ALGORITMI

Ja si funksiononte sistemi:

Një agjent i rangut të ulët përgatiste raportin ditor, duke e shkruar me bojë simpatike në faqet e brendshme të një gazete, zakonisht Puna ose Luftëtari, më rrallë Bashkimi.

I njëjti agjent shkonte pastaj te vendi i caktuar për shkëmbim të dhënash – një fuçi vajguri që shërbente si kosh mbeturinash në zgrip të sheshit nga ku niseshin autobusat e udhëtarëve drejt rretheve të Veriut.

Materiali informativ duhej të depozitohej në fuçi para orës 19:00 (18:00 gjatë muajve të dimrit), që të përnxirrej nga një agjent transportues ose mushkë, zakonisht i maskuar si fshesar, lypës ose inspektor i higjienës publike.

Ky agjent i dytë kishte njëkohësisht për detyrë të transmetonte përmbajtjen e raportit informativ po atë mbrëmje, duke përdorur radiodhënësen që i ishte dhënë për këtë qëllim, të sintonizuar me frekuencën përkuese me datën.

Për shkak të fuqisë detyrimisht të ulët të radiodhënëses, sinjalin burimor do ta interceptonte stacioni i përgjimit në Gargano të Puglia-s; ku radistët ishin instruktuar që ta zbardhnin pa vonesë dhe t’ia dërgonin me teleks një zyre shërbimi në Romë.

Këtu fillonte faza e dytë e operacionit. Agjentë të shërbimeve sekrete perëndimore mblidheshin në një shtëpi “të sigurt” afër Piazza Barberini-t, në qendër të kryeqytetit italian, për të diskutuar rreth dokumentit të sapombërritur dhe marrë vendimet e nevojshme.

Me t’u arritur konsensusi, u dërgohej njoftimi me korrier privat ambasadorëve të SHBA dhe të BRSS në Itali, herë-herë edhe të Vatikanit, të Republikës Popullore të Kinës dhe Izraelit; kryesisht për të konfirmuar se jo vetëm gjithçka deri atëherë kishte shkuar sipas planit, por edhe se ky normalitet pritej të mbetej i pacenuar edhe gjatë orëve të ardhshme.

radarJo më vonë se ora 23:00, aktivizohej automatikisht një kanal komunikimesh të fshehta në një satelit japonez telekomunikacionesh, për t’i dërguar një dispatch të shkurtër, por trifish të shifruar luftanijes së shërbimit, të ankoruar në Adriatik ose, në rast urgjencash, në Jon. Radio-releja satelitare në luftanije e konvertonte mesazhin automatikisht dhe ia përcillte pastaj, përsëri të shifruar, radiostacionit të Farkës; teksa një kopje e vdekur e mesazhit arkivohej edhe nga nënstacioni jugosllav i përgjimit në Grykën e Kotorrit.

I përpunuar nga specialistët e kundërzbulimit në Farkë dhe i transmetuar sërish me teleks, kundër-raporti i dorëzohej pastaj, në formën e vet përfundimtare, Drejtorit të Drejtorisë së Ngjarjeve, Gafurr P., në detyrë e vet pranë selisë së Këshillit të Shtetit.

Me të mbërritur ky mesazh, që shpesh konsistonte në një fjalë të vetme ose numër tri- deri katërshifror, Gafurr P. hynte në studion e Kryetarit të Këshillit të Shtetit, i avitej skrivanisë madhështore prej druri panje dhe ia kthente fletën e radhës kalendarit të tryezës.

Krejt operacioni duhej të kishte përfunduar para se ora në Kullën e Sahatit të lajmëronte me tingëllimë mesnatën.

1 Comment

  1. Po pse nuk rreshtohet edhe saga pavetore e Maksit ne ndonje kolone ketu majtas, po ashtu si Kriperat a Pineskat?
    Ose kur parashikohet botimi i saj i plote qe ta flejme mendjen e te mos qerojme oriz neper blog?

Comments are closed.