ECCE HOMO

Për hetuesin e njohur Llambi H. thuhej se torturat që mund t’i duhej të përdorte gjatë seancave të marrjes në pyetje, i provonte më parë në trupin e vet. Futej në bodrumet ultramoderne të ndërtesës përndryshe të njohur si objekti T-4, u kërkonte ndihmësve ta lidhnin në karriket e vidhosura në dysheme, ose në unazat metalike në mure të qelive dhe jepte udhëzimet përkatëse, të cilat nuk i vinte kush në diskutim.

Llambi kishte fituar respektin e vetë Diktatorit, kur kishte arritur t’i shkëpuste ish-ministrit të Rrethimit Zija G., pohimin për ekzistencën e një komploti, përndryshe të mirënjohur, për të likuiduar krejt udhëheqjen e Partisë dhe të Shtetit, duke rrëzuar, në bashkëpunim me KGB-në dhe NASA-n, stacionin orbital sovjetik Saljut 6 në territorin e Bllokut ku banonin dinjitarët e lartë, familjet e tyre dhe personeli ndihmës.

Me urdhër të vetë Llambit, por edhe me pëlqim të ministrit të Burgjeve Thodhorí Kcira, torturat eksperimentale që i bëheshin hetuesit kryesor të organeve të diktaturës filmoheshin nga fillimi në fund, që pastaj të përdoreshin për programe të ndryshme stërvitore të forcave të rendit. Vetë Llambi besohej se kalonte me orë të tëra duke studiuar reagimet e veta gjatë seancave, forcën dhe modulimin e ulërimave, intervalet midis të fikëtave dhe të përmjerave, voltazhin e elektroshokut, dendurinë e të vjellave, kohëzgjatjen e fibrilacionit atrial, dinamikën e konvulsioneve, histerinë me të cilën u lutej torturuesve të vet për ta lënë të vdiste më mirë.

Kur u qëllonte të ndesheshin në rrugë me Llambin, udhëheqësit e lartë të partisë dhe të shtetit nuk e fshihnin dot njëfarë regëtime të shpirtit, që u shfaqej me zbehje të kaltërreme të buzëve, tharje të fytit dhe dobësi të pashpjegueshme të sfinkterëve; sidomos sa herë ia vinin re gishtat që i mungonin tek-tuk në duart, krahët e vënë në allçi, njërin sy tashmë të zëvendësuar me një sferë qelqi, qafën disi të shtangët, këmbën e majtë që e hiqte zvarrë kur ecte, zgavrat në gjerdanin e dhëmbëve, gojën që, pas një frakture të përsëritur të nofullës, nuk arrinte dot ta mbyllte krejt.

Disa herë ishte kërkuar zëvendësimi i tij, për arsye humane e të vjetërsisë së madhe në detyrë; ose dërgimi i tij për trajtim madje rehabilitim mjekësor në klinikat më të mira të Europës – por për të gjitha këto nuk ishte gjetur dot momenti i përshtatshëm. Po ashtu më kot i kishin sugjeruar që të aktivizonte, së paku herë pas here, vullnetarë në eksperimentet e veta hetimore; Llambit i dhimbseshin vartësit dhe kolegët dhe nuk i bënte zemra që t’i vinte nën hekura.

Thuhej zakonisht nën zë, ose më mirë pëshpëritej, edhe se kaq shumë ishte përhapur në sferat e larta fama e këtij torturuesi shkencor dhe hetuesi model të diktaturës, sa armiqtë e arrestuar pas zbulimit të komploteve të radhës nga Diktatori as nuk guxonin të mos i përgjigjeshin pyetjeve të tij, duke ofruar deponime kaq të plota dhe të hollësishme, sa praktikisht kurrë nuk kishte lindur nevoja për t’i vënë në torturë.

I apasionuar pas shahut, Llambi e kishte zakon të vërente që, njëlloj si në atë lojë mbretërish, në hetuesi kërcënimi ishte më i efektshëm se ekzekutimi.

4 Komente

  1. “Kur u qëllonte të ndesheshin në rrugë me Llambin, udhëheqësit e lartë të partisë dhe të shtetit nuk e fshihnin dot njëfarë regëtime të shpirtit, që u shfaqej me zbehje të kaltërreme të buzëve, tharje të fytit dhe dobësi të pashpjegueshme të sfinkterëve; sidomos sa herë ia vinin re gishtat që i mungonin tek-tuk në duart, krahët e vënë në allçi, njërin sy tashmë të zëvendësuar me një sferë qelqi, qafën disi të shtangët, këmbën e majtë që e hiqte zvarrë kur ecte, zgavrat në gjerdanin e dhëmbëve, gojën që, pas një frakture të përsëritur të nofullës, nuk arrinte dot ta mbyllte krejt” Prandaj e mbyllën me nder, zoti Gjerazi, se e kishin “pararojën” besnike, të hekurt, armiku u merrte të keqen…dhe vazhdojnë ta kenë akoma, por, më të sofistikuar; sot, ata janë me llogari të majme bankare e prona të palujtëshme dhe nuk ka burrë nëne, t’i shkulë vendit..!!

  2. Maksi,
    E lexova shkrimin. Me thene te verteten vlen per kohet e sotme kur dhe sapunin e shijojn si nje djath shume te shijshem. Une jam gjithnje per objektivitet dhe brezit te ri duhet thene e verteta, me te mirat dhe te keqiat. Keta lloj tipash nuk kane egzistuar, sado e ashper ka qene diktatura.

    Me mire te flasim per torturat qe i jane bere Remzi Hoxhes nga Sevgjini dhe padronet e tij, qe i perket “demokracise se perkryer” berishiane, se sa te merremi me nje periudhe qe e ka denuar vete koha qe te harrohet.

    Hasani

  3. Keta njerez kane egzistuar vertet…Shume e arritur….Me stil te ngjeshur….Siç e shoh nga komentet barku nga i cili dolen ende nuk eshte shterpezuar..

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin