SHTEGTIME VLERASH

Lexoj këto ditë në shtypin e Tiranës se qenka grabitur ikonostasi i vyer i kishës së Leusës, në Përmet.

Sipas gazetës Libertas, njerëz të paidentifikuar paskan shpërthyer derën e kishës, të quajtur Fjetja e Hyjlindëses Mari, dhe paskan shkulur nga vendi ikonostasin e saj të vitit 1817, me famë për vlerat e rralla, nga pjesët e gdhendura.

Thuhet në lajm:

Kishte pasur më parë sinjale se kisha e Leusës do të grabitej, por duket se policia nuk i ka paraprirë kësaj ngjarjeje […] Shqetësimi rritet, duke parë se autorët e grabitjeve të mëparshëm në këto zona nuk janë gjetur. Nuk është zbuluar asnjë ngjarje, kur vetëm kisha e Bënjës është vjedhur tri herë gjatë vitit 2009.

Edhe sa kohë do të përbëjnë lajme ngjarje të tilla? Anembanë Shqipërisë, vepra arti dhe monumente kulture me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë dhe identitetin shqiptar janë shkatërruar, lënë pas dore e në mëshirë të elementeve, ose lejuar të vidhen.

Dikur, në një shkrim për një ikonostas të ngjashëm, por të ruajtur në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, pata mbrojtur mendimin që ajo vepër nuk e kish vendin në Galeri, por në kishën e fshatit nga ku e kishin shkulur – por tani po më duket se ashtu nuk do ta kish pasur të gjatë.

Këtu nuk është fjala vetëm për plaçkitjen e një kishe – por për plaçkitjen e shenjave të identitetit të një komuniteti, i cili e njeh veten te ato shenja, madje katalizohet rreth tyre.

Ikonostasi i kishës së Leusës, në mënyrën e vet, është shpirti i sublimuar i Leusës; prandaj grabitja e tij provon se provincës shqiptare po i mbeten përditë e më pak arsye për të mbijetuar si e tillë, si provincë në ballafaqim me qendrën dhe në emulacion me të, për të përftuar identitete të shëndetshme.

Kush i vjedh këto vepra? A ka vallë një treg për to në Greqi ose gjetiu në Europë? Këtyre pyetjeve nuk iu është dhënë përgjigje; edhe pse, po të gjykosh nga lajmi i Libertas, kishat e asaj zone e pas gjase edhe gjetiu në Shqipëri të Jugut ka kohë që po dhunohen.

Çfarë bëhet vallë me paratë e fituara nga shitja e këtyre pasurive kulturore të komuniteteve?

Logjika ta thotë që me to ndërtohen pallate, restorante, lavazhe makinash ose të tjerë tempuj të materializmit kabá, që ua ka marrë mendtë shumë bashkatdhetarëve tanë, në Shqipëri dhe kudo në botë.

Çfarë ndodh, përkundrazi, me komunitetet e zhveshura prej këtyre vlerave?

Më qëlloi, këto ditë, të lexoja për një operacion të ndërmarrë prej autoriteteve sovjetike në fund të viteve 1920, kur një numër i madh veprash arti, ruse dhe të huaja, u shitën jashtë Bashkimit Sovjetik, përkundrejt valutës që duhej për të blerë kryesisht fabrika, uzina dhe makineri të ndryshme. Këtë histori e rrëfen Susan Buck-Morss, në Dreamworld and Catastrophe (MIT, 2002, f. 168-172). Vetëm midis prillit 1930 dhe prillit 1931, sekretari i Thesarit i SHBA, Andrew W. Mellon bleu gati shtatë milion dollarë piktura të muzeut carist të Hermitage-it nga qeveria sovjetike, çka ishte e barabartë me gjysmën e importeve sovjetike gjatë atij viti, shkruan Buck-Morss. Mes veprave që iu shitën amerikanëve, ishin dy piktura të Jan van Eyck, pesë të Rembrandt-it si dhe të tjera vepra të Botticelli-t, Rubens-it, Perugino-s, etj. (lista gjendet këtu). Vepra që u shit më shtrenjtë, Alba Madonna e Raffaello-s, i dha shtetit të parë të punëtorëve e të fshatarëve 1.7 milion dollarë – ose gjysma e çka u pagua për projektin industrial të Magnitogorsk-ut (2.5 milion rubla ari).

Natyrisht, ikonostasin e Leusës nuk e ka shitur shteti shqiptar, përkundrejt fondeve në valutë që mund t’i duhen për të stërvitur policinë ose punonjësit e doganave; por diku, dikur paratë do të ndërrojnë duar, dhe vlerat do të lëvizin drejt poleve përkatëse – kultura larg Shqipërisë, kapitali afër. Krahasimi, për sa mund të bëhet, më tregon se një vend që pëson hemorragji të tilla, nuk i ka punët mirë, në afat të shkurtër dhe në afat të gjatë.

Meqë flasim për kisha të Jugut, më kujtohet, në vitet 1980, gjatë një udhëtimi nga Gjirokastra në Sarandë, më tërhoqi vëmendjen kisha e Mesopotamit, e vetme në një kodër të ulët mes të një fushe të shkretë; për të cilën kisha lexuar, por që nuk e kisha parë kurrë. E ndalëm makinën, dhe vendosëm t’i afrohemi duke ecur kuturu nëpër ara. E parë nga jashtë, ajo Kishë është e veçantë për nga arkitektura, por edhe për nga simbolet që afishohen në fasadë. Do të kishim dashur të hynim brenda, por njëri prej nesh, më i informuar, na tha se brenda nuk kishte asgjë; dhe se, gjithsesi, dera ishte e mbyllur me dryn. U përpoqëm të shihnim diçka nga dritaret, meqë edhe përmes xhamave pak diell kishte depërtuar në heshtjen dhe në errësirën brenda; por e vetmja gjë që arritëm të shquanim, ishin disa lopata të mbështetura pas një muri çfarëdo.

Nuk di të them nëse ka ndonjë lidhje të madhe mes grabitjes së ikonostasit të Leusës, shitjes së kryeveprave të Hermitage-it të Leningradit përkundrejt makinash metalprerëse dhe lopatave me baltë të tharë, të magazinuara në kishën e Mesopotamit; por di vetëm se të gjitha këto m’u kujtuan njëherësh. Meqë kam jetuar disa vjet në Itali, e kam parë vetë se çfarë roli katalitik luajnë, në jetën e komuniteteve, kishat me veprat e artit që fshehin brenda – veçanërisht në Napoli, ku pasuria e vyer e shekujve të shkuar ende arrin ta kundërpeshojë, disi, mjerimin dhe poshtërsinë e të sotmes. Nuk ka nevojë të jesh fetar, për ta kuptuar këtë dhe për ta pranuar.

Nuk ka komente

  1. por diku, dikur paratë do të ndërrojnë duar, dhe vlerat do të lëvizin drejt poleve përkatëse – kultura larg Shqipërisë, kapitali afër. Krahasimi, për sa mund të bëhet, më tregon se një vend që pëson hemorragji të tilla, nuk i ka punët mirë, në afat të shkurtër dhe në afat të gjatë.

    Une kete shkembim vlerash e shoh thjesht si nje menxyre per te ulur deficitin tregtar packa se vlera kulturore qe largohet cilesohet si e pallogaritshme prej kontabilisteve(si psh Vatikani qe ne libra te kontabilitetit ka vleren simbolike 1Euro).

    Me kujtohet nje kusheri ne Shkoder jetonte ne shtepi te vjeter te dekoruar me stil osman(nuk e di a ishte e tija apo e ndonje ish-te-deklasuari) ndoshta po aq te vjeter sa ikonostasi. Ornamentet e drurit te kanapeve te dritareve dhe tavani i gdhendur u shiten prej kusheririt ne Greqi ne shkembim te parave per te bere nje karabina te shemtuar ne vendin e shtepise karakteristike. Kuptohet une nga Tirana nuk thoja dot gje se isha larg, por asnje fjale nuk u tha prej autoriteteve lokale, ose te afermve te afert.

    Sidoqofte, le te mos qajme shume per humbjen e komunitetit ortodoks te Permetit. Ate ikonostas ka shume gjasa ta kete veresie, ashtu si edhe buxhetin e Kishes Ortodokse te Shqiperise. (dmth nuk besoj se kontribuojne ne ate buxhet as permetaret as ortodokset e Shqiperise).

    Teknikisht, ai ikonostas iku andej nga erdhi.

    1. Me respekt, nuk jam dakord me paragrafin e fundit me lart, qe per humbjen e komunitetit ortodoks te permetit nuk duhet vrare mendja. Ky ikonostas (per permetaret ortodokse si puna ime) ka zene gjithmone vend te vecante. Kisha eshte ne shume pikpamje si shtepia, vend ku njeriu ndihet ne paqe, dhe kur vidhet dicka te vidhet dicka nga vetja.

      Dhe nqs ne origjine te jete e vertete se komuniteti nuk kontribuoi ne buxhetin (e krijimit, atehere apo te restaurimit ,tani) , ky komunitet kontribuon ne menyre indirekte por te rendesishme financiarisht sa here qe shkon ne kishe dhe personalisht di me dhjetera familje permetare qe kontribuojne rregullisht (duke perfshire edhe mua, megjithese u be mbi dhjete vjet qe jam larg e qe familja u be dy gjenerata qe nuk jeton me ne Permet). Pastaj, edhe Statuja e Lirise ne New York, eshte dhurate qe populli francez i beri atij amerikan si simbol i miqesise se lidhur gjate revolucionit francez, po nqs i ndodh dicka kesaj statuje, si thoni ju, nuk do jete kjo nje humbje per NY – bile per USA?

  2. Nuk besoj se është koinçidencë por para disa ditësh janë vjedhur në të njëjtën mënyrë edhe kishat e krahinës minoritare greke të Pogonit (përkatësisht fshatrat e Poliçanit, Skoresë Çatistës dhe të Sopikut) nga jam edhe vetë. Me fshatrat e Përmetit na ndan vetëm mali i Nemërçkës. Nuk është hera e parë që ndodh kjo, por është hera e parë që merr ngjarja karakterine barazhit me goditje të njpasnjëshme. Dhe lexoj nga një gazetë greke se edhe në fshatrat e Sarandës para disa javësh ishin shënuar vjedhje kishash. Flasim për epidemi.

    Rastisi që kisha qenë në fshat ato ditë, në Pogon; bashkë me autoritetet vedore iu drejtuam policisë, fillimisht stacionit të Policisë Kufitare në Sopik. Ishin katër veta, këmisha të lerosura, kapele si gjithmonë të shtrembëra dhe që nuk u bëjnë, të paruajtur, me një Land Rover Defender 110 i cili dukej se do përfundonte për skrap. Me këtë rradhë u paraqitën. “Nuk jemi ne përgjegjës, flisni me Gjirokastrën”. Folëm dhe me Gjirokastrën, do dërgonin një inspektor rendi. Herën e fundit që janë kapur hajdutë andej nga vendet e mia ishte me bandën e Tasho Fetanit e të Mero Lamshes. Nga xhandarmëria turke.

    Kishën e Skoresë e përmend edhe XhaXhai në linkun e mësipërm (shkrimi është botuar edhe tek “Folklori i Elitave”, ta themi dhe këtë). Ka një histori më vete kjo Kishë. Ikonostasi që përmend XhaXhai shkoi në Tiranë me iniciativë të Dhimitër Bedulit i cili ka qenë vetë nga Skorea, dhe në një ekspeditë në vitet ’50 në të gjitha kishat e Pogonit kishte mbledhur të dhëna historike dhe kishte paraqitur tek Instituti i Shkencave propozime për ruajtjen e disa relikeve që paraqisnin interes historik. Në këtë mënyrë të paktën shpëtoi ikonostasi sepse pas 1967-ës kisha e Skoresë u bë depo e shkollës së fshatit. Fat më të mirë ka pasur kisha qendrore e Poliçanit. U kthye në Shtëpi Kulture. Pas ’90 u restauruan e u kthyen përsëri në kisha. Vetëm Kisha e Sopikut ka ngelur e paprekur. Kështu që duke e dërguar në Tiranë shpëtoi se ose do kishte përgunduar për dru zjarri në ditët e diktaturës ose do ishte vjedhur para disa ditësh…

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: