Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Totalitarizëm

TË FSHEHTAT E ZANATIT

Lexoj sot në “Gazetën shqiptare” një artikull të Hektor Çiftes për leximin dhe interpretimin që i ka bërë kritiku Arshi Pipa romanit Përsëri në këmbë të Dhimitër Xhuvani.

Shkruan Çiftja [këtu dhe në vijim, theksimet janë të miat, 2Xh]:

Po një personalitet që e ka nderuar në mënyrën e tij Dhimtër Xhuvanin është dhe studiuesi i njohur Arshi Pipa, i cili i kushton një vëmendje të veçantë veprës së Xhuvanit në librin e tij Contemporary Albanian Literature.

Analiza dhe leximi që i bëhet romanit Përsëri në këmbë të Dhimitër Xhuvanit është fare befasuese. Ai e gjen atë një vepër simbolike, që mund të interpretohet duke ditur biografinë e autorit dhe kontekstin historik të veprës. “Romani është hakmarrja e autorit. Mund të imagjinohet kënaqësia e tij, kur shikon romanin e vet të montuar si një karikaturë e realizmit socialist, të çmohet lart si model i tij pikërisht nga ata që e patën përbuzur”. Ky është konkluzioni. Pipa së pari ka analizuar Tunelin si një vepër që e bëri autorin ndër viktimat e para të revolucionit kulturor shqiptar e pastaj kërkon e gjen simbolizmin në librin Përsëri në këmbë. Për të qënë më të qartë po citojmë paragrafin:

“Le të merremi tani me simbolizmin e Përsëri në këmbë të Xhuvanit. Rënia e autorit nga kredibiliteti i Partisë jepet me rënien e protagonistit nga treni, një tren që është metaforë e përhershme për një parti të tillë, siç është partia staliniste shqiptare, e cila funksionon si një lokomotivë që tërheq popullin shqipar si vagonët. Prerja e këmbëve të autorit prej trenit metaforizon shkatërrimin që Partia i bëri jetës së shkrimtarit. “Me i pre kambët kuj” është shprehje idomatike, që do të thotë “të paralizosh”. “Përsëri në këmbë” është një manifest që shpreh hakmarrjen e autorit. Disidentët e goditur shpesh quhen “plehrat e historisë” në gjuhën e përditshme, analogjia është e dukshme me protagonistin e heshtur në ofiçinë. Duke punuar atje, ai shpik një pompë pneumatike, duke mbledhur mbeturina. Romani i Xhuvanit është një përmbledhje e klisheve të realizmit socialist shqiptar. Edhe Historia Shqiptare e Realizmit Socialist flet për një farë monotonie, duke specifikuar se mjetet artistike janë të rralla. Në fakt ato nuk ekzistojnë fare. Autori e ka reduktuar protagonistin në një kukull, i cili lëviz kur i tërheqin fijet. Partia e do heroin 100 përqind pozitiv. Këtu kemi një hero 200 përqind pozitiv.”

Natyrisht që romani Përsëri në këmbë nuk është aspak vepër përfaqësuese e Dhimitër Xhuvanit, edhe pse ai njihet më shumë për të. Po komenti i Arshi Pipës na kujton edhe një herë edhe vuajtjen personale të tij, edhe “hakmarrjen” e Xhuvanit, që në rastin e tij nuk mund të ishte veçse artistike.

Kështu shprehen Çiftja (i cili ka vështirësi serioze me përdorimin e shkronjës ë) dhe Pipa (i cili ka shkruar origjinalisht në anglishte), edhe pse këtij të fundit nuk ia kontrolloj dot citatin, meqë nuk e kam librin e cituar në dorë.

Xhuvani nuk është i vetmi shkrimtar shqiptar i periudhës totalitare që analizohet në këtë mënyrë nga Arshi Pipa, antikomunist dhe armik i regjimit të Hoxhës dhe njëkohësisht një prej albanologëve më “politikë” gjatë periudhës 1950-1990. Më i njohuri nga këta shkrimtarë nuk është veçse Kadareja vetë, për të cilin do të flas menjëherë më poshtë.

Por le t’i kthehem për një çast trajtimit të Xhuvanit nga Pipa – ky i fundit e interpreton romanin Përsëri në këmbë si një alegori të rrëzimit dhe të rimëkëmbjes të autorit vetë, i cili pak vite më parë se të botohej romani ishte goditur ashpër nga regjimi në Shqipëri për romanin e vet Tuneli, i kritikuar veçanërisht për “nxirje të realitetit”; me fjalë të tjera, Pipa e sheh Përsëri në këmbë si hakmarrje simbolike të shkrimtarit ndaj regjimit që e kishte përndjekur.

Këtu ka dy çështje që duhen trajtuar veçmas: (1) A qëndron interpretimi i Pipës nga pikëpamja thjesht letrare? dhe (2) A mund të mbrohet ose të përligjet interpretimi i Pipës nga pikëpamja morale?

Unë vetë jam i mendimit se metoda interpretative e Pipës është e pambrojtshme; si në rastin e romanit, ashtu edhe në raste veprash të tjera, në leximin e të cilave kritiku ynë i jep vetes liri të tepruar. Megjithatë, në këtë shkrim nuk do të merrem me vlerën dhe integritetin e Pipës si kritik letrar, por me aspektin thjesht etik të interpretimeve të tij.

Çdokush mund të shtrojë pyetjen, legjitime, nëse Pipa, duke e zbërthyer përpjekjen letrare të një autori gjysmë të persekutuar në Shqipërinë totalitare si orvatje për hakmarrje ose edhe thjesht distancim ndaj regjimit, e ka vënë në rrezik shkrimtarin, duke e ekspozuar atë ndaj dhunës totalitare.

Shumë lehtë mund të përfytyrohet një patriark i PPSH-së që, pasi të njihej me kritikën e Pipës, mund të vendoste të kërkonte rihapjen e “dosjes” Xhuvani, ose marrjen e masave kundër këtij “armiku”, që guxonte të ngrinte krye, qoftë edhe simbolikisht, kundër regjimit; duke e qortuar këtë me gjuhën e Ezopit.

Këtë arsyetim e ka bërë të vetin Ismail Kadareja, kur ka folur në interpretimin, prej Arshi Pipës, të romanit Kronikë në gur; të cilin Pipa e përktheu dhe pastaj ia shkroi edhe një parathënie, për të thënë, në thelb, se romani ishte një kritikë e hidhët e Kadaresë ndaj regjimit komunist, Luftës Nacional-Çlirimtare dhe Enver Hoxhës vetë.

Kadareja shkroi për këtë në veprën e vet Ftesë në studio, nga e cila nuk citoj dot (nuk e kam); por e përsëriti tezën e vet vite më vonë, në një letër dërguar “The New York Review of Books”, ku polemizon me një shkrim të mëparshëm të Noel Malcolm.

Shkruan Kadareja [përkthimi im, 2Xh]:

Duke u përpjekur të gjejë argumente kundër meje, z. Malcolm përmend reagimin tim ndaj autorit dhe studiuesit të mërguar A. Pipa, i cili, pasi përktheu librin tim Kronikë në gur, i shtoi edhe një parathënie ku shpjegoi se, në atë roman, unë e kisha paraqitur diktatorin shqiptar si vrasës dhe homoseksual, edhe pse unë s’kisha bërë asgjë të tillë. Botuesi im anglez mendoi se ky interpretim ishte jo vetëm i qortueshëm në vetvete, por edhe i dëmshëm, meqë, po të ishte konsideruar i drejtë, mund të më kishte rrezikuar fizikisht. Më vonë, unë e quajta çka kishte bërë A. Pipa si vepër të një informatori të rëndomtë, dhe me të drejtë, sepse një autor që jeton në kushte të lirisë absolute në Washington nuk ka kurrfarë të drejte të hedhë në humnerë një prej kolegëve të tij të burgosur brenda një shteti komunist.

Kështu Kadareja, duke rimarrë në thelb kritikën e vet të mëparshme ndaj interpretimit të Pipës.

Përsëri, do ta lë mënjanë faktin që unë e gjej interpretimin e Pipës për Kronikë në gur si tërësisht të gabuar, nga pikëpamja e metodës; meqë besoj se për letërsinë nuk mund të flitet ashtu; duke u përqendruar në aspektin etik të çështjes. Vallë e tepron Kadareja, kur e quan gjestin e Pipës si të denjë për një “informator të rëndomtë”?

Ndoshta jo, po ta konsiderojmë krahasimin si barazvlerë objektive; në kuptimin që çka shkruan Pipa në parathënie të romanit dhe gjetiu, mund të ishte përdorur dhe ndoshta edhe është përdorur, kundër Kadaresë.

Po le ta shohim çështjen nga këndvështrimi i Pipës – një njeri i përndjekur nga regjimi komunist ku e ku më keq, më ashpër e më rëndë se Kadareja, Xhuvani ose të tjerë shkrimtarë të realizmit socialist veprat e të cilëve ai i analizon, siç mundet, në studimet e veta letrare.

Ka shumë mundësi që Pipa, si antikomunist i bindur, ta ketë konsideruar edhe vetë aktin e të botuarit letërsi në totalitarizëm si gjest moralisht të dënueshëm; ngaqë çdo vepër letrare dhe artistike, sa kohë që pranohej nga regjimi, i shërbente këtij objektivisht. Nga kjo pikëpamje, nuk e përjashtojmë dot që, për Pipën, autorë si Xhuvani dhe Kadareja nuk meritonin kurrfarë delikatese dhe kujdesi; madje edhe sikur të ndodhte që kritikat dhe “zbulimet” interpretative të Pipës të përdoreshin nga ndonjë prokuror i Enverit për t’i kallur këta autorë disidentë burgjeve, ose për t’i dërguar të hapnin toka të reja.

Mirëpo këtu ka një kontradiktë, e cila shpie vetvetiu në paradoks, dhe ja pse.

Në qoftë se Pipa ka qenë i sinqertë në interpretimet e veta, ose e ka shfrytëzuar lirinë individuale të një qytetari amerikan, të cilën ia përmend më pas Kadareja, për të vënë në dukje se shkrimtarë si Kadareja dhe Xhuvani po i kundërviheshin regjimit totalitar me mënyra alegorike, atëherë ai nuk mund të ketë dashur kurrsesi që t’i vërë në rrezik këta autorë, të cilët ndoshta edhe përfaqësonin shpresën që një ditë regjimi të përmbysej. Megjithatë, Pipa njëkohësisht e ka njohur regjimin totalitar të Tiranës aq mirë saqë ta ketë ditur se, sikur t’ia besonte regjimi ato që thoshte dhe analizat që bënte, atëherë kaq do të mjaftonte për t’i shkruar emrat e “disidentëve” në listën e zezë. Prandaj në qoftë se Pipa vërtet ka parë shenja të disidencës te Kadareja ose Xhuvani, atëherë ai duhej të ishte moralisht i detyruar që t’i mbronte këta shkrimtarë nga dhuna e mundshme që u kërcënohej; dhe mbrojtja në këtë kontekst nënkupton heshtjen.

Nga ana tjetër, në qoftë se Pipa nuk e ka vrarë shumë mendjen për çka mund t’u ndodhte Kadareve, Xhuvanëve dhe të tjerëve alegoristë të realizmit socialist në Shqipëri, meqë për të këta shkrimtarë nuk meritonin kurrfarë mëshire ose dhembshurie, sa kohë që e kishin vënë veten tashmë në shërbim të një regjimi despotik dhe gjakatar, atëherë interpretimet që ai u ka bërë veprave në fjalë nuk kanë qenë të sinqerta; meqë po t’u besosh atyre interpretimeve, Kadareja dhe Xhuvani dalin si disidentë, njerëz që nuk pajtohen me regjimin totalitar në Tiranë dhe që janë të vetëdijshëm për natyrën e tij kriminale.

Paradoksi mund të përmblidhet kështu: në qoftë se Pipa besonte se veprat e analizuara prej tij ishin objektivisht kundër regjimit, atëherë nuk duhej t’i kish bërë publike ato analiza, për t’i mbrojtur disidentët shqiptarë nga hakmarrja e regjimit; përkundrazi, në qoftë se Pipa besonte se veprat e analizuara prej tij ishin, gjithsesi, në favor të regjimit, atëherë nuk duhej t’i kish bërë publike ato analiza, që të mos e mashtronte lexuesin duke ia pikturuar si subversive vepra që të atilla nuk ishin.

Prandaj edhe jam i prirur t’i jap të drejtë Kadaresë, i cili në thelb thotë se, duke i bërë publike mesazhet e disidencës ose të antikomunizmit të fshehura në vepra që e kishin një përmasë alegorike të rëndësishme, Pipa bënte objektivisht punën e një informatori të zellshëm të regjimit, duke u dhënë persekutorëve në duar prova të fajësisë së viktimave. Më duket e papranueshme që botuesi anglez të ketë treguar më shumë kujdes e dhembshuri për fatet e Kadaresë njeri, sesa kritiku Pipa, i cili e ka njohur vetë dhe drejtpërdrejt mizorinë me të cilën i trajtonte regjimi totalitar intelektualët që i kundërviheshin.

Nga ana tjetër, është absurde të mendosh se Pipa mund t’i ketë shërbyer regjimit të Tiranës, qoftë edhe objektivisht; sepse ai vetë ishte një nga kritikët më të rreptë të stalinizmit shqiptar dhe jo vetëm në letërsi e në kulturë, por edhe sepse ishte tepër i zgjuar, që të mos i kuptonte efektet e fjalës së tij në Tiranë, sidomos sa u përket shkrimtarëve të analizuar dhe të deklaruar si disidentë prej tij. Prandaj nuk më mbetet veçse të nxjerr përfundimin se Pipa ishte i bindur se regjimi policor i Enver Hoxhës mund të luftohej edhe duke ia ekspozuar disidentët përkatës e duke ua cilësuar veprën këtyre publikisht si alegorike dhe kritike ndaj regjimit.

13 Komente

  1. Hmmmm,
    Po sikur Pipa te kete qene aq vizionar sa ta dinte se nje dite ketij regjimi do t’i vinte fundi, e ne kete menyre ka dashur t’i beje nje nder atyre qe i konsideronte si disidente, qe pas renies se regjimit te kishin nje lloj justifikimi moral e te pretendonin se ne fakt i kane pasur veprat alegorike, e te perfitonin fame prej kesaj? A nuk eshte kjo ajo qe ne fund te fundit ka bere edhe Kadareja tash prej 20 vjetesh?
    Ose ndoshta ai ka dashur t’i tregoje botes se ne fakt Shqiperia nuk prodhon vetem servile regjimesh, se aty ka edhe disidente, ne menyre qe bota te mos mendonte per Shqiperine edhe aq keq. Ndoshta ai e ka konsideruar demin qe mund t’i behej shkrimtareve te saj si nje te keqe me te vogel krahasuar me demin qe i behej Shqiperise si nje vend ku te keqes nuk i behet asnje lloj rezistence.
    Hamendesimet mund te jene te shumta……

  2. Nga sa foli Kadareja në marrjen e çmimit Princi i Asturias për letërsi:

    Pavarësia e letërsisë dhe arteve është një proces në zhvillim. Mendja jonë është vështirë të kapë përmasat e vërteta të saj. Të mësuar me pavarësinë që lidhet kryesisht me shtetet, kombet, e gjer me individin njerëzor, nuk e kemi lehtë të shkojmë më larg. Të shkosh më larg, do të thotë të kuptosh se mosvarja e artit nuk është një çështje luksi, një dëshirë për ta përkryer artin. Ajo është një kushtëzim objektiv, pra, e detyrueshme. Përndryshe ky univers paralel nuk do të qëndronte në këmbë. Ai prej kohësh do të binte.

    Përftimi, siç thashë, është i vjetër. Prej kohësh është e njohur shprehja “republika e letrave”. Tundimi për ta parë letërsinë si botë shpirtërore, natyrisht, por me atribute lëndore gjithashtu: hapësirë, kohë, lëvizje, është i njohur, por kjo nuk mjafton. Ne e pranojmë si botë paralele referenciale, por, kur vjen puna te vizioni i plotë i saj, mendja jonë e ngushtë, konformiste e ka të vështirë ta pranojë paralelizmin, pra pavarësinë e vërtetë. Themi e pavarur dhe aty për aty instinkti ynë i vjetër na çon tek e kundërta.

    Ne nuk i shmangemi dot mendimit se arti, ndonëse mund të mos varet nga shtetet, doktrinat, moda, varet megjithatë nga diçka. Dhe mendja na shkon te bota jonë reale, thënë ndryshe, vetë jeta jonë. Mendimi se letërsia varet nga jeta është gati i zyrtarizuar planetarisht.

    Unë do të bëja pyetjen që në vetvete ngjan heretike: A është e vërtetë kjo? Përgjigjja tani për tani s’mund të jetë veç e dyzuar: nuk përjashtohet që arti të ketë lidhje me jetën, por vetëm pjesërisht.

    Më lejoni në pjesën përmbyllëse të fjalës sime ta shpjegoj fare shkurt këtë gjysmë herezi.

    Në qoftë se e pranojmë botën e letërsisë dhe arteve si botë paralele, referenciale, kemi pranuar se ajo është një botë rivale. Si rrjedhojë e kësaj, meqenëse rivaliteti çon zakonisht në konflikt, duam apo s’duam do të pranojmë se midis këtyre dy botëve, jetës dhe artit, do të ketë konflikt.

    Dhe konflikt ka. Herë të shpallur, herë të pashpallur. Në këtë përballje bota reale ka armët e saj kundër artit: censurën, doktrinat, burgjet.

    Arti gjithashtu ka mjetet e tij, fortesat, veglat, së fundi, armët e tij, shumica të fshehta.

    Bota reale qëllon të jetë e pamëshirshme, mizore.

    Arti gjithashtu nuk është një engjëll dhe mund të jetë i pamëshirshëm, mizor. Një poet romantik gjerman i përfytyronte tercinat e Dante Aligherit herë si heshta kërcënuese e herë si vegla torture për ndërgjegjet e rënduara nga krimi.

    Por lufta midis dy botëve është më e ndërlikuar nga sa duket.

    I njëjti poet gjerman ka ngulur këmbë se disa e kanë bezdisur me armiqësinë e tyre e të tjerët me dashurinë e tyre. Sado paradoksale të duket, të shumtë janë ata që padashur e luftojnë artin, pikërisht atëherë kur kujtojnë se e duan.

    Siç shihet, pavarësia e letërsisë dhe artit bëhet përherë e më e vështirë.

    Megjithatë ne shkrimtarët jemi të bindur se arti nuk do të ngrejë kurrë flamurin e kapitullimit.

    Meqenëse përmenda këtë fjalë të trishtueshme, besoj se duhet t’i kthehem prapë vizionit të dy botëve që rrinë ballë për ballë në pritje të fitores: botës reale dhe asaj të artit.

    Ka shumë dallime midis tyre, por ka një dallim kolosal që qëndron mbi gjithë të tjerat. Dallimi është ky: ndërsa në konfliktin e saj me artin bota reale qëllon që acarohet aq fort, saqë turret ta shkatërrojë artin, në asnjë rast, e përsëris, në asnjë rast letërsia dhe arti nuk e sulmojnë jetën reale, për ta dëmtuar, por, përkundrazi, luftojnë që ta bëjnë më të bukur, më të jetueshme.

    Ky është dallimi absolut midis tyre. Dhe në këtë rast një dallim i tillë nuk është gjë tjetër veçse konfirmimi më sublim i pavarësisë së vërtetë të artit.

  3. Mendoj 2xh, se neglizhoni ndoshta faktin se Diktatura sado e eger dhe represive qe shfaqej, ishte nderkohe edhe e sofistikuar.
    Po keshtu kritika e Pipes ne te vertete, pason botimin e Kadarese jashte vendit, pra faktin se nje shkrimtar alegorik, i filtruar pra nga vigjilenca e Tiranes, lejohet qe te “emigroje” ne truallin e kultures perendimore. Per t’iu referuar Kadarese, “zilia e artistit eshte zilia me e madhe”. Me fjalet e tij, Pipa eshte fajtor deri ne fund, edhe pse e ka ndryshuar me vone qendrimin e vet, ndaj veprave te tjera te shkrimtarit.

    “Prandaj nuk më mbetet veçse të nxjerr përfundimin se Pipa ishte i bindur se regjimi policor i Enver Hoxhës mund të luftohej edhe duke ia ekspozuar disidentët përkatës e duke ua cilësuar veprën këtyre publikisht si alegorike dhe kritike ndaj regjimit”.

    Ne rastin e Kadarese, mendoj se nuk ka rruge tjeter intepretimi pervec se alegorise. Pra kjo vetedije ka ekzistuar edhe te regjimi i Tiranes, ç’ka e ben perpjekjen e Pipes praktikisht te pavlere. Madje do te thosha edhe ne sensin e kundert, pra ate se me kritiken e tij ai synon qe t’i godase keta autore, te pakten per Kadarene flas.

    Se pari dua te sjell per analogji nje shembull, i zbuluar nga ish-shefi i sherbimeve sekrete rumune, Ion Pacepa, lidhur me shkrimtarin disident rumun, Goma. Kritik i rrepte i Causheskut – i cili ne librin e Pacepes deshmohet nje kafshe e vertete gjakesore, qe se bashku me te shoqen nuk perton qe te hartoje personalisht operacione policore – Goma shfaqet si nje subjekt shume i veshtire per t’u menaxhuar. I mbrojtur nga zeri i “Evropa e Lire”, diktatori i ka duart e lidhura dhe nuk di cfare te beje. Ai urdheron me ne fund vetem nje rrahje ndaj shkrimtarit. Ketu dua te nenvizoj se Rumania i ka ne fondin e vet disa nobeliste dhe kishte asokohe nje disidence shume me te spikatur se alegorite e Shqiperise, pra mund “t’ia lejonte vetes” dhenien e nje druri.

    Perkundrazi, Shqiperia dhe Diktatori grafoman e dine se situata nuk toleron dhe aq nje gjetje kaq trashanike – aq me shume qe sistemi represiv ne fakt ne Shqiperi u detyrua te ndryshoje teknologjine e vet pas largimit te Koci Xoxes, i akuzuar per perdorim Irracional te dhunes. E theksoj kete irracional, sepse ajo sjell ne vemendje nje teze te studiuesit te njohur, Witfogel, sipas te cilit “Diktaturat jane racionale ne perdorimin e Dhunes. Perndryshe nuk do te zgjasnin”.
    I pyetur dikur per dosjen e vet dhe per mbrojtjen qe Enver Hoxha i ka bere disa here pas denocnimeve te shumta Kadare u shpreh: “Ju thoni qe Enver Hoxha me ka mbrojtur. Po nga kush me ka mbrojtur?”. Kjo mbase i jep nje pergjigje edhe perpjekjeve te Pipes.

    Per t’iu kthyer mendimit tuaj mbi rolin e Pipes ne identifikimin e disidences. Mendoj se se pari ju pranoni se ka patur disidente; se dyti per mua kjo disidence e ketille vetem sa i jep liri Diktatures, sa i ben kozmetike imazhit te saj, per te mos folur mandej per akuzen qe risillet sot djallezisht; ate se tolerimi i Kadarese ka si kundervlere sherbimin e tij.

  4. Xh2 ……………..Prandaj edhe jam i PRIRUR t’i jap të drejtë Kadaresë, i cili në thelb thotë se…. Pipa bënte objektivisht punën e një informatori të zellshëm (lexo – te rendomte) të regjimit……

    Edhe une pyeta veten nese isha i PRIRUR si xh2 ne pasazhin e mesiperm dhe i hodha nje sy opsioneve me te mundshme.

    Ne qofte se do te ndjek konseguent kete prirje, atehere ose jam i detyruar te pranoj se Pipa ishte vertete aq „medioker“ ose nuk i kishte gjykuar mire pasojat e shkrimit te tij, saqe … pa e kuptuar bente objektivisht punen e informatorit. Mirepo i perballuar ky gjykim me vepren e Pipes si personalitet dhe studiues i njohur (Çiftja) si dhe njeri … tepër i zgjuar (xh2), mundet qe te binte poshte thelbi i argumentimit te kesaj teze qe ngrihet mbi „mediokritetin“ e Pipes. Si pasoj mund te binte, ne kete menyre, vetevetiu edhe vete teza e ndertuar mbi te. Pra kjo „prirja“ te jep pershtypjen, NE PAMJE TE PARE, sikur perpiqet ti japi doren mendimit te Kadarese por dhe ne te njejten kohe ti vere strekembshin atij.

    Ne fakt ky gjykim ne lidhje me pershtypjen qe te jep ajo „prirje“ do ishte i gabuar. Po te vihet re me kujdes diferencimi midis gjykimit ose me mire PARAGJYKIMIT rreth personit te Pipes si „personalitet dhe studiues i njohur dhe si „njeri tepër i zgjuar“, dhe FAKTIT se cfar dhe pse ka shkruar ai ne lidhje me Kadarene arrihet ne konkluzionin se paragjykimi nuk mund te perdoret ne vend te faktit kur ai egziston.

    Une mendoj se pergjithesisht cdo njeriu, qofte ky edhe nder me te mencurit e te shkolluarit, i qellon dhe jo vetem nje here, te beje gabime te ndryshme ne nje gjykim te caktuar. Prandaj eshte e mundshme qe edhe Pipa te kete gjykuar jo ne interes te lojalitetit ndaj shkrimtareve.

    Thenien e Kadarese se:
    …(a).“A. Pipa, i cili shpjegoi se, në Kronik ne gur, unë e kisha paraqitur diktatorin shqiptar si vrasës dhe homoseksual, edhe pse unë s’kisha bërë asgjë të tillë“ … dhe
    …(b) “ky interpretim ishte jo vetëm i qortueshëm në vetvete, por edhe i dëmshëm, meqë, po të ishte konsideruar i drejtë, mund të më kishte rrezikuar fizikisht“

    une do e kuptoja keshtu:
    Pipa shkruan dicka pa baze, pra qe nuk pasqyronte shkrimin e Kadarese ne lidhje me diktatorin dhe ne te njejten kohe te verteten se ky i fundit ishte desident. Kjo eshte per mendimin tim nje taktike e tij ne rradhe te pare qe bota te kishte interes per librin (kush do i hidhte nje sy nje libri te nje shkrimtari konform te diktatures). Se dyti, qe diktatura te mos mundte ta akuzonte Kadarene si desident, Pipa fut per kete „argumente“ qe ne fakt jane me te pamundshmet per tu besuar nga diktatori dhe si pasoje nuk perbejne asnje prove per fajesine e Kadarese si desident. Diktatori mund te besonte me me lehte se Kadareja mund ti ngulte nje thike ne nje takim te zakonshem atij se sa te besonte qe ky te shkruante per te se eshte homoseksual dhe vrases, aq me teper qe homoseksualizmi shikohej atehere si nje poshterim i njeriut dhe denohej bile rende me gjyq.

    Por meqe kjo loje ishte per Kadarene me rrezik, se deklarimi si desident nga njera ane dhe ai poshterim i diktatorit nga ana tjeter, mund te merte edhe nje drejtim tjeter. Diktatori mund te kerkonte me me kujdes te gjente se ku ishte pasqyruar ai si homoseksual dhe mund te zbulonte vertete desidentin Kadare.
    Kjo pra ishte nje loje e rrezikshme qe Pipa i mesuar me lirine e USA mbase nuk e kuptonte dot plotesisht, por qe objektivisht e bente te vemendshme diktaturen per desidencen e Kadarese dhe ne kete kendveshtrim mund te shihej kjo „vepra“ e tij per nga cilesia, si veper e nje informatori te rendomte.
    Besoj se ne kete kendveshtrim, nuk ekziston me ndonje paradoks ne kete mes dhe dhenia e se drejtes Kadarese asnje kunderthenie ne vetevete.

  5. Perfundim logjik. Arshi, pikerisht se teper i zgjuar dhe i sprovuar ne lemin e trajtimit qe regjimi u rezervonte disidenteve te mirefillte por edhe te rreme, nuk mund te mos i parashikonte pasojat e kritikave te tij letraro-politike.

    E pamundur qe Arshi te mos e merrte me mend qe ne qe e degjonim fshehurazi nga kanali i tij dhe yni i preferuar, Zeri i Amerikes, para se te beheshim reaksionare te bindur, ishim ushqyer paraprakisht pikerisht me ato alegorite e veprave te Kadarese, botimi i te cilave perfaqesonte per ne nje nga ngazellimet e pakta te kohes. Pavaresisht se ishim te ndergjegjshem per dritehijet e personalitetit te shkrimtarit te madh.

    Arshi nuk mund te mos kishte dijeni.

    Ne vijim te hamendesimeve ….Ndoshta zell i tepruar ne analizen e pameshirshme te regjimit? Ndoshta.

    Por, a nuk e deshironte vertet permbysjen e ketij te fundit ? Fuqishem dhe vendosmerisht siç dinte vetem ai ? Pararendes i te ashtuquajtures “shoqeri civile”?
    Alegorikisht, gjithmone….

  6. Midis skllavërisë dhe qelisë

    Mbetet nga të metat më të thella, shqyrtimi i ngjarjeve pa i vendosur ato në rend kronologjik, si dhe pa marrë prej palëve gjithë informacionin e mundshëm.
    Do të ishte vendimtare të dihej në parathënia e Pipës kishte të bënte me punë të nëndheshme dhe se ajo do të bëhej publike (tok me librin) kur Kadare të ishte jashtë kufijve të Shqipërisë. Vetëm datimi i të shkuarës (që mund të bëhet) nuk e zgjidh përfundimisht enigmën, ndërsa shton pikëpyetjet të tjera si psh. në Pipa e bënte këtë me kokën e vet, e bënte tok me shërbime të cilat s’dihet pse bëjnë prapsou duke sjellë revoltën e Pipës. Që nga Pipa do të na vijnë informacione të mëtejshme, këta na e pat bërë me dije një studiues i tij, dhe kjo prurja e fundit mbi Xhuvanin i shlyen Pipës të paktën atë katran që i kishin lyer sikur ai parathënien e kishte bërë posaçërisht t’ja fuste Kadaresë. Duket që (s’harroj sa shkrova më lart) Pipa kritikon, po me të njëjtën gjuhë, dhe një tjetër shkrimtar.
    Por a e ka mirë Pipa me kritikat? Sipas Kadaresë së Princit të Asturias, Pipa e ka kushtëzim objektiv dhe të detyrueshëm, përsa, po sipas Kadaresë së Princit të Asturias, mbron pavarsinë e letërsisë. Sqarime të bollshme bën vetë Kadare, unë po i bëj përmbylljen dhe lidhjen me sa flasim po me termat e Kadaresë: Nëse shkrimtarët shqiptarë (Kadare, Xhuvani etj, etj) janë qëndistarët e flamurit, Pipa është valëvitësi i tij; për fatin e mirë të tij e të keqin e çështjes … në liri. Mendoj se Pipa do të kishte vepruar njëlloj dhe nga joliria, dhe do të kishte bërë mirë.
    Shumë prej mendjeve racionale dhe të arsyeshme argumentojnë dhe të bindin se kjo, nxjerrja në shesh e alegorive etj. si këto, do ti çonte shkrimtarët në pranga. Kjo është mëse e vërtetë. Veprat, pjesë në to, mund të konsideroheshin veprimtari armiqësore. Por po aq e vërtetë është se qindra njerëz të tjerë, edhe në majën e regjimit, u dënuan për veprimtari armiqësore pa bërë gjë prej gjëje, apo duke i thurrur hymne regjimit. Regjimi dënonte kë-të-donte-kur-të-donte-kot-së-koti, e nuk priste ti vinin sinjale prej një të deklaruari armik i popullit më se njëherë. Pipa i dinte këto, ashtu si ai dhe brezi i tij dinin diçka më shumë se sa brezi, letërsinë e figurave të të cilit ai kritikonte. Ata dinin të dallonin prangat e skllavërisë nga prangat e qelisë; ndonëse gjithë sa Pipa u ofron atyre që kritikon është të mospranojnë prangat e arta të skllavërisë. Mendjet racionale nuk i shikojnë këto pranga, apo bëjnë sikur nuk i shikojnë – që është njëlloj keq, sepse e fut shkrimtarin jo ndër ata që jetoi nën regjimin por në pjesë përbërëse të regjimit komunist. E ndërsa e kapërcejnë këtë pikë me marifet, po me aq marifet pretendojnë se sikur të kishte ndodhur ndryshe, ne do të kishim heroi por jo shkrimtarin. Edhe sikur të mos pranosh skllavërinë të jetë e barabartë me të pranosh qelinë, kjo ishte ajo që duhej bërë, që nuk përjashton të shkruarin e letërisë normale, por përjashton futjen abuzive të heroit në arsyetim.
    Midis skllavërisë dhe qelisë, kë do të zgjidhni* ju?

    * – në kohën e tashme, ju lutem

  7. Ne pritem deri ne fund qe shkrimtaret tane te dashur te pozicionoheshin dhe te veteflijoheshin, sigurisht qe ne nje moment te caktuar te gjithe donim heronj, te gjithe prisnim qe ndonje reaksionar jetim te vriste Enverin gjate parades se 1 Majit ndersa ekspozohej me gjate para turmes entuziaste.

    Por sot mund te gjykojme me mendje te ftohte dhe une nuk them as se Kadareja duhet te martirizohej dhe as se nuk duhej te martirizohej sepse nuk do shkruante me alegorira.

    Thjesht konstatoj se aq sa e ndryshuan fatin dhe kursin e regjimeve perkatese aktet ku e ku me heroike te Sollzhenicinit apo Havelit, po aq mund ta rrezikonin tonin heroizmat e taneve. Pra, aspak. Asnje nga regjimet komuniste nuk ra sepse shkrimtaret lindore perkates zgjodhen vetemohimin. Perkundrazi, te gjitha regjimet komuniste te Lindjes deshmuan nje aftesi mbijetese dhe mbajtje pushteti te adhurueshme. Pra, ta kam fjalen, do te kishte qene thjesht e kote, nje hero me shume a nje hero me pak qe, siç e dime, perkthehej me nje armik me shume a nje armik me pak. Numra te paperfillshem, per vellain e madh rus, per rumunin e per çekun, por edhe per vellain e vogel shqiptar. Ndryshe rrezikojme t’a nenvleresojme fantazmen e kuqe qe ishte ulur kembekryq ne kahun lindor te kontinentit.

    Qendrimet e Pipes mua me futin ne mejtime sepse ndodheshim ne mes te luftes se ftohte. Dhe ne lufte vlejne rregullat e luftes, besoj se ne mos e para, e dyta do te jete qe te mos vrasesh dallendyshet delikate qe mundohen te sjellin pranveren. Sigurisht, e perseris, nese vertet deshiron qe te vije pranvera. Atehere, dy jane mundesite, ose lufta ishte vertet e ndyre, siç thone se eshte çdo lufte, ose ndoshta ndonje pale bente sikur luftonte.

    Ndoshta ne te tashmen ka mundesi me shume se atehere qe te mos jesh skllav pa perfunduar ne burg. Ndoshta.

    1. Përgjigjen, mund ta nisja nga fundi por do duhej kohë e shkruar rreshta për të argumentuar se si dje si sot, gjendja e shkrimtarit mbetet e njëjtë; edhe pse regjimi komunist ja ka lënë vendin pseudodemokracisë, shoqëria shqiptare është ajo që ishte.
      Por mund ta nisja dhe nga fillimi për të të rikujtuar se nuk gjendet letërsi në botë me më shumë të flijuar se letërsia shqipe – jo heronj, përveçse heroizmit që kryen mbi vetveten kur shkruan për të tjerë. Le ta tepëroj pak e të them se mbeten pa u dënuar tre shkrimtarë: Agim Cerga, Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, por dikush do punonte në KQ, dikush do drejtonte Lidhjen e dikush do nëndrejtonte Frontin. Kërkesa ime për të folur në kohën e tashme, ka brenda si nevojën për shmangien e emrave të përveçëm edhe domosdoshmërinë për të përdorur të njëjtën njësi matëse. Sa do të rrezikonin të lartpërmendurit sikur të mospranonin përgjegjësitë (politike) apo sikur alegoria brenda realizmit socialist t’ja linte vendin realizmit(tek Kadare), po të sjell shembullin e Xhuvanit me fjalët e tij nga një intervistë:

      “Sapo filloi kritika, nisën dhe pasojat. Nisi me një tingëllim të ziles së telefonit në redaksinë e gazetës “Drita”. Sapo dëgjova zërin e kryeministrit ia zgjata dorezën e telefonit shokut të zyrës, Andon Kuqalit, i cili mori porosinë që unë duhej të shkoja në Hidrocentralin “J. V. Stalin”, dhe të shikoja me sytë e mi gabimet e mia, të punoja e të jetoja…
      Po atë ditë, apo të nesërmen, më thërret në zyrë Shefqet Musaraj, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai mbante në dorë librezën time të punës dhe pa sqaruar asgjë, si e qysh, më thotë:
      “Nashti, si t’ja bëjmë, si ta shkruaj këtu largimin tënd nga Lidhja e Shkrimtarëve?”
      “Si të keni marrë urdhër”, i them tepër i trishtuar dhe i habitur që s’do të jem më në Lidhjen e Shkrimtarëve, që s’do të jem më shkrimtar, që s’do të kem më as të drejtën e botimit me afat të pacaktuar, fjalë të cilat i kisha dëgjuar korridoreve të Lidhjes.
      “E di si është puna? Të shkruajmë në mënyrë të atillë që most të të shohin shtrembër kudo që të vesh. Ja, për shembull, largohet me dëshirën e tij, mirë?”
      Të pasneërmen u bë një mbledhje e madhe në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, e drejtuar nga Ramiz Alia, po unë s’vajta.
      U nisa me autobusin e linjës për në Hidrocentalin “J. V. Stalin”, “vullnetarisht”, “me dëshirën time”, duke lënë në shtëpi babanë dhe nënën e sëmurë, motrën studente, dy fëmijët e vegjël dhe gruan. S’kam udhëtuar kurrë në jetën time aq i trishtuar.
      Gjashtë vetë me një rrogë të vogël mësueseje filloreje. Ngushëllimin e gjeja vetëm te shprehja e popullit “ka edhe më keq”. Ka edhe burg, ashtu siç u burgosën shumë krijues në ato vite. Unë isha “i lirë” veçse shumë larg, në ekstremin më jugor të vendit.
      Në pikat e kontrollit të policisë, si te Ura e Rrogozhinës, në Sevaster, në Tepelenë, në të hyrë të Gjirokastrës, në Qafë të Muzinës, policët qëndronin gjatë para pasaportës sime e fytyrës sime. Vështrimet e tyre tpër të vëmendshme, sikur paralajmëronin një prognozë të hidhur, që fatkeqësisht u vërtetua më vonë.
      Sa më shumë që kalonin muaj e vite, unë do të zhvendosesha e vërtitesha në kantiere, si në Sarandë, Durrës, Elbasan e Tiranë, gjithnjë si punëtor krahu vështrohesha nga sekretarët e instruktorët e komiteteve të Partisë, nga sekretarët e komiteteve ekzekutive, nga shefat e kuadrove si një njeri i dyshimtë, i rrezikshëm.”

      Dhe me pak se kaq Kadareja në rastet e tij. Sa mund të thuash se do martirizohej, burgosej a largqoftë vritej prej regjimit, aq mund të thuash dhe se do të shkonte puntor krahu, por për ato që s’bëri (në e dinte që duheshin bërë) mund të thuash vetëm një gjë: pati frikë.
      Por edhe mund ti rikthehesha debatit mu në mes. Të thesha se ne po kërkojmë të shpallim dikë fajtor kur nuk ka kurrfarë faji. As Kadare dhe as Xhuvani nuk u dënuan bile as u cënuan nga sa shkroi Pipa, përkundrazi, falë përkushtimit të tyre forcuan pozitat. Pipa, si të tjerët e dinte se shkrimtarët shqiptarë shkruanin mbi bazë të tematikës apo orientimeve nga lart, e kësisoj e dinte dhe se të kritikuarit e tij nuk ishin hartuesit e politikave. Janë temat, shabllonet ato që goditen dhe jo shkrimtarët, këtyre ju goditen mjetet: alegoria, superheroi pozitiv, e këto në dy plane: si për ti treguar regjimit se këto vepra lexohen edhe ndryshe ashtu edhe për tu treguar shkrimtarëve se duhen mjete të tjera. E ai ka pasur të drejtë. Nëpunësi i pallatit të ëndrrave shpjegohet aq bindshëm edhe drejt e drejt, edhe siç deshën komunistët, edhe siç donin antikomunistët, edhe siç donin antikadareistët. Atëhere?

  8. E kuptoj ç’do të thuash, sigurisht Kadareja pati frikë. Por mbetet fakti që, përpos të tjerave, kjo shqipe letrare në të cilën po flasim i detyrohet, sipas meje, në një masë të konsiderueshme veprës së Kadare frikacakut.

    Nuk e di sa intelektualë, djem e vajza të rinj të shkëlqyer, nga të ashtuquajturat familje të mira por edhe bij kulakësh, mendonin në atë kohë të arratiseshin qoftë dhe me not nga vendi. Nëse nuk e bënin dhe duronin me dhëmbë shtrënguar, tek u jepte mend, shoqen Lenka apo shokun Muho, ishte jo se kishin frikë për vete, por për familjen që do të linin mbas. Duhet të ishe njeri pa njeri për të bërë akte heroizmi në atë kohë kur shumica e të dënuarve për agjit-prop nuk e dinin as ç’ishte agjitacioni, por u kishte shpëtuar goja me ndonjë shok, ndonjëherë edhe vetëm me gruan, duke u qarë për radhën e qumështit në mëngjes. Siç e thoshe vetë, të dënonin kur t’u tekej dhe si t’u tekej, shumë më parë se të arrije të përpunoje një mendim disident.

    Nuk i hedh faj Pipës, jo. Duke parë rrjedhën e ngjarjeve, regjimin dhe pas-regjimin, kam filluar thjesht të kem ca dyshime që ne, gjithë brezi im ëndërrimtar që besonte vërtet tek Wind of Change, ndoshta ishim pak si shumë naivë. Prandaj më kap inati dhe them “të paktën të mos na marrin fare për budallenj, të paktën tani jo”.

    Jam dakort me të gjitha ato që thua, meqë ra fjala të përgëzoj për analizën mjeshtërore që u bëje marrëdhënieve greko-shqiptare në një temë të mëparshme. Nëse ti zgjedh qelinë, më ke me vete.

    1. Bëhu dritë dhe eja

      Idenë gudulisëse se ky varg, që lindi thjesht për të thënë se jam në qeli e se atje mund të hysh shpejt si dritë, do të mbante firmën time në botën mbarë ma largoi kërkimi në google, ku fraza e përpiktë anglisht nga 9 herë që gjendej, një herë – prej skocezit të Të padukshëmit (ëmve) Grant Morrison, – ishte përdorur thujase siç e përdora unë 9 vite më pas. Mua më mbetet të pres dhe të kënaqem nëse shkruesit e shqipes do ta përdorin këtë varg në fund të letrave a e-maileve të tyre, në vend të – eja sa më shpejt.
      Askush nuk e vë në dyshim ndikimin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit në gjuhën që ai shkruan, por edhe në gjuhët ku përkthehet. E ndërsa pajtohem me ngjyrën e fjalisë tënde nuk pajtohem me atë nuancën, tisin e errët që i ke hedhur sipër, i cili lë të nënkuptohet sikur po të mos ishte Kadareja (në një masë të konsiderueshme), mjerë shqipja dhe për më tej akoma, mjerë shqipja nga shqipja, apo letrarishtja nga gegërishtja.
      Për ndikim e Kadaresë në shqipe kam lexuar vite të shkuara vetëm për sa i përket fjalëve të reja. Mes neologjizmave që pretendohej se ai kishte futur në gjuhë ishte dhe fjala nënkresë, që kohë me pas Plasari (në mos ai, Klosi) na e tregoi jo vetëm nga vinte por dhe se ishte goxha e vjetër. E pa patur një fjalor historik të gjuhës së shkruar është e tepërt ti veshësh kujtdo merita.
      Kadareja në Kongresin e Drejtshkrimit ka firmën e vet mes 87 vetësh, e këtë si shkrimtar, jo si gjuhëtar i punës së nisur kohë më parë a së paku paralel me librat e tij të fillimit të cilat nuk ishin voluminoze. Pjesmarrja dhe zotimi i shkrimtarëve në kongres ishte i njëjtë si në betimin e pionerëve: “Zotohem përpara Partisë dhe shokëve të mi shkrimtarë se do të shkruaj gjuhën letrare shqipe sipas rregullave të drejtshkrimit”. Besoj se shkrimtarët e edukuar jashtë, por edhe të tjerëve, që mund tu veshim kollaj kostumin e internacionalistit ashtu si po të ndodhnin ngjarjet sot do tu vishnim kostumin e globalistit a të mendjehapurit, nuk do ta kishin problem asnjërin prej varianteve të mundshme të shqipes letrare, fjala vjen shkrirjen mekaniciste 50 me 50 të dy dialekteve të mëdha. Në mbështetje të kësaj sjell lehtësinë me të cilën ata qëruan shkrimin e tyre nga krahinizmat e lokalizmat.
      Me interes do të ishte ballafaqimi i dorëshkrimeve të Kadaresë me librin e shtypur. Nëse ndryshimet e korrektorëve e redaktorëve janë të shumta dhe të shpeshta atëhere do të flasim edhe për ndikim nëpërmjet Kadaresë (krahas ndikimit të Kadaresë). Një gjë të tillë për kohën e sotme e kanë vënë re autorët e këtij blogu që i kanë kushtuar një temë më vete mbjelljeve me kubikë në librat e Kadaresë të fjalëve shqipe, në vend të fjalëve që, me ç’dalka, s’paskërkan qënë aq shqip (e që lë shteg për të thënë se edhe librat e tij s’paskërkan qënë aq të mirë).
      Por, sërish pajtohem me ty në kushtëzimin (që zor se do të studiohet ndonjëherë) që mjetet e shkrimtarit dhe mënyra si i përdor ai kanë në masën e gjërë, bile edhe tek kundërshtarët, apo tek ata që mendojnë ndryshe. Po sjell këtë shembull:

      Kam shkruar në blog më 9 Tetor:
      Intelektuali – Partia nuk bën dot pa intelektualin, intelektuali bën pa partinë.

      20 ditë më pas Ardian Ndreca ka shkruar tek forumi i Shekullit:
      Intelektuali, si i tillë, nuk ka kurrë nevojë për diktatorin, mbasi asnjë rresht i veprave të Çabejt nuk varet prej “miqësisë” së papandehur me Enver Hoxhën, asnjë shkëndije inteligjence e këtij gjeniu të gjuhësisë shqiptare nuk u ndez prej asaj “miqsie”.
      Ndërsa diktatori ka gjithmonë nevojë për intelektualin.

      Ky rast duhet të jetë si rasti im me G. Morrsisonin, gjë që ma përforcon fakti se A. Ndreca, krejt kundër kërkesës sime aty rrotull shakasë me intelektualin, quan dështak dhe një nazist që ka pjellë vdekjen, apo vdekjen vetë, por vetëm e solla për të treguar mënyrën ku të dukshme ku të padukshme të ndikimit të shkrimtarit në gjuhë. Dhe imagjino Kadarenë që i ka pasur lexues të 10 milion shqiptarët e gjallë e të vdekur të kohës.
      Por sa ka ndikuar Kadareja tek të huajt kur thuhet se librat i janë përkthyer në 30 gjuhë? Vështirë të thuhet me saktësi, numri i gjuhëve nuk thotë gjë pa numrin e librave e tirazheve për gjuhë; por edhe kjo s’thotë të gjithën se një pjesë e librave të përkthyer shitej po në Shqipëri, e lexues si unë i blinin shqip, gjermanisht, sërbokroatisht, për të mësuar gjuhët në mungesë të librave të tjerë.
      Sikur të gjenden tre të huaj që mësuan shqipen për të lexuar Kadarenë kjo për mua ka më shumë vlerë se 30 gjuhët ku është përkthyer.
      Lexues, lexues, – siç shkruan Pamuku, – zanati ka një torbë me allate – thotë populli.

  9. Po përpiqem, me mundim lehtësisht të perceptueshëm, t’i përmbaj emocionet. Edhe sepse, vura re, që zotrote, edhe nga maja e birucës, edhe pse dukshëm i mallëngjyer nga fjalia galeote e së nënshkruarës, me bollëk m’i kishe radhitur paragrafët që hidhnin poshtë pothuajse të gjithë arsyetimin tim të mirënyjëtuar.

    Pikë së pari, duke anashkaluar si rastësisht argumentin tim kryesor që ishte ai i padobishmërisë së vetëflijimit të shkrimtarëve disidentë gjatë periudhës së komunizmit. Pikë së dyti, mbasi unë vetë kontribuova për daljen përfundimisht nga tema, duke relativizuar rëndësinë e prirjes puriste të Kadaresë.

    Në fakt, kur i referohesha ndikimit të veprës së Kadaresë në gjuhën letrare, kisha ndërmend jo vetëm lëvrimin e gjuhës në një nivel superior por mbi të gjtha pikërisht atë që ti parandjeve, gjuhën si veshje të mendimit, rrjedhimisht ndikimin e veprave letrare dhe të vetë heronjve letrarë në farkëtimin e personalitetit, kushtëzimin e vetë botkuptimit të lexuesit, modelimin në fund të fundit të vetë shpirtit të kombit. Duke mos pasur as ekspertizën e nevojshme dhe as librat e Kadaresë me vete, po kufizohem në disa përshtypje empirike. Eshtë e pamundur që një pjesë e adoleshenteve të asokohe që lexonin me etje Kadarenë të mos jenë ndikuar nga ajo shija aq e këndshme dhe unike, që të linin personazhet femërore të veprave të tij, brilante por përjetësisht të trishtura, pak partizane dhe pak dekadente, besnike por shpesh me hope sepse pa paragjykime por dhe vasha haremi të dashuruara, shpesh të padeshifrueshme.Por të njëjtën gjë do ta thoja për personazhet femërore të Tolstojit apo Cehovit, është kaq e fortë shija e hovit fatalist tek Karenina apo entuziazmi mendor te të tjerat Ana, sa është e pamundur që të mos u mbash me vete, pashlyeshëm, gjurmët. Sigurisht, nuk përjashtoj që adoleshente të tjera të jenë ndikuar fuqishëm dhe përfundimisht nga hovi feminist i protagonistes së “Sikur të isha djalë” të Stërmillit. Po ashtu shpresoj që Ju të mos jeni trajtësuar vetëm mbi modelin gri të nëpunësit të pallatit të ëndrrave, por edhe mbi atë të të ngujuarit romantik deri në frymëmarrjen e fundit apo të vëllait të mrekullueshëm Kostandin që nuk e shkeli fjalën as nga bota e përtejme. Askund më mirë se në letërsi, ndjehet tek rreh, nëse rreh, pulsi i kombit. Tek Asdreni, Cajupi, Drenova, Naimi, Fan Stilian Noli, por unë e ndiej edhe tek Kadareja.

    Pra, për Kadarenë, sa i detyrohemi e sa jo, nuk mund të thuhet me dy fjalë. Më duket se për shumë shqiptarë Kadareja duhet të kishte dalë në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, përpara Komitetit Qëndror e të priste pa iu dridhur qerpiku një nga tankset e paradës ushtarake porsi kinezi i Tienanmenit. Vetëm në këtë rast, sipas nesh, do të meritonte kurorën me dafina por dhe nobelin, të dyja domosdoshmërisht mbas vdekjes. Po i bija larg e larg për të të thënë se ndoshta nuk e ndërmori këtë hap jo vetëm nga halli i vujatjes fizike, por edhe nga halli se mos mbi kryet e Jellenës së dashur dhe vajzave ulej përfundimisht kërcënuesi muzg i perëndive të stepës.

    Mbasi u mundova t’i thur një himn galerisë së pafund të personazheve të kijuara nga Kadareja, Ju i ngujuari im i dashur, e kuptoni që unë refuzoj të dëgjoj Kadarenë e dy dekadave të fundit, që ka harruar pendën e artë për t’u kthyer në konsullin e nderit të shqiptaromëdhenjve pranë BE-së. Refuzoj të pranoj Kadarenë politikan apo kombëtarist të thekur sepse është e qartë që në këtë rast, mund të ngrihen, në këtë rast me të drejtë, të gjitha dyshimet dhe pse-të e mundshme.

    Nga ana tjetër më duket se edhe Arshi, se e lamë ca pas dore, ka ca vështirësi për të bërë paqe me të kaluarën.

    1. Merre keshtu:
      Arsyetimi yt eshte ndertese qe ben hije ane rruges se kaosit tone, ngritur aq lart sa te lejon tabani e ta mban xhepi. Por po keshtu merri dhe katet e mia, ndertese nga ana tjeter e rruges, e cila jo vetem qe nuk prish tenden por krijon me te kompleksin, vijen e qiellit. Lexuesit jane te lire te zgjedhin ku do banojne, vizitoret ke do mbajne mbas shpine per nje “kadro”. Ne duhet te merakosemi ti bejme sa me te banueshme – qe lejojne hapesira, mikpritese- me dyer rrotulluese qe lejojne kedo te hyje …por te dale nese s’eshte vend per te e jo porta te tejdukshme qe i perplasen tjetrit para fytyres, me gjelberim – ne mos mundshmim te bejme kopesht te nxjerrim dy saksi tek dera.
      Te falenderoj se nderkohe i ke bere keto pavarsisht sa thua. Tani ne teme.
      Intervista e fundit e Kadarese con uje ne mullirin tim.
      Lexo te fshehtat qe thote: Gjenerali eshte nismetuar te botohet prej Vrionit … per nevoje te tij. Eshte botuar nga 8 Nentori ne frengjisht si … absolutisht, pjese e propagandes.
      Shkuarja e Kadarese ne France behej me nje ftese qe … Kadare e dinte qe e kishin ata, qeveria e dinte qe e dinte partia, partia e dinte qe e dinte nje organizem me i larte i partise (E Javer Malua do kete kenduar: e ka kush e ka le ta mbaje me sevda).
      Kadare nuk ka dashur ti prishe pune (vendit- thote ai) e nuk ka ikur apo kerkuar azil politik (ndonse banonte familjarisht ne France), per sa kohe Ramiz Alia gjendej ne USA me shpresen se ku mund ta kthente fleten.
      Ndersa me 1989, ai takon Xhorxh Bush plakun, e nje muaj e gjysem me pas i dergon dorazi dhe nje leter qe si ka ruajtur kopje (por qe po te jete shkruar e derguar pa ndonje reng nga lajmesi freng do jete ne library-arkiven e Bushit ku per ndonje studioz te interesuar jepen grante). Pra mbetet ajo qe them une se kishte frike e jo ajo qe thua ti se ishte frikacak.
      E qe ta mbyll me Pipen. Mbas gjithe ketij aktiviteti te nendheshem me 89-90, pse mos mendojme se ka patur te tille tentative apo mbetur ne edhe me pare.

  10. Ah, ti do me vdesesh mua, Cyprin vella. Kjo çoka uje ne mullirin tend. Si keshtu? Kaq kollaj? Nga inati i vellimit ne rritje te ujit te mullirit tend fillova edhe une te kerkoj fakte te tjera qe mund te sillnin uje ne mullirin tim por shyqyr qe u kujtova tani, qe une ne fakt nuk kam as mulli, prandaj i fshiva nja tre paragrafe qe kisha qendisur. Po pse o vella, o shok qelie, mos gje ne jemi dy katundare debile qe zihen per vijen e ujit ?

    Jam dakort me ty, sa here qe Kadareja leshon intervista, dhe per fat te keq te tij i leshon majtas e djathtas me lehtesi te madhe, i prish pune vetes dhe ta heq deshiren per ta lexuar, por ç’te bejme, nuk ka qene kurre ai burre i urte qe do kishim dashur te ishte.

    Vetem nga nje ide une nuk heq dore as me revole te koka. Sepse eshte çeshtje parimore. Asnje nga prinderit tane nuk pati frike, pergatitja dhe zgjuarsia te dhuron natyrshem edhe trimerine. Atyre burrave dhe atyre grave u kishin marre peng afektet, zgjodhen qendresen ne heshtje per hirin tone, disidenca e hapur ne ate kohe nenkuptonte nje akt egoizmi ekstrem, shperfillje te dhimbjes se familiareve te afert e te larget.

    Prisnin çdo mengjes per ke do te binte kembana ate muaj. Dhe nuk na takon neve, aguridheve te asaj kohe te perkedhelur prej tyre, t’u kujtojme se paten frike, as taneve dhe as Kadarese bashke me tanet. Bene sa munden, do te jete gjithmone me shume se ajo qe po bejme ne.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin