Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Teknologji

WIKI BEQARE

wiki-shqiptareProblemin e besueshmërisë së Wikipedia-s e patëm ngritur në këtë blog kohë më parë. Me të drejtë, trajtonim vetëm pjesën shqipe të enciklopedisë së njohur online, çka e nënkuptonte në një farë mënyre ekzistencën e një problematike që shkonte përtej hapësirës shqiptare.

Në shkrimin e vet “Wiki Wiki”, Xha Xhai vërente se:

Për nga natyra e vet, Wikipedia është e hapur ndaj përdoruesve dhe i përjashton hierarkitë akademike ose orvatjet për kontroll dhe manipulim të informacionit; mirëpo kjo presupozon edhe një shkallë të vetëdijes qytetare e cila ne, shqiptarëve, po na mungon.

Në shkrim dhe në komentet vijuese, mes potpurish shembujsh humoristikë qëmtuar nga Wikipedia shqip, prekeshin edhe tema të tjera si: cilësia e informacionit në enciklopedinë në linjë, liria e fjalës, koncepti i demokracisë, administrimi i lirisë, pasuria publike, e kështu me radhë.

Në atë rast, Xha Xhai bënte edhe një propozim konkret – botuar më pas edhe në gazetën “Shekulli” – për t’i dhënë zgjidhje hallakatjes enciklopedike në Internet. Ja pasazhi kryesor:

Mendoj se një zgjidhje do të ishte të mobilizoheshin forcat e lira të Universitetit të Tiranës dhe të Akademisë së Shkencave, të cilat mund ta ndërprisnin përkohësisht veprimtarinë rutinë të prodhimit të artikujve, temave dhe disertacioneve (që, midis nesh, janë përgjithësisht pa vlerë), dhe të punonin për t’ua dhënë shqiptarëve një Wikipedia dinjitoze në gjuhën shqipe. Secila katedër, secila degë, secili specialitet do të mbulonte fushën përkatëse, nën koordinimin e një redaksie fare të vogël, e cila të kujdesej për të formuluar pak kritere teknike e pastaj për t’i futur materialet në Wiki.

Dy vjet më vonë, pra pak ditë më parë, shqetësimi ngrihet edhe nga një autoritet i padiskutueshëm i kulturës botërore. Umberto Eco, në shkrimin e tij botuar në javoren “L’Espresso” me titull Ho sposato Wikipedia? (Jam martuar me Wikipedia-n?), shtron çështjen e përgjithshme të besueshmërisë së enciklopedisë. Semiologu i njohur italian, ndërsa pranon se e përdor rëndom Wikin si gjithë ne vdekëtarët e thjeshtë, vë re se kontrolli kolektiv i gabimeve që ushtrohet online mund të funksionojë për figura madhore (Eco jep shembullin e Napoleonit), por nuk funksionon për figura më pak të mëdha (këtu Eco fut veten dhe informacionin e rremë dhënë nga Wiki, sipas së cilit ai paskësh marrë për grua vajzën e botuesit të vet).

Më tej, pasi pyet veten e të tjerët se sa duhet t’i besojmë sot Wikipedias, Umberto Eco rrëfen se ai, për të verifikuar saktësinë e një informacioni wikipedian, përdor teknikën e ballafaqimit me faqe të tjera interneti. Mirëpo, edhe vetë shkrimtari italian e pranon në mënyrë implicite se kjo teknikë kërkon një farë përgatitjeje. Ai e përdor sepse i ka aftësitë e duhura. Po përdoruesi që nuk i ka mjetet e sofistikuara dhe intuitën e zhvilluar të studiuesit, si t’i nuhasë gomarllëqet e Wikit?

Së fundi, para se të dorëzohet përballë një problemi botëror, Eco propozon që të themelohet një “qendër për monitorimin e Internetit” të përbërë nga një grup ekspertësh sipas lëndëve, që të gjykojë për besueshmërinë e siteve të ndryshme. Mirëpo mjafton një shembull çfarëdo dhe propozimi i Eco-s rezulton i pamundur; sepse sasia e informacionit është e tillë që nuk e mundëson kontrollin. Në fund edhe vetë Umberto Eco e lë problemin pa zgjidhje.

harta-enciklopediaProblemi është pa dyshim global, çka do të thotë se edhe informacioni shqip i Wikit paraqet, në rastin më të mirë, të njëjtat probleme. Së pari, duhet thënë se kontrolli kolektiv i propozuar nga Eco presupozon ndërgjegje të lartë sociale, çka më duket se i mungon hapësirës virtuale shqiptare. Duhet shtuar gjithashtu, se kontrolli mund të praktikohet vetëm në projekte të hapura të llojit open source, në raste të tjera bëhet pothuajse i pamundur. Pasaktësitë në Internet mund të sinjalizohen, por nuk mund të korrigjohen. Për të vijuar me Wikipedian, është e vërtetë se gabimet e saj në shqip mund të korrigjohen ndonjëherë edhe nga nxënësit e gjimnazeve, por është po aq e vërtetë se përdoruesit jo gjithnjë e marrin mundimin e korrektimit. Pastaj, korrektimi i informacionit nënkupton të paktën drejtshkrimin, i cili vazhdon të jetë ëndërr për shumë të shkolluar shqiptarë. Nga ana tjetër, jo gjithnjë informacioni enciklopedik mund të përpunohet nga qytetarë me njohuri të nivelit mesëm. Së fundi, kontrollin kolektiv shqiptar e shoh të vështirë edhe për arsyen se përdoruesit e Internetit janë ende të paktë në numër. Sasia e përdoruesve e ka detyrimisht elementin cilësor brenda, përderisa nuk ua mundëson potencialisht të gjithëve konsultimin e faqeve enciklopedike.

Kontrolli kolektiv më jep përshtypjen se i qëndron problemit ashtu si parandalimi kurimit të sëmundjes. Është i domosdoshëm, por më mirë të mos shkojë puna deri atje. Me fjalë të tjera, kujdesi për futjen e informacionit, ose më mirë kontrolli preventiv, do ta bllokonte që në embrion deformimin informativ. Nga kjo pikëpamje, propozimi i Xha Xhait më duket më funksional, edhe pse më duhet të pranoj se kontrolli preventiv sikur ia gjymton shpirtin Wikit, qenia e së cilës lidhet pazgjidhshmërisht me lirinë e informacionit dhe vullnetarizmin e përdoruesve të Internetit.

Ndoshta ndërthurja e dy metodave do të sillte fryte të mira për cilësinë wikipediane në shqip. Angazhimi i universiteteve shqiptare për kontrollin e informacionit ekzistues në Wikipedia dhe njëkohësisht për futjen e informacionit mungues, do ta përmirësonte dukshëm gjendjen aktuale, e cila mbetet e mjerë pavarësisht nga përmirësimet e kohëve të fundit. Në fakt, vetëm dhe vetëm nga kjo pikëpamje, po më duket disi e pranueshme harlisja e tepërt e universiteteve shqiptare, që po shtohen dita ditës pa kurrfarë kriteri. Ministrisë së Arsimit dhe Universiteteve do t’i kërkoja dy gjëra: a) futjen në programet mësimore shkollore të konsultimit të informacionit në Internet (u duhet mësuar nxënësve konsultimi i vetëdijshëm dhe metodat e verifikimit); b) njohjen zyrtare të veprimtarisë që ka të bëjë me pasurimin e zërave enciklopedikë të Wikipedias në shqip (më mirë përpilimi origjinal i disa zërave në Wiki se sa një diplomë e kopjuar keq nga po ato faqe enciklopedike të shkruara keq). Në këtë mënyrë do të arrinim një farë përdorimi të ndërgjegjshëm të Internetit si dhe rritjen e cilësisë së informacionit në gjuhën tonë.

Puna për përmirësimin e Wikit në shqip, do t’i nxiste gjithashtu brezat e rinj – çka nuk është e fundit për nga rëndësia – që ta zhvillonin më tej ndjenjën dhe etikën e pasurisë publike. A nuk është kultura shembulli më i qartë i kësaj të fundit?

12 Komente

  1. Kush te doje le te beje nje kerkim per te pare kete qe nuk e di nese do quhet gabim.

    Ne faqen e Wiki-t, History of Albania shkruhet: “………Rome finally subjugated recalcitrant Illyrian tribes in the western Balkans during the reign of Emperor Tiberius in A.D. 9. The Romans divided the lands that constitute modern-day Albania among the provinces of Macedonia, Dalmatia, and Epirus.[4]………….”

    Ne faqen e Julius Caesar Augustus thote: “Gaius Julius Caesar Augustus (23 September 63 BC – 19 August AD 14) was the first emperor of the Roman Empire, which he ruled alone from 27 BC until his death in AD 14.”

    Jam i bindur qe ashtu si une, ju mund te keni gjetur gabime te tjera. Pastaj; nuk di nese ky eshte gabim i yni dhe pastaj perkthyer nga nje tjeter anglisht foles apo vete ata qe kane bere artikullin nuk kane patur parsysh faktin se kush ka qene perandor ne ate periudhe kohe qe flitet.

  2. Po nese, sikurse thote Xha Xhai
    “..forcat e lira të Universitetit të Tiranës dhe të Akademisë së Shkencave, të cilat mund ta ndërprisnin përkohësisht veprimtarinë rutinë të prodhimit të artikujve, temave dhe disertacioneve (që, midis nesh, janë përgjithësisht pa vlerë)”
    atehere sa te sigurt jemi ne qe informacioni i vene prej tyre ne Wiki do te jete me vlere?

    1. Ideja ime ishte që, në Wikipedia, këta do të përmblidhnin gjëra të përshkruara prej të tjerëve; pa qenë nevoja të bënin ndonjë “zbulim” ose “interpretim” origjinal të sendeve, siç kërkohet, përkundrazi, për disertacionet.

      Unë kam punuar me vite në një institucion të nderuar të Akademisë; dhe të siguroj se shumica e disertacioneve që kam parë aty dhe lexuar kanë qenë pa vlerë (edhe pse jo doemos me gabime; thjesht pa vlerë për shkencën në përgjithësi, kohë dhe letër e harxhuar kot, shpesh me yrysh për të kapur afatet e dorëzimit, nga njerëz që punën e përditshme e kryenin saktë dhe mirë, por që për kërkimin shkencor nuk kishin ndonjë interes intelektual).

      1. Po po, jam shume dakord me ju. Edhe vete punoj ne nje nga Institutet qe dikur ishin pjese e Akademise, dhe e di perse e keni fjalen. Ceshtja eshte se shumica e ketyre punimeve nuk kane ndonje vlere pikerisht per faktin se shumices se studiuesve tane u ka munguar pergatitja teorike. Qe nje punim te arrije te kete prurje, duhet qe ne radhe te pare studiuesi te kete pregatitje teorike dhe te kete aftesine te beje nje kompilim te teorive te nevojshme per temen qe ai trajton. Vetem kur arrihet kjo mundet qe studiuesi te arrije ne gjetje apo formulime origjinale me vlere shkencore e intelektuale. Tek kjo shumice studiuesish kjo ka munguar, por duke mos qene te afte te bejne as kompilime teorike, une kam dyshim se do te arrinin te benin nje gje te tille, pra te perdornin dijet e te tjereve, per Wikin. Per kete e kisha me shume fjalen…

        1. “kompilim te teorive ” = permbledhje te teorive?

          E para tingellon gati-gati keq, sidomos me ndonje “harrese” germash.

  3. Wikipedia dhe kontrolli i informacioneve brenda tij po evoluojne. Nese ne fillimet e wikit paradigma kryesore ishte qe te gjithe mund te benin ndryshime tashme editoret kane nje lloj hierarkizimi ne baze te besueshmerise. Pra wiki po krijon dhe pershtat nje rrjet besueshmerie te redaktoreve. Dhe kjo eshte per mendimin tim dhe rruga e duhur.

    Ne fillim niset puna me nje paradigme organizuese te caktuar e me pas kjo paradigme pershtatet dalengadale per te arritur me vone nje pike optimale. Wikipedia e nisi rrugen me nje mungese totale hierarkish dhe tashme po vendos dalengadale nje rrjet te pjesshem e kompleks kontrolli dhe hierarkish.

    Per zgjidhjen e problemeve komplekse (krijimi i nje enciklopedie e krijuar nga kontributi i shume vullnetareve psh) perqasjet qe lejojne pershtatjen gjate bashkeveprimit me mjedisin jane dhe ato me te mirat. Pishaku propozon ketu psh. nderthurjen e kontrollit preventiv dhe atij kolektiv. Ne gjuhen e gjenetisteve kjo nderthurje do te quhej “rikombinim” dhe pershtatjet e vogla qe behen here pas here ne sistemin e kontrollit te redaktimit do te ishin “mutacionet”. Kemi te bejme pra me nje lloj procesi evolucionar pak te ngjashem me ate biologjik.

    Nje prej gjerave me mahnitese te internetit eshte qe na lejon eksperimentimin me strukturat me te paimagjinueshme te kontrollit ne cikle shume te shpejta. Nje fleksibilitet ky qe ne strukturat e kontrollit te sistemeve reale psh. ne institucione shoqerori apo kultura eshte krejtesisht i pamundur.

    1. Nuk duhet harruar, megjithatë, numri relativisht i vogël i atyre njerëzve që mund të merren aktivisht me çështje të Wiki-t shqip.

      Në krahasim me miliona profesorë universitetesh, kolegjesh e shkollash të larta, por edhe autodidaktësh të sferës anglofone ose frankofone, shqiptarët që mund të bëjnë diçka në këtë fushë janë fare pak; dhe prandaj kontributet në Wiki-n shqip nuk mund t’i lihen vullnetarizmit, qoftë edhe për arsye thjesht statistikore – sa është probabiliteti që një shqiptar të jetë njëkohësisht i gatshëm dhe i përgatitur për të kontribuar? Ne kemi kaq pak njerëz të përgatitur, sa jemi të detyruar t’i organizojmë nga lart këto ndërmarrje; nuk kemi burimet njerëzore as të SHBA, as të Kinës, as të Gjermanisë, as të Francës, as të Rusisë.

      1. Eshte e vertete qe per aresye statistikore vullnetarizmi nuk funksionon ne wikipedian shqip. Jane thjesht shume pak perdorues interneti dhe nder ata pak shumica dine gjuhe te huaja e kur ju duhet dicka shohin/redaktojne me mire versionin anglisht duke e lene versionin shqip ne meshire te fatit.

        Pikerisht kete problem per gjuhet e vogla Wikipedia ne formen e tashme nuk e zgjidh. Kryesisht sepse imponon te njejten strukture kontrolli dhe evolucion te kesaj strukture si per gjuhet e medha si per ato te voglat. Per gjuhet e vogla mendoj se do te ishte shume me e pershtatshme fillimi me nje hierarki te qarte kontrolli dhe evoluimin dalengadale drejt hapjes ndaj kontribuesve ne baze. Pra e kunderta e asaj qe funksionoi per gjuhet e medha.

  4. Ja një shembull konkret si mund të përdoren energjitë pozitivisht në Shqipëri për pasurimin e Wikipedia-s. Nxënësit e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja, sidomos ata të viteve të fundit, por pse jo edhe studentët universitarë, si detyra shtëpie mund të bëjnë përkthime të zërave enciklopedikë. Përkthimi i teksteve të ndryshme përdoret tradicionalisht për përvetësimin më të mirë të gjuhës së huaj. Në vend të teksteve shpeshherë të çuditshme mund të jepen pjesë të caktuara të enciklopedisë online, natyrisht të drejtuar nga mësues me përvojë. Puna mund të koordinohet në mënyrë të atillë që nxënësit e gjermanishtes të përkthejnë në shqip disa zëra, ata të frëngjishtes, italishtes, spanjishtes dhe anglishtes të tjerë. Gjithnjë në shqip. Vura re se shpjegimi i fjalës dashuri në Wiki ishte krejt i varfër, kurse në anglisht, italisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht ishte mjaft i pasur, madje i ilustruar me pamje. Mos vallë duhet interpretuar ndryshe kjo mungesë?

  5. ceshtja e gabimeve te wikit ( ne fakt emer sexy ) eshte nje parodizim i problemeve qe kane te bejne me hipermashtrimet ne fushen e dijeve sociale. Ne fakt nuk jam perdorues i madh i wikit, por si lexues i zellshem i temave historike dhe politike, nuk shoh asnje problem qe ne te njejten kohe kur qarqe zyrtare akademike kombetare dhe nderkombetare na kane krijuar nje vizion te rreme mbi te kaluaren dhe te sotmen e njerezimit nje enciklopedi e lire te gaboje ca data emra apo koncepte. Sa per ne shqiptaret dhe historise sone sido qe te jete dhe pavaresisht sa pak e njeh vendin tone shkruesi i artikullit, nuk mund t’a tejkaloje gafat e qellimshme te versionit zyrtar-akademik.
    Ndersa per angazhimet ” intelektuale” qe duhet te formatojne wikin ne shqip, do te preferoja qe nqs jane te mundura te perpiqen te riformatojne librat e shkolles. Them nqs jane te mundura sepse sinqerisht dyshoj……

  6. *
    Diku nga 1992 Josif Brodskij shkruan ne nje poezi se i duhej te linte apartamentin e Manhatenit per tu shperngulur ne Nju Xhersi. Teksa mbartet ai pyet se cdo te beje me pamjen e dritareve me te cilat sikur eshte martuar.
    Po qe se Umberto Eko e ka pasur kete poezi ndermend, (ta marrim te mireqene qe e ka lexuar), une spekulloj se po, thelbi i saj, dhe titulli me pikepyetje te bejne te mendosh se ai do te shperngulet prej Wiki-t, sepse po i ndodh njelloj si Brodskijt qe pronari i apartamentit nga i mire ju kthye ne aq i keq sa nuk ja kurseu fjalen e urrej.
    Tani per tani, vertet s’ka zgjidhje, por zgjidhja nuk gjendet e duhet kerkuar detyrimisht brenda Wikit e formatit te saj te shkruar. Neser, do te pyesim telefonin e xhepit se ku rron ky peshku CD, e do ta degjojme ligjeraten me zerin e preferuar.
    Por a mos po kerkoj divorc me Wikin? Jo. Por serish sipas Brodskijt, kur te martohem gruan do ta mbaj si te dashur, se kisha eshte kunder divorcit.

    **
    Me thoni 10 arsye pse duhet qe nje njeri i pergatitur duhet te marre inciativen e te kontribuoje tek Wiki shqip. Ju lutem shmangi ato te llojit, sepse s’ka asnje arsye pse te mos kontribuoje. Paraprakisht, kerkesa me ngjan shume kunder moralit te thenies jepi njerit nje peshk dhe e ke ushqyer per nje dite, mesoje te peshkoje dhe e ke ushqyer per gjithe jeten. Por pa harruar dhe vazhdimin e saj djallezor,
    mesoje njeriun te peshkoje
    dhe shiti gjithe jeten grep e toje.

    ***
    Flitet mbi dijen dhe zgjidhja per te nuk mund te jete midis zgjidhjes policore te perbotshme dhe zgjidhjes me grusht ushtarak shteti.

  7. Pishak, juve flisni për “kontroll”, por sot është e pamundur për një gjë të tillë. Google po përparon me hapa marramendës dhe po dixhitalizon librat. Dhe ky është një problem madhor. Ka rrezik për mendimin e lirë, për përkthimin e mirë etj. Një e ardhme e dyshimtë për librat, shkrimet, mendimet, idetë, energjitë e njerëzve.

    Vetëm sot nuk mund të flasësh për kontroll sepse shoqëria jonë është në një fushë dhe ‘kontrolluesi’ ndodhet, ekziston, ai na serviret si zhvillim.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin