Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

VOMITOLOGJI

Restorantin “Donika”, në të dalë të qytezës N., e frekuentonte shpesh mjeku fiziolog Trifon Xh., të cilin vizitorëve të rrallë të qytezës ua prezantonin si një kuriozitet të pashembullt, meqë ende gëzonte famën e specialistit më të mirë në Ballkan e ndoshta në krejt Europën Lindore për të vjellët, ose të vomitologut; titull që e kishte fituar me djersën e ballit, pasi kish mbrojtur në Sofje, në vitin 1957, doktoraturën me të madhin prof. Kosta Gllotov, në lëmin e fiziologjisë së aparatit tretës.

Të thoshin edhe se, po t’i uleshe në tryezë e t’i ofroje një teke uzo, së bashku me mezetë e thjeshta që përgatiste “Donika”, dr. Trifoni do të të rrëfente për veçoritë unike të aktit të të vjellit, të cilin ai e quante, pa ngurrim, një mrekulli të natyrës; duke e krahasuar pastaj me aktin tjetër, sa imagjinar aq edhe të pamundshëm, të thithjes së ekskrementit nëpërmjet anusit; ose të urinës nëpërmjet uretrit.

Kur pyesje pastaj rreth e rrotull se si kishte përfunduar në qytezën N. ky personalitet i rangut botëror në lëmin e vomitologjisë, disa të përmendnin gruan e tij të parë, agronomen bullgare Avdotia, të cilën e patën kapur në flagrancë me Feim P., aso kohe specialist i ndërzimit artificial, por i martuar me të bijën e Heroit të Popullit gjeneral Çaush P. me të cilën kishte edhe një vajzë, Edlirën, për ç’arsye incidenti u mbyll pa bujë, por vetëm me qortime në zyrat përkatëse të Partisë dhe të shtetit; ndërsa disa të tjerë përmendnin një incident të ndodhur vite më vonë në shtëpinë e po këtij Feim P., tashmë Kryetar i Komisionit Qendror të Revizionimit Feim P., disa vjet pasi Avdotia ishte kthyer në Bullgari së bashku me dy binjakët; dhe që kishte nisur me një krizë të papritur nervash sipas disave, ose haptazi histerike sipas disa të tjerëve, të vajzës së lartpërmendur të shokut Feim, Edlirës, e cila po e villte të gjithë ushqimin që hante, me gjithë kujdesjet kulinare të të jëmës, që nuk i kishin munguar kurrë; aq sa vetë shoku Feim ishte interesuar që të thërrisnin, nga internimi i përkohshëm pas dezertimit të agronomes revizioniste Avdotia, specialistin vomitolog Trifon Xh., me arsyetimin se ende mund të jepte për çështjen; për çka dr. Trifoni kishte nisur të kryente ekzaminimin subjektiv të pacientes, i cili po shkonte mirë, me përjashtim të faktit që pacientja gjatë asaj kohe kishte qenë cullak; dhe mjeku vomitolog, më pas, kishte komentuar, në pije e sipër, për lëvizjet e pavullnetshme, por prej valltareje të thekur, që ia bënte ajo fundbarkut të rruar taze; ose edhe më keq akoma, kishte thënë, gjysmë me shaka, se të vjellët paroksistik të Edlirës duhej gjykuar si orvatje simbolike për të abortuar; më në fund, të tjerë spekulonin se Edlira në të vërtetë kishte abortuar pasi ishte këshilluar kokë-më-kokë me obstetër-gjinekologun Viron E., ndërsa incidenti me Trifonin i referohej reagimit të pasjellshëm madje fodull të këtij të fundit, kur shoku Feim e kishte përmendur në bisedë e sipër udhëheqësin e disertacionit të tij dhe mësuesin e tij, duke e quajtur prof. Kostogllotov, jo prof. Kosta Gllotov, siç ishte e vërteta që e njihnin të gjithë specialistët fiziologë anembanë botës.

Elif Sanem Karakoc

Gjithsesi, në qytezën N. të tregonin se dr. Trifoni, pas dy-tre gotash uzo shoqëruar me vezë të ziera ose cironka të fërguara fort, niste të shpjegonte se edhe aborti, i provokuar ose spontan, nuk është veçse një lloj të vjelli gjenital, meqë ashtu trupi i gruas largon prej vetes një gjësend të padëshiruar, sadoqë më parë të pranuar me ëndje në rrethanat e aktit seksual me depërtim të pambrojtur të vaginës dhe ejakulacion të padevijuar; për të shtuar pastaj se fiziologjisë i duhej ende shumë punë për të kuptuar filozofikisht spazmën muskulore, këtë manifestim të lashtë të jetës si të tillë, që nga euglena e blertë deri te balerinat e Bolshoj-t; dhe që mundësonte jo vetëm të vjellët ose dëbimin nga trupi të materialeve të padëshiruara, por edhe vetë të folurit njerëzor, teori që e kishte përsiatur, më se një herë, i ndjeri prof. Kosta Gllotov, të cilin ndonjëherë, për turp, ia thoshnin emrin gabim si Kostogllotov.

Askush në qytezën N. nuk i kushtonte shumë vëmendje këtyre përsiatjeve fiziologjike abstrakte të vomitologut të parë e ndoshta të vetëm shqiptar; ndoshta me përjashtim të operativit të degës, Miço F., i cili jo vetëm kishte mbaruar dikur kursin e infermierëve para se t’i përkushtohej armës së Sigurimit, prandaj merrte vesh diçka nga spazmat, të vullnetshme dhe të pavullnetshme; por edhe ngaqë kishte kohë që punonte, në rrugë autodidakte, për një traktat të hetuesisë trupore, një kapitull i të cilit i kushtohej pikërisht deponimit të analizuar si një lloj të vjelli, çka vetvetiu të sugjeronte idenë se hetuesit duheshin aftësuar në përdorimin e instrumentave psiko-emetikë, ose të tillë që të provokonin të vjellët mendor në të pandehurit.

Të dy bashkë, dr. Trifoni zakonisht i pirë xurxull dhe me një tufë flokësh të rrëzuar filozofikisht mbi hundë, dhe operativi Miço, i kërrusur në pozicion përgjimi aktiv, kalonin orë të tëra në mjediset e restorant “Donikës”, duke u ngrënë me njëri-tjetrin për marrëdhëniet sa paralele, aq edhe konvergjente midis spazmave të kordave zanore dhe artit muzikor; epilepsisë dhe jermit liturgjik; aktit të defekimit dhe fillimeve të bujqësisë në qytetërimin shumero-babilon; tenezmës dhe orgazmës. Këto biseda vazhdonin me orë të tëra, për t’u ndërprerë vetëm sa herë dr. Trifonit i duhej të shkonte duke tërhequr këmbët zvarrë në nevojtore për të vjellë mezet e pakta të “Donikës”, ose më shpesh vetëm vrer.

1 Koment

  1. me falni per komentin se ska lidhje me temen por mire do ishte te vinit kredite per autoren e fotos.Ajo quhet Elif Sanem Karakoc
    faqja e saj eshte ketu:
    http://www.flickr.com/photos/elifkarakoc/

    pershendetje

    — Eni, ja njoh mire punen dhe vetem per pune pertacie nuk arrita ta shenoj mbreme. Gjithsesi, fotoja ishte shoqeruar me nje link te faqja perkatese (PA)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin