fokusin e zhvendos nga pyetja “kush duhet te jete sovrani,” tek pyetja “cfare eshte sovraniteti.” Kjo zhvendosje eshte aq “themelore” sa dhe nevoja per t’iu pergjigjur pyetjes se kush erdhi me pare, pula, apo veza. Cfare eshte sovraniteti dhe kush duhet te jete sovrani duhen konsideruar e njejta pyetje. Ta konsiderosh pyetjen mbi sovranin me pak themelore se pyetjen mbi sovranitetin eshte njesoj si te kesh nje shoqeri aq te hapur sa te te kene avulluar te gjithe pjesmarresit e kesaj shoqerie. Kjo zhvendosje e themeleve dhe e thelbit, nuk eshte vecse pseudo-esencializem ketu. Ajo cka eshte themelore dhe esenciale nuk eshte vetem pyetja “kush” apo vetem pyetja “cfare,” por sic keshillon Aristoteli, “kush, cfare, ne cfare rrethanash, me cfare menyre, ndaj kujt, me cfare qellimi,” jane te gjitha pyetje njesoj themelore.

    4. Keto pyetje krijojne nje njohje me rrethanat aktuale materiale ku gjendet shoqeria dhe individi. Kjo lloj njohurie rrethanore qe mbartin individet apo grupet e ndryshme, e ben te domosdoshme qe institucionet te jene te hapura ne rradhe te pare, dhe ne varesi te rrethanave te pergjigjemi se cfare institucionesh duhen forcuar dhe cfare praktikash duhen ndryshuar ne rradhe te dyte. Duke qene se kusht mbi forcimin e shoqerise eshte njohja e rrethanave, atehere jane “pikerisht” institucionet informative, mesimore dhe gjyqesore qe besoj se kane nevoje qe ne princip te forcohen me shume se institucionet legjislative apo ekzekutive.

  4. Lulian, kritika e Poperit i behet aksiomes se njohur se ne ka nisje ka sosje. Eshte ai muhabeti i vjeter i fundit te historise, qe ndonjehere kthehet ne muhabet ushtrie, si e kthen Poperi ose vete Marksi.
    Mirepo Poperi ndersa kritikon storicizmin dhe Platonin si i pari i storicisteve, del per vete me nje teori teleologjike, ku fundi i historise perkon me shoqerine e hapur.

    Vetem se Platoni e pranon Republiken e tij totalitariste, teresiste me mire, si ideale dhe na jep qartesisht si dhe pse ndodhin ciklet e qeverisjes(shoqeri te hapura-shoqeri te mbyllura, poperiane), pra qe ka dicka qe nuk lejon fundin e historise dhe Nicja flet ne kete pike per rikthimin e perjetshem dhe e shquan ate dickane ne vullnetin per fuqi.

    Jemi ne nje rreth, i cili eshte i fundem por s’percaktohet dot as fundi as fillimi, pra nisja dhe sosja perkojne.

    Prandaj Platoni nuk mund te quhet as i pari i storicisteve dhe as storicist.
    Vete Nicja ne te kujtohet i mbledh mbinjerezit si mohuese te fese dhe pastaj ne fund te darkes ata fillojne i luten gomarit, pra nisja dhe sosja perkojne.

    Ne kete rreth vicioz te qeverisjeve, shoqeria e hapur do mbaroje ne shoqeri te mbyllur dhe shoqeria e mbyllur do mbaroje ne shoqeri te hapur e keshtu ne perjetesi, pa patur nje fund te historise (pervecse nese kalohet tek mbinjeriu, i cili perfaqeson fundin e historise sepse eshte fundi i njeriut).

    Keshtu qe pyetja thelbesore ngelet perhere; kush ?
    Nuk eshte se nuk e dime c’eshte sovraniteti, ceshtja eshte kush ? Poperi nga ana e vet pyet si ? e jo cfare?

    Poperi kerkon nje model te perjetshem, te cilin e identifikon tek institucionet qe zevendesojne sovranin, pra institucionet behen vete sovrani.

    Ketu pastaj ke te drejte ti kur thua se dallimi poperian behet fiktiv, sepse ai vete me ane te pyetjes i pergjigjet pyetjes: Kush do te jete Sovrani?
    Pergjigja : Institucionet.
    Pushteti i tyre do jete i atille saqe nga ato do varet vullneti politik edhe i atij qe vetem ne leter do jete sovrani, sepse gjithe fuqia do i kaloje institucioneve, te cilat bejne vetem ‘mire’ dhe keshtu kufizojne te keqen qe mund te bejne sundimtaret e keqinj e te pamoralshem.

    Prandaj Poperi mund te shikohet fare mire si kamikaz, qe i vret armiqte duke u vrare edhe vete.

    Persa i perket pikes 4, ne radhe te pare duhet thene dicka mbi institucionet. Institucioni zanafillor, pa te cilin ska mundesi ekzistence asnje tjeter eshte USHTRIA.
    Vete institucioni i kreut te shtetit nga sekretariatet(keshillet) e te cilit kane dale historikisht gjithe institucionet e tjera per te ekzistuar kishte nevoje per institucionin zanafillor , forcat e armatosura.
    Ku ka forca te armatosura te qendrueshme, ndertohet shteti, ku keto forca mblidhen perkohesisht ka fise ose federata fisnore.
    Natyra hierarkike e ushtrise dhe rreptesia hierarkike shihet ne cdo institucion.

    Pra Poperi perseri flet padashje me gojen e Nices kur thote se vullneti per fuqi (institucionet) eshte ‘e mira’ dhe perseri vetekundershtohet.

    Pas ketij parashtrimi, behet me kuptueshme se me shume sesa rrethanat qe percaktojne se cili institucion duhet te fuqizohet, ne radhe te pare kemi nevoje per ti dhene gjithe institucioneve ‘eficencen ushtarake’ nepermjet fuqizimit te kritereve te natyres ushtarake qe mbart cdo institucion; nderi,disiplina,meritokracia,perkushtimi.

    Keto jane kritere a priori, pastaj kriteret ‘a posteriori’ varen nga rrethanat. Po nese keto kritere a priori, te natyres intime te cdo institucioni, institucioni nuk i zoteron atehere fuqizo sa te duash institucionet informative, eficenca do lere per te deshiruar.

  5. Xha Xha, s’e kuptoj tamam ketu ca argumenti po shtjellon/kundershton dhe ca po propozon. Me duket e ke ngaterruar pak si shume ceshtjen me referenca e teori, for your own good. 🙂

    Duke lene keto te fundit menjane, mundet te thuash me pak fjale cilat jane sipas teje arsyet kryesore te gjendjes aktuale politike ne shqiperi, ne rang sistemi, progresi etj dhe si mendon ti se mund te shkohet drejt permiresimit, fuqizimit te institucioneve qe thua, etj?

    Gjithashtu mendoj krahasimi me i mire do ishte me vendet qe kane qene ose jane ne stade te ngjashme me ne, ne vendet qe kane dale nga nje sistem totalitar, pasi shume gjera lidhen me–dhe vijne nga–pikerisht historise.

    P.sh. kulti i individit, mosbesimi apo cinizmi i lindur ndaj shtetit dhe autoriteteve shteterore etj.

    Pra s’mundet ta vleresojme apo analizojme gjendjen ne vakuum, ashtu sic s’mund ta krahasojme indeksin aktual te demokracise dhe zhvillimit ne Shqiperi me ate te Amerikes apo Korese se Veriut p.sh., packa se ne analize e siper mund te marrim te paren si fanar drejt te cilit orientohemi dhe te dyten si argument per te shpjeguar te tashmen.

  6. Politikat e lumturise

    Ne nje artikull (http://www.newyorker.com/arts/critics/books/2010/03/22/100322crbo_books_kolbert?currentPage=al) te zgjeruar te revistes “The New Yorker” me autore Elizabeth Kolbert permenden disa studime mbi lumturine dhe ndikimet qe keto studime duhet te kene (nese) mbi politikat qeverisese te vendeve te ndryshme.

    Ne fillim permendet nje studim ku krahasohet lumturia e perceptuar (vete-raportuar) e disa njerzve qe kishin fituar llotarine me disa te tjere qe ishin viktima aksidentesh dhe te paralizuar, dhe njekohesisht me nje grup te trete te zgjedhur rastesisht (randomly) pra ‘grup kontrolli’. Ata qe kishin fituar llotarine nuk e konsideronin veten me te lumtur sesa njerzit e zgjedhur rastesisht, dhe persa i perket pritshmerise per te qene me te lumtur ne te ardhmen, si grupi i kontrollit dhe njerzit qe kishin pesuar aksidente kishin pritshmeri me te larta lumturie sesa fituesit e llotarive. Gjithashtu dhe ne lidhje me kenaqsine qe ndienin nga aktivitetet e perditshme, fituesit e llotarise renditeshin me poshte se grupi i kontrollit dhe grupi i viktimave te aksidenteve.

    Nje studim tjeter, qe sipas artikullit citohet shpesh, tregon se njerzit ndikohen me keq–persa i perket treguesit te lumturise–kur humbasin punen sesa kur divorcohen. Artikulli thote se disa studime te tjera raportojne se grate vleresojne perkujdesjen per femijet si dicka me pak te kenaqshme (pleasurable) sesa dremitjen apo vrapin, dhe vetem pak me shume satisfaksionuese sesa larjen e eneve te kuzhines.

    Daniel Gilbert, profesor ne Harvard dhe autor i nje libri mbi lumturine, thote midis te tjerash:

    Njerzit jane te prirur te mendojne se sa me shume varietet/opsione te kene me te lumtur do te ndihen, nderkohe qe ndjejne me shume kenaqsi kur atyre i ofrohet e njejta gje ne vazhdimesi. Njerzit jane te gatshem te paguajne nje cmim/kosto te larte per te mbajtur opsionet e hapura, por ne fakt jane me te kenaqur kur i perkushtohen nje zgjedhje te caktuar. Ata mendojne se disa ngjarje te caktuara do ti bejne te ndihen te lumtur, por kur keto evente realizohen nuk ndikojne dukshem tek ta.

    Studime te tjera tregojne se ndersa mirqenia ekonomike dhe standartet e jeteses te SHBA jane rritur ndjeshem gjate dekadave te fundit, indeksi i lumturise eshte pothuajse i njejte. Rritja e ndjeshme e konsumit gjate 5 dekadave te fundit nuk i ka sjelle amerikaneve me shume satisfaksion ne jeten e tyre, thote artikulli. Te dhena te ngjashme ka dhe nga studime ne vende te tjera, qofte vende te varfera apo te pasura, persa i perket mardhenies se treguesve financiare me ato te lumturise.

    Derek Bok, nje nga keta studiues dhe ish-president i Harvardit, duke u bazuar ne keto te dhena thote: Ckuptim ka qe te punojme kaq shume dhe me ore te zgjatura, e te rrisim treguesit e ekonomise amerikane (PBB) kur kjo nuk sjell rritje te lumturise?

    Gjithashtu, nderkohe qe te pasurit pergjithesisht ndihen me te lumtur se te varferit, ndryshimi i te ardhurave dhe mirqenies midis ketyre dy grupeve (diferenca eshte ne rritje) nuk eshte ‘perkthyer’ domosdoshmerisht ne ndryshim te treguesve te lumturise. P.sh. shtresat e varfera nuk ndihen me pak te lumtur nderkohe qe mirqenia (te ardhurat) e tyre ka me shume diference me shtresat me te pasura, tani ne krahasim me disa dekada me pare. Ketu prap Bok pyet: A duhet te shqetesohemi ne per kete ndryshim ne rritje te mirqenies midis ketyre dy shtresave kur vete te varferit nuk duket se po e vrasin shume mendjen per kete (duke ju referuar treguesit te lumturise)?

    Carol Graham, nje tjeter studiuese, eshte me e rezervuar ndaj nje sugjerimi te tille, duke vene ne dukje qe te pasurit edhe nese s’jane me te lumtur, kane padyshim nje standart me te mire jetese.

    Artikulli mbyllet me shprehjen: Lumturia eshte dicka e mire, po nuk eshte e vetmja gje e rendesishme ne jete (Happiness is a good thing; it’s just not the only thing).

    __________________

    S’ka lidhje tamam me temen ketu po mu duk artikull interesant dhe s’po dija ku ta vija komentin se s’gjeta dicka me direkte. 🙂

    1. Interesant më duket dhe mua.

      “Artikulli thote se disa studime te tjera raportojne se grate vleresojne perkujdesjen per femijet si dicka me pak te kenaqshme (pleasurable) sesa dremitjen apo vrapin, dhe vetem pak me shume satisfaksionuese sesa larjen e eneve te kuzhines.”

      dhe pastaj shikon
      http://en.wikipedia.org/wiki/File:World_population_(UN).svg

      që po ti vësh afër një hartë per capita income, të luan mëndja. Duket sikur çna mban gjallë është një varsi ndërmjet dy sekseve, dhe një herë që kjo prishet, e merr ferra uratën. Pale po ti shtosh pastaj ndonjë hartë IQ, aty t’ikën petlla fare. Smë jepet farë për të shkruar, pa do i kisha mbush nja dhjetë faqe. : )

      1. Duket sikur çna mban gjallë është një varsi ndërmjet dy sekseve, dhe një herë që kjo prishet, e merr ferra uratën.

        S’e kuptova mire. Mund ta shtjellosh kete?

        Une them c’ka na mban gjalle jane instinktet dhe zakonet/traditat, qe dhe keto mund te debatohet se kane baza dhe nxitje nga instiktet, me se shumti instinkti per te jetuar.

        That’s the point, that there is no point. It just is, and we just are. Ne kete pike s’besoj se kemi shume ndryshim nga milingonat apo salmonet apo gjallesat e tjera. 🙂

  7. Shkrimi që solle thotë se femrat (perëndimore) sot e vlersojnë përkujdesjen për fëmijet si diçka më pak të kenaqshme sesa dremitjen apo vrapin. Dhe statistikat tregojnë se ato jo vetëm që e konsiderojnë si të pakënaqshëm, por në fakt po e shmangin fare problemin duke mos pjellë.
    Mbi të gjitha ajo që habit është se kjo rënie popullsie përkon me një nga periudhat më të begatshme ekonomike dhe sociale (emancipim) për femrat. Si mund të shpjegohet kjo? Dihet që në perëndim mortaliteti i fëmive është pothuaj zero, pra nuk është më e nevojshme të bësh nga pesë që të ngelin dy, por nuk duket të jetë kjo arsyeja, sepse këtu nuk po flasim për stagnacion por për rënje, të ndjeshme.
    Pra si shpjegohet që kur kushtet janë ideale (të paktën sipas kritereve që kemi zgjedhur) për prokrijim, ndodh krejtësisht e kundërta. Një shpjegim mund të jetë se kushtet nuk janë ideale, dhe kjo shtron një problem të madh, sepse llogjikisht jo vetëm që nuk janë ideale por janë dhe më keq se më parë, gjë që i bën ndryshimet (ekonomike e sociale) e këtyre 70 viteve të fundit regresive, dhe vë në pikpyetje të gjithë koleksionin e vlerave që kemi përkrahur, të paktën nga ky këndvështrim. Nuk duhet harruar që nuk po flasim për fertilitet, po flasim për një popullsi shëndetplotë e të begatë që ka vendosur të mos shumohet.
    Tani, gjithë kjo më sipër niset nga premisa e instiktit të prokrijimit. Ajo që po mendoja më pare ishte vënja në dyshim e egzistencës së këtij instikti 🙂 Po sikur femra të mos e ketë këtë instikt? Po sikur ta ketë vetëm mashkulli?
    Duhet të ketë edhe ndonjë shpjegim më të thjeshtë, por për momentin nuk po më bie ndërmënd 🙂

    1. Kisha frike se mund ta keqkuptont dikush ate punen e kenaqsise per femijet e vrapin.

      Nuk thote studimi se vleresojne vrapin me shume se kujdesin e femijve, aspak!

      Thote kenaqsia, pra kenaqsia vetiake, egoiste, personale, qe ndiejne femrat kur perkujdesen per femijet, dhe kete e krahason po me kenaqsine vetiake kur vrapojne dhe dremitin.

      Sa per ate qe thua mos e kemi ne meshkujt me shume instiktin e prokrijimit, ose mos femrat s’e kane fare, prap gabohesh rende, se kontributi jone ne prokrijim eshte ceshtje minutash qefi, kurse ai i femrave e dime vete sa i madh qe eshte, 9 muaj me bark tek goja, sidomos ne kushtet e qemotshme apo agrare, perfytyroje pak sa mundim, dhe e gjithe kjo behet vetem si pasoje e atij instikti.

      Ja pra kaq i fuqishem eshte ai instinkt.

      Sa per plakjen e popullsise ne vendet perendimore, kjo nuk do te thote se po deshton instikti. Le qe kur e merr ne total, ne gjithe Token, njerzit prap po shtohen, sic tregojne grafiket qe solle. Jane me shume arsye sociale dhe ekonomike, pavaresia e gruas ne perendim, etj, gjera qe mund te jene dhe tranzitore, po gjithsesi 50 vjet ne spektrin e gjithe jetes njerezore ne Toke jane vec nje moment, nuk eshte kohe e mjaftueshme per te gjykuar apo parashikuar trend.

      Instikti i jetes eshte shume i forte, nuk mposhtet kollaj, eshte me i forte se Herkuli. 🙂

      Ok, se e zgjatem pak dhe dolem nga tema e ketushme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin