DY FJALËKYÇE

 

yes-we-can

 

Dy janë fjalëkyçet, rreth të cilave duket se do të organizohet ligjërimi politik gjatë fushatës elektorale në Shqipëri: NATO-ja dhe Gërdeci.

PD-ja, si forcë politike që ishte në pushtet kur Shqipëria u anëtarësua në Aleancën Atlantike, do përpiqet të nxjerrë avantazhin maksimal nga ky sukses i rrallë i politikës shqiptare; ndërsa PS-ja, që anëtarësimit në NATO as i është kundërvënë, as mund t’i kundërvihet, do bëjë të pamundurën për t’ua shpuar tollumbacen kundërshtarëve, duke u kujtuar katastrofën e Gërdecit.

Kam përshtypjen se publikut, e në veçanti zgjedhësve, nuk u është shpjeguar as nga politikanët, as nga mediat, se çfarë detyrimesh, të drejtash, përfitimesh dhe privilegjesh i vijnë Shqipërisë, dhe qytetarit shqiptar, nga futja në NATO; meqë valët e eterit, deri më sot, kanë bartur veç entuziazmin e parisë politike të Tiranës për këtë event, por jo arsyet e këtij entuziazmi.

Natyrisht, është në interes të pushtetarëve të tanishëm që ta mbajnë anëtarësimin në NATO sa më mitik që të jetë e mundur; duke e paraqitur këtë aleancë ushtarake në mënyrë të tillë, që të perceptohet poshtë sikur të ishte “shpëtimi” i shqiptarëve – nga varfëria, nga rreziku i luftës, nga vetmia, nga nëpërkëmbja; por edhe si ftesë për të çuar përpara gjithçka përmban axhenda e PD-së, deri edhe në aspektet e veta më triviale.

aeroplan-letreNga ana tjetër, duket ironike që të dyja fjalëkyçet, edhe NATO-ja edhe Gërdeci, t’u referohen situatave dhe konteksteve që kanë të bëjnë me forcat e armatosura dhe çështje të natyrës ushtarake; ironike sepse ushtria shqiptare nuk ka luajtur kurrfarë roli në zhvillimet politike shqiptare gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, me përjashtim të kontingjenteve ushtarake simbolike që kemi dërguar në Irak dhe në Afganistan, për të ndihmuar politikisht aleatët dhe tutorët e Republikës Shqiptare.

Megjithatë, ka një ndryshim midis NATO-s dhe Gërdecit, si fjalëkyçe të ligjërimit politik – PD-ja do ta përshëndesë anëtarësimin në Aleancën Atlantike si sukses ose arritje, nëpërmjet një mesazhi që i mëshon pozitives; ndërsa PS-ja do të detyrohet të kapet pas aspektit negativ të mesazhit që ka lidhje me katastrofën e Gërdecit; si mishërim i korrupsionit dhe i paligjshmërisë së qeverisjes nga PD-ja.

Nuk di sa do të jetë në interes të së majtës, që ta fokusojë ligjëratën e vet zgjedhore rreth gabimeve, gafave dhe fajeve të qeverisjes së PD-së; ndoshta zgjedhësve u duhet ofruar edhe një model pozitiv, nëpërmjet një fjalëkyçi tjetër, të ndryshëm nga Gërdeci e që të mos i referohet drejtpërdrejt kundërshtarit politik.

Nga ana tjetër, edhe NATO-ja edhe Gërdeci i referohen të kaluarës së afërt; NATO-ja një suksesi dhe Gërdeci një dështimi. Kur vjen puna për fushata zgjedhore, fokusimi në të shkuarën nuk habit kënd, edhe pse në kushtet që gjendet Shqipëria pak më tepër vëmendje ndaj së ardhmes, përtej flluskave dhe tollumbaceve në programet partiake nuk do t’i bënte kujt keq.

Që edhe NATO-n, edhe Gërdecin e shkaktoi e njëjta klasë politike, ose të njëjtat fytyra, kjo ia shton dilemën zgjedhësit; duke i përcjellë sinjale që janë në konflikt mes tyre. Megjithatë, nga pikëpamja e marketingut politik, po të përqendrohet fushata në këto dy fjalëkyçe, vëmendja e publikut do të mbetet rob i figurave të PD-së, mbizotëruese si për sukseset, ashtu edhe për dështimet e tyre.

4 Komente

  1. Pse kam pershtypjen qe fjala kyce nuk do jete as njera as tjetra, apo ne qofte, do jete e asaj lloj fushate qe Ujku i Zi e quan fushate negative. Qe fushata do dominohet nga negativiteti, nuk do me habiste, por sidoqofte, besoj se nje pjese e mire e fushates do te mbeshtetet edhe tek BE si fjalekyc. Sinjalet per kete jane dhene edhe nga parashikimet e Topit per 2012en, date qe bie brenda mandatit te ardhshem.

    1. Lulian, parashikimet që kanë të bëjnë me veprimtaritë njerëzore (ekonomi, politikë, kulturë) mund të jenë të sakta edhe kur nuk “dalin”.

      Kjo ndodh ngaqë njerëzit reagojnë jo vetëm ndaj rrethanave (siç merr parasysh parashikimi), por edhe ndaj parashikimit vetë – i cili shndërrohet kështu në rrethanë.

      Nëse unë vrojtoj lëvizjen e planetit Mars në qiellin yjor, dhe parashikoj se më dt. 20 maj 2009 ky do të gjendet në yllësinë e Gjarprit, atëherë probabiliteti që kjo të ndodhë kështu është shumë i lartë – me kusht që unë t’i njoh rregullsitë e lëvizjes së planeteve në qiell. Sado kundërshtarë të kem unë mes astronomëve, sado të interesuara të jenë qarqe të caktuara, që planeti Mars të mos i afrohet yllësisë së Gjarprit në atë datë, kjo ngjarje nuk mund të shmanget. Prandaj edhe për çështje të astronomisë nuk vë bast kush.

      Nëse unë jam analist i njohur i tregjeve financiare, vrojtoj luhatjet në vlerë të aksioneve të, bie fjala, Microsoft, dhe parashikoj që vlera e këtyre aksioneve, të hënën e ardhshme, do të përgjysmohet – në bazë të disa të dhënave që kam unë dhe të disa rregullsive që kam vërejtur – atëherë aksionistët e mëdhenj të Microsoft mund të reagojnë ndaj parashikimit tim dhe ta shmangin katastrofën e së hënës, duke e shkaktuar, bie fjala, të premten (pasi të kenë vënë bastet përkatëse, të cilat Wall Street i quan derivatives).

      Po ashtu, në qoftë se unë jam mjek epidemiolog i OBSH-së, dhe parashikoj që një sëmundje virale që ka rënë, bie fjala, në Tarabulluz, ka potencialin për t’u shndërruar në pandemi, atëherë bota mund të reagojë ndaj këtij parashikimi nëpërmjet një programi vaksinimi masiv; parashikimi im ishte i saktë (ose u supozua ashtu, përndryshe vaksinimi nuk do të ndodhte), por njëkohësisht nuk “doli”, sepse pandemi nuk pati.

      Më në fund, në qoftë se unë vë një bast prej 4 milion shekel se Shqipëria do ta fitojë ndeshjen e vet kundër Malit të Zi, asgjë nuk e pengon kundërshtarin tim të paguajë, bie fjala, 1 milion shekel disa lojtarë të ekipit tonë kombëtar (larg qoftë, po nuk vjen e keqja nga fjalët), të cilët të ndihmojnë që Shqipëria ta humbë ndeshjen, dhe ai vetë të futë në xhep 3 milion shekel (natyrisht edhe unë mund të paguaj lojëtarët e Malit të Zi për të njëjtën arsye; dhe ashtu do të kemi në fushë dy skuadra që luajnë për të humbur, jo për të fituar; por këtë vetëm Alan Greenspan mund të na e ftillonte mirë).

      1. Xhaxha, e kam shume te qarte dallimin mes parashikimeve te shkencave ekzakte dhe parashikimeve te shkencave sociale per te cilat flet. Prandaj edhe parashikimet e ketyre te fundit, edhe pse dalin ne terma te ndryshme, zakonisht konsiderohen si profeci vetpermbushese. Ndaj pershtypjen se NATO dhe Gerdeci mbartin nje permbajtje qe duhet zhvilluar deri ne detaj, ne dac nga ana politikes ushtarake, ne dac nga ana e sigurise teknike. Jane terma te ndryshme por qe perfaqesojne nje rreshtim te njejte krah politikave nderkombetare Amerikane, sic e ke vene re edhe ti. Sipas dallimit te shkencave sociale qe ke bere, jane win-win. Nuk besoj, sidoqofte, se do te mungoje rreshtimi pak me teper social krah politikave Europiane, pasi edhe kjo, eshte win-win. Te dyja krahet e politikes do e premtojne me forte se kurre, dhe pak rendesi ka se kush fiton, hyrja eshte e garantuar, mjafton qe ky rreshtim te behet, fatkeqesisht qofte edhe per dukje. Paparashikueshmeria e rreshtimit per dukje, pavaresisht prapaskenave, te margjinalizuara si edhe kuptohet nga vete termi, gjykohet nga nje elegance jo vetem performative por edhe skenike mbi te cilen nuk do te mungojne spekullimet dhe bastet. Kjo sidoqofte, nuk eshte kuptuar ende, dhe vota do te hidhet edhe nje here sipas preferencave personale. Shkurt muhabeti, vej bast sa te duash se Shqiperia nuk do hyje ne SA 2010, nese nje pjese madhore e interesave kane vendosur qe do hyje, e ke te humbur.

        p.s. Me qe jemi ne fjalekyce fushatash, e dinit qe pas fitores se Obames, 163 kandidate per pushtetin vendor ne Brazil e nderruan emrin ne Obama?

  2. Megjithatë, nga pikëpamja e marketingut politik, po të përqendrohet fushata në këto dy fjalëkyçe, vëmendja e publikut do të mbetet rob i figurave të PD-së, mbizotëruese si për sukseset, ashtu edhe për dështimet e tyre.

    Specialistet, sic u thoshte Arbnori socialisteve, jane te ndergjegjshem se bilanci i sukseseve + deshtimeve nga ana e qeveris eshte negativ.
    Nga ana tjeter, sa me pak t’ia tregojne fytyren publikut (qe nuk eshte se i ka harruar teresisht) aq me mire. Ne fund te fundit, kur te marrin pushtetin askush nuk ka te drejte t’u kerkoj llogari, sepse praktikisht nuk kane premtuar asgje – sigurisht nese dikush do marri mundimin te lexoje 1000 faqe program te shkruara ne anglisht nga “specialistet” Amerikan.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: